Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Albi Qamili në PodGo: Këtë mandat në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore



Zv.kryetari i Tetovës Albi Qamili, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për pozitën e tij të re në Komunën e Tetovës, mandatin e ri, si dhe ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.

Ai tha se që i ri është angazhuar në çështjet shoqërore, ndërsa kujtoi edhe momentet kur është arrestuar nga policia. Qamili tha se në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që këshilltarët komunal të emërohen zv.kryetar të komunës.

- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

"Në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që njëri nga këshilltarët komunal të emërohet zv.kryetar, i cili do të ketë kompetenca të deleguara në rast të mungesë së kryetarit. Në aspektin praktik jam dora e djathtë e tij në punët e përditshme. E dini vëllimin e punëve të kryetarit Bilall Kasami dhe ai ka vlerësuar që të ketë një dorë të djathtë".

"Që i ri kam qenë i prirur për çështjet shoqërore. Vitet më të mira që i kujtoj dhe që më kanë formësuar më shumë si njeri janë ato vitet e opozitarizmit. Ju e dini se gjithë atë aktivitet që e kemi bërë, gjithë ato aksione guerile, bashkë me shokë shpesh kemi përfunduar në stacione policore, por kjo na ka bërë të vazhdojmë edhe më fortë. Madje i falënderoj ata për ato më kanë ndodhur", tha Qamili.

Sa i përket mandatit të ri të Bilall Kasamit në Komunën e Tetovës, Qamili tha se do të realizohen shumë projekte.

"Mandati i parë ishte për ta stabilizuar Tetovën nga ajo katrahurë që e la udhëheqësia e kaluar. Në katër vitet e ardhshme në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore. Po ndërtohen dy shkolla të reja të mesme, që asnjëherë nuk ka ndodhur. Gjimnazi 7 Marsi dhe Shkolla Tekstile do të bëhen me objekte të reja. Prioritet është që të përfundohet stadiumi i qytetit, ku përfundimisht Shkëndija lojërat evropiane t'i luajë në stadiumin e qytetit. Po ndërtohen pishina të reja, ndërtohen salla sportive. Komuna e Tetovës është e vetmja që ka asfaltuar më shumë rrugë pas zgjedhjeve, sesa para zgjedhjeve. Tetova do të jetë me problemet bazë të rregulluara", tha Qamili.

Ai foli edhe për Komisionin për riemërtimin e rrugëve në Tetovë, tek i cili u zgjodh kryetar, ndërsa tha se emrat e rinj të rrugëve të Tetovës do të pasqyrojnë realitetin dhe identitetin e qytetit.

"Rrugët e Tetovës mbi të gjitha të pasqyrojnë realitetin e Tetovës, sepse emërtimet aktuale nuk pasqyrojnë asnjë realitet të Tetovës. Kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar, por edhe për atë maqedonas. Kemi në Tetovë rrugë të quajtur “Lenin”, shkollë të quajtur “Nikolla Shtejn”, që nuk përfaqësojnë askënd”, tha Albi Qamili./Telegrafi/

Formohet komision për emërtimin e rrugëve në Tetovë, debat politik nëse duhen riemërtuar rrugët që tashmë kanë emra



Në Tetovë u formua komision për emërimin dhe riemërtimin e rrugëve. Ky vendim i Këshillit komunalë ngjalli reagime te partitë LSDM dhe "E Majta", ndërsa OBRM-PDUKM u shpreh pro emërtimit të rrugëve që nuk kanë emra, por kundërshtoi ndërrimin e emrave ekzistues. Edhe përkundër përplasjeve, grupi i punës për u formua, ndërsa do të kryesohet nga këshilltari Albi Qamili.

“Nuk mendoj që do ketë ndonjë problem, sepse e thash, riemërtimi i rrugëve në Tetovë në pasqyrojë realitetin qytetar, karakterin urban, historinë e identitetin e Tetovës dhe nuk mendoj që do kemi ndonjë mosmarrëveshje. Kryesisht do të jemi të fokusuar tek rrugët që nuk kanë aspak emër, por edhe emrat e rrugëve ekzistuese do kenë pa dyshim ndryshime”, theksoi Albi Qamili – kryetar i grupit të punës për emërtim të emrave të rrugëve.

Këshilltari i AKI-së në komunë, Arlind Murtezani, kishte kritika ndaj shumicës së këshilltarëve, pasi siç tha, kryetari nuk ua jep fjalën këshilltarëve.

“U emërova si anëtar i Komisionit për riemërtimin e rrugëve ku do të ketë edhe ndryshime, përveç emërimeve që janë caktuar, për shkak se nuk e lidhën Tetovën me emrat si “JNA”, “Marshall Tito” e kështu me radhë, do të kërkoj që të ndryshohen këto rrugë, por këtë seancë më e rëndësishëm ishte se shumica e demonstroi fuqinë e saj duke më përjashtuar mua si këshilltar, duke u munduar të mos ma jap fjalën që më takon dhe e kam obligim. Kryetari i këshillit, së bashku me shumicën, e prunë një vendim të atillë duke u arsyetim se bëjmë shkelje të procedurës së këshillit”, tha Arlind Murtezani Këshilltar i AKI-së.

Aktualisht në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emër.

"Safe City" në Tetovë, vendosja e shenjave paralajmëruese për radar dhe kamera është në proces



Edhe pse kamerat e sigurisë nga sistemi "Safe City" janë vendosur, në rrugët e Tetovës dhe bulevarde, nuk ka shenja paralajmëruese për kamera apo radar për matje të shpejtësisë, që janë parakusht për funksionimin e kësaj aparature dhe dënimin e vozitësve.

Zëvendës kryetari Albi Qamili, thotë se tenderi për furnizime me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania.

“Në fillim të këtij muaji menjëherë është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, sinjalistikës vertikale pra të semaforëve dhe shenjave të komunikacionit. Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korespondon me sistemin “Safe City” i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues.”, tha Qamili.

Kujtojmë se zbatimi i sistemit Safe City do të filloj nga 1 shkurti, me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të gjobiten.

Tetova për pesë muaj me 100 nxënës më pak



Emigrimi jashtë shtetit nuk ka të ndalur!

Këtë më së miri po e dëshmojnë klasat gjithnjë e më të zbrazëta nëpër shkollat e Tetovës.

Vetëm për 5 muaj, 100 nxënës më pak.

Shumë nxënës kanë marrë fletëshpërngulje nga shkollat, për t’u larguar me familjet jashtë shtetit.

Në qytet më e prekur nga fenomeni i ikjeve është shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”.

Drejtoresha Sihana Kaba-Kasami na tregon se tani shkolla ka thuajse një klasë më pak.

“Ky është një fenomen që kohëve të fundit ka marr përmasa shumë të mëdha. Po të shohim në nivel të komunës me 12 shkolla fillore është një fakt shqetësues sepse kemi një shpërngulje me të madhe, zakonisht nxënësit na shpërngulen në Evropë por më së shumti i kemi në Itali dhe Gjermani dhe shumë pak kemi në shtet tjera. Sa i takon shkollës tonë ne fillim të vitit në fillim të vitit shkollor kishin 1048 nxënës në shtator , dhe nga shtatori deri në janar kur jemi tash na kanë shkuar 22 nxënës , dhe kjo është brengosëse se thuaj se një klasë na shpërngulet komplet për shkaqe familjare”, deklaroi Sihana Kaba Kasami – drejtoreshë e Shkollës “Kirili dhe Metodi”.

Në malësinë e Tetovës, më shumë fletëshpërngulje kanë marrë nxënësit e shkollës së Shipkovicës, “Rexhep Voka”.

“Duke filluar nga muaj shtator e deri në këto momente, ne kemi marr të dhëna nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të nxënësve që kanë marrë fletëshpërngulje për jashtë shtetit dhe nga të dhënat që kemi gjithsej nga shkollat fillore dhe të mesme të Tetovë fletëshpërngulje kanë marrë diku 100 nxënës, ku po potencojmë se pjesa më e madhe e nxënësve që kanë marrë fletëshpërngulje janë nga shkolla fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë, shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” në qytetin e Tetovës, ndërsa nga shkollat e mesme që kanë marr fletëshpërngulje më shumë jashtë shtetit është shkolla e mesme “8 shtatori”, u shpreh Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim – Komuna e Tetovës.

Trendi i shpërnguljes është i përvitshëm. Të dhënat tregojnë se në shkollat e Tetovës çdo vit shkollor ka thuajse 100 nxënës më pak. Kjo në shkollat e qytetit nuk vërehet edhe aq shumë, sepse shpërnguljet ndodhin edhe nga fshati në qytet, por kjo bën që shkollat e vendeve rurale të mbeten pa nxënës, ose të bashkohen, ose edhe më e keqja, të mbyllen, fat të cilin e kishte shkolla e Veshallës. /tv21

Nesër në Tetovë dhe Kumanovë do të testohet sistemi "Safe City", MPB jep detaje



Ministria e Punëve të Brendshme i ka njoftuar qytetarët se në kuadër të projektit „Qyteti i Sigurt“, nesër, më 25 janar, do të zbatohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje të komunikacionit në zonën e qyteteve të Kumanovës dhe Tetovës, informon Telegrafi Maqedoni.

Siç thuhet në njoftim aktivitetet do të realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura do të kryhet një herë dhe do të zgjasë pak, përafërsisht nga 15 deri në 30 minuta.

Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, komunikacioni përkohësisht nuk do të lejohet derisa zgjat procedura, pas së cilës do të vazhdojë të zhvillohet normalisht.U bëjmë thirrje qytetarëve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të papenguar dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.

Kujtojmë se zbatimi aktiv i sistemit "Qyteti i Sigurt" do të fillojë prej më 1 shkurt, pasi dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ligji u miratua me 81 vota pro. /Telegrafi/

Lëshohen autobusë Tetovë-Kodra e Diellit! Bileta kthyese kushton 200 denarë



Nga dita e sotme komuna e Tetovës ka lëshuar dy autobusë për në Kodër të diellit, edhe atë, një në orën 8 të mëngjesit, dhe i dyti në orën dhjetë. Autobusët do të lëvizin deri në fund të sezonit, por vetëm gjatë ditëve të vikendit, me përjashtim ditën e hënë kur do vazhdohet me të njëjtin itinerar me autobusët për në Kodër të Diellit shkaku i festës.
Banorët kanë mirëpritur lëshimin e autobusëve, por kërkojnë që linjë të rregullt të ketë çdo ditë të javës dhe jo vetëm në vikend.
Zakonisht këtë periudhë dimërore, për vikende dhe ditë festash qytetarët ja mësyjnë Kodrës së Diellit, por për shkak pamjaftueshmërisë së parkingjeve shkaktohet kaos. Me lëshimin e linjës së autobusëve, pritet që lartë të ketë më pak vetura.

Objektet pa leje në Tetovë, afati deri më 3 mars për legalizimin e tyre



Mbi 3000 shtëpi të ndërtuara pa leje në komunën e Tetovës, të cilëve përshka të mungesës të dokumentacionit ju është refuzuar lënda për legalizim, kanë mundësi që deri më 3 Mars ti dërzojn edhe një herë dokumentet e nevojshme për legalizim thoën nga komuna e Tetovës.
Ata thonë se bëhët fjalë për ndërtimet gjatë periudhës 2011-2018. Siaps tyre shumica e shtëpive të ndërtuara pa leje dhe pa dokumente janë në qytet, por ka edhe në fshatrat e Tetovës.
“Deri më 3 Mars është thirrja që kemi bërë që të gjithë qytetarët që kanë probleme pronaore juridike, mungesë të dokumentacionit ti sjellin në mënyrë që këta lënd të përfundohen.Nga gjithsej 14451 lënd që janë numri për momentin është rreth 3000 lënd.Pra janë 3000 lëndë që kanë probleme dokumentacioni ose probleme të ndryshme,dhe thirrja është deri më 3 Mars të sjellin dokumentat se pas këtij afati nuk do mund të legalizohen të njejtat.Bëhët fjalë për objekte që kanë mungesë dokumentacioni. Thirrja vlene vetëm për ato ndërtime që janë ndërtuar gjatë periudhës 2011-2018-të,shumica e objekteve janë në qytet por ka edhe në fshatrat e Tetovës,por dokumentet që janë pa dokumentacion të nevojshëm janë në qytet” deklaroi Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Por, mbetet në pikëpyetje shtëpit që janë ndërtuar në vakëf të BFI-së, të cilët nuk arrin të gjejn një zgjedhje ligjore. Nga komuna e Tetovës thonë se ky probleme është i kahëmotshëm.
“Ai është si problem i më hershëm. Shumica e shtëpive aty janë ndërtuar la leje dhe pa kriter ndërtimit, dhe është pornlem i veçant dhe sigurisht që do merren masa”, u shpreh zëdhënësi i komunës se Tetovës Albion Alili.
Ndërkohë, nga Myfteni e Tetovës, janë përgjigjur shkurt duke theksuar se kjo temë një herë duhet diskutuar në organet më të larta të BFI-së. Myftiu Selver Xhemaili, tha se ka gadishmëri për të diskutuar me institucione relevante.
Nga ana tjetër edhe shumë vikend shtëpiza presin legalizim në Kodër të Diellit, ndërsa gjatë vizitës së fundit në qendrën turistike Kodra e Diellit, kryeministri i vendit Hristijan Mickovski, është deklaraur i prer që as ka ligj për ta e as do ketë.

Qendra e skijimit "Kodra e Diellit": Pronarët e veturave të parkuara përgjatë rrugës në ski-qendrën t’i largojnë menjëherë automjetet e tyre



Qendra e skijimit "Kodra e Diellit" iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që t'i largojnë veturat të cilat i kanë parkuar në rrugën në drejtim të qendrës.

Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, nga Qendra thonë se nëse qytetarët nuk i largojnë makinat, të njëjtat do të largohen nga shërbimet përkatëse.

"Njoftohen të gjithë pronarët e veturave të parkuara përgjatë rrugës në Ski qendrën “Kodra e Diellit” që t’i largojnë menjëherë automjetet e tyre.

"Meqenëse Ski Qendra, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, NP “Parkingu” Tetovë dhe Policinë, nga ora 20:00 do të realizojnë pastrimin e rrugës, veturat e parkuara në mënyrë të palejuar do të largohen (tërhiqen) nga rruga nga shërbimet përkatëse".
"Ju lusim për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që të mundësohet pastrimi dhe qarkullimi normal i rrugës", thonë nga Qendra.

Komuna e Tetovës: Më 3 mars skadon afati për legalizimin e objekteve pa leje



Komuna e Tetovës u bënë thirrje qytetarëve të, të cilët kanë bërë kërkesë për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje nga viti 2011-2018, të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm deri më 3 mars të këtij vitit kur edhe përfundon afati ligjor.

"Aktualisht në proces është mundësia e fundit për të gjithë qytetarët të cilët kanë parashtruar kërkesë për legalizim deri te komuna e Tetovës, procedura e të cilave për shkak të mungesës së dokumentacionit është ndërprerë më herët që ta shfrytëzojnë afatin ligjor dhe të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm. Ligji për procedim të objekteve të ndërtuara pa leje vlen deri më 03.03.2026.

Të gjithë personat apo subjektet që kanë parashtruar kërkesë më herët dhe nuk kanë mundur ta realizojnë të drejtën e tyre për legalizim, tani kanë mundësinë që ta shfrytëzojnë edhe afatin e fundit për të kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme që kërkohen konform Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Komuna e Tetovës fton të gjitha palët që të drejtohen në Komunë, të informohen për statusin e kërkesës së tyre dhe të vazhdojnë më procedurat tjera", thonë nga Komuna e Tetovës./Telegrafi/

Rrëshqitje e dheut në rrugën drejt Banjës, Komuna e Tetovës apelon qytetarët të mos qarkullojnë në këtë zonë



Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugën drejtë Banjës në Tetovë ka pasur rreshqitje të dheut.

Nga Komuna e Tetovës informojnë se ekipet janë në terren, teksa bëjnë thirrje që deri në stabilizimin e situatës të mos qarkullohet në rrugën drejt Banjës.

Njoftimi i plotë:

Pas një thirrje në numrin emergjent 112, njoftohet se për shkak të reshjeve të shiut ka përsëri rrëshqitje të dheut në rrugën drejt Banjës.

Qytetarët lutën të mos qarkullojnë në këtë zonë deri sa situata të stabilizohet.

Ekipet komunale janë në terren dhe po e ndjekin situatën nga afër.

Tetova me çmimore të re për kyçje në ujësjellës dhe kanalizim



Hyrja ne vitin 2026 u solli tetovarëve edhe çmimore të re për kyçjen e banesave në ujësjellës dhe kanalizim. Vendimi u soll në seancën e fundit të Këshillit Komunal. Drejtori i NPK “Sharri” e arsyeton duke thënë për kyçje në ujësjellës-kanalizim banesat kanë pasur të njëjtin çmim me atë të shtëpive, ndërsa me çmimoren e re pronarët e banesave do të duhet të paguajnë për çdo banesë dhe të njëjtit do të kenë edhe matës.

“Në qoftë se një qytetar për ujë dhe kanalizim ka paguar diku tek 800 apo 900 euro, një ndërtesë vetëm për kyçjen e ujësjellësit ka paguar 1500 euro dhe 1500 euro për kanalizim – që i ka ardhur diku tek tre mijë euro. Do të duhet të paguajnë për çdo banesë veçmas, si paguan për shtëpi individuale dhe do të duhet ta paguajnë edhe një taksë dhe një për një ujëmatës, pasi që Tetova ka qenë qyteti i vetëm që nuk e ka pasur këtë çmimore dhe të gjithë qytetet tjera e lanë pasur këtë çmimore vetëm Tetova ka qenë e anashkaluar në këtë pjesë”, tha Valon Zeqri – drejtor i NPK “Sharri”.

Opozita në Këshillin komunal e sheh vendimin si të padrejtë, pasi sipas tyre qyteti as nuk ka ujë të mjaftueshëm për pija, e madje as nuk është cilësor.

“Ata ë vitin 2026 kanë planifikuar e mbi 9 mijë orëmatësve në Tetovë dhe vendosja e orëmatësve në Tetovë është e papranueshme, derisa Tetova nuk ka ujë të pijshëm në Tetovë dhe jemi në një situatë absurde se po maten dhe faturohen qytetarët për një shërbim që realisht mungon dhe para çdo aparati komuna do të duhet të sigurojë furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor me ujë dhe orëmatësit janë një barë shtesë për qytetarët dhe një dështim i pushteti lokal”, u shpreh Berat Murati – këshilltar i AKI-së në Tetovë.

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar se do të ndërtohet edhe një rrjet i ri i ujësjellësit, ndërsa kryetari i Bilall Kasami deri më tani as e ka mohuar e as nuk e ka pohuar se planifikon që shpërndarjen e ujësjellësit ta jep me koncesion. /tv21

Kasami: Transporti publik bëhet falas për të gjithë ata që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës



Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se transporti publik i qytetit do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës.

Kasami poashtu ka sqaruar se si mund të përfitojnë edhe institucionet nga kyvendim i Komunës.

Njoftimi i plotë:

Sot në Këshillin Komunal u votua një vendim me rëndësi për qytetarët tanë!

Transporti publik bëhet FALAS për të gjithë ata që kanë shlyer obligimet ndaj Komunës.

Nga ky vendim do të përfitojnë edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Gjithashtu edhe të gjitha shoqatat dhe institucionet që do të nënshkruajnë një momerandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës.

Një hap konkret për të shpërblyer përgjegjësinë qytetare, për të lehtësuar lëvizjen dhe për të ndërtuar një qytet më të drejtë për të gjithë.

Miratohet buxheti i Komunës së Tetovës, kap vlerën mbi 44 milionë euro



Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me vitin paraprak dhe se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.

“Për herë të parë, rreth 40 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale. Në buxhetet e mëparshme, 70 deri në 80 për qind shkonin për paga dhe shpenzime operative. Ky buxhet parasheh ndërtimin e shkollave të reja, pishina, rrugë, kanalizim, ujë të pijshëm dhe projekte të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, deklaroi Kasami.

Ai sqaroi se janë paraparë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e një rruge të re në fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë pjesë e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren.

“Në Shipkovicë do të ndërtohet një qarkore, në mënyrë që rruga të mos kalojë përmes fshatit, pasi rruga ekzistuese nuk i plotëson kushtet. Janë ndarë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e kësaj qarkoreje. Segmenti nga Tetova deri në Shipkovicë i plotëson kushtet, ndërsa pjesa nga Shipkovica drejt fshatrave të tjera do të zgjerohet”, shtoi Kasami.

Gjatë seancës, këshilltarët e Aleanca Kombëtare për Integrim akuzuan se edhe për vitin 2026 është paraparë një buxhet i konsiderueshëm për punësime, të cilat i cilësuan si punësime të militantëve partiakë. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryetari Kasami, i cili deklaroi se në Komunën e Tetovës askush nuk merr pagë pa kryer punë.

Edhe Tetova përballet me ndotjen e ajrit, mjekët rekomandojnë për kujdes



Shumë qytete në vend përballen me ndotje enorme të ajrit. Situata është e rëndë edhe në Tetovë. Mjekët thonë se ajri i ndotur ka rritur numrin e thirrjeve në Urgjencë. Mjekët thonë se në rastet kur ndotja është e lartë qytetarët rekomandohen të mos qëndrojnë për gjatë kohë në ambiente të hapura, sidomos në mbrëmë kur ndotja arrin kulmin.

“Sikurse çdo vit, edhe sivjet numri i personave që kërkojnë ndihmë me paraqitjen e ndotjes është rritur, me ç’rast më së shpeshti janë problemet me frymëmarrjen, sëmundje të mushkërive dhe shpesh ka edhe persona që marrin edhe infeksione”, tha Igor Malldenovski, Udhëheqës i Ndihmës së shpejtë Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se do të kontrollohen sidomos kompanitë, ndërsa do të punohet edhe në drejtim të ngritjes së vetëdijes për përdorimin e transportit publik.

“Ky plan parasheh disa aktivitete apo masa, siç janë kontrollet inspektuese nëpër fabrika që janë me instalime të lejes A dhe të lejes B, kompani të kontrollit teknik, pra kontroll të djegies që bëjnë që të jetë dru i thatë dhe të mos përdoren goma apo plastika e tjerë. Si komuna jemi duke hartuar edhe planin e mobilitetit i cili parasheh linjë të veçantë të transportit publik që do ul ndotjen që vjen nga komunikacioni i tepërt nga veturat”, tha Albi Qamili, komuna e Tetovës.

Ndotja e madhe e ajrit që paraqitet së fundmi në Tetovë, ka të bëj edhe me numrin e madh të automjeteve të vjetra më shumë se 15 vite./Alsat/

Qyteti i Tetovës do të dekorohet për festat e fundvitit



Në seancën të mbajtur sot në ora 15:30, Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar me shumicë votash vendimin për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit 2025.

Vendimi vjen pas një debati disaorësh mes këshilltarëve, ku u diskutuan aspektet financiare dhe organizative të dekorimeve festive.

Shumica e këshillit, e përbërë nga grupet këshilltare të VLEN dhe OBRM-PDUKM, votuan pro, duke i hapur rrugë nisjes së përgatitjeve për zbukurimin e qytetit.

Kundër vendimit votuan këshilltarët nga koalicioni AKI, ndërsa të përmbajtur ishin këshilltarët e, Më mirë për Tetovën, Levica dhe LSDM-ja.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Jusuf Abduli, konfirmoi miratimin e vendimit dhe theksoi se zbukurimet e këtij viti synojnë të krijojnë një atmosferë festive më të ngrohtë dhe më atraktive për qytetarët dhe vizitorët.

Komuna e Tetovës mbajti mbledhje komemorative në nderim të Shpat Kasapit



Komuna e Tetovës mbajti sot mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës artistike të këngëtarit, Shpat Kasapi.

Në prezencën e kryetarit të Komunës, Bilall Kasami, familjarëve, miqve dhe kolegëve të artistit, Shpati u kujtua edhe një herë për punën e tij artistike dhe virtytet e tij njerëzore.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të artistit, ai theksoi se familja Kasapi ka humbur njeriun e tyre më të dashur, ndërsa Tetova ka humbur një artist të madh që la gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore.

“U bëfsh lule Xhenneti, Shpat. Qyteti ynë sot është më i varfër pa ty”, shkroi Kasami në Facebook.

Kasami u shprehu mbështetje dhe forcë familjarëve në këtë moment të rëndë, ndërsa publiku tetovar i dha lamtumirën e fundit artistit të dashur.

Komuna e Tetovës thërret debat publik për buxhetin e vitit 2026



Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar organizimin e një debati publik lidhur me buxhetin e komunës për vitin 2026.

Thirrja u bë përmes një komunikimi zyrtar, ku theksohet rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe sektorit civil në procesin e planifikimit buxhetor.

Debati publik do të mbahet të mërkurën, më 10 dhjetor 2025, duke filluar nga ora 14:00, në Sallën e Këshillit Komunal të Tetovës.

Komuna fton të gjithë qytetarët, shoqatat, organizatat joqeveritare, grupet e interesit dhe përfaqësuesit e sektorit civil që me idetë dhe propozimet e tyre të kontribuojnë në hartimin e buxhetit të ri.

Kasami theksoi se ky proces synon të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie, si dhe të përfshijë komunitetin në vendimmarrje për projektet që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve gjatë vitit 2026.

Kryetari i Gjilanit pret homologun e Tetovës – thellojnë bashkëpunimin mes dy komunave



Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili po qëndron për vizitë në Gjilan. Vizita nisi me homazhe në Kodrën e Dëshmorëve, ku të dy kryetarët nderuan sakrificën e të rënëve për liri.

“Vizitën e nisëm me homazhe te Kodra e Dëshmorëve, një moment reflektimi për ata që na lanë amanetin e lirisë dhe të qëndresës”, deklaroi kryetari Hyseni, duke e cilësuar vizitën si një takim miqësor dhe institucional me homologun e tij nga Tetova.

Pas homazheve, Hyseni dhe Kasami, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndoqën ndeshjen e Ligës së Konferencës mes Dritës së Gjilanit dhe Shkëndijës së Tetovës, një derbi shqiptar që përfundoi me fitoren e Dritës, përcjell Telegrafi.

“I shkëmbyem me kënaqësi fanellat e dy ekipeve tona, me urimin që në fushë të tregojnë vlerat e larta sportive. Bashkë u pajtuam njëzëri se futbolli na bashkon”, tha Hyseni.

Ai shtoi se fitorja e Dritës është një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa vlerësoi edhe Shkëndijën për lojën korrekte.

“Urime djemve për paraqitjen fantastike”, u shpreh kryetari i Gjilanit.

Nga ana tjetër, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, e quajti vizitën në Gjilan të veçantë dhe falënderoi Hysenin për mikpritjen.

“E urova kryetarin Hyseni për rizgjedhjen në krye të Gjilanit. Biseduam për bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, duke nënvizuar përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e projekteve të përbashkëta”, deklaroi Kasami.

Ai tha se shkëmbimi i fanellave të Shkëndijës dhe Dritës, si dhe ndjekja e përbashkët e ndeshjes me kryeministrin Kurti, ishin një moment simbolik i miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy komunave.

Kasami nënvizoi edhe rëndësinë e homazheve në Memorialin e Dëshmorëve në Gjilan:

“Kujtuam dhe nderuam sakrificën e mijëra shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi”.

Vizita përfundoi në atmosferë sportive e miqësore, duke forcuar lidhjet institucionale dhe kulturore mes Gjilanit dhe Tetovës. /Telegrafi/


Vdekja e Shpat Kasapit, e hëna ditë zie në Tetovë



Për shkak të vdekjes së artistit, Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës ka vendosur që dita e nesërme të jetë ditë zie në gjithë territorin e saj, informon Telegrafi Maqedoni.

Njoftimi ka ardhur nga Komuna e Tetovës ku theksohet se këngëtari Shpat Kasapi dha një kontribut të veçantë për zhvillimin e kulturës dhe muzikës.

Njoftimi i plotë:

"Nesër (e hënë), 01.12.2025, për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës do të shpall ditë zie në gjithë territorin e saj! Shpat Kasapi dha një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Komunën e Tetovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare!Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë artdashësve!"

Kujtojmë se Shpat Kasapi u varros sot në varrezat e qytetit të Tetovës, pasi ndërroi jetë nga një sulm në zemër në moshën 40 vjeçare./Telegrafi/

Rrëshqitja e dheut në Shipkovicë, banorët kërkojnë që autoritetet të marrin masa



Si pasojë e rrëshqitjes së dheut në fshatin Shipkovicë të Tetovës, banorët e disa shtëpive janë detyruar të evakuohen. Mumin Velia në një prononcim për TV21 tha se dheu ka rrëshqitur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.

"Ka ndodhur në ora tre të natës, për momentin qëndrojmë te vëllai. Në të ardhmen nuk e di si do të jetë, por për momentin kështu është. Dëmi nuk e di sa është. Dje ishin përfaqësues nga Qendra për Menaxhim me Kriza, policia, përfaqësues nga komuna. Thanë se do të marrin masa dhe se do ta rregullojnë këtë mur, por nuk e di.

"Apeli im është që sa më para të rregullohet dhe të shpëtojmë edhe ne edhe këta lart. Këta familjarët tjerë gjendjen ekonomike e kanë më të rëndë", tha banori.

Ndryshe, autoritetet dje njoftuan se është aktivizuar shtabi i krizave i Komunës së Tetovës, njerëz nga Komisioni Qendror Ushtarak, Drejtoria Rajonale e Tetovës dhe Inspektorati Ndërtimor Komunës së Tetovës./Telegrafi/

❌