Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ruaje dosjen për 20 Shkurt se do jem në shesh… –

✇27.al
By: 27

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi  ka reaguar lidhur me protestën  e organizuar  një ditë më parë para ambienteve të Kryeministrisë, ndërsa thekson se është proceduar nga Policia e Shtetit dhe marrë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët.

Këlliçi sqaron se këtë lajm e ka marrë vesh ndërsa ishte në një takim në Miçigan, me Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”.

Sipas Këlliçit, kjo dëshmon tragetin politik që e ka gati, “shërbëtori i bandave” Ilir Proda.

Reagimi 

Ndërkohë që takoja mikun tim Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Miçigan, prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, mësoj se Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proçeduar dhe marë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit!!!

Kjo dëshmon targetin politik që e ka gati narkodrejtuesi dhe shërbëtori i bandave, Proda, i cili pavarësisht se ndodhem jashtë vendit dhe një oqean larg, më bën letrat për prokurori.

I them Prodës dhe shefit të tij, kreut të narkoshtetit Edi Rama, ta ruajë dosjen për protestën e 20 shkurtit, pasi do jem aty, në vijën e parë, bashkë me demokratët dhe qytetarët që nuk pranojnë korrupsionin e krimin si normë, si rregull, si rend.

Krenar për secilin demokrat e qytetar që dje u përball me dhunën e paprecedentë policore dhe i bëj thirrje çdo shqiptari, që më datë 20 shkurt, të dalë në shesh, jo për partitë politike, por për atdheun, për flamurin tonë kombëtar🇦🇱

PS: Përtej banalitetit që prodhon shteti i drejtuar nga Edi Rama, gjej rastin të ftoj çdo shqiptar në shtetin e Miçiganit dhe kudo tjetër, të mbështesë me çdo mundësi Robert Lulgjurajn, në këtë shans historik, që një shqiptar të ulet në Kongresin Amerikan.

Asnjë dhunë nuk i ndal protestat e qytetarëve, koha e Ramës ka mbaruar –

✇27.al
By: 27

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, denoncoi sot dhunën e ushtruar nga qeveria dhe policia, duke akuzuar Edi Ramën se po përpiqet të mbajë pushtetin me frikë dhe terror.

Bardhi theksoi se sulmet ndaj qytetarëve, deputetëve dhe të miturve tregojnë panikun e kryeministrit për humbjen e pushtetit dhe paralajmëroi se vendosmëria e opozitës dhe e qytetarëve të lirë nuk do të shuhet nga asnjë dhunë.

Protestat, sipas tij, do të vazhdojnë, sepse ndryshimi nuk mund të ndalet nga shkopinj gome, gaz lotsjellës apo dhunë barbare.

Reagimi

Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.

Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset.

Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.

Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin.

Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron.

Abuzimet me tenderat/ Ish-kryebashkiaku socialist i Memaliajt, Gjolek Guci merret i pandehur nga SPAK –

✇27.al
By: 27

Ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Sipas burimeve, bashkë me të janë marrë të pandehur edhe shtetasit Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se janë përfshirë në të njëjtën procedurë të kundërligjshme.

Burime bëjnë me dije se hetimet kanë evidentuar shkelje në një procedurë prokurimi që lidhet me një projekt për ujësjellësin në 8 fshatra të zonës.

Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet e fundit vendore, kur kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Albert Malaj, fitoi me një diferencë prej 312 votash.

Ndaj Gucit, sipas raportimeve, ka pasur edhe denoncime të tjera nga qytetarë dhe nga Partia Demokratike, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Thaçi është i pafajshëm, prokuroria po hedh poshtë dëshmitë e ndërkombëtarëve –

✇27.al
By: 27

Sot ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit, tha në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë se klienti i tij është i pafajshëm.

Avokati kritikoi mënyrën e mendimit të Prokurorisë së Specializuar, që kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, tha fillimisht Misetic. “Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm”, shtoi ai.

Misetic tha se në këtë pikë trupi gjykues duhet të nisë argumentimin për marrjen e vendimit në këtë rast gjyqësor.

“Kjo është pikënisja juaj kur të filloni argumentimet për marrjen e vendimit. Ne e dimë që në këtë pikë të procedurës ai është i pafajshëm, pasi ligji ju kërkon juve që ta prezumoni atë të pafajshëm”.

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

Në fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Hagës, ai theksoi se akuza ka shpërfillur provat dhe dëshmitë.

Avokat nënvizoi se, Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin.

Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor. Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.

Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marrë parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione. Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, u shpreh avokati i Thaçit

Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

 

 

Dosja ‘Buka’/ GJKKO pranon që Arben Ahmetaj të dëshmojë përmes video-konferencave –

✇27.al
By: 27

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të Arben Ahmetajt për të dëshmuar në seancë me audio ose videokonferencë.

Kërkesë e bërë për shkak se ish-zëvendëskryeminsitri nuk ndodhet dhe nuk mund të paraqitet fizikisht në Shqipëri.

Gjatë seancës së parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme paraqitën edhe listën e dëshmitarëve që pritet të thirren në këtë proces.

Sipas burimeve nga salla e gjyqit, dëshmitari i parë që do të dëgjohet është Lirim Fejzollari.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 24 shkurt, në orën 14:00, kur pritet të vijojë administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.

 Dosja “Buka”

Hetimet lidhen me një transfertë prej 3 milionë eurosh nga Shqipëria drejt Austrisë. Këto para dyshohet se janë përfituar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas privatizimit të ndërmarrjes shtetërore “Buka” në vitin 2014.

Privatizimi i kësaj shoqërie, sipas SPAK, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 7 miliardë lekësh. Transferta është kryer nga biznesmeni Lirim Fejzullai, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e privatizimit .

Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, duke favorizuar privatizimin e shoqërisë “Buka sha” nga biznesmeni Lirim Fezollari. Pas privatizimit, në pronën e shoqërisë është ndërtuar kompleksi “Emerald” në zonën e Medresesë në Tiranë.

Familja Myderizi, e cila kishte interesa në këtë shoqëri, ka ngritur padi ndaj Ahmetajt duke e akuzuar se u ka shkaktuar dëm financiar. Gjykatat kanë pranuar kërkesat e familjes, duke konfirmuar se dëmi i shkaktuar arrin në 7 miliardë lekë .

 

Von der Leyen: BE-ja duhet të shembë barrierat për t’u bërë gjigant ekonomik global

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këmbënguli të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të eliminojë barrierat ekonomike që e pengojnë atë të bëhet një gjigant global dhe të thellojë tregun e saj të brendshëm.

Zyrtarja e lartë dha këtë mesazh përpara nisjes së saj në një takim me liderët e BE-së, përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në një forum të drejtuesve të industrisë në Antwerp.

Ky takim mbahet në prag të samitit të së enjtes, ku vendet anëtare do të diskutojnë prioritetet e axhendës ekonomike të Evropës, duke përfshirë forcimin e tregut të vetëm dhe rritjen e pavarësisë dhe konkurrueshmërisë ekonomike të kontinentit.

“Konkurrenca nuk është vetëm themeli i prosperitetit, por edhe i sigurisë sonë dhe në fund të fundit, edhe i demokracive tona,” paralajmëroi Von der Leyen.

Një nga çështjet kyçe të identifikuara nga BE-ja është se kompanitë evropiane përballen me vështirësi aksesi në kapital për zgjerim, ndryshe nga homologët e tyre amerikanë. “Për ta trajtuar këtë, Plani A do të ishte të përparonim së bashku të 27 shtetet e bllokut, – tha Von der Leyen, – por nëse nuk mund të arrijmë një marrëveshje, BE-ja duhet të shqyrtojë bashkëpunimin e zgjeruar midis vendeve që dëshirojnë këtë.”

Ajo shtoi se Evropa duhet të rrisë konkurrueshmërinë duke rritur prodhimin brenda kontinentit dhe zgjeruar rrjetin e partnerëve të besueshëm, duke theksuar rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare.

Pas marrëveshjeve të fundit me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, dhe Indinë, Von der Leyen tha se të tjera janë në rrugë me Australinë, Tajlandën, Filipinet dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Një nga propozimet më të mëdha dhe më të debatuara për nxitjen e ekonomisë së BE-së është favorizimi i firmave evropiane ndaj rivalëve të huaj në fushat strategjike, të cilin Von der Leyen e mbështet fuqishëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Von der Leyen: BE-ja duhet të shembë barrierat për t’u bërë gjigant ekonomik global appeared first on Sinjali.

Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit të Përgjithshëm, shkak dosja Epstein

Këshilli i Evropës, organizata kryesore e kontinentit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka njoftuar të mërkurën se ka rënë dakord t’ia heqë imunitetin diplomatik ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm norvegjez, Thorbjoern Jagland, duke i hapur rrugë policisë për të hetuar lidhjet e tij të mundshme me Jeffrey Epstein.

Policia norvegjeze për krimet ekonomike ka nisur një hetim ndaj Jagland, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm, si dhe ish-kryetar i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, nën dyshimin për korrupsion të rëndë.

Vendimi për ta hetuar Jagland, i cili ishte sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në 2019, u bazua në informacione të zbuluara nga dosje të reja të publikuara lidhur me Epstein, i dënuar për abuzim seksual në SHBA, i cili vdiq në burg në vitin 2019.

Avokati i Jagland, Anders Brosveet, ka thënë se vendimi për heqjen e imunitetit ishte i pritshëm dhe se klienti i tij do të bashkëpunojë me organet hetuese për të sqaruar të gjitha çështjet.

“Ai e merr këtë çështje shumë seriozisht, por dëshiron të theksojë se beson se nuk ekzistojnë rrethana që përbëjnë përgjegjësi penale”, ka thënë Brosveet në një deklaratë.

Për të zhvilluar hetimin policor, ishte e nevojshme heqja e imunitetit të Jagland, dhe ministria e Jashtme e Norvegjisë ka thënë se u kishte kërkuar 46 vendeve anëtare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ta miratonin këtë hap.

Jagland nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, por hetimi ndaj tij synon të zbulojë nëse ai ka marrë dhurata, apo hua në lidhje me pozicionin e tij, kanë bërë të ditur autoritetet.

“Nëse Jagland, si sekretar i Përgjithshëm i zgjedhur i Këshillit të Evropës, do të kishte marrë ryshfet, ai do të kishte shkelur besimin e veçantë që lidhet me detyrën e tij,” thuhet në një letër të policisë norvegjeze të datës 8 shkurt, drejtuar Këshillit për heqjen e imunitetit.

Publikimi i një sërë dosjesh të reja në SHBA ka zbuluar lidhje të reja të Epsteinit me politikanë, anëtarë të familjeve mbretërore dhe persona shumë të pasur në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Dosjet tregojnë, ndër të tjera, se në vitin 2014 Jagland dhe ndihmësit e Epsteinit kishin bërë plane të detajuara që Jagland, bashkëshortja e tij, dy fëmijët dhe e dashura e djalit të tij, të vizitonin Epstein në Palm Beach dhe në ishullin privat të tij në Karaibe.

Jagland, në atë kohë sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, ka mohuar se ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epsteinit.

Sipas një emaili të vitit 2014, ai i kishte kërkuar ndihmë Epsteinit për financimin e një apartamenti në Oslo.

Emaile nga viti 2018 tregojnë se Epsteini i kishte kërkuar Jaglandit të organizonte një takim mes tij dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke thënë se kishte ide për t’ia paraqitur presidentit Vladimir Putin. Jagland kishte premtuar se do ta ngrinte çështjen me ndihmësin e Lavrovit.

Policia norvegjeze ka thënë të hënën se po heton gjithashtu dy diplomatë të profilit të lartë në një hetim tjetër për korrupsion të lidhur me Epsteinin, ndërsa princesha e kurorës së Norvegjisë ka kërkuar falje disa herë për miqësinë e saj me financierin e ndjerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit të Përgjithshëm, shkak dosja Epstein appeared first on Sinjali.

Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së sipas rregullave të reja të azilit

Parlamenti Evropian ka miratuar të martën ndryshime të rëndësishme në sistemin evropian të azilit që përfshijnë krijimin e një liste të përbashkët të vendeve të origjinës të konsideruara si të sigurta, në të gjithë BE-në.

Midis shteteve të përfshira në këtë listë është edhe Kosova.

Sipas rregullave të reja, vendet si Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, Kosova, India, Maroku dhe Tunizia do të quhen vende të sigurta të origjinës për qytetarët e tyre kur aplikojnë për azil në vendet e BE‑s.

Në praktikë, kjo do të thotë se shtetasit e Kosovës dhe vendeve të tjera që kërkojnë azil në BE mund të përjetojnë procedura të përshpejtuara.

Sipas rregullave të reja, barra e provës do të mbetet mbi aplikantin për të demonstruar se dispozita e vendit të sigurt nuk duhet të zbatohet në rastin e tij specifik, për shkak të një frike të bazuar mirë nga persekutimi ose rreziku i dëmtimit serioz nëse kthehet në vendin e tij të origjinës.

Vendet kandidate për në BE do të konsiderohen gjithashtu vende të sigurta origjine, përveç rasteve kur rrethanat përkatëse tregojnë ndryshe.

Rrethana të tilla përfshijnë dhunë pa dallim në kontekstin e një konflikti të armatosur, një shkallë të njohjes së azilit në të gjithë BE-në për shtetasit e tyre që tejkalon 20%, ose vendosjen e sanksioneve ekonomike në lidhje me veprimet që prekin të drejtat dhe liritë themelore.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE‑së dhe pritet të fillojnë të zbatohen me ligj nga qershori 2026, në kuadër të reformave më të gjera të politikës së migracionit dhe azilit të BE‑së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së sipas rregullave të reja të azilit appeared first on Sinjali.

Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci, FSK: U konfirmua përkushtimi për paqe, stabilitet e siguri

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin trelateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë.

Përmes një njoftimi, FSK-ja bëri të ditur se ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Gjeneral Jashari, Gjeneral Kingji dhe Gjeneral Kundid zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet gjithashtu se takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon. Po ashtu, ky takim potencoi gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit strategjik.

“Kjo iniciativë trelaterale përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”, përfundon njoftimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci, FSK: U konfirmua përkushtimi për paqe, stabilitet e siguri appeared first on Sinjali.

Avokati i Thaçit: S’ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq, ka deklaruar se Prokuroria e Hagës është frikësuar ta pyesë dëshmitarin Bislim Zyrapi lidhur me rolin e Thaçit në operacionet ushtarake.

“ZPS-ja nuk e kontestoi dëshminë e tij kur pati mundësinë t’i bënte pyetje shtesë. Zyrapi iu tha se në fillim të nëntorit 1998, Thaçi drejtonte drejtorinë politike por nuk ka qenë i përfshirë në çështje ushtarake. E dimë se Zyrapi ka drejtuar operacionet nga tetori 1998, Zyrapi iu tha se Thaçi nuk ka pasur rol në operacionet ushtarake, e jo të ketë luajtur rol qendror. ZPS-ja tha se Zyrapi është dëshmitari bueshesëm, nuk e kontestuan dëshminë e tij, nuk duhet të vendosni peshë pretendimeve të ZPS-së se është besnik ndaj Thaçit, ZPS-ja nuk guxonte t’ia bënte pyetjet sepse kishte frikë për përgjigjen që do merrte. Nuk është e drejtë për dëshmitarin e as të akuzuarit”, tha Misetiq.

Gjithashtu, u theksua se nuk ka dëshmi që Thaçi ka hartuar komunikata politike të UÇK-së. Sipas mbrojtjes, ZPS ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim.

“Nuk ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së. Se ka pasur përfshirje në përgatitjen e deklaratave politike, asnjë dëshmitar nuk ka dhënë dëshmi për këtë lidhur me faktin që Thaçi të ketë hartuar komunikata politike. Në fakt, ZPS arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre që Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e tyre”, tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Avokati i Thaçit: S’ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së appeared first on Sinjali.

Valon Berisha transferohet tek Zurich në Zvicër

Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, ka gjetur skuadrën e tij të re. Të mërkurën, ai firmosi me klubin zviceran, Zurich.

Berisha së fundi ishte pjesë e LASK-ut në Austri, ndërsa me Zurichun ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në fund të edicionit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Mesfushori ka regjistruar deri më tani 52 paraqitje me përfaqësuesen e Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Valon Berisha transferohet tek Zurich në Zvicër appeared first on Sinjali.

Publikohen pamjet pas sulmit vdekjeprurës në Kanada

Pamjet e para nga sulmi tragjik në një shkollë të mesme në British Columbia, Kanada, janë shpërndarë, duke zbuluar skena dramatike pas ngjarjes që la 9 të vdekur dhe 25 të plagosur.

Deri tani, autoritetet kanadeze nuk kanë ofruar shumë informacione për autorin e sulmit, por mediat lokale raportojnë se një grua dyshohet të jetë përgjegjëse për këtë akt të dhunshëm.

Gjithashtu, pranë shkollës, në një apartament janë gjetur dy persona të tjerë të vdekur, dhe policia ka konfirmuar lidhjen e këtyre vrasjeve me ngjarjen kryesore në shkollë. Motivet e sulmit ende mbeten të panjohura, ndërsa autorja e krimit ka kryer vetëvrasje, sipas njoftimeve nga policia.

Në videot që janë shpërndarë në rrjetet sociale, shihen policë duke mbërritur në vendngjarje për të ndihmuar në evakuimin e nxënësve, ndërsa helikopterët fluturojnë mbi shkollë. Nxënësit, duke dalë nga shkolla me duar të ngritura lart, shoqërohen nga policë të armatosur dhe dërgohen në zonat më të sigurta.

VIDEO

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Publikohen pamjet pas sulmit vdekjeprurës në Kanada appeared first on Sinjali.

Lirohet nga arresti mësimdhënësi që ushtroi dhunë ndaj nxënësit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë

Mësimdhënësi që është përfshirë në një rast të dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është liruar, e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

Ai tha se ndaj mësimdhënësit është propozuar një masë alternative, konkretisht lajmërim në stacion policor.

Gashi shtoi se nuk kanë hapur procedura ndaj nxënësit që shihet në video, për veprimet e tij para ngjarjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Lirohet nga arresti mësimdhënësi që ushtroi dhunë ndaj nxënësit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë appeared first on Sinjali.

“Borxhin e lava në një formë tjetër…”, Murseli i kishte borxh 100 mijë euro Behgjet Pacollit

Gjatë shqyrtimit të provave në procesin gjyqësor, është prezantuar një dokument që dëshmon se i akuzuari Naim Murseli kishte një borxh në vlerë prej 100 mijë eurosh Behgjet Pacollit.

Sipas përmbajtjes së dokumentit të paraqitur në seancë, kjo shumë rezulton të jetë pjesë e një marrëveshjeje financiare ndërmjet Murselit dhe Pacollit.

Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare, por “në forma të tjera”, siç i ka cilësuar ai.

Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje private mes tij dhe Pacollit, e cila, sipas tij, nuk ka lidhje me interes apo përfitim të jashtëligjshëm, por është shlyer përmes formave të tjera të dakorduara mes palëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Borxhin e lava në një formë tjetër…”, Murseli i kishte borxh 100 mijë euro Behgjet Pacollit appeared first on Sinjali.

Çka dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada?

Nëntë persona janë vrarë dhe të paktën 25 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë dhe një banesë aty pranë në komunitetin e vogël e të lidhur ngushtë të Tumbler Ridge, raporton Telegrafi.

Nga nëntë personat e vrarë, gjashtë u gjetën të vdekur në shkollën e mesme Tumbler Ridge, ndërsa i shtati vdiq gjatë rrugës për në spital. Dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë aty pranë.

Sulmuesi i dyshuar u gjet gjithashtu i vdekur në shkollë, me një lëndim të vetëshkaktuar. Autoritetet kanë bërë të ditur se e dinë identitetin e saj, por ende nuk e kanë zbuluar publikisht. Një alarm për strehim i dërguar në telefonat e zonës e përshkroi të dyshuarën si “femër me fustan dhe flokë ngjyrë kafe”.

Të paktën dy persona të tjerë u dërguan në spital me lëndime serioze ose kërcënuese për jetën, ndërsa deri në 25 të tjerë po trajtoheshin për lëndime jo kërcënuese për jetën.

Njësitë policore kanë hequr bllokimin në shkollën e mesme dhe atë fillore aty pranë, megjithatë të dyja do të mbeten të mbyllura për pjesën e mbetur të javës.

Policia tha se ende nuk ka ndarë detaje mbi identitetin e të dyshuarës dhe nuk dihet lidhja e saj me shkollën. Gjithashtu, nuk ka konfirmim përfundimtar nëse sulmet në shkollë dhe në banesë janë të lidhura, megjithëse hetuesit besojnë se mund të ketë një lidhje midis tyre.

Detajet e viktimave, përfshirë identitetin dhe moshat e tyre, nuk janë publikuar ende. Autoritetet nuk kanë dhënë informacion nëse numri i viktimave mund të rritet, por kanë bërë të ditur se po vazhdonin kontrollin e banesave aty pranë pas të shtënave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Çka dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada? appeared first on Sinjali.

“Marubi”, në 10-vjetorin e themelimit

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Viti 2026 shënon 200-vjetorin e fotografisë, si dhe 10-vjetorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Këtë përvjetor të dyfishtë, “Marubi” e konsideron jo vetëm si një akt përkujtimor formal, por një moment reflektimi mbi rolin e fotografisë si formë dijeje dhe mbi muzeun si institucion kritik, që ndërmjetëson marrëdhënien midis kujtesës, historisë dhe së tashmes.

Muzeu “Marubi” u themelua si një nevojë kulturore dhe etike: për të ruajtur, studiuar dhe aktivizuar arkivin fotografik të dinastisë Marubi dhe të fotografëve të tjerë të Shkodrës, një korpus imazhesh që artikulon, përmes dritës, transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të një vendi.

Në themel të kësaj trashëgimie qëndron Pietro Marubbi, i cili solli fotografinë në Shqipëri jo vetëm si teknikë, por si mënyrë të re të të parit dhe të të kuptuarit të realitetit.

Hapja e muzeut shënoi kalimin nga arkivi i mbyllur drejt institucionit të hapur, nga ruajtja pasive drejt interpretimit kritik. “Marubi” eshte konceptuar nga studioja Casanova + Hernandez dhe eshte vendosur në ndërtesën historike të projektuar nga Kolë Idromeno.

Gjatë dhjetë viteve të para, muzeu ka kontribuar në riformulimin e mënyrës se si fotografia lexohet dhe kuptohet në Shqipëri. Përmes ekspozitave kuratoriale, ndërthurjes me praktikat bashkëkohore artistike, programeve edukative, botimeve dhe kërkimit shkencor, ai ka ndërtuar ura konceptuale mes arkivit dhe aktualitetit, mes historisë dhe kritikës së saj.

Në vitin 2017 muzeu u përzgjodh finalist për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall zyrtarisht pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar “Memory of the World” nga UNESCO. /j.p/

The post “Marubi”, në 10-vjetorin e themelimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Në Shkodër u mbajt takimi trepalësh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant, Arben Kingji kryeson takimin së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Takimi ka në fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.

“Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, u shpreh gjenerallejtënant Kingji në një postim në rrjetet sociale ku solli momente nga takimi.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në këtë mënyrë po konkretizojnë në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakordësuan kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.

The post Mbahet takimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani: Gati të ofrojmë garanci vetëm për përdorim paqësor të energjisë bërthamore

TEHERAN, 11 shkurt /ATSH-ANSA/ – Si pjesë e negociatave me Shtetet e Bashkuara, Irani është gati të ofrojë garanci se nuk do të ndjekë përdorimin e armëve bërthamore dhe, në të njëjtën kohë, kërkon që pala tjetër të garantojë të drejtën e Iranit për teknologji bërthamore paqësore për prodhimin e energjisë elektrike.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e deklaroi këtë në një intervistë me Russia Today, të raportuar nga agjencia e lajmeve IRNA, duke shtuar se garanci të tilla janë “të realizueshme dhe të arritshme” nëse ka vullnet të mirë nga të dyja palët.

“Ne ende nuk kemi besim të plotë tek amerikanët”, por nuk ka zgjidhje tjetër përveç një zgjidhjeje diplomatike”, shtoi ai.   /os/

 

The post TEHERAN – Irani: Gati të ofrojmë garanci vetëm për përdorim paqësor të energjisë bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Miliona pjesëmarrës në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979

TEHERAN, 11 shkurt /ATSH-DPA/- Miliona njerëz në Iran dolën sot në rrugë me rastin e përvjetorit të Revolucionit Islamik të vitit 1979, raportuan mediat shtetërore.

Televizioni shtetëror tregoi mbështetës të qeverisë në rrugët kryesore në qendër të kryeqytetit, Teheran.

“Miliona iranianë morën pjesë në festimet në më shumë se 1 400 qytete dhe rreth 40 000 fshatra”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Gjithashtu, u shfaqën pajisje ushtarake siç është tradicionale në festimet e përvjetorit, duke përfshirë lëshues kamionësh të lëvizshëm të raketave balistike.

Ministra dhe oficerë ushtarakë morën pjesë gjithashtu në festime.

Presidenti Masoud Pezeshkian bëri thirrje për unitet kombëtar.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet përballë kërcënimeve, komploteve, zhvillimeve të gabuara ose dezinformatave që ndonjëherë mashtrojnë të rinjtë tanë”, tha ai në një fjalim.

“I kërkoj falje popullit fisnik për mangësitë që ekzistojnë”, shtoi Pezeshkian.

Dje në mbrëmje, mbështetësit e Republikës Islamike bërtitën “Allahu Ekber” (Zoti është më i madhi) mbi çatitë e metropolit të Teheranit. Shprehja u bë thirrja simbolike e revolucionit kundër sundimit të monarkut (Shahut) në vitin 1979.

Përvjetori i këtij viti është në hijen e shtypjes brutale të protestave masive në fillim të janarit.

“Vdekje diktatorit” jehoi gjithashtu një thirrje nga banesat, një referencë për udhëheqësin fetar të Iranit dhe kreun e shtetit, Ajatollah Ali Khamenei.

Mijëra të vrarë u raportuan në valën e fundit të protestave – e cila u shkaktua nga kriza e rëndë ekonomike në Iran.

Ndërsa fillimisht tregtarët dolën në rrugë, protestat u zhvilluan shpejt në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit të ashpër islamik të qeverisjes.

Natën e 8-9 janarit, forcat e sigurisë vranë gati 6 500 demonstrues, sipas hetimeve nga agjencia e lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me seli në SHBA.

Besohet se më shumë se 50 000 njerëz janë arrestuar.

Protestat tani janë qetësuar, por situata e vështirë ekonomike dhe rritjet ekstreme të çmimeve vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të shumë familjeve.

Monedha kombëtare, riali – për shumë iranianë një matës i menjëhershëm i gjendjes së tyre financiare – ka rënë në nivele rekord që nga fillimi i vitit. //a.i/

The post IRAN – Miliona pjesëmarrës në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Drejtësia t’i trajtojë me përgjegjësi sulmet barbare ndaj policisë, urdhëruesit fshihen pas imunitetit

TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu reagoi sot në lidhje me protestën e opozitës, ku theksoi sot se e drejta për të protestuar është e paprekshme, por dhuna është e pafalshme.

Në një deklaratë për mediet, Koçiu theksoi se kush sulmon uniformën e Policisë së Shtetit dhe tenton të destabilizojë rendin kushtetues, do të përballet me ligjin dhe se ndaj tyre nuk ka asnjë mburojë politike.

Koçiu u shpreh se “përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm”.

Sipas saj, keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale.

“E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t’i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale”, theksoi Koçiu.

Ministrja tha se është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore.

“Kjo është e papranueshme”, tha ministrja e Brendshme.

E drejta për të protestuar, shtoi Koçiu, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë.

“Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit”, tha ajo.

Koçiu u bëri thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.

“Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji”, tha Koçiu.

Koçiu shprehu solidaritetin maksimal “për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes.

“Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre”, tha Koçiu.

Ministrja nënvizoi se nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

“Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike”, tha ajo. /j.p/

 

The post Koçiu: Drejtësia t’i trajtojë me përgjegjësi sulmet barbare ndaj policisë, urdhëruesit fshihen pas imunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌