Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gashi për takimin e liderëve: Më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në epiqendër të zgjidhjes së problemeve



Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat.
Gashi ka komentuar takimin e sotëm të liderëve të partive politike në vend. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kthimit të institucionit të Kuvendit në epiqendër.
“Do kisha dashur të nënvizoj dy elemente. I pari është nga informacionet që kam për takimin që ka rrjedhur brenda liderëve, ka qenë një takim shumë konstruktiv, mendoj se u tha edhe nga vet pjesëmarrësit. Dhe më gëzon shumë fakti që si demokraci po piqemi. Dialogu është i hapur, kemi mundësi të ulemi, të diskutojmë. Duhet ta kuptojmë se kjo është demokracia parlamentare. Duhet shpesh të ulemi në tavolinë edhe me ata që nuk mendojnë si ne. Dhe mendoj se kjo është një vlerë e shtuar. Dhe ky fakt më gëzon. Dhe elementi i dytë më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në një qendër ku do të duhet të zgjidhen çështjet".
"Gjatë kohë Kuvendi ka qenë vetëm çështje kolaterale-anësore ku të gjitha marrëveshjet janë bërë diku tjetër dhe janë implementuar në Kuvend. Më gëzoi shumë fakti që liderët janë marrë vesh që bisedimet konkrete për zgjidhjen e problemeve do të vazhdojnë nesër në Kuvend në nivel të koordinatorëve për ligjet konkrete, për zgjidhjet konkrete ”, deklaroi Gashi.

Inspektorati Shtetëror i Tregut do të forcohet me 40 inspektorë të rinj



40 inspektorë të rinj do ta forcojnë ekipin e Inspektoratit shtetëror të tregut në periudhën e ardhshme, të cilët do të ndihmojnë edhe në kontrollet e shtuara të punës së objekteve gastronomike, siç parashikon propozim- ligji i ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit. Ministri i ekonomisë Besar Durmishi tha se pas këtyre punësimeve do të bëhet analizë për të parë nëse ka nevojë për inspektorë të tjerë.

“Pra, rreth 40 është numri i inspektorëve të ri që do të shpërndahen në të gjithë shtetin. E dimë se ka pjesë në të gjitha qytetet, kështu që do të shohim si do të ecin punët pas këtij forcimi dhe nëse ka nevojë për punësime shtesë, do të dalim para opinionit dhe do ta njoftojmë këtë”, tha Besar Durmishi, ministër i ekonomisë.

Numri i inspektorëve në Inspektoratin shtetëror të punës dhe në Inspektoratin shtetëror të tregut është rreth 200. Durmishi tha se ka informuar Qeverinë se ka nevojë për punësime të reja.

“Te Inspektorati shtetëror i punës kemi, mos gaboj me shifrat, 80 të punësuar, pra 80 inspektorë, ndërsa te Inspektorati shtetëror i tregut rreth 120. Që nga koha kur këto dy inspektorate, sipas ndryshimeve të ligjit, e humbën të drejtën e subjektit juridik dhe hynë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, që atëherë kam informuar Qeverinë se duhet të kemi më shumë inspektorë në këto dy inspektorate, veçanërisht në Inspektoratin shtetëror të tregut”, u shpreh Besar Durmishi, ministër i ekonomisë.

Pikërisht inspektorët e Inspektoratit shtetëror të tregut dhe të Inspektoratit të punës do të duhet të kryejnë kontrolle të shtuara për të gjitha objektet gastronomike që nuk do ta respektojnë ndalimin e pirjes së duhanit, ndërsa gjobat do të lëvizin nga 100 euro për personat fizikë, deri në 5.000 euro për kompanitë më të mëdha që nuk do t’i respektojnë dispozitat e reja ligjore pasi ato të hyjnë në fuqi.

Propozim- ligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit tashmë është publikuar në Regjistrin nacional elektronik të rregulloreve dhe i njëjti do të duhet t’i nënshtrohet debatit publik nga palë të ndryshme të interesuara, para se të shkojë përpara deputetëve në Kuvend./Alsat/

Vënia në funksion e sistemit “Safe City”, tema e vetme në të cilën u pajtuan të gjitha partitë politike



Ndryshimet ligjore për vënien në funksion të sistemit “Safe City”, mbase ishte tema e vetme në të cilën u pajtuan të gjitha partitë politike gjatë takimit të sotëm të liderëve, ku mungoi opozitarja LSDM.

Pikë tjetër ku kanë arritur dakordësi, megjithatë jo marrëveshje është miratimi i ndryshimeve ligjore që janë pjesë e agjendës reformuese. Këtu, bëjnë pjesë ligjet për gjyqësor dhe prokurori, të cilat i kërkon Bashkimi Evropian.

Pra, të gjitha partitë pajtohen se duhet të votohen ligjet reformuese.

Megjithatë, ndonëse pajtohen, liderët nuk kanë arritur marrëveshje si të largohet “Elefantin prej dhome”, respektivisht problemi me Bullgarinë. Të gjithë u pajtuan sot se janë për Bashkimin Evropian, megjithatë nuk arritën marrëveshje për ndryshimet kushtetuese.

LSM do të protestojë, kërkon rritjen e pagës minimale



Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ditët në vijim do të përcaktojë datën e protestës së punëtorëve, përmes së cilës ata do të kërkojnë rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritjen e pagave të tjera me 100 euro.

Ndërkohë, punëdhënësit janë të mendimit se e drejta për të protestuar është legjitime, por sipas tyre, ata duhet të luftojnë për të ardhura personale më të larta në sektorët që kanë pagat më të ulëta.

“Jemi të fundit në rajon si me pagat minimale ashtu edhe me ato mesatare dhe me të gjitha pagat e tjera si punëtorë. Për këtë qëllim, gjatë kësaj jave do të kemi një kryesi dhe këshillim drejtuar organeve më të larta të Federatës së Sindikatave të Maqedonisë për të përcaktuar vetëm vendin dhe kohën kur do të dalim në një protestë të madhe të punëtorëve dhe e njëjta do të bëhet para një organizate të punëdhënësve dhe para Qeverisë, duke pasur parasysh se as sektori privat dhe as ai publik nuk i respektojnë marrëveshjet kolektive dhe nuk i vlerësojnë realisht punëtorët", deklaroi Ivan Pesheski nga LSM.

“Sindikata duhej që në këtë periudhë të përpiqet me marrëveshje kolektive sektoriale për të rritur pagën minimale në ato sektorë që mund ta paguajnë vërtet, por në sektorë që aktualisht kanë një pagë mesatare më pak se 31 mijë denarë, kërkesa juaj për një pagë minimale prej 36 mijë denarësh, do të thotë në një farë mënyre që nuk jeni serioz, ju intereson vërtet nëse kompanitë do të mbeten, nëse numri i punëtorëve do të ulet apo nëse kompanitë në Maqedoni do të mbyllen", theksoi Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.

Sipas njoftimeve, protesta do të zhvillohet në gjysmën e dytë të janarit.

Filipçe për takimin e liderëve: Nuk prodhoi asnjë zgjidhje për problemet me të cilat përballet shteti



Disa orë pas takimit dhe pasi i analizoi deklaratat e liderëve, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se ky takim nuk prodhoi asnjë zgjidhje për problemet kyçe me të cilat përballet shteti.

Qeverisë, sipas tij, po i shpejtohet për zgjedhjet të reja. Kjo, për shkak se vendi po futet në borxhe të reja dhe me mungesa të mëdha buxhetore për paga dhe subvencione.

Filipçe përsëriti se janë kundër shfuqizimit të Qeverisë teknike me arsyetimin se shtetit dhe shoqëria nuk është gati për një gjë të tillë. Megjithatë, ai paralajmëroi mbështetje vetëm për ligjet e agjendës reformuese.

SHBA pezullon përkohësisht dhënien e vizave edhe për Maqedoninë e Veriut



Departamenti Amerikan i Shtetit pritet të pezullojë përpunimin e aplikimeve për viza për qytetarë nga rreth 75 shtete, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga 21 janari 2026. Masa është pjesë e një rishikimi më të gjerë të procedurave që lidhen me kriterin e ashtuquajtur “public charge”.

Sipas mediave amerikane, vendimi bazohet në një dokument të brendshëm të dërguar seksioneve konsullore, ku thuhet se pezullimi do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, derisa të përfundojë rivlerësimi i mënyrës së kontrollit dhe marrjes së vendimeve për aplikantët. Përjashtimet do të jenë shumë të kufizuara.

Në listën e vendeve të prekura figuron emërtimi “Macedonia”, që në kontekst ndërkombëtar i referohet Maqedonisë së Veriut, së bashku me dhjetëra shtete nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine, si Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Nigeria dhe të tjera.
Aktualisht nuk ka sqarime të detajuara se si kjo pauzë do të ndikojë në: llojet e ndryshme të vizave (turistike, studentore, pune), aplikimet që janë tashmë në proces.

Departamenti i Shtetit pritet të publikojë udhëzime shtesë përmes përfaqësive diplomatike dhe kanaleve zyrtare.

Vdes një 75-vjeçare nga grupi në Shkup, rritet numri i të hospitalizuarve



Gripi mori viktimën e parë për këtë vit. Në Klinikën Infektive në Shkup ndërroi jetë një grua 75-vjeçare me shumë sëmundje kronike, e pa vaksinuar kundër gripit sezonal.

Drejtor i Klinikës Fadil Cana ka konfirmuar se bëhet fjalë për një pacientë tek e cila laboratorikisht u konfirmua influenza A dhe që kishte shumë komorbiditete.

Të paktën dy pacientë të tjerë janë në gjendje kritike dhe me respirator, ndërsa disa të tjerë marrin mbështetje me oksigjen. Aktualisht janë të hospitalizuar 25 pacientë, kryesisht të moshuar. Gjatë javës së parë të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 1.725 raste gripi.

KSHZ i konfirmoi kryetarët e rinj të komunave ku kishte përsëritje të zgjedhjeve



Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme i konfirmoi emrat e Valbon Limanit dhe Isen Shabanit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Oner Jakullovskit nga koalicioni “Maqedonia Juaj” dhe Arian Ibrahimit nga Partia Demokratike e Turqve, për kryetarë të rinj të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Abdush Demiri tha se Komisioni i obligon komisionet zgjedhore komunale të veprojnë sipas Kodit zgjedhor dhe menjëherë t’i publikojnë rezultatet përfundimtare nga votimi i mbajtur më 11 janar.

Angellço Ristov nga KSHZ-ja u përqëndrua në vendvotimin në Gostivar, ku nuk u realizua votim.

“Para se Komisioni të publikojë rezultatet përfundimtare, KSHZ-ja duhet të marrë vendim për moszbatimin e votimit në vendvotimin 0782 për Komunën e Gostivarit, me ç’rast në këtë vendvotim më 11 janar në pajtim me nenin 104, paragrafi 2 nga Kodi zgjedhor, për shkak të motit të keq, nuk u zbatua votimi”, sqaroi Ristov në fillim të seancës.

Ai tha se në këtë vendvotim janë regjistruar vetëm 23 persona me të drejtë vote, ndërsa ka mundur të konstatohet se në numrin e votuesve të regjistruar, nuk ndikon – në bazë të rezultateve të arritura ndaj kandidatëve për kryetar të komunës.

Mickoski: Jemi të pajtimit që ta shfuqizojmë Qeverinë teknike, gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje



"Gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje, ndërsa për qeverinë teknike në përgjithësi u pajtuam se duhet të mbetet në të kaluarën", deklaroi kryeministri dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski pas takimit të sotëm të liderëve në Klubin e Deputetëve.

Sipas Mickoskit, nëse nuk ka pëlqim te të gjitha grupet parlamentare që të pranohet propozimi për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës, ajo të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme, dhe pastaj të hiqet.

Por, siç vlerësoi, do të duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për qeverinë sepse ka ndryshime në dikastere.

“Sot publiku ishte dëshmitar i një qasje të ndryshme – i debatit të hapur, konstruktiv i mbushur me propozime dhe ide. U hapën shumë çështje. Propozova që debati të vazhdojë në nivel të grupeve parlamentare sepse ne jemi për tejkalimin e problemeve, ndërsa jo për krijimin e të rejave”, theksoi Mickoski.

Në takimin nga partnerët e koalicionit në Qeveri morën pjesë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni “VLEN”, si dhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM dhe ministër i Administratës Publike, Goran Minçev. Nga grupet parlamentare të opozitës të pranishëm ishin liderët e BDI-së dhe "Të Majtës", Ali Ahmeti dhe Dimitar Apasiev.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e refuzoi thirrjen e Mickoskit, nuk erdhi në takim.

Ahmeti: Mbështesim propozimin për një njësi zgjedhore, për Qeverinë teknike duhet të konsultohemi me BE-në dhe SHBA-të



Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve në konferencë për shtyp tha se ai është pajtuar që të ketë një njësi zgjedhore, ndërsa në lidhje me qeverinë teknike, Ahmeti tha se duhet të ketë konsultime me BE-në dhe SHBA-të.

"Kemi diskutuar për anëtarësimin e vendit në BE, çështje për të cilën të gjithë duhet të angazhohemi me përkushtim të madh. Kryeministri referoi për takimet që ka pasur me autoritetet evropiane, me çka ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar të gjindet zgjidhje sa më e shpejtë, me qëllim që vendi ynë të zë vendin e merituar në BE".

"Sa i përket qeverisë teknike qëndrimi ynë është që duhet të konsultohemi dhe me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të", tha Ahmeti.

"Gjithashtu diskutuam se duhet të bëhen konsultime shtesë për Kodin Zgjedhor, me çka ne pajtohemi që të ketë një njësi zgjedhore. Kam pika tjera për të cilat duhet t'i diskutoj me kryeministrin Hristijan Mickoski në një takim tjetër", tha Ahmeti. /Telegrafi/

Kasami pas takimit të liderëve: VLEN mbështet shfuqizimin e qeverisë teknike



Bilall Kasami nga VLEN, pas takimit të liderëve në Klubin e deputetëve, tha se si koalicion kanë shprehur mbështetje për largimin e qeverisë teknike.

Kasami theksoi se nëse ka pajtim nga të gjitha partitë, qeveria teknike mund të shfuqizohet që në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa nëse nuk ka pajtim, atëherë VLEN do të pranojë që qeveria teknike të vlejë vetëm në zgjedhjet e ardhshme, pastaj të shfuqizohet.

"Propozimi ynë ishte që nëse merremi vesh të gjithë partitë, mund të shfuqizohet menjëherë. Nëse nuk ka marrëveshje nga të gjithë, edhe këtij zgjedhje të organizohen me këtë format të qeverisë, me qeveri teknike, pas këtyre zgjedhjeve të mos ketë qeveri teknike”, tha Kasami.

Ai gjithashtu tha se në takim ka propozuar që të jepen më shumë mundësi për diasporën për të votuar në zgjedhje./Telegrafi/

Petrova: Nuk është diskutuar për heqjen e masës "TVSH-ja Ime"



"Nuk është diskutuar për një heqje të mundshme të masës “TVSH-ja Ime”", deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova.

“Nuk mund të them se ekziston ndonjë vendim apo qëllim për miratimin e një vendimi të tillë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një masë për të cilën shpenzohen mjete publike, sigurisht që duhet të shqyrtohet dhe të diskutohet efikasiteti i saj dhe nëse masa i ka arritur qëllimet për të cilat është vendosur. Përmes kësaj mase, në nivel tremujor për vitin 2025, ndahen rreth 14,5 milionë euro për, mesatarisht, rreth 502 mijë përfitues".

"Ky shumë rritet çdo vit krahasuar me vitet e mëparshme. Rritet edhe numri i përfituesve, por për shkak se rritet edhe arkëtimi i të ardhurave, mesatarisht mund të themi se për këtë masë ndahen rreth 4 për qind e arkëtimit vjetor të të ardhurave nga TVSH-ja, ose ekuivalente me afërsisht gjysmën e të ardhurave mujore nga TVSH-ja”, tha Petrova.

Ajo theksoi se masa, e cila u vendos në vitin 2019, kishte për qëllim uljen e ekonomisë gri dhe vendosjen e çdo qytetari në rolin e një inspektori tatimor.

“Nëse duam ta vlerësojmë masën nga ky këndvështrim, gjendjet që i shohim në terren dhe ato që mund t’i konstatojmë edhe brenda institucionit, bazuar në të gjitha të dhënat që kemi në dispozicion, çojnë qartë në përfundimin se masa nuk ka dhënë efektin e dëshiruar”, theksoi Petrova.

LSDM: Pa qeveri teknike nuk mund të ketë zgjedhje të drejta



"Krahasimet me vendet e BE-së si argument për heqjen e qeverisë teknike janë manipulim klasik. Nuk ka qeveri të tillë të korruptuar askund në Evropë", njoftoi LSDM, pas paralajmërimeve se në takimin e liderëve do të diskutohet për shfuqizimin e qeverisë teknike.

Nga partia opozitare thonë se "koalicioni i tenderëve OBRM-PDUKM-ZNAM nuk e dëshiron qeverinë teknike, sepse kur të hyjë një ministër i opozitës, ai do të ketë informacion mbi të gjitha dokumentet, mbi të gjitha abuzimet në të gjithë sistemin e korruptuar".

"Skandali IPARD 3 dhe abuzimet me paratë evropiane, për të cilat u ndalua një drejtor i OBRM-PDUKM-së, janë një shembull tjetër se hyrja e një ministri të opozitës do të thotë hapja e skemave të tjera kriminale në ministri. Kjo është ajo nga e cila ka frikë koalicioni teknik. Ata nuk duan një qeveri teknike, sepse kjo do të thotë hapja e kutisë së Pandorës së tenderëve kriminalë. Pa një qeveri teknike, nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme, nuk ka mekanizëm kontrolli dhe nuk ka zgjedhje të ndershme, dhe për këtë arsye ajo duhet të mbetet", thonë nga LSDM.

Ndalohet një shtetas bullgar në Maqedoni, dëbohet nga shteti



Një shtetas bullgar u arrestua në pikën kufitare Deve Bair për posedim të një skeleti metalik dhe një banderole me përmbajtje fyese.
Sipas informacionit nga MPB, dje rreth orës 13:30, me të hyrë në vend, oficerët e policisë e privuan nga liria N.I.L. (47) nga Republika e Bullgarisë.

"Gjatë kontrollit kufitar dhe kontrollit të detajuar të një automjeti pasagjerësh "Honda Jazz" me targa bullgare, të kryer në bashkëpunim me oficerët e doganës, u gjetën dhe u konfiskuan një skelet metalik dhe një banderole me përmbajtje fyese".

"Pas masave të marra, Gjykata Themelore në Kriva Palanka i shqiptoi gjobë dhe masë mbrojtëse "dëbim të të huajit nga vendi" për një periudhë prej një viti. Më 13 janar 2026, në orën 02:10 të mëngjesit, personi u dërgua në pikën kufitare Deve Bair dhe iu dorëzua shërbimeve të policisë kufitare bullgare", thonë nga MPB.

BDI: Ali Ahmeti do të merr pjesë në takimin e liderëve



Bashkimi Demokratik për Integrim njofton se sot, Ali Ahmeti, ka konvokuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm. Siç njoftojnë nga BDI, në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në vend, raportet dhe marrëdhëniet me partitë e tjera politike, si dhe mbi takimin e paralajmëruar të liderëve politikë.

"Këshilli i Përgjithshëm, me unanimitet të plotë, vendosi që Kryetari Ali Ahmeti të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke dëshmuar edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet një parti politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e cila kultivon vazhdimisht dialogun politik dhe angazhohet për ndërtimin e konsensusit rreth çështjeve thelbësore politike dhe ekonomike të vendit. Në kuadër të kompetencave të tij statutore, Kryetari Ahmeti do të ketë në ekskluzivitetin e tij hapjen dhe trajtimin e temave që janë jetike dhe strategjike për vendin, që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik".

"Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim u bën thirrje të gjitha partive politike në vend që janë të përafërta me vizionin e BDI-së, si dhe kapaciteteve intelektuale, shoqërore dhe profesionale, që t’i bashkëngjiten Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhen pjesë e formacionit tonë politik".

"BDI mbetet e hapur për inkorporimin dhe absorbimin e gjithë potencialit intelektual dhe politik në vend, me qëllim avancimin e politikave dhe vizionit që janë në interes të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim", thonë nga BDI./Telegrafi/

Rriten sulmet e qenve endacakë, qytetarët kërkojnë masa urgjente



Rritet numri i qytetarëve që ankohen për sulmet e qenve endacakë. Të dhënat e MPB-së tregojnë se vetëm gjatë 13 ditëve të para të këtij viti, rreth 19 qytetarë janë sulmuar dhe kafshuar nga qentë endacakë në kryeqytet dhe kanë denoncuar rastin.

Nga këto denoncime, 6 kanë ndodhur në territorin e Komunës së Karposhit, 3 në Aerodrom dhe 3 në Komunën e Kisella Vodës.
Një pjesë e qytetarëve thonë se tashmë lëvizin me frikë për disa ditë me radhë, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Edhe pse në vend ekziston një kornizë ligjore, shumica e qytetarëve nuk e dinë saktësisht se cilat hapa duhet të ndërmarrin në raste të tilla.

“Mendoj se duhet të denoncohet në Qytetin e Shkupit, më tepër nuk di", tha një qytetare.

“Një ditë kur po shëtisja qenin tim shtëpiak, mu afruan një grup i madh qensh për të më sulmuar, mirëpo për fat të mirë një qytetar erdhi nga unë dhe më mbrojti", tha një qytetare tjetër.

“Unë nuk e di se nga i sjellin këta qen dhe kush i sjell, por e di se njerëzit po frikësohen nga qentë endacakë", u shpreh një qytetare.

Njohësit e kësaj çështjeje, si dhe përfaqësuesit e OJQ-së, vlerësojnë se kjo gjendje mund të tejkalohet vetëm përmes çipimit të qenve, ku çdo qen shtëpiak do të çipohet dhe në atë çip do të jenë të shënuar të dhënat, pra, emri dhe mbiemri i pronarit që e mban. Nëse qeni largohet nga pronari ose i njëjti braktiset nga pronari, ky i fundit të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Për më tepër, theksohet rëndësia e rritjes së numrit të inspektorëve komunalë në terren për kapjen dhe strehimin e qenve endacakë nëpër komuna.

Qendra e skijimit "Kodra e Diellit": Pronarët e veturave të parkuara përgjatë rrugës në ski-qendrën t’i largojnë menjëherë automjetet e tyre



Qendra e skijimit "Kodra e Diellit" iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që t'i largojnë veturat të cilat i kanë parkuar në rrugën në drejtim të qendrës.

Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, nga Qendra thonë se nëse qytetarët nuk i largojnë makinat, të njëjtat do të largohen nga shërbimet përkatëse.

"Njoftohen të gjithë pronarët e veturave të parkuara përgjatë rrugës në Ski qendrën “Kodra e Diellit” që t’i largojnë menjëherë automjetet e tyre.

"Meqenëse Ski Qendra, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, NP “Parkingu” Tetovë dhe Policinë, nga ora 20:00 do të realizojnë pastrimin e rrugës, veturat e parkuara në mënyrë të palejuar do të largohen (tërhiqen) nga rruga nga shërbimet përkatëse".
"Ju lusim për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që të mundësohet pastrimi dhe qarkullimi normal i rrugës", thonë nga Qendra.

S'ka vendim për debat publik për ndryshimet në Kodin Penal



Shumica parlamentare nuk ka vendosur akoma nëse do të ketë ose jo debat publik të organizuar në Kuvend, me pjesëmarrjen e ekspertëve, për ndryshimet e propozuara të Kodit Penal. Edhe pse një ditë më parë dukej se kishte një pajtueshmëri edhe nga pushteti në kërkesën e LSDM-së për debat në prani të ekspertëve, një vendim i tillë nuk është marrë akoma.

Nga VLEN vlerësojnë se debat duhet të ketë për Kodin e ri Penal që do të përgatitet ndërkohë.

“Ky ndryshim i Kodit Penal është korrigjimi i ndryshimeve të qeverisë totalisht të dështuar të BDI-së në qershor të 2023-shit. Ne e dimë se sa u përfol dhe dëmet që sollën ata ndryshime dhe duhet kujtuar se ndryshimet e shtatorit, 2023 nga qeveria e BDI-së u bënë për të shpëtuar Sashi Mijallkovin, Gruevskin dhe Ramiz Merkon. Pra, Ramiz Merko nga 30 padi, mbeti me 9 padi penale sepse një pjesë ju vjetërsuan. Sasho Mijallkovit ju vjetërsuan sepse Enver Bexheti la në sirtarë shumë lëndë… Nuk ka nevojë tani sepse diku në maj ose qershor pritet të kemi një Kod të ri penal dhe unë mendoj që atëherë do të ketë debat publik”, tha Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it.

Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal që ndodhen në Kuvend, janë një përpjekje për rikthimin e dispozitave të shfuqizuara më shumë se dy vite më parë, me të cilat u lehtësuan ose u shfuqizuan dënimet për personat zyrtar në rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Po ata ndryshime mundësuan vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore.

Ligjvënësi, në vitin 2023, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ndërhyri në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” Neni 353, në mënyrë të tillë që u fshi një nga tre veprimet e kryerjes së këtij krimi, që është kryerja e krimit duke përfituar nga pozicioni ose autoriteti zyrtar. Me këtë ndërhyrje, aktualisht ekzistojnë vetëm dy veprime të kryerjes në veprën penale të lartpërmendur: nëse “do të ndërmarrë një veprim zyrtar me të cilin do të tejkalojë kufijtë e autoritetit të tij zyrtar ose nuk do të kryejë detyrën e tij zyrtare”.

Sipas propozuesit, tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara tani është të përmirësojë dispozitat mbi personat juridikë dhe të shtrëngojë politikën penale duke rritur dënimet ekzistuese të përcaktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 353, dhe “Bashkim kriminal” nga Neni 394.

Ndryshimet janë kërkesë e pakompromis e Komisionit Evropian si pikë e Agjendës së Reformave.

Dënohet me 17 vite burg shtetasi turk i cili vrau bashkëkombësin e tij në Shtip



Shtetasi turk Kadir Kara, i cili pranoi fajësinë për vrasjen e bashkëkombësit të tij në një kafene në sheshin e qytetit "Sloboda" në Shtip, është dënuar me 17 vite burg dhe dëbim nga vendi, pasi të vuajë dënimin e tij në një nga burgjet e Maqedonisë.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Shtip, Sasko Georgiev, informoi sot se pas seancës dëgjimore më 19 dhjetor 2025 në Gjykatën Themelore në Shtip, në të cilën Kara pranoi fajësinë, gjykata ka marrë këtë vendim për veprën penale "vrasjes dhe posedimit të paautorizuar të armëve".

Ndryshe, sot në Gjykatën Themelore të Shtipit në Shtip, vazhdoi gjykimi i katër personave të tjerë, të cilët akuzohen se e kanë ndihmuar Karan të kryejë vrasjen e shtetasit turk. Provat u paraqitën në sallën e gjyqit sot, dhe gjykimi për të pandehurit vazhdon më 20 janar në orën 10:30.

Më 8 maj 2025, një shtetas turk u vra në një restorant në sheshin "Sloboda" në Shtip. Sipas prokurorisë, pas vrasjes, i pandehuri u përpoq të arratisej me ndihmën e katër personave, por ata u kapën në një pikë pagese në autostradën Goce Delçev, përkatësisht nga Shtipi në Shkup.

Rritet numri i të sëmurëve me grip në Maqedoni



Numri i personave të infektuar me grip është në rritje, klinikat ambulatore janë plot, por edhe kapacitetet e spitaleve janë plot. Temperatura e lartë, kolla, dobësia janë simptomat më të zakonshme. Komplikimet nga virusi po bëhen gjithashtu më të zakonshme, veçanërisht tek fëmijët.

Një foshnjë njëmuajshe është pacientja më e re e shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Pulmonare "Kozle".
Dhjetëra fëmijë me pamje klinike më të rëndë janë në mbështetje me oksigjen.

Për shkak të komplikimeve, rreth 80 janë ende nën mbikëqyrjen e spitalit. Brenda një dite, mjekët kanë mbi 200 ekzaminime, të gjitha me një temperaturë të lartë që zgjat deri në shtatë ditë.

"Ato festa para Vitit të Ri, kolektivi bënë gjënë e tyre. Kjo është arsyeja pse po përhapet më shpejt këtë vit dhe po merr numër më të madh. Po rishikohet se në çdo moshë, ata që janë të shtruar në spital janë më shpesh deri në dy vjeç, në popullatën më të vogël të fëmijëve, gripi mund të shkaktojë ndërlikime që kërkojnë trajtim spitalor. Aktualisht, kapacitetet janë të plota, rreth 80 fëmijë janë në spital dhe po krijohet një vend për fëmijët më të sëmurë rëndë që do të kenë nevojë për trajtim spitalor", thonë në Klinikën për Sëmundje Pulmonare "Kozle".

Autoritetet presin një numër në rritje të pacientëve me grip me fillimin e gjysmës së dytë të vitit - pasi fëmijët të kthehen në shkollë.
Në javën e parë të vitit, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 1,725 raste të gripit.

❌