Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

11:50 Incident dramatik! Makina e vjedhur përplaset me autobusin e shkollës, nxënësit në panik mes të shtënave me armë (VIDEO)

Dy persona janë arrestuar në një rrugë të ngarkuar në Geelong, pasi një makinë e vjedhur u përplas me një autobus shkolle, duke detyruar fëmijët të strehoheshin pas sediljeve nga frika, gjatë një incidenti dramatik pasdite të enjten.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 në Latrobe Terrace, pranë Kolegjit të Mesëm Matthew Flinders, kur një makinë e zezë u përplas me autobusin në një përpjekje për t’i shpëtuar policisë. Dëshmitarët raportuan për fëmijë që bërtisnin dhe dëgjuan të paktën dy të shtëna me armë zjarri, përpara se automjeti të përfshihej në një tjetër aksident në një kryqëzim disa minuta më vonë. Policia e Viktorias konfirmoi se automjeti, një Kia Optima e dyshuar e vjedhur në Uellsin e Ri Jugor, u pikas fillimisht nga Krahu Ajror i Policisë pranë kryqëzimit të Princes Highway dhe Roebuck Street në Newtown. Oficerët tentuan ta ndalonin automjetin, por ai dyshohet se u drejtua drejt tyre dhe më pas u përplas me autobusin e shkollës.

“Oficerët u detyruan të qëllonin me armë zjarri pasi automjeti u drejtua drejt tyre,” tha Policia e Viktorias në një deklaratë, duke shtuar se makina u përplas më pas me një tjetër automjet. Një burrë dhe një grua, të dy 37 vjeç dhe nga Uellsi i Ri Jugor, u larguan në këmbë nga vendngjarja, por u arrestuan pak më vonë. Burri u dërgua në spital me një plagë me armë zjarri në krah, e cila nuk konsiderohet kërcënuese për jetën. Gruaja u shtrua gjithashtu në spital nën mbikëqyrje policore.
Një shoferja e një automjeti tjetër u transportua në spital me lëndime të lehta. Nuk raportohet për të lënduar seriozisht mes fëmijëve në autobusin e shkollës./K.M

11:40 Makina përfundoi në liqenin e Vaut të Dejës/ Arrestohet shoferi, si paraqitet gjendja e të plagosurve

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e djeshme në urën e Spatharit në Vaun e Dejës, ku një automjet përfundoi në liqen. Policia ka bërë me dije ditën e sotme se është arrestuar shoferi i automjetit, shtetasi Z.B., 32 vjeç.

Ai ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ka rënë në liqenin e Vaut të Dejës. Ndërkohë nga aksidenti mbetën të plagosur tre persona, ku njëri prej tyre, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Mjedë-Spathar”, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 32 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ka rënë në liqenin e Vaut të Dejës.  

Drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri, shtetasi N. Ç., 24 vjeç, banues në Laç, po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, ndërsa pasagjeri tjetër, shtetasi A. N., 22 vjeç, banues në Laç, u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës./K.M

11:30 3 top ushqimet me të cilat duhet të nisni ditën për të pasur sa më shumë produktivitet

Last Updated on 29/01/2026 by Klara

Mëngjesi është pothuajse vakti më i rëndësishëm i ditës, aq sa ju përcakton më së miri një mbarëvajtje ose jo të ditës. Nëse do konsumoni në këtë vakt ushqime të shëndetshme, që të japin energjinë dhe mirëqenien e nevojshme, patjetër që do të keni siguar një ditë plotë produktivitet.

Por cilat janë këto ushqime:

1. Tost me Avokado dhe Salmon të tymosur – 369 kalori

Kombinimi i avokados kremoze me salmonin e tymosur ofron një mëngjes të pasur me yndyra të shëndetshme dhe proteinë. Shtoni disa feta të trasha domate ose disa gjethe rukola për një shtesë të vlerave ushqyese dhe një porcion perimesh.

Përbërësit:

½ avokado (161 kalori)

1 fetë bukë me grurë të plotë (109 kalori)

3 oz salmon i tymosur (99 kalori)

2. Tërshërë me Luleshtrydhe dhe Gjalpë Kikiriku – 391 kalori

Tërshëra e pasur me fibra, kur kombinohet me fruta shton edhe më shumë fibra e shëndet në pjatë, dhe gjalpi i kikirikut shton yndyra të shëndetshme dhe proteinë. Për një opsion me më shumë proteinë që mbetet rreth 400 kalorive, mund të shtoni edhe një porcion të pluhurit të proteinës që mund të përdorni.

Përbërësit:

½ filxhan tërshërë (154 kalori)

2 lugë gjelle gjalpë kikiriku (188 kalori)

1 filxhan luleshtrydhe, të ndara në gjysmë (49 kalori)

Smoothie – 360 kalori

Smoothiet janë një mënyrë e shkëlqyer për të kombinuar të gjitha përbërësit e mëngjesit në një enë të vetme. Kjo recetë merr proteinat e saj nga pluhuri i proteinës së serumeve të qumështit, por mund të zëvendësohet lehtësisht me çdo lloj tjetër të pluhurit të proteinës.

Përbërësit:

1 banane, e prerë (122 kalori)

1 filxhan fruta të ngrira (63 kalori)

1 lugë gjelle fara kanepi (55 kalori)

1 filxhan lakër jeshile (7 kalori)

1/3 filxhan pluhur proteinë serumi (113 kalori)/KM

11:20 Tronditëse! Gruaja i rrëmben nënës foshnjën e porsalindur nga karroca dhe ia hedh përtokë

Një grua nga Canberra të Australisë ka dalë sot para gjykatës pasi u akuzua për sulm ndaj një foshnje të porsalindur gjatë fundjavës. 56-vjeçarja u akuzua për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore nga pakujdesia pas sulmit të dyshuar të së shtunës.

Policia e ACT tha se një nënë po ecte me fëmijën e saj katër javësh në një karrocë fëmijësh në rrugën Ijong në Braddon kur iu afrua një grua tjetër. Hetuesit pretendojnë se gruaja bllokoi shtegun përpara se t’i afrohej karrocës dhe më pas kapi fëmijën dhe e hodhi atë në tokë.

E tmerruar, nëna e çoi foshnjën në spital për trajtim mjekësor dhe çështja iu raportua autoriteteve. Oficerët e Ekipit të Sulmit Seksual dhe Abuzimit me Fëmijë arrestuan gruan dje, ndërsa policia po heton gjithashtu një incident të dytë pranë Rrugës Ijong në Braddon, ku një grua dyshohet se u sulmua menjëherë para këtij incidenti./K.M

11:10 Dominim anglez në Champions, 5 ekipe në “Top8”, shkëlqen Arsenal

Pa diskutim, Premier League është kampionati më i fortë në botë, ky fakt u vërtetua edhe një herë në këtë edicion të fazës së Ligës në Champions ku 5 nga 8 ekipet e kualifikuar direkt vijnë nga Anglia. Jo vetëm 5 ekipet prezente në “Top8”, por këtij rrugëtimi iu bashkuar edhe Newcastle, me “qymyrxhinjtë” që mbyllën këtë fazë në vendin e 13-të duke siguruar një vend për në “play-off”, shifra këto që tregojnë qartë supermacinë e futbollit britanik.

Me 8 fitore në 8 ndeshje, 24 pikë në total, 23 gola të shënuar vetëm 4 të pësuar, Arsenal mbylli këtë fazë me shifra rekord, si kurrë më parë në historinë e klubit. Edhe pse të kualifikuar një xhiro përpara fundit, Arsenal nuk e uli ritmin as përballë Kairat me ekipin e Artetas që triumfoi me rezultatin 3-2. “Topçinjve” i mjaftoi vetëm një pjesë loje për të mbyllur llogaritë ku Gyokeres, Havertz dhe Martinelli gjetën rrugën e rrjetës.

Ndryshe nga Premier League, në Champions, Liverpool kaloi pa shumë probleme në fazën me eliminim direkt. Të kuqtë “shpërthyen” ndaj Qarabag duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-0. Mac Allister dhe Wirtz realizuan në fraksionin e parë. Në pjesën e dytë, ekipi i Slot nuk e uli ritmin ku Salah, Ekitike dhe sërish Wirtz gjetën rrugën e rrjetës. Në fund ishte Chiesa, me sulmuesin “azzurr” që sigloi shifrat në 6-0. Falë këtij suksesi, Liverpool e mbyll këtë fazë në vendin e tretë me 18 pikë, një më shumë se Tottenham.

“Gjelat” triumfuan 0-2 në transfertë përballë Frankfurt. Kolo Muani dhe Solanke ishin autorët e golave. Një fitore të madhe siguroi edhe Chelsea, me londinezët që triumfuan 3-2 në transfertë përballë Napolit. Enzo Fernandez realizoi golin e parë për Chelsea-n, por ekipi i Conte-s reagoi fuqishëm ku brenda pjesës së parë, Vergara dhe Hojlund realizuan dy herë duke përmbysur rezultatin në 2-1. Në fraksionin e dytë stafetën e mori Joao Pedro me brazilianin që realizoi një “dopietë” golash duke përmbysur shifrat në 2-3.

 

Kalon në “Top8” edhe Man.City me ekipin e Pep Guardiola që fitoi 2-0 përballë Gallatasary. Haaland dhe Cherki ishin autorët e golave./K.M

11:00 Sot është një nga hotelet më luksoze të Stambollit, por a e dinit që dikur ka qenë burg?

Në zemër të lagjes historike Sultanahmet të Stambollit, një nga qytetet më magjepsëse të botës, “Four Seasons Hotel Istanbul at Sultanahmet” është shembulli i rrallë ku e kaluara dhe e tashmja bashkohen në një përvojë luksi, që rrjedh nga çfarë dikur ka qenë dhimbje.

Intim dhe elegant, i vendosur vetëm disa hapa larg pikave ikonike si “Hagia Sophia” dhe “Blu Mosque”, ky hotel jo vetëm që ofron qetësinë në mes të gjallërisë së qytetit, por ndryshe nga shumica e hoteleve luksoze, objekti nuk është ndërtuar rishtas – ai është transformuar nga një ndërtesë historike.

Disa dekada më parë, Four Seasons at Sultanahmet, funksiononte si burg i Stambollit, i ndërtuar midis viteve 1918–1919 në stilin neoklasik turk. Në kohën e Perandorisë Osmane, ky burg shërbente si institucioni kryesor i paraburgimit në kryeqytet, duke strehuar njerëz që prisnin gjykim apo ekzekutimin e dënimeve të shkurtra, përfshirë edhe intelektualë.

Pasi shërbeu si burg, ndërtesa u braktis për një kohë, derisa nisma për ta restauruar, në vitin 1996, e ktheu në një nga hotelet më të mira të rrjetit Four Seasons dhe të qytetit. Detajet arkitekturore origjinale, si harqet, kolonat dhe oborri qendror, janë ruajtur me kujdes.

Sot, brenda mureve ku dikur dëgjoheshin hapa të të burgosurve, vizitorët përjetojnë një ambient të rafinuar me vetëm 65 dhoma dhe suita. Për udhëtarët që duan të përjetojnë historinë e Stambollit dhe më pas të kthehen në një ambient që flet për shekuj të tërë, ky hotel është një nga adresat e pashmangshme./KM

10:50 Kaja Kallas: BE pritet ta fusë Gardën Revolucionare të Iranit në listën e organizatave terroriste

Bashkimi Evropian (BE) ka shumë gjasa ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste, tha të enjten shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme.

“Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që ta fusim Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste”, tha Kallas.

“Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist”, u tha diplomatja e lartë Kaja Kallas gazetarëve para takimit të ministrave në Bruksel.

Ajo tha se ky hap e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me grupet xhihadiste si Al-Kaeda dhe Shteti Islamik.

Ky veprim nga BE-ja do t’i dërgonte Iranit mesazh të fortë dënimi, pasi raportohet se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave që tronditën vendin.

Blloku prej 27 shtetesh pritet gjithashtu të vendosë regjim vizash dhe t’i ngrijë asetet për 21 entitete shtetërore dhe zyrtarë iranianë – përfshirë edhe për ministrin e Brendshëm të vendit – për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave.

Autoritetet iraniane e pranojnë se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave, duke dhënë një shifër prej mbi 3.000 viktimash, por thonë se shumica ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “protestuesit trazues”.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë këtë, duke thënë se numri i viktimave është shumë më i lartë dhe me gjasë kap shifrën e dhjetëra mijërave. Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit, apo IRGC, është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

“Vlerësimi është se kanalet diplomatike do të mbeten ende të hapura edhe pas përfshirjes së Gardës Revolucionare në listë”, tha Kallas.

IRGC-ja pritet të përfshihet në listën e zezë pasi Franca njoftoi të mërkurën se po e mbështeste këtë hap, dhe pasi edhe Italia e kishte ndryshuar qëndrimin paraprakisht.

Parisi ngurronte ta mbështeste shpalljen e IRGC-së organizatë terroriste për shkak të frikës nga ndikimi mbi evropianët e ndaluar në Iran dhe dëshirës për t’i mbajtur të hapura lidhjet diplomatike.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krimet e kryera”, u tha gazetarëve kur mbërriti në Bruksel ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.

BE-ja i ka sanksionuar tashmë disa qindra zyrtarë dhe entitete iraniane për shtypjen e lëvizjeve të mëparshme protestuese dhe për mbështetjen e Teheranit për luftën e Rusisë në Ukrainë.

IRGC-ja si e tërë dhe komandantët e saj të lartë janë tashmë nën sanksione të BE-së, që do të thotë se përfshirja e saj në listën e organizatave terroriste pritet të ketë pak ndikim praktik mbi këtë organizatë./K.M

10:40 Vrasja e Liridona Ademajt brenda 7 minutave/ Këtë të enjte seanca ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë

Këtë të enjte në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Kjo është seanca parë e vitit 2026 që i prin seancave ku u paraqitën video-incizime që, sipas prokurorisë, tregojnë takimet dhe lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes.

Mes pamjeve të prezantuara ishin edhe momente nga darka e Liridonës me familjen, si dhe lëvizje që ndërlidhen me të akuzuarin Granit Plava.

Sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë qenë e planifikuar. Prokuroria tha se ekzistonte marrëveshje që krimi të kryhej nga Granit Plava në këmbim të 30 mijë eurove, ndërsa arma dyshohet se ishte siguruar nga Naim Murseli përmes Kushtrim Kokallës.

 

Gjatë procesit gjyqësor, organi i akuzës ka paraqitur prova materiale dhe pamje filmike nga momentet para dhe gjatë ngjarjes, të cilat janë përfshirë në dosjen e rastit./K.M

09:50 Morën 55 mijë euro ryshfet për lehtësim mase/ SPAK dërgon për gjykim dy ish-prokurorët

Last Updated on 29/01/2026 by Klara

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-prokurorët e Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini.

Dy ish-prokurorët akuzohen se i morën para një biznesmeni për t’i hequr masën e sigurisë. Biznesmeni i cili kishte kryer ndërtim pa leje, u dha rryshfet prej 55 mijë euro prokurorëve Llaho dhe Shahini./K.M

09:40 Kryeministri Starmer takon presidentin Xi në Pekin: Marrëdhëniet mes vendeve janë të mira, bisedë produktive! Kina: Gati për partneritet strategjik dhe afatgjatë

Last Updated on 29/01/2026 by Klara

Sir Keir Starmer thotë se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës është në një “gjendje të mirë dhe të fortë” pas bisedimeve “produktive” me udhëheqësin kinez Xi Jinping në Pekin.

Kryeministri britanik u shpreh pas takimit se ka përparime në çështje që përfshijnë tarifat për uiskin dhe udhëtimin pa viza drejt Kinës, pasi më herët kishte deklaruar se dy vendet duhet të ndërtojnë një “marrëdhënie më të sofistikuar”.

“Jam këtu sot me interesat e popullit britanik në mendje. Bëra një premtim 18 muaj më parë, kur u zgjodhëm në qeveri, se do ta bëja Britaninë të shikonte sërish nga jashtë. Sepse, siç e dimë të gjithë, ngjarjet jashtë vendit ndikojnë në gjithçka që ndodh në vendet tona nga çmimet në raftet e supermarketeve deri te sa të sigurt ndihemi”, tha ai gjatë konferencës.

Kurse Xi tha se marrëdhëniet Kinë–Mbretëri e Bashkuar kanë pasur “kthesa dhe lëkundje”, por se angazhimi është “i pashmangshëm”.

Duke e përshkruar gjendjen e botës si “të trazuar dhe të ndryshueshme”, Xi tha se më shumë dialog mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës ishte “i domosdoshëm”, qoftë “për hir të paqes dhe stabilitetit botëror, apo për ekonomitë dhe popujt e dy vendeve tona”.

“Në të kaluarën, qeveritë laburiste kanë dhënë kontribute të rëndësishme në rritjen e marrëdhënieve Kinë-Mbretëri e Bashkuar. Kina është e gatshme të zhvillojë me Mbretërinë e Bashkuar një partneritet strategjik afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Kjo do t’u sjellë përfitime dy popujve tanë. Angazhimi me Kinën është një çështje e pashmangshme dhe unë shpreh vlerësimin tim për këtë. Gjërat e mira shpesh kërkojnë kohë dhe përpjekje. Për sa kohë që diçka është gjëja e duhur për t’u bërë dhe u shërben interesave themelore të vendeve dhe popujve tanë… ne duhet të kemi një perspektivë afatgjatë,” tha Xi, duke shtuar se të dy vendet duhet të “ngrihen mbi dallimet dhe të ruajnë respektin e ndërsjellë”.

Presidenti citoi gjithashtu një proverb kinez: “Hidhe shikimin larg, në distanca të gjata.”

Starmer tha pas takimit se “vepron gjithmonë në interes kombëtar”. Ai shtoi se shfrytëzimi i mundësive që sjellin lidhjet më të ngushta me Kinën do të ndihmojë në lehtësimin e kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur se sa me forcë e ngriti çështjen e Jimmy Lai dhe trajtimin e ujgurëve, Starmer tha: “Ne i ngritëm këto çështje, siç do të prisnit. Një pjesë e arsyes për angazhimin është të sigurohemi që mund të shfrytëzojmë mundësitë që janë të disponueshme, gjë që e kemi bërë, por edhe të kemi një diskutim të pjekur për çështjet për të cilat nuk biem dakord.”

Kina është akuzuar për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit ndaj popullsisë ujgure dhe grupeve të tjera etnike kryesisht myslimane në rajonin veriperëndimor të Xinjiangut.

Starmer tani po viziton Qytetin e Ndaluar dhe më pas do të jetë dëshmitar i nënshkrimit të marrëveshjeve me kryeministrin kinez Li Qiang.

Xi dhe Starmer pritet gjithashtu të japin miratimin për një “pakt sigurie kufitare” me synimin për të ndërprerë furnizimin me motorë për varkat e vogla.

Hera e fundit që dy udhëheqësit u takuan ishte në nëntor 2024, në kuadër të Samitit të G20-s në Brazil./K.M

09:30 Shenjë proteste kundër pasojave të sistemit të ri digjital të BE, shoferët e kamionëve në Ballkan paralizojnë pikat kufitare

Në shenjë proteste kundër pasojave të sistemit të ri digjital të BE-së për hyrje-daljet e kamionëve në hapësirën Shengen, shoferët e kamionëve në disa vende të Ballkanit sërish kanë bllokuar kalimet kufitare.

Të mërkurën (28.01.2026) në ditën e tretë të protestës u bllokuan dhjetëra pikëkalime kufitare në Bosnje, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Edhe shoferët serbë bllokuan pikakalimet kufitare për në hapësirën Shengen – duke krijuar radhë të gjata me kamionë.

Në pikëkalimin kufitar Bajakovo, kalimi më i rëndësishëm kufitar ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, të mërkurën kamionët krijuan një kolonë të gjatë prej reth dy km, sikurse i konfirmoi policia kufitare agjencisë së lajmeve AFP. Dhoma serbe e tregtisë CCIS u ankua, se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor çdo ditë po humbasin rreth 100 milionë euro nga vlera e eksporteve.

Arrestime të shoferëve shkak për bllokadat në kufi
Shoqatat e spedicionit i koordinuan aksionet e protestës kundër sistemit digjital të aplikuar që nga tetori për hyrje-daljet e personave nga vendet jo anëtare të BE-së. Sistemi Entry/Exit-System (EES) synon të shmangë vulat në pasaporta duke regjistruar në mënyrë digjitale në një regjistër qendror për të gjithë hapësirën Shengen informacionet për udhëtimin dhe të dhënat biometrike – qëllimi kryesor me aplikimin e këtij sistemi është mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së.

 

Sfondi i protestës ka të bëjë me faktin, se sipas CCIS së fundi janë arrestuar në mënyrë të përsëritur shoferët, që kanë shkelur rregulloren e qendrimit 90 ditë brenda harkut kohor të 180 ditëve në BE. Kjo rregullore nuk është e re, por përmes sistemit elektronik EES mundësohet një kontroll më i rreptë i shetetasve jashtë BE-së.

Si kusht për shfuqizimin e bllokadës organizatorët kërkojnë të negociohet për rregulla përjashtuese që të paktën të garantohet, se nuk do të ketë arrestime të shoferëve.

BE partneri kryesor tregtar për Ballkanin Perëndimor
Të hënën (26.01.2026) zëdhënësi i Komisionit të BE-së komunikoi, se autoritetet e Brukselit janë të vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura, dhe po e ndjekin me vëmendje situatën. Sipas të dhënave të BE-së, partneri kryesor i tregtisë për vendet e Ballkanit Perëndimor është BE-ja me 60 përqind të të gjithë volumit të tregtisë në rajon. Më 2024 tregtia e mallrave ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor arriti një volum prej mbi 83 miliardë euro./K.M

09:20 Zjarret gjatë verës, mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime do të shpërndahen për 15 bashkitë e prekura

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime do të shpërndahen për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës.

Ndarja sipas bashkive:

📍 Delvinë – 36 mln lekë
📍 Dibër – 10,5 mln lekë
📍 Gramsh – 86,6 mln lekë
📍 Has – 0,7 mln lekë
📍 Rrogozhinë – 1,8 mln lekë
📍 Krujë – 146 mln lekë
📍 Kukës – 0,6 mln lekë
📍 Librazhd – 0,2 mln lekë
📍 Peqin – 4 mln lekë
📍 Tepelenë – 0,3 mln lekë
📍 Kamëz – 2 mln lekë
📍 Maliq – 1,2 mln lekë
📍 Finiq – 40 mln lekë
📍 Dropull – 7,7 mln lekë
📍 Malësi e Madhe – 6,6 mln lekë/K.M

09:10 Masakra me 11 të vdekur në stadiumin e futbollit në Meksikë, tre të arrestuar

Autoritetet meksikane njoftuan të mërkurën arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në të shtënat që lanë 11 të vdekur dhe rreth dhjetë të plagosur në një stadium futbolli në pjesën qendrore të vendit.

Të dielën, persona të armatosur sulmuan një stadium lagjeje dhe hapën zjarr ndaj spektatorëve në Salamanca , një qytet me rreth 160,000 banorë në shtetin qendror të Guanajuato, i cili është ndër ato që janë goditur më rëndë nga dhuna në Meksikë.

Autoritetet besojnë se ishte një rast larjeje hesapesh i lidhur me krimin e organizuar.

Sekretariati Shtetëror (Ministria) e Sigurisë raportoi se tre të dyshuar u arrestuan, pas një serie “operacionesh të koordinuara dhe të synuara”. Ai nuk dha detaje mbi identitetin e të dyshuarve, as akuzat me të cilat përballen në hetim, për të mbrojtur konfidencialitetin e tij.

Midis të vdekurve ishin të paktën pesë punonjës të një kompanie private sigurie.

Sipas raporteve fillestare, ata u vunë në shënjestër sepse kompania për të cilën punonin kishte lidhje me Kartelin e fuqishëm të Gjeneratës së Re Jalisco (JNGC). Besohej se autorët e krimit ishin anëtarë të Kartelit Santa Rosa de Lima (SRL), një rival i të parit. Dy bandat po luftojnë për kontrollin e trafikimit të karburantit të vjedhur, trafikimit të drogës dhe zhvatjes.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum shprehu kënaqësi javën e kaluar që shkalla e vrasjeve në vend kishte rënë në nivelin më të ulët në një dekadë, në 17.5 për 100,000 banorë, në vitin 2025.

Por në Guanajuato, i cili mbetet një nga shtetet më të prekura nga dhuna, shkalla ishte 38.8 për 100,000 banorë.

Vala e pafundme e dhunës që i atribuohet karteleve në Meksikë ka marrë jetën e më shumë se 450,000 njerëzve që nga viti 2006, pa llogaritur më shumë se 100,000 që janë zhdukur, sipas të dhënave zyrtare./K.M

09:00 Auron Tare: Vatani?

Last Updated on 29/01/2026 by Klara

Nga Auron Tare

Tre “fshatra” tutje meje, në Boston, jeton një djalë nga fshatrat e Leskovikut. Takohemi rrallë, por na hahet muhabeti. Djaloshi, që ka ardhur mjaft i ri nga Jugu i Shqipërisë, mbaroi shkollën në Boston. Punoi ku mundi, por sot është jo vetëm me një diplomë të shkëlqyer, por ka ngjitur majat e karrierës në fushën e tij, duke drejtuar një ndërmarrje të rëndësishme shtetërore me 700 punonjës. Jo keq për një djalë që e kishte parë Tiranën vetëm dy herë në periudhën e tij “shqiptare”.

Para se të vija në Tiranë e ftova për kafe. Erdhi menjëherë dhe, pasi u përshëndetëm, i thashë që po iki në Shqipëri. Do dal edhe nga Leskoviku, i thashë. Qeshi.

“Je i marrë,” më tha. “Andej nuk ka mbetur më njeri. Kot që vete.”

“Po ti,” i thashë, “sa ke që nuk shkon?”

“Po nja 10 vjet,” më thotë.

“Pse?” e pyes.

“Po ç’të bëj. Herën e fundit që isha, ata pak komshinj që kanë mbetur në fshat akoma ziheshin për gardhet. Babai ankohet se nuk shet dot mollët. Nëna vjen vërdallë. Spital nuk ka me. Ilacet ja u dergoj une. Sa herë i merr malli, i sjell këtu. Rrinë ca, pastaj mërziten dhe ikin.”

“Po mirë,” i them, “punët të kanë ecur. Pse nuk bën ndonjë gjë andej nga fshati? Ja, unë do iki në Leskovik, po mund të iki edhe në Konicë, të shikoj nëse e shtyj atë idenë e rregullimit të shtëpisë së Faikut.

Fshati i tij sheh Konicën dhe vetë ai vjen nga një shtëpi me tradita.

“Eeee,” qeshi.

“Po ç’dua unë andej, o Auron?” më thotë. “Kush punoi për Shqipërinë dhe ia pa hajrin?”

Ç’ti thoja.

foto 1. Shtepia ne Korce ku ka jetuar dy vjet poeti i njohur Grek Jorgo Seferi. Restauruaar nga Shteti Grek ne shenje kujtimi, mirnjohje dhe politike sigurisht.

foto 2. Shtepia ku ka lindur Faik Bej Konica dhe i vellai diplomati i shquar Mehmet Konica ne qytezen e Konices. E lene ne fatin e saj pa asnje interesim nga Institucionet shqiptare per ta restauruar.

08:50 Rezerva Federale e SHBA-së mban normat e interesit

Last Updated on 29/01/2026 by Klara

Rezerva Federale e SHBA-së ka votuar për të mbajtur normat e interesit, ndërsa kryetari i saj, Jerome Powell, mbrojti rëndësinë e pavarësisë së bankës qendrore. Rezerva Federale tha se do ta mbajë normën e saj kryesore të kreditimit midis 3.5% dhe 3.75%, duke deklaruar se aktiviteti ekonomik në SHBA “është zgjeruar me një ritëm të qëndrueshëm”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kritikuar shpesh Powellin për mosuljen e normave të interesit mjaftueshëm shpejt. Prokurorët federalë kohët e fundit hapën një hetim penal mbi dëshminë që Powell dha në Senat në lidhje me rinovimet e ndërtesave të Rezervës Federale. Të mërkurën, Powell nuk pranoi të komentonte mbi hetimin, por tha se nëse një bankë qendrore humbiste pavarësinë e saj “do të ishte e vështirë të rivendosej besueshmëria e institucionit”. Powell më parë tha se besonte që hetimi federal buronte nga zemërimi i Trump ndaj ritmit të uljes së normave të interesit.

Të mërkurën, në konferencën e tij të parë për shtyp që nga dënimi i hetimit të Departamentit të Drejtësisë (DoJ), ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së bankës qendrore për të siguruar që politika monetare të mos përdoret për përfitime politike.

“Është thjesht një rregullim institucional që i ka shërbyer mirë popullit – të mos ketë kontroll të drejtpërdrejtë të zyrtarëve të zgjedhur mbi përcaktimin e politikës monetare. Nëse e humbni këtë, para së gjithash do të jetë e vështirë të rivendosni besueshmërinë e institucionit”, tha Powell, duke shtuar se ai është “fortësisht i përkushtuar” për të ruajtur pavarësinë e Rezervës Federale.

Së shpejti pritet që Trump të njoftojë një zëvendësues për Powell, i cili largohet nga posti i kryetarit në maj. Ish-krerë të bankës qendrore të SHBA-së gjithashtu kritikuan ashpër hetimin e Departamentit të Drejtësisë , duke e përshkruar atë si një përpjekje për të minuar autonominë e Rezervës Federale.

Duke komentuar vendimin për të mbajtur normat e interesit në vend, Powell tha: “Ekonomia na ka befasuar edhe një herë me forcën e saj.” Ka shenja se tregu i punësimit po stabilizohet – krijimi i vendeve të punës është i ngadaltë, por shkalla e papunësisë ka rënë. Politikëbërësit po vazhdojnë të monitorojnë efektin në ekonomi të tre uljeve të interesave vitin e kaluar.

Powell tha: “Ende kemi njëfarë tensioni midis punësimit dhe inflacionit, por është më i vogël se sa ishte. Perspektiva për aktivitetin ekonomik është përmirësuar qartë që nga takimi i fundit”./K.M

08:40 Rusia lëshon 105 dronë mbi Ukrainë/ Neutralizohen 84 prej tyre

Rusia sulmoi Ukrainën me 105 dronë gjatë natës, 84 prej të cilëve u rrëzuan ose u shtypën, raportoi të enjten Forca Ajrore e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Sipas Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës, natën e 29 janarit (nga ora 18:00 e 28 janarit), armiku sulmoi me 105 UAV sulmues të tipit Shahed, Gerbera, Italmas dhe lloje të tjera dronësh nga drejtimet: Bryansk, Oryol, Millerovo, Primorsko-Akhtarsk – Rusia, TOT Donetsk, Gvardiyske – TOT AR Krimea, rreth 70 prej tyre ishin “Shahedë”.

Sulmi ajror u zmbraps nga aviacioni, trupat e raketave kundërajrore, njësitë e luftës elektronike dhe sistemeve pa pilot, si dhe grupet mobile të zjarrit të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës./K.M

08:30 Vr*sje, mashtrim dhe rrjet kazinosh/ Kina ekz*kuton 11 anëtarë të mafias së Myanmarit

Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të një familjeje famëkeqe që drejtonte qendra mashtrimi në Myanmar, raportojnë mediat shtetërore.

Një gjykatë në provincën Zhejiang dënoi anëtarët e familjes Ming për krime që përfshinin vrasje, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe drejtim kazinosh shtatorin e kaluar.

Familja Ming ishte një nga disa klane që drejtonin qytetin e qetë Laukkaing të Myanmarit, afër kufirit me Kinën. Nën sundimin e tyre, ky vend i varfër u transformua në një qendër të shndritshme kazinosh.

Perandoritë e tyre mashtruese u shembën në vitin 2023, kur ata u arrestuan dhe iu dorëzuan Kinës nga milicitë etnike që kishin marrë kontrollin e Laukkaing gjatë luftës civile që vazhdonte.

 

Operacionet mashtruese në Mianmar kanë zënë në grackë mijëra punëtorë kinezë gjatë viteve – ata janë ndër qindra mijëra që janë trafikuar në këto komplekse, ku detyrohen të mashtrojnë njerëz jashtë shtetit.

Vitin e kaluar, në internet u bë viral historia e një aktori të vogël kinez i cili kishte fluturuar për në Tajlandë për një punë aktrimi, por në vend të kësaj ishte dërguar në një qendër mashtrimi në Mianmar. Histori të tilla shtuan zhgënjimin në Pekin, i cili prej kohësh kërkonte që junta e Mianmarit të frenonte mafian mashtruese.

Në fund, ishte një përshkallëzim i konfliktit të juntës me ushtritë etnike që çoi në rrëzimin e mafies në Laukkaing. Krimet e tyre rezultuan në vdekjen e 14 qytetarëve kinezë dhe plagosjen e shumë të tjerëve, tha gjykata./K.M

07:45 Sllovakia kundër ndalimit të importit të gazit rus

Pas Hungarisë, edhe Sllovakia synon tani të ngrejë padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) në Luksemburg kundër ndalimit të importit të gazit natyror nga Rusia, për të cilën ka vendosur BE-ja.

Kryeministri Robert Fico njoftoi se Sllovakia do të ngrejë padi për faktin se vendimi u miratua me shumicë të kualifikuar. Sllovakia dhe Hungaria “humbën” gjatë votimit të djeshëm. 24 nga 27 shtetet anëtare të BE-së votuan në favor të ndalimit të importit të gazit nga Rusia, ndërsa Bullgaria abstenoi.

Marrja e këtij vendimi ishte strukturuar në mënyrë të tillë që nuk kërkohej unanimitet votash. “Ne do ta kundërshtojmë shkeljen e parimeve të subsidiaritetit dhe proporcionalitetit”, deklaroi Fico. Sllovakia do të koordinojë qëndrimin e saj me Hungarinë. Fico nuk tha se kur do të ngrejë Sllovakia padinë e saj.

Orbani e konsideron ndalimin e importit si sanksion

Kurse kryeministri hungarez, Viktor Orban, deklaroi se ndalimi i importit të importit të gazit natyror nga Rusia, ndryshe nga si e paraqet Komisioni i BE-së, në realitet nuk është formalisht masë e politikës tregtare, por sanksion. Për sanksionet nevojitet unanimitet votash, gjë që Hungaria dhe Sllovakia mund ta kishin parandaluar.

Sipas Ministres sllovake të Ekonomisë, Denisa Sakova, deri në dhjetor 2025 Sllovakia e kishte ulur në 33 përqind sasinë e gazit që importon nga Rusia. Deri vetëm pak vite më parë, Sllovakia e importonte thuajse gjithë gazin e saj nga Rusia.

Sllovakia nuk dëshiron ta heqë dorë plotësisht prej gazit rus, pjesërisht sepse, si vend pa dalje në det, nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Përveç degëve të ndryshme të industrisë që kërkojnë shumë energji, në Sllovaki edhe familjet janë shumë të varura nga gazi për ngrohje.

BE-ja dëshiron t’i japë fund marrëveshjeve të gazit me ish-furnizuesin e saj kryesor dhe ta privojë Rusinë nga një burim i rëndësishëm të ardhurash për të financuar luftën kundër Ukrainës. Ligji përcakton që importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus duhet të ndalen deri në fund të vitit 2026 dhe furnizimet me gaz përmes tubacioneve deri në fund të vitit 2027./K.M

07:30 Barcelona feston kualifikimin, Reali ndëshkohet nga portieri

Barcelona siguroi kualifikimin për në 1/8-at e Champions League pas fitores 4-1 ndaj Copenhagen në “Camp Nou”.

Katalanasit përmbysën disavantazhin e hershëm dhe regjistruan fitoren e dhjetë radhazi në shtëpi në të gjitha kompeticionet.

Real Madrid humbi 4-2 në transfertë ndaj Benficës dhe u detyrua të kalojë në raundin playoff. Në Lisbonë, portieri Trubin shënoi në minutën e 98-të, duke i dhënë Benficës vendin e fundit kualifikues.

Befasia erdhi nga Madridi, ku Bodo/Glimt mposhti 2-1 Atletico Madrid dhe siguroi kalimin në fazën eliminatore.

Atletico humbi kualifikimin direkt dhe do të luajë në playoff. PSV Eindhoven u eliminua pas humbjes 2-1 ndaj Bayern Munich./K.M

07:15 Parashikimi i motit 29 janar 2026

Moti gjatë 29 janarit do të jetë dimëror dhe i ftohtë, me vranësira kryesore gjatë gjithë ditës. Zonat e ultësirës dhe bregdetit mund të përjetojnë periudha të shkurtra me diell, por kryesisht priten re të dendura.

Ka një mundësi për reshje shiu, sidomos në qytetet dhe zonat e ulëta, ndërsa zonat malore mund të shohin shi të lehtë ose bore të rrallë. Lagështia do të mbetet e konsiderueshme gjatë gjithë ditës.

Temperaturat do të luhaten rreth 7–11 °C gjatë ditës, ndërsa mëngjesi dhe mbrëmja do të jenë më të ftohta, afërsisht rreth 5–7 °C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare, pa stuhira të forta./KM

❌