TEHERAN, 12 janar /ATSH-ANSA-DPA/ – Të paktën 648 protestues u vranë gjatë protestave antiqeveritare që filluan 16 ditë më parë në Iran.
Organizata joqeveritare me seli në Norvegji, ”Iran Human Rights”, e raportoi këtë duke përditësuar numrin e saj që nga fillimi i protestave më 28 dhjetor në qytete të ndryshme në të gjithë vendin për shkak të krizës ekonomike.
Sipas OJQ-së, nëntë të mitur ishin midis të vdekurve, ndërsa mijëra u plagosën.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, ”Iran Human Rights” vlerëson se më shumë se 10 000 persona janë arrestuar, por mbyllja pothuajse totale e internetit në fuqi që nga 8 janari e bën të vështirë marrjen e shifrave më të sakta.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pretendon se protestat mbarëkombëtare “janë bërë të dhunshme dhe të përgjakshme për të siguruar një justifikim” që presidenti Trump të ndërhyjë, sipas ”Al Jazeera”.
Ai deklaroi në një takim me diplomatë të huaj se dhuna u përshkallëzua gjatë fundjavës, por se “situata tani është nën kontroll të plotë”.
Mes protestave masive të vazhdueshme në të gjithë Iranin, në të cilat janë vrarë qindra njerëz, vendi i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hapin negociata të reja, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Duke folur në bordin e “Air Force One”, Trump u tha gazetarëve se udhëheqja iraniane e kishte thirrur atë për të negociuar një ditë më parë.
Ai shtoi se një takim me përfaqësuesit iranianë mund të organizohej, ndersa shtoi se SHBA-ja mund të duhet të veprojë paraprakisht duke pasur parasysh protestat e vazhdueshme në vend.
Moska dënon atë që e quan “përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit”.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ruse, Sergei Shoigu, e bëri këtë deklaratë në një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Ali Larijani, me të cilin diskutoi protestat që tronditën Republikën Islamike.
Araghchi deklaroi se shërbimi i internetit do të rikthehet së shpejti në Iran, duke shtuar se qeveria po koordinohet me autoritetet e sigurisë për të bërë përparim.
Ndërkohë, ambasadorët ose të ngarkuarit me punë të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të vendosur në Teheran, u thirrën sot nga autoritetet iraniane, të cilat shprehën keqardhje për mbështetjen që këto vende kanë shprehur për protestuesit iranianë. Kjo u raportua në një deklaratë nga Ministria e Jashtme iraniane dhe u transmetua në televizionin shtetëror.
Diplomatëve iu shfaq një video e dëmeve të shkaktuara nga “rebelët” dhe iu kërkua të tërhiqnin deklaratat zyrtare të qeverive të tyre në mbështetje të protestuesve.
“Ne konfirmojmë thirrjen e ambasadorëve evropianë”, njoftoi më vonë Ministria e Jashtme franceze.
Faqja izraelite e internetit ”Ynet” pohon se ditët e fundit regjimi i ajatollahëve “ka kaluar një vijë të kuqe të re në përpjekjen e tij për të shtypur protestat civile që kanë shpërthyer në Iran, të cilat deri më tani ishin konsideruar pothuajse të pamundura. Sipas një sërë raportesh nga jashtë, regjimi ka aktivizuar bllokuesit ushtarakë për herë të parë”, pajisje lufte elektronike të projektuara për të ndërprerë ose bllokuar sinjalet radio, radarët dhe sistemet e komunikimit duke emetuar ndërhyrje elektromagnetike.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi imazhe të një demonstrate të madhe në mbështetje të Republikës Islamike, pas dy javësh protestash antiqeveritare, dhe pamjet tregojnë disa mijëra njerëz që mbushin sheshin ”Enghelab” në kryeqytetin iranian.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u pa gjithashtu në demonstratën në Teheran, raporton versioni në gjuhën angleze i televizionit iranian, Press TV, i cili publikoi një foto të tij në turmë në X, ku demonstruesit valëvitnin flamuj të Republikës Islamike dhe shfaqnin portrete të udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.
Demonstrata në mbështetje të Republikës Islamike u mbajtën gjithashtu në qytete të ndryshme në të gjithë vendin këtë mëngjes, dhe televizioni shtetëror i përshkroi pjesëmarrësit si “iranianë të bashkuar kundër terrorizmit”, duke i etiketuar protestat antiqeveritare si “trazira në Iran të mbështetura nga SHBA-të dhe Izraeli”./ a.jor.
The post SINTEZË – Pas 648 viktimave gjatë protestave, Trump kërcënon ajatollahët dhe Teherani thërret ambasadorët evropianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.