Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Burgosja për kundravajtje rrit çmimin e korrupsionit

Nga Gazeta Si- Nuk e keni harruar kohën kur u bënë të shpeshta, gati të përditshme, burgosjet e shoferëve që kishin konsumuar alkool tej normës së lejuar me ligj. Atëherë socialistët kishin pak kohë që kishin ardhur në pushtet. Bashkë me burgimet për vjedhjen e energjisë elektrike, kjo u kthye në një nga masat-lajtmotiv të qeverisë. Edhe pse e fortë, u mirëprit nga qytetarët, sepse shpresonin rikthimin e rendit në shinat e hekurta të ligjit.

Ishin pa fund postimet në rrjetet sociale të ministrave të qeverisë se si forca e ligjit ndëshkonte qytetarët; një mesazh i qartë se shteti ishte serioz për të mbrojtur jetën. Policëve iu vendosën edhe kamera në trup (edhe ky një lajm i bujshëm për qeverinë), që të mos korruptoheshin. Dilnin shpesh video nga arrestimet në këto raste. Ambienti social u mbingarkua me shembuj “edukues” dhe vetëmburrës të pushtetit.

Por koha rrodhi, ashtu siç rrjedh uji në rrogoz. Sot, kamerat në trup të policisë nuk janë më, dhe “faljet” për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit janë bërë të rëndomta kundrejt pagesave nën dorë.

Kjo qasje e fortë e shtetit dikur shumëfishoi korrupsionin dhe zinxhirin e përfituesve, por nuk e minimizoi veprën penale.

Nëse dikush ishte i dehur në timon dhe polici kërkonte një sasi lekësh, me vajtjen në burg u ndryshua çmimi dhe përfituesi, por jo veprimi. Të ndëshkuarit duhej të paguanin prokurorin ose gjyqtarin dhe shuma u trefishua. Në disa raste, mund të paguhej direkt edhe polici, nëse ishe me fat, por ryshfeti ishte më i lartë se para ndryshimit të ligjit.

Duke treguar këtë situatë, nuk synojmë të zerojmë efektin e ligjit, por të hedhim dritë mbi një mundësi tjetër: që jo domosdoshmërisht ndëshkimet e forta sjellin rendin, sidomos kur ato shndërrohen në instrumentin pothuajse të vetëm të qeverisjes.

Pak ditë më parë u votuan ndryshimet në Kodin Penal, sipas të cilave parkimi i dyfishtë dhe pengimi i kalimit të ambulancës, policisë etj., dënohen me burg. Potencialisht, janë të gjitha mundësitë që edhe këtu forca ndëshkuese e ligjit të bjerë në të njëjtën grackë, sepse është një fenomen i njohur edhe në literaturën ndërkombëtare: sa më të ashpra të jenë dënimet, aq më i lartë bëhet çmimi i korrupsionit, nëse zbatimi i ligjit nuk është i sigurt dhe i pandërprerë (M. Kugler, 2006).

Me fjalë të tjera, individët nuk frikësohen nga sanksioni në vetvete, por përpiqen të gjejnë mënyra për ta shmangur atë – shpesh përmes ryshfetit ose lidhjeve informale.

Studime empirike dhe eksperimentale kanë treguar se gjobat dhe dënimet shumë të rënda nuk pengojnë domosdoshmërisht kundërvajtjet. Përkundrazi, në mjedise ku korrupsioni është i përhapur, individët zgjedhin të paguajnë për t’i shmangur ndëshkimet, duke e kthyer kështu ashpërsinë e dënimit në një faktor që ushqen korrupsionin (ScienceDirect, 2024). Analiza ekonomike e M. Kugler tregon se rritja e sanksioneve pa një sistem efektiv zbatimi prodhon efekte të padëshiruara: çmimi i ryshfetit rritet, por veprimi i kundërvajtjes nuk zvogëlohet domosdoshmërisht.

Nga ana teorike, kjo lidhet me parimet e parandalimit. Siç argumentojnë studiuesit e Max Planck Institute, siguria që shkelësi do të kapet dhe ndëshkohet ka më shumë rëndësi se vetë madhësia e dënimit; për këtë arsye, dënimet ekstreme pa zbatim efektiv nuk e frenojnë gjithmonë shkelësin (Wright, 2010). Nëse individi e di se kapja është e mundshme dhe e shpeshtë, edhe dënimi mesatar është efektiv. Përkundrazi, sanksionet ekstreme humbasin vlerën kur zbatimi është i pasigurt.

Ky fenomen ka pasoja të rëndësishme për politikën publike. Dënimet e forta janë të nevojshme për të vendosur standarde morale dhe ligjore dhe për të treguar se shteti merr seriozisht mbrojtjen e jetës dhe pasurisë. Por pa një sistem të fuqishëm zbatimi dhe mekanizma transparentë kundër korrupsionit, ato nuk arrijnë efektin e dëshiruar. Madje, në disa raste, krijojnë efektin e kundërt, duke minuar besimin te institucionet dhe legjitimitetin e shtetit.

Për të ndërtuar një sistem ligjor funksional dhe të besueshëm, masat represive duhet të kombinohen me politika që forcojnë zbatimin e ligjit dhe transparencën: teknologji reale monitorimi, mekanizma raportimi dhe ndëshkim të korrupsionit në çdo hallkë. Studimet tregojnë se një qasje e balancuar, ku dënimet janë të arsyeshme por zbatimi është i sigurt, është më efektive sesa dënimet ekstreme që nuk aplikohen dot në praktikë (ScienceDirect, 2024; Wright, 2010).

Mesazhi është i qartë: masa të ashpra pa zbatim efektiv nuk garantojnë rend dhe siguri. Për të pasur një shoqëri të drejtë dhe funksionale, ligjet duhet të jenë të forta, por edhe të zbatohen me kujdes, pa korrupsion dhe me transparencë reale. Vetëm kështu mund të ndërtohet një sistem ligjor i besueshëm dhe një shoqëri ku qytetarët ndihen njëkohësisht të mbrojtur dhe të përgjegjshëm.

Socialistët e shkolluar mund t’i dinë këto. Ose i kanë harruar dhe nuk i rilexojnë, ose i anashkalojnë duke zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më pak të mundimshme të qeverisjes afatshkurtër që favorizon “të fortët” dhe të pasurit.

The post Burgosja për kundravajtje rrit çmimin e korrupsionit appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal-Vijnë paralajmërimet e para për pasojat ekonomike

Mediat italiane kanë vënë në fokus procesin e nisur në Shqipëri për miratimin e Kodit të ri Penal, duke raportuar shqetësimet dhe paralajmërimin e Confindustria Albania, sipas së cilës ndryshimet e propozuara rrezikojnë të ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit, klimën e investimeve dhe sigurinë juridike.

Sipas shoqatës, projektligji nuk buron nga një nevojë reale për reformë, as nga problematika të dukshme të Kodit Penal aktual, i cili ndër vite ka treguar qëndrueshmëri dhe aftësi për të funksionuar në mënyrë efektive. Sistemi në fuqi, në fakt, ka dhënë rezultate të konsideruara pozitive edhe në fusha delikate si ajo e përgjegjësisë penale të personave juridikë, një nga sektorët ku teksti i ri synon të ndërhyjë ndjeshëm.

Confindustria Albania thekson se një vend që synon të konsolidojë rolin e tij në kontekstin evropian dhe ndërkombëtar duhet të mbështetet mbi parime të qarta të shtetit të së drejtës, mbi rregulla të qëndrueshme dhe mbi një kuadër normativ të parashikueshëm. Siguria juridike përmendet si një element thelbësor për të vazhduar tërheqjen e investimeve të huaja dhe për të mbështetur iniciativën sipërmarrëse vendase, ndërsa Kodi i ri Penal rrezikon të vërë në diskutim pikërisht këto parakushte themelore.

Ndër aspektet më kritike përmendet tendenca për të shndërruar në vepra penale një sërë sjelljesh që deri më sot përfshiheshin në fushën e shkeljeve administrative. Sipas shoqatës, parregullsi fiskale të natyrës formale, mangësi në mbajtjen e saktë të regjistrave shoqërorë, shkelje të brendshme të menaxhimit të kompanive dhe mospërmbushje të tjera pa një vlerë reale penale mund të sanksionohen penalisht, duke krijuar një klimë pasigurie dhe frike mes operatorëve ekonomikë. Kjo qasje, gjithmonë sipas Confindustria Albania, rrezikon të rëndojë në mënyrë të panevojshme sistemin gjyqësor dhe të penalizojë aktivitetin e biznesit, pa sjellë përfitime konkrete në drejtim të ligjshmërisë apo transparencës.

Shqetësim shtesë ngjall edhe hapësira e gjerë e diskrecionit që disa dispozita të Kodit të ri do t’u atribuonin gjyqtarëve. Një pushtet interpretues tepër i zgjeruar mund të komprometojë parashikueshmërinë e vendimeve dhe stabilitetin e kuadrit juridik, elemente të konsideruara të domosdoshme për ata që investojnë dhe veprojnë në afat të gjatë.

Shoqata e drejtuar nga Davide Rogai i referohet gjithashtu standardeve të Bashkimit Evropian, objektiv i shpallur i Shqipërisë në rrugëtimin e saj të integrimit. Në kuadrin e BE-së, përgjegjësia penale e personave juridikë përgjithësisht kufizohet në sektorë të përcaktuar mirë, si krimi i organizuar, korrupsioni apo veprat penale mjedisore, ndërsa projekti i reformës shqiptare duket se e zgjeron ndjeshëm këtë perimetër. Duhet kujtuar gjithashtu se në vend është tashmë në fuqi një legjislacion specifik mbi përgjegjësinë penale të personave juridikë, gjë që e bën, sipas Confindustria Albania, edhe më pak të justifikuar një ndërhyrje kaq radikale përmes një Kodi të ri Penal.

Shoqata, e cila vepron në Shqipëri prej më shumë se dhjetë vitesh duke përfaqësuar ndërmarrje të themeluara si nga sipërmarrës italianë ashtu edhe nga sipërmarrës shqiptarë, vë në dukje edhe pasojat e mundshme negative të tekstit të ri mbi përqendrimet shoqërore. Normat e reja mund të përbëjnë një pengesë për lirinë e sipërmarrjes dhe të kenë një efekt fort dekurajues mbi investimet, në një moment historik kur vendi do të kishte nevojë, përkundrazi, të forconte tërheqjen e tij ekonomike.

Në përfundim, Confindustria Albania bën thirrje që procesi i reformës të rishikohet me kujdes, duke përfshirë botën prodhuese dhe duke vlerësuar me vëmendje ndikimin e dispozitave të reja mbi strukturën ekonomike dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, me bindjen se zhvillimi, ligjshmëria dhe rritja mund të arrihen vetëm përmes rregullave të qarta, proporcionale dhe në përputhje me standardet evropiane.

Confindustria Albania ka reaguar edhe më parë për ndryshimet në Kodin Penal, ku i cilësonte të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.

Sakaq pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë në një seancë maratonë miratoi me 85 vota pro dhe 9 kundër, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave).

Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar deri më tani 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji për Kodin e Ri Penal u publikua për konsultime publike në fund të muajit korrik nga Ministria e Drejtësisë.

Drafti i ri që përmban 950 nene është kundërshtuar nga shumë ekspertë të cilat vazhdimisht kanë theksuar se projektligji rrezikon penalizimin e marrëdhënieve fiskale, rrezikon të cenojë sigurinë juridike, të mbingarkojë sistemin gjyqësor penal dhe të vendosë qytetarët e bizneset në një klimë pasigurie, në vend që të garantojë korrektësi dhe efikasitet administrativ.

Për këtë arsye, ekspertët e shohin të domosdshëm një rishikim i thelluar i draftit në mënyrë që të harmonizohet me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës./ Giornalesera.com

The post Kodi i ri Penal-Vijnë paralajmërimet e para për pasojat ekonomike appeared first on Gazeta Si.

Gocat e Dubait dhe ironia e dëmshme për ligjin që ndëshkon seksin jashtë Shqipërisë

Në Shqipëri, miratimi i nenit që ndëshkon organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale jashtë vendit ka shkaktuar një kombinim të habitshëm reagimesh. Sipas ligjit, kushdo që organizon ose lehtëson një udhëtim me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime mund të përballet me 2 deri në 6 vjet burg, edhe nëse gjithçka ndodh jashtë territorit dhe nuk ka pasur pagesë apo shfrytëzim.

Megjithëse ligji synon të parandalojë abuzimin dhe trafikimin seksual, shumë komentues në rrjetet sociale  apo dhe media tradicionale nuk e kanë marrë seriozisht. Ironia, meme-t dhe komentet satirike kanë mbushur faqet online, duke e bërë këtë nen të duket absurd ose i ekzagjeruar, veçanërisht për rastet ku individët veprojnë në mënyrë konsensuale dhe jashtë vendit.

Por pas ironisë fshihet një realitet i rreptë: ligji ka implikime reale për qytetarët dhe bizneset që mund të përfshihen në organizimin e udhëtimeve private. Nga perspektiva morale, ky nen ngre një dilemë të qartë. Shteti ka përgjegjësinë për të mbrojtur shoqërinë nga shfrytëzimi dhe abuzimi, por ndërkohë kriminalizimi i zgjedhjeve private prek lirinë personale dhe privatësinë, duke hapur debate mbi proporcionalitetin e dënimit.

Përvoja ndërkombëtare tregon se shumica e vendeve moderne nuk ndëshkojnë marrëdhënie private të konsensuara jashtë vendit, përveç rasteve të shfrytëzimit, prostitucionit të detyruar ose trafikimit. Edhe vendet me ligje më të rrepta morale zakonisht përdorin masa administrative ose gjoba, duke shmangur ndërhyrjen e panevojshme në jetën private dhe duke ruajtur të drejtat e individit.

Në Shqipëri, ky nen mund të shkaktojë debate mbi praktikën dhe zbatimin e tij. Si mund të provohet qëllimi i udhëtimit? A janë dënimet proporcionalë për veprime që ndodhin jashtë vendit? Pyetjet mbeten të hapura, por reagimet ironike online nuk e zbehin seriozitetin e pasojave ligjore.

Një tjetër realitet i dukshëm është se shumë shtetas shqiptarë, veçanërisht femra, udhëtojnë jashtë vendit, kryesisht drejt destinacioneve luksoze si Dubai, për të fituar të ardhura nga marrëdhënie konsensuale. Ky aktivitet, i njohur si turizëm seksual ose “sugar tourism”, është në rritje dhe shpesh organizohet përmes rrjeteve sociale ose agjencive private.

Rritja e këtij turizmi duket se  ka nxitur ndërhyrjen e shtetit, duke vendosur kufij të qartë mes lirisë personale dhe mbrojtjes së shoqërisë. Për qytetarët dhe bizneset që merren me organizimin e udhëtimeve private me qëllime intime, kjo është një thirrje  se do ndëshohesh. Ndërsa mund të duket një mundësi fitimi, realiteti ligjor mund të kthehet shpejt në rrezik penal dhe reputacional, duke treguar se jo çdo ide e thjeshtë ose luksoze është e lejueshme.

Në përfundim, ky nen ka më shumë peshë se ironia që ka shpërthyer online. Ndërsa komentuesit vazhdojnë të qeshin me dënimin dhe të bëjnë meme, realiteti ligjor mbetet serioz, dhe pasojat mund të jenë të rënda për ata që preken. Ky kontrast – midis ironisë së publikut dhe seriozitetit të ligjit – e bën këtë çështje një debat që në mos ka nisur duhet të nis në Shqipëri.

The post Gocat e Dubait dhe ironia e dëmshme për ligjin që ndëshkon seksin jashtë Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

iPhone iOS 26 / “Call Screening” për të filtruar thirrjet e panjohura mërzit të pasurit

Apple ka prezantuar në iOS 26 funksionin e ri “Call Screening”, që synon të ndihmojë përdoruesit të menaxhojnë thirrjet e panjohura dhe spam-in. Kur dikush telefonon nga një numër që nuk është në kontaktet e përdoruesit, iPhone kërkon automatikisht emrin dhe arsyen e thirrjes dhe e tregon këtë informacion përpara se të bjerë telefoni. Në këtë mënyrë, përdoruesit mund të vendosin nëse duan të përgjigjen ose ta injorojnë thirrjen, duke kursyer kohë dhe duke shmangur ndërhyrjet e panevojshme.

Funksioni ndërton mbi opsionin e mëparshëm “Silence Unknown Callers”, duke shtuar një shtresë inteligjence artificiale që i lejon përdoruesit të kontrollojnë telefonatat pa sakrifikuar privatësinë. Përdoruesit mund të aktivizojnë opsionet: Ask Reason for Calling, Silence Unknown Callers, ose Never, sipas preferencave të tyre.

Megjithatë, veçoria ka shkaktuar reagime të papritura edhe te biznesmenët dhe individët e pasur, të cilët ndihen se tani humbasin avantazhin që më parë u siguronte asistenca personale në menaxhimin e thirrjeve. Shumë prej tyre po shprehin se edhe thirrjet e nivelit të lartë duhet të kalojnë filtrin e inteligjencës artificiale.

Për shumicën e përdoruesve, megjithatë, ky funksion përfaqëson një përmirësim të dukshëm në kontrollin e telefonatave të padëshiruara. Ai kombinon inteligjencën artificiale me privatësinë, duke e bërë përvojën më të lehtë dhe më të organizuar. Apple synon që të eliminojë ndërhyrjet e panevojshme dhe t’u japë përdoruesve mundësinë të fokusohen vetëm te thirrjet e rëndësishme.

The post iPhone iOS 26 / “Call Screening” për të filtruar thirrjet e panjohura mërzit të pasurit appeared first on Gazeta Si.

Pse “2026 është si 2016”: Nostalgjia e medias sociale pushton TikTok dhe Instagram në SHBA dhe Europë

Në fillim të vitit 2026, një valë nostalgjie për vitin 2016 ka pushtuar rrjetet sociale si TikTok, Instagram dhe X (Twitter), jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europë. Përdoruesit — veçanërisht milenialët dhe zillennials (ata që janë në mes të Gen Z dhe milenialëve të hershëm) — postojnë foto, video dhe memes që rikthejnë estetikën, modën dhe kulturën dixhitale të asaj kohe. (en.wikipedia.org)

Ky trend është i dukshëm në vendet kryesore evropiane: Britani, Gjermani, Francë, Spanjë dhe Itali, ku influencuesit dhe blogerët e modës kanë filluar të ripropozojnë stilin e vitit 2016 — chokers, skinny jeans, makeup mat, filtër vintage për Instagram, dhe referenca ndaj muzikës pop dhe hip‑hop të asaj kohe. (bbc.com)

Muzika 2016 që rikthehet në playlist-et evropiane

Në Europë, playlist-et e Spotify dhe Apple Music me hitet e vitit 2016, si Drake – One Dance, Rihanna – Work, dhe The Chainsmokers – Closer, kanë pësuar rritje të konsiderueshme dëgjimesh. Në Britani, playlist-et e “Throwback 2016” u rritën me mbi 600% në muajt e fundit, duke reflektuar interesin e madh për muzikën që dominoi kulturën pop të asaj periudhe. (theguardian.com)

Fenomeni viral në TikTok dhe Instagram

Në TikTok, sfidat virale dhe videot e ripërshtatura me efekte të vitit 2016 — si përdorimi i kamerave selfie me rezolucion të ulët ose efektet retro të ngjashme me Snapchat — po bëhen trend edhe midis përdoruesve evropianë. Në Gjermani dhe Francë, për shembull, komunitetet e rinj të modës dhe “content creator”-ët po organizojnë mbrëmje tematikë “2016 party”, duke përdorur hitet e asaj kohe dhe duke rikrijuar estetikën vizuale të Instagram-it të mesit të viteve 2010.

Arsyeja pas nostalgjisë

Psikologët dhe analistët e mediave sociale sugjerojnë se ky trend nuk është vetëm estetikë, por një reagim ndaj shpejtësisë së ndryshimeve teknologjike dhe presionit që ndjejmë për të prodhuar përmbajtje perfekte. Nostalgjia për vitin 2016 krijon një ndjesi të kohës më të thjeshtë, më spontane, kur rrjetet sociale ishin më pak të algoritmuara dhe kur kultura pop ishte më e qasshme. (forbes.com)

Ndikimi kulturor në Europë

Artistët dhe influencuesit evropianë po përqafojnë këtë trend, duke përdorur hashtags si #2016Throwback ose #BackTo2016, dhe duke rikthyer fotografi dhe videos që ngjajnë si të kapura direkt nga smartfonët e vitit 2016. Në Londër, Paris dhe Berlind, club-e të rinj kanë organizuar mbrëmje tematike me hits 2016, duke rikrijuar atmosferën e viteve të para të rrjeteve sociale masive. (bbc.com)

Ky trend tregon se nostalgjia nuk njeh kufij: ajo është e përhapur në të gjithë botën, nga SHBA te Europë. Fenomeni i “2026 is the new 2016” nuk është thjesht një lojë estetike; ai reflekton dëshirën për kohë më të thjeshtë dhe komunikim më spontan, një rikthim tek ato momente kur kultura pop dhe rrjetet sociale ishin më pak të ndikuara nga algoritmet dhe AI.

The post Pse “2026 është si 2016”: Nostalgjia e medias sociale pushton TikTok dhe Instagram në SHBA dhe Europë appeared first on Gazeta Si.

Ngec marrëveshja historike 100 miliardë dollarëshe mes Nvidia dhe OpenAI

Plani i madh i investimit prej 100 miliardë dollarësh midis Nvidia dhe OpenAI — i prezantuar me bujë në shtator 2025 si një prej bashkëpunimeve më ambicioze në historinë e inteligjencës artificiale — është ngrirë dhe nuk ka përparuar drejt nënshkrimit të një marrëveshje definitive, sipas raporteve të fundit nga media kryesore amerikane dhe burime të tregut.

Nga vizion i madh te pezullim negociatash

Në shtator, Nvidia dhe OpenAI njoftuan një memorandum kuptimi sipas të cilit Nvidia do të investonte deri në 100 miliardë dollarë në OpenAI për të ndihmuar në ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave me kapacitet të paktën 10 gigavat fuqi llogaritëse — mjaft për të mbajtur miliona GPU‑a të avancuara që do të ndihmonin në trajnimin e modeleve të ardhshme të AI.

Por negociatat kanë ngecur larg fazës së finalizimit. Burime thanë se planifikimi fillestar ishte vetëm një letër qëllimi dhe nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm, duke lënë shumë pika pa u dakordësuar plotësisht. Nvidia tashmë ka rishikuar brenda kompanisë vlerësimin e tillë të madh, duke shprehur dyshime strategjike për modelin e biznesit të OpenAI dhe konkurrencën në rritje nga kompani të tjera si Google dhe Anthropic.

Çfarë ka ndodhur brenda Nvidia

CEO i Nvidia‑s, Jensen Huang, sipas burimeve, ka komunikuar në mënyrë private se marrëveshja origjinale ishte non‑binding — dmth. pa marrë formë kontraktuale — dhe se ai ka ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e modelit të biznesit të OpenAI, ndërkohë që rritet konkurrenca për teknologji kompute në industri.

Edhe pse marrëveshja e madhe është “on ice”, Nvidia ka deklaruar se dëshiron të vazhdojë partneritetin e gjatë me OpenAI dhe mund të rishikojë formën e bashkëpunimit — për shembull përmes investimeve më të vogla të kapitalit aksionar në vend të një programi masiv 100 miliardë dollarësh.

Konkurenca dhe perspektivat e industrisë

Ndërkohë, OpenAI ka nisur bisedime me kompani të tjera të mëdha teknologjike për rreth 40‑60 miliardë dollarë investime, me Amazon, Microsoft, SoftBank dhe të tjera që shihen si investitorë potencialë për të ndihmuar financiarisht dhe infrastrukturë teknologjike.

Kjo reflektim i gjërë i aktivitetit në sektor tregon se përçarjet në marrëveshjen origjinale nuk do të thonë fundin e interesit për financim apo përmirësim të kapacitetit të AI, por pasqyrojnë një panoramë më komplekse konkurrimi dhe bashkëpunimi në industrinë globale të inteligjencës artificiale.

Reagimet e tregut dhe rrezet e ardhshme

Lajmi që një marrëveshje e tillë kolosale është pezulluar ka shkaktuar reagime në tregjet financiare dhe ka shtuar debatet mbi vlerësimin e bashkëpunimeve të mëdha teknologjike dhe rrezikun e investimeve “super‑big” në AI. Investitorët po analizojnë edhe rolin e Nvidia‑s si furnizues kryesor i harduerit për modele të mëdha të AI-së — një pozicion që mund të ndryshojë nëse bashkëpunimet bëhen më të shpërndara midis ofruesve.

Çfarë pritet në vijim

Megjithëse marrëveshja origjinale e 100 miliardë dollarëve mund të mos realizohet në formën e saj fillestare, partneriteti midis Nvidia dhe OpenAI nuk është dëmtuar plotësisht, dhe kompanitë mund të riformulojnë bashkëpunimin e tyre në mënyra të reja me fokus në kapital më të drejtpërdrejtë dhe investime progresive.

Kjo situatë nënvizon se bota e zhvillimit të AI-së vazhdon të evoluojë shpejt, ku negociatat dhe bashkëpunimet strategjike mes gjigantëve teknologjikë ndryshojnë sipas dinamikes së tregut dhe risqeve të biznesit.

The post Ngec marrëveshja historike 100 miliardë dollarëshe mes Nvidia dhe OpenAI appeared first on Gazeta Si.

SHBA-Zgjedhje që demokratët mund t’i humbasin vetë

Në zgjedhjet e mesmandatit, partia që nuk mban Shtëpinë e Bardhë pothuajse gjithmonë fiton terren. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur vlerësimi i presidentit është nën 50%, çka do të thotë se republikanët duhet të jenë të shqetësuar. Miratimi i Donald Trump është 42.7% sipas mesatares së RealClearPolitics. Besimi i konsumatorëve po bie. Dhe gabimet e rënda në Minneapolis e kanë dëmtuar atë dhe partinë e tij.

Megjithatë, të gjitha këto nuk garantojnë një fitore të madhe për demokratët në nëntor. Ka ende kohë — më shumë se nëntë muaj — që fati i republikanëve të përmirësohet. Më e rëndësishmja, demokratët kanë problemet e tyre.

Shumë prej tyre mendojnë se mjafton të sulmojnë Trump-in për çdo veprim dhe fjalë. Nuk mjafton. Sulmet duhet të lidhen me një axhendë demokrate që adreson çështjet që amerikanët mendojnë se ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Sulmimi i verbër i Trump-it çdo ditë i lejon presidentit të zgjedhë fushën e betejës. Demokratët duhet të kenë një plan që u lejon ta sulmojnë atë në terren më të favorshëm për ta.

Nuk ndihmon as fakti që shumë demokratë po bërtasin për shkarkimin (impeachment) e Trump-it. Republikanët e tepruan kur shkarkuan Bill Clinton-in në 1998, dhe demokratët nuk përfituan asgjë kur e shkarkuan Trump-in dy herë në mandatin e tij të parë. Votuesit e lëkundur e dinë se dy të tretat e Senatit nuk do të votojnë për shkarkim sot. Prandaj, thirrjet për largimin e Trump-it duken thjesht si politikë partiake.

Koha e harxhuar për impeachment është kohë e humbur për të diskutuar çfarë lëviz votuesit e pavendosur. Të pavarurit duan të dinë si do ta përmirësonin demokratët ekonominë dhe pse pagat e tyre nuk kanë ndjekur rritjen e çmimeve. Ata janë të shqetësuar për inteligjencën artificiale, tarifat dhe konfliktet tregtare. E shohin botën si të rrezikshme dhe të paqëndrueshme. Dhe janë skeptikë, sepse ia atribuojnë një pjesë të madhe të problemeve ekonomike Joe Biden-it. Pa një axhendë demokrate, shumë prej tyre nuk do të binden se demokratët do të qeverisnin më mirë.

Për të maksimizuar fitoret, axhenda e demokratëve duhet të afrohet më shumë me qendrën dhe të largohet nga ekstremi i majtë. Fitorja e Zohran Mamdanit si kryetar bashkie i Nju Jorkut ka tërhequr vëmendjen e aktivistëve të partisë. Ajo do të inkurajojë kandidatë të ngjashëm në primare. Ai dhe eksperimentet e tij socialiste do të tërheqin vëmendje kombëtare këtë vit. Kjo nuk do të ndihmojë në nëntor. Vizioni i tij është jopopullor jashtë disa zonave thellësisht blu.

Të thuash të drejtën, nuk është shumë popullor as në vetë Nju Jorkun. Atje, 65% e votuesve janë demokratë të regjistruar dhe 11% republikanë. Mamdani fitoi vetëm 50.8% të votave.

Sa më shumë kandidatë të majtë të fitojnë në primare, aq më shumë demokratët kudo do të duhet të shpjegojnë ku qëndrojnë ndaj ideve më kontroverse të së majtës. Beteja brenda Partisë Demokrate është vendimtare. Të luash vetëm në mbrojtje nuk fiton zgjedhje.

As thirrjet për shfuqizimin e ICE (Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave) nuk ndihmojnë. Kjo thirrje mund të jetë po aq e dëmshme për demokratët sa “defund the police”. Ajo forcon idenë se demokratët mbështesin kufij të hapur dhe mbrojtjen e emigrantëve të paligjshëm të dhunshëm. Më mirë të dënohen veprime të veçanta të ICE dhe të kërkohen reforma të thella, sesa të duken sërish të butë ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Demokratët kanë bërë gjithashtu një gabim të madh duke mbrojtur pjesëmarrjen e burrave në sportet e grave dhe përdorimin e tualeteve të grave. Shumë votues të pavendosur shqetësohen kur demokratët nuk mund të përkufizojnë fjalën “grua” ose të pranojnë se burrat nuk mund të lindin. Këta demokratë duken të çuditshëm.

Një tjetër shenjë shqetësuese për demokratët: votuesit u besojnë më shumë republikanëve në Kongres për çështje kyçe. Një sondazh i Wall Street Journal këtë muaj tregoi se votuesit mendojnë se republikanët janë “më të aftë” për ekonominë me 38% kundrejt 32% për demokratët. Për inflacionin, po të njëjtat shifra. Për emigracionin, 44% republikanë kundrejt 33% demokratë. Për politikën e jashtme, 38% republikanë dhe 33% demokratë.

Së fundi, demokratët përballen me një problem strukturor. Ata kanë më pak objektiva të lehtë këtë vit. Zakonisht, presidentët sjellin me vete kandidatë të partisë së tyre në zona të lëkundura. Jo Trump-i. Republikanët humbën dy vende në Dhomën e Përfaqësuesve në 2024.

Demokratët duhet të bëjnë atë që nuk e kanë bërë kurrë gjatë epokës Trump: të theksojnë një axhendë qeverisëse në vend të denoncimeve të ashpra ndaj presidentit. Të flasin më pak për të dhe më shumë për nevojat e amerikanëve të zakonshëm. Të qëndrojnë larg ekstremit të majtë. Të tregojnë sens të përbashkët. Nuk duhet të jetë e vështirë, por është. Prandaj demokratët janë ende në vështirësi. Wash

*Karl Rove, ish-këshilltar i lartë i Presidentit George W. Bush/Burimi: Wahsington Post

The post SHBA-Zgjedhje që demokratët mund t’i humbasin vetë appeared first on Gazeta Si.

Ndonëse rritemi ekonomikisht emigracioni i shqiptarëve të arsimuar do të vazhdojë të jetë i lartë!

Shqipëria renditet në vendin e tretë për emigracionin e popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH. Më keq se Shqipëria renditen Bosnja, Palestina vende që kanë qenë të destabilizuara nga luftërat.

Të dhënat tregojnë se mbi 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar në 2023-2024, vetëm 2-3% e tyre rikthyer. Shqipëria ka diferencë shumë të madhe midis “daljes” dhe “hyrjes” së talenteve, një nga disproporcionet më të larta mes ekonomive të EBRD-së.

Flitet me krenari për rritje ekonomike, rritje të pagës mesatare, amnisti fiskale por Shqipëria nuk po arrin të jetë një destinacion tërheqës për talentet ndërkombëtare, ndërkohë që humb vazhdimisht profesionistë vendas drejt vendeve më të zhvilluara.

Megjithëse besojmë tek arsyetimi konvencional që është varfëria ajo që nxit emigracionin , eksperienca edhe studimet empirike tregojnë motive të tjera. Për ta thjeshtuar analizën po marr një shembull! Një nënpunës banke, paguhet në Shqipëri 1000 Euro në muaj, ndërsa kolegu i tij në Gjermani, paguhet rreth 5000 euro në muaj.

Ndërkohë nëse ekonomisti shqiptar emigron e punon në bankë në Gjermani , produktiviteti i tij rritet brenda natës .Thënë këtë avantazhi i ekonomistit gjerman nuk është individual. Përgjigja duhet kërkuar tek mjedisi ekonomik.Ekonomisti gjerman ka fatin të operojë e një ekonomi që ka teknologji më të mirë, firma më produktive, sektorë ekonomikë më të zhvilluar, institucione më të mira dhe infrastrukturë më të mirë –arritje këto që në pjesën më të madhe janë produkte të veprimeve kolektive të ndërmarra ndër dekada.

Njerëzit kur munden gjithmonë do të përpiqen të emigrojnë drejt mjediseve ekonomike ku produktiviteti I tyre është më i lartë. Studimet empirike tregojnë se ndërsa një vend kalon nga vend i varfër në vend me të ardhura të mesme për frymë mundësia edhe edhe nxitja për të emigruar, rriten në të njëjtin drejtim.

Edhe ka një shpjegim për këtë. Kalimi nga vend i varfër në një vend më të ardhura të mesme për frymë është i lidhur ngushtë me rritjen e investimit individual tek arsimimi. Aftësitë e rritura nxisin dhe lehtësojnë emigrimin. Po kështu barrierat e emigrimit nga vendet e destinacionit të migrantëve, kanë tendencë të zbuten ndërsa vendet e origjinës së migrantëve kalojnë nga vend i varfër tek vend me të ardhura të mesme për frymë.

Lidhja mes zhvillimit te nje vendi dhe nxitje/aftesive per te emigruar

Grafiku tregon qartazi se aftësia për të emigruar edhe nxitja për të emigruar lëvizin në kahe të kundërta në vendet e zhvilluara, pra kur vendi kalon në vend me të ardhura të larta për frymë.

Sa më gjatë vendi të qëndrojë në stadin e vendit me të ardhurave të mesme për frymë (Shqipëria ka hyrë në këtë stad në 2018) aq më e lartë do të jetë nxitja për të emigruar e njerëzve të arsimuar të cilët kanë mundësinë të rrisin produktivitetin e tyre brenda natës në vendet e pasura.

Për çdo ekonomist që studion zhvillimin lajmi i keq nuk është se aktualisht në Shqipëri kemi emigracionin më të lartë të njerëzve të shkolluar pas vendeve të destabilizuara nga lufta , por fakti se nuk ka asnjë shenjë ndryshimi në politikat që nxisin zhvillimin, pra burimet e rritjes.

Shkretëtirizimi i Shqipërisë të bekuar nga natyra e bukur, klima, edhe burimet natyrore, por të mallkuar nga poltikbërës përtacë edhe pa vizion do të vazhdojë .
Mbështetja e zhvillimit tek turizmi edhe ndërtimet e hoteleve me Pesë Yje, është rruga e sigurt drejt ekonomisë Hawaiiane, ose ekonomisë së sherbimeve me produktivitet të ulët (pastruesve edhe kamarierëve). Si rrjedhojë e produktivitetit të ulët rritja ekonomike përkthehet në pabarazi ekonomike edhe në kosto të larta të jetesës.

Pra për ta thjeshtëzuar, vlonjatët do të vazhdojnë të blejnë mallrat bazike të konsumit nga vendet e pasura, ndërkohë që do të pastrojnë tualetet e dhomat e resorteve të ndërmjetësuara nga Ivanka Trump . Në këto kushte një ekonomist , inxhinier, një programues, një kërkues një mjek do të vazhdojë të ketë produktivitet shumë të ulët në Vlorë.

Mungesa totale e politikave të rritjes së produktivitetit; vala dytë e deindustrializimit në të cilën po kalon prodhimi vendas ; fakti që firmat më të mëdha prodhojnë thuajse “asgjë” edhe parazitojmë mbi fondet e buxhetin e shtetit; mungesa e konkurrencës ; korrupsioni endemik , janë faktorë që nuk do të na mundësojnë për një kohë të papërcaktuar kalimin në një vend me të ardhura të larta.

Thënë këtë stanjacioni tek stadi i vendit ardhura të mesme për frymë gjithmonë e më shumë do ti shtyjë shqiptarët të emigrojnë edhe të kërkojnë mjedise më të favorshme ekonomike ku me të njëjtat aftësi mund të jenë disafish më produktivë.

The post Ndonëse rritemi ekonomikisht emigracioni i shqiptarëve të arsimuar do të vazhdojë të jetë i lartë! appeared first on Gazeta Si.

A mos vallë ne shqiptarët jemi bërë palë me qeverinë kundër opozitës?

Shpesh secili nga ne, kur riprovon dhe rishikon se gjërat po shkojnë keq, ka mërmëritur nën dhëmbë se pse nuk arrijmë të çohemi kundër si shoqëri. Këtë mungesë të revoltës qytetare të materializuar në tubime e protesta, që tani mund të ishin më të shpjegueshme për shkak të skandaleve të rënda të korrupsionit, e etiketojmë si apati morale ose si mungesë ndërgjegjeje shoqërore. Por kjo autokritikë është e cekët. Në realitet, ajo që karakterizon sot shoqërinë shqiptare nuk është mungesa e zemërimit, por mpirja politike — një gjendje e ndryshme, më e thellë dhe më e rrezikshme se indiferenca.

Mpirja nuk nënkupton pajtim me padrejtësinë. Përkundrazi, ajo lind pikërisht nga akumulimi i padrejtësive pa pasoja. Në këtë kuptim, shoqëria mund të jetë njëkohësisht e vetëdijshme për korrupsionin dhe e paaftë për revoltë. Ky nuk është paradoks, por një mekanizëm i studiuar gjerësisht në shkencat shoqërore.

Konceptet e apatisë politike dhe të learned helplessness shpjegojnë se kur individët përballen vazhdimisht me një sistem ku reagimi nuk sjell ndryshim real, ata mësojnë pafuqinë. Zemërimi nuk zhduket, por shndërrohet në cinizëm, distancim ose emigrim. Protesta, në këtë kontekst, perceptohet jo si mjet ndryshimi, por si ritual i parashikueshëm dhe i padobishëm.

Në terrenin aktual të këtyre ditëve, kjo ndihmon për të kuptuar pse protestat e opozitës, si grupimi më i madh vullnetar dhe me më shumë instrumente për të ndryshuar gjërat, pavarësisht denoncimeve të forta, dështojnë të mobilizojnë masivisht shoqërinë. Problemi nuk është mungesa e arsyeve për revoltë, por mungesa e besimit se revolta prodhon rezultat. Studimet mbi lëvizjet sociale,( veçanërisht ato të përmbledhura në teorinë e politics of contention), tregojnë se pakënaqësia është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për mobilizim. Ajo duhet të shoqërohet me strukturë organizative, lidership të besueshëm dhe perceptim të mundësisë reale për fitore.

Në Shqipëri, këta faktorë mungojnë ose janë konsumuar. Opozita shihet shpesh si pjesë e së njëjtës elitë që ka prodhuar zhgënjimin, çka e bën thirrjen e saj për revoltë pak bindëse. Kjo krijon një rreth vicioz: shoqëria është e mpirë sepse nuk beson te politika, ndërsa politika dështon të mobilizojë sepse përballet me një shoqëri të mpirë.

Në këtë kuptim, mungesa e revoltës nuk duhet interpretuar si mungesë ndjenje morale, por si krizë përfaqësimi dhe shprese. Shoqëria shqiptare nuk është e qetë; ajo është e lodhur. Dhe lodhja kolektive është shumë më e rrezikshme se zemërimi, sepse nuk shpërthen — ajo tretet.

Për rrjedhojë, pyetja nuk është pse qytetarët nuk ngrihen, por çfarë e ka bërë ngritjen të duket e pakuptimtë. Pikësëpari, politika duhet të kuptojë se pa adresuar këtë pyetje, çdo thirrje për revoltë do të mbetet thjesht zhurmë mbi një heshtje të thellë shoqërore.

The post A mos vallë ne shqiptarët jemi bërë palë me qeverinë kundër opozitës? appeared first on Gazeta Si.

Lista e ‘habitshme’ e kandidatëve për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Lista e kandidatëve konkurrues për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 sjell një ndryshim të dukshëm krahasuar me garat e mëparshme. Në të shihen për herë të parë figura që nuk janë vetëm nga administrata publike apo politika, por edhe nga sektori privat, akademia dhe drejtësia, duke krijuar një mozaik profesional që mund të pasuroi vendimmarrjen e këtij institucioni.

Tre anëtarët aktualë, Artan Hoxha, Luljeta Minxhozi dhe Violeta Staka, kandidojnë për një mandat të dytë. Njohuria e tyre e brendshme dhe përvoja e mandateve të mëparshme sigurojnë vazhdimësinë dhe stabilitetin, ndërsa profesionistët e rinj sjellin perspektiva të reja. Elton Korbi, me një karrierë të gjatë në menaxhimin e fondeve të pensionit dhe investimeve, dhe Erjona Bejleri, ish-zëvendësministre e Financave me eksperiencë në sektorin bankar privat, ofrojnë një kombinim të praktikës dhe politikave financiare. Eni Xheko, menaxhere e një hoteli privat, mund të sjell njohuri të menaxhimit dhe praktikës së biznesit, duke shtuar një dimension të veçantë pragmatizmi në vendimmarrje.

Akademikët si Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, dhe Matilda Shehu, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, sjellin analizë të thelluar dhe perspektiva strategjike, që nuk ishin përfaqësuar fuqishëm në listat e mëparshme. Për herë të parë, vendimmarrja e Këshillit duket se do të pasqyrojë një kombinim të balancuar mes teorisë, praktikës dhe ligjit, duke krijuar një institucion më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm.

Një tjetër ndryshim i dukshëm është prezenca e profesionistëve nga drejtësia dhe strukturat anti-korrupsion. Holta Zaçaj, ish-anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe Liljana Mamadhaj nga SPAK kanë ekspertizë ligjore dhe njohuri mbi etikën institucionale. Për publikun, kjo mund të duket pak e pazakontë – kundrejt një tabuje të dikurshme kur kandidatët ishin kryeoisht akademikë dhe nga bota e financave. Tani që SPAK dhe Gjykata janë bërë kryefjala e publikut një ish-gjyqtare apo përfaqësuese të SPAK-ut apo dhe një pronare hoteli tingëllojnë pak çuditshëm duke krijuar ndjesi se disa kandidatë mund të kenë garanci të fshehta, edhe pse ligjërisht procesi është i hapur dhe meritokraci. Tabuja që shoqëron figurat e drejtësisë dhe menaxherët privat por dhe vetë historikun e Këshillit Mbikqyrës shton këtë ndjesi dyshimi.

Krahasuar me listat e vitit 2022 dhe 2023, ndryshimi më i dukshëm është diversiteti i profileve. Lista e vitit 2022 përbëhej kryesisht nga profesionistë me përvojë në administratë publike dhe politikë, si Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, të cilët u zgjodhën për të mbajtur vendet vakante. Përveç tyre, kandidatë si Emis Çerava, Diana Dervishi dhe Altin Hoti vinin nga administrata publike, ekonomia dhe financat, ndërsa një pjesë e vogël ishte me eksperiencë akademike. Përqendrimi kryesor ishte te përvoja në qeverisje dhe njohuritë financiare.Ndërsa më parë dominonin figurat e administratës dhe politikës, tani kemi një kombinim ku secila përvojë ka rëndësi: privatët sjellin praktikë dhe menaxhim të riskut, drejtësia siguron etikë dhe pëpruthje më të plotë me ligjin , akademikët ofrojnë analizë dhe strategji, ndërsa anëtarët aktualë garantojnë vazhdimësinë dhe njohuritë e brendshme të Këshillit.

Megjithë dyshimet e mundshme apo tabutë e disa figurave, larmia dhe eksperiencat që sjellin këta kandidatë është një vlerë për Bankën e Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës nuk drejton përditshmërinë e bankave, por vendos politika strategjike dhe kontrollon riskun; për këtë arsye, kombinimi i profileve praktike, ligjore dhe akademike mund të përforcojë stabilitetin dhe besueshmërinë e vendimeve. Në fund, kjo listë duket se ka bërë një hap të rëndësishëm drejt profesionalizmit, diversitetit dhe vendimmarrjes të balancuar, duke rritur kapacitetin e Këshillit për të mbikëqyrur me efikasitet sistemin bankar shqiptar. Mirë do të ishtë kështu për tu parë si model edhe në grehina të tjera të shtetit shqiptar… por koha do ta tregojë. 

The post Lista e ‘habitshme’ e kandidatëve për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

Pse futbolli i femrave është kaq i rëndësishëm për komunitetit LGBT+

Futbolli i femrave po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për komunitetin LGBTQ+, duke ofruar jo vetëm sport, por edhe ndjenjë përkatësie dhe komuniteti. Një nga shembujt më domethënës është “Ball Together Now”, një festival gjithëpërfshirës futbolli i themeluar në vitin 2022 në Angli, i cili mbledh ekipe jo-profesionale nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar për të luajtur futboll gjatë ditës dhe për të festuar së bashku në mbrëmje. Ngjarja karakterizohet nga një prani e fortë simbolesh queer dhe synon të përfshijë në mënyrë aktive gra, persona trans dhe jo-binarë.

Ky fenomen nuk është i izoluar. Në mbarë Evropën dhe SHBA-në, ndeshjet e futbollit të femrave po tërheqin gjithnjë e më shumë tifozë LGBTQ+, të cilët e shohin këtë sport si një alternativë më mikpritëse krahasuar me futbollin e meshkujve, ku ende dominojnë kultura e maskilizmit dhe mungesa e hapjes. Ndryshe nga loja e meshkujve, ku pothuajse nuk ka lojtarë të deklaruar hapur si LGBTQ+ në nivelet më të larta, futbolli i femrave ka një numër të konsiderueshëm lojtare të njohura publikisht për orientimin e tyre seksual, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e një atmosfere më të hapur dhe gjithëpërfshirëse.

Turnetë ndërkombëtare të futbollit të femrave pasqyrojnë qartë këtë realitet. Në Kampionatin Evropian të Femrave 2025, më shumë se 20% e lojtareve ishin hapur LGBTQ+, një përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja globale. Kjo dukshmëri ka shërbyer si magnet për tifozë të rinj, përfshirë persona që më parë nuk kishin interes për futbollin.

Në të njëjtën kohë, futbolli i femrave po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm shoqëror. Me mbylljen graduale të bareve dhe hapësirave tradicionale queer, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ndeshjet dhe aktivitetet e lidhura me futbollin e femrave po shërbejnë si “hapësira të treta” sociale, ku njerëzit mund të mblidhen pa presionin e konsumit të alkoolit apo jetës së natës.

Në SHBA, ky rol ka edhe dimension politik dhe simbolik. Futbolli i femrave ka qenë historikisht një platformë rezistence kundër diskriminimit, me figura si Megan Rapinoe që kanë kombinuar suksesin sportiv me aktivizmin për të drejtat LGBTQ+. Ky kombinim i sportit, dukshmërisë dhe angazhimit shoqëror ka forcuar lidhjen mes komunitetit queer dhe futbollit të femrave.

Edhe pse loja e femrave po fiton popullaritet dhe audiencë rekord, tifozët theksojnë se ajo vazhdon të ruajë thelbin e saj: një hapësirë e gëzueshme, e hapur dhe përfshirëse, ku sporti shërben si mjet lidhjeje shoqërore dhe afirmimi identitar. Për shumë persona LGBTQ+, futbolli i femrave nuk është thjesht një lojë, por një komunitet. Burimi:CNN

The post Pse futbolli i femrave është kaq i rëndësishëm për komunitetit LGBT+ appeared first on Gazeta Si.

Tifozët të tronditur nga çmimet shumë të larta të biletave të Kupës së Botës

Me Kupën e Botës për meshkuj që pritet të nisë në Amerikën e Veriut pas rreth gjashtë muajsh, entuziazmi i tifozëve po zbehet nga zemërimi për çmimet e biletave të zbuluara në fazën më të fundit të shitjes. Disa bileta për finalen po shiten për mbi 4,000 dollarë, duke shkaktuar kritika të gjera nga tifozët, të cilët thonë se po përjashtohen financiarisht nga turneu.

Reagimet negative erdhën pasi FIFA hapi skemën e shpërndarjes së biletave për Shoqatat Anëtare Pjesëmarrëse (PMA), e cila u lejon federatave kombëtare të futbollit t’u shesin bileta drejtpërdrejt tifozëve më besnikë përmes grupeve zyrtare të mbështetësve ose skemave të besnikërisë. Këta janë zakonisht tifozë që prej vitesh ndjekin ekipet e tyre, shpesh duke udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme për ndeshje.

Organizatat e tifozëve argumentojnë se këta mbështetës tani përballen me një zgjedhje të padrejtë: të paguajnë çmime shumë të larta ose të mbeten jashtë turneut. Football Supporters Europe (FSE) tha se ishte “i habitur” nga çmimet që i cilësoi si zhvatëse dhe i bëri thirrje FIFA-s të pezullojë shitjen e biletave derisa të gjendet një zgjidhje që respekton traditën, universalitetin dhe rëndësinë kulturore të Kupës së Botës.

Sipas FSE-së, një tifoz që ndjek ekipin e tij nga faza e grupeve deri në finale do të duhet të shpenzojë të paktën 6,900 dollarë vetëm për bileta – gati pesë herë më shumë se gjatë Kupës së Botës së mëparshme në Katar. Kjo shumë nuk përfshin shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, të cilat pritet të jenë të konsiderueshme në vendet pritëse: Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Duke marrë si shembull Anglinë, Federata Angleze e Futbollit i informoi tifozët se bileta më e lirë për ndeshjen hapëse të Anglisë kundër Kroacisë kushton 265 dollarë. Nëse Anglia do të arrinte në finale, çmimet e biletave do të varionin nga 4,185 deri në 8,680 dollarë. Për më tepër, tifozët duhet t’i paguajnë këto bileta që në fillim të vitit 2026.

Shoqata e Mbështetësve të Futbollit (FSA), që përfaqëson tifozët në Angli dhe Uells, tha se këto çmime janë përtej mundësive të shumë mbështetësve dhe akuzoi FIFA-n se po shfrytëzon besnikërinë e tifozëve për fitim.

Nga ana e saj, FIFA ka këmbëngulur se turneu do të jetë i përballueshëm, duke theksuar se ekzistojnë bileta më të lira – duke nisur nga 60 dollarë për disa ndeshje të fazës së grupeve. Megjithatë, këto bileta më të lira nuk janë të disponueshme përmes sistemit PMA, që do të thotë se tifozët më besnikë të përfaqësuar nga federatat kombëtare nuk kanë akses në to.

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, ndeshjet e fazës së grupeve do të kenë çmime dinamike sipas kërkesës, çka do të thotë se tifozë nga vende të ndryshme do të paguajnë çmime të ndryshme për ndeshje të së njëjtës fazë. Grupet e tifozëve argumentojnë se kjo minon traditën e turneut dhe rrezikon të dëmtojë atmosferën, duke përjashtuar mbështetësit afatgjatë.

Ndërsa kritikat po shtohen, presioni ndaj FIFA-s po rritet që ajo të rishikojë strategjinë e çmimeve dhe të sigurojë që Kupa e Botës e vitit të ardhshëm të mbetet e aksesueshme për tifozët që prej kohësh janë në zemër të futbollit.

The post Tifozët të tronditur nga çmimet shumë të larta të biletave të Kupës së Botës appeared first on Gazeta Si.

Simbolika e kafazit të xhamit për Veliajn

Kërkesa e Erion Veliajt për të mos u mbajtur në “kafazin e xhamit” gjatë seancave në GJKKO nuk ishte thjesht një detaj procedural. Ajo është një betejë për imazh, perceptim publik dhe kontroll narrativ, e cila shkon përtej mureve të sallës së gjyqit.

“Kafazi i xhamit” ka një simbolikë të fortë në opinionin publik. Në shumë vende, ai përdoret për të izoluar të pandehur që konsiderohen të rrezikshëm ose me rrezik arratisjeje. Për pasojë, pamja e një personi brenda këtij izolimi mund të krijoj idenë e fajësisë, të krimit të rëndë dhe të cenimit të sigurisë.

Nga pikëpamja humane dhe vizuale, kafazi është po aq simbol denigrues sa edhe sigurie. I izoluar në një kuti xhami, i pandehuri duket i mbyllur, i kontrolluar dhe i reduktuar në një figurë të pafuqishme. Për një kryebashkiak të Tiranës, një nga figurat politike më të ekspozuara të viteve të fundit, ky imazh është politikisht shkatërrues.

Për këtë arsye, kërkesa e Veliajt nuk është vetëm juridike. Ajo është një përpjekje për të shmangur një dëm të madh simbolik. Çdo dalje para kamerave brenda kafazit e kthen procesin gjyqësor në një spektakël vizual, ku mbizotëron fotoja, jo fakti; imazhi, jo argumenti. Në këtë kuptim, kërkesa e tij është një strategji për të mbrojtur jo vetëm të drejtat e tij procedurale, por edhe kapitalin e tij politik dhe ndërkohë edhe minmizuar barrën e akuzave të rënda ndaj tij.

Nga ana tjetër, GJKKO ka refuzuar kërkesën duke argumentuar se kafazi garanton standardet e sigurisë në sallë. Kjo përplasje mes simbolikës dhe teknikaliteteve ligjore e çon procesin drejt një debati më të gjerë mbi standardet e drejtësisë në Shqipëri: a duhet që një i pandehur i profilit të lartë të trajtohet si çdo qytetar tjetër, apo trajtimi duhet të shmangë perceptimin e paragjykimit?

Në fund, pavarësisht se Veliaj e humbi këtë betejë të vogël brenda seancës, një gjë është e qartë: në proceset gjyqësore , drejtësia nuk zhvillohet vetëm në sallë, por edhe jashtë saj — në perceptim, në imazh dhe në mënyrën si një fotografi mund të kthehet në gjykim publik përpara vendimit të gjykatës.

The post Simbolika e kafazit të xhamit për Veliajn appeared first on Gazeta Si.

Sonambulisëm- Buxheti që na garanton të hamë e të jashtëqitim

Nga Gazeta ‘Si’- Në Kuvend ka nisur të miratohet një buxhet prej 8.8 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm. Në letër, mund të tingëllojë i mirë: parashikon rritje pagash, pensionesh dhe fonde sociale. Ka edhe rreth 1.8 miliardë lekë për investime publike. Por realiteti nuk është letër dokumenti.

Ky buxhet, me një rritje ekonomike të parashikuar prej 3.9% — vërtitet e njëjta për shtatë vite me radhë — u garanton shqiptarëve vetëm të hanë e të jashtëqitet. Pikë së pari, sepse shifra e rritjes ekonomike në vetvete është një tregues i pesimizmit racional: me këtë ritëm nuk t’i afrohemi më shpejtësine e duhur as standardeve minimale të jetës që ka Bashkimi Europian.

Edhe pse shpenzimet buxhetore janë rritur me rreth 7%, ky zgjerim mbetet i vogël në raport me nevojat e zhvillit të vendit. Fokus i madh i është dhënë rritjes së pagave, pensioneve dhe mbrojtjes sociale — e cila është e domosdoshme — por shpenzimet kapitale për investime strategjike mbeten relativisht të kufizuara. Ndaj buxheti i ri nuk e rrit produktivitetin, nuk forcon sektorët inovativë dhe nuk zgjidh problemin e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.

Rritja e pagave minimale dhe e pensioneve ka një efekt të kufizuar në mirëqenie për shkak të inflacionit, kostos së jetesës dhe mungesës së punësimit cilësor dhe investimeve që krijojnë vende pune të qëndrueshme. Shpenzimet kryesore shkojnë drejt administratës dhe jo drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese të ekonomisë.

Një shqetësim i madh mbetet drejtësia fiskale. Politika fiskale e shprehur përmes amnistisë fiskale duket se favorizon të pasurit dhe ata që shmangin taksat, ndërsa qytetarët që paguajnë rregullisht nuk gjejnë shpërblim. Në mungesë të një strategjie të qartë për të ndarë barrën fiskale dhe për të inkurajuar bizneset e vogla dhe të mesme të formalizohen, buxheti rrezikon të mbetet një instrument që vijon të ndihmojë më shumë bizneset e forta sesa qytetarët e thjeshtë.

Nga ana tjetër, kapaciteti i dobët institucional dhe korrupsioni e rrëzojnë buxhetin në praktikë. Shqipëria vazhdon të përballet me një nivel të lartë korrupsioni dhe ndikimi të interesave klienteliste në shpërndarjen e fondeve publike. Institucionet publike vazhdojnë të dallohen për mungesë transparence dhe pavarësie, duke ulur besueshmërinë dhe efektivitetin e kontrollit mbi shpenzimet.

Ky vit sjell edhe një kontekst të ri: SPAK dhe hetimet në nivele të larta drejtuese kanë krijuar një mjedis të bllokuar, të frikësuar brenda një administrate që nuk dallon për cilësi ekzekutive.

Administrata publike duket e mpirë nga frika: pak njerëz marrin vendime, shumica refuzojnë të firmosin, dhe vendimet vonohen. Fryma e përgjegjësisë mungon nga frika e vendimeve të paqarta e të kontestueshme, qoftë edhe nga drejtësia e re.

Më shumë sot kanë rëndësi tabulatet e përgjimeve që enkas dalin në media sesa draftet e projekteve të zhvillimit.

I njomi e i thati janë bërë bashkë dhe është mëse e pritshme të krijohet një periudhë pritjeje derisa të shpërndahen retë. Por një buxhet i mirë, pa njerëzit që do ta ekzekutojnë dhe në një mjedis të bjerrë vetëm një gjë garanton: sonambulizëm.

Atëherë ç’kuptim ka të flasim për buxhetin e ri që personifikon të ardhmen, kur e ardhmja është njësoj si sot, e kur në buxhet secili nga ne është veç një numër pa aspirata?!

The post Sonambulisëm- Buxheti që na garanton të hamë e të jashtëqitim appeared first on Gazeta Si.

Shqipëria u zhvesh nga turpi, politikanët – mëkatarë të vonuar

Nga Gazeta ‘Si’- Pas 12 vitesh kërkesash dhe tri vitesh pritje nga miratimi në Kuvend, Shqipëria ka vënë më në fund në funksion Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale – një masë që pritej prej kohësh dhe që shënon një kthesë të vonuar, por të domosdoshme, në mënyrën si shteti dhe shoqëria përballen me dhunën seksuale.

Ky regjistër, tashmë i aksesueshëm përmes e-Albania, i jep qytetarëve mundësinë të verifikojnë personat e dënuar për abuzim seksual, duke forcuar mbrojtjen e fëmijëve dhe besimin tek institucionet.

Në një vend ku, sipas të dhënave të vitit 2024, krimet seksuale janë rritur me rreth 30%, krijimi i këtij regjistri është shumë më tepër se një hap administrativ: është një sinjal që shteti dhe shoqëria kanë filluar të pranojnë realitetin e dhunës seksuale si plagë sociale që kërkon përgjigje serioze.

Vonesa 12-vjeçare për miratimin e ligjit nuk ishte e rastësishme. Ajo lindi nga frika politike për të prekur tema të ndjeshme, që shpesh përplasen me bindjet morale, fetare apo familjare të publikut. Për shumë vite, politika shqiptare ka zgjedhur rrugën e lehtë — duke shpenzuar energji në debate të vogla, akuza të përditshme apo çështje dytësore — në vend që të përballet me realitetet e rënda që prekin jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, edhe kultura shoqërore e heshtjes dhe turpit ka bërë pjesën e saj. Për shumë familje shqiptare, abuzimi seksual ka qenë një “sekret” që duhej fshehur, jo një krim që duhej denoncuar. Kjo klimë heshtjeje ka ushqyer për vite me radhë pandëshkueshmërinë. Regjistri i ri e prish këtë cikël: ai e zhvendos barrën nga viktima te sistemi, nga fshehja te transparenca.

Përfitimet janë të qarta: fëmijët dhe të rinjtë mbrohen më mirë, institucionet kanë detyrim ligjor për verifikim, dhe shoqëria fiton një instrument real për parandalim. Por përtej praktikës, ky hap ka një domethënie më të thellë politike: është një kujtesë se një politikë serioze matet jo nga fjalët, por nga aftësia për të trajtuar plagët e shoqërisë.

Në një kohë kur vendi shpesh mbetet peng i polemikave të pavlera, ky ligj tregon se politika shqiptare duhet të gjejë më shumë kohë për çështjet që prekin jetën reale të njerëzve — fëmijët, sigurinë, dinjitetin — dhe më pak për luftëra fjalësh që s’ndryshojnë asgjë.

Regjistri i krimeve seksuale nuk është vetëm një mjet ligjor; është një test për ndërgjegjen e politikës dhe për seriozitetin me të cilin ajo i shërben shoqërisë që përfaqëson.

The post Shqipëria u zhvesh nga turpi, politikanët – mëkatarë të vonuar appeared first on Gazeta Si.

Taulant, po kur të bëhen zgjedhjet — si do t’i respektosh kuotat e kandidatëve përveç burrit e gruas?

Në Kuvendin e Shqipërisë, debati për projektligjin e ri të Barazisë Gjinore është kthyer nga një diskutim mbi standardet e integrimit europian, në një arenë përplasjesh politike. Përplasja e sotme mes Sali Berishës dhe Taulant Ballës është vetëm sipërfaqja e një problemi më të thellë: mungesa e një diskutimi të ndershëm mbi përmbajtjen reale të ligjit.

Nga pyetja ligjore te përplasja politike

Në qendër të debatit, Berisha ngriti një pyetje të thjeshtë dhe legjitime:

“A ekziston ndonjë direktivë e Bashkimit Europian që kërkon përfshirjen e koncepteve si ‘përkatësi të shumëfishta gjinore’ apo ‘gjini gjithëpërfshirëse’ në ligjin shqiptar?”

Kjo është një pyetje juridike që meriton një përgjigje faktike, pasi Shqipëria po justifikon ndryshimet ligjore si pjesë të procesit të integrimit europian.
Por në vend të një përgjigjeje, Balla reagoi në plan politik dhe etik, duke e akuzuar Berishën për sulm ndaj ambasadorëve të BE-së dhe kërkuar masa disiplinore në Komisionin e Etikës.

Kështu, thelbi u zëvendësua nga retorika politike, dhe çështja juridike mbeti pezull.
Në vend që të sqarohej burimi i konceptit të “gjinisë gjithëpërfshirëse”, debati u kthye në një duel mbi qëndrime personale dhe qëllime politike.

Një ligj me shumë ambicie, por me pak qartësi

Projektligji synon të modernizojë kuadrin e barazisë gjinore, duke përfshirë terma si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”.
Por këto terma, megjithëse përdoren në gjuhën e politikave europiane, nuk kanë përkufizime të qarta ligjore në draftin shqiptar.

A do të njihet ligjërisht më shumë se dy gjini në dokumentet zyrtare?
Si do të trajtohen rastet në të cilat individët vetëidentifikohen jashtë kategorive tradicionale “burrë” dhe “grua”?
Në mungesë të përgjigjeve të qarta, rrezikohet që ligji të bëhet më shumë deklarativ se funksional.

Kuotat gjinore në krizë konceptuale

Një nga dilemat më të prekshme është ajo e kuotave gjinore, që ekzistojnë në shumë ligje shqiptare — nga përfaqësimi në politikë deri te bordet publike.
Nëse pranohet që gjinia nuk është më binare, si do të zbatohen kuotat aktuale?

A do të krijohen kuota për gjini të tjera, përtej burrave dhe grave?
Nëse po, mbi çfarë baze ligjore dhe statistikore do të përcaktohen ato?
Këto janë pyetje që projekti i ligjit nuk i adreson, duke hapur një boshllëk të madh interpretimi që mund të sjellë vështirësi praktike dhe madje konflikte juridike.

Mes BE-së dhe realitetit shqiptar

BE-ja promovon barazi dhe përfshirje, por nuk kërkon detyrimisht uniformizim konceptual mbi gjininë.
Direktivat europiane flasin për mosdiskriminim, jo për rishpikje të përkufizimit të gjinisë.
Në këtë kuptim, duket se projektligji shqiptar ka shkuar përtej kërkesave të Brukselit, duke futur koncepte që nuk janë ende të konsoliduara as në vendet anëtare.

Përfundim: një ligj që kërkon më shumë qartësi

Në vend që të shihet si një “betejë morale” mes politikës, debati për këtë ligj duhet të rikthehet aty ku i takon — në analizën juridike, institucionale dhe shoqërore.
Nëse qëllimi është të garantohet barazia, atëherë qartësia ligjore është hapi i parë drejt saj.
Sepse një ligj që përpiqet të përfshijë të gjithë, por nuk di kë përfshin dhe si, rrezikon të mos mbrojë askënd.

The post Taulant, po kur të bëhen zgjedhjet — si do t’i respektosh kuotat e kandidatëve përveç burrit e gruas? appeared first on Gazeta Si.

E megjithatë, Tirana mbetet pa kryetar

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli të pavlefshëm shkarkimin e Erion Veliajt i dha fund një beteje ligjore, por hapi një plagë shumë më të thellë: Tiranën e drejton një kryetar në paraburgim.
Ligjërisht ai mbetet në detyrë. Moralisht, qyteti është pa drejtim.
Në këtë boshllëk, ndeshen për herë të parë dy nocione që shpesh përzihen në politikën shqiptare: ligjshmëria dhe përgjegjësia publike.

Kriza e moralit

Kryetari i bashkisë është figura më e afërt me qytetarin. Ai nuk bën politika të mëdha, por merret me dritat, rrugët, pastrimin, ndihmën sociale — me jetën e përditshme.
Kur ky njeri ndodhet në paraburgim, pavarësisht pafajësisë ligjore, lind një boshllëk moral që asnjë argument juridik nuk e mbush dot. Pafajësia është parim themelor. Por qeverisja nuk është privilegj, është përgjegjësi. Nëse një i zgjedhur nuk mund ta ushtrojë këtë përgjegjësi, vazhdimi formal në detyrë kthehet në mungesë respekti për qytetin që e zgjodhi. Kështu, ligji mbetet në fuqi, por besimi publik shkon në krizë.

Kostoja politike e vakumit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka mbrojtur autonominë vendore, por ka lënë pas një boshllëk praktik: Qeveria nuk mund të shkarkojë pa shkelur Kushtetutën; Këshilli Bashkiak nuk mund të përsërisë të njëjtin vendim dhe Presidenti nuk mund të shpallë zgjedhje të reja.

Rezultati: një qytet me kryetar formal, por pa udhëheqje reale.
Në politikë, boshllëku është më i rrezikshëm se konflikti, sepse krijon një vakum ku askush nuk mban përgjegjësi të plotë. Në këtë rast, Tirana është peng i një procesi gjyqësor dhe i një ligji që nuk parashikon asnjë zgjidhje humane.

Kur Europa flet me shembuj

Në vende të tjera të Europës, kjo situatë do të ishte zgjidhur me ndërgjegje dhe institucione, jo me formalizma.

Në Itali, një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim pezullohet automatikisht; detyrën e merr nënkryetari ose një komisar i përkohshëm.

Në Francë, zakonisht dorëhiqet vetë, për të mos e vënë qytetin në krizë morale.

Në Spanjë, pezullimi është automatik derisa drejtësia të vendosë, ndërsa në Greqi nevojitet vendim gjykate për ta balancuar proporcionalisht.

Në të gjitha këto vende, interesi i qytetarëve vjen përpara fatit personal të zyrtarit.
Ligji dhe morali ecin bashkë, jo kundër njëri-tjetrit.

Nevoja etike për dorëheqje

Në kushtet aktuale, zgjidhja më e ndershme dhe më dinjitoze është mundësia që Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen, derisa drejtësia të përfundojë procesin ndaj tij. Një akt i tillë nuk do të ishte pranim faji, por shenjë respekti për qytetin. Do të tregonte se drejtimi i Tiranës nuk është një trofe personal, por një shërbim publik që kërkon prani, vendimmarrje dhe përgjegjësi.
Një dorëheqje e tillë do ta çlironte administratën, qytetarët dhe vetë Veliajn nga një situatë e padrejtë për të gjithë.  

Përfundim: Tiranës i duhet drejtim, jo justifikime

Shqipëria ka nevojë për një reformë që të parashikojë pezullimin e përkohshëm të funksionarëve të zgjedhur në raste paraburgimi, si në shumicën e vendeve evropiane.
Një mekanizëm i tillë do të ruante ekuilibrin mes pafajësisë ligjore dhe përgjegjësisë publike, duke shmangur kriza si kjo që po përjeton kryeqyteti.

Në fund, demokracia nuk matet me numrin e mandateve që mban një individ, por me cilësinë e shërbimit që merr një qytet.
Dhe sot, Tirana ka nevojë për drejtim të vërtetë, jo për justifikime ligjore.

The post E megjithatë, Tirana mbetet pa kryetar appeared first on Gazeta Si.

Një kufomë nuk mund të qajë

Nga Enkeleid Llanaj-Vrasja e një gjyqtari brenda në sallën e gjyqit duhej të kishte nxjerrë shqiptarët në rrugë. Shqipëria duhej të kishte bërtitur. Mallkimi i gjithsecilit prej nesh që në këtë vend nuk jetohet, nuk duhet të tingëllonte si një ogurzi, përkundrazi. Sepse nëse vritet një gjyqtar — ai që mban në dorë drejtësinë — atëherë secili prej nesh është i pambrojtur dhe jeta jonë është në rrezik.

Por kjo britmë nuk erdhi. Pas disa reagimeve të zakonshme institucionale dhe komenteve në media, jehona u shua shpejt. Pse? Sepse jemi kthyer në një komb-kufomë — të ngurtësuar nga apatia, të mpirë nga përditshmëria, të paralizuar nga lodhja e vazhdueshme dhe pritjet e gjata. Një trup i gjallë në pamje, por me shpirt të vdekur, që s’ka më forcën të qajë, të reagojë apo të luftojë.

Kemi rrugë të reja, shërbime të përmirësuara, teknologji që hyjnë në jetën tonë. Por ritmi i të bërit të gjërave është aq i ngadaltë, saqë për të ndjerë frytet e tyre duhet të presësh më shumë se një jetë të tërë. Ne nuk mund ta harxhojmë jetën duke pritur qetësinë në një jetë tjetër.

Shumë prej nesh do të enden sërish në korridoret e gjykatave, në pritje të vendimeve që zvarriten me vite. Të tjerë luftojnë për bukën e përditshme, për një punë që nuk mjafton për të jetuar. Të tjerë shajnë dhe fyjnë këtë shoqëri urbane me trafik të rënduar dhe, alla shqiptare, që në vend të zgjidhjeve për shumë vite po shkon drejt rëndimit. Të tjerë janë lodhur nga mungesa e një shtëpie për ta blerë ose marrë me qira, sepse çmimet kanë shkuar më lart se maja më e lartë e shumëkatësheve të Tiranës. Jemi të lodhur nga mungesa e shërbimeve të plota shëndetësore dhe çmimet e banesave që fluturojnë mbi çdo logjikë. Shumë fëmijë largohen nga vendi, dhe shpresa duket mall shumë i shtrenjtë për t’u poseduar.

Jeta në Shqipëri është një spiralë e pafundme sfidash: zgjidh një problem, dalin tre të tjerë. Dhe mbi plagët e vjetra shtohen plagë të reja. Ne jemi një komb që ecën, por ecja është kaq e ngadaltë, saqë shpesh ndjehemi si një kufomë që përpiqet të lëvizë.

Në këtë gjendje, një vrasje ndoshta na trondit për pak, por nuk na alarmon më. Dhe kjo është gjëja më frikshme: kur e keqja bëhet zakon dhe kur një komb humbet shpirtin e tij.

Kjo apati nuk lindi vetvetiu. Ka rrënjë dhe autorë që e ushqejnë këtë gjendje. Kur të kemi guximin të kuptojmë kush e mbolli këtë murtajë shoqërore, atëherë do të kemi ngritur kokën dhe do të shikojmë më larg se përditshmëria që na mbyt. Dhe vetëm atëherë do të kuptojmë se nuk mund të presim një jetë tjetër për të gjetur qetësinë që na takon në këtë jetë.

The post Një kufomë nuk mund të qajë appeared first on Gazeta Si.

Pa viza në SHBA/ Një shuplakë nga maqedonasit e veriut për qeverinë e shqiptarëve në Tiranë

Nga Redaksia | Gazetasi.al /Megjithëse Shqipëria konsiderohet një partner më i avancuar strategjikisht me Shtetet e Bashkuara sesa Maqedonia e Veriut, realiteti për qytetarët shqiptarë është ndryshe. Në terma konkretë, shqiptarët vazhdojnë të përballen me pengesa për të udhëtuar drejt SHBA-së, ndërsa maqedonasit po afrohen çdo ditë e më shumë drejt udhëtimit pa viza. Kjo tregon se një partneritet politik nuk garanton domosdoshmërisht përfitime të prekshme për qytetarët.

Shqipëria është shpallur në mënyrë të përsëritur si një nga partnerët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor. Nga pjesëmarrja në misionet e NATO-s, te përkrahja për politikat amerikane në forume ndërkombëtare, e deri tek hapja e bazës ajrore në Kuçovë – marrëdhënia mes dy vendeve ka marrë përmasa të konsiderueshme politike dhe ushtarake. Megjithatë, kjo miqësi nuk përkthehet gjithmonë në lehtësira konkrete për qytetarët. Një shembull i qartë është fakti që Shqipëria nuk është ende pjesë e programit amerikan të udhëtimit pa viza (Visa Waiver Program), ndryshe nga fqinjët në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë tashmë shumë afër përfshirjes në këtë skemë.

Udhëtimi pa viza: Një realitet për fqinjët, një ëndërr për shqiptarët

Ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet të përfitojnë së shpejti nga mundësia për të udhëtuar drejt SHBA-ve pa pasur nevojë për vizë turistike apo biznesi, shqiptarët vazhdojnë të përballen me procedura të gjata, pagesa të larta dhe, në shumë raste, refuzime të pashpjeguara. Ky kontrast nuk është rezultat i ndonjë politike favorizuese ndaj njërit apo tjetrit vend, por i një procesi teknik dhe të bazuar në të dhëna, që SHBA aplikon për çdo shtet që kërkon të futet në Visa Waiver Program.

Çfarë kërkon Visa Waiver Program?

Programi i udhëtimit pa viza është një skemë federale që u lejon shtetasve të vendeve të pranueshme të hyjnë në SHBA për deri në 90 ditë, për turizëm ose biznes, pa aplikuar për vizë. Për t’u kualifikuar, një shtet duhet të përmbushë kritere shumë të qarta, përfshirë normë refuzimi të vizave B1/B2 më pak se 3%, kontroll të lartë të sigurisë kufitare dhe pasaportave biometrike, marrëveshje për shkëmbim informacioni mbi sigurinë dhe terrorizmin, si dhe numër të ulët të qëndrimeve të paligjshme nga shtetasit e vet në SHBA.

Ku qëndron Shqipëria?

Pavarësisht lidhjes së ngushtë politike me SHBA-në, Shqipëria nuk e përmbush ende shumicën e këtyre kritereve. Norma e refuzimit të vizave për shqiptarët është mbi 30%, shumë mbi pragun 3%. Emigracioni informal dhe qëndrimet e paligjshme në SHBA nga qytetarë shqiptarë janë ende shqetësim. Marrëveshjet për ndarjen e informacionit të sigurisë janë në progres, por jo të përfunduara. Këto janë fakte që vendosen përmes një sistemi të standardizuar amerikan dhe nuk varen nga marrëdhëniet diplomatike, sado të afërta që të jenë.

Rruga e Maqedonisë së Veriut: Një qasje e matshme

Maqedonia e Veriut ka ndjekur një qasje konsistente dhe të fokusuar drejt përmbushjes së kushteve teknike të kërkuara nga programi amerikan. Me norma të ulëta refuzimi dhe bashkëpunim të ngushtë në çështjet e sigurisë, ajo është tashmë një hap larg përfshirjes në Visa Waiver Program – një zhvillim që pritet të finalizohet në muajt në vijim.

Nga partneriteti strategjik, tek përfitimi qytetar

Ky zhvillim ngre një pyetje legjitime për Shqipërinë: A po përkthehet partneriteti strategjik me SHBA-të në përfitime të prekshme për qytetarët shqiptarë? Nëse shqiptarët e zakonshëm, që duan të udhëtojnë për turizëm, takime familjare apo ngjarje kulturore, vazhdojnë të përballen me barriera burokratike dhe refuzime sistematike, atëherë miqësia në nivele të larta politike mbetet simbolike në sytë e publikut.

Rruga përpara: Përgatitje, jo pritje

Përfshirja në Visa Waiver Program nuk është çështje e diplomacisë së lartë, por çështje përgatitjeje shtetërore. Institucionet shqiptare duhet të reduktojnë ndjeshëm normat e refuzimit për vizat turistike, të forcojnë kontrollet mbi emigracionin e paligjshëm, të finalizojnë marrëveshjet për ndarjen e të dhënave të sigurisë dhe të përmirësojnë cilësinë dhe integritetin e pasaportave biometrike. Vetëm përmes këtyre hapave të matshëm Shqipëria mund të afrohet realisht me mundësinë për t’u bërë pjesë e programit që qytetarët e saj e presin prej vitesh.

Miqësitë e qëndrueshme maten me rezultate

Miqësia dhe partneriteti i Shqipërisë me SHBA-të nuk vihet në dyshim. Por është koha që kjo marrëdhënie të pasqyrohet edhe në jetën e qytetarëve të zakonshëm, jo vetëm në deklaratat zyrtare. Visa Waiver Program nuk është një favor diplomatik – është një standard që kërkon angazhim konkret. Dhe për këtë, topi është në fushën tonë.

Në fund të fundit, partneriteti pa përfitim qytetar nuk është strategjik – është ceremonial.

The post Pa viza në SHBA/ Një shuplakë nga maqedonasit e veriut për qeverinë e shqiptarëve në Tiranë appeared first on Gazeta Si.

Daniel Shima, zhdukja e njeriut që di shumë apo edhe që ka bërë shumë

Nga Gazeta ‘Si’- Daniel Shima, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), u raportua si i zhdukur më 20 gusht 2025, pasi familjarët humbën kontaktin me të.

Rreth orës 17:00, ai i dërgoi të dashurës një mesazh ku shkruante “po më arrestojnë”, pas së cilës nuk u komunikua më për disa orë.

Rreth 10 orë më vonë, Shima u rikthye në banesë dhe deklaroi se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren. Sidoqoftë, mënyra e zhdukjes dhe itinerari i lëvizjeve të tij kanë ngritur dyshime të forta. Pamje sigurie e kanë filmuar atë në zona si Qyteti Studenti dhe rruga pranë tunelit Tirana–Elbasan, por asnjë shpjegim i plotë nuk u dha për itinerarin, takimet apo mesazhin alarmues që dërgoi.

Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Daniel Shima ka qenë nën vëmendjen e SPAK për shkak të rolit të tij në dhënien e disa tenderave të dyshimtë gjatë kohës që mbante postin e zv.drejtorit në AKSHI. Ndër më të përfolurit është tenderi prej 43 milionë eurosh i fituar nga kompania “Advanced Business Solutions (ABS)”, e lidhur me dyshime për favorizime dhe korrupsion institucional.

Sipas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Shima është kërcënuar drejtpërdrejt nga Kryeministri për të heshtur, pasi ai është në dijeni të strukturës së brendshme dhe përfitimeve që lidhen me tenderat e teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Ahmetaj e cilëson AKSHI-n si një qendër e abuzimeve me fonde publike dhe thotë se ish-drejtuesit si Shima kanë qenë nën presion për të mos dëshmuar.

Përplasjet e brendshme brenda AKSHI-t përmenden gjithashtu në disa raportime. Shima përshkruhet si pjesë e një grupi interesi që ka pasur përballje të vazhdueshme me një tjetër grup të lidhur me figura të afërta me pushtetin. Sali Berisha, në një deklaratë të tij publike, e ka cilësuar AKSHI-n si “sipërmarrje private të Ramës”, ndërsa Shimën e ka vendosur në qendër të një “cikloni mafioz” që kontrollon tenderat dhe kontratat shtetërore në fushën e teknologjisë.

Rikthimi i tij në banesë pas zhdukjes nuk e ka shuar dyshimin publik se Daniel Shima “di shumë” dhe se “ka bërë shumë” ndërsa vetë ngjarja mbetet e paqartë dhe e hapur për hetim më të thelluar. Deri tani, nuk ka pasur deklaratë nga SPAK apo institucionet për zhvillimet e fundit që lidhen me këtë rast.

Burimet:


The post Daniel Shima, zhdukja e njeriut që di shumë apo edhe që ka bërë shumë appeared first on Gazeta Si.

❌