Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Peleshi në Forumin e Sigurisë në Kongresin amerikan: Shqipëria në krah të SHBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe paqen

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mori pjesë sot në Forumin për Sigurinë të organizuar nga Kongresi amerikan, ku mbajti një fjalë mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet e sigurisë në kontekstin global e rajonal, sfidat e reja gjeopolitike dhe bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me qëndrimet dhe prioritetet strategjike të SHBA-së dhe NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari Peleshi theksoi se Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA dhe një anëtare e denjë dhe aktive e NATO-s, e cila është e vetëdijshme dhe mban mbi supe barrën e saj të sigurisë.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka rritur investimet në mbrojtje në 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një trajektore të qëndrueshme rritjeje në vitet në vijim, në përputhje me angazhimet e aleatëve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë kolektive.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se partneriteti Shqipëri-SHBA nuk është transaksional, por strategjik, afatgjatë dhe i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Ai theksoi rolin aktiv të Shqipërisë si partnere operative, kontributin në misione ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e ngushtë në fushën e modernizimit të forcave të armatosura dhe sigurisë kibernetike.

Në fjalën e tij, Peleshi vuri theksin edhe te rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, çka kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe koordinim të ngushtë me aleatët. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Forumi mblodhi drejtues komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, senatorë e kongresmenë, përfaqësues të lartë të sigurisë, parlamentarë dhe qeveritarë nga vendet e Europës dhe të rajonit si dhe personalitete të larta ushtarake të SHBA-së etj.

Në përfundim, Peleshi ritheksoi se, Shqipëria nuk kërkon përfitime pa kontribut, por synon të forcojë partneritetet strategjike mbi bazën e përgjegjësisë, besueshmërisë dhe veprimit konkret, duke e konsideruar sigurinë një investim thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.

1 nga 2

/gj.m/r.e/a.f/

The post Peleshi në Forumin e Sigurisë në Kongresin amerikan: Shqipëria në krah të SHBA-së për sigurinë, stabilitetin dhe paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shoqata e Prokurorëve ende e paregjistruar te Tatimet

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj Shoqatës së Prokurorëve, duke sqaruar se kjo shoqatë nuk ka përfunduar ende procedurat e plota të regjistrimit, pasi nuk është regjistruar në organet tatimore.

Në një reagim në platformën X, Rama theksoi se nuk ka deklaruar se shoqata nuk është regjistruar në gjykatë, por se ajo mbetet ende e paregjistruar në kuptimin e plotë ligjor.

Ai sqaroi se regjistrimi i një shoqate nuk përfundon vetëm me vendimin e gjykatës, por kërkon edhe regjistrimin pranë administratës tatimore, proces që sipas tij ende nuk ka ndodhur.

“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë”, shkruan Rama në platformën X.

“Unë shkruajta: janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek Tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”, thekson Rama.

Por, shton Kryeministri, “halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Shoqata e Prokurorëve ende e paregjistruar te Tatimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në platformën X edhe ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve lidhur me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!”, shkruan Rama.

Pra, thekson Kryeministri, “orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!”.

“A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!”, thekson Rama.

Pra, vijon kreu i qeverisë, “shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!”.

“Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!”, thekson Rama.

Madje, shton Kryeministri, “kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!”.

Kryeministri i shtron gjithashtu një pyetje Shoqatës së Prokurorëve lidhur me prezumimin e pafajësisë.

“Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, shkruan Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama i përgjigjet Shoqatës së Prokurorëve: Arrestet pa gjyqe kanë njollosur Shqipërinë botërisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nënkolonel Aliaj: Trajnim i avancuar për përdorimin e sistemit kundërtank “Javelin” në Forcën Tokësore

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Në Shkollën e Trupës së Forcës Tokësore po zhvillohet për herë të parë një kurs i specializuar trajnimi për personelin e Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë në përdorimin e sistemit raketor kundërtank “Javelin”, tashmë pjesë e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Komandanti i Shkollës së Trupës së Forcës Tokësore, nënkolonel Jorid Aliaj, theksoi se qëllimi kryesor i këtij trajnimi është përgatitja maksimale e efektivëve për përdorimin e armëve të gjeneratës së fundit, në përputhje me standardet e NATO-s.

Sipas tij, kursi përfshin trajnimin e personelit në procedurat e përdorimit të sistemit “Javelin”, proceset e targetimit, si dhe aplikimin në skenarë sa më realistë, nën asistencën e instruktorëve të kualifikuar të Shkollës së Trupës.

“Përdorimi i këtij sistemi i mundëson operatorët, të kenë aftësinë për të marrë vendime të qarta, të sakta. Të kenë aftësinë për të bërë targetimin e objektivave në kohë reale, të jenë të familjarizuar me përdorimin e armës, në mënyrë të tillë që të rrisim sa më shumë mundësinë e efikasitetit dhe të sigurimit të forcës”, shprehet ai.

“Trajnerët e Shkollës së Trupës, janë këtu sot për të asistuar, për të bërë të mundur të kuptojnë të dhënat taktiko -teknike të armëve dhe sistemeve dhe gjithashtu, operatorët të jenë të familjarizuar dhe të arrijmë të përdorim në mënyrë sa më efikase sistemet”, thekson Aliaj.

Ai nënvizon se trajnimi në ambiente të specializuara nuk zëvendëson stërvitjen në terren, por e plotëson atë, duke lehtësuar procesin e asimilimit të njohurive dhe duke përshpejtuar kalimin drejt aplikimit praktik.

“Objektivi ynë është të arrijmë të perfeksionojmë, të kemi një trupë maksimalisht në kondicione maksimale për sa i përket përgatitjes profesionale, të rrisim aftësinë vdekjeprurëse të forcave tona dhe lehtësojmë procesin kur të kalojmë në terren, të jetë sa më i shpejtë dhe i asimilueshëm”, shprehet Aliaj.

“Këtu replikohen të gjitha situatat, të cilat ofrohen edhe në kushte të operacioneve në të gjitha terrenet ofron edhe goditjen e objektivave ajrore, të cilat fluturojnë në lartësira të ulëta”, përfundon Aliaj.

/gj.m/a.f/

The post Nënkolonel Aliaj: Trajnim i avancuar për përdorimin e sistemit kundërtank “Javelin” në Forcën Tokësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Garancia Rinore, 65 milionë euro për punësim dhe aftësim profesional

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë për rezultatet e arritura në përmbyllje të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës, i cili prej 10 vitesh po kthen përvojën në punësim.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “Agjencia duhet të bëjë një anketim të të gjithëve që kanë mbaruar programin, për t’ju marrë në mënyrë anonime përshtypjet tuaja për programin: çfarë ju ka pëlqyer, çfarë s’ju ka pëlqyer, çfarë mendoni që duhet bërë më mirë, sepse kjo do të na ndihmonte ta përmirësonim më tutje programin”.

Rama foli edhe për projektin e Garancisë Rinore, duke e cilësuar si një projekt të madh që ka qeveria së bashku me Komisionin Europian.

“Ky projekt ka si synim të identifikojë dhe të aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktivë në kërkimin e mënyrës për të nxjerrë më të mirën nga vetja”, tha Rama.

Ai theksoi se projekti ka si qëllim të forcojë mbështetjen ekonomike, të ofrojë trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë, si dhe të sigurojë mundësi konkrete punësimi.

“Projekti gjithashtu synon të sigurojë vazhdimin e arsimit, të formimit profesional dhe të praktikave, dhe patjetër të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit”, tha Rama.

Rama i sugjeroi të rinjve të njihen me këtë projekt, duke shtuar se ai është edhe financiarisht i qëndrueshëm, me një vlerë prej rreth 65 milionë euro.

Duke iu drejtuar të rinjve fitues, Rama u shpreh se, “ndërkohë që keni kontratat njëvjeçare për t’i nënshkruar, vazhdoni procesin dhe bëni gjithçka mundësi që të aftësoheni edhe përtej asaj që ju jep ai orar i punës, sepse gjithmonë e më shumë burimet njerëzore cilësore do të jenë një domosdoshmëri për të gjithë, dhe gjithmonë e më pak influencat e tjera do të mund të ndikojnë në mënyrë që të mos ju japin burimet njerëzore cilësinë që të jenë në kontribut në shoqëri”.

Ndërsa duke iu drejtuar të rinjve që nuk kanë fituar, Rama u shpreh se, “të tjerëve ju them: vazhdoni, bëni përpjekjet tuaja. Ka rrugë të tjera, ka konkurse të tjera”.

Ai shtoi se qeveria po punon për një riformatim të legjislacionit të administratës publike, me qëllim krijimin e fleksibilitetit dhe mundësive më të shumta për të rinjtë.

“Ne po bëjmë edhe një tjetër riformatim të legjislacionit për administratën publike, për të krijuar më shumë fleksibilitet, për të krijuar më shumë mundësi, dhe me bindjen që kjo është rruga. Me provën që rezultatet e këtij programi të praktikave të punës brenda ministrive dhe institucioneve kanë qenë shumë inkurajuese, ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara axhendën e thithjes së burimeve më të mira që dalin nga universitetet, të burimeve më të mira që janë aktive në shoqëri dhe që i përkasin grupit tuaj shoqëror, të rejave dhe të rinjve”, tha Rama.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Rama: Garancia Rinore, 65 milionë euro për punësim dhe aftësim profesional appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria merr kryesimin e Komitetit Këshillimor Rajonal i Kërkim‑Shpëtimit Aeronautik

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Shqipëria merr kryesimin e Komitetit Këshillimor Rajonal të Kërkim-Shpëtimit Aeronautik (RASARAC) për vitin 2026, duke shënuar një tjetër zhvillim pozitiv në angazhimin e saj për sigurinë ajrore dhe bashkëpunimin rajonal.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila vlerëson këtë rol si një përgjegjësi të rëndësishme dhe një mundësi për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, shkëmbimin e informacionit dhe zbatimin e praktikave më të mira evropiane në fushën e kërkim-shpëtimit aeronautik, në bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe EUROCONTROL.

Gjatë kryesimit, fokusi do të jetë në rritjen e ndërveprimit operacional, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe organizimin e ushtrimeve praktike, me synim forcimin e kapaciteteve rajonale të kërkim-shpëtimit aeronautik dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

Ministria e Mbrojtjes thekson se ky angazhim konfirmon rolin e Shqipërisë si një partner aktiv, i besueshëm dhe konstruktiv, në shërbim të sigurisë ajrore dhe bashkëpunimit rajonal.

1 nga 4

/gj.m/a.f/r.e/

The post Shqipëria merr kryesimin e Komitetit Këshillimor Rajonal i Kërkim‑Shpëtimit Aeronautik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shoqatat e gjyqtarëve nuk janë në përputhje me ligjin, nuk duhet të ishin pranuar si palë në proces

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur mbi kërkesën për rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Në një komunikim përmes rrjeteve sociale, Rama hodhi poshtë akuzat për përbaltje, duke deklaruar se, sipas tij, janë vetë shoqatat ato që po cenojnë debatin publik përmes deklaratave të tyre.

Sipas Kryeministrit, shoqatat e gjyqtarëve nuk janë të ligjshme dhe se Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i kishte pranuar si palë në proces, duke argumentuar se ato nuk respektojnë dispozitat e ligjit për organizatat jofitimprurëse.

Rama deklaroi se këto shoqata, sipas tij, janë ngritur me qëllim përfitimi financiar dhe se deri më tani nuk kanë kryer veprimtari tjetër përveç ndjekjes së çështjeve që synojnë rritjen e të ardhurave të anëtarëve të tyre përmes proceseve gjyqësore.

“Jeni të paligjshëm dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’ju kishte pranuar ju si palë, sepse ju nuk respektoni dispozitat e ligjit për organizatat jofitimprurëse, se shoqatat janë jofitimprurëse, ndërkohë që ju, shoqatat tuaja dhe kjo shoqata për të cilën po flas, është ngritur vetëm për të fituar lekë deri tani, nuk kam parë unë të bëni ndonjë gjë tjetër deri tani, por vetëm për të fituar para. Shko në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe Shoqata e Unionit, kjo që ka bërë gjithë këtë paçavure, është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve, aty ku regjistrohen, se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore, ju si shoqatë, që dyshoj që keni një anëtarësi të gjerë, por gjithsesi”, tha Rama.

“Ndërsa shoqata tjetër, s’ishte fare e regjistruar në Qendrën Kombëtare, as te Tatimet, sipas detyrimit, i ka ligji këto detyrime dhe praktikisht duhet të ishte e çregjistruar se kështu thotë ligji! Dhe Gjykata Kushtetuese nuk i mori në konsideratë këto fakte, se ju jeni subjekte si shoqata që nuk duhet të merreni fare në referencë, sepse ju nuk jeni në përputhje me ligjin.

E kuptoni se ku jemi ne?! Dhe unë nuk mendoj që ju keni problem të regjistroheni, që keni problem të keni NIPT, që keni problem të paguani tatimet, që keni problem të paguani siguracionet, unë nuk mendoj këtë. Unë mendoj që jeni arrogantë. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar, si pushtet të pakontrollueshëm dhe për këtë arsye, ndodhin dhe gjëra të tjera këtu në këtë vend”, thekson Rama.

“Edhe një herë, unë jam palë dhe flas në emër të një pale. Ju nuk jeni palë dhe nuk mund të flisni si palë dhe për më tepër nuk mund të trajtoni të tjerët si palë, që i vini në shënjestër, sepse ju keni dhe gurin, dhe arrën, por jo për të rritur pagat tuaja”, përfundoi Rama.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Shoqatat e gjyqtarëve nuk janë në përputhje me ligjin, nuk duhet të ishin pranuar si palë në proces appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Politika e pagave i takon ekzekutivit, epërsia për SPAK dhe GJKKO për shkak të funksionit

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur prej tij mbi kërkesën për rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Në një komunikim përmes rrjeteve sociale, Rama u shpreh se nuk është e pranueshme që gjyqtarët të kenë në mënyrë të pakufizuar epërsi mbi pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare dhe mbi piramidën e pagave të shtetit, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend të botës.

Kryeministri theksoi se kjo epërsi i është njohur Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale për shkak të funksionit që ushtrojnë, duke nënvizuar se këto struktura kanë karakter të përkohshëm dhe një mision të përcaktuar si strategjik për transformimin e shtetit shqiptar.

“Ata persona ndodhen shpesh në situata sakrifice, presioni dhe rreziku për jetën, për shkak të përballjes me grupe kriminale”, u shpreh Rama. Sipas tij, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi kanë ushtruar diskrecionin e tyre kushtetues në përcaktimin e formulës së pagave, kompetencë e cila, sipas Ramës, është njohur edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Rama shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të marrë në konsideratë kërkesa për rritje pagash, pasi pagat nuk rriten përmes vendimeve gjyqësore.

“Ajo që kërkohet të imponohet është ndërhyrja në politikën e pagave të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se ndërhyrje të tilla, përfshirë politikat fiskale, janë kompetencë ekskluzive e pushtetit ekzekutiv dhe Kuvendit.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Rama: Politika e pagave i takon ekzekutivit, epërsia për SPAK dhe GJKKO për shkak të funksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim në Uashington me kongresmenin Ritchie Torres, bashkëkryetar i “Albanian Caucus” dhe mbështetës i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe me kongresmenin William R. Keating, anëtar i lartë i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit, ministrja Spiropali i falënderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se angazhimi i vazhdueshëm amerikan në rajon mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe për zhvillimin demokratik.

Spiropali nënvizoi se angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, ku Shqipëria vijon të luajë një rol konstruktiv për stabilitetin, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar sot ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste, të ndërmarrë nga Kryeministri dhe të amplifikuar nga media, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.

Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata vlerëson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Shoqata thekson se nuk është në kompetencën e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por e konsideron të domosdoshme ndaljen e keqinformimit të opinionit publik dhe të presionit politik ndaj gjyqtarëve.

Sipas shoqatës, që prej vitit 2016, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku qeveria dhe Kuvendi, sipas shoqatës, kanë vepruar në kundërshtim me frymën e reformës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, përmes ndryshimeve ligjore, dispozitave tranzitore dhe referencave të pagave, disa prej të cilave janë shfuqizuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe spekulative narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për funksionimin e demokracisë, duke nënvizuar se veprimet e saj synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.

/gj.m/j.p/

The post Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kuvendi miratoi sot pr/ligjet në rendin e ditës, teksa me kërkesë të mazhorancës u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i projektvendimit për ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi mosshqyrtimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, në këtë seancë.

Ndërsa nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha se kërkesa e PD ka qenë e qartë, jo që të mos shqyrtohet, por tërheqja e këtij vendimi.

“Tërheqja tregon vullnet, nëse doni ta lini situatën as mish as peshk, atëherë doni ta bëni lojë. S’e keni ndarë mendjen, ndajeni ju mendjen”, tha ai.

Më pas Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.

Gjithashtu u miratua me 77 vota projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar.

Në seancën e sotme u miratua me 77 vota pro edhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”.

Gjithashtu u miratua me 77 vota pro Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për  programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024”.

Kuvendi miratoi me 77 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së  Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.

Deputetët miratuan me 76 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë,  Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet  Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024”.

Sot u miratua edhe me 77 vota pro edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro edhe projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Po ashtu sot u miratua me 78 vota pro edhe  Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

/gj.m/j.p/

The post PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua në Uashington me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veteranin e ushtrisë amerikane Brian Mast.

Spiropali nënvizoi se Kongresmeni Mast është aktivisht i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

Ministrja u ndal te bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, në misione të përbashkëta ushtarake nga Afganistani në Irak, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Është pikërisht ky lloj bashkëpunimi që sipas ministres, e bën aleancën mes dy vendeve edhe më të fortë.

Më herët, Spiropali u takua me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC), me fokus potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të përbashkët online me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe kolegët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus mbi zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) në hapësirën Schengen.

Sistemi EES synon të përshpejtojë procedurat në pikat kufitare, të reduktojë pritjet dhe të rrisë sigurinë përmes digjitalizimit të të dhënave.

Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me partnerët evropianë për të garantuar standarde që i shërbejnë qytetarëve dhe një lëvizjeje më të sigurt drejt vendeve të BE-së.

Sistemi i hyrjes/daljes (EES) i BE-së është një mjet digjital regjistrimi për vizitorët në Evropë.

Ai zëvendëson vulat e pasaportave me gjurmë gishtash dhe foto të fytyrës, falë një serie skanerësh të instaluar në aeroporte, porte dhe stacione hekurudhore në të gjithë kontinentin.

Qëllimi është të regjistrohen të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve jo BE që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër (90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke u lejuar autoriteteve të gjurmojnë automatikisht tejkalimet e afateve dhe refuzimet e hyrjes.

/gj.m/j.p/

The post Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot në Kuvend se Gjykata Kushtetuese ndodhet përballë një momenti historik lidhur me shqyrtimin e çështjes për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Shehaj theksoi se për herë të dytë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë marrjen e vendimit, duke nënvizuar se kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e drejtësisë.

Ai deklaroi se rasti përbën një provë të drejtpërdrejtë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas meje, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Ky është një moment historik për vendin”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia kritikoi gjithashtu mazhorancën për sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen publike drejt debatit mbi pagat e gjyqtarëve.

“Problemi real nuk janë pagat e gjyqtarëve, por fakti që qeveria po përballet me një drejtësi që po vepron”, deklaroi ai.

Në përfundim, Shehaj theksoi se, sipas tij, qytetarët shqiptarë mbështesin SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë dhe kërkojnë që zyrtarët e akuzuar të përballen me ligjin pa ndikime politike.

/gj.m/j.p/

The post Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u takua sot në Uashington me kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit në Kongresin Amerikan, u vlerësua mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe u theksua forca e Partneritetit Strategjik Shqipëri–SHBA, si një shtyllë kyçe e marrëdhënieve dypalëshe.

Peleshi dhe Self diskutuan gjithashtu mbi angazhimin amerikan për reformat demokratike, si dhe kontributin e përbashkët për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, duke i cilësuar këto elemente thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në takim morën pjesë edhe deputetët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Ilir Pendavinji si dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe deputeti i PD, Belind Këlliçi.

/gj.m/j.p/

The post Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu replikë me Korreshin: Integrimi europian nuk është çështje batutash politike

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu gjatë një replike në seancën plenare të Kuvendit pasditen e sotme me deputetin e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, theksoi se rruga drejt integrimit europian kërkon punë konkrete dhe jo “barcaleta”.

Korreshi deklaroi se Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian dhe se reformat e shpallura nga qeveria nuk reflektohen në realitetin e qytetarëve, duke përmendur problematika në drejtësi, shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.

Gogu vuri në dukje nga ana e tij, se problemet zgjidhen me punë.

“Baltën e pastron ai që e sheh dhe që është atje për të pastruar baltën, siç pastruam baltën e drejtësisë që ti e shihje dhe i thoje prokurores së përgjithshme ‘lavire rrugësh’ dhe sot vjen dhe na tregon banalitetin e të keqes”, deklaroi ministri.

Sipas tij, progresi i vendit vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kur vijmë sot, të gjithë emisarët e Europës sonë thonë se është përparim, progres mbresëlënës. Pse nuk e dinë ata që kanë baltë rrugët e Shqipërisë?”, shtoi ai, duke sjellë si shembull modernizimin e bujqësisë në Divjakë.

Gogu theksoi se integrimi europian nuk është çështje batutash politike.

/gj.m/

The post Gogu replikë me Korreshin: Integrimi europian nuk është çështje batutash politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përcaktohet kalendari për javët 23 dhe 24 të kampionatit dhe ndeshjet e para çerekfinale të Kupës

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar kalendarin për dy javët e ardhshme të kampionatit “Abissnet Superiore”, si edhe për ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 23-të e kampionatit do të luhet të premten dhe të shtunën, më 6 dhe 7 shkurt. Ndërkohë, në mesjavë, më 10 dhe 11 shkurt, janë programuar të zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 24-t është planifikuar të luhet më 14 dhe 15 shkurt, duke nisur me përballjen FK Vora – Egnatia dhe duke u mbyllur me derbin e kryeqytetit, Partizani – Tirana.

Java 23

Bylis – Partizani, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Adush Muçaj”

Vllaznia – FK Vora, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Vora”

AF Elbasani – Teuta, 06.02.2026 16:30 Stadiumi “Elbasan Arena”

Flamurtari – Egnatia, 06.02.2026 19:00 Stadiumi “Flamurtari”

Tirana – Dinamo City, 07.02.2026 13:30 Stadiumi “Selman Stermasi”

Java 24

FK Vora – Egnatia, 14.02.2026 13:30 stadiumi “Vora”

Teuta – Bylis, 14.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Vllaznia – AF Elbasani, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Loro Boriçi”

Dinamo City – Flamurtari, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

Partizani – Tirana, 15.02.2026 19:30 stadiumi “Air Albania”

Kupa e Shqipërisë

Bylis-Vllaznia, 10.02.2026 13:30 stadiumi “Adush Muçaj”

Teuta-Egnatia, 10.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Tirana-Dinamo City, 11.02.2026 13:30 stadiumi “Selman Stermasi”

AF Elbasani-Partizani, 11.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

/gj.m/j.p/

The post Përcaktohet kalendari për javët 23 dhe 24 të kampionatit dhe ndeshjet e para çerekfinale të Kupës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurbin, forcim i bashkëpunimi institucional për sigurinë në shkolla

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Në ambientet e bashkisë Kurbin u zhvillua sot një takim në kuadër të programit “Siguria në Shkolla”, me pjesëmarrjen e zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Arben Curri, shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve në Volum, Artur Cara, përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrës Arsimore Kurbin, sektorit të shërbimit psiko-social, punonjësve të policisë, drejtorëve të shkollave, punonjësve psiko-socialë dhe oficerëve të sigurisë.

Takimi u përqendrua në identifikimin e problematikave që lidhen me sigurinë në institucionet arsimore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e ngjarjeve që përfshijnë nxënësit, si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve shkollore.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e komunikimit të menjëhershëm dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si një element kyç për parandalimin e konflikteve dhe adresimin në kohë të çdo problematike që lidhet me nxënësit.

Gjithashtu, u ra dakord për një monitorim të vazhdueshëm të zonave përreth shkollave, në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë, oficerëve të sigurisë, stafit pedagogjik dhe aktorëve të tjerë lokalë.

Në këtë kuadër, po shqyrtohet edhe mundësia e vendosjes së kamerave të sigurisë në rrugët përreth institucioneve arsimore, për të garantuar një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe komunitetin shkollor.

Policia e Lezhës konfirmon angazhimin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet arsimore dhe pushtetin vendor, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë, të sigurt dhe të mbrojtur për nxënësit dhe gjithë komunitetin shkollor.

/gj.m/j.p/

The post Kurbin, forcim i bashkëpunimi institucional për sigurinë në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fatjon Tafaj emërohet trajner i Kombëtares U-19, Armand Dama te Kombëtarja U-17

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Federata e Futbollit ka vendosur të bëjë dy ndryshime në drejtimin teknik të kombëtareve të moshave, në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të futbollit të të rinjve.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Kombëtarja U-19 për djem do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Fatjon Tafaj, i cili më herët ka qenë në krye të Kombëtares U-17. Ndërkohë, drejtimin e Kombëtares U-17 do ta marrë trajneri Armand Dama.

Në muajin mars, Kombëtarja U-19 do të zbresë në fushë për ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin B4, së bashku me Norvegjinë, Luksemburgun dhe Maltën, dhe do të drejtohen nga trajneri Fatjon Tafaj në këtë fazë të rëndësishme të kompeticionit.

Ndërkohë, prova e parë për trajnerin Armand Dama në krye të Kombëtares U-17 do të jetë në muajin mars, me dy ndeshje miqësore që pritet të zyrtarizohen së shpejti. Në muajin prill, ai do të drejtojë Kombëtaren në turneun UEFA Development U-16 për djem, i cili do të organizohet nga FSHF në “Shtëpinë e Futbollit”, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Austrisë, Suedisë dhe Japonisë.

Gjithashtu, në muajin qershor, Kombëtarja U-17 për djem do të zhvillojë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues, ku Shqipëria do të përballet me Ukrainën dhe Letoninë.

/gj.m/j.p/

The post Fatjon Tafaj emërohet trajner i Kombëtares U-19, Armand Dama te Kombëtarja U-17 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Asllani tek Manaj, lojtarët e Kombëtares që ndryshuan skuadër në janar

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Merkatoja e janarit solli ndryshime të shumta për disa prej futbollistëve të Kombëtares shqiptare, të cilët zgjodhën të vijojnë karrierën në kampionate të ndryshme evropiane dhe jashtë saj, në kërkim të më shumë hapësirave dhe objektivave të reja sportive.

Transferimi më i bujshëm ishte ai i mesfushorit Kristjan Asllani, i cili u largua nga Torino për t’u transferuar te skuadra turke e Beşiktaşit. Lëvizja u realizua me miratimin e Interit, klub që zotëron kartonin e futbollistit kuqezi.

Pas një muaji negociatash, zyrtarizimi i marrëveshjes erdhi vetëm një ditë para mbylljes së merkatos.

Në Turqi u rikthye edhe sulmuesi Rei Manaj, i cili mbylli përvojën e tij me Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendosi të vazhdojë karrierën te Sivasspor, skuadër ku kishte luajtur edhe më parë.

Një tjetër lëvizje e rëndësishme ishte ajo e Anis Mehmetit, i cili u largua nga Bristol City për t’u bashkuar me Ipsëich Toën, klub me ambicie të qarta për ngjitjen në Premier Ligë këtë sezon.

Mbrojtësi Klisman Cake la Shkëndijën e Tetovës për të provuar një eksperiencë të re në kampionatin rus, ku firmosi me Akhmat Grozny, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale.

Ndërkohë, Maldini Kaçuri u transferua nga Morecambe te Grimsby Toën, ndërsa talenti i ri Elton Fikaj u largua nga Panathinaikos në Greqi për të vijuar karrierën me Piast Gliëice në Poloni.

Në Itali, portieri Alen Sherri ndërpreu huazimin e tij te Frosinone dhe u rikthye te Cagliari në Serie A, ndërsa sulmuesi Marvin Çuni u huazua nga Sampdoria te Bari.

/gj.m/j.p/

The post Nga Asllani tek Manaj, lojtarët e Kombëtares që ndryshuan skuadër në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌