Ekskluzive | Zgjerohet hetimi: Pas arrestimit të dy shtetasve palestinezë, policia zbulon pasaportë kubane dhe dhjetëra dollarë të falsifikuar në Kaçanik
Zgjerohen hetimet për rastin e falsifikimit të parasë dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve, ku fillimisht u arrestuan dy shtetas palestinezë në Ferizaj, ndërsa tani janë zbuluar dokumente të dyshimta ndërkombëtare dhe kartëmonedha amerikane që dyshohet se janë të falsifikuara.
Sinjali raportoi më herët për arrestimin e Mohamed Omran (28 vjeç) dhe Najjar Zakaria (30 vjeç), pas incidentit të 6 shkurtit 2026 në fshatin Prelez i Jerlive, ku ata bashkë me Shqiprim Veselin (27 vjeç) dyshohet se kanë paguar derivate me kartëmonedhë të falsifikuar dhe te të cilët u gjet edhe substancë narkotike.
Burime të sigurta nga hetimi bëjnë të ditur se më 07.02.2026, policia ka lokalizuar banesën me qira të dy të dyshuarve në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, ku gjatë kontrollit janë gjetur:
– një pasaportë e Shtetit të Kubës në emër të Mohammad Omran
– një letërnjoftim ESP me të njëjtin emër
Hetimet më pas janë zhvendosur në Kaçanik, pasi është konstatuar se Omran kishte qenë i shoqëruar edhe nga një e mitur A.T (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në rrugën “Skënderbeu”, policia ka gjetur:
– 39 kartëmonedha nga 50 dollarë amerikanë, që dyshohet se janë të falsifikuara
– një sasi të vogël narkotiku
– një pasaportë palestineze në emër të Zakaria Najjar
– si dhe një dokument tjetër palestinez me të njëjtin emër.
Sa i përket narkotikut të gjetur në këtë banesë, sipas burimeve, ai i përket të dyshuarës Eliona Dauti (19 vjeçe).
Në këtë operacion kanë qenë të përfshirë edhe hetues nga Departamenti i Kufirit – DPK Prishtinë, ndërsa të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
E mitura A.T është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit sipas, ndërsa Eliona Dauti është intervistuar veçmas, të dyja janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Mohamed Omran dhe Najjar Zakaria vazhdojnë të mbahen nën masën e ndalimit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti të dyshuar që përfshin falsifikim valute, dokumente të huaja dhe narkotikë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Zgjerohet hetimi: Pas arrestimit të dy shtetasve palestinezë, policia zbulon pasaportë kubane dhe dhjetëra dollarë të falsifikuar në Kaçanik appeared first on Sinjali.
