Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Amerikani që tentoi ta vriste Trumpin dënohet me burgim të përjetshëm

Ryan Routh u dënua të mërkurën nga një gjykatë federale në Fort Pierce, Florida, me burgim të përjetshëm, për përpjekjen e tij për të vrarë presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë një incidenti që ndodhi në një teren golfi në Florida në vitin 2024.

Ky rast ka tërhequr vëmendje të madhe, duke nxitur shqetësime për sigurinë e figurave publike dhe masat e rrepta që autoritetet marrin ndaj kërcënimeve të tilla.

Sipas aktakuzës dhe provave të paraqitura në gjykatë, Routh kishte kaluar javë të tëra duke planifikuar atentatin. Ai u fsheh në gjelbërim me një armë gjysmëautomatike, duke qëndruar i papërfillshëm për të kapur momentin kur Trump do të ishte i dukshëm në fushën e golfit. Ngjarja ndodhi më 15 shtator 2024, në klubin e tij të golfit në West Palm Beach, Florida, ku Trump po luante si pjesë e rutinës së tij publike dhe aktiviteteve sportive.

Një agjent i Shërbimit Sekret vuri re Routhin para se Trump të bëhej i dukshëm dhe veproi menjëherë.

Agjenti hapi zjarr, duke e detyruar Routhin të linte armën dhe të largohej pa pasur mundësi të shkaktonte ndonjë dëm. Ky veprim shpëtoi jetën e presidentit dhe nxori në pah rëndësinë e pranisë dhe vigjilencës së shërbimeve të sigurisë në mbrojtjen e figurave publike.

Routh u gjet fajtor për pesë akuza federale, përfshirë tentativën për vrasje të një kandidati presidencial dhe shkelje të ndryshme të ligjit mbi armët. Gjykata vendosi që ai të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, duke dhënë një mesazh të qartë kundër akteve të dhunshme kundër liderëve politikë.

Rasti ka nxitur debat në publik për sigurinë e figurave politike dhe për mënyrën se si përgatiten dhe zbatojnë autoritetet federale strategjitë mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme.

Përveç aspektit ligjor, ngjarja thekson edhe rreziqet me të cilat përballen politikanët në aktivitetet e përditshme publike dhe rëndësinë e masave parandaluese për të parandaluar tragjedi të mundshme.

A meritojnë gjyqtarët rritje rroge?/ Debati në “Real Story”, Çoçoli: Shkelet morali publik. Kthupi: Punojnë në kushte të vështira

Gazetari Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi debatin mbi rritjen e pagave për gjyqtarët, duke theksuar se raporti mes pagës së magjistratëve dhe pagës mesatare në Shqipëri është shumë më i lartë krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas tij, kjo krijon një hendek të madh social dhe prek moralin publik, veçanërisht nëse Gjykata Kushtetuese vonon marrjen e një vendimi.

Në të njëjtën linjë, avokati Rezart Kthupi vuri në dukje problematikat serioze infrastrukturore të sistemit gjyqësor, duke theksuar mungesën e hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e gjyqeve në disa prej gjykatave kryesore të vendit.

Fatos Çoçoli: Raporti mes pagës mesatare të magjistratëve dhe pagës mesatare në shtetin tonë, po të shikojmë vendet e rajonit niveli është shumë më i ulët. Raporti tek ne është shumë i lartë, këtu mbaron edhe morali. Nëse Gjykata Kushtetuese vonon pro, ky hendek do të thellohet, ky kas magjistratësh do të konsiderohet si një klasë shumë e privilegjuar. Morali publik mendoj që do të preket dhe njerëzit do të ndjehen jo mirë me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi strukturë vërtetë emergjente të magjistratëve që punojnë në kushte të papërshtatshme. Di që tani është një projekt për ndërtimin e një gjykate të vendit tonë. Do të jetë një ndërtesë për Gjykatën e Lartë.

Rezart Kthupi: Gjykata e Apelit sot që flasim nuk ka ku të bëjë gjyqe. Të mos flasim për Gjykatën Administrative është si labirint, kurse në Gjykatën Kushtetuese është shumë e vogël, gjyqtarët nuk rrinë as dy metër larg njëri-tjetrit.

Përplasja ekzekutiv-gjyqësor/ Çoçoli: Magjistratët tanë me paga më të larta se mesatarja në Ballkan. U ndjeva i fyer nga kërkesa e tyre

Gazetari dhe analisti ekonomik Fatos Çoçoli komentoi nivelin e pagave të magjistratëve në Shqipëri, duke theksuar se ato janë aktualisht më të larta se mesatarja e vendeve të Ballkanit dhe të krahasueshme me një vend anëtar të Bashkimit Europian si Greqia.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Çoçoli u shpreh se pagat e magjistratëve shqiptarë janë rreth 25% më të larta se ato të homologëve bullgarë dhe mbi nivelin e magjistratëve rumunë, pavarësisht diferencës së madhe në të ardhurat për frymë mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.

Sipas tij, megjithëse rritja e pagave lidhet me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, ky nivel pagesash shkon përtej mundësive reale të buxhetit të vendit, duke pasur parasysh se Shqipëria ka të ardhura për frymë rreth tre herë më të ulëta se Greqia.

Çoçoli theksoi se mbetet e rëndësishme që kjo pagesë të justifikohet nga profesionalizmi dhe cilësia e punës së magjistratëve, ndërsa shtoi se nuk mund të japë një vlerësim mbi aspektin juridik të performancës së tyre.

“Për momentin që flasim ky nivel i pagës së magjistratëve, paga mesatare e tyre sot që flasim është më e lartë se paga mesatare e vende të Ballkanit. Është më e lartë se niveli i magjistratëve rumunë, 25% më shumë se e magjistratëve bullgarëve, është në një nivel të ngjashëm me një vend të zhvilluar të një vendi anëtarë të BE, Greqisë. Gjykoj si ekonomist, që morali, që përkundër sakrificave të buxhetit duke vlerësuar pavarësinë e tyre, do të ishte mirë që sot vlerësohen me paga barabartë me vendet e BE do të ishte një moral publik i plotësuar.

Të mos harrojmë që Greqia i ka të ardhurat për frymë 27 mijë euro, ne i kemi në nivelin e 9 mijë eurove për frymë, tani që flasim. E kemi tre herë më pak se Greqia, po magjistratët i paguajmë njësoj. Uroj që të jenë realisht profesionistë të punës që ta meritojnë këtë pagë. Çfarë kërkohet?! Është diçka më tej  nga sa janë mundësitë reale të buxhetit tonë. Nuk mund të diskutoj për cilësinë e magjistratëve, sepse nuk kam jurist. Unë si qytetar jamë ndjerë shumë i fyer nga kërkesa e tyre”, tha Çoçoli./abcnews.al

Qeveri VS gjyqësor/ ‘Beteja’ për rritjen e pagave, Hoxha: Kërkesë e padrejtë! Ballanca: Rama e ka cilësuar skandaloze

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me tone të ashpra ndaj gjyqtarëve në lidhje me çështjen e rritjes së pagave, duke shprehur habinë për qëndrimin e Shoqatës së Gjyqtarëve dhe duke e cilësuar kërkesën e saj si të paprecedentë. Në një komunikim për mediat, kreu i qeverisë vuri në pikëpyetje momentin dhe bazën ligjore të kësaj kërkese, duke e konsideruar të papërshtatshme në kontekstin aktual.

Debati është kthyer në temën e ditës dhe po diskutohet gjerësisht në emisionin “Real Story” në ABC News, ku juristë dhe ekspertë të fushës ofrojnë këndvështrime të ndryshme mbi përplasjen mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë, si dhe mbi aspektet ligjore dhe institucionale të kërkesës për rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Avokati, Arbër Hoxha: Deklarata ishte e drejtpërdrejtë dhe gjuha e përdorur ishte e papërshtatshme. Në thelb kërkesa më duket e padrejtë, e paligjshme e papërshtatshme në këtë kohë.

Ish-avokatja e Popullit, Erinda Ballanca: Unë e dëgjova të gjithë seancën dhe aty kishte një përballje mendimesh dhe idesh që kishin të bënin vetëm me anën juridike të procesit. Në 4 orë e 50 minuta u diskutuar të gjitha aspektet juridike. Në orën e parë u tha që gjetën një oportunitet, një kohë të përshtatshme për të depozituar kërkesën. Gjykata, ata nuk duhet të shkelin ligjin. Kjo është e dënueshme, paraqitja e argumenteve nuk është diçka që shkel ligjin. Ishte një kërkesë e vazhdueshme, e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Rama e ka shkrehur mendimin e tij për pagat,e ka cilësuar gjithmonë skandaloze, ky lloj presioni ka ekzistuar.

“Epstein” përplas Trump me gazetaren e CNN

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi ligjin që i dha fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, por në daljen për mediat vëmendja u zhvendos te çështja Epstein dhe zhvillimet e fundit nga Departamenti i Drejtësisë.

Në fillim, Trump u pyet për reagimin e tij ndaj lajmit se ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton do të dëshmojnë para Kongresit në kuadër të hetimeve për Jeffrey Epstein. Presidenti amerikan u shpreh se situata është e rëndë për ta dhe se i vjen keq që përballen me këtë proces.

“Është për të ardhur keq dhe më vjen keq që duhet ta kalojnë këtë situatë”.

Më pas, një tjetër pyetje lidhej me hetimet në Mbretërinë e Bashkuar ndaj ish-ambasadorit britanik në SHBA, Peter Mandelson, ku Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk kishte dijeni të mjaftueshme për çështjen.

“Nuk di shumë për këtë çështje”.

Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj një pyetjeje të gazetares së CNN, Kaitlan Collins, lidhur me lidhjet e figurave publike me Jeffrey Epstein. Trump e sulmoi gazetaren, duke e cilësuar si gazetaren më të keqe, pasi nuk e ka parë kurrë të buzëqeshë.

Reagimet e Trump vijnë në një kohë kur Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar miliona dokumente të brendshme lidhur me rrjetin e Jeffrey Epstein, duke nxjerrë në pah lidhjet e tij me figura të njohura nga politika, financa dhe biznesi, si para ashtu edhe pas dënimit të tij për krime seksuale.

Epstein, mesazhi misterioz nga qelia/ Video selfie 37 sekonda e regjistruar në burgun në dokumentet e publikuara

Një video e re e cila tregon Jeffrey Epstein në ambientet e paraburgimit është kthyer në një sensacion virtual pasi abuzuesi Seksual shfaqet duke riregjistruar një mesazh brenda qelisë ku po qëndronte.

Videoja 37 sekondëshe është pjesë e më shumë se 3 milionë dokumenteve të publikuara nga Departmanti Amerikan i Drejtësisë të premten e shkuar.

Në video, Epstein u drejtohet dy grave të paidentifikuara, duke u thënë se ka “fotografi të tyre te  varura në mur”.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo kontekst zyrtar për këtë video. Megjithatë, sfondi, përshkrimi dhe veshja e Epstein sugjerojnë se mesazhi është regjistruar fshehurazi gjatë kohës kur ai ishte nën arrest.

Gjatë videos, Epstein flet me një person jashtë kamerës, të cilit i referohet me emrin “Darren”. Duke iu drejtuar kamerës së telefonit, ai dëgjohet të thotë: “Unë dhe Darren po rrimë këtu… po bëj sikur po flas me Darren, pra ‘përshëndetje Darren’.”

Më pas ai përmend dy gra, emrat e të cilave janë censuruar nga Departamenti i Drejtësisë, dhe thotë: “A po kaloni mirë? Siç e shihni, kam një plagë të vogël në fytyrë që e mora nga një burrë me ngjyrë që u përpoq të më puthte. Është vërtet e neveritshme.”

Duke folur për fotografitë e ngjitura në mur  Epstein deklaron se I ishte dashur të merrte një ngjitës të forte për ti vendosur këto foto në qelinë e tij.

Videoja është komentuar gjerësisht si një mesazh që Abuzuesi seksual me të mitur ka dashur të dërgojë jashtë ambienteve të qelisë ku qëndronte ndërsa ka pikëpyetje të mëdha edhe për faktin sesi ai kishte arritur që të siguronte një smartfon brenda qelisë së tij.

“Berisha është i rrëzuar”/ Mërtiri: Nuk ka mbështetjen e popullit, nuk e rrëzon dot qeverinë

Analisti politik Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka as kapacitetin dhe as mbështetjen e nevojshme popullore për të rrëzuar qeverinë. Sipas tij, mungesa e instrumentit kryesor popullit, e bën opozitën aktuale të pafuqishme, ndërsa veprimet e Berishës i cilësoi si përpjekje për të fshehur dobësinë e brendshme.

Mërtiri theksoi se vendi ndodhet përballë një qeverie dhe një opozite me imazh të dëmtuar, ndërsa brenda Partisë Demokratike po thellohet përplasja mes bazës që kërkon ndryshim dhe elitave që mbështesin statuskuon.

“Berisha nuk ka fuqinë që të rrëzojë qeverinë, sepse nuk ka mbështetje popullore. Nuk ka asnjë mjet që ta rrëzojë qeverinë, sepse nuk ka popullin, instrumentin e vetëm për të rrëzuar qeverinë. Përpjekja e Berishë për të prodhuar tym dhe flakë është vetëm një mënyrë për të treguar pafuqinë e vet. Kemi një qeveri me imazhin më të keq, nga ana tjetër kemi edhe një opozitë me imazhin më të keq ndonjëherë. Berisha për shkak se ka vendosur në krye njerëz servilë, të cilët i kontrollon dhe i shantazhin i ka deri diku të fortifikuara rrugët për të qëndruar në PD.

Nga ana tjetër ka një pakënaqësi nga anëtarët e tjerë të PD, sepse kërkojnë ndryshim. Salianji ka filluar që të ketë një rol drejtues dhe ka njerëz nga mbrapa. Berisha frikësohet sepse e di që forcat e Salianjit qëndrojnë tek mbështetja e tij. Berisha është i rrëzuar dhe i kalbur nga brenda dhe mbahet vetëm me paterica. Ka një dallim mes demokratëve të thjeshtë që duan ndryshim dhe elitave të asaj partie që kërkojnë statuskuo, sepse vetëm ajo i mban në pushtet”, tha Mërtiri.

Mbi 160 të vrarë nga sulmet e armatosura në Nigeri

Më shumë se 160 persona u vranë në fshatin Woro në perëndim të Nigerisë nga sulmues të armatosur, duke u bërë sulmi më vdekjeprurës i këtij viti.

Banorët thanë se viktimat u mblodhën, iu lidhën duart dhe më pas u qëlluan. Sulmuesit dogjën edhe shtëpi dhe dyqane, raporton theguardian.

Disa banorë u arratisën në pyll me plagë nga armët, ndërsa disa, përfshirë sundimtarin e fshatit, janë të zhdukur. Banorët raportuan se sulmuesit ishin xhihadistë që kërkuan që ata të pranonin Sheriatin.

Kur banorët refuzuan, sulmuesit hapën zjarr gjatë predikimit. Policia konfirmoi sulmin, por nuk ka dhënë shifra të sakta, raporton theguardian.

Guvernatori i Kwara e dënoi si një akt frikacak të terrorizmit. Ushtria njoftoi se kishte neutralizuar 150 banditë dhe kishte pastruar strehimoret e tyre.

Nigeria po përballet me dhunë xhihadiste, grabitje dhe konflikte etnike në shumë rajone. SHBA kanë dërguar një skuadër të vogël ushtarake për të ndihmuar në luftën kundër dhunës.Siguria në vend mbetet e paqëndrueshme dhe komunitetet po përpiqen të rikuperohen nga dhuna.

Tregtonin medikamente kontrabandë nga Italia/ Vlorë, arrestohet 53-vjeçari, procedohet penalisht i biri

Tregtonin në Vlorë, mallra që dyshohet se i kontrabandonin nga Italia, vihet në pranga 53-vjeçari, procedohet penalisht djali i tij. 53-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara nga Italia.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Aksidentet rrugore, “alarm” në Kosovë/ Mbi 100 vdekje në rrugë vetëm në 2025

Aksidentet rrugore janë një problem alarmant për Kosovën.

Vetëm gjatë vitit 2025-janë shënuar mbi 100 viktima në rrugët e vendit, ndërsa në to kanë lënë jetën më shumë se 3000 qytetarë që nga viti 2000.

Të dhënat janë bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, gjatë konferencës vjetore të këtij institucioni, i cili ka kërkuar edhe ndihmën e qeverisë për ndërhyrje në menaxhimin e problematikës.

“Problemet që kanë shënuar rritje është rastet e rënda të fataliteteve që jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës, kemi pasur rritje të rasteve me fatalitet në trafik mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 që kemi pasur një vit më herët… Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Lëvizjet e shpeshta të personelit dhe mungesat e personelit policor të graduar, angazhimet shtesë në Mitrovicë Veri, angazhimet në numër të lartë të organizimeve vendore e ndërkombëtare në kryeqytet, angazhimi në pika statike dhe objekte me rëndësi të veçantë, mungesa e hapësirë së mjaftueshme për DRP Prishtinë dhe kryeqytet”, tha drejtorit i policisë rajonale Prishtinë, Bastri Shabani.

Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka trajtuar 19 mijë e 941 raste, një rritje në krahasim me vitin 2024 ku ishin raportuar 19 mijë e 874 raste, përfshirë aksidente, dhunë në familje, vrasje, tenttaivë për vrasje apo grabitje.

SHBA miraton shitjen e mundshme të mbështetjes dhe pajisjeve për F-15 në Arabinë Saudite

SHBA-të kanë miratuar një tjetër shitje potenciale armësh në Arabinë Saudite, këtë herë për pjesë mbështetjeje për aeroplanët luftarakë F-15 në një marrëveshje prej 3 miliardë dollarësh.

Një numër i vogël kontraktorësh civilë ose personeli ushtarak amerikan afatgjatë mund të kërkohet në Mbretëri, tha Pentagoni në një deklaratë.

“Mbretëria e Arabisë Saudite ka kërkuar të blejë artikujt e mëposhtëm jo të mëdhenj të pajisjeve mbrojtëse: pjesë këmbimi dhe riparimi, materiale konsumi dhe aksesorë, dhe mbështetje riparimi dhe kthimi; pajisje tokësore dhe të personelit; softuer dhe mbështetje softuerike të klasifikuar dhe të paklasifikuar; botime dhe dokumentacion teknik të klasifikuar dhe të paklasifikuar; pajisje trajnimi dhe trajnimi të personelit; shërbime mbështetjeje inxhinierike, teknike dhe logjistike të Qeverisë së SHBA-së dhe kontraktorëve; dhe elementë të tjerë të lidhur me logjistikën dhe mbështetjen e programit”, sipas njoftimit.

Kjo shitje thuhet se do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një aleati të madh jo-NATO “që është një forcë për stabilitet politik dhe përparim ekonomik në rajonin e Gjirit”.

Siç theksohet më tej, F-15-at gjithashtu rrisin aftësinë e Mbretërisë për të penguar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme.

Ndërkohë, vënë në pah mediat, në fund të javës së kaluar, administrata Trump miratoi shitjen e mundshme prej 9 miliardë dollarësh të 730 raketave PATRIOT Advanced Capability-3 Raketa të Përmirësuara të Segmentit të Raketave (PAC-3 MSE) Arabisë Saudite.

“Këto kapacitete të përmirësuara do të mbrojnë forcat tokësore të Arabisë Saudite, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve vendas dhe do të përmirësojë ndjeshëm kontributin e Arabisë Saudite në IAMD (mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore) në rajonin CENTCOM”, tha Pentagoni.

PAC-3 MSE është prodhuar nga Lockheed Martin dhe është një nga interceptorët më të përparuar, i aftë të zbulojë dhe rrëzojë raketa dhe dronë të avancuar.

“Washington Post” njofton shkurtime pune e mbyllje të sektorëve

Gazeta Washington Post ka njoftuar të mërkurën në mëngjes shkurtime masive të vendeve të punës, duke shënuar kështu një goditje të madhe për kompaninë e famshme mediatike dhe një redaksi lajmesh që ka arritur në një pikë krize.

Redaktori Ekzekutiv, Matt Murray, dhe shefi i burimeve njerëzore, Wayne Connell, u kanë dërguar një email stafit të mërkurën në mëngjes duke i udhëzuar të “qëndrojnë në shtëpi sot”, por të marrin pjesë në një takim në orën 8:30 të mëngjesit nëpërmjet Zoom-it, gjatë të cilit udhëheqja e Washington Post do të njoftonte “veprime të rëndësishme në të gjithë kompaninë”.

Këto veprime përfshijnë mbylljen e pothuajse të gjithë seksionit të Sportit, mbylljen e seksionit të Librave dhe anulimin e podkastit të përditshëm Post Reports, kanë thënë burime në gazetë.

Një nga shkurtimet më të rënda vjen në formën e një “ristrukturimi” të redaksisë Metro të Post, e cila mbulon D.C., Maryland dhe Virginia.

Mbulimi ndërkombëtar i The Post gjithashtu do të reduktohet ndjeshëm, megjithëse disa zyra jashtë SHBA-së do të mbeten të hapura.

Shkurtimet masive nga puna në The Post janë pritur prej disa javësh, veçanërisht pasi drejtuesit u thanë punonjësve, në një memo të brendshme, se nuk planifikonin të dërgonin asnjë reporter në Lojërat Olimpike Dimërore këtë muaj, një vendim që më pas u tërhoq.

Botuesi i The Post, Will Lewis, ka folur privatisht për gjetjen e një rruge drejt përfitueshmërisë duke përqendruar investimet e gazetës te politika dhe disa fusha të tjera kyç, ndërsa duke shkurtuar sektorë si sporti dhe çështjet ndërkombëtare.

Kjo i shtyu ekipe reporterësh t’i dërgonin pronarit Jeff Bezos letra, duke i kërkuar që të mos e zvogëlojë redaksinë.

Në një letër të siguruar nga CNN-i, e nënshkruar nga shefi i byrosë Matt Viser dhe shtatë reporterë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë, stafi ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të ruajë historinë e tij të ekselencës në raportim nëse The Post largon nga puna një numër të konsiderueshëm punonjësish nga njësi të tjera të lajmeve.

“Nëse plani, në masën që ekziston një i tillë, është të riorientohemi rreth politikës, duam të theksojmë se sa shumë mbështetemi te bashkëpunimi me redaksitë e çështjeve ndërkombëtare, sportit, lokale — në fakt, te e gjithë gazeta. Dhe nëse seksione të tjera dobësohen, ne të gjithë dobësohemi”, thuhet në letër.

Bill Gates: Pendohem për çdo minutë që kam kaluar me Jeffrey Epstein

Bill Gates ka thënë se ishte “budalla” që kaloi kohë me Jeffrey Epstein, se pendohet që e ka takuar ndonjëherë dhe e ka hedhur poshtë një email në publikimin e fundit të dosjeve si “të rremë”.

Në një intervistë në Australi, miliarderi tha: “Me sa duket, Jeffrey i shkroi një email vetes. Ai email nuk u dërgua kurrë, emaili ishte i rremë. Kështu që nuk e di se çfarë mendonte ai aty”.

Ai shtoi: “Më kujton se çdo minutë që kam kaluar me të pendohem dhe kërkoj falje që e bëra këtë”. Gates duket se po i referohet një emaili drejtuar “i dashur Bill” që Epstein ia dërgoi vetes në korrik 2013, shkruajnë mediat e huaja.

Në email, Epstein ankohet se Gates kishte “zgjedhur të shpërfillte miqësinë tonë” dhe i referohet “sëmundjes seksuale”. Epstein akuzon Gates se i ka kërkuar atij “të sigurojë antibiotikë që mund t’i japë fshehurazi Melindës” – duke nënkuptuar ish-gruan e tij, Melinda French Gates.

Gates foli për marrëdhënien e tij me Epstein në intervistën me 9 News Australia.

“Ishte faktikisht e vërtetë që unë isha vetëm në darka. Nuk shkova kurrë në Ishull, nuk takova kurrë asnjë grua…”.

Gates drejton Fondacionin Gates, një organizatë filantropike që punon për të zvogëluar sëmundjet dhe varfërinë në të gjithë botën.

Ai tha: “E takova Jeffrey-n në vitin 2011. Fokusi ishte gjithmonë se ai njihte shumë njerëz shumë të pasur dhe thoshte se mund t’i bindte ata të jepnin para për shëndetin global”.

Ai shtoi: “Isha budalla që kalova kohë me të. Isha një nga shumë njerëz që pendohen që e kanë njohur ndonjëherë”.

Para intervistës, një zëdhënës i Gates tha për akuzën: “Këto pretendime janë absolutisht absurde dhe plotësisht të rreme. E vetmja gjë që tregojnë këto dokumente është zhgënjimi i Epstein që ai nuk kishte një marrëdhënie të vazhdueshme me Gates dhe sa larg do të shkonte për të zënë në kurth dhe për të shpifur”.

Pezullohen Policët e Rrugores/ Dyshohen se morën ryshfet nga një drejtues mjeti

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës të policisë rrugore, pasi dyshohet se njëri prej tyre ka marrë ryshfet nga një drejtues automjeti për të shmangur masë administrative.

Ndaj tyre ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, u pezullua një oficer në Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike, ndërsa një inspektor në Krujë për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

PS nuk e ndryshon/ Komisioni i Reformës Territoriale nuk “preket”

Loja mbaroi, bashkë me karambolet e doktorit. Në minutën e fundit, PS u tërhoq nga kërkesa për të ndryshuar komisionin e reformës territoriale, duke falur edhe kësaj radhe PD.

“Darka ka habere të mira. Kërkoj ndryshim në rendin e ditës, mos shqyrtohet kërkesa për komisionin e reformës territoriale në këtë seancë. Besoj ka dakordësi nga gjithë palët. Me shpresën që puna do rifillojë së shpejti”, u shpreh Balla.

Kurse bashkëkryetari i reformës territoriale, Luçiano Boçi, kishte vetëm një hall. Nëse doktori ndryshon mendje e do të bojkotojë prapë, PS s’do t’i marrë më seriozisht deklaratat e tij.

“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, jo të mos shqyrtohet, se kjo ka brenda shqyrtimin, pra thjesht e shtyn në kohë, ne duam të tërhiqet, kjo tregon vullnetin, nëse doni ta lini as mish as peshk. Pse me sëpata në qafë do futemi ne në komision?”, tha Boçi.

E megjithatë, shumë zhurmë për asgjë. PS ia doli sepse arriti të bindë opozitën me ultimatume të thyejë bojkotin e t’i rikthehet komisioneve të reformave.

Kurse doktori ia doli që në 24 orë të tallet si me PS, si me shqiptarët, si me demokratët.

Por në fund, me siguri, peng i ka ngelur vetëm se, falë presionit, reformat do t’i bëjë në parlament, kurse me dëshirë e kishte t’i realizonte në rrugën e vet.

Sindikata e Gjykatësve kundër Kryeministrit/ Sulm me gjuhë të ashpër, pse Rama reagoi për kërkesën për rrogat

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se gjyqtarët kanë kërkuar “tinëz” rritje pagash që do t’i kushtonin buxhetit të shtetit 37 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ka ardhur reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.

Shoqata mundohet ti hedh poshtë fjalët e Ramës duke u shprehur e keqardhur dhe e shqetësuar për atë që e cilëson si një fushatë publike populiste dhe linçuese në një moment delikat, kur çështja ndodhet në fazën përfundimtare të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje që duhet të zhvillohet vetëm në sallën e gjykimit”.

Deklarata vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Rama publikoi fragmente nga seanca në Gjykatën Kushtetuese, duke ironizuar argumentet e gjyqtarëve që kërkojnl rritje page dhe duke deklaruar se ata po përpiqen të imponohen mbi parlamentin dhe qeverinë.

Por Shoqata e Gjyqtarëve mendon ndryshe, duke thënë se procesi nuk ka të bëjë me “rritje page”, por me zbatimin e nenit 138 të Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

“Termi ‘rritje page’ është i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulativ, për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike.”

Gjyqtarët rendisin një seri shqetësimesh, ku sipas tyre ka pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme të qeverive dhe Kuvendit që nga viti 2016, të cilat sipas tyree kanë cenuar statusin financiar, duke ulur sipas tyre referencat e pagave përmes akteve nënligjore.

Në mënyrë indirekte, reagimi i Shoqatës i përgjigjet edhe paralajmërimit të Ramës se, në rast të një vendimi të papëlqyeshëm, qeveria do të “gjejë ilaçe të tjera”.

“Paralajmërimi publik dhe kërcënues për zgjidhje alternative pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën keqbesimin e radhës dhe cenon rëndë parimin e ndarjes së pushteteve.”

Në fund, Shoqata vlerëson se kerkesat e tyre nuk janë destabilizuese për vendin, por përkundrazi, shërbejnë për forcimin e shtetit të së drejtës.

Gjykata Kushtetuese pritet të japë në ditët në vijim vendimin përfundimtar mbi kërkesën e shoqates se gjyqtarëve.

❌