Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

FOKUS – Pahlavi: Regjimi iranian përfundimisht do të bjerë

UASHINGTON, 16 janar ATSH-AFP/ – Djali i ish-shahut të Iranit deklaroi sot se ishte i bindur se Republika Islamike do të binte përballë protestave masive dhe bëri thirrje për një ndërhyrje që synonte Gardën Revolucionare.

“Republika Islamike do të bjerë, nuk është çështje nëse, por kur”, pohoi Reza Pahlavi në një konferencë për shtyp në Uashington, duke shtuar se do të kthehej në Iran.

“Ky regjim është në momentet e tij të fundit, është gati të shembet”, tha ai.

Vala e protestave në Iran deri më tani është shuar nga një shtypje e dhunshme që ka lënë mijëra të vdekur, sipas ekspertëve dhe OJQ-ve, një javë pas fillimit të demonstratave masive kundër regjimit, ndër më të mëdhatë që nga shpallja e Republikës Islamike në vitin 1979.

“Kjo nuk është më thjesht shtypje, por një pushtim i huaj i veshur me rroba klerikësh”, tha Pahlavi.

“Ali Khamenei (Udhëheqësi Suprem i Iranit) dhe ndihmësit e tij kanë kryer krime masive kundër popullit iranian dhe kundër të gjithë njerëzimit”, shtoi ai.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “mbrojë popullin iranian duke dobësuar kapacitetin shtypës të regjimit, veçanërisht duke synuar udhëheqësit e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe infrastrukturën e tyre të komandës dhe kontrollit”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për “ushtrimin dhe ruajtjen e presionit maksimal ekonomik mbi regjimin, ngrirjen e aseteve të tij në të gjithë botën”, si dhe “thyerjen e bllokadës së informacionit të regjimit duke lejuar akses të pakufizuar në internet, duke vendosur Starlink dhe mjete të tjera të sigurta komunikimi në shkallë të gjerë në Iran”.

Reza Pahlavi, trashëgimtar i fronit të shahut të Iranit, ka jetuar në mërgim në Shtetet e Bashkuara që nga revolucioni i vitit 1979 që rrëzoi babanë e tij.

Ai është shfaqur si një figurë mbështetëse në lëvizjen protestuese që tronditi vendin e tij./ a.jor.

The post FOKUS – Pahlavi: Regjimi iranian përfundimisht do të bjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTUGALI – Kandidati i ekstremit të djathtë favorit në raundin e parë të presidencialeve

LISBONË, 16 janar /ATSH-AFP/ – Fushata për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali përfundon sot, me kandidatin e ekstremit të djathtë André Ventura si favorit në votimin e së dielës, një skenar i paprecedentë edhe pse ai ka shumë pak shanse për të fituar në raundin e dytë.

Sondazhet e ndryshme e vendosin udhëheqësin e partisë ”Chega” (“Mjaft”) në krye në raundin e parë.

Ndërsa një balotazh duket i mundshëm, i cili do të ishte i pari që nga viti 1986, disa sondazhe parashikojnë një duel midis Venturas dhe socialistit Antonio José Seguro, ndërsa të tjerë sugjerojnë se ai do të përballet me Luis Marques Mendes, kandidatin e mbështetur nga qeveria e krahut të djathtë e kryeministrit Luis Montenegro.

Midis 11 kandidatëve rekord, dy të tjerë kanë gjithashtu një shans për t’u kualifikuar për raundin e dytë, që janë admirali në pension Henrique Gouveia e Melo, i cili udhëhoqi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe eurodeputeti liberal Joao Cotrim Figueiredo.

Pavarësisht se me kë përballet Ventura, i vetëshpalluri “kandidat i popullit”, kualifikimi i tij për raundin e dytë do të ishte një tjetër moment i rëndësishëm në ngritjen e tij meteorike elektorale që nga themelimi i ”Chega”-s në vitin 2019./  a.jor.

The post PORTUGALI – Kandidati i ekstremit të djathtë favorit në raundin e parë të presidencialeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 16/01/2026

VJENË (Austri) – Deklaratë për shtyp nga Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

SEUL (Koreja e Jugut) – Një gjykatë vendos mbi akuzën për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.

MOSKË (Rusi) – Seancë paraprake dëgjimore në padinë e ngritur nga Banka Qendrore ruse kundër ”Euroclear”.

PROVO (Shtetet e Bashkuara) – Procedurale seancë dëgjimore në rastin e vrasjes së Charlie Kirk.

TUNIS (Tunizi) – Fillon gjyqi kundër udhëheqësit islamik Rached Ghannouchi për “përpjekje për të ndryshuar formën e qeverisjes”.

RIO DE ZHANEIRO (Brazil) – Presidenti Lula pret presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 16/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Rasmussen: Blerja e Groenlandës nga SHBA jashtë çdo diskutimi

KOPENHAGË, 15 janar /ATSH-AFP/ – Është “jashtë çdo diskutimi” që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën, përsëriti sot ministri i Jashtëm danez për shtypin danez, në përgjigje të komenteve të bëra nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Kjo është jashtë diskutimit. Kjo nuk është ajo që duam në Danimarkë, as në Groenlandë dhe është në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Kjo shkel sovranitetin tonë”, tha Lars Lokke Rasmussen për transmetuesin publik DR.

Karoline Leavitt deklaroi gjatë një konference për shtyp se vendosja e trupave evropiane në Grenlandë “nuk kishte ndikim në objektivin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të blerë” territorin autonom danez./  a.jor.

The post KOPENHAGË – Rasmussen: Blerja e Groenlandës nga SHBA jashtë çdo diskutimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ndryshon asgjë për Trumpin

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-AFP/ – Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha sot se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë “nuk ka ndikim në qëllimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të përvetësuar” territorin autonom danez.

“Nuk mendoj se vendosja e trupave në Evropë ka ndonjë ndikim në vendimmarrjen e presidentit dhe nuk ka asnjë ndikim në qëllimin e tij për të përvetësuar Groenlandën”, tha Karoline Leavitt gjatë një konference për shtyp.

Një kontingjent ushtarak francez me 15 trupa mbërriti në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa edhe disa shtete evropiane kanë dërguar ushtarë atje si pjesë e një misioni.

Vendosja, e cila do të përfshijë gjithashtu personel nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të ushtrojë presion mbi pretendimin e tij për ishullin, i cili është një pjesë e Danimarkës./  a.jor.

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Vendosja e trupave evropiane në Groenlandë nuk ndryshon asgjë për Trumpin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani ka pezulluar 800 ekzekutime të planifikuara

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-AFP/ – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi sot se Irani kishte anuluar 800 ekzekutime të planifikuara të protestuesve dhe deklaroi se “të gjitha opsionet” mbeteshin në tryezë për Shtetet e Bashkuara.

Karoline Leavitt shtoi se Donald Trump e kishte paralajmëruar Teheranin për “pasoja serioze” nëse vazhdonte shtypja e protestave.

Ajo konfirmoi gjithashtu se presidenti amerikan kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, sipas ”New York Times”, i kërkoi atij të mos ndërhynte ushtarakisht në Iran.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot se “vrasjet kanë mbaruar në Iran”.

Ai theksoi se autoritetet “nuk kishin plane” për të ekzekutuar protestuesit, vërejtje që duket se e shtyjnë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

“Na është thënë se vrasjet në Iran kanë mbaruar. Ato kanë mbaruar”, tha presidenti amerikan.

”Nuk janë planifikuar ekzekutime”, shtoi ai dhe duke siguruar se kishte informacionin e tij “nga një burim i mirinformuar”./  a.jor.

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani ka pezulluar 800 ekzekutime të planifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Barrot: BE ka përgjegjësi strategjike për Groenlandën

PARIS, 15 janar /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi strategjike për Groenlandën, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po garojnë për këtë territor autonom danez, theksoi sot ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot gjatë një konference për shtyp me homologun e tij letonez.

“Siguria e Arktikut është e pandashme nga e jona, nga siguria evropiane”, deklaroi gjithashtu Jean-Noël Barrot gjatë një vizite në Riga, kryeqytetin e Letonisë.

“Ne mbështesim dhe qëndrojmë në solidaritet me Danimarkën, ashtu siç do të donim të ishim në gjendje të mbështeteshim në mbështetjen dhe solidaritetin e Danimarkës nëse do të ishim në të njëjtën situatë sot”, shtoi ai.

Në një kontekst të paparë tensionesh transatlantike brenda NATO-s, dhe në përgjigje të dëshirës së përsëritur të Uashingtonit për të marrë kontrollin e Groenlandës, evropianët njoftuan në orët e fundit vendosjen e trupave në ishull.

Pas Danimarkës, e cila dërgoi dy avionë transporti trupash, Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia kanë vendosur personel ushtarak.

Sipas Barrot, Parisi do të dërgojë burime shtesë në ditët në vijim.

”Groenlanda është një territor evropian nën mbrojtjen e NATO-s”, theksoi ministri.

“NATO, aleatët e NATO-s dhe vendet evropiane janë plotësisht të afta të mbrojnë territorin e tyre kundër çdo kërcënimi, ngado që të vijë”, deklaroi ai.

“Kur shkova në Groenlandë më 31 gusht, unë vetë hipa në një anije ushtarake franceze të ankoruar atje përpara se të merrja pjesë, së bashku me Marinën Suedeze dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Groenlandës”, kujtoi ai.

“Është gjithashtu përgjegjësia jonë të marrim pjesë në këto manovra, të cilat kontribuojnë në një farë mënyre në sigurinë e Arktikut, me të cilën siguria evropiane është e lidhur pazgjidhshmërisht”, shtoi ai para gazetarëve.

Kur u pyet për dëshirën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për të blerë Groenlandën në emër të sigurisë së tyre, Jean-Noël Barrot u përgjigj se ”Groenlanda nuk është në shitje, pasi nuk ka qartësisht shitës. Autoritetet daneze dhe të Groenlandës e kanë deklaruar këtë shumë vendosmërisht”./  a.jor.

The post PARIS – Barrot: BE ka përgjegjësi strategjike për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 15/01/2026

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Trump takohet me udhëheqësen e opozitës venezueliane Machado, laureaten e çmimit Nobel për Paqen.

MARSEJË (Francë) – Vendimi në rastin ”Apolonia”, mashtrimi më i madh i pasurive të patundshme në Francë.

SILIVRI (Turqi) – Seancë e re dëgjimore në gjyqin e Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë së Stambollit, për “falsifikim diplome”.

STAMBOLL (Turqi) – Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan takohet me shtypin e huaj.

VJENË (Austri) – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po shqyrton sulmet ajrore ruse kundër Ukrainës.

VARSHAVË (Poloni) – Një gjykatë polake vendos për ekstradimin e mundshëm në Ukrainë të arkeologut rus Alexander Butyagin.

ZAGREB (Kroaci) – Takim i Grupit Trilateral të ngarkuar me koordinimin e droneve evropiane.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paraqet prioritetet e tij për vitin 2026 në Asamblenë e Përgjithshme.

DETROIT (Shtetet e Bashkuara) – Formula 1 – ”Red Bull Racing” dhe ”Racing Bulls” zbulojnë ngjyrat e tyre të vitit 2026./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 15/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Vrasjet në Iran morën fund

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot se “vrasjet kanë mbaruar në Iran”.

Ai theksoi se autoritetet “nuk kishin plane” për të ekzekutuar protestuesit, vërejtje që duket se e shtyjnë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

“Na është thënë se vrasjet në Iran kanë mbaruar. Ato kanë mbaruar”, tha presidenti amerikan.

”Nuk janë planifikuar ekzekutime”, shtoi ai dhe duke siguruar se kishte informacionin e tij “nga një burim i mirinformuar”./  a.jor.

The post SHBA – Trump: Vrasjet në Iran morën fund appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania pjesë e misionit evropian të zbulimit ushtarak në Groenlandë

BERLIN, 14 janar /ATSH-AFP/ – Berlini njoftoi sot se do të dërgojë trupa për të marrë pjesë në një mision zbulimi në Groenlandë nga e enjtja deri të shtunën, me vende të tjera evropiane për të mbështetur Danimarkën, e cila kërcënohet me një ofensivë nga Shtetet e Bashkuara.

“Objektivi është të shqyrtohen kushtet kornizë për kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në sigurimin e sigurisë në rajon, për shembull, në fushën e aftësive të mbikëqyrjes detare”, tha Ministria gjermane e Mbrojtjes në një deklaratë.

”Ne do të dërgojmë një ekip zbulimi prej 13 anëtarësh nga Bundeswehr-i, forcat e armatosura gjermane, në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, të enjten”, shtonte deklarata./ a.jor.

The post BERLIN – Gjermania pjesë e misionit evropian të zbulimit ushtarak në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026

PARIS (Francë) – Përditësimi vjetor dhe mujor i temperaturës globale nga ”Copernicus”.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Seancë dëgjimore për apel për reperin Mo Chara të Kneecap, i akuzuar për mbështetje të Hezbollahut.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Fillon gjyqi ndaj princit Harry dhe personazheve të tjerë të famshëm, përfshirë Elton John, kundër botuesit të ”Daily Mail”.

CROTONE (Itali) – Hapet gjyqi për gjashtë personel ushtarak në lidhje me mbytjen e anijes ”Cutro” të 26 shkurtit 2023, në të cilën vdiqën 94 emigrantë.

VJENË (Austri) – Publikimi i raportit mujor OPEC.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Forumi Ekonomik Botëror do të paraqesë një raport mbi rreziqet për vitin 2026.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Misioni i ekuipazhit-11 në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) do të planifikohet të niset herët për arsye shëndetësore.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Jemenin.

OMAN – Vizitë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – DASH shpall ”Vëllazërinë myslimane” organizatë terroriste

UASHINGTON, 13 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara shpallën sot ”Vëllazërinë myslimane” në Egjipt, Liban dhe Jordani si “organizatë terroriste të huaj”, njoftoi sekretari i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.

“Këto caktime pasqyrojnë hapat e parë në një përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të luftuar dhunën dhe destabilizimin e degëve të ‘Vëllazërisë myslimane’ kudo që të jenë”, tha ai në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara do të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për t’i privuar këto degë të ‘Vëllazërisë myslimane’ nga burimet e nevojshme për t’u angazhuar ose mbështetur terrorizmin”, shtoi ai.

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në nëntor për të filluar këtë proces.

Degët e ”Vëllazërisë myslimane” në Liban, Jordani dhe Egjipt, vendi ku lëvizja u themelua në vitin 1928, “kryejnë ose inkurajojnë dhe mbështesin fushata dhune dhe destabilizimi që dëmtojnë rajonet e tyre, qytetarët amerikanë ose interesat amerikane”, thuhej në tekstin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë në atë kohë.

Përcaktimi si “organizatë terroriste e huaj” lejon, përveç presionit politik që përfshin, masa financiare dhe administrative të tilla si ngrirja e aseteve, ndalimet e transaksioneve dhe ndalimet e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara.

”Vëllazëria myslimane”, një organizatë transnacionale e themeluar në shumë vende, ishte për një kohë të gjatë lëvizja kryesore opozitare në Egjipt pavarësisht dekadave të shtypjes.

E konsideruar sot një organizatë “terroriste” në vend, ajo u hoq kryesisht nga skena politike pas mandatit të shkurtër njëvjeçar (2012-2013) të njërit prej anëtarëve të saj, ish-presidentit Mohamed Morsi, i cili vdiq në vitin 2019.

”Vëllazëria myslimane” promovon një formë konservatore të Islamit politik.

Lëvizja është ndaluar në disa vende, përfshirë Arabinë Saudite./  a.jor.

The post SHBA – DASH shpall ”Vëllazërinë myslimane” organizatë terroriste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTRET – Rubina, studentja 23-vjeçare, viktima e parë e represionit iranian

ROMË, 13 janar /ATSH-ANSA/ – Vetëm 23 vjeçe, kurde, Rubina ëndërronte të punonte në fushën e modës dhe të jetonte një jetë normale.

Gjithçka përfundoi në një çast.

Represioni brutal i regjimit iranian i mori jetën, e qëlluar pas shpine.

Rubina Aminian, me origjinë nga Marivan, u vra ndërsa ishte në rrugë me shumë të rinj si ajo, duke demonstruar kundër një qeverie liberticidiste që për më shumë se dy javë ka bërë gjithçka që mundet për të heshtur një brez të lodhur, duke kërkuar të drejta edhe me koston e sigurisë së tyre.

Një brez që dëshiron liri.

E njëjta gjë që dëshironte edhe Rubina, një studente e tekstilit dhe dizajnit të modës në Kolegjin Shariati të Teheranit.

Sipas të Drejtave të Njeriut të Iranit, ajo u vra pasi la universitetin për t’u bashkuar me protestat.

Ajo u qëllua në kokë, nga pas, nga afër.

Sikur të ishte një ekzekutim.

Pasi mësuan për vdekjen e saj, anëtarët e familjes udhëtuan nga Kermanshah, ku jetojnë, në kryeqytetin, Teheran, për ta identifikuar atë.

Sipas burimeve pranë familjes të mbledhura nga OJQ-ja, në të njëjtin vend ku ishte hedhur trupi i Rubinës, në mënyrë cinike dhe tallëse pranë universitetit, ndodheshin trupat e qindra të rinjve të vrarë gjatë protestave.

Shumica ishin midis moshës 18 dhe 22 vjeç, të qëlluar nga afër në kokë dhe qafë nga forcat qeveritare.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve të verifikuara nga Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut është aktualisht 466, por disa burime vlerësojnë se numri mund të jetë mbi 2 000.

Midis tyre është Rubina, një kurde dhe pothuajse në të njëjtën moshë me Mahsa “Jina” Aminin, vrasja brutale e së cilës shkaktoi protesta të shumta në vitin 2022, duke i dhënë jetë lëvizjes “Gratë, Jeta, Liria”.

Familjes së një viktime tjetër të ajatollahëve fillimisht iu mohua e drejta për të identifikuar trupin e Rubinës, dhe më pas refuzuan t’i linin ta merrnin atë. Kur më në fund e bënë këtë, pasi u kthyen në Kermanshah, zbuluan se forcat e inteligjencës kishin rrethuar shtëpinë e tyre.

23-vjeçarja u varros përfundimisht përgjatë rrugës midis Kermanshah dhe Kamyaran, por asnjë nga xhamitë që familja e saj iu drejtua nuk pranoi të kryente ritet e varrimit, duke shpjeguar se nuk ishin të autorizuara ta bënin këtë. Sapo u bë e ditur vdekja e saj, emri i Rubinës u bë një hashtag në mediat sociale, një thirrje për t’u bashkuar.

Imazhet e publikuara, pavarësisht ndërprerjes së internetit që zgjati mbi 60 orë, e tregojnë atë të lumtur duke aplikuar grim para kamerës dhe duke veshur disa nga krijimet e saj, duke filluar nga tonet e zbehta deri te modelet e ndritshme.

Pamje që e përjetësojnë atë ndonjëherë pa vello, por ndonjëherë të veshur me hixhab.

Sepse edhe kjo do të thotë liri./  a.jor.

The post PORTRET – Rubina, studentja 23-vjeçare, viktima e parë e represionit iranian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 13/01/2026

SEUL (Koreja e Jugut) – Argumentet përfundimtare në gjyqin e ish-presidentit Yoon për përpjekjen për të vendosur ligjin e luftës.

NARA (Japoni) – Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi pret presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung.

PEKIN (Kinë) – Vizitë e kryeministrit kanadez Mark Carney.

PARIS (Francë) – Gjykimi i apelit i Marine Le Pen dhe 11 të tjerëve në rastin e asistentëve parlamentarë evropianë të Frontit Kombëtar.

ANKARA (Turqi) – Seancë dëgjimore penale në një rast të dyshuar për korrupsion gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2023 për partinë opozitare CHP.

PRAGË (Republika Çeke) – Votëbesim për qeverinë e kryeministrit Andrej Babis.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Seanca dëgjimore në Gjykatën Supreme mbi pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në sportet e grave.

FLACHAU (Austri) – Ski alpin – Kupa e Botës për femra./  a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 13/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Padi kundër ”Charlie Hebdo” pas karikaturës për tragjedinë e Crans-Montanas

GJENEVË, 12 janar /ATSH-AFP/ – Një avokat dhe gruaja e tij, një shkrimtare, kanë ngritur një padi në Zvicër kundër revistës satirike franceze ”Charlie Hebdo”, pas botimit më 9 janar të një karikature në lidhje me zjarrin vdekjeprurës në një bar në resortin e skive Crans-Montana, raportuan sot mediet zvicerane.

Padia, e paraqitur nga Stéphane dhe Béatrice Riand në zyrën e prokurorit publik në kantonin Valais (Zvicra jugperëndimore), synon gjithashtu karikaturistin, Eric Salch.

Karikatura përshkruan dy skiatorë me lëkurë të nxirë dhe fasha që zbresin me shpejtësi një shpati të shënuar nga një tabelë që shkruan “Crans-Montana”, e shoqëruar nga mbishkrimet “Viktimat e djegies shkojnë për ski” dhe “Komedia e vitit”, një referencë për filmin komedi të vitit 1979 “Les Bronzés font du ski”.

Karikatura u botua më 9 janar, e shpallur ditë zie kombëtare në Zvicër në nderim të viktimave të tragjedisë që la 40 të vdekur – kryesisht adoleshentë dhe të rinj – dhe 116 të plagosur në natën e Vitit të Ri.

Disa të huaj ishin midis viktimave, përfshirë francezë dhe italianë.

I kontaktuar nga AFP, ”Charlie Hebdo” nuk pranoi të komentojë.

”Kjo karikaturë përshkruan grafikisht vetë viktimat, të përdorura si element qendror i një mesazhi satirik që kufizohet me poshtërimin”, shkruan çifti Riand në ankesën e tij, e cila u botua nga faqja e lajmeve 1dex.ch me seli në Valais.

“Transformimi simbolik i viktimave të vërteta në aktorë të qeshur në një tragjedi – për të cilën ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi – përbën një dehumanizim grafik, të papajtueshëm me respektin minimal që i takon dinjitetit njerëzor”, argumentuan ata, duke pohuar se “në këtë rast të veçantë, respekti për dinjitetin njerëzor ka përparësi mbi lirinë e shprehjes”.

Ata po kërkojnë që zyra e prokurorit publik të Valais të hapë një hetim penal kundër stafit menaxhues të ”Charlie Hebdo” dhe karikaturistit të saj, dhe që të ngrejë një kërkesë për kompensim që do t’u ndahet nga kantoni i Valais të gjitha viktimave./  a.jor.

The post FOKUS – Padi kundër ”Charlie Hebdo” pas karikaturës për tragjedinë e Crans-Montanas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SINTEZË – Pas 648 viktimave gjatë protestave, Trump kërcënon ajatollahët dhe Teherani thërret ambasadorët evropianë

TEHERAN, 12 janar /ATSH-ANSA-DPA/ – Të paktën 648 protestues u vranë gjatë protestave antiqeveritare që filluan 16 ditë më parë në Iran.

Organizata joqeveritare me seli në Norvegji, ”Iran Human Rights”, e raportoi këtë duke përditësuar numrin e saj që nga fillimi i protestave më 28 dhjetor në qytete të ndryshme në të gjithë vendin për shkak të krizës ekonomike.

Sipas OJQ-së, nëntë të mitur ishin midis të vdekurve, ndërsa mijëra u plagosën.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, ”Iran Human Rights” vlerëson se më shumë se 10 000 persona janë arrestuar, por mbyllja pothuajse totale e internetit në fuqi që nga 8 janari e bën të vështirë marrjen e shifrave më të sakta.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pretendon se protestat mbarëkombëtare “janë bërë të dhunshme dhe të përgjakshme për të siguruar një justifikim” që presidenti Trump të ndërhyjë, sipas ”Al Jazeera”.

Ai deklaroi në një takim me diplomatë të huaj se dhuna u përshkallëzua gjatë fundjavës, por se “situata tani është nën kontroll të plotë”.

Mes protestave masive të vazhdueshme në të gjithë Iranin, në të cilat janë vrarë qindra njerëz, vendi i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hapin negociata të reja, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Duke folur në bordin e “Air Force One”, Trump u tha gazetarëve se udhëheqja iraniane e kishte thirrur atë për të negociuar një ditë më parë.

Ai shtoi se një takim me përfaqësuesit iranianë mund të organizohej, ndersa shtoi se SHBA-ja mund të duhet të veprojë paraprakisht duke pasur parasysh protestat e vazhdueshme në vend.

Moska dënon atë që e quan “përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit”.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ruse, Sergei Shoigu, e bëri këtë deklaratë në një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Ali Larijani, me të cilin diskutoi protestat që tronditën Republikën Islamike.

Araghchi deklaroi se shërbimi i internetit do të rikthehet së shpejti në Iran, duke shtuar se qeveria po koordinohet me autoritetet e sigurisë për të bërë përparim.

Ndërkohë, ambasadorët ose të ngarkuarit me punë të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të vendosur në Teheran, u thirrën sot nga autoritetet iraniane, të cilat shprehën keqardhje për mbështetjen që këto vende kanë shprehur për protestuesit iranianë. Kjo u raportua në një deklaratë nga Ministria e Jashtme iraniane dhe u transmetua në televizionin shtetëror.

Diplomatëve iu shfaq një video e dëmeve të shkaktuara nga “rebelët” dhe iu kërkua të tërhiqnin deklaratat zyrtare të qeverive të tyre në mbështetje të protestuesve.

“Ne konfirmojmë thirrjen e ambasadorëve evropianë”, njoftoi më vonë Ministria e Jashtme franceze.

Faqja izraelite e internetit ”Ynet” pohon se ditët e fundit regjimi i ajatollahëve “ka kaluar një vijë të kuqe të re në përpjekjen e tij për të shtypur protestat civile që kanë shpërthyer në Iran, të cilat deri më tani ishin konsideruar pothuajse të pamundura. Sipas një sërë raportesh nga jashtë, regjimi ka aktivizuar bllokuesit ushtarakë për herë të parë”, pajisje lufte elektronike të projektuara për të ndërprerë ose bllokuar sinjalet radio, radarët dhe sistemet e komunikimit duke emetuar ndërhyrje elektromagnetike.

Televizioni shtetëror iranian transmetoi imazhe të një demonstrate të madhe në mbështetje të Republikës Islamike, pas dy javësh protestash antiqeveritare, dhe pamjet tregojnë disa mijëra njerëz që mbushin sheshin ”Enghelab” në kryeqytetin iranian.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u pa gjithashtu në demonstratën në Teheran, raporton versioni në gjuhën angleze i televizionit iranian, Press TV, i cili publikoi një foto të tij në turmë në X, ku demonstruesit valëvitnin flamuj të Republikës Islamike dhe shfaqnin portrete të udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.

Demonstrata në mbështetje të Republikës Islamike u mbajtën gjithashtu në qytete të ndryshme në të gjithë vendin këtë mëngjes, dhe televizioni shtetëror i përshkroi pjesëmarrësit si “iranianë të bashkuar kundër terrorizmit”, duke i etiketuar protestat antiqeveritare si “trazira në Iran të mbështetura nga SHBA-të dhe Izraeli”./  a.jor.

The post SINTEZË – Pas 648 viktimave gjatë protestave, Trump kërcënon ajatollahët dhe Teherani thërret ambasadorët evropianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – DASH revokoi më shumë se 100 000 viza në 2025-n

UASHINGTON, 12 janar ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit revokoi më shumë se 100 000 viza të huaja në vitin 2025, më shumë se dyfishi i vitit 2024 në vitin e fundit të administratës së presidentit Joe Biden.

Shifra është një rekord i të gjitha kohërave dhe vjen pas urdhrit ekzekutiv të ditës së parë të presidentit Donald Trump mbi verifikimin e të huajve.

Në vitin 2024, DASH revokoi 40 000 viza.

Shumica e revokimeve ishin për udhëtarët e biznesit dhe turistëve që i tejkaluan vizat e tyre.

Por, rreth 8 000 studentë dhe 2 500 punëtorë të specializuar gjithashtu humbën statusin e tyre ligjor.

Një zëdhënës i departamentit tha se shumica e studentëve dhe punëtorëve që humbën vizat e tyre kishin pasur përplasje kriminale me forcat e ligjit.

Midis punonjësve të specializuar, gjysma e revokimeve bazoheshin në arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% për akuza sulmi, rrahjeje ose mbajtjeje në burg, dhe 20% e mbetura u revokuan për vjedhje, abuzim me fëmijë, abuzim dhe shpërndarje të substancave si dhe akuza për mashtrim dhe përvetësim.

Gati 500 studentë humbën vizat për posedim dhe shpërndarje droge dhe qindra punëtorë të huaj humbën vizat sepse besohej se po abuzonin me fëmijë, sipas një zëdhënësi të departamentit.

Në gusht 2025, administrata Trump njoftoi se po shqyrtonte të gjithë 55 milionë të huajt që kanë viza të vlefshme amerikane.

Zëvendëszëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, shtoi se administrata do të vazhdojë qëndrimin e saj agresiv të zbatimit përmes “qendrës së saj të re të verifikimit të vazhdueshëm”.

“Administrata Trump do të vazhdojë ta vërë Amerikën në radhë të parë dhe ta mbrojë kombin tonë nga shtetasit e huaj që përbëjnë rrezik për sigurinë publike ose sigurinë kombëtare”, tha ai.

Në nëntor 2025, Fox News Digital raportoi për herë të parë se departamenti do të zbatonte një rregull “barrë publike”, duke u mohuar vizat aplikantëve që konsiderohen të prirur të mbështeten në përfitimet publike.

Kjo përfshinte arsye shëndetësore – duke i vënë njerëzit e moshuar dhe mbipeshë nën një shqyrtim më të madh – kompetencën në anglisht, financat ose nevojat e tjera të mundshme për kujdes afatgjatë./  a.jor.

The post SHBA – DASH revokoi më shumë se 100 000 viza në 2025-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 12/01/2026

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Hapet gjyqi për kapitenin rus të akuzuar për vrasje të paqëllimshme pas një përplasjeje në Detin e Veriut.

VJENË (Austri) – Shorti i gjysmëfinales së Eurovisionit.

TEHERAN (Iran) – Ekspozita ndërkombëtare e Inteligjencës Artificiale./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 12/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 11/01/2026

AHMEDABAD (Indi) – Vizitë e kancelarit gjerman, Friedrich Merz.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Ceremonia e 83-të e çmimeve ”Golden Globe”.

MIANMAR – Raundi i dytë nga tre raundet e zgjedhjeve parlamentare.

SPANJË – Kampionati spanjoll i futbollit La Liga.

ITALI – Kampionati italian i futbollit Serie A.

GJERMANI – Kampionati gjerman i futbollit Bundesliga./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 11/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Aktori i famshëm turk, Can Yaman arrestohet për trafik droge

ANKARA, 10 janar /ATSH/ – Aktori i famshëm turk, Can Yaman është arrestuar në Turqi si pjesë e një hetimi mbi trafikimin dhe përdorimin e drogës midis personazheve të njohur, gazetarëve dhe personazheve VIP në Stamboll, sipas rainewsofficial.

Yaman, shumë i njohur në Itali për rolet e tij kryesore në disa seriale televizive të suksesshme, përfshirë “Sandokan” të kohëve të fundit, por edhe për njohuritë e tij të thella të gjuhës italiane, u arrestua mbrëmë së bashku me gjashtë persona të tjerë, përfshirë aktoren Selen Gorguzel.

Yaman u gjet me disa doza droge me vete.

Të shtatë të arrestuarit tani po i nënshtrohen një sërë testesh në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar nëse, kur dhe çfarë droge kishin konsumuar.

Policia kontrolloi nëntë klube të ndryshme nate në metropolin e Bosforit mbrëmë duke arrestuar disa tregtarë dhe menaxherët e lokaleve ku shiteshin narkotikë.

Në javët e fundit, si pjesë e të njëjtit hetim, më shumë se 20 personalitete të argëtimit, personazhe të famshëm dhe gazetarë janë kapur nga policia.

Hetimi ka të bëjë me akuzat për “posedim droge ose stimuluesish për përdorim personal”, “lehtësim të përdorimit të drogës” dhe “inkurajim të një personi për t’u angazhuar në prostitucion, lehtësim të një praktike të tillë ose ndërmjetësim ose sigurim të një vendi për prostitucion”.

Midis shtatë të arrestuarve nga policia turke, përveç Yaman dhe aktores së saj Gorguzel, thuhet se janë edhe Ayse Saglam dhe Ceren Alper, si dhe pronarë klubesh, menaxherë dhe influencerë./  a.jor.

The post KINEMA – Aktori i famshëm turk, Can Yaman arrestohet për trafik droge appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌