Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kina konfirmon dënimin me vdekje për abuzuesit seksualë të të miturve

Rrjetet sociale kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një vendim të rëndësishëm të Gjykates Supreme Popullore të Kinës, sipas të përditshmes italiane “adnkronos”.

Më 10 shkurt 2026, gjatë një vizite në një institut për të mitur, presidenti kinez Xi Jinping theksoi edhe një herë politikën e “zero tolerancë” ndaj krimeve kundër fëmijëve, duke e lidhur këtë qasje me stabilitetin kombëtar dhe të ardhmen demografike të vendit.

Pak ditë më vonë, mediat shtetërore njoftuan edhe ekzekutimin e disa trajnerëve sportivë dhe instruktorëve që kishin abuzuar me pozicionin e tyre të autoritetit, për të kryer dhunë seksuale ndaj të miturve.

Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se emrat e të dënuarve do të publikohen, si pjesë e strategjisë për të frenuar këto krime të rënda.

Më 24 korrik 2019, pas ekzekutimit të një personi të dënuar për rrëmbimin, përdhunimin dhe filmimin e tre vajzave të mitura, gjykata publikoi në agjencinë shtetërore Xinhua një deklaratë zyrtare ku theksohej se krimet seksuale ndaj fëmijëve të kryera do të ndëshkohen me dënim me vdekje pa lehtësime.

Sipas komunikatës, ky nuk është një ligj i ri, por një interpretim i zbatimit të nenit 236 të Kodit Penal kinez, i cili tashmë parashikon dënimin me vdekje për krime si përdhunimi.

Megjithatë, risia e vitit 2019 ishte një mënyrë e komunikimit: gjykata vendosi të bëjë publike ekzekutimet, duke përfshirë emrat e të dënuarve, krimet dhe arsyetimin e vendimit, si një mjet për të rritur efektin parandalues në shoqëri.

Në qershor 2023 hyri në fuqi një interpretim i ri gjyqësor i përbashkët që zgjeron zbatimin e ligjit edhe në botën virtuale (online).

Dokumenti përcakton se detyrimi ose manipulimi i të miturve për të dërguar foto apo video nudo në platforma si QQ dhe WeChat përbën vepër penale, edhe nëse nuk ka kontakt fizik

Ekspozitë në Mësonjëtoren e Shqipes/ Publikohen tekste të këngëve patriotike shqiptare

Në përkujtim të 139-vjetorit të hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë u hap një ekspozitë e veçantë kushtuar këngëve më të njohura patriotike shqiptare.

Ekspozita bëri bashkë dhjetëra qytetarë, fëmijë e të gjitha grupmoshat të cilët patën mundësin të lexojnë nga afër tekstet e dhjetëra këngëve patriotike që kanë shoqëruar historinë e identitetit tonë kombëtarë, dhe që vazhdojnë të këndohen edhe sot.

Mes autorëve të tyre janë figura të njohura të kulturës dhe patriotizmit shqiptar si Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Kristo Floqi dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët kontribuan në përhapjen e ndjenjës kombëtare përmes krijimtarisë së tyre.

“Qëndron tek këngët patriotike për të kuptuar autorët e këngëve të njohura patriotike që kanë ndihmuar në arsimin shqiptarë, në hapjen e shkollës së parë shqipe. “Mund të shkruajmë për atdhe, himnin e Flamurit”, kemi të ekspozuar tekstet e këngëve patriotike”, tha drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Arsimit.

Në këtë ditë simbolike, muzeu mirëpriti një numër të madh vizitorësh nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga shqiptarë që jetojnë në rajon. Mes tyre ishin edhe grupe vizitorësh nga Kërçovë, në Maqedonia e Veriut, të cilët zgjodhën të festojnë 7 Marsi në qytetin e Korçës.

Për ta, kjo datë ka një domethënie të veçantë, pasi lidhet me historinë e arsimit dhe identitetin kombëtar shqiptar.

“Kemi ardhë enkas nga Kërçova për 7-marsin, do të vizitojmë edhe Korçën, po kemi ardhë për këtë festë….Jemi dhe profesorë. Çdo herë vijmë që prej 90-ës”, tha ajo.

Gjatë vizitës, të pranishmit patën mundësi të njihen nga afër me historinë e Mësonjëtorja e Parë Shqipe, institucioni që hodhi themelet e arsimit në gjuhën shqipe dhe që konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Ekspozita është konceptuar në formën e një instalacioni artistik, duke ndërthurur dokumente historike, dhe materiale arkivore, që sjellin për publikun një rrëfim të veçantë mbi rolin e këngës patriotike në formimin e identitetit kombëtare.

PDK mbështet shpërndarjen e Kuvendit: LVV dëshiron të kontrollojë çdo institucion

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbështetur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, argumentoi se Kushtetuta përcakton qartë afatet për zgjedhjen e presidentit, duke caktuar se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Ai tha se interpretimi i disa zyrtarëve të shumicës parlamentare për një afat 60-ditor nuk e anulon këtë dispozitë.

“Neni 82, paragrafi 1, përcakton se procedura për zgjedhjen e presidentit mund të zgjasë deri në 60 ditë, por ky nen nuk e anulon dhe as nuk e tejkalon afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86”, tha Gruda, gjatë një konference për media.

Sipas tij, afati 60-ditor ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurës dhe jo me shtyrjen e afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit.

Pra, Gruda argumenton se Kushtetuta thotë që procesi mund të zgjasë deri në 60 ditë, por duhet të përfundojë të paktën 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual të presidentit.

Edhe presidentja Osmani tha një ditë më parë më herët se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill.

Ajo nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke nisur kështu procesin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Dekreti i Osmanit është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje dhe, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti tha se afati 30-ditor thotë se procedura duhet të nisë, por jo të përfundojë.

“I kemi 60 ditë kohë të bëjmë zgjidhe e të mos kemi zgjedhje”, tha Kurti.

Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, në të njëjtën konferencë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak se shumica parlamentare nuk ka kërkuar sinqerisht një marrëveshje politike për postin e presidentit.

Tahiri akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po synon kontroll të plotë mbi institucionet e vendit.

“Kur refuzon marrëveshjen dhe insiston në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është presidenti, por dëshira për ta kontrolluar çdo institucion të vendit”, tha ai.

Edhe Kurti, një ditë më parë e akuzoi opozitën për mosbashkëpunim të mirëfilltë për zgjedhjen e presidentit.

Vitin e kaluar, Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare. Në të dyja, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.

Me fitoren mbi 51 për qind në zgjedhjet e fundit, LVV-ja nuk pati probleme në formimin e qeverisë, pasi që deputetët e saj gëzojnë 57 karriga në Kuvendin e Kosovës dhe votat e dhjetë deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Por, votat për zgjedhjen e një presidenti nuk i kishte e vetme. Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61./REL/

Aksident në Vlorë/ Përplasen dy automjete, një i lënduar

Një aksident automobilistik është shënuar rreth orës 14:30. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz” me targa AA 210 PJ ka goditur një mjet të parkuar tip “Renault” me targa AB 970 VV.

Si pasojë e përplasjes është lënduar lehtë një person, i cili ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë kryer veprimet procedurale dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, nga përplasja janë shkaktuar edhe dëme materiale në automjete.

“Korrupsioni po luftohet më shumë se asnjëherë tjetër”/ Rama: ‘Kemi mallkimin e komunizmit që sjell vërdallë një tufë qorrash’, por Shqipëria nuk kthehet më pas!

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk do të kthehet pas nga misioni i saj. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët në Librazhd për hapjen e devijimit provizor Rama u shpreh kritik ndaj kreut të PD Sali Berisha duke thënë se vazhdon të ‘nxijë vendin’ duke shtuar se ka ‘mbetur si një mallkim i komunizmit që vjen vërdallë’.

“Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion, kur po luftohet më shumë se çdo herë tjetër. Sot që flasim edhe rastet që janë trajtuar janë 85 % raste që i përkasin mandatit të parë dhe të 2 dhe në gjithë ato raste janë 10 me akuzën e korrupsionit. A kemi ne probleme me korrupsionin? Patjetër që kemi, por a po lufton kush me shumë se ne kundër korrupsionit? Askush. Më parë nuk është luftuar kurrë. Por ndaj vendet kanë Prokurorë dhe gjykatës, dhe është ajo që thotë arbitri në fund që ka rëndësi. Por për sa kohë kemi mallkimin e komunizmit dhe të historisë tonë akoma vërdall që sjell vërdall një tufë qorrash e kemi dhe këtë taksirat. Në demokraci nuk e zgjedhim kundërshtarin, por ne do vazhdojmë përpara. Shqipëria do shkojë aty ku është e destinuar të shkojë nuk ka kthim pas”, tha ndër të tjera ai.

Rama inspektoi rrugën Librazhd-Prrenjas/ Kryeministri: Korridori VIII, pjesë e rrjetit europian të korridoreve

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Korridori VIII është një projekt i rëndësishëm.

Ai shtoi se përfshirja e korridorit në rrjetin europian erdhi si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Shqipërisë gjatë samitit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë.

“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE. Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike  e tij, por edhe rëndësia. Lidhja me portin e Durrësit garanton një aks tjetër të lëvizjes së mallrave, më të shpejtë, me kosto më të ulët. Paralelisht, korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari”, tha Rama.

Ministri Karakaçi: Janë marrë të gjitha masat për të garantuar qarkullimin e mjeteve, përfshirë dhe ato me tonazh të rëndë

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të shtunë rrugën Librazhd-Prrenjës.

I pranishëm, ishte edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të garantuar qarkullimin normal të mjeteve, përfshirë edhe ato me tonazh të rëndë.

Ai u shpreh se situata krijoi shqetësim tek banorët e zonës, por siguroi se institucionet po punojnë për të rikthyer sa më shpejt normalitetin në qarkullim.

“Së pari, e di që banorëve u është krijuar shqetësim, por ajo që unë garantoj është marrja e të gjitha masave për të vijuar sa më shpejt qarkullimin normal,” u shpreh ministri.

Karakaçi theksoi gjithashtu se punimet në Korridorin VIII po vijojnë në të gjitha fazat dhe se nuk ka pasur asnjë ndërprerje të tyre.

“Ndërkohë korridori i VIII ka ecuri në të gjitha fazat dhe nuk ka pasur asnjë ndalesë të punimeve. Gjithë ky korridor do jetë siç e shihni në daljen e Elbasanit, Vetëm ky aks këtu do ketë ndalesë deri sa ARSHH të bëjë edhe rrugën sekondare. Ajo që garantoj janë se të gjitha segmentet e tjera të ecin normalisht”, tha ai.

7Marsi/ Presidenti Begaj pret mësuesit shqiptarë nga të gjitha trevat: Mirënjohje për misionin e tyre kombëtar

Sot, në ditën e shënuar të Ditës së Mësuesit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, mësues nga shkollat shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës, të ardhur nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj, duke nderuar aktin e guximshëm të atdhetarëve të Mësonjëtores së parë shqipe, shprehu mirënjohje ndaj të gjithë mësuesve shqiptarë për misionin e tyre kombëtar.

“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, – deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu shërbimin që i bëjnë gjuhës amtare mësuesit e shkollave shqipe në diasporë.

“Ju keni diçka më të fortë, diçka që lidhet me bindjen se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por është identiteti ynë. Ajo mbart në vete rrëfenjat e të parëve, këngët e djepit dhe ëndrrat e Rilindësve tanë. Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin. Në klasat tuaja gjuha shqipe nuk mësohet vetëm si gramatikë. Ajo mësohet si histori, si kujtesë, si lidhje me gjyshërit dhe gjyshet, me vendlindjen dhe me rrënjët tona”.

“Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim. Ju jeni dëshmia se një komb nuk matet vetëm me territorin që ka, por me gjuhën që ruan dhe trashëgon”, – nënvizoi Presidenti Begaj, duke theksuar se për këtë mirënjohja është e thellë dhe e përhershme.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu mësuesit veteranë të ardhur nga Kosova për guximin dhe sakrificën e tyre përballë dhunës dhe represionit të regjimit të Millosheviçit, kur shumë prej tyre i kthyen shtëpitë në shkolla shqipe.

“Ju dëshmuat se një populli mund t’i mbyllen shkollat, mund t’i ndalohen librat, mund t’i kufizohet liria, por kurrë nuk mund t’i ndalohet mendja, nuk i shuhet etja për dije dhe nuk i shteron vullneti për të edukuar brezin tjetër”, – deklaroi Presidenti i Republikës, duke theksuar se falë kësaj sakrifice Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në arsim.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës inkurajoi arsimtarët të përballen me sfidat e kohës, duke theksuar se arsimi cilësor mbetet një sfidë kombëtare.

“Gjuha jonë është pasuria jonë e përbashkët dhe mbrojtja e saj është një projekt kombëtar që na përfshin të gjithëve. Shteti duhet të jetë partneri juaj kryesor në këtë mision, duke siguruar që energjia juaj profesionale të ketë mbështetjen e duhur institucionale. Në emër të Republikës së Shqipërisë, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për dijen që përcillni, për përkushtimin që tregoni dhe për shembullin që jepni e frymëzoni”.

Në përfundim të përshëndetjes së tij, Kreu i Shtetit theksoi se 7-Marsi është një moment reflektimi kombëtar, pasi investimi në arsim është investim për të ardhmen dhe respekti për mësuesit është respekt për veten dhe shoqërinë.

Rruga Librazhd-Prrenjas/ ARRSH: Nuk ka pasur marrje inertesh në zonën e rrëshqitjes së rrugës

Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, i pranishëm në inspektimin në rrugën Librazhd-Prrenjas, në takimin e zhvilluara me banorët ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, foli për situatën e rrugës.

Ai u shpreh se lidhur me rrëshqitjet e rrugës, u morën menjëherë masa për sigurinë e mjeteve dhe të qytetarëve, duke shtuar se ‘janë ndodhur përpara një erozioni të vazhdueshëm’.

“Nuk ka pasur marrjen inertesh në zonën e rrëshqitjes së rrugës. Janë marrë masa të menjëhershme për sigurinë e mjeteve dhe të qytetarëve. Falënderoj të gjithë qytetarët që treguan mirëkuptim, ne në një hark kohor prej 10 ditësh arritëm të marrim të gjitha masat për të krijuar lëvizje.  Aksi përgjatë lumit Shkumbin do të jetë 1.3 kilometër”, tha mes të tjerash ai.

Rama inspektoi aksin Librazhd-Prrenjas, takim me banorët/ Kryeministri: Rrëshqitja e rrugës, për arsye natyrore

Kryeministri Edi Rama teksa ka inspektuar situatën në rrugën Librazhd-Prrenjas, ka zhvilluar edhe një takim me banorët e zonës për hapjen e devijimit provizor.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se është hedhur shumë baltë dhe akuza lidhur me këtë situatë, duke nënvizuar se rrëshqitja e rrugës ka ndodhur për arsye natyrore.

“Kjo situatë ka shkaktuar një rrebesh balte prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike me të gjitha akuzat e shpifjet se medemek u shemb rruga nga korrupsioni, por është e qartë që segmenti është segmenti i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me fenomen natyror”, tha ai.

Volejbollistja shqiptare arrin në finalen e Kupës “Challenge”/ Në 11 e 18 mars luhen finalet ndaj rivalit grek Panathinaikos

Udhëtimi në kampionat mbaroi.

Erblira Bici nuk mundi të shkonte përpara në plej ofin e Serisë A në volejboll për femra, sepse përballë ekipit të saj, Megaboks Valefolia, u ndodh një skuadër tepër e fortë si Milano.

Gjithsesi, sezoni vazhdon. Volejbollistja më e mirë shqiptare synon të fitojë një trofe europian, dhe është vetëm dy hapa larg.

Valefolia, nën udhëheqjen e yllit kuqezi, arriti finalen e Kupës së Sfidantëve, Çellënxh Kap (Challenge Cup), ku do të ketë përballë greket e forta të Panathinaikosit.

Ndeshja e parë finale luhet në 11 mars në Pallatin e Sportit në Pezaro, në Itali, ndërsa kthimi në 18 mars në Arenën e Glifadhës në Athinë.

Gjatë ecurisë ka eliminuar rivalë të fortë si Panionios të Greqisë, Gran Kanaria të Spanjës apo Kaposhvari të Hungarisë.

Bici është ndër volejbollistet më të mira të Kupës Challenge, me 114 pikë, duke qenë e shtata në kontinent, dhe me mesatare shumë të mirë prej 4.56 pikësh për set.

Po ashtu, ajo e mbylli sezonin e rregullt në Serinë A si njëra nga lojtaret më të dalluara, duke qenë shënuesja e pestë më e mirë me 451 pikë.

Tridhjetëvjeçarja është baraz në vendin e dytë edhe për pikët direkt nga shëbrimi, me 33 ejse, po aq sa Obosa e vendit të dytë, ndërsa e shkëputur është vetëm talenti i madh i Skandiçit, Jekaterina Antropova.

Hapja e rrugës Librazhd-Prrenjas/ Kryeministri Rama inspekton devijimin provizor

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore në aksin Librazhd-Prrenjas pas problemeve të shkaktuara nga shembja.

“Puna vazhdon dhe në një proces pune ndodhin edhe këto të papritura që në këto rast janë vetëm natyrore, edhe për shkak të ngarkesës nga shirat”, u shpreh ai.

Rama theksoi se puna vazhdon, ndërsa e vlerësoi si kantierin më të rëndësishëm.

“Në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, ku një rrëshqitje në gjatësi 150 m, pa asnjë lidhje me punimet në kantierin prej 35 kilometrash të Korridorit VIII, u kthye në një burim helmi ku u furnizuan me ditë e netë të tëra 700 tenxheret politike e mediatike, ndërkohë që puna nuk ka ndalur asnjë ditë dhe bashkë me diellin ka dalë edhe vërteta e qartë e atij bllokimi që shqetësoi me të drejtë të madh e të vogël përgjatë atij aksi”, thotë Rama.

Analiza e DW: Turqia dhe lufta në Iran, frika e përhapjes së konfliktit

Turqia gjithmonë ka qenë e lumtur të pozicionohet si ndërmjetëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe mban marrëdhënie diplomatike si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me Lindjen e Mesme.

Ankaraja është përpjekur të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në disa raste – pa sukses.

Deklaratat e fundit të Ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan përcjellin edhe njëfarë frustrimi pas përpjekjeve diplomatike të viteve të fundit: lufta mund të jetë shtyrë vetëm. Ai përmendi një bisedë telefonike që pati me Uashingtonin në fund të janarit. “Më telefonuan në mes të natës”, tha Fidan.

Ai menjëherë e kuptoi se sa serioze ishte situata edhe atëherë dhe e informoi urgjentisht Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. “Ato ishin kohë shumë të errëta. Ne prisnim luftë ose sulmin e parë në çdo moment”, shtoi Fidan.

Ankaraja ka frikë se një luftë me Iranin mund të përshkallëzohet shpejt në një konflikt më të gjerë rajonal që do të përfshinte të gjithë rajonin. Turqia ndan një kufi me Iranin që është rreth 530 kilometra i gjat, është e shqetësuar për pasojat humanitare, ekonomike dhe politike.

Politikisht, ajo është e shqetësuar për ndryshimet e pasigurta në ekuilibrin e fuqisë nëLindjen e Mesme, si dhe një ringjalljeje të mundshme të konfliktit me grupet e armatosura kurde në rajon. Për shkak të sulmeve me raketa në Iran dhe Libanin jugor, Ankaraja gjithashtu duhet të përballet me një rritje të mundshme të re të numrit të refugjatëve nga të dy vendet.

Deri më tani, Irani nuk ka sulmuar as bazën ushtarake Incirlik, e cila përdoret shumë nga forcat amerikane, as qendrën e radarit të NATO-s në Kurecik në Anadoll.

Një raketë balistike u kap nga sistemi i mbrojtjes ajrore të NATO-s të mërkurën. Megjithatë, Irani ka theksuar se Turqia nuk ishte objektivi i sulmit. Burime pranë qeverisë turke gjithashtu supozojnë se ishte një raketë që doli nga kursi.

Turqia mbetet neutrale për momentin dhe ka intensifikuar aktivitetet diplomatike me SHBA-në, BE-në dhe shtetet e Gjirit që nga fillimi i luftës, duke i nxitur të gjitha palët të kthehen në tryezën e negociatave përpara se lufta të përhapet më tej.

Megjithatë, këto përpjekje ndërmjetësimi aktualisht nuk po marrin një përgjigje, thotë Sinan Ulgen i Qendrës për Studime Ekonomike dhe të Politikës së Jashtme (EDAM) me seli në Stamboll. Në këtë fazë të luftës, negociatat nuk po merren ende në konsideratë, kështu që ai e interpreton diplomacinë turke si një përpjekje për ta pozicionuar Ankaranë për një moment të mëvonshëm.

Sipas burimeve qeveritare, Ankaraja tashmë po punon për një formulë që mund t’i sjellë palët ndërluftuese në tryezën e negociatave si partnerë të barabartë në një moment të caktuar. Turqia është në dilemë: rënia e regjimit në Teheran mund të çojë në kaos të pakontrolluar në fqinjësinë e saj të afërt. Por edhe nëse regjimi del nga kriza i forcuar, kjo mund të sjellë pasiguri dhe konflikte të reja politike.

Disa media tashmë po spekulojnë se SHBA-të mund të përdorin forcat kurde si trupa tokësore në Iran – një shqetësim i madh për Ankaranë. Edhe pse Partia Punëtore Kurde (PKK) në Turqi  dhe organizata e saj simotër, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) në Siri, janö dobësuar, armatosja e grupeve militante kurde iraniane mund të shkaktojë një dinamikë të re në rajon.

Sipas Ankarasë, kjo mund të rrezikojë edhe procesin e afrimit midis shtetit turk dhe kurdëve që filloi nën sloganin “Turqia pa terrorizëm”. Konfliktet etnike në dhe përreth Iranit konsiderohen si skenari më i keq.

Gjatë luftës në Siri, Ankaraja ka pranuar tashmë miliona refugjatë nga vendi fqinj – pavarësisht problemeve të saj të mëdha ekonomike. Turqia tani po përpiqet të parandalojë një përsëritje të një skenari të tillë me njerëzit që mund të largohen nga Irani. Sipas raporteve të medias, ka plane për kampe pritjeje në anën iraniane të kufirit, dhe ndërtimi i një muri kufitar me Iranin është përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Megjithatë, as qeveria dhe as ekspertët aktualisht nuk presin një rritje të ndjeshme të numrit të refugjatëve. Eksperti i sigurisë Sinan Ulgen kujton përvojat e Irakut dhe Sirisë në vitet 1990 dhe 2010: vetëm kur në ato vende u zhvilluan luftëra civile me fraksione të shumta ndërluftuese, ndodhën valë të mëdha refugjatësh.

Deri më tani, autoritetet kufitare nuk kanë regjistruar ndonjë lëvizje të madhe të popullsisë. Nëse ndodh një eksod masiv, nuk priten vetëm qytetarët iranianë; vlerësohet se më shumë se dy milionë refugjatë afganë që jetojnë aktualisht në Iran mund të shkojnë drejt perëndimit.

Një mesazh nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nö rrjetet sociale ka nxitur më tej diskutimet rreth flukseve të reja të mundshme të migracionit në Turqi. Në të, ajo vlerësoi në mënyrë të qartë përgatitjet e Erdoganit për t’u marrë me migracionin.

Shumë turq e interpretuan këtë si një sinjal se BE dëshiron ta kthejë Turqinë përsëri në një “shtet tampon” ose “rojtar” që duhet të ndalojë me çdo kusht një valë të mundshme refugjatësh nga Irani, në mënyrë që Evropa të kursehet./DW/

Napoli në “trenin” Champions/ Kampionët e Italisë fituan në Serinë A, Torino nuk i ndali

Napoli forcoi pozitat në zonën Champions në Serinë A duke arritur një fitore të rëndësishme ndaj Torinos.

Kampionia në fuqi e Italisë ia doli 2-1 në stadiumin “Maradona”, duke qenë tani shumë pranë Milanit të vendit të dytë dhe me diferencë të rëndësishme nga rivalët e tjerë.

Napoli i trajnerit Konte shënoi nga një gol në çdo pjesë loje, ndërsa Torino ngushtoi shifrat në fund.

Në fushë si titullar për miqtë ishte mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, i cili u ndëshkua me karton të verdhë. Ndërkaq, për Napolin mungoi kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili është i dëmtuar.

Kampionët e Italisë kanë 56 pikë në renditje, 8 pikë larg vendit të pestë që ndodhet jashtë zonës Champions.

Vazhdon “simfonia” bavareze/ Bayern arrin fitoren e radhës në Bundesligë, bie Gladbah

Është kthyer sërish skuadra që nuk le kënd të ngrejë kokë. Nëse për një rast të vetëm, ishte Leverkusen i trajnerit Shabi Alonso, që e zbriti nga maja, tashmë askush në Gjermani nuk mund të matet me Bajernin.

Fitorja 4-1 në Bundesligë arritur ndaj një ish-rivali të dikurshëm si Borusia e Mynshengladbahut, ishte një tjetër konfirmim.

Në një duel të cilin e dominoi plotësisht, kampionia në fuqi triumfoi 4-1, edhe pse pati disa mungesa.

Sulmuesi kryesor Harri Kejn u la në stol sepse të martën do të luhet në Champions, dhe duhen ruajtur forcat.

Gjithsesi, golat erdhën radhazi nga Luis Diaz dhe Konrad Laimer në pjesën e parë, si dhe nga Xhamal Musiala me penallti dhe Nikolas Xhekson pas pushimit.

Gladbah thjesht shkurtoi shifrat në 4-1 përfundimtar në minutën e parafundit.

Trajneri Kompani bëri edhe zëvendësime duke hequr kapitenin Nojer në pushim, si dhe pas një ore lojë edhe titullarët Upamekano e Diaz si dhe më pas mesfushorin Kimih.

Bajerni kryeson me diferencë tepër të madhe kampionatin gjerman, dhe Dortmund ka mbetur shumë prapa.

Tashmë mendohet për rekordet, pasi duhen edhe 14 gola për të vendosur një të ri për totalin në një sezon, si dhe synohet titulli numër 35.

Sulmet, Rusia ndihmoi Iranin/ I dha informacion për vendndodhjen e trupave amerikane në Lindjen e Mesme

Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës beson se Rusia i ka dhënë Iranit informacione mbi  vendodhjen e trupave Amerikanë në Lindjen e Mesme, përfshirë vendosjn dy luftëanijeve të mëdha ushtarake.

Ishte media Washington Post e cila raportoi e para lajmin duke cituar tri burime të ndryshme pranë Shtëpisë së Bardhë dhe Departmentit Amerikan të Luftë .

Ndihma  e Rusisë ndaj Teheranit konsiderohet shqetësuese sepse do tv ndihmone Iranin të godiste objektiva specifike me raketa balistike dhe drone, duke rrezikur kështu drejtë për drejt ushtarët amerikanë në rajon.

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili foli në kushtet e Anonimatit deklaroi se Rusia po ndan informacione të Inteligjencës së saj me Iranin,por nuk konfirmoi se për cfarë informacionesh bëhej fjalë.

Në konferencën për Shtyp të së premtes, Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavit nuk i mohoi raportet e Mediave, ndërsa shtoi se dicka e tillë nuk po ndikon në rezultatin e operacioneve ushtarake Amerikane. Leavit deklaroi se Shtetet e Bashkuara po arrijnë objektivat ushtarake të operacionit, duke përfshirë shkatërrimin e rreth 30 anijeve dhe dobësimin e aftësisë së Iranit për të lëshuar raketa balistike.
Në 1 mars, gjashtë ushtarë amerikanë u vranë gjatë një sulmi me dron nga Irani ndaj një baze ushtarake në Kuvajt. Të paktën 10 trupa të tjerë janë plagosur rëndë në operacione të ndryshme në rajon.

Rusia nuk i eshte pergjigjur ketyre akuzave, megjithate me heret Zedhenesi i Kremlinit Dimitry Peskov ishte shprehur se Irani nuk kishte kerkuar ndihme nga Moska mbi perballjen e tyre me Shtete e Bashkuara dhe Izraelin .

❌