Ligjet britanike nuk ndalojnë mjekët të kurojnë kancerin
Pretendimi: Parlamenti anglez ka miratuar Aktin e Kancerit në 1939, që e bën të jashtëligjshme të kurosh kancerin
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————-
Në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se në 1939, parlamenti anglez ka miratuar “Aktin e Kancerit”, që e bën të jashtëligjshme të kurosh kancerin.

Megjithatë, Akti i Kancerit 1939 nuk e bën të paligjshëm kërkimin mbi kurat e kancerit, publikimin e gjetjeve kërkimore ose këshillimin e mjekëve për pacientët në lidhje me trajtimet.
Legjislacioni origjinal, i miratuar përpara krijimit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar, përshkruante se si duhet të paguhen dhe administrohen trajtimet e kancerit në të gjithë vendin.
Me kalimin e kohës, shumica e neneve janë shfuqizuar ose janë përfshirë në ligje të tjera, por një pjesë mbetet në fuqi, specifikisht neni 4, që lidhet me ndalimin e reklamave të caktuara.

4. Ndalimi i reklamave të caktuara. (1) Askush nuk duhet të marrë pjesë në publikimin e ndonjë reklame— (a) që përmban një ofertë për të trajtuar ndonjë person për kancer, ose për të përshkruar ndonjë ilaç për të, ose për të dhënë ndonjë këshillë në lidhje me trajtimin e tij; ose
Ai ndalon publikimin e çdo reklame që përmban oferta për trajtimin e kancerit, dhënien e ilaçeve ose dhënien e këshillave në lidhje me trajtimin.
Përjashtime bëhen për materialet që u drejtohen anëtarëve të parlamentit, mjekëve, infermierëve dhe farmacistëve, së bashku me reklamat e prodhuara nga këshillat vendas dhe spitalet vullnetare, të cilat ishin spitale private, jofitimprurëse.
Nick James, një studiues në Institutin e Kërkimeve për Kancerin, tha për AAP se pretendimi se legjislacioni përfaqëson një ndalim të kurave për kancerin nuk kishte asnjë bazë.
Ai ishte hartuar për të mbrojtur publikun nga mashtruesti “që ofronin terapi të paprovuara”, tha ai. “Qëllimi kryesor i aktit është i kundërt – të ‘parashikojë më tej trajtimin e kancerit’ dhe të ‘ndalojë reklama të caktuara'”, tha James.
Ndalimi i reklamave përfshin kimioterapinë dhe rrezatimin së bashku me trajtimet e paprovuara ose alternative.
Frances Downey, drejtuese e politikës së shkencës dhe kërkimit në Cancer Research UK, tha se Akti i Kancerit është hartuar për të mbrojtur pacientët nga bombardimi me reklama për trajtime. Kjo përfshin reklama nga profesionistë mjekësorë, kompani farmaceutike dhe praktikues alternativë, tha Dr. Downey.
Simon Crabb, një ekspert i terapive eksperimentale të kancerit në Universitetin e Southampton, tha se Mbretëria e Bashkuar ka një “kulturë shumë të gjallë kërkimore për kancerin” të mbështetur nga qeveria, organizatat bamirëse dhe sektori komercial.
“Në Mbretërinë e Bashkuar, reklamimi direkt tek pacienti për shumicën e trajtimeve mjekësore (jo vetëm trajtimet e kancerit) është i kufizuar, ndryshe nga, për shembull, në SHBA,” tha Crabb. “Por kjo nuk kufizon kërkimin dhe/ose raportimin e përparimeve kërkimore.”
Rregulloret e Barnave Njerëzore 2012 ndalojnë reklamat për shumicën e barnave vetëm me recetë në Mbretërinë e Bashkuar.
Disa individë janë gjobitur sipas Aktit të Kancerit në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë një burrë që reklamoi aftësinë e tij për të kuruar kancerin përmes “shërimit me energji“ dhe një grua që promovoi ilaçe bimore të shitura në eBay si trajtime për kancerin.
Nëse, në një ngjarje të jashtëzakonshme, një individ do të zbulonte vërtet kura për kancerin të bazuara në shërim me energji, ai do të ishte i lirë sipas Aktit të Kancerit të vitit 1939 të publikonte rreth zbulimeve të tij në revista shkencore, t’i diskutonte ato privatisht ose në kontekste akademike, ose të vazhdonte kërkimin mbi konceptin. Megjithatë, ata nuk do të lejoheshin ta paraqisnin atë informacion para publikut të gjerë në reklama në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2019, një peticion publik për shfuqizimin e Aktit të Kancerit me argumentin se ndalonte personelin mjekësor të diskutonte trajtimet e kancerit u hodh poshtë nga qeveria, e cila kundërshtoi pretendimin qendror të peticionit.
“Akti i Kancerit i vitit 1939 nuk i pengon mjekët të diskutojnë, hetojnë ose ofrojnë trajtime të kancerit”, thuhej në përgjigjen e qeverisë në atë kohë.
The post Ligjet britanike nuk ndalojnë mjekët të kurojnë kancerin appeared first on Faktoje.al.















































