Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Jeronim De Rada, përfaqësuesi i romantizmit dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Më 28 shkurt të vitit 1903 ndërroi jetë ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada.

Ai ishte gjithashtu përfaqësuesi i romantizmit shqiptar dhe atij evropian.

Jeronim De Rada lindi në vitin 1814 në Maki të Kozencës, jo larg nga Shën Mitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh të Shën Adrianit. Në këtë kolegj De Rada i ri kreu studimet e para, që patën rëndësi të veçantë për formimin e personalitetit të tij. Aty ai studioi letërsinë antike dhe moderne, si dhe u njoh me idetë e Revolucionit Francez.

Pasi kreu kolegjin e San Benedeto Ullano-s, studioi për drejtësi në Universitetin e Napolit. Në vitin 1836, kur ishte 22 vjeç, botoi “Milosaon”, librin e tij të parë. Milosao është një përrallë historike me vjersha në gjuhën shqipe. Jeronim De Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866, kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë, nga brezi në brez, për katër shekuj.

Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia”, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve. Gjatë viteve 1847-1848 botoi “Rrëfimet e Arbrit”, e cila përbëhet nga katër novela romantike. Më 1861 botoi “Parimet e estetikës”, më 1864 “Lashtësia e kombit shqiptar” dhe më 1866 “Rapsodi e një poeme arbëreshe”. Veprën e fundit Jeronim De Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86 vjeçare. Jeronim De Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat”.

/a.f/r.e/

The post Jeronim De Rada, përfaqësuesi i romantizmit dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKTK inspektime në Kishën e Shën Kollit në Krutje në prag të restaurimit

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka realizuar inspektime në terren, në Kishën e Shën Kollit, Krutje e Sipërme.

Inspektimi kishte si qëllim evidentimin e gjendjes aktuale të këtij monumenti me vlera historike dhe arkitektonike. Specialistët e IKTK verifikuan gjendja konstruktive, dëmtimet e konstatuara ndër vite dhe faktorët që ndikojnë në degradimin e kishës, si pjesë e procesit për rishikimin dhe zbatimin e projektit të restaurimit. IKTK tha se, ky angazhim synon ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të rëndësishme kulturore, si pjesë e identitetit historik të komunitetit.

Kisha e Shën Kollit ne Krutje te Siperme është kishë e tipit bazilikal, me çati dy ujëse me tjegulla. Ajo përbëhet nga narteksi në anën perëndimore dhe portiku me kollona guri. Naosi përbëhet nga tre nefe të ndara midis tyre nëpërmjet dy radhë shtyllash prej druri, të cilat mbajnë një tavan dekorativ.

Ikonostasi prej druri mban ikona të punuara nga artisti i gjysmës së parë të shekullit të XIX-të, Naum Çetiri. Në faqen lindore vihet re ndarja klasike në tre breza të mëdhenj. Brezi i madh i shënjtorëve në këmbë, brezi i medalionëve, ku shënjtorët nuk janë vendosur në formë rrethi, por kanë një ndarje me hark nga sipër, mbështetur në linjë që të kujtojnë kollonat. Sipër tyre janë skena nga mrekullitë e Krishtit, dhe sipër tyre ka një brez të madh më këmbë. Edhe në absidë brezi i poshtëm është brezi i shënjtorëve më këmbë, mbi të brezi I apostujve dhe sipër tyre Shën Mëria Platitera.

/a.f/

The post IKTK inspektime në Kishën e Shën Kollit në Krutje në prag të restaurimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alfabetarja e Stambollit, vepra që qëndron në themel të arsimit kombëtar

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Më 27 shkurt 1879, në Stamboll u botua “Alfabetarja e gjuhës shqipe”, një vepër themelore për arsimin kombëtar.

Libri përbëhej prej 131 faqesh dhe u shtyp me një tirazh prej dy mijë kopjesh. Alfabetarja prezantoi alfabetin e hartuar nga Sami Frashëri mbi parimin fonetik “një shkronjë për çdo tingull”.

Nevoja për unifikim u bë e qartë pas Lidhjes së Prizrenit (1878), kur atdhetarët shqyrtuan katër projekte të ndryshme për alfabetin. Varianti i Sami Frashërit u përzgjodh për qëndrueshmërinë shkencore dhe përdorimin e alfabetit latin.

Teksti përfshinte kontribute nga Jani Vreto, Pashko Vasa dhe Koto Hoxhi, duke trajtuar lëndë si historia, aritmetika dhe etika.

Ky libër shkolle u bë baza e parë formale e shkrimit shqip, duke vendosur standarde shkencore për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kulturës kombëtare.

/a.f/

The post Alfabetarja e Stambollit, vepra që qëndron në themel të arsimit kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë shkencore e ASHSH: Nga prirjet e kancerit në Shqipëri, te dezinformimi në epokën digjitale

TIRANË, 26  shkurt/ATSH/ Akademia e Shkencave zhvilloi sot konferencën shkencore me titull “Cilësia e jetës në të sëmurët me kancer”.

Veprimtaria shkencore u organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë nën përgjegjësinë e Komisionit të përhershëm të mjekësisë pranë saj dhe në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë, Fakultetin e Mjekësisë, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (Shërbimi i Onkologjisë) dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Konferenca u moderua nga akademik Genc Sulçebe, kryetar i Komisionit të përhershëm të mjekësisë (ASHSH) dhe prof. asoc. Albana Fico.

Fico u shpreh se sëmundja tumorale është një sfidë e madhe kudo në botë, ku më pak e vlerësuar mbetet sfida se si preket cilësia e jetës postdiagnozë. Sipas saj, ky studim hap rrugën për një trajtim më të plotë të të sëmurëve dhe është një angazhim serioz në veprimtarinë e këtij procesi.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, pjesëmarrësit dhe organizatorët i përshëndeti sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, e cila vuri në dukje strategjitë e drejtimit të punës kërkimore. Ajo tha se Akademia e Shkencave e Shqipërisë e koncepton rolin e saj si një urë midis kërkimit shkencor, praktikës klinike dhe politikave shëndetësore duke vendosur gjithmonë në qendër njeriun dhe mirëqenien e tij fizike, psikologjike dhe sociale.

Zëvendësministrja e Arsimit, Armela Baka, vlerësoi punimet e kësaj konference si një studim shkencor që shkon përtej një takimi akademik, si një rezultat ndërinstitucional, duke u bërë një shembull i shkëlqyer për mundësitë e zhvillimit të kërkimi shkencor në vendin tonë.

Drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo tha se, kjo është një veprimtari shkencore që sjell për herë të parë në Shqipëri një vlerësim të strukturuar mbi cilësinë e jetës tek pacientët me kancer. Ajo theksoi se programi pasqyron një gamë të gjerë temash, nga prirjet e kancerit në Shqipëri, te dezinformimi në epokën digjitale, rëndësia e stadit të paraqitjes së tumorit, trajtimi psikoemocional dhe roli kyç i parandalimit përmes vaksinimit ndaj HPV-së.

Mirela Muço, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), si institucion financues i projektit kërkimor ‘Cilësia e jetës në të sëmurët me kancer në Shqipëri’ – postdiagnozë dhe trajtim – vlerësimi i parë në Shqipëri” e vuri theksin në investimin e qëndrueshëm në kërkimin shkencor cilësor, në teknologjitë inovative dhe bashkëpunimin institucional duke shkuar drejt zgjidhjeve konkrete në diagnostikimin e hershëm, si dhe diagnostikim e të personalizuar dhe cilësinë e jetës së pacientëve.

/r.e/

The post Konferencë shkencore e ASHSH: Nga prirjet e kancerit në Shqipëri, te dezinformimi në epokën digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferenca X Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet në Prizren

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, do të zhvillojë më 12-13 qershor Konferencën X Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Sikurse çdo vit, konferenca do të zhvillohet në një vatër të shqiptarisë, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar. Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit, Elbasanit dhe Shën Mitrit, Prizreni do të jetë ndalesa e radhës.

DPA fton të gjithë të interesuarit, nëpunës dhe profesionistë të fushës së arkivistikës, të aplikojnë duke dërguar abstraktet në adresën botime.arkiva.gov.al deri më datë 5 prill. DPA dhe ASHAK tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke vepruar të unifikuara për të ruajtur, administruar, përpunuar dhe shërbyer dokumentacionin e kombit shqiptar.

Ftesa për pjesëmarrje në konferencë u drejtohet edhe institucioneve që ruajnë dokumente, si dhe atyre që ndërveprojnë me ruajtjen dhe promovimin e  kujtesës historike dhe kulturore. Meqenëse ky vit përkon me 75-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës, kjo ngjarje jubilare do të jetë në boshtin tematik të konferencës.

Materialet e paraqitura prej kumtuesve, do të kurorëzohen me botimin e të vetmes revistë në fushën e arkivave anekënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”.

1 nga 5

/a.f/

The post Konferenca X Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet në Prizren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit thellon bashkëpunimin me BE në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Policia shqiptare forcon bashkëpunimin me partnerët evropianë, brenda platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, e cila është një nga mekanizmat kryesorë të BE për adresimin e kërcënimeve serioze për sigurinë.

Ne kuadër te këtij bashkëpunimi, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda takoi përfaqësues të platformës “EMPACT” dhe të projektit “FORTIFY”.

Proda theksoi se Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për të thelluar bashkëpunimin hetimor dhe atë operacional, me agjencitë ligjzbatuese dhe me partnerët, duke vënë në dispozicion kapacitetet më të mira profesionale dhe logjistike.

“Bashkëpunimi me shtetet partnere të Bashkimit Evropian dhe strukturat përkatëse evropiane, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me EUROPOL-in dhe mbështetjen strategjike dhe financiare të Komisioni Evropian, bazohet në besimin e ndërsjellë, shkëmbimin e informacionit në kohë reale, koordinimin e fortë operativ dhe forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale. Kjo qasje e integruar ka rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të përbashkët kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë”, u shpreh Proda.

Koordinatori i JAD SEE, Carlos del Moral falënderoi kreun e Policisë së Shtetit për pritjen dhe vlerësoi punën profesionale dhe angazhimin maksimal të ekipeve të Policisë së Shtetit, gjatë bashkëpunimeve operacionale. Gjithashtu, Moral siguroi për mbështetje dhe thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Policia e Shtetit ka një rol aktiv dhe të përgjegjshëm brenda kornizës së platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, elementi i cili pasqyron angazhimin e saj për të qenë partnere e besueshme, proaktive dhe e orientuar drejt rezultateve në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.

/a.f/

The post Policia e Shtetit thellon bashkëpunimin me BE në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bazilika Paleokristiane e Bezistanit, thesari mijëravjeçar i Elbasanit

Bazilika Paleokristiane e Bezistanit, thesari mijëravjeçar i Elbasanit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Bazilika Paleokristiane, e njohur ndryshe si Bazilika e Bezistanit është një thesar i trashëgimisë sonë kulturore.

E fshehur rreth 30 metra në jug të mureve të kalasë, nën Rrapin e Bezistanit, kjo bazilikë u zbulua për herë të parë në vitin 2007, duke ngjallur interes të madh te studiuesit dhe vizitorët e Elbasanit. Gërmimet u mbështetën edhe në shënime të ruajtura në arkivin e dorëshkrimeve të muzeut etnografik.

Në një postim në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja tha se, Bazilika e Bezistanit, sot është një nga pikat më të vizituara, veçanërisht nga turistët e huaj që vijnë në Elbasan.

Bazilika Paleokristiane e Bezistanit në Elbasan është një thesar mijëravjeçar dhe dëshmi e gjallë e qytetërimit të hershëm, me mozaikë mahnitës që datojnë në shekullin V.

Kjo bazilikë është shpallur Monument Kulture, Kategoria I dhe rrëfen historinë e Skampisit të lashtë. Ajo ruan mozaikë të mrekullueshëm dhe fragmente afreskesh që pasqyrojnë artin e kohës.

Bazilika Paleokristiane e Bezistanit në Elbasan
1 nga 3

The post Bazilika Paleokristiane e Bezistanit, thesari mijëravjeçar i Elbasanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka Europiane e Investimeve, grant prej 350 mijë euro për Muzeun Historik Kombëtar

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkroi me Bankën Evropiane të Investimeve, marrëveshjen për një grant asistence teknike prej 350,000 eurosh.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare dhe delegacionit të BEI Globale.

Granti do të mundësojë shërbime këshillimore për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një objekt trashëgimie i Shqipërisë i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Granti do të financojë përgatitjen, projektimin dhe rishikimet teknike të projektit, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe prokurimin e projektit.

Ministri Gonxhja e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si, një hap të rëndësishëm drejt restaurimit dhe rinovimit të plotë të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, duke qene se janë drejt përfundimit punimet e përforcimit dhe rigjenerimit të fasadave, falë financimit nga Eu4Culture të fazës 1, të projektit.

Shërbimet e konsulencës do të sigurojnë që restaurimi i muzeut të përmbushë standardet e larta për efikasitetin e energjisë, qëndrueshmërinë ndaj masave klimatike dhe rehatinë e vizitorëve, duke rritur njëkohësisht integrimin me mjedisin urban përreth. Fondet ndahen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-t, e cila synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme, infrastrukturën jetike dhe kohezionin social në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo nismë plotëson programin EU4Culture dhe do të kontribuojë në rigjenerimin urban dhe rigjallërimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Gjithashtu, nisma do të sigurojë që ky institucion i rëndësishëm kulturor t’i kthehet popullit të Shqipërisë dhe vizitorëve nga e gjithë bota, në lavdinë e tij të plotë, më të qëndrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore, më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha përfaqësuesi i BEI-t në Shqipëri, Alessandro de Concini.

Ndërsa ministri Gonxhja tha se, “Me mbështetjen e BEI Globale, përmes këtij financimi, po hyjmë në fazën e dytë të përditësimit të projektit, duke garantuar përgatitjen dhe projektimin teknik të të gjithë rikonstruksionit të brendshëm, rishikimet e detajuara, zbatimin e muzeimit të ri, si edhe mbikëqyrjen dhe menaxhimin profesional të çdo etape të tij”, tha kreu i MTKS, Gonxhja.

Ky proces do të sigurojë që restaurimi e rinovimi të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, rijetësimit profesional, efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë ndaj kushteve klimatike e flukseve vizitore.

Nënshkrimi i marrëveshjes MTKS-BEI, foto: Ministria e Turimzmit, Kulturës dhe Sportit
1 nga 7
Nënshkrimi i marrëveshjes MTKS-BEI, foto: Ministria e Turimzmit, Kulturës dhe Sportit
Nënshkrimi i marrëveshjes MTKS-BEI, foto: Ministria e Turimzmit, Kulturës dhe Sportit

/a.f/

The post Banka Europiane e Investimeve, grant prej 350 mijë euro për Muzeun Historik Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kisha e Rubikut rrëfen qindra vite histori

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Turizmit ftoi të vizitohet Kisha e Rubikut, apo siç njihet ndryshe Kisha e t’Shëlbuemit, një monument i rrallë i trashëgimisë tonë kulturore.

Kisha e Rubikut është një thesar mbi 700-vjeçar në zemër të Mirditës. Ajo është e vendosur mbi një kodër, prej nga ku rrëfen qindra vite histori.
Me arkitekturën e saj karakteristike dhe një nga afresket më mbresëlënëse të “Darkës së Fundit” në Shqipëri, kjo kishë është një destinacion ideal për të gjithë ata që duan të përjetojnë historinë, spiritualitetin dhe bukurinë natyrore të Shqipërisë.

Kisha e T’Shëlbuemit është një ndër ikonat e krishtërimit shqiptar dhe një vlerë identitare e historisë sonë. Manastiri mesjetar benediktin është i pozicionuar në një vend të favorshëm, në një truall të dukshëm shkëmbor të një kthese natyrore të lumit Fan, mbi qytetin e Rubikut. Mbi të gjitha manastiri zotëronte aftësinë për të kontrolluar nga një pozicion dominues itineraret ujore dhe tokësore: itinerarin ujor që duke shfrytëzuar lumin, lidhte bregdetin me Arbanonin deri në lartësitë e Oroshit, dhe atë tokësorin që përmendet si l’Itinerarium Lissus-Naissus.

Historiografia ka njohur abacinë e T‘Shëlbuemit si dhe kishën famullitare me të njëjtin emër. Kisha e T‘Shëlbuemit qysh prej vitit 1166 e deri në vitin 1972, përmendet plot 34 herë. /j.p/

The post Kisha e Rubikut rrëfen qindra vite histori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryevepra e filmit pa zë në Universitetin e Arteve

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Universiteti i Arteve në Tiranë, do të shfaqë filmin “SUNRISE: A Song of Two Humans”, i konsideruar si një nga kryeveprat e epokës së filmit pa zë.

Filmi “Sunrise” do të shfaqet i shoqëruar me muzikë live nga mjeshtri i shoqërimit muzikor dhe artisti shumëdimensional Stephen Horne. Ai ka performuar për më shumë se tri dekada si shoqërues filmash pa zë në festivale dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, si Berlinale, Venecia dhe British Film Institute në Londër.

UA bëri të ditur se Stephen Horne do të interpretojë në piano, në shoqërim të filmit të regjisorit F.W. Murnau, “SUNRISE: A Song of Two Humans”, prodhim i vitit 1927 dhe fitues i tre çmimeve Oscar.

“SUNRISE” rrëfen historinë e një fermeri që joshet nga një grua nga qyteti dhe më pas planifikon të vrasë vetë bashkëshorten e tij. Shfaqja mundësohet nga United Nations Association Albania në bashkëpunim me The Albanian Cinematheque, me British Film Institute (BFI) si partner nga Mbretëria e Bashkuar, dhe me mbështetjen e Universitetit të Arteve të Shqipërisë.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “Reframing the Frame”, me mbështetjen e British Council përmes WB-UK Creative Skills Development Fund, i cili mundëson partneritete midis Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo nismë, pjesë e Programit të Ekonomisë Krijuese të British Council, mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me fokus të veçantë në fuqizimin e aftësive dhe punësimit të të rinjve. /j.p/

The post Kryevepra e filmit pa zë në Universitetin e Arteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhamia Mbret e ndërtuar nga sulltan Bajaziti II në shekullin XV

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të Beratit, e njëkohësisht nga më të vjetrat dhe më të frekuentuarat në Shqipëri.

Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga sulltan Bajaziti II, në fund të shekullit të XV. Xhamia Mbret përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi në murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit, formojnë strukturën dekorative të saj.

Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të Zotit.

Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Portiku është më i ri se xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit XVIII nga usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkatë e mbështetur në kolona guri. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin XV. Nga jashtë, Xhamia Mbret është tërësisht e suvatuar dhe mbi suvatim është vizatuar për të imituar muraturën e saj.

1 nga 4

/a.f/r.e/

The post Xhamia Mbret e ndërtuar nga sulltan Bajaziti II në shekullin XV appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Baleti “Lola”, rikthim në TKOB pas 25 vjetësh

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë skenë pas 25 vjetësh mungesë, baletin “Lola”.

Ngjarjet zhvillohen në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez. Lola, një vajzë e bukur dhe e fortë, në një fshat malor të Katalonjës, është e përfshirë në vorbullën e ndjenjave dhe sakrificës. Festa e përvitshme e korrjes ndërpritet nga hija e pushtimit. Dashuria mes Pablos dhe Lolës vihet në provë, ndërsa xhelozia, krenaria dhe lufta i ndajnë rrugët e tyre. Konsuela bie në duart e francezëve, Minguelli lëkundet mes pasurisë dhe ndërgjegjes, ndërsa partizanët ngrihen në mal për liri. Lola hyn në kampin francez me një mision të qartë, hakmarrjen. Me guxim dhe vendosmëri, ajo përmbush betimin e saj, duke e kthyer dhimbjen personale në një thirrje kolektive.

Me muzikë nga Sergei Vasilenko dhe një gjuhë koreografike të fuqishme, “Lola” vjen si një balet dramatik, ku pasionit të dashurisë i duhet të përballet me flakët e luftës, ndërkohë që një grua bëhet figura qendrore e rezistencës.

TKOB e sjell këtë balet në marsin, muajin e grave, duke vendosur në qendër forcën, dinjitetin dhe sakrificën femërore.

/a.f/

The post Baleti “Lola”, rikthim në TKOB pas 25 vjetësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

178-vjetori i gazetës së parë shqiptare

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.

Ky botim periodik cilësohet si gurthemeli i shtypit kombëtar. Gazeta “L’albanese d’Italia” drejtohej nga shkrimtari arbëresh, Jeronim De Rada, një prej figurave qendrore të periudhës së Rilindjes. Gazeta, shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht, shërbeu si një tribunë e komunikimit të mesazheve politike, shoqërore e kulturore, në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh në Itali. Për këtë qëllim, në disa prej numrave të saj, janë publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

De Rada, i cili gëzon atributet e “babait” të gazetarisë shqiptare, përveç konceptimit të periodikut, kishte marrë nën ngarkim të plotë kryerjen e çdo procesi të parashikuar, deri tek shtypshkrimi i përmbajtjes. Më pas u ndihmua nga studenti Nicola Castagna. Personaliteti i botës arbëreshe, ndërmori në vitin 1883 edhe botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”.

/a.f/

The post 178-vjetori i gazetës së parë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria pjesë e UNIMA International, promovohen shfaqjet me kukulla

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Shqipëria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha shtetet pjesëmarrëse të UNIMA International, organizata më e madhe botërore në promovimin e kulturës së teatrit të kukullave për fëmijë.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Melci Qirici, gjatë një konference 2-ditore të mbajtur në Plovdiv të Bullgarisë. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria merrte pjesë në këtë aktivitet, duke prezantuar dhe promovuar projektet artistike shqiptare, në fushën e shfaqjeve me kukullave.

Marrëveshja synon ndërtimin e një harte bashkëpunimi mes shteteve të Evropës Juglindore, me fokus në krijimin e aktiviteteve të përbashkëta për fëmijë, shkëmbime ndërkulturore dhe pjesëmarrje të ndërsjellë në festivalet ndërkombëtare të kukullave.

/a.f/

The post Shqipëria pjesë e UNIMA International, promovohen shfaqjet me kukulla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës, shembull i rrallë i ndërthurjes së stilit gotik dhe romanik

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Kisha e Shën e Premtes në Kavajë, është një nga kishat më të vjetra në Shqipërinë e Mesme, dhe një nga shembujt e rrallë të ndërthurjes së stilit gotik dhe atij romanik.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau online pamje nga Shën e Premtja, kishë e cila i ka mbijetuar kohës me afreske me vlera të veçanta historike dhe artistike.

Kisha gjendet në fshatin Çetë të Kavajës, disa kilometra nga qyteti. Ajo është ngritur në shekullin XIII në një kodër, në mes të një ullishte. Kisha e Shën e Premtes njihet ndryshe edhe si Kisha e Çetës ose si Kisha e Shën Parashqevisë.

Kisha përbëhet nga naosi dhe absida. Brendia e kishës është e zbukuruar me afreske, që paraqiten në gjendje relativisht të mirë, kryesisht pjesa e sipërme e afreskeve.

Pikturat murale veshin të gjithë hapësirën e brendshme të kishës dhe mendohet se janë realizuar në disa faza nga piktorë të ndryshëm.

 

The post Kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës, shembull i rrallë i ndërthurjes së stilit gotik dhe romanik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastiri i restauruar i Shën Pjetrit dhe Pavlit, në Vithkuq

 

View this post on Instagram

 

A post shared by DRTK Korçë (@drtkkorce)

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq, i restauruar së fundmi, është monumet kulture si dhe një vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë.

Ndërhyrjet e realizuara për ruajtjen e këtij monumenti konsistojnë në restaurimin e çatisë së manastirit, punime gërmimi në konakë, punime restaurimi në qimitir dhe portik, sistemimin e ambienteve përreth, restaurimin e kalldrëmit, konsolidimin e muraturës, ndërtimin e një shkalle druri, restaurimin e afreskeve si dhe vendosjen e një sistemi të ri ndriçimi.

Manastiri i Shën Pjetrit, në fshatin Vithkuq, është ndërtuar në një kodër të lartë e piktoreske, në shekullin XVIII, rreth viteve 1764-1773. Ky manastir paraqet rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike, kulturore dhe fetare.

Kisha e Shën Pjetrit është e veshur nga afreske të mrekullueshme, me rreth 2000 piktura dhe me një ikonostas të veçantë.  Ikonostasi i Shën Pjetrit është punuar me mjeshtëri të rrallë prej dy mjeshtërve nga Opari. Manastiri i Shën Pjetrit ka patur 50 dhoma, 400 deri 500 kokë dhen, 100 ha tokë, fshatin Leshnjë si çiflig, 25 dyqane në qytetin e Korçës dhe shumë pasuri të tjera. Tokën dhe dyqanet i kishte të dhuruara nga vithkuqarët, që për arsye të ndryshme largoheshin nga fshati.

Çdo vit, më 29 qershor, manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq kthehet në vend pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë, në nderim të dy shenjtëve për të cilët është ngritur manastiri dhe si ditë feste për ata persona që mbajnë këto emra.

/a.f/r.e/

The post Manastiri i restauruar i Shën Pjetrit dhe Pavlit, në Vithkuq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konferencë ndërkombëtare për arbëreshët në Bolonjë, merr pjesë edhe QSPA

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Në Bolonjë të Italisë u zhvillua konferenca ndërkombëtare “Arbëreshët e Italisë: Një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut”, ku mori pjesë prof. as. Diana Kastrati, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve e Publikimeve për Arbëreshët.

Konferenca vjen si fryt i bashkëpunimit mes Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Universitetit të Bolonjës, ku edhe mbahet aktiviteti, si dhe institucioneve të tjera arsimore nga Shqipëria si Universitetin e Tiranës, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër dhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) përfaqësohet në këtë aktivitet me dy bashkëpunëtore shkencore prof. as. Diana Kastrati dhe dr. Vilma Proko. Prof. Kastrati paraqiti në këtë aktivitet kumtesën “Festina Lente – Tra desiderio e concretezza per un risorgimento dell’arbëreshità e della lingua arbëreshë nel nuovo millenio”.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post Konferencë ndërkombëtare për arbëreshët në Bolonjë, merr pjesë edhe QSPA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fjoralba Cakoni shpallet fituese e ligjërimit “Sonia Kovalevsky”

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Shoqata për Gratë në Matematikë dhe Shoqëria për Matematikën Industriale dhe të Aplikuar (SIAM), kanë zgjedhur prof. dr. Fjoralba Cakonin lektore të vitit 2026, në kuadër të ciklit prestigjioz të ligjëratave “Sonia Kovalevsky”.

Ky vlerësim përbën një nga nderimet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e matematikës së aplikuar dhe jepet për personalitete me kontribute të spikatura shkencore. Ligjërimi do të mbahet gjatë takimit vjetor të SIAM 2026, që do të zhvillohet në Cleveland, Ohio, SHBA, në datat 6–10 korrik 2026.

Prof. dr. Fjoralba Cakoni, anëtare e jashtme në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Drejtore Ekzekutive e Institutit Kombëtar të Matematikës, është profesore e dalluar e Matematikës në Universitetin Rutgers, SHBA. Ajo është anëtare e Shoqatës Amerikane të Matematikës (AMS) dhe e SIAM.

Prof. dr. Cakoni është autore dhe bashkautore e mbi 120 artikujve shkencorë dhe tre monografive.

Krahas veprimtarisë së saj të suksesshme ndërkombëtare, prof. dr. Fjoralba Cakoni ka mbajtur lidhje të vazhdueshme akademike me Shqipërinë, duke kontribuar në promovimin e matematikës dhe në mbështetjen e brezit të ri të studiuesve shqiptarë.

1 nga 2

/r.e/a.f/

The post Fjoralba Cakoni shpallet fituese e ligjërimit “Sonia Kovalevsky” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Popullit dhe KLGJ, bashkëpunim për rritjen e transparencës dhe aksesit në drejtësi

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Avokati i Popullit, Endrit Shabani zhvilloi sot një takim pune në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, me kryetarin Ilir Rusi. Zyra e shtypit e Avokatit të Popullit njoftoi se takimi ishte në kuadër të angazhimit për një komunikim të hapur të Avokatit të Popullit me institucionet e drejtësisë.

Avokati i Popullit bëri të ditur se takimi u zhvillua në frymën e një dialogu konstruktiv, me fokus kryesor forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve, për të rritur standardet e transparencës në sistemin gjyqësor dhe garantimin e të drejtës për akses në drejtësi.

Shabani ka zhvilluar edhe takime të tjera në kuadër të krijimit të një fronti të përbashkët institucional për përmbushjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarëve.

Më herët Avokati i Popullit takoi kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, për të harmonizuar agjendat e përbashkëta institucionale në garantim të llogaridhënies së administratës publike dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve.

Endrit Shabani u zgjodh më 18 dhjetor 2025, nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.

/a.f/r.e/

The post Avokati i Popullit dhe KLGJ, bashkëpunim për rritjen e transparencës dhe aksesit në drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“17 shkurti”, ekspozita e dy fakulteteve në Galerinë FAB

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Në Galerinë FAB është hapur ekspozita “17 shkurti”, një bashkëpunim mes Fakultetit të Arteve të Bukura të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Prishtinës.

Në një hapësirë të përbashkët janë ekspozuar piktura, skulptura, instalacione dhe grafika. Këto punime vijnë si pjesë e ekspozitës së pedagogëve të dy fakulteteve. “17 shkurti” synon të rivendosë bashkëpunimin historik mes dy institucioneve, për të rifilluar një traditë bashkëpunimi, që i ka rrënjët në vitet ’70-të. Ajo përcjell mesazhin e një dialogu të vazhdueshëm estetik dhe intelektual mes dy qendrave të rëndësishme të formimit artistik shqiptar.

Ekspozita vjen e kuruar nga Guri Çavdarbasha dhe koordinator Shpëtim Kërçova.

Në ceremoninë e çeljes ishin të pranishëm ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi, rektori i Uart, prof. dr. Erald Bakalli, dekani i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, prof. Hazir Haziri dhe dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, prof. Sadik Spahija.

Ekspozita “17 shkurti” do të qëndrojë e hapur deri më 27 shkurt.

/r.e/a.f/

The post “17 shkurti”, ekspozita e dy fakulteteve në Galerinë FAB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌