Të gjithë duam të ndihemi të dashur dhe të respektuar. Por respekti i vërtetë nuk vjen nga një version që u pëlqen të tjerëve. Ai ndërtohet kur je autentik/e, i/e qartë dhe në paqe me veten.
Po, do punë. Po, kërkon të heqësh dorë nga disa zakone që ndoshta i ke pasur për vite. Por shpërblimi? Një respekt që nuk është i përkohshëm.
Nëse kjo është ajo që kërkon për veten tënde, ndoshta duhet të heqësh dorë edhe nga këto zakone:
1. Thashethemet
Thashethemet mund të duken argëtuese në moment, por në fund dëmtojnë reputacionin tënd. Njerëzit nuk e respektojnë dikë që ndërton veten duke ulur të tjerët. Respekti vjen nga maturia dhe vetëkontrolli.
2. Premtimet që nuk i mban
Të thuash “po” dhe pastaj të zhdukesh është mënyra më e shpejtë për të humbur besimin. Nëse nuk je i/e sigurt që mund ta bësh diçka, thuaje hapur. Sinqeriteti respektohet gjithmonë më shumë sesa justifikimet.
3. Të thuash “po” kur mendon “jo”
Ky është problem klasik. Ti e bën për të mos zhgënjyer të tjerët, por përfundon duke tradhtuar veten. Kufijtë e shëndetshëm nuk të bëjnë egoist/e, por më të respektueshëm/me në sy të të tjerëve.
4. Justifikimet
Nuk ke pse të shpikësh arsye, je person i rritur. Nëse nuk do, thuaj që nuk do. Të qenit i/e qartë është një formë mirësie dhe njerëzit e ndiejnë.
5. Të kërkosh falje pa arsye
Të kërkosh falje për çdo gjë nuk të bën më të sjellshëm/me, por më pak autentik/e. Thuaj “më fal” vetëm kur e mendon vërtet. Atëherë fjalët e tua kanë peshë.
6. Të vësh gjithmonë të tjerët para vetes
Të jesh bujar/e është gjë e bukur, por të sakrifikosh veten pafund jo.
7. Të kërkosh vazhdimisht miratimin e të tjerëve
Njerëzit që respektohen më shumë janë ata që ecin sipas ritmit të tyre. Jo çdo mendim kërkon miratimin e të tjerëve, për të mos thënë asnjë mendim.
8. Të zbehësh dritën e të tjerëve
Xhelozia është njerëzore, por të ulësh dikë tjetër për t’u ndier më mirë vetë nuk është elegante. Njerëzit më të admirueshëm janë ata që i ngrejnë të tjerët lart.
9. Materializmi i tepruar
Sendet luksoze mund të tërheqin vëmendje, por jo respekt të vërtetë. Respekti ndërtohet mbi atë që je, jo mbi atë që ke./mxh
Mjekët gastrohepatologë dhe onkologë kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve me tumore të aparatit tretës, përfshirë stomakun, pankreasin, zorrën e trashë dhe ezofagun, madje edhe tek pacientët e rinj.
Profesor Myzafer Kaci renditi disa faktorë të jashtëm që ndikojnë në rritjen e këtyre tumoreve dhe kërkoi nga autoritetet krijimin e qendrave për depistimin e popullatës.
“Ushqimet, hormonet, rrezatimet ndikojnë shumë në rritjen e numrit të tumoreve. Por për fat të keq kapen vonë, sepse shqiptarët nuk kujdesen si duhet për shëndetin e tyre. I lutem autoriteteve të krijojnë disa qendra për depistim me fibroskopi apo kolonoskopi”, tha Prof. Myzafer Kaci.
Ai gjithashtu theksoi simptomat që duhet të nxisin vizitën tek mjeku, si gjaku në feçe ose një analizë fece, dhe rekomandoi fillimin e ekzaminimeve të aparatit tretës nga mosha 40 vjeç: “Ne po hasim tumore edhe tek të rinjtë, 20-30 vjeç, por masivisht fillojnë nga 40 deri në 70 vjeç, prandaj një fibro apo kolonoskopi pas moshës 40 vjeç është e domosdoshme.”
Një shqetësim i veçantë mbetet kujdesi në banesë për pacientët në fazat e fundit të sëmundjes.
“Duhet rritur kujdesi paliativ, pasi pacientët vijnë në mjekësinë interne dhe qëndrojnë 1–2 muaj në pavion. Duhet rritur kujdesi edhe në shtëpi”, u shpreh Dr. Bernard Progni.
Në një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur u diskutua jo vetëm rritja e numrit të rasteve dhe trajtimi i tyre, por edhe rëndësia e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor./mxh
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se delegacioni ukrainas ka paraqitur raportin e tij dhe se takimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përfunduar.
Në një postim në platformën X, Zelensky theksoi se ky ishte formati i parë i tillë pas një periudhe të gjatë dhe se bisedimet u zhvilluan në një frymë konstruktive, me shumë diskutime mes palëve.
“Palët ranë dakord të raportojnë në kryeqytetet përkatëse dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit,” shkroi ai.
Sipas Zelenskyt, përfaqësuesit ushtarakë kanë identifikuar një listë çështjesh që mund të shërbejnë si bazë për një takim të ardhshëm. Ai shtoi se, nëse ekziston gatishmëri për të ecur përpara – gjë që Ukraina e ka shprehur – takime të tjera mund të mbahen, potencialisht që javën e ardhshme./mxh
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një armë e re sekrete, që ai e quan “Discombobulator” ishte thelbësore për operacionin që çoi në arrestimin e Nicolas Maduros.
Trump u mburr se arma misterioze “i bëri pajisjet armike të mos funksiononin” kur helikopterët amerikanë u futën në Karakas më 3 janar për të arrestuar Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores, me akuza federale për drogë dhe armë , operacion që përfundoi pa asnjë humbje jete nga ana e palës amerikane.
“Discombobulator, Nuk më lejohet të flas për të, megjithëse do të doja shumë”, tha Trump gjatë një interviste ekskluzive në Zyrën Ovale.
“Ata nuk arritën që të përdornin asnjë armë, asgjë prej tyre nuk ka funksionuar”, u shpreh ai.
Trump komentoi mbi armën kur u pyet për raportet e kësaj jave se administrata Biden bleu një armë me energji pulsuese që dyshohet se është lloji që shkakton “Sindromën e Havanës”.
Nuk dihet shumë për armën, por këto raportime pasuan rrëfime nga terreni nga Venezuela që përshkruanin se si personat e armatosur të Maduros u ulën në gjunjë, duke “rrjedhur gjak nga hunda” dhe duke vjellë gjak.
Një anëtar i ekipit të rojeve të Maduros tregoi se papritmas të gjitha sistemet e radarit janë fikur pa asnjë shpjegim.
“Gjëja tjetër që pamë ishin dronë, shumë dronë, që fluturonin mbi pozicionet tona. Nuk dinim si të reagonim”, tha ai, duke thënë se më pas u shfaqën helikopterë që transportonin rreth 20 trupa amerikane në zonë.
“Diskombobulatori” atëherë u drejtua drejtpërdrejt mbrojtësve të Maduros.
“Në një moment, ata lëshuan diçka; nuk di si ta përshkruaj. Ishte si një valë zanore shumë intensive. Papritmas ndjeva sikur koka ime po shpërthente nga brenda”, tha dëshmitari.
“Të gjithëve filloi të na rrjedhë gjak nga hunda. Disa po villnin gjak. Ne ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur. As nuk mund të ngriheshim pas asaj arme sonike – apo çfarëdo që të ishte.”/mxh
Nicola Peltz Beckham ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike shumë përpara se të martohej me Brooklyn Beckham. Aktorja amerikane, e lindur në një familje të pasur në Nju Jork, nisi karrierën e saj që në moshë shumë të re dhe u bë e njohur për publikun e gjerë falë rolit të saj në serialin Bates Motel në vitin 2013.
Jeta e saj sentimentale mori po aq vëmendje sa edhe karriera, veçanërisht kur ajo u lidh me emra të njohur nga bota e showbiz-it.
Anwar Hadid
Nicola Peltz dhe Anwar Hadid, vëllai i vogël i modeleve të famshme Gigi dhe Bella Hadid, nisën lidhjen e tyre rreth vitit 2016. Ata e konfirmuan publikisht romancën përmes postimeve në Instagram dhe intervistave, ku Nicola e përshkroi familjen Hadid si “të mrekullueshme”.
Çifti u nda në vitin 2018, por Nicola mbeti në marrëdhënie të mira me disa anëtarë të familjes Hadid. Gigi Hadid ishte e pranishme në dasmën e saj në vitin 2022, ndërsa Nicola dhe Bella Hadid më vonë bashkëpunuan në serialin The Beauty të Ryan Murphy. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e familjes Hadid ishin mbështetës. Motra e Anwar-it, Alana Hadid, komentoi në mënyrë kritike ndaj Nicola-s në rrjetet sociale gjatë dramës mes familjes Beckham dhe çiftit.
Paul Klein
Pas ndarjes nga Anwar Hadid, Nicola u lidh për pak kohë me Paul Klein, këngëtarin kryesor të grupit LANY. Marrëdhënia e tyre në vitin 2018 përfshiu edhe bashkëpunime artistike, pasi Nicola u shfaq në kopertinën e këngës “Thru These Tears”. Edhe pse lidhja ishte e shkurtër, të dy u ndanë në mënyrë miqësore. Nicola konfirmoi ndarjen në vitin 2019, duke i uruar Paul-it më të mirat.
Brooklyn Beckham
Nicola dhe Brooklyn Beckham u njohën për herë të parë në Coachella në vitin 2017, por romanca e tyre nisi zyrtarisht në tetor 2019, pas një takimi në festën e Halloween-it të Leonardo DiCaprio-s. Vetëm dy ditë më vonë, ata ndanë puthjen e parë.
Çifti e bëri lidhjen publike në janar 2020 dhe u fejua disa muaj më pas. Në prill të vitit 2022, ata u martuan në një ceremoni luksoze në rezidencën e familjes Peltz në Florida. Megjithatë, pas dasmës dolën në pah tensione të forta me familjen Beckham. Brooklyn ka deklaruar publikisht se bashkëshortja e tij është ndjerë e fyer dhe e përjashtuar nga disa anëtarë të familjes së tij, përfshirë edhe nënën, Victoria Beckham. Në vitin 2025, Nicola dhe Brooklyn rinovuan betimet martesore për të krijuar kujtime të reja, pa hijen e konflikteve familjare. Pavarësisht polemikave, çifti vazhdon të tregojë mbështetje të fortë për njëri-tjetrin aq sa Brooklyn ka bërë mbi 20 tatuazhe të dedikuara për Nicola-n./mxh
Skemat e mashtrimit, të ngjashme me firmat piramidale, janë rikthyer sërish në qytetin e Lezhës. Edhe pse një skemë e tillë mashtroi më herët qindra qytetarë dhe solli humbje të mëdha financiare, institucionet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë veprim konkret.
Nuk pati hetim të thelluar, nuk u identifikuan përgjegjësit dhe askush nuk u vu përpara drejtësisë, duke lënë të hapur terrenin për rikthimin e këtij fenomeni. Skema më e re “Ivuu” funksionon serish nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ku bëjnë pjesë rreth 260 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, me emrin e grupit “Apex Albanian Group”. Shumë qytetarë investuan rreth një vit më parë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit.
Kulmi i lojës “Xeux” u shënua gjatë verës së vitit 2025. Skema funksiononte në formë zinxhiri: çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione. Shumëfishimi i parave bëhej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, që rrisnin buxhetin në një portofol elektronik, duke nxitur investime të tjera.
Për t’u bërë pjesë mjaftonte një investim prej 1–2 mijë eurosh, së bashku me kartën e identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit “Telegram”.
Si pasojë, shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa dyshohet se përfituesit ishin vetë organizatorët e skemës. Pjesëmarrësit tregojnë se u ishte premtuar se paratë mund të tërhiqeshin vetëm në Kosovë, në pika të ashtuquajtura të autorizuara. Në kushtet kur kjo skemë ka nisur sërish të qarkullojë në Lezhë, kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar përhapjen e saj dhe për të mbrojtur qytetarët nga humbje të tjera financiare./mxh
Kryedemokrati Sali Berisha ka ndarë pasditen e sotme një thirrje pak orë para nisjes së protestës së opozitës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se të rinjtë kanë shansin e madh, që nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në protestë të ngrihen në lartësinë e këtij misioni dhe të rikthejnë shpresën e besimin e shqiptarëve.
“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”,-shkruan Berisha./mxh
Medon Berisha po i afrohet rikthimit në fushë pas dëmtimit. Mesfushori shqiptar u pa sërish në stërvitje gjatë seancës së fundit të zhvilluar në qendrën sportive “Martignano”, ku vijon të ndjekë një program të personalizuar rikuperimi.
Ky zhvillim konsiderohet një sinjal pozitiv, pasi Berisha po bën hapa përpara drejt rikthimit të plotë. Stafi teknik po monitoron nga afër gjendjen e tij dhe ekziston optimizëm që ai të bashkohet me pjesën tjetër të grupit në ditët në vijim. Nëse progresi vazhdon sipas parashikimeve, mesfushori mund të jetë sërish në dispozicion për ndeshjen e radhës në transfertë.
Siç raporton “calcioleçe.it”, objektivi është që Berisha të jetë gati për udhëtimin drejt Piemontes, ku Leçe do të përballet me Torinon të dielën, më 1 shkurt. Një rikthim i tij do të ishte i rëndësishëm, duke pasur parasysh rolin që ai luan në mesin e fushës. Berisha u dëmtua gjatë fitores së fundit në shtëpi ndaj Pizës.
Që në fillim, dëmtimi u vlerësua serioz, ndërsa ekzaminimet e mëvonshme konfirmuan një këputje të gradës së dytë të muskulit ‘rectus femoris’ në kofshën e djathtë. Pas një periudhe rehabilitimi dhe pune të diferencuar, rikthimi i tij në aktivitet konkurrues duket tashmë gjithnjë e më afër.
Berisha u dëmtua në një moment shumë të mirë në aspektin personal duke qenë se shënoi gola pak para se të dëmtohej duke fituar edhe çmime si lojtari i ndeshjes./mxh
Policia spanjolle ka arrestuar Alexei Pustovarov, i konsideruar organizatori kryesor i ngarkesës prej 200 kilogramësh kokainë, e sekuestruar javën e kaluar në portin e Vigos.
Pustovarov ishte krahu i djathtë i Brian Charrington, i njohur si “narco i Wikipedia-s”, trafikant i njohur spanjoll që vdiq në korrik 2025 në Alicante.
Sipas autoriteteve, Pustovarov udhëtoi personalisht drejt Galicisë për të mbikëqyrur mbërritjen e drogës dhe vepronte në bashkëpunim me Mafian Shqiptare dhe një organizatë kriminale me bazë në zonën e O Salnés, Galici.
Operacioni u zhvillua në dy faza gjatë nëntë ditëve dhe u realizua nga Policia në bashkëpunim me Agjencinë Tatimore, duke çmontuar plotësisht organizatën kriminale që përdorte anije mallrash dhe kontenierë për të futur kokainë në Evropë përmes portit të Vigos.
Në total, tetë persona u arrestuan, ndërsa shtatë prej tyre janë dërguar në burg, të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Organizata përdorte metodën e fshehjes së drogës brenda kontenierëve të anijeve tregtare, pa dijeninë e kompanive të transportit, për ta nxjerrë më pas në portin e destinacionit.
Më 12 janar, policia arrestoi pesë persona që kishin mbërritur një ditë para ankorimit të anijes për të marrë drogën. Dy prej tyre u kapën në një banesë të marrë me qira pranë Vigos, ndërsa tre të tjerë u arrestuan në një restorant të qytetit.
Në një vendndodhje privilegjuar në brigjet e Kanalit të Madh të Venecias, pallati historik Ca’ Dario shkëlqen mbi ujë që nga fundi i shekullit XV. Vetëm pak hapa larg koleksionit “Peggy Guggenheim”, ai përshkruhet si një perlë arkitekturore, por prej vitesh nuk gjen blerës. Arsyeja? Është cilësuar si “i mallkuar”, për shkak të vrasjeve, vetëvrasjeve dhe aksidenteve misterioze që lidhen me historinë e tij.
Ndërtesa mori emrin nga pronari i saj i parë, Giovanni Dario, një diplomat që u shpall hero pas nënshkrimit të një traktati paqeje me Perandorinë Osmane. Përgjatë shekujve, pallati ka strehuar aristokratë, tregtarë dhe madje edhe figura të elitës së muzikës rock britanike. Në vitin 1908 u pikturua nga Claude Monet gjatë udhëtimit të tij në Venecia dhe një vit më vonë u përmend nga Henry James në ditarin e tij të udhëtimeve “Italian Hours”.
Megjithatë, godina madhështore, me nëntë dhoma gjumi, tetë banjo dhe salla pritjeje të zbukuruara me afreske, ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë për t’u shitur, jo domosdoshmërisht për shkak të çmimit, i cili sipas burimeve arrin në rreth 17.024.900 euro.
Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë pasur vështirësi të kapërcejnë reputacionin e saj si “pallati i mallkuar i Venecias”, për shkak të një sërë pronarësh dhe vizitorësh që gjetën një fund të parakohshëm, e në disa raste të dhunshëm, shkruan The Guardian.
Tashmë që është restauruar, përpjekjet për shitjen e tij janë rindezur, me Christie’s dhe Engel & Völkers që kanë marrë përsipër sfidën. Christie’s e përshkruan ndërtesën si një “perlë arkitekturore” me harqe gotike, llambadarë antikë Murano dhe një tarracë me lozhë, duke theksuar gjithashtu se ndodhet në një lagje “të qetë” të Venecias, larg turmave turistike.
Vrasje, vetëvrasje dhe aksidente
Ajo që nuk përmendet në fushatat promovuese janë historitë tragjike që kanë ushqyer legjendat lokale për mallkimin e pallatit. Sipas këtyre rrëfimeve, Ca’ Dario lidhet me të paktën shtatë vdekje, më e tmerrshmja prej të cilave ndodhi në vitin 1970, kur pronari i atëhershëm, konti Filippo Giordano Delle Lanze, u vra brenda mureve të pallatit nga partneri i tij, një marinar që u arratis në Londër dhe më vonë u vra edhe vetë.
Një vit më pas, prona u ble nga Kit Lambert, menaxheri i grupit The Who. Edhe pse ai pretendonte se nuk e shqetësonte fama e mallkimit, thuhet se u kishte thënë miqve se flinte diku tjetër për t’i shpëtuar “fantazmave”. Banorët vendas ia atribuuan mallkimit rënien e tij në varësinë nga droga, problemet financiare dhe vdekjen e tij në Londër në vitin 1981, pas një rënieje nga shkallët.
Në vitet 1980, pallati u ble nga italiani Raul Gardini, i cili u përfshi në një skandal të madh korrupsioni dhe kreu vetëvrasje në Milano në vitin 1993.
Legjendat thonë gjithashtu se pallati sjell fatkeqësi edhe për ata që thjesht i afrohen ose kalojnë pushime aty. Tenori i famshëm i operës, Mario Del Monaco, kishte planifikuar ta blinte pronën në vitin 1964, por ndryshoi mendje pas një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë rrugës për ta vizituar. John Entwistle, basisti i The Who, vdiq në SHBA në vitin 2002, vetëm një javë pasi e kishte marrë pallatin me qira.
Pas kësaj, ndërtesa mbeti kryesisht e braktisur. Edhe pse tërhoqi interesin e disa blerësve potencialë të impresionuar nga arkitektura, mes tyre thuhet se ishte edhe Woody Allen, ata u dekurajuan nga “aura” e saj.
Në vitin 2006, godina u ble nga një kompani amerikane në emër të pronarit aktual, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Fakti që pallati ka mbetur bosh që atëherë, ka forcuar edhe më shumë thashethemet.
“Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori”
Arnaldo Fusello, drejtor i përgjithshëm i Christie’s në Venecia, tha se venecianëve u pëlqen të tregojnë histori interesante, sidomos për turistët, “për shembull, gondolieri që kalon para pallatit”, siç u shpreh ai. Ai përmendi gjithashtu “qindra” banorë që kanë jetuar deri në moshë të thyer në pallat ndër shekuj, përfshirë edhe vetë Dario-n, i cili vdiq nga shkaqe natyrore në moshën 80-vjeçare.
Historiani venecian Davide Busato tha se thashethemet nisën në vitet 1970, por u përhapën gjerësisht pas vetëvrasjes së Gardini-t. “Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori dhe është krejtësisht normale që t’i ekzagjerojnë ato”, tha ai, duke e krahasuar rastin me ishullin Poveglia, një ishull i braktisur në lagunën e Venecias, i famshëm për legjendat e fantazmave.
Sipas Busato-s, venecianët janë në përgjithësi realistë dhe zakonisht nuk ndikohen nga bestytnitë, “por u pëlqen të befasojnë njerëzit, sidomos ata që vijnë nga jashtë”.
Ai shtoi se Venecia është plot me ndërtesa historike ku kanë ndodhur vrasje dhe vetëvrasje dhe që sot funksionojnë si hotele luksoze.
Nga ana e tij, Fusello shprehet i bindur se pallati do ta kapërcejë famën e tij ogurzezë dhe do të shitet. Ai tha se deri tani ka pasur “interes të madh”, si nga italianë ashtu edhe nga të huaj. “Ky është një vend ku historia jeton”, u shpreh ai. “Dhe nëse doni të jetoni historinë, ky është shtëpia perfekte, me kusht që blerësi të angazhohet për ta mbajtur gjallë këtë pronë”./mxh
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë të shtunë se do të vendosë një tarifë 100% mbi produktet kanadeze nëse Kanadaja nënshkruan një marrëveshje tregtare me Kinën.
Sipas mediave të huaja ai paralajmëroi kryeministrin kanadez Mark Carney se një marrëveshje e tillë do të rrezikonte vendin e tij.
“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta shkatërrojë komplet, duke përfshirë bizneset, strukturën sociale dhe mënyrën e përgjithshme të jetesës së tyre. Nëse Kanadaja bën marrëveshje me Kinën, menjëherë do të përballen me një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në Truth Social.
Gjatë një vizite të fundit në Kinë, Carney e quajti superfuqinë aziatike “partner të besueshëm dhe të parashikueshëm” dhe në Davos inkurajoi liderët evropianë të kërkojnë investime nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.
Trump sugjeroi se Kina mund të përpiqej të përdorte Kanadanë për të shmangur tarifat amerikane.
“Nëse Guvernatori Carney mendon se do të bëjë nga Kanadaja një ‘Port Dorëzimi’ për Kinën për të dërguar mallra dhe produkte në SHBA, ai gabon rëndë”, tha Trump.
Tensionet mes SHBA-së dhe fqinjit të saj verior janë shtuar në ditët e fundit.
Të enjten, Trump tërhoqi ftesën për Kanadanë që të bashkohej me iniciativën e tij “Bordin e Paqes” për zgjidhjen e konflikteve globale.
Ky vendim erdhi pas fjalimit të Carney-t në Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku ai kritikoi hapur përdorimin e integrimit ekonomik si armë dhe tarifat si mjet presioni.
Shqipëria synon të bëhet një destinacion më atraktiv për investitorët në vitin 2026. Institucionet vlerësojnë se ekonomia pritet të ruajë rritje të qëndrueshme, ndërsa infrastruktura, energjia e rinovueshme, turizmi dhe teknologjia shihen si sektorë me potencial të madh për thithjen e investimeve.
“Investitori që kërkon kthim afatmesëm duhet të konsiderojë sektorët infrastrukturorë dhe të rinovueshëm. Por një vlerësim i kujdesshëm i rreziqeve administrative dhe ligjore është i domosdoshëm – klimë e mirë investimi nuk do të thotë mungesë sfidash”, shprehet Eduart Gjokutaj.
Megjithatë, sipas anketës më të fundit mbi klimën e investimeve, bizneset e konsiderojnë informalitetin, konkurrencën jo të barabartë dhe kompleksitetin e administratës si pengesa kryesore për zhvillim. Perceptimi nuk ka ndryshuar shumë gjatë viteve, duke treguar nevojën për reforma të mëtejshme.
“Njohja e sfidave të klimës së investimeve, si dhe dialogu mes shtetit dhe sektorit privat, janë çelësi për ta bërë Shqipërinë një treg konkurrues në rajon”, shprehet Eduart Gjokutaj.
Me ligjin e investimeve strategjike të zgjatur deri në fund të vitit 2026 dhe me prioritetet e qeverisë në sektorë kyç, rruga drejt një ambienti më të qëndrueshëm ekonomik duket e hapur, megjithë sfidat që mbeten për t’u adresuar.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka bërë homazhe tek varri i Arbën Xhaferit, duke e kujtuar ish-liderin e partisë në ditëlindjen e 78-të, informon Telegrafi Maqedoni.
Thaçi tha se Xhaferi ka lënë gjurmë të pashlyeshm në politikën në Maqedoni dhe më gjërë dhe se politika e tij është udhërrëfyes se nga duhet të ecin shqiptarët.
Thaçi poashtu komentoi dhe ftesën e Ali Ahmetit për bashkimin e partive shqiptare në Aleancën Kombëtare për Integrim.
“Jam i shokuar me prostitucionin politik të Ali Ahmetit, ai po i laritet Hristijan Mickoskit që ta marrë në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tashmë edhe me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti e që e ka emrin Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika”, tha Thaçi.
Ai deklaroi se shpresë për BDI-në më nuk ka, pavarësisht dëshirës së Ali Ahmetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
‘Nuk ka zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë, ai mendon që do të këtë shpresë për BDI-në por më shpresë nuk ka”, deklaroi Thaçi.
Ish-futbollisti i Kombëtares, Sulejman Demollari, shpreh shpresën që Shqipëria të arrijë këtë vit debutimin në finalet e Botërorit, një ekskluzivitet i Televizionit Klan. Në një intervistë për FSHF TV, legjenda e futbollit shqiptar thekson se kualifikimi është i mundur.
“Polonia është një ekip me arritje dhe suksese të mëdha. Unë dëshiroj që çdo futbollist të japë mbi mundësitë e tij në këtë ndeshje. Po të kemi edhe fat, mund të arrijmë kualifikimin”, tha Demollari.
Shqipëria do të luajë më 26 mars në Varshavë gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, dhe nëse e kalon me sukses, më 31 mars do të përballet me fituesin e sfidës Ukrainë–Suedi, po në transfertë.
Demollari mbahet mend edhe për golin e shënuar në Wembley ndaj Anglisë në 1989, i cili u anulua padrejtësisht. “Është një gol që kishte arsye pse të anullohej, por ngelet në kujtesën time si një nga më të bukurit për mënyrën si u ekzekutua”, tha ai.
Pas Dinamos së Tiranës, Demollari luajti me Dinamon e Bukureshtit në Rumani, ku u shpall kampion, golashënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë i huaj i të gjitha kohërave në futbollin rumun. Ai ka luajtur gjithashtu me Panionios në Greqi dhe Gyor në Hungari, ndërsa si trajner ka drejtuar Kombëtaren dhe disa skuadra në Shqipëri.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik për Diasporën, Taulant Balla, priti në Kuvendin e Shqipërisë Besmir Rrjollin, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe një zë aktiv i komunitetit shqiptar në Milano.
Gjatë takimit u diskutua mbi përgatitjet për Samitin e Diasporës, që do të mbahet më 14–15 prill, si dhe mbi nevojën për forcimin e marrëdhënieve me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Në fokus të bisedës ishin çështjet që lidhen me ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe, promovimin e kulturës kombëtare dhe rritjen e përfshirjes së diasporës në zhvillimin e Shqipërisë.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit institucional për të thelluar dialogun me diasporën dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetet shqiptare jashtë kufijve të vendit.
Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Luan Baçi, ka postuar një foto në profilin e tij ku shihet duke ngrënë e pirë me 5 demokratë përpara nisjes për protestë, të cilët kanë dalë fotografi me dy gishtat lart.
“Para nisjes për protestë, me miq dhe kolegë të mirë dhe të pandalshëm, Sali isufaj, Lul Mirofski, Luigj, Majaci, Bilbil Sadiku, dhe Skelqim Pashollari, në orën 17 të gjithë në shesh në Tiranë!”, shkruan Baçi në foton e postuar.
Presidenti Ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar pas përfundimit të bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky i cilësoi bisedimet konstruktive, teksa tha se ‘u diskutua shumë’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Fokusi qendror i diskutimeve ishin mbi dakordësinë e mundshme për përfundimin e luftës”, shkroi mes të tjerash Zelensky.
“E vlerësoj shumë mirëkuptimin e nevojës për monitorimin dhe mbikëqyrjen amerikane të procesit të përfundimit të luftës dhe ruajtjen e sigurisë së Ukrainës”, shtoi Zelensky.
Lideri ukrainas tha gjithashtu se, me kusht që të ketë gatishmëri për të ecur përpara, takime të mëtejshme mund të zhvillohen që javën e ardhshme.
“Ukraina po punon për paqen dhe sigurinë. Faleminderit të gjithëve që po ndihmojnë”, përfundoi Zelensky shkrimin e tij.
Gjykata e Krimeve të Rënda e Meurthe-et-Moselle në Francë la në fuqin dënimin me burgim të përjetshëm për 27-vjeçarin Liridon Berisha.
Liridon Berisha vrau partneren e tij Stephanie Di Vincenzo në maj të vitit 2021. Stephanie Di Vincenzo, vetëm 22-vjeçe, u godit me thikë në mes të rrugës, ndërsa përpiqej të shpëtonte duke kërkuar ndihmë nga komisariati i Hayange, vetëm disa metra larg banesës së saj.
Prokurori i përgjithshëm, Nicolas Burkel, e përshkroi aktin si “jashtë çdo normale për nga dhuna”.
“As prania e dëshmitarëve dhe as ajo e vajzës nuk e pengoi të vazhdonte aktin. Ai e goditi për ta dobësuar dhe më pas i dha goditje poshtëruese mbi trupin e saj”, tha ai.
Skena makabre ndodhi para syve të fëmijës 4-vjeç të çiftit, ndërsa fqinjët dëshmuan dhunën ekstreme.
Berisha ishte dënuar gjithashtu me një vit burg për disa shkelje të rregullave të trafikut. Ai kishte përfituar nga një dënim i reduktuar dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak, ku iu vendos një byrzylyk elektronik disa ditë para ngjarjes së rëndë.
Edhe pak orë na ndajnë nga protesta e opozitës, e cila do të mbahet sot në 24 janar, ora 17:00 përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mësohet se 1350 efektivë do të jenë në terren gjatë zhvillimit të protestës. Ai shtoi se edhe Kryeministria është ‘veshur’ me gardh metalik.
“Do të ketë prezencë të policisë. 1350 punonjës pritet që të angazhohen në këtë protestë. Është vlerësuar që të ketë më shumë efektivë, edhe për shkak të thirrjeve të fundit. Policia e Tiranës i ka kërkuar PD-së se duhet të përcaktojë edhe një orar të mbylljes së protestës, por se Partia Demokratike nuk ka kthyer përgjigje. Rruga ‘Dëshmorët e Kombit’ është bllokuar, janë bllokuar rrugët që janë shumë pranë qendrës së Tiranës. Është fortifikuar dera hyrëse e Kryeministrisë. Policët do të krijojnë një ‘gardh’, në rast se do të ketë veprime të protestuesve në drejtim të efektivëve. Policia ka marrë masa, edhe nëse protestuesit hedhin molotovë”, tha gazetari Bajraktaraj.
Sot në 24 janar 2026 mbahet protesta e radhës e Partisë Demokratike.
Një 59-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar nga autoritetet portuale të Durrësit, pasi tentoi të kalonte kontrabandë jashtë vendit dhjetëra steka me cigare elektronike. Policia njofton se ai i kishte fshehur ato në automjetin që drejtonte.
Sekuestrohen 37 steka cigaresh elektronike, një aparat celular dhe kamioni ku ky shtetas kishte fshehur mallrat.
Njoftimi i PKK Port, Durrës
Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi.
Tentoi të kontrabandonte dhjetëra steka me cigare elektronike duke i fshehur në automjetin që drejtonte, vihet në pranga një 59-vjeçar.
Sekuestrohen 37 steka cigaresh elektronike, një aparat celular dhe kamioni ku ky shtetas kishte fshehur mallrat.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, arrestuan në dalje të Republikës së Shqipërisë shtetasin A. S., 59 vjeç, banues në Maqedoni, pasi:
Gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte u konstatuan të fshehura 37 steka me paketa me cigare elektronike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.