Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kryeministri i Kroacisë thotë se nuk do i bashkohen Bordit të Paqes të Trumpit

Kroacia në këtë moment nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, ka thënë kryeministri i vendit Andrej Plenkoviq, duke shtuar se për këtë çështje ka zhvilluar një bisedë të shkurtër telefonike me presidentin Zoran Milanoviq.

Plenkoviq u tha gazetarëve në Zagreb se qeveria dhe shumica parlamentare, pas analizave të kryera, kanë marrë qëndrimin që Kroacia për momentin të mos hyjë në këtë bord dhe hodhi poshtë pretendimet se për një vendim të tillë i nevojitet mbështetja e presidentit.

“Nuk na duhet asnjë asistent për të marrë një qëndrim”, tha ai.

Presidenti Milanoviq më herët kishte deklaruar se kryeministri po kërkon “mbulim” prej tij për të refuzuar ftesën, gjë që Plenkoviq e mohoi, duke theksuar se e kishte telefonuar vetëm për ta informuar për vendimin tashmë të marrë.

Trump më 15 janar njoftoi krijimin e Bordit të Paqes si pjesë e planit të tij më të gjerë për Gazën, në kuadër të të cilit u arrit një marrëveshje për armëpushim. Bordi u miratua me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në nëntor 2025 dhe u prezantua zyrtarisht në edicionin e këtij viti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Fillimisht, bordi ishte konceptuar për të mbikëqyrur armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, por statuti i tij e zgjeron mandatin edhe në ndërtimin e paqes në të gjitha zonat e prekura ose të rrezikuara nga konfliktet.

Bordi i sapokrijuar i Paqes i administratës së presidentit amerikan Donald Trump njoftoi të mërkurën 26 shtete të emëruara si themeluese të kësaj nisme.

A mund të gënjejnë gazetarët?/ Gjikondi: Shpifja është kthyer në institucion dhe gjobëvënës. Gazetarët s’janë pyetur

Debati mbi etikën dhe përgjegjësinë e medias është rikthyer në qendër të vëmendjes Kodin e ri Penal, në ndryshimet e të cilit parashikohet dënimi deri në 5 vite burg për ushtrimin e dhunës ndaj gazetarëve gjatë detyrës.

Në këtë kontekst, juristja Brizida Gjikondi ngriti shqetësime të forta në emisionin “Real Story” në ABC News, duke theksuar se shpifja është shndërruar në një “institucion gjobëvënës”, ku nuk bëhet dallim i qartë mes gënjeshtrës dhe së vërtetës, ndërsa vetë gazetarët, sipas saj, nuk janë përfshirë apo pyetur në hartimin e këtyre ndryshimeve ligjore.

“Shpija është kthyer në një institucion dhe në një gjobëvënës. Po flas për media të rëndësishme, pronarët e të cilëve janë edhe biznesmenë. Nuk më pëlqeu fare si lëvizje që ka bërë mazhornaca, ku në një vend që nuk bëhet diferenca e gënjeshtrës me të vërtetën.

Nuk besoj se është e Bashkimit Europian. Ngatërrohet pjesa e burimit të informacionit me shpifjen. Bie integriteti dhe reputacioni i gazetarit. Opozita është në dëshpërim total dhe ne e dimë që në rrjetet sociale vjellin vrer. Edhe në media që janë pro mazhorancës ka gazetarët të cilët nxjerrin vrer me gazetarët e tjerë, shpinin dhe janë si gjobëvënës. Gazetarët e spikatur nuk janë pyetur fare për këtë”, tha juristja.

Turqia arreston 6 të dyshuar për spiunazh për Iranin

Autoritet turke kanë arrestuar gjashtë persona, përfshirë një iranian, nën dyshimin për spiunazh për Iranin.

Arrestimet u bënë pas operacioneve të kryera nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë dhe policisë kundërterrorizmit në pesë provinca, raportoi AP.

Të arrestuarit dyshohen se ishin në kontakt me pjesëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit dhe akuzohen për mbledhje të informacioneve mbi bazat ushtarake dhe zona të tjera të rëndësishme në Turqi. Ata dyshohen se kishin nën vëzhgim edhe bazën ajrore Incirlik të NATO-s atje.

Të gjashtit u dërguan në paraburgim me akuzat për spiunazh politik dhe ushtarak.

Kaos e telefonata, Trump ndryshon strategjinë pas vrasjes së Alex Pretti-t

Kur videot e vrasjes së Alex Pretti-t u shfaqën në të gjitha rrjetet televizive më 24 janar, Donald Trump, i mbyllur në Zyrën Ovale ndërsa jashtë kishte stuhi bore, ndezi televizorin dhe nuk i pëlqyen ato që pa.

Për javë me radhë ai përsëriste se mediat duhet të përqendroheshin tek kriminelët e arrestuar, jo tek vrasjet e qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë të anti-emigracionit.

Pak orë më vonë, ministrja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, deklaroi në televizion se Pretti ishte terrorist,. Shefi i policisë kufitare, Greg Bovino, tha se ai mbante armë, ndërsa zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller shkroi në rrjet se Pretti ishte “një vrasës që u përpoq të vriste agjentët federalë”.

Trump ishte i frustruar, sepse ishte e qartë që ky rrëfim nuk qëndronte përballë imazheve.

Madje, edhe aleatët e tij e thonin në televizion…

“Sigurisht që nuk duhet ta quajmë terrorist që synon të ekzekutojë policët, nuk ka prova për këtë”, tha ish-deputeti i Karolinës së Jugut, Trey Gowdy, i cili herë pas here luan golf me Trump. “Nuk jam dakord me reagimin e nxituar të Noem: të thuash diçka para se të dihen faktet vetëm ul besimin”, shkroi në rrjet senatori i Utah, John Curtis. “Jam e tronditur nga dhuna në Minneapolis”, deklaroi senatorja Susan Collins. Të gjithë këta të fundit republikanë.

Disa prej tyre e telefonuan të dielën, 25 janar. Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut i tha se një mesazh i tillë në televizion mund të lërë në hije operacionet e suksesshme në luftën kundër emigrantëve të paligjshëm.

Trump frikësohej se po dukej kaotik dhe jo i fortë. Në këtë situatë u shtua edhe protesta e NRA-së, lobit të armëve. Edhe Susie Wiles, drejtuesja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, mori shumë thirrje nga politikanë dhe udhëheqës biznesi. Kështu që linja duhej ndryshuar.

Më pas, Trump deklaroi për Wall Street Journal se po mendonte të reduktonte numrin e agjentëve federalë në Minneapolis dhe më vonë propozoi se nëse autoritetet lokale bashkëpunonin me ICE, do të tërhiqte disa agjentë të Policisë Kufitare nga shteti. Të hënën në mëngjes, 26 janar, presidenti foli në telefon me Tom Homan, i njohur ndryshe si “sherifi i kufirit”, për t’i propozuar të merrte drejtimin e operacioneve në Minneapolis.

Kjo tërheqje e Trump brenda 48 orëve nga vrasja e Alex Pretti-t është e jashtëzakonshme, sepse është një pranim i gabimit në menaxhimin e një prej premtimeve kryesore elektorale, ai për emigracionin.

Ai ndryshoi personel dhe strategji.

Homan është agresiv në idenë e dëbimeve masive, por jo aq sa zëvendës shefi i stafit, Stephen Miller. Qasja e tij është më e ngadaltë dhe metodike, nuk i pëlqejnë aksionet masive.

Prej muajsh kishte debate brenda Shtëpisë së Bardhë midis dy fraksioneve: ata që duan masa më agresive si Miller, Kristi Noem dhe këshilltari i saj Corey Lewandowski, dhe ata që preferojnë qasjen e Homan dhe drejtorit të përkohshëm të ICE, Todd Lyons. Për tani Trump duket se ka zgjedhur këtë të fundit.

Zëdhënësja Karoline Leavitt ripërsëriti besimin te Kristi Noem, edhe pse qarkullojnë thashetheme se e ardhmja e saj mund të jetë e pasigurt: një nga arsyet që presidenti e mbajti në post, pavarësisht kritikave të brendshme, ishte se ishte e mirë në televizion, por papritmas ndaloi së qeni e tillë. Sa i përket Stephen Miller, është e pamundur të ketë pasoja për të.

“Plagët” që hapi rinumërimi/ Abazi: Çarje brenda sistemit politik. Rinumërimi i votave ‘maja e ajsbergut’

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e demokracisë në vend, gjatë një interviste në emisionin “Balkan Update” në ABC News.

Ai deklaroi se Kosova ndodhet në një situatë tejet delikate politike, ku proceset zgjedhore po vihen në pikëpyetje për shkak të parregullsive dhe mungesës së transparencës.

Sipas Abazit, shkeljet në numërimin e votave janë vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa mungesa e dialogut politik dhe institucional po thellon krizën. Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt një përplasjeje të re politike, në prag të zgjedhjeve për president, duke rrezikuar më tej stabilitetin demokratik të Kosovës.

Jemi në një situatë mjaft delikate. Ishte krijuar bindja se ishim në një proces vërtet demokratik, por ka disa palë zgjedhje që nuk janë vërtet të rregullta dhe demokratike. Këto shkelje, procesi i numërimit të votave janë vetëm maja e ajsbergut. Kosova po rrëshqet në një demokraci të vërtetë. Nuk po lejohet që demokracia dhe integriteti të dominojë. Është një moment kritik të çarjes brenda sistemit politik të Kosovës. Të gjitha partitë duan të dinë se çfarë po ndodh, se kush do ketë pushtet. Ka munguar dialogu partiak mes partive, por edhe dialogu mes shoqërive civile.

Çështja e mungesës së ligjit, disa elementë brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë pak më të guximshme. Në fakt unë mendoj që kriza është këtu dhe rrjedhja e afateve po shkon pa asnjë lloj urgjence. Urgjenca nuk shihet, përkundrazi po shohim një relaksim. Kjo është një nga qëllimet e Kurtit për ta përplasur vendin në një krizë tjetër përpara zgjedhjeve për president. Kurti po e mban afër Vjosa Osmanin për t’i futur thikë pas shpine”, tha Abazi.

“Urime Kosovë”/ Ambasada e SHBA në Prishtinë uron “anëtaren” në Bordin e Paqes

Kosova ka marrë një urim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, pas pranimit në Bordin e Paqes.

Në postimin e shpërndarë, Ambasada shkruan “Urime Kosovë”, shoqëruar me disa emoji-ve, të flamujve të dy vendeve si simbol i miqësisë dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Kosova u ftua të bëhej pjesë e Bordin e Paqes si anëtare themeluese, ftesë të cilën Kosova e pranoj dhe e nënshkoj gjatë formumit ekonomik të Davosit nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

SHBA kërcënon Venezuelën me përdorim të forcës

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, planifikon të kërcënojë Venezuelën me përdorimin e forcës “për të siguruar bashkëpunim maksimal” nga autoritetet e përkohshme të vendit, kur të dëshmojë publikisht për herë të parë për operacionin ushtarak për kapjen dhe rrëzimin e Nicolas Maduros, i cili është zhvilluar në fillim të janarit.

“Ne do ta monitorojmë nga afër performancën e autoriteteve të përkohshme ndërsa ato bashkëpunojnë me planin tonë me faza, për të rikthyer stabilitetin në Venezuelë. Mos gaboni: ashtu siç ka deklaruar presidenti, ne jemi të përgatitur të përdorim forcën për të siguruar bashkëpunim maksimal nëse metodat e tjera dështojnë”, pritet të deklarojë Rubio, sipas fjalimit të përgatitur për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, të mërkurën.

Dëshmia e Rubios vjen mes shqyrtimit të vazhdueshëm të operacionit ushtarak dhe planeve më të gjera të administratës për Venezuelën.

“(Delcy) Rodriguez është plotësisht e vetëdijshme për fatin e Maduros. Ne besojmë se interesi i saj personal përputhet me avancimin e objektivave tona kryesore”, pritet të deklarojë Rubio.

Ai do të ritheksojë në dëshminë e tij se aktiviteti nuk ishte një akt lufte, por më tepër “një operacion për të ndihmuar zbatimin e ligjit”.

Administrata Trump e ka përdorur këtë argument si pjesë të justifikimit pse nuk mori miratimin e Kongresit përpara operacionit.

“Nuk ka luftë kundër Venezuelës dhe ne nuk kemi pushtuar një vend. Nuk ka trupa amerikane në terren”, thuhet në deklaratat e përgatitura të Rubios.

Jo vetëm që administrata nuk mori miratimin e Kongresit, por gjithashtu nuk njoftoi paraprakisht ligjvënësit kryesorë për veprimin ushtarak, duke zemëruar demokratët dhe disa republikanë në Capitol.

Megjithatë, përpjekjet për të kufizuar pushtetin e presidentit përmes një rezolute mbi kompetencat e luftës dështuan ngushtë si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

VIDEO/ Aksident në aksin Mjedë-Shkodër, makina humbet kontrollin dhe përfundon në lumë

Një aksident  është regjistruar pak minuta më parë në zonën e njohur si Ura e Spatharit në aksin Mjedë- Shkodër.

Një automjet ka humbur kontrollin, është përplasur me parmakët e urës dhe më pas ka përfunduar në lumë. Sipas informacioneve paraprake tre personat që ndodheshin brenda në automjet ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

/abcnews.al

Padia e kryeministrit në Kushtetuese/ Trupa gjykuese shtyn marrjen e vendimit

Gjykata Kushtetuese nuk e ka ende një vendim lidhur me padinë e Kryeministrit Edi Rama. Gazetarja Erneta Shevroja tha për ABC News se trupi gjykues ka kërkuar me shumë kohë për të dalë me një vendim. Sot trupa e gjyqtarëve u mblodh por nuk ka arritur në përfundim, përvec se kanë patur më shumë diskutime. Duke cituar burimet nga kjo Gjykatë, gazetarja Shevroja tha se ditën e sotme nuk pritet një vendim lidhur me padinë e kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama kërkon rrëzimin e vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut. Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Si palë të interesuara në këtë seancë morën pjesë Kuvendi dhe Presidenca.

Gjykata e Posaçme e cila dha vendimin nuk mori pjesë në senacë, ndërsa SPAK mbrojti vendimin, me dy prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, sipas të cilëve masa ndaj zv.kryeministres është personale dhe qëndrimi i saj në detyrë është i rrezikshëm.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes./abcnews.al

 

Aksidenti me një të vdekur dhe dy të plagosur në Gramsh/ Arrestohet shoferi i kamionit

Policia ka arrestuar shoferin e kamionit, që ra dje në humnerë. Ku për pasojë humbi jetën një grua dhe mbetën të lënduar dy të tjerë, përfshirë vetë shoferin.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja D. H., informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen, drejtuesin e kamionit, shtetasin Sh. K., 38 vjeç, banues në Gramsh. Ky shtetas dhe pasagjerja, shtetasja A. B., 39 vjeçe, që u dëmtua nga aksidenti, vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Franca mund të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Fëmijët nën moshën 15 vjeç në Francë mund të ndalohen nga rrjetet sociale që në vitin e ardhshëm shkollor, ka njoftuar presidenti Emmanuel Macron.

Macron tha se u kërkoi ligjvënësve të përshpejtojnë procesin e miratimit të legjislacionit që kufizon aksesin në rrjete sociale për fëmijët nën 15 vjeç, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi në fillim të vitit shkollor këtë shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje”, tha presidenti francez.

“Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë në shitje, ose për t’u manipuluar, as nga platformat amerikane dhe as nga algoritmet kineze”, shtoi ai.

Bëhet e ditur se deputetja franceze e parlamentit Laure Miller, e koalicionit Ensemble Pour la Republique të Macronit, do të paraqesë një projektligj para Asamblesë Kombëtare më 26 janar për t’u shqyrtuar nga ligjvënësit.

Përveç kufizimit të rrjeteve sociale për të gjithë fëmijët nën 15 vjeç, legjislacioni do të ndalojë edhe telefonat inteligjentë në të gjitha shkollat e mesme franceze.

Raportohet se legjislacioni francez është pjesë e një vale masash që po diskutohen në të gjithë Evropën, pas zbatimit nga Australia të rregullave më të rrepta në botë për rrjete sociale për fëmijët nën 16 vjeç vitin e kaluar.

Danimarka ka siguruar gjithashtu një marrëveshje për të bllokuar aksesin në rrjete sociale për këdo nën moshën 15 vjeç – një veprim që potencialisht mund të bëhet ligj deri në mesin e vitit 2026.

Në përputhje me ligjin e BE-së

Franca ka kohë që ka kërkuar rregulla më të rrepta në lidhje me aksesin e fëmijëve në ekrane dhe rrjete sociale.

Në vitin 2023, ligjvënësit miratuan legjislacion që kufizonte aksesin në rrjete sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe gjithashtu kërkonin pëlqimin e prindërve përpara se ata të mund të hapnin një llogari.

Megjithatë, ligji nuk hyri kurrë në fuqi pasi binte ndesh me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian.

Pasi BE-ja rishikoi udhëzimet e saj vitin e kaluar, shtetet anëtare fituan më shumë fleksibilitet për të vendosur mbi kufijtë e tyre të moshës për rrjete sociale – qoftë kjo duke ndaluar plotësisht aksesin për fëmijët nën një moshë të caktuar, apo duke kërkuar pëlqimin e prindërve përpara se të hapin një llogari.

Projektligji i Francës nuk specifikon se cilat platforma do të përfshihen në ndalim, por bën përjashtime për enciklopeditë si Wikipedia.

Metoda e saktë e verifikimit të moshës që do të përdoret është gjithashtu në debat.

Miller tha se ka të ngjarë të ndiqet një procedurë e ngjashme me faqet pornografike, të cilat janë të detyruara të verifikojnë se përdoruesit janë mbi 18 vjeç sipas një ligji të vitit 2024.

Faqet pornografike përdorin kryesisht dy metoda për verifikimin e moshës në Francë: E para u kërkon përdoruesve të paraqesin një foto të kartës së tyre të identitetit së bashku me një selfie për të konfirmuar identitetin e tyre; e dyta përdor Inteligjencën Artificiale për të vlerësuar moshën e një përdoruesi bazuar në selfien që ata paraqesin.

Trump tërhiqet nga Minneapolis/ Largohet komandanti dhe disa agjentë federalë të emigracionit

Gregory Bovino, komandanti i Patrullës Kufitare të SHBA-së dhe figura kryesore e operacionit të administratës Trump kundër emigracionit në Minneapolis,  është larguar nga qyteti këtë të martë në kuadër të një riorganizimi të drejitim të operacioneve federale dhe reduktimit të pranisë së agjentëve federalë pas vrasjes fatale te dy civileve nga forcat e rendit.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump deklaroi për mediat ndërkombëtare se 55-vjeçari Bovino, i cili është bërë objekt kritikash të forta nga demokratët dhe aktivistët për të drejtat civile, u largua nga Minesota së bashku me një pjesë të agjentëve të dislokuar me të.

Një burim tjetër i afërt me situatën tha se Bovino është hequr nga posti i posaçëm i krijuar për të, “komandant i përgjithshëm” i Patrullës Kufitare, dhe do të kthehet në detyrën e tij të mëparshme si shef sektori në El Centro, Kaliforni, përgjatë kufirit SHBA–Meksikë. Ky zhvillim i rëndësishëm vjen teksa

Presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi mbrëmjen e të hënës se kishte zhvilluar bisedime konstruktive me Guvernatorin e Minesotës Tim Waltz për menaxhimin e situatës, ndërsa në një prononcim për Wall Street Journal Kreu I Shtëpisë së bardhë deklaroi se administrata e tij mund të tërheq tërësisht agjentët kufitarë nga ky qytet, por pa zbuluar se kurrë.

Largimi i Bovinos vjen pas një ndryshimi të dukshëm strategjie nga Shtëpia e Bardhë, pas vrasjes së 37-vjeçarit Alex Pretti, infermier në repartin e terapisë intensive.  Lajmi u raportua fillimit nga Revista “The Atlantic” e cila shkroi se sipas burimeve te tyre nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare  Bovino ishte shkaktuar, pretendime qe u mohuan me pas nga ky departament.

Pavarësisht kësaj, dhjetëra protestues u mblodhën jashtë një hoteli ku besohej se Bovino po qëndronte, duke fishkëllyer, përplasur tenxhere dhe duke bërtitur fraza kundër tij. Policia mbajti protestuesit larg hyrjes së hotelit.

Bovino është njohur si një nga mbështetësit më agresivë të fushatës së dëbimeve të administratës Trump, duke promovuar operacionet përmes videove të prodhuara profesionalisht, të ngjashme me filma aksioni. Sipas CNN, Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ka pezulluar Bovinos aksesin në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Ai ka mbrojtur publikisht veprimet e agjentëve edhe pas publikimit të pamjeve video që kundërshtonin deklaratat e tij lidhur me dy vrasjet e fundit, përfshirë atë të Renee Good dhe Alex Pretti.

Pas vrasjes së Prettit, Bovino deklaroi se viktima “po përpiqej të masakronte forcat e rendit”, por pamjet filmike treguan se ai mbante në dorë një telefon dhe jo armë, dhe se ishte çarmatosur para se të qëllohej për vdekje.

 

 

Plagosi të bijën me thikë/ Dëshmia e 56-vjeçarit: Isha i dehur, i shkova te puna të flisnim. M’u errën sytë…

“Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit”. Kështu e ka justifikuar sulmin me thikë ndaj vajzës së tij dhe kolegut të saj të punës, ngjarje e ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Durrësit, në lagjen 12.

“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu.

Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheva diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq”,- mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera për hetuesit e policisë Mikel Ndoj, 56-vjeçari që plagosi vajzën dhe kolegun e saj të punës.

Në momentet e arrestimit, afro 6 orë pas ngjarjes, policia e gjeti në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit. Të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

“Shtëpi bari” në Lezhë/ Detaje, arrestohet babë e bir. Objekti 4 katësh ishte marrë me qira

Objekti 4 katesh i ndërtuar si njësi shërbimi ishte dhëne me qira prej qershorit të vitit që shkoi, ndërsa janë arrestuar babë e bir që u gjeten brenda.

Janë shoqëruar edhe dy punonjës të OSHË që punojnë në këtë zonë pasi nuk kanë identifikuar konsumin e energjisë së lartë pavarësisht se objekti nuk kryente biznes të përditshëm.

Informacioni i marrë në mënyrë operative vuri në lëvizje policinë, pasi kishte të dhëna se pavarësisht se nuk kryhej biznes i rregullt kishte lëvizje dhe konsumi i energjisë nuk përshtatej për një objekt që nuk dukej se ushtronte aktivitet.

EMRI/ I kërkuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Tiranë 52-vjeçari

I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Tiranë, 52-vjeçari Besim Sherifi.

52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm).

Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut.

Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.

Vala e të nxehtit në Australi, Melburni përgatitet për ditën më të nxehtë në 17 vjet

Një valë e madhe nxehtësie në të gjithë juglindjen e Australisë rriti kërcënimet për zjarre në shkurre, me Melburnin që parashikohet të regjistrojë ditën e saj më të nxehtë në gati 17 vjet të martën.

Gjithashtu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, qindra banorë në zona rurale janë urdhëruar të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre.

Byroja e Meteorologjisë e Australisë theksoi se temperatura në Melburn mund të arrijë 45 gradë Celsius (113 gradë Fahrenheit) me kushte të rënda deri ekstreme të valës së nxehtësisë që pritet të arrijnë kulmin të martën dhe të mërkurën, përpara se të lehtësohen gradualisht më vonë gjatë javës.

Vala e nxehtësisë ka rritur rrezikun e zjarrit në të gjithë Victorian, shtetin e dytë më të populluar të Australisë, ku një zjarr në shkurre që lëviz me shpejtësi në rajonin Otways ka djegur rreth 10,000 hektarë.

Zyrtarët paralajmëruan se erërat e forta të parashikuara për më vonë gjatë ditës mund ta përhapin më tej flakën, duke kërcënuar shtëpitë.

Shërbimet e emergjencës kanë trokitur dyert e rreth 1,100 shtëpive dhe kanë dërguar mesazhe me tekst në rreth 10,000 telefona duke i nxitur banorët të largohen nga rajoni.

Tentoi të trafikonte armë nga Shqipëria në Itali/ Rinas, arrestohet 30-vjeçari shqiptar

Goditet një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, nga Shqipëria në Itali.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Vihet në pranga një 30-vjeçar shqiptar, rezident në Itali.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Zbulohet “shtëpia bari” në Lezhë, disa të arrestuar

Operacion në Lezhë, zbulohet “shtëpi bari” pranë kryqëzimit të Treshit

Policia e Lezhës ka zhvilluar mbrëmjen e kaluar një kontroll të befasishëm në një magazinë pranë kryqëzimit të fshatit Tresh, në superstradën Lezhë–Milot, ku ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit në kushte të mbyllura.

Gjatë operacionit, uniformat blu kanë konstatuar se magazina ishte e pajisur me llampa dhe infrastrukturë të posaçme për kultivim, ndërsa janë sekuestruar rreth 1 mijë rrënjë kanabisi.

Si rezultat i aksionit, policia ka arrestuar disa persona, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

❌