Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Makineria shqiptare e nokautit: Arjan Iseni, ylli i ri i boksit shqiptar po shkatërron çdo kundërshtar



Arjan Iseni po shfaqet si një nga emrat më premtues në boksin shqiptar, duke ndërtuar hap pas hapi një profil që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën e sporteve luftarake.

Boksieri në zhvillim ka zhvilluar deri më tani pesë meçe në karrierën e tij profesionale dhe bilanci është perfekt: pesë fitore në pesë dalje në ring. Ajo që e bën edhe më mbresëlënës këtë fillim është fakti se të gjitha kanë ardhur me nokaut, një tregues i qartë i fuqisë dhe agresivitetit që Iseni posedon.

Që në paraqitjet e para, ai ka demonstruar një stil të drejtpërdrejtë, me presion konstant ndaj kundërshtarëve dhe goditje të forta që shpesh kanë mbyllur meçet para kohe. Për një boksier në fazat e hershme të karrierës, një përqindje kaq e lartë nokautesh është sinjal i qartë se kemi të bëjmë me një talent që kombinon forcën fizike me instinktin për ta përfunduar luftën shpejt.

Iseni po punon intensivisht për të përmirësuar edhe aspektet teknike të boksit të tij, duke treguar disiplinë dhe seriozitet në çdo fazë të përgatitjeve. Ekipi që e rrethon e konsideron si një projekt afatgjatë, me synime të mëdha për ta çuar drejt niveleve më të larta ndërkombëtare.

Me një nisje të tillë të karrierës dhe me mentalitetin që ka treguar deri tani, Arjan Iseni po ndërton themele të forta për një të ardhme të ndritur në ring. Nëse vazhdon me këtë ritëm dhe zhvillim, emri i tij pritet të dëgjohet gjithnjë e më shumë në skenën e boksit profesionist.

Kujtojmë, Iseni fitoren e fundit e shënoi javën e kaluar ndërsa po ëndërron titullin e kampionit të botës./Telegrafi

Liverpooli gjen pasuesin e Mo Salah, ëndërron afrimin e yllit të Bayern Munichut



Edhe pse Liverpooli investoi plot 450 milionë funte gjatë verës së kaluar, skuadra e Arne Slot vazhdon të ketë boshllëqe serioze në organikë që po e penalizojnë në këtë sezon.

Qendra e mbrojtjes mbetet e varfër në alternativa për të përballuar disa fronte njëkohësisht – ndërsa fakti që Marc Guehi po i bashkohet Manchester Cityt vetëm sa e thellon zhgënjimin në “Anfield”. Përveç kësaj, një mesfushor defensiv është i domosdoshëm për të ardhmen e afërt dhe rënia e ndjeshme e Mohamed Salah ka ekspozuar mungesën e opsioneve cilësore në krahë.

Përforcimet në repartin mbrojtës janë prioritet urgjent pas paraqitjeve zhgënjyese në këtë sezon, por shtimi i të paktën një sulmuesi krahu në muajt e ardhshëm është thelbësor që Liverpooli të rikthejë identitetin e tij ofensiv.

Këtu hyn në skenë Michael Olise. 24-vjeçari po shkëlqen në Bundesliga me Bayern Munich krahas Harry Kane dhe ish-lojtarit të Liverpoolit, Luis Diaz. “Bavarezët” paguan vetëm 50 milionë funte për kartonin e tij – një investim që tashmë konsiderohet një nga goditjet më të mira të viteve të fundit.

Në sezonin e tij debutues në Gjermani, Olise regjistroi 27 kontribute në gola në 34 ndeshje të Bundesligës dhe duke kontribuar fuqishëm në titull.

Në Ligën e Kampionëve shtoi edhe shtatë gola/asistime, ndërsa forma e tij shpërthyese vazhdoi edhe në sezonin aktual, ku deri në pushimin dimëror të 2025–26 numëronte 26 kontribute direkte në gola.

Statistikat e tij këtë sezon janë marramendëse: sipas “Fbref” ai renditet në percentilin e 99-të për pasime kyçe, mbajtje progresive të topit dhe aksione që krijojnë raste për gol për 90 minuta – pikërisht profili kreativ që Liverpoolit i mungon në mënyrë alarmante.

Olise është një lojtar spektakolar teknikisht, me driblim të butë, vizion të jashtëzakonshëm dhe një këmbë të majtë magjike që di si të asistojë ashtu edhe të finalizojë me goditje perfekte nga distanca apo nga këndi i zonës.

Ndryshe nga shumë lojtarë që vijnë nga Bundesliga, Olise nuk do të kishte asnjë problem adaptimi në Angli. Ai është i lindur dhe rritur në Angli, është formuar te Reading dhe u bë emër i madh te Crystal Palace, ku në tri sezone në Liga Premier regjistroi shifra dyshifrore në gola dhe asistime dhe u dallua për stilin e tij argëtues.

As barrierë gjuhe, as problem ambienti – një avantazh i madh nëse Liverpooli do të tentonte ta transferonte nga Bayerni. Por çmimi do të ishte i frikshëm: çdo negociatë do të niste mbi 80 milionë funte.

Gabimi i Liverpoolit për të mos zëvendësuar Luis Díaz gjatë verës tashmë po paguhet shtrenjtë, ndërsa klubi nuk mund ta përsërisë të njëjtën situatë me Salah. Egjiptiani mbetet legjendë në Anfield, por përplasjet e fundit dhe rënia e ndikimit e bëjnë të domosdoshëm një plan pasues serioz.

Opsionet për një pasardhës të denjë të Salah janë shumë të pakta – dhe Olise është një nga emrat më të fortë në këtë rol, edhe pse ende nuk ka mbushur 25 vjeç.

Transferimi i tij nga Bayern Munich do të ishte jashtëzakonisht i vështirë – ndoshta edhe i pamundur – por Liverpooli pritet ta tentojë me çdo kusht./Telegrafi

Barcelona njoftohet me humbjen pas 10 fitoreve radhazi në La Liga, mposhtet nga Sociedadi



Barcelona ka pësuar humbje në udhëtim te Real Sociedadi, në kuadër të xhiros së 20-të në La Liga.

Katalunasit dominuan plotësisht por që pësuan humbje me rezultat 2-1.

Pas vetëm shtatë minutave lojë, Fermin Lopez shënoi një gol të bukur por që u anulua nga VAR-i pas një faulli në ndërtimin e aksionit.

Lamine Yamal gjithashtu gjeti rrjetën por sërish e njëjta. Këtë herë, VAR-i e anuloi si pasojë e një pozite jashtë loje (28’).

Ishte Mikel Oyarzabal që shënoi një gol të bukur pas asistimit të Guedes (32’).

Barcelona pastaj fitoi edhe një penallti sidoqoftë, sërish u anulua. Këtë herë shkaku që kishte një pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.

Barcelona u kthye në lojë falë Marcus Rashford që shënoi pas bashkëpunimit me Lamine Yamal (70’).

Sidoqoftë, në aksionin tjetër – Sociedadi e ktheu epërsinë përmes Guedes (71’).

Në fundin e ndeshjes, vendasit edhe mbeten me një lojtar më pak pasi Carlos Soler u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë te Pedri (88’).

Sidoqoftë, vendasit arritën të mbrohen për të mos lënë befasi. Kësisoj, Barcelona mbetet lider me 49 pikë ndërsa Sociedadi ngjitët në pozitën e tetë me 24 sosh./Telegrafi

Vendos goli i Fullkrug, AC Milan triumfon ndaj Lecces



AC Milani ka shënuar fitore minimale në shtëpi ndaj Lecces, në kuadër të xhiros së 21-të në Serie A.

“Rossonerët” triumfuan me rezultat 1-0, sfidë që ishte tepër e baraspeshuar.

AC Milani kishte një rast të mirë shënimi përmes Gabbia, që dështoi të shënonte nga afërsia me kokë.

Rafael Leao pastaj arriti të shënonte, megjithatë goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Heroi i “Rossonerëve” rezultoi të jetë i inkuadruari Niclas Fullkrug që shënoi me kokë pas harkimit të Alexis Saelemaekers (76’).

Me këtë fitore, Milani qëndron si pozitë e dytë në Serie A me 46 pikë ndërsa Lecce bie në vendin e 18-të me 17 sosh./Telegrafi/

Bashkimi shkëlqen në dy çerekët e fundit dhe mposht Rahovecin



Bashkimi shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahoveci 029 me shifrat 90:70 (19:19, 18:22, 24:16, 29:13), në javën e 16-të të ProCredit Superligës.

Përballja e zhvilluar në Prizren në pjesën e parë ishte e baraspeshuar me çerekun e parë që përfundoi 19:19, derisa mysafirët për një nuancë ishin më të mirë në periudhën e dytë, 18:22.

Megjithatë, prizrenasit u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë për të shënuar fitore me 20 pikë dallim, 90:70.

Lejson Zeqiri ishte më i miri te vendasit me 21 pikë e gjashtë kërcime, kurse te ‘Vreshtarët’, Bardh Rexha kishte 20 pikë e katër kërcime.

Bashkimi është në vendin e dytë me 11 fitore e pesë humbje, kurse Rahoveci 029 ka pesë e 11 humbje./Telegrafi

“Nuk do të luaj aty ku nuk më duan”, Vini Jr planifikon largimin nga Real Madridi



Situata e Vinicius Junior te Real Madridi ka shpërthyer në mënyrë dramatike, me yllin brazilian që, sipas “El Periodico” dhe “Sport”, po mendon seriozisht largimin nga klubi pas prishjes së plotë të raportit me tifozët e “Santiago Bernabeu”.

Gjatë ndeshjes ndaj Levantes të shtunën, Vinicius u përball me një vërshim fishkëllimash që nga momenti i nxehjes.

Pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Barcelona dhe Albacete në Kupë, atmosfera në “Bernabeu” ishte e tensionuar, por trajtimi ndaj brazilianit ishte dukshëm më i ashpër se ndaj figurave të tjera si Jude Bellingham apo Fede Valverde.

Sipas mediave katalanase, Vinicius ka thënë në rrethin e tij të afërt: “Nuk do të luaj aty ku nuk më duan”.

“Sport” raporton se 17 janari ishte dita kur “Real Madridi dhe tifozët u ndanë përfundimisht me Vinicius”, duke e çuar marrëdhënien në pikën më të ulët historike.

Trajneri i ri i Realit Arbeloa dëshiron “ta nxjerrë më të mirën nga Viniciusi”

I pyetur për situatën e lojtarit, trajneri i ri madrilen u përpoq ta mbrojë publikisht brazilianin:

“Do të punojmë për ta përmirësuar. Do t’u kërkoj shokëve të skuadrës t’i japin sa më shumë topa, sepse është lojtari më i mirë në botë për të ç’ekuilibruar mbrojtjet kundërshtare”.

Në konferencën e tij të parë, Arbeloa kishte deklaruar gjithashtu: “Jam jashtëzakonisht me fat që kam një nga lojtarët më të mirë në botë. Ne duam të shohim një Vini që kënaqet dhe vallëzon në fushë”.

Megjithatë, nëse tensionet me publikun vazhdojnë, periudha e Vinicius te Real Madridi mund të jetë drejt fundit, edhe pse kontrata e tij skadon në verën e vitit 2027.

Destinacionet e mundshme: Në merkato të kaluara, Vinicius është lidhur fuqishëm me Paris Saint-Germain, klubet e Ligës Premier si Liverpool dhe Manchester City si dhe oferta marramendëse nga Arabia Saudite, ku pagat do të ishin në nivelin e Cristiano Ronaldos./Telegrafi

Valon Berisha afër largimit nga LASK-u, do t’i bashkohet skuadrës nga Bosnja Hercegovina



Mesfushori Valon Berisha është shumë afër të largohet nga klubi austriak LASK, kurse është afër t’i bashkohet Zeljeznicar të Bosnja Hercegovinës.

Berisha është njoftuar nga LASK-u para disa javëve që nuk është më në planet e trajnerit, andaj është i lirë për t’u bërë me klub të ri këtë muaj.

Siç raporton mediumi boshnjak “sportbc.ba”, negociatat mes klubit dhe Berishës janë në fazën finale, kurse ka shpresë jashtëzakonisht të madhe që marrëveshja do të mbyllet për një kohë të shkurtër.

Zeljeznicar beson se Berisha do të sillte jo vetëm cilësi të madhe në mesfushë, por edhe një ngritje të ndjeshme të aspektit në anën e marketingut.

Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse Berisha do të veshë fanellën blu dhe do ta udhëheqë skuadrën në garën për një vend në Evropë gjatë pranverës.

Berisha ka një karrierë të bujshme pasi ka luajtur për klubet e mëdha si Lazio, RB Salzburg, Fortuna, Reims dhe së fundmi LASK.

Mesfushori i lindur në Suedi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, ndërsa nga viti 2016 ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, me të cilën ka regjistruar 52 paraqitje dhe katër gola./Telegrafi/

Elvis Rexhbecaj shënon gol të bukur me kokë ndaj Freiburgut



Mesfushori Elvis Rexhbecaj ka shënuar një gol të bukur me kokë ndaj Freiburgut.

Ylli i Kosovës përfitoi nga një harkim ndërsa me një goditje të saktë e la portierin të shtangur (49’).

Më e bukura është se goli i Rexhbecaj erdhi vetëm tre minuta pas inkuadrimit, ku hyri në pjesën e dytë pas lëndimit të Jakic.

Për ta parë golin, kliko KËTU.

Përndryshe, ky është goli i parë i futbollistit nga Prizreni në Bundesliga për këtë edicion./Telegrafi/

Tomas Guidara ia hap derën Shqipërisë: Jam në kontakte me FSHF-në, dua të mësoj më shumë për rrënjët e mia



Mbrojtësi Tomas Guidara që ka përfaqësuar Argjentinën në grupmosha, publikisht ka shprehur gatishmëri për të luajtur në fanellën e Shqipërisë.

Guidara për herë të parë ra në sy kur Sylvinho e përmendi se kishte gjetur një shqiptar në Argjentinë. Tani, për herë të parë futbollisti që mbron fanellën e Hurucan ka pranuar se dëshiron të luajë me “Kuq e Zinjtë”.

Ai për “Panorama Sport” deklaroi se dëshiron të mësojë më shumë për rrënjët shqiptare dhe që ndodhet në kontakte me FSHF-në.

“Të them të drejtën, më tërhoqi shumë vëmendjen dhe u entuziazmova kur mora vesh që një kombëtare tregoi interes për mua. Është gjithmonë diçka shumë e bukur dhe motivuese kur shikon që puna jote dhe përkushtimi vlerësohen në një nivel të tillë, dhe kjo të bën të ndihesh i njohur dhe pjesë e diçkaje më të madhe se vetja”.

“Sinqerisht, di shumë pak për prejardhjen time shqiptare. Është diçka që gjithmonë më ka ngjallur shumë kureshtje dhe dëshirë për të mësuar më shumë, por për momentin nuk kam kontakte direkt me persona nga Shqipëria apo komunitetin arbëresh, gjë që do të më pëlqente ta ndryshoja në të ardhmen”.

Ai shtoi se ndodhet në kontakte me FSHF-në, kurse është i hapur për ta përfaqësuar përfundimisht Shqipërinë.

“Po, ka pasur kontakt. Federata Shqiptare e Futbollit ka komunikuar drejtpërdrejt si me mua, ashtu edhe me përfaqësuesin tim, duke shprehur interesin e tyre për të më pasur në skuadër. Ishte një ndjesi shumë pozitive dhe një shenjë që puna ime vlerësohet jashtë vendit”, deklaroi ai.

Përndryshe, nuk dihet nëse Guidara është i pajisur me pasaportë shqiptare dhe nëse mund të ftohet nga Sylvinho për ndeshjet e muajit mars, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Kupës së Botës./Telegrafi/

Ernest Muçi i pandalshëm në Turqi, shënon supergol për t’ia fituar Trabzonsporit pikët e plota



Trabzonspor ka shënuar fitore në udhëtim te Kocaelispor, në kuadër të xhiros së 18-të në Superligën e Turqisë.

Ishte sërish ylli shqiptar Ernest Muçi që bëri dallimin, për të shënuar golin e fitores në minutat shtesë (90+1’), ku epilogu përfundimtar doli të jetë 1-2.

Pas asistimit të Zubkov, Muçi me një supergol nga distanca e la në gjumë portierin vendas për ta vulosur fitoren.

ERNEST MUÇI ONCE AGAIN SCORES A GOAL TO GIVE TRABZONSPOR THE ADVANTAGE IN THE END! pic.twitter.com/eCSB7NIv7u
— Kuq e Zi 🇦🇱⚽️ (@KuqeZiFootball) January 18, 2026

Përpos golit, Muçi zhvilloi një paraqitje mahnitëse duke kompletuar 34 pasime nga 35 të tentuar, si dhe kishte katër goditje në portë.

Për shqiptarin, ky është goli i tetë në kampionatin turk, vetëm pesë më pak se top golashënuesi Shomurodov i Basaksehir.

Ndërkohë, Trabzonspor mbetet në garën për titull duke zënë pozitën e tretë me 38 pikë, pesë më pak se lideri Galatasaray./Telegrafi

“E pres ftesën e Kosovës”, Milot Avdyli optimist që së shpejti do të ftohet nga Franco Foda



I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i talentuar Milot Avdyli. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.

Ylli i Celjes për herë të parë ka komentuar ftesën e mundshëm të Kosovës, ku ndër të tjera zbuloi se që prej kohës kur ka qenë te grupmoshta U21, nuk ka pasur ndonjë kontakt me FFK-në.

Ai e pranoi se ka mbetur pak i zhgënjyer sepse ka pritur që së paku të jetë në listën rezervë, por njëkohësisht e di se nëse vazhdon të punojë atëherë do të kontaktohet nga përzgjedhësi Franco Foda.

“Ftesën normal që çdo lojtar e pret. Çdo lojtar e pret ftesën dhe është ëndrra më e madhe e karrierës që me lujtë me kombëtaren e Kosovës”.

“Por, pasi e kam kaluar gjeneratën U21, kam qenë kapiten – i kam zhvilluar të gjitha ndeshjet, nuk kam pasur kontakte prej kombëtares sonë, nuk më ka ardh asnjë mesazh që po të përcjellim ose je në listën rezervë”.

Avdyli shtoi se e ka parë që Foda po i përcjellë ndeshjet e elitës së futbollit të Kosovës, kurse është optimist se ftesa nuk do të vonojë.

“Kam pritur që bile të paktën me qenë në listën rezervë, i kam kaluar të gjitha grupmoshat. I shikoj të gjitha ndeshjet e Superligës së Kosovës, edhe e shoh shpesh që s’i intereson (Franco Fodas) se në cilën ndeshje shkon ta shikoj”.

“E jemja ime është veç me punu dhe të bëj sa më shumë gola e asistime. E di që ka më ardh koha me përfaqësu Kosovën, jam shumë optimist”.

Avdyli këtë edicion ka shpërthyer te Celje me plot tetë asistime, për të qenë ndër lojtarët më të mirë te skuadra sllovene./Telegrafi

Forma fantastike te Rubin Kazani, Mirlind Daku opsion konkret për tri skuadrat e Bundesligës



Agjentët e Mirlind Dakut e kanë ofruar sulmuesin shqiptar te disa klube gjermane, duke hapur skenarin e një transferimi të mundshëm, megjithëse një lëvizje në dimër nuk shihet si opsion real në këtë moment.

Sipas informacionit të publikuar nga “Championat”, përfaqësuesit e 28-vjeçarit të Rubin Kazan e kanë prezantuar profilin e tij te disa skuadra të Bundesligës dhe Bundesligës 2.

Augsburg, Mainz dhe Hamburg janë ndër klubet që kanë shfaqur interes konkret për blerjen e sulmuesit shqiptar.

Megjithatë, agjencia që menaxhon Dakun ka bërë të qartë për gazetaren Maria Kutsubeeva se pavarësisht interesimit të madh, merkatoja e janarit nuk konsiderohet periudha e duhur për një transferim.

“Ka shumë interes për Dakun nga Gjermania, por ne mendojmë se dritarja e dimrit nuk është momenti i përshtatshëm për një lëvizje të tillë”, ka deklaruar agjencia e lojtarit.

Daku është pjesë e Rubin Kazan që nga korriku i vitit 2023 dhe ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2029. Me Kombëtaren shqiptare ai numëron 15 paraqitje.

Në edicionin aktual të Superligës Ruse, sulmuesi ka realizuar një gol dhe ka dhënë pesë asistime në nëntë ndeshje, duke qenë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës së tij në repartin ofensiv.

Vlera e tij aktuale në treg vlerësohet në 10 milionë euro sipas Transfermarkt, çka e bën një profil tërheqës për klubet gjermane në prag të verës./Telegrafi

Bledian Krasniqi protagonist në barazimin e Zurichut ndaj Servette



Zurichu ka marrë një pikë në udhëtim te Servette, në kuadër të xhiros së 20-të në Superligën e Zvicrës.

Zurich zhvilloi një paraqitje solide, ku në barazimin 1-1 kontribuoi edhe lojtari i Kosovës, Bledian Krasniqi.

Krasniqi dhuroi një asistim fantastik te Reverson, i cili shënoi për ta barazuar rezultatin (28’). Në këtë sfidë, nuk ishte loja më e mirë për Lindrit Kamberin, i cili u përjashtua me karton të kuq.

“SofaScore” e vlerësoi Krasniqin me notën 7.4, ku përpos asistimit – dhuroi dy pasime kyçe.

Përndryshe, ky ishte asistimi i parë i Krasniqit që prej shtatorit të vitit 2025, e më e bukura kishte asistuar kundër Servettes./Telegrafi/

“Lojtarët më të mirë në botë”, Arbeloa s’i ndal lëvdatat pas fitores ndaj Levantes për katër yjet e Realit



Trajneri Alvaro Arbeloa nuk ka hezituar të bëjë një deklaratë të fortë pas fitores 2-0 të Real Madridit ndaj Levantes, duke zbuluar publikisht se cilët janë liderët e skuadrës së tij.

Trajneri madrilen vuri në qendër katër emra kryesorë të ekipit, për të cilët tha se japin gjithçka për klubin madrilen.

“Jude Bellingham është një nga liderët, ashtu si Mbappe, Vini Jr. dhe Valverde”.

“Janë lojtarë të destinuar të bëjnë gjëra të mëdha te Real Madridi. Janë katër nga lojtarët më të mirë në botë dhe liderët e këtij ekipi”.

“Janë futbollistët te të cilët duhet të mbështetesh gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë mirë”.

“Do të përpiqem të punoj me ta për të nxjerrë më të mirën e tyre, për t’i bërë të lumtur, për t’i bërë ta shijojnë lojën dhe për t’u siguruar që do të qëndrojnë te Real Madridi për të fituar shumë tituj, sepse këtë e meritojnë dhe sepse e kanë cilësinë për ta bërë”, deklaroi Arbeloa.

Fillimi i Arbeloas në stolin e “Los Blancos” nuk ishte ideal, pasi debutimi i tij erdhi me një eliminim surprizë në Kupë ndaj Albacetes. Megjithatë, ndeshja e parë në La Liga nisi me fitore dhe trajneri spanjoll shpreson të vazhdojë në këtë ritëm.

Ajo që ka rënë në sy është fakti se Arbeloa nuk e përmendi Dani Carvajalin mes liderëve të ekipit, pavarësisht rolit të rëndësishëm dhe eksperiencës së mbrojtësit në dhomat e zhveshjes./Telegrafi

Vëllezërit Bakaj regjistrojnë fitoret e radhës, i rrahin keq kolumbianin dhe italianin



Vëllezërit Bakaj, më saktësisht Roberto dhe Amarildo e kanë ruajtur rekordin si të pamposhtur në boks, duke shënuar fitore kundër kolumbianit Brayan Santander dhe italianit Francesco Morandi.

Fillimisht në mbrëmjen e boksit, Roberto Bakaj arriti fitore spektakulare ndaj kolumbianit Brayan Santander në “BBC Arena”.

Bakaj ishte larg më i mirë thuajse në secilin ring, duke e dominuarn në çdo aspekt kundërshtarin, kësisoj siç pritej edhe gjyqtarët ia dhanë fitoren.

Roberto Bakaj vazhdon me rekordin perfekt, pra plot 16 fitore në po aq meçe të zhvilluara.

E nata pastaj veçse u bë edhe më e mirë për të gjithë tifozët shqiptarë, sidomos ata që ishin në arena, kur vëllau i Robertos, Amarildo e rrahu italianin Francesco Morandi, i cili e kishte ngacmuar që sa kohë.

Si Roberto, ashtu edhe Amarildo ishte larg më e mirë duke e gjakosur italianin në raundin e pestë.

Me vendim të gjyqtarëve, Amarildo e regjistroi fitoren e 15-të në karrierë, po në aq meçe. Pas ndeshjes, edhe vetë Morandi e përgëzoi duke e ngritur para tifozëve.

Kësisoj, vëllezërit Bakaj vazhdon me rekordin e mrekullueshëm ndërsa në të ardhmen e afërt synojnë tituj të botës./Telegrafi/

Edon Zhegrova zhvillon afro 30 minuta, Juventusi pëson humbje nga Cagliari



Juventusi ka dështuar në udhëtim te Cagliari, duke pësuar humbje në kuadër të xhiros së 21-të në Serie A.

“Bianconerët” zhvilluan paraqitje të mirë por që pikët i mori Cagliari me rezultat minimal 1-0.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi pasi asnjëra nga skuadrat nuk arritën t’i finalizojnë rastet.

Juventusi dominoi në përgjithësi për të krijuar raste të njëpasnjëshme, ndërsa Cagliari tentoi me disa kundërsulme që gjithashtu nuk funksionuan.

Ishte Luca Mazzitelli që shënoi me një goditje të lehtë pas harkimit të Gaetanos për të zhbllokuar rezultatin dhe njëkohësisht vulosi fitoren (65’).

Menjëherë pas golit, Spalletti inkuadroi Edon Zhegrovën sidoqoftë pavarësisht disa aksioneve të zhvilluara, Juve nuk arriti ta thyejë mbrojtjen vendase.

Rasti më i rrezikshëm ishte përmes Kenan Yildiz që ishte afër të shënonte një supergol nga distanca, mirëpo portieri rezultoi të jetë në vendin e duhur.

Juventusi pas kësaj humbje bie në pozitën e pestë me 39 pikë kurse Cagliari ngjitët në vendin e 15-të me 22 sosh./Telegrafi/

“Real Madridi e do 100 për qind”, Florentino Perez i etur për ta bindur trajnerin e njohur që ta pranojë stolin madrilen



Real Madridi ka nisur të mendojë seriozisht për verën, një periudhë ku klubi mund të përballet me ndryshimin e tretë të trajnerit brenda vetëm një viti.

Alvaro Arbeloa zëvendësoi këtë javë Xabi Alonson, por ish-trajneri i Castillas nuk e ka aspak të garantuar vazhdimësinë për sezonin e ardhshëm.

Arbeloa do të ketë kohë për të dëshmuar veten deri në fund të sezonit, megjithatë drejtuesit e “Los Blancos” tashmë kanë nisur të eksplorojnë alternativa për stolin.

Një emër që vazhdon të lidhet fort me madrilenët është ai i ish-trajnerit të Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp. Mediat raportuan më herët këtë javë se gjermani do ta “konsideronte seriozisht” një ofertë nga Real Madridi, nëse ajo do të vinte.

Vetë Klopp kishte minimizuar më parë zërat, madje kishte kritikuar mënyrën se si po drejtohet klubi pas largimit të Xabi Alonsos.

Gazetari spanjoll Guillem Balague, në podkastin Euro Leagues, konfirmoi se Real Madridi “e do 100 për qind” Kloppin, duke kujtuar se Perez ka tentuar edhe më herët ta bindë atë.

Sipas tij, presidenti madrilen është një person që rrallë pranon refuzimin si përgjigje përfundimtare.

Qëndrimi i Klopp po ndryshon

Pas largimit nga Liverpooli dhe tërheqjes nga roli i trajnerit, Klopp mori postin e Drejtorit Global të Futbollit te Red Bull dhe vazhdimisht kishte deklaruar se nuk planifikonte rikthim në stol. Megjithatë, Real Madridi dhe kombëtarja e Gjermanisë konsiderohen si dy projektet e vetme që mund ta tundonin seriozisht.

Gazetari gjerman Rafael Honigstein shpjegon se Klopp në të kaluarën e kishte refuzuar Realin me arsyet: “Nuk e flas gjuhën” dhe “Kam klub”, fillimisht te Dortmundi e më pas te Liverpooli. Tashmë situata ka ndryshuar ndjeshëm: Klopp jeton në Mallorca, po mëson spanjisht dhe nuk është më i lidhur me ndonjë klub.

Sipas Honigsteinit, refuzimi i tij nuk është më aq kategorik sa dikur. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të arrijë ta bindë dhe nëse është i gatshëm t’i plotësojë kushtet që Klopp mund të kërkojë për një rikthim të bujshëm në pankinë./Telegrafi

Bayern Munich triumfon me përmbysje ndaj RB Leipzigut



Bayern Munich ka shënuar tjetër fitore në Bundesliga, këtë herë në udhëtim te RB Leipzig.

“Bavarezzët” triumfuan me rezultat 1-5, sfidë e vlefshme për xhiron e 18-të në kampionatin gjerman.

Leipzig e nisi shumë më mirë lojën për të kaluar në epërsi falë Romulo Cardosos (20’).

Sidoqoftë, Bayern Munichu tregoi fytyrë krejtësisht tjetër në pjesën e dytë për të realizuar plot katër gola. Fillimisht, Serge Gnabry përfitoi nga gabim amator i mbrojtësit për të barazuar rezultatin (50’).

Ndërsa, ishte Harry Kane që u përkujdes për ta përmbysur epërsinë pas një harkimi fantastik (67’).

Golin e tretë e shënoi mbrojtësi Jonathan Tah me një gol të bukur me kokë (84’), kurse një minutë më vonë, Pavlovic pas asistimit të Olise e vulosi fitoren (85’).

Krejt në fund, edhe Olise realizoi një gol për epilogun përfundimtar 1-5 (88’).

Bayerni me këtë fitore shkon në kuotën e 50 pikëve ndërsa Leipzig zë vendin e katërt me 32 sosh./Telegrafi/

Arsenali s’përfiton nga gabimi i Man Cityt, ndalet nga Nottingham



Arsenali nuk e ka shfrytëzuar rastin për të ikur në nëntë pikë para në Ligën Premier, duke u ndalur në një barazim pa gola te Nottingham Foresti.

“Topçinjtë” zhvilluan një paraqitje solide, ku loja gjatë tërë kohës ishte e baraspeshuar, për të përfunduar me rezultat 0-0.

Arsenali fillimisht rrezikoi përmes bashkëpunimit të Noni Madueke dhe Gabriel Martinelli, sidoqoftë të dy dështuan, sidomos ky i fundit – i cili duhej vetëm ta dërgonte topin në rrjetë.

Mysafirët ishin më të rrezikshëm gjatë tërë kohës, ku si Rice ashtu edhe Merino dolën të jenë pranë me disa goditje nga distanca, por portieri vendas nuk lejoi befasi.

Nottingham në pjesën më të madhe tentoi disa kundëraksione, që rezultuan të jenë të pasuksesshme.

Kësisoj, Arsenali vazhdon si lider me 50 pikë, shtatë mbi Man Cityn, derisa Nottingham qëndron në vendin e 17-të me 22 sosh./Telegrafi/

“Ai duhet të largohet, mjaft është mjaft”, tifozët e Liverpoolit lodhen nga Arne Slot, e kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm



E ardhmja e Arne Slot te Liverpooli është vënë sërish në pikëpyetje nga tifozët pas barazimit zhgënjyes 1-1 ndaj Burnleyt, skuadër që po lufton për mbijetesë.

Liverpooli dominoi plotësisht pjesën e parë, duke shënuar, krijuar raste dhe pa lejuar asnjë rrezik serioz në mbrojtje, por epërsia në lojë nuk u reflektua në rezultat. Mosshfrytëzimi i rasteve i kushtoi dy pikë “The Reds”, pasi Burnley realizoi me goditjen e parë në portë. Pa reagim të mëtejshëm nga vendasit, ndeshja u mbyll në barazim.

Skuadra e Slot e përfundoi takimin me plot 32 goditje (11 në portë), por vetëm një gol – duke u bërë ekipi i parë i Liverpoolit që nga sezoni 1980/81 që nuk arrin të mposhtë asnjë nga skuadrat e sapo promovuara në “Anfield”.

Megjithëse seria pa humbje u zgjerua në 12 ndeshje, fakti që Liverpooli nuk arriti të mposhtë Burnleyn e vendit të 19-të ka shtuar pakënaqësinë e tifozëve, të cilët kanë filluar të kritikojnë hapur stilin e lojës nën drejtimin e Slotit.

“Falë Zotit që seria jonë pa humbje mbeti e paprekur. Por seriozisht – mjaft është mjaft”.

“Mjaft është mjaft. Slot duhet të largohet. Kjo është thjesht e papranueshme”.

“Rrugët nuk do ta harrojnë këtë seri ‘pa humbje’ ku çdo ndeshje e kemi kthyer në gjumë. Çdo ndeshje është thjesht luftë për të mos humbur ose për të barazuar. Çdo ndeshje na bën të pyesim çfarë po bëjmë saktësisht në stërvitje”.

“Me këtë ritëm nuk do të kualifikohemi në Champions. Ka skuadra që po luajnë futboll shumë më të mirë se ne dhe gjatë sezonit këto gjëra barazohen – në fund do të përfundojmë në Ligën e Evropës”, ishin vetëm disa nga “revolta” e tifozëve të gjigantit anglez në rrjetet sociale.

Përndryshe, Slot po rrezikon seriozisht shkarkimin me Liverpoolin që tashmë e ka si opsion, Xabi Alonson./Telegrafi

❌