Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Mickoski: Për rritjen e pagës minimale, sindikatat dhe punëdhënësit vetë të arrijnë marrëveshje



Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka komentuar kërkesën e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale.

Ai tha se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale por shtoi se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, deklaroi Mickoski.

Kujtojmë se LSM kërkon pagë minimale prej 600 eurove, ndërsa gjithë pagat e tjera të rriten për 6.000 denarë.

Mickoski: Qeverisja e kaluar e komplikoi procesin eurointegrues, ne po punojmë që ta realizojmë këtë qëllim



Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski komentoi paralajmërimet për “non paper” nga eurokomisionerja Mart Kos, në lidhje me statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, ku parashihet edhe anëtarësim pa të drejtë vote.

Ai tha se qëndrimi i qeverisë është që duhet të punojmë dhe të bëjmë gjithçka që duhet, që ta realizojmë qëllimin tonë të dytë strategjik , anëtarësimin e plotë në BE.

"Nuk do të jetë lehtë, sepse qeveria e kaluar bëri komplikim të atillë me procesin eurintegrues, duke i dorëzuar të gjitha pozitat që ishin arritur paraprakisht në dekadat e fundit", tha Mickoski.

Ai tha se njëherë do ta shikojë non paperin.

“Ta shohim njëherë atë non paper. Ka liderë nga rajoni që këtë e kërkojnë, të jemi të sinqertë…nga ana e BE-së. Ta shohim atë no paper. Shumë herë kemi dëgjuar deri tani për “gradual integration”, respektivisht integrim në etapa, dhe “safe guards”, të tipit mekanizma mbrojtës, ja të themi Polonia 20 vjet nuk mundi të shfrytëzojë fonde strukturore për bujqësinë, për herët ë parë filloi t’i shfrytëzojë në vitin 2024. Fillimisht ta shohim konceptin, pastaj to ta themi qëndrimin tonë”, deklaroi Mickoski.

Mickoski: Do të ketë rritje të pagës minimale, por sipas procedurave ligjore



Kryeministri Hristijan Mickoski sot përsëriti se Qeveria do të mbështesë dhe zbatojë marrëveshje për pagë më të lartë midis punëtorëve dhe punëdhënësve, duke theksuar se duhet të veprohet sipas ligjit në lidhje me pagën minimale.

"Ne ofruam rritjen e pagave të punonjësve administrativë me rreth 40 përqind, LSM e refuzoi rritjen. Dhe në fushën e pagës minimale, sipas ligjit, duhet të veprojmë sipas ligjit. Do të ketë rritje dhe nivelim. Në momentin e parë kur punëtorët dhe punëdhënësit arrijnë marrëveshje, ne si parti do ta mbështesim dhe zbatojmë atë", shkroi Mickoski në një postim në Facebook, duke ndarë fjalimin e tij në Kuvend dje për këtë temë.

Mickoski tregoi dje në Kuvend tha se opsioni i ofruar është ende në tryezë për të gjithë punonjësit administrativë dhe se kur kjo të zgjidhet, 99 përqind e administratës do të ketë marrëdhënie të rregullt me Qeverinë si punëdhënës.

Ai u kujtoi shërbimeve administrative se vitin e kaluar atyre iu ofrua rritje page nga marsi 2026 në të njëjtën periudhë në vitin 2028 me pothuajse 40 përqind me kusht që të formulohej një marrëveshje e përbashkët kolektive, e cila, siç deklaroi ai, u refuzua nga LSM-ja.

Gashi: Shpresoj se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor që do t’i përmbushë kriteret e të gjitha partive politike



Partitë politike kanë propozuar emrat për anëtarë të grupit të punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të njëjtat i janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i këtij dikasteri, Igor Filkov, ka premtuar së shpejti formimin e këtij trupi negociues.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, bisedimet do të zhvillohen në Kuvend me një dinamikë të shtuar.

“Shpresoj se shumë shpejt do të formohet grupi punues, i cili besoj se do të punojë me një dinamikë të përshpejtuar, do të punojë në bazë të parimit të konsensualitetit, të gjithë përfshirjes, inkluzivitetit dhe duke qenë këtu në Kuvend, duke u zhvilluar ky dialog, jam i bindur se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor, që do t’i përmbushë kriteret edhe të partive politike dhe të gjitha subjekteve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor", tha Gashi.

Kryeministrit Hristijan Mickoski mbetet që modeli zgjedhor nga gjashtë njësi të shkrihet në një njësi zgjedhore. VLEN-i në pushtet dhe BDI-ja kërkojnë lista të hapura, por ende nuk e kanë të kristalizuar qëndrimin për modelin zgjedhor.

Mickoski: Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa nuk plotësohen dy kushte



Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot në Kuvend tha se nëse nuk plotësohen dy kushtet e parashtruara nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë derisa jam unë jam Kryeministër, nëse nuk përmbushen minimum dy kushte. Kushti i parë është që komuniteti maqedonas të fitojë të drejtat e tyre në Bullgari të garantuara sipas rezolutave të të drejtave njeriut dhe konventave ndërkombëtare. Nuk kërkoj të ndryshohet kushtetuta.

E dyta nuk marrim garanci për identitetin tonë maqedonas, për të cilën pres mbështetje edhe nga ju si bashkëqytetar të mi, të gjuhës maqedonase dhe se nuk do të ketë më veto bilaterale", tha Mickoski gjatë seancës për pyetje të deputetëve.

Mickoski shtoi se vendi ynë ka treguar dhe vërtetuar shumë herë se dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane, ka bërë një sakrificë si asnjë vend tjetër, dhe ky popull dhe këta qytetarë, si asnjë qytetar tjetër i Evropës nuk kanë bërë një sakrificë./Telegrafi/

Mickoski nuk leshon pe për “Safe City”: Nëse duhet edhe Qeveria të bie, jam i përgatitur për këtë rrezik



Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski, në emisionin Click Plus në TV21, duke folur për projektin “Safe City”, theksoi se është i përgatitur të marrë rrezik politik, madje edhe nëse kjo çon në rënien e Qeverisë.

Mes tjerash, kryeministri potencoi se qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues.

“Qëllimi nuk është të arkëtohen gjoba. Së pari, ekziston tolerancë – nëse vozitet deri në 5 kilometra mbi kufirin e lejuar, nuk do të ketë gjobë. Nëse tejkalohet shpejtësia për më shumë se 10 kilometra, atëherë do të ketë sanksione. Por, sërish po e theksoj: qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues".

"Nëse kjo Qeveri duhet të bjerë për shkak të ‘Safe City’, e më pas të vijë një Qeveri tjetër që ta shfuqizojë projektin dhe secili të vozisë si të dojë, atëherë në rregull – jam i gatshëm ta marr këtë rrezik”, deklaroi Mickoski./TV21/

Mickoski për takimin me Ahmetin: Do të ketë takim ndonjëherë



Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot para gazetarëve foli për bllokadën e transportuesve, përfaqësimin e vendit në DAVOS, si dhe për takimin me kryetrarin e BDI-së, Ali Ahmetin, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Mickoski tha se pret të arrihet një zgjidhje me BE-në lidhur me bllokimin e pikave kufitare nga transportuesit e mallrave, për shkak të rregullave të reja të Shengenit.

"Që nga muaji shtator kjo çështje është në rend të ditës. Pres të arrihet një zgjedhje me autoritet e BE-së. Mbrëmë kam kërkuar në telefon kryetare e KE-së, mirëpo ajo ishte në udhëtim në Indi dhe pres që këto ditë të kounikojmë përsëri.

Mickoski lidhur me Forumin Ekonomik në Davos e quajti si të suksesshëm, ku ka marrë pjesë në tri diskutime.
Ai tha e takimet në DAVOS duhet të shfrytëzohen për të sjell investime të huaja në vend.

I pyetur lidhur me takimin e paralajmëruar me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, Mickoski tha se do të ketë takim ndonjëherë./Telegrafi/



LSDM: Mickoski në Davos po bënte turizëm, nuk u takua me asnjë udhëheqës evropian



"Izolimi diplomatik i Mickoskit ishte i dukshëm në Davos. Kryeministri nuk pati asnjë takim me një udhëheqës botëror apo evropian. Ai po filmonte veten në korridore dhe po bënte turizmin në kurriz të qytetarëve", reagon LSDM.

Nga LSDM thonë se i vetmi takim që shënoi vizitën e tij në Davos ishte me pronarin e kompanisë hungareze 4iG, të lidhur me regjimin e Viktor Orbanit.

"Kjo tregon se sa shumë i shërben Mickoski Orbanit në zgjerimin e ndikimit të tij politik dhe të biznesit. Në këtë drejtim është edhe vendimi i fundit i Qeverisë Mickoski për të futur kompaninë 4iG në sektorin e telekomunikacionit. Ky nuk është një sukses investimi, por një projekt politik për të marrë kontrollin e sektorëve strategjikë si telekomunikacioni dhe media, duke krijuar një rrjet ndikimesh autoritare që izolojnë rajonin nga BE-ja. Pronarët e portaleve pro-qeveritare që janë pjesë e oktapodit mediatik Alfa-Alta janë kryesisht nga Hungaria dhe të lidhur drejtpërdrejt me Orbanin. LSDM ka paralajmëruar për dy muaj për planin e OBRM-PDUKM--së për të marrë kontrollin e sektorëve strategjikë, veçanërisht medias, dhe ky plan po bëhet gjithnjë e më i dukshëm", thuhet në reagim.

LSDM bën thirrje për mbrojtjen e interesave kombëtare nga ndikimet e huaja që kërcënojnë pavarësinë dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti: Mirë që shkova në takim tek Mickoski, sepse Evropa formohet mbi parimin e dialogut dhe kompromisit



Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sonte në emisionin Click Plus në TV21 foli për takimin e liderëve të mbajtur një javë më parë, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Ahmeti tha se kanë bë mirë që kanë shkuar në takim te Mickoski sepse siç thotë ai, Europa formohet me disa parime siç janë dialogu dhe kompromisi.

“Është mirë sepse Europa formohet në disa parime. Parim i Europës dialogu, kompromisi, sepse pa dialog dhe kompromis nuk gjen dot zgjidhje mbi problemet. Nuk është zëvendësuar kjo filozofi me një filozofi të re, por janë parime që duhet të respektohen. Pjesëmarrja e BDI në takimin e liderëve ka qenë shumë e domosdoshme për të biseduar për të gjitha temat, edhe pse të gjitha temat që ne menduam dhe vlerësuam nuk u biseduan në takim me liderët mbeti që tema të caktuara të bisedohen si dy parti politike më të mëdha te komunitetet më të mëdha në vend”, deklaroi Ahmeti.

Ndër të tjera ai tha se që 22 vite po përfaqëson shqiptarët në politikë, ndaj edhe thuhet se ka përcjellë 8 ose 9 kryeministra.

“Unë nuk kam hyrë në këtë fushë veprimtarie për të përcjell kryeministra, por më ka rastisur që, shqiptarët në Maqedoni e kanë votuar BDI-në deh si forcë legjitime sigurisht se kemi qenë përfaqësues legjitim dhe kemi përfaqësuar shqiptarët për këto 22 vite dhe sigurisht të tjerët nuk kanë fituar zgjedhje dhe ato i kemi përcjell si kryeministra, 8 apo 9 nuk e di”, tha Ahmeti. /tv21

Mickoski së bashku me një delegacion qeveritar në Forumin Ekonomik në Davos



Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski njofton se së bashku me një delegacion qeveritar do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik në Davos të Zvicrës.

"Të shoqëruar nga një delegacion qeveritar i rangut të lartë, do të marrim pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës.

Në ditët në vijim, do të kemi takime të shumta që presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e situatës ekonomike dhe të tërheqin një numër të madh investimesh.

Do të marr pjesë në tre panele ku do të prezantoj mundësitë e investimit në Maqedoni, dhe njëkohësisht, do të kemi takime të shumta dypalëshe me shumë kompani nga e gjithë bota", thuhet në njoftimin e Mickoskit./Telegrafi/


Krerët shtetëror urojnë festën e Epifanisë, kërkojnë unitet në shoqëri



Zyrtarët më të lartë qeveritarë të vendit uruan besimtarët ortodoksë për festën e Epifanisë.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova shprehu besimin e saj se shenjtërimi i ujërave do të na ndihmojë, siç thotë ajo, të kapërcejmë dekurajimin dhe letargjinë, dhe do të na frymëzojë të jemi bamirës dhe të kujdesemi për të dashurit tanë dhe komunitetin. Hyjnorja brenda, shtoi presidentja, mund të zgjohet vetëm me butësi, vëmendje, solidaritet dhe empati.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Epifania sjell një mesazh të fortë besimi, guximi dhe gatishmërie për të ndjekur rrugën e drejtë, edhe kur është e vështirë. Epifania, shtoi kryeministri në mesazhin e tij të urimit, është një festë zbulese, pastrimi dhe ripërtëritjeje - një ditë kur uji, si burim jete, është një kujtesë për nevojën për pastërti shpirtërore dhe morale. Sot, siç thotë ajo, është gjithashtu një kujtesë për rëndësinë e të qenit bashkë.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij personal, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uroi festën e Epifanisë.

"Kjo festë mbart mesazhin e pastrimit shpirtëror dhe shpresës, duke na kujtuar rëndësinë e unitetit dhe përkushtimit në ndërtimin e një shteti progresiv dhe të drejtë. Uroj që kjo ditë t'u sjellë besimtarëve ortodoksë paqe të brendshme dhe që shëndeti, mirëqenia dhe qetësia të mbretërojnë në shtëpitë e tyre", thotë Gashi në urim.

Maqedoni, Safe City me mangësi fillestare, priten përmirësime në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm




Numri një i ekzekutivit, Hristijan Mickoski deklaroi sot se duhet të rregullohet çështja e të dhënave të qytetarëve që mblidhen nga ana e sistemit Safe City, duke pranuar se ky sistem nuk është i përsosur dhe se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit koordinativ me udhëheqësinë e MPB-së. Por, ai tha se do të duhet një periudhë e caktuar pas zbatimit të sistemit, për të rregulluar të gjithë mangësitë që do t’i vërejmë gjatë implementimit.
“Duhet të ketë protokolle, për shumë çështje duhet të kemi protokolle, e kemi biseduar dje. Gajtë implementimit, do të vërejmë se shumë gjëra mungojnë. Në të vërtetë, askush nuk ka qenë i përsosur 100% menjëherë kur ka zbatuar këtë projekt. Është logjike që në 3 deri 6 muajt e ardhshëm të kemi harmonizime të caktuara. Por, gjithashtu atë që do ta përsëris, mua më gëzon fakti që kemi arritur aspektin human të këtij projekti, ndërsa ai është më pak viktima si pasojë e aksidenteve në trafik”, u shpreh Mickoski.
Në lidhje me miratimin e ligjeve për shkelje në Kuvend, që kanë të bëjnë me sistemin Safe City, Mickoski tha se pavarësisht pasigurisë rreth mbështetjes nga LSDM, është e rëndësishme që ky sistem tashmë po i arrin qëllimet e tij themelore dhe po ndihmon në mbrojtjen e jetëve njerëzore.
“Kjo do të thotë që qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe kjo është dëshmi se ligjet mund të respektohen. Jam i lumtur që kjo po ndodh dhe dua t’i falënderoj qytetarët, shoferët dhe t’u bëj thirrje të jenë të ndërgjegjshëm”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe të shtunën duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për këtë temë, tha se mbështesin ligjet që lidhen me sigurinë në trafik, por se fillimisht duhet që në Kuvend të zhvillohet diskutim mbi lartësinë e dënimeve dhe të dhënat e qytetarëve që mbledh sistemi I ri në trafik.



Mickoski pret numër njëshifror të papunësisë



Kryeministri Hristijan Mickoski pret që për herë të parë në vend të kemi një përqindje njëshifrore të papunësisë, si rezultat të aktiviteteve të ndërmarra me Agjendën e reformave. Numri i të papunëve, siç tha sot ai në përgjigje të pyetjes së gazetarit, tani mund të jetë nën 90 mijë, pasi në nëntor vitin e kaluar ishte 91 mijë, që ishte një rënie prej shtatë mijë krahasuar me nëntorin e vitit 2024.
“Tani mund të jetë nën 90 mijë. Me ndryshimet e reja ligjore, disa nga kërkuesit e punës do të fshihen sepse janë disi të pranishëm në ekonominë gjysmëformale dhe joformale. Për herë të parë, pres që të kemi numër njëshifror të papunësisë. Kjo është pjesë e Agjendës së reformave dhe harmonizimi me të dhe nuk është diçka që po e bëjmë në mënyrë të njëanshme”, tha Mickoski.
Qeveria këtë javë miratoi 10 mijë leje pune për të huajt për këtë vit, ndërsa kryeministri thekson se të dhëna të tilla janë të disponueshme çdo vit dhe se këto leje lëshohen për pozicione që janë në mungesë të tregut të punës pas koordinimit me punëdhënësit.
“Këto janë të dhëna që ndodhin çdo vit. Nuk janë të dhëna që nuk ndodhin çdo vit, kemi, për shembull, punëtorë që janë pjesë e projektit në Korridoret 8 dhe 10d, janë pjesë e këtyre lejeve të punës. Aty ka disa mijë, le të themi. Dhe nuk janë vetëm ata, mendoj, ka shumë profile të tilla punëtorësh që janë të kërkuar në tregun e punës nga odat ekonomike dhe punëdhënësit. Ky numër nuk devijon nëse krahasohet me numrat e viteve të kaluara”, tha Mickoski.

Mickoski: Do të takohem me Ali Ahmetin, nuk kemi datë të dakorduar



Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tregoi se kur do të zhvillohet takimi mes tij dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti, të cilin e paralajmëroi ky i fundit në deklaratën pas takimit të liderëve.

Ai tha se nuk është caktuar data e takimit.

“Unë në funksionimin tim të rregullt politik takohem me të gjithë liderët e partive politike, kështu që në korniza të atyre takimeve supozoj se do të takohem edhe me zotri Ahmetin”, tha Mickoski.

Kryeministri poashtu akuzoi partinë opozitare maqedonase LSDM-në se po sulmon partnerët strategjik të Maqedonisë.

“Më vjen keq që opozita, pas kritikave të ashpra dhe të shumta ndaj partnerit tonë strategjik, Mbretërisë së Bashkuar, tani po bën të njëjtën gjë ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për vendimin e SHBA-së në lidhje me kriteret e reja për lëshimin e vizave për hyrje në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri poashtu konfirmoi se Qeveria ka vendosur një kuotë për lëshimin e vizave të punës për shtetasit e huaj në vend.

"Vizat janë lëshuar në të gjithë sektorët ku ka pasur nevojë deri më tani. Nuk ka përjashtime shtesë. Këta janë sektorët që janë hartëzuar nga Oda Ekonomike dhe punëdhënësit", tha Mickoski/Telegrafi/

Mickoski: Jemi të pajtimit që ta shfuqizojmë Qeverinë teknike, gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje



"Gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje, ndërsa për qeverinë teknike në përgjithësi u pajtuam se duhet të mbetet në të kaluarën", deklaroi kryeministri dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski pas takimit të sotëm të liderëve në Klubin e Deputetëve.

Sipas Mickoskit, nëse nuk ka pëlqim te të gjitha grupet parlamentare që të pranohet propozimi për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës, ajo të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme, dhe pastaj të hiqet.

Por, siç vlerësoi, do të duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për qeverinë sepse ka ndryshime në dikastere.

“Sot publiku ishte dëshmitar i një qasje të ndryshme – i debatit të hapur, konstruktiv i mbushur me propozime dhe ide. U hapën shumë çështje. Propozova që debati të vazhdojë në nivel të grupeve parlamentare sepse ne jemi për tejkalimin e problemeve, ndërsa jo për krijimin e të rejave”, theksoi Mickoski.

Në takimin nga partnerët e koalicionit në Qeveri morën pjesë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni “VLEN”, si dhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM dhe ministër i Administratës Publike, Goran Minçev. Nga grupet parlamentare të opozitës të pranishëm ishin liderët e BDI-së dhe "Të Majtës", Ali Ahmeti dhe Dimitar Apasiev.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e refuzoi thirrjen e Mickoskit, nuk erdhi në takim.

Fillon takimi i liderëve në Maqedoni, mungon LSDM



Ka nisur takimi i liderëve në Klubin e deputetëve, që u organizua me iniciativë të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Në takim është prezent kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është i shoqëruar nga deputetja Rina Ajdari

Koalicionin VLEN e përfaqëson Bilall Kasami, i cili është i shoqëruar nga deputeti Bekim Qoku.

Ndryshe nga paralajmërimi, për pjesëmarrje të kreu të ZNAM, Maksim Dimitrievski, në takim po merr pjesë ministri i Administratës, që vjen nga kjo parti, Goran Minçev.

Në takim për herë të parë po merr pjesë "E Majta", ndërsa kryetari i partisë, Dimitar Apasiev, është i shoqëruar nga deputeti Borisllav Krmov.

Sot mbahet takimi i liderëve në Maqedoni



Me iniciativë të Kryeministrit dhe liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve do të mbahet takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe parlamentare në Kuvend.

Siç është paralajmëruar, në takim do të diskutohen ligjet reformuese në fushën e gjyqësorit, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësia e shfuqizimit të qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera të propozuara nga pjesëmarrësit.

Nga partitë opozitare, krerët e "Të Majtës" dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi ftesën për një takim të liderëve.

Filipçe në një konferencë për shtyp më 8 janar deklaroi se nuk pranon bisedime për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar Kryeministrin se kërkon "alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme".

Sipas tij, qeveria teknike duhet të mbetet si garanci për zgjedhje të drejta dhe një mekanizëm për parandalimin e abuzimit me institucionet. Lidhur me ligjet reformuese, Filipçe theksoi se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, ku LSDM do të mbështesë të gjitha zgjidhjet cilësore. Ai shtoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare nëse ato shpallen.

Në takimin e liderëve të thirrur nga Mickoski pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Bilall Kasami nga VLEN, Maksim Dimitrievski nga ZNAM./Telegrafi/

Nesër mbahet takimi i liderëve, pritet të diskutohet për ligjet reformuese dhe shfuqizimin e qeverisë teknike



Në prag të takimit të nesërm të liderëve që e ka iniciuar kryeministri Hristijan Mickoski, për momentin ende është e paqartë se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve rreth ligjeve reformuese dhe propozimit për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës. Partneri qeveritar VLEN ka paralajmëruar se do të marrë pjesë me dy përfaqësuesit e vet, Bilall Kasamin dhe koordinatorin e grupit parlamentar Bekim Qokun. Ai deklaroi se do ta mbështesin propozimin e Mickoskit për shfuqizimin e qeverisë teknike.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi menjëherë ftesën me arsyetimin se janë kundër që në të ardhmen të mos ketë qeveri teknike, e cila, siç tha ai, është garanci për zgjedhje të ndershme, ndërsa për ligjet reformuese do të votojnë në Kuvend. Nga partia edhe sot e konfirmuan këtë qëndrim.

“Pushteti aktual i koalicionit tender OBRM-PDUKM-ZNAM po i keqpërdor institucionet dhe resurset shtetërore për qëllime partiake dhe kriminale. Po miratohen rezoluta me të cilat praktikisht po shfuqizohet liria e fjalës së opozitës, ndërsa me Ligjin për Policinë po shkohet drejt një partizimi të plotë të MPB-së. Legalizimi i mbikëqyrjes masive me 65 mijë kamera mundëson mbikëqyrje digjitale të lëvizjeve të qytetarëve. Ministri teknik nga opozita është garanci që ky sistem nuk do të keqpërdoret për ndjekjen e qytetarëve apo të opozitës gjatë fushatës”, thonë nga LSDM.

Nga BDI ende s’kanë një vendim final nëse do të marrin pjesë, por paralajmëruan se është e mundur të dalin me kërkesat e tyre. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arbër Ademi, në emisionin “Click Plus” në TV21 vlerësoi se për momentin një takim i liderëve është i rëndësishëm, por shtoi se takimet e liderëve duhet të fokusohen në diskutime me kornizë dhe agjendë të qartë për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, e jo vetëm për fotografim. Nëse BDI merr pjesë në takimin e liderëve, Ademi deklaroi se në tryezë do ta vendosin çështjen e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe disa tema të tjera të rëndësishme për vendin.

“A është e nevojshme që të diskutohet për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, unë mendoj se po, mirëpo ai takim i liderëve duhet të ketë dialog me substancë, duhet të ketë një dialog me kornizë, duhet të ketë një dialog me agjendë mirë të definuar dhe mirë të përcaktuar dhe jo një takim sa për një fotografi dhe pamje të cilat do të shkonin lajmet e ditës”, u shpreh Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Pjesëmarrje në takimin e liderëve paralajmëruan edhe nga partneri qeveritar ZNAM, si dhe nga Levica, nga ku thanë se do ta pranojnë shfuqizimin e qeverisë teknike, por vetëm nëse vendoset një njësi zgjedhore dhe sigurohet qasje e barabartë për përfaqësim mediatik në periudhën parazgjedhore./TV21/

Vazhdon debati për Propozim-buxhetin për vitit 2026


Mickoski mbledh kabinetin qeveritar: Vazhdojnë përpjekjet për të përmbushur kriteret e BE-së



Kryeminsitri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickovski sot ka mbledhur kabinetin qeveritar në një takim pune të së shtunës duke shënuar se ky takim i referohet luftës dhe përpjekjes për të përmbushur kriteret e BE-së edhe përkundër mosrmarrëvejshjeve bilaterale me Bullgarinë që sipas kryeministrit është e imponuar.

Nga ana tjetër kujtojmë që edhe Bullgaria edhe Bashkimi Europian kanë bërë të qartë se pa ndryshime kushtetuese nuk do të ketë progres as heqje të vetos.

Postimi i plotë:

Takim të shtunën për agjendën reformuese

Vazhdojnë përpjekjet për të përmbushur kriteret e BE-së, edhe përkundër mosmarrëveshjes bilaterale të imponuar. Qeveria mbetet e fokusuar në reforma që sjellin standarde konkrete për një jetë më të mirë për qytetarët. Kjo përpjekje vazhdon me të njëjtin intensitet dhe përkushtim.

PLD: Maqedonisë i duhen vetëm 90 deputetë dhe 15 ministri funksionale



Partia Liberal-Demokrate vlerëson se një takim i liderëve ka kuptim vetëm nëse në të diskutohen reforma thelbësore, e jo, siç thonë ata, zgjidhje tregtare dhe PR.

PLD është e gatshme të marrë pjesë në një takim të tillë, por jo nëse ai reduktohet ekskluzivisht në çështjen e shfuqizimit ose mbajtjes së qeverisë teknike si temë e izoluar dhe boshe, pa përgjigje për pyetjet kyçe që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Është joserioze që politika të reduktohet në këtë: ‘ne jemi për shfuqizimin’ ose ‘ne jemi kundër shfuqizimit’ të qeverisë teknike. Dhe pastaj çfarë? Nëse shfuqizohet apo nëse nuk shfuqizohet?! A do të ushqehemi më lirë? A do të marrim frymë ajër më të pastër? A do të marrim më shumë mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian? A do ta zgjidhim më në fund korrupsionin? Nëse përgjigjja është jo – atëherë tema në vetvete është boshe. Pse disa ministri po vonohen me realizimin e agjendës reformuese? Deri ku ka arritur paketa e reformave sistemore që duhet ta çojë shtetin përpara? Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga deklaratat parciale dhe zgjidhjet ad-hok. Një qasje e tillë tregon se qytetarët nuk janë pikë interesi, por vetëm mjet për dominim mediatik”, thonë nga PLD.

Ata shtojnë se Maqedonisë nuk i duhen 120, por 90 deputetë. Maqedonisë nuk i duhen 25, por 15 ministri funksionale.

"Maqedonisë nuk i duhen grumbuj anëtarësh të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, as një ushtri zëvendësdrejtorësh. Maqedonisë i duhen më shumë para në xhepat e qytetarëve. Maqedonisë nuk i duhet qeveri teknike, por një sistem efikas, racional dhe i depolitizuar – një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe mundësi që qytetarët vetë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë", thuhet në reagimin e partisë.

❌