Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Komuna e Kaçanikut njofton për regjistrimin e detyrueshëm të përfituesve të subvencioneve në SIMFK



Komuna e Kaçanikut njofton të gjithë qytetarët që përfitojnë subvencione dhe mbështetje financiare nga Komuna, përfshirë nenat lehona sipas vendimeve për ndarjen e mjeteve financiare, se Thesari i Republikës së Kosovës ka funksionalizuar shërbimin digjital për regjistrimin e përfituesve përmes platformës shtetërore e-Kosova.

Në këtë kuadër, të gjithë përfituesit janë të obliguar të regjistrohen në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK), shërbim që ofrohet në platformën e-Kosova nën ikonën e Thesarit.

Komuna njofton se:

  • Regjistrimi në SIMFK është i detyrueshëm për të gjithë përfituesit që realizojnë pagesa përmes Thesarit, përfshirë pagesat e subvencioneve dhe transfereve nga Komuna.
  • Thesari nuk pranon më regjistrime manuale; çdo përfitues duhet të aprovohet ekskluzivisht përmes platformës e-Kosova.
  • Pagesa e subvencionit nuk mund të ekzekutohet nëse përfituesi nuk është i regjistruar dhe i aprovuar në SIMFK.
  • Të dhënat e llogarisë bankare duhet të jenë të sakta dhe të përditësuara, për të shmangur vonesa në ekzekutimin e pagesave.

Komuna e Kaçanikut fton të gjithë përfituesit që të kryejnë regjistrimin në kohë dhe me të dhëna të sakta, për të siguruar realizimin pa pengesa të pagesave përmes Thesarit të Republikës së Kosovës.

Udhëzues dhe më shumë informata: https://mfpt.rks-gov.net/Thesari/Page/41. /Telegrafi/


Sulmoi babanë, nënën dhe motrën – arrestohet i dyshuari në Kaçanik



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për dhunë në familje.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 13:00.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në raport.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Sulmohen dy policë në Stacionin policor në Kaçanik, marrin trajtim mjekësor



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.

Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.

“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota



Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit.

Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të QKN-së dhe rinumërimit.

Diferencë e madhe votash i doli kandidates për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Kosovare Murseli, 100 vota më pak, saktësisht 3,889 vota nga 3,989 vota sa kishte në këtë komunë.

Ndërkaq, ish-kryetarit të kësaj komune, Besim Ilazi i dolën 53 vota më pak.

Kandidatit Elmi Reçica iu shtuan 24 vota ndërsa Përparim Grudës, 23.

Në bazë të rinumërimit të votave, nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për deputet Jeton Raka është kandidati me më shumë vota të humbura, saktësisht 78 nga 5,756 vota sa kishte.

I dyti pas tij del se është Albin Kurti me 44 vota më pak e pas tij, Glauk Konjufca me 20 më pak.

Diferenca të mëdha nuk pati në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku humbi dy vota, njësoj sikurse Hykmete Bajrami.

Ukë Rugova doli me pesë vota më shumë ndërsa Paris Guri, me 11.

Nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj morri tre vota ndërsa më së shumti humbi Hafize Sallahi, 15 vota më pak.

Në nivel vendi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbi 100 vota më pak.

Pas tij radhitet, Ejup Maqedonci me 96 më pak dhe Glauk Konjufca me mbi 80 më pak.

Diferencë të madhe të votave ka pësuar Filiz Mustafa me afro 300 vota më pak.

Nga radhët e PDK-së kryeson Kosovare Murseli me mbi 100 vota më pak, e ndjekur nga Besim Ilazi me 51 ma pak.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike, në nivel vendi Lumir Abdixhiku ka humbur mbi 20 vota ndërsa Ukë Rugova ka fituar mbi dhjetë.

Mbi 20 vota ka humbur Xhafer Gashi ndërsa Hykmete Bajrami, ka humbur sa gjysma e tij.

Në rinumërim 100 përqind mbesin Komuna e Leposaviqit, Prizrenit, Skenderajt, Shtimes, Ferizajt, Vushtrrisë, Mamushës dhe Ranillugut.

Kurse në 28 komunat tjera do të rinumërohen 10% e vendvotimeve./Dukagjini/

Vishi: Reçaku mbetet plagë e hapur dhe thirrje e përhershme për drejtësi



Me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka kujtuar civilët e pafajshëm të vrarë në këtë masakër, duke e cilësuar Reçakun si një plagë të hapur në kujtesën kolektive dhe një thirrje të vazhdueshme për drejtësi.

Në një njoftim publik, Vishi ka theksuar se, ndonëse në Reçak u shuan jetë të pafajshme, e vërteta nuk u shua kurrë.

“Reçaku mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë. Aty u shua jeta e civilëve të pafajshëm, por kurrë nuk u shua e vërteta dhe kërkesa për drejtësi”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Kaçanikut ka shtuar se dhimbja e Reçakut përbën obligim moral për brezat e sotëm dhe të ardhshëm që të mos harrojnë dhe të nderojnë sakrificën për liri.

“Dhimbja e Reçakut na obligon të mos harrojmë dhe të nderojmë përjetësisht ata që u flijuan për liri”, ka theksuar Vishi.

Në përfundim të mesazhit të tij, Vishi ka nderuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, duke shprehur respekt të veçantë për viktimat e Masakrës së Reçakut.

“Lavdi të rënëve të Reçakut! Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Vrasja e policit në Kaçanik, ngritet aktakuzë kundër gjashtë personave



Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit dyshohen për veprën penale "Vrasje e rëndë".

"Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes", thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim tutje thuhet se: “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”. /Telegrafi/

Mërgimtarja nga Kaçaniku ofron strehim falas për familjet e prekura nga vërshimet



Një mërgimtare nga Kaçaniku ka shprehur solidaritet me familjet dhe personat e prekur nga vërshimet e ditëve të fundit, duke ofruar pa pagesë 14 dhoma me ushqim për ata që kanë nevojë për strehim të përkohshëm.

Ajo ka bërë të ditur se kjo ndihmë është e dedikuar për personat dhe familjet në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët po përballen me vështirësi si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut.

“Në këto momente të vështira, ku gjendja po përkeqësohet për shkak të shirave për persona dhe familje në Kosovë dhe Shqipëri, ofroj ndihmë për strehim. Lokacioni është në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, te Pompa Bujari (Fenixs)”, ka deklaruar ajo.

Të interesuarit për strehim mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 045 646 167 për më shumë informata dhe koordinim. /RadioDukagjini/


Komuna e Kaçanikut nis pastrimin e rrugëve, apelon qytetarët për kujdes



Komuna e Kaçanikut ka angazhuar kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve pas reshjeve të borës, ndërsa punimet kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit.

Ekipet e pastrimit janë në terren dhe po punojnë për largimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore.

Sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arian Teneqja, “të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara dhe të qarkullueshme, ndërsa kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve për shkak të ngricave eventuale”.

Komuna apelon tek qytetarët që të adaptojnë shpejtësinë dhe të respektojnë udhëzimet për siguri gjatë lëvizjes në rrugë. /Telegrafi/


Kryetari i Kaçanikut prezanton ekzekutivin komunal



Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka prezantuar sot anëtarët e Ekzekutivit Komunal, të cilët do të udhëheqin dhe shërbejnë komunën gjatë katër viteve të ardhshme.

Në postimin e tij në Facebook, kryetari Vishi njoftoi përbërjen e ekzekutivit:

  • Xhelal Dema – Nënkryetar i Komunës
  • Urata Sopa – Drejtoria e Administratës së Përgjithshme
  • Lumnije Demnika Selmani – Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
  • Gazmend Bunjaku – Drejtoria e Arsimit
  • Valdrin Dogani – Drejtoria e Buxhetit dhe Financave
  • Korab Krasniqi – Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit
  • Arian Teneqja – Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës
  • Suad Dullovi – Drejtoria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë
  • Lulzim Krasniqi – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
  • Arlinda Rakoci Raka – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit

Kreu i komunës theksoi angazhimin e këtij ekipi për të punuar ngushtë me qytetarët, për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për të përmirësuar zhvillimin dhe shërbimet në komunë.

“Me këtë ekip, zotohemi për bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, dëgjim të nevojave të tyre dhe punë të palodhshme për një komunë më të zhvilluar, më të drejtë. Ju falënderoj për besimin. Së bashku, do ta çojmë komunën tonë përpara”, tha Sabedin Vishi. /Telegrafi/


Komuna e Kaçanikut ka ndarë 103 serra për fermerët gjatë vitit 2025



Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kaçanikut, nën drejtimin e Drejtorit Suhad Dullovi, ka përmbyllur me sukses shpërndarjen dhe montimin e 103 serrave për fermerët lokalë gjatë vitit 2025.

Secila serra ka një sipërfaqe prej 50 m², duke ofruar kushte të avancuara për kultivim dhe prodhim bujqësor.

Ky projekt synon të rrisë kapacitetet bujqësore të fermerëve kaçanikas dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre përmes mbështetjes direkte në prodhim.

Drejtoria e Bujqësisë thekson se do të vazhdojë përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe fuqizimin e sektorit vendor. /Telegrafi/


Përfundon faza e dytë e ndërtimit të trotuarit dhe shtegut të çiklizmit në rrugën regjionale “Ahmet Kaçiku”



Komuna e Kaçanikut ka përfunduar Fazën II të projektit “Ndërtimi i trotuarit në rrugën regjionale Ahmet Kaçiku”, në segmentin Restorant Natyra – Fusha e Pajtimit, investim ky i realizuar nga buxheti komunal.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, me këtë fazë është kompletuar ndërtimi i trotuarit dhe shtegut të çiklizmit, së bashku me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, përfshirë kanalizimin atmosferik për largimin e ujërave dhe ndriçimin publik.

Drejtori i kësaj drejtorie, Arian Teneqja, ka bërë të ditur se projekti shtrihet nga Fusha e Pajtimit deri në fshatin Duraj, në një gjatësi prej rreth 3 mijë metrash, duke përfshirë një nga segmentet më të frekuentuara të kësaj rruge regjionale.

Sipas komunës, ky investim ka qenë tejet i nevojshëm dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët, nxënësit dhe studentët që e shfrytëzojnë këtë rrugë çdo ditë.

Nga Komuna e Kaçanikut theksohet se investimet në infrastrukturë rrugore dhe siguri publike do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët. /Telegrafi/


Disa fshatra të Kaçanikut pa ujë



Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” njofton se sot gjatë ditës mund të paraqiten ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të komunës së Kaçanikut, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike nga KEDS.

Si pasojë e ndërprerjes së energjisë, pa ujë do të mbesin fshatrat Kaçaniku i Vjetër, Stagova dhe Begraca.

KRU “Bifurkacioni” bën të ditur se furnizimi do të rikthehet sapo ekipet e KEDS të rregullojnë defektin.

Nga kompania u bëhet apel konsumatorëve për mirëkuptim deri në zgjidhjen e problemit, i cili nuk varet nga KRU “Bifurkacioni”. /Telegrafi/


“Ali Asllani” me objekt të ri – komuna e Kaçanikut inspekton punimet në Doganaj



Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, së bashku me Drejtorin e Arsimit, Zahir Doda, kanë inspektuar sot nga afër punimet në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore “Ali Asllani” në Doganaj, ku aktivitetet ndërtimore po zhvillohen me intensitet të shtuar.

Sipas kryetarit Vishi, objekti aktual ku vijojnë mësimet nxënësit nuk i plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin cilësor të procesit mësimor, prandaj avancimi i punimeve në godinën e re është i domosdoshëm dhe shumë i pritur nga nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e zonës.

Ai theksoi se shumë shpejt nxënësit dhe stafi arsimor do të kenë mundësi të punojnë dhe të mësojnë në një ambient modern, funksional dhe bashkëkohor, që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e mësimdhënies në këtë shkollë. /Telegrafi/


Disa zona të Ferizajt dhe Kaçanikut mbesin pa ujë shkaku i energjisë elektrike



Konsumatorët e disa fshatrave në Ferizaj dhe Kaçanik do të përballen përkohësisht me mungesë ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Kjo situatë vjen si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të ndërmarra nga KEDS.

Pa ujë do të mbesin vendbanimet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, përfshirë pjesë të Elezajt, Gërlicës, Qardakut – Kaçaniku i Vjetër, si dhe Rakajn, Varoshin, Bibajn, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën, si dhe disa segmente të magjistraleve Ferizaj–Kaçanik dhe Prishtinë–Ferizaj.

Nga KRU “Bifurkacioni” u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke sqaruar se ndërprerja është jashtë kontrollit të tyre. Furnizimi me ujë do të rifillojë menjëherë sapo të rikthehet energjia elektrike.

“Kërkojmë falje për shqetësimin dhe falënderojmë qytetarët për mirëkuptim”, thuhet në njoftim./Telegrafi/


Aksion i policisë në Kaçanik: Arrestohet një person, sekuestruar dy armë zjarri dhe 67 fishekë



Policia ka realizuar një aksion në Kaçanik këtë të mërkurë, gjatë të cilit është arrestuar një person dhe janë sekuestruar armë dhe municion.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bastisjes së kryer rreth orës 17:00 në shtëpinë e të dyshuarit A.S, 43 vjeç, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta dhe 67 fishekë.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor të Kaçanikut për intervistim.

Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tij është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë.

Bie numri i aksidenteve në Ferizaj, rriten gjobat gjatë nëntorit 2025



Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar statistikat mujore të komunikacionit për nëntorin 2025, të cilat tregojnë një ulje të përgjithshme të aksidenteve, por njëkohësisht një rritje të numrit të gjobave të shqiptuara për shkelje të rregullave të trafikut.

Sipas të dhënave zyrtare, në rajonin e Ferizajt – që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit – janë raportuar gjithsej 141 aksidente, nga të cilat: 59 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të plagosur 83 persona, 82 aksidente me dëme materiale, përcjell Telegrafi.

Në krahasim me nëntorin e vitit 2024, kur ishin raportuar 153 aksidente, prej tyre edhe një me fatalitet, statistikat e këtij viti paraqesin një ulje prej -7.80% të numrit total të aksidenteve.

Nga ana tjetër, shifrat për gjoba tregojnë trend të kundërt. Gjatë nëntorit 2025, policia ka shqiptuar: 6,340 gjoba për kundërvajtje, 140 masa mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit, për shkak të shkeljeve të rënda.

Krahasuar me nëntorin 2024, kur ishin shqiptuar 5,063 gjoba, numri i tyre ka shënuar një rritje prej 25.2% këtë vit.

Policia e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim të uljes së riskut të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/

Vret me armë zjarri qenin, 27-vjeçari vetëdorëzohet në polici



Më datën 29.11.2025, rreth orës 13:30, policia në Kaçanik ka pranuar një informatë nga një person në fshatin Doganaj, i cili kishte raportuar se qeni i tij ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari R.S. (27 vjeç) dhe si pasojë kafsha kishte ngordhur.

Patrulla policore dhe hetuesit e stacionit të Kaçanikut kanë dalë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë konfiskuar tre (3) gëzhoja të pistoletës së përdorur në rast.Policia njofton se i dyshuari R.S. është vetëdorëzuar në stacionin policor, ku ka dorëzuar armën e zjarrit (pistoletë) dhe nëntë (9) fishekë.Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar tri vepra penale: Armëmbajtje pa leje, Përdorim i armës së zjarrit, dhe Keqtrajtim i kafshëve. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Shembjet e dheut dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit në Kaçanik, disa fshatra pa ujë



Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar se një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Kaçanikut do të përballen sot me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Mungesa e ujit pritet të prekë zonën e qytetit, lagjen Dushkaja, si dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, përcjell Telegrafi.

Sipas kompanisë, ndërprerja ka ardhur si pasojë e shembjeve të dheut në segmentin ku kalon rrjeti kryesor i ujësjellësit të Lubotenit, prej nga furnizohen këto zona.

Ekipet teknike të mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

KRU “Bifurkacioni” u ka bërë thirrje konsumatorëve për mirëkuptim, derisa punimet për riparimin e rrjetit po vazhdojnë. /Telegrafi/


Ansamble e artistë nga vendi e rajoni nderojnë Sali Bajrën në një program të veçantë në Kaçanik



Në Qendrën e Kulturës në Kaçanik është mbajtur Mbrëmja Artistike “SALI BAJRA – KRYETARI YNË”, një aktivitet i veçantë kushtuar figurës së Sali Bajrës, Kryetar Nderi i Ansamblit “Kastriotët” dhe ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut në vitet ’60.

Ngjarja u organizua me shumë dinjitet dhe emocion, duke rikthyer para publikut veprën dhe kontributin e tij të çmuar kulturor.



Programi solli një udhëtim artistik përmes këngës, valles, lahutës dhe interpretimeve skenike, ku performuan Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, Qendra Kulturore e Kaçanikut me vallen “Festa e bashkimit”, si dhe Ansambli “Jeta e Re” nga Sllupçani me vallen “Feniksët e Lirisë”.

Në skenë u ngjitën edhe artistët Nexhat Xhokli, Fetije Terstena, Nadire Breznica, Orkestra “Kastriotët”, Alban Luzha dhe Nazmi Hajdari. Gjatë mbrëmjes, publiku pati mundësinë të dëgjojë për herë të parë këngën e dedikuar Sali Bajrës, interpretuar nga këngëtarja Fetije Terstena. Programi u drejtua artistikisht nga Leka Feim.



Ngjarja u realizua me bashkëpunimin e Komunës së Ferizajt, Komunës së Kaçanikut dhe Ansamblit “Jeta e Re” Sllupçan, ndërsa mbështetja financiare u sigurua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kastrioti SM SHPK (Ferizaj) dhe Brickos SHPK (Kamenicë).

Mbrëmja u vlerësua si një homazh i rëndësishëm për Sali Bajrën dhe një kontribut në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke e sjellë atë para publikut me respekt dhe krenari. /Telegrafi/


46 vjeçari që u gjend i vdekur në Kaçanik, jetonte i vetëm



Një person 46 vjeç i cili u gjetë pa shenja jete në shtëpinë e tij jetonte i vetëm.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 13:50 në fshatin Soponicë të Kaçanikut.

Tutje bëhet e ditur se në konsultim më prokurorin trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

“Viktima mashkull kosovar, i cili ishte duke jetuar i vetëm, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku, edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

❌