Pretendimi: Një dokument sekret i NASA tregon se më 12 gusht 2026, bota do ta humbasë gravitetin për 7 sekonda.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një ‘teori’ se Toka do të “humbasë gravitetin” për shtatë sekonda më 12 gusht 2026.
Postimi i mësipërm pretendon gjithashtu se një dokument sekret i NASA i quajtur “Project Anchor” u publikua në nëntor 2024 duke zbuluar se agjencia kishte dijeni dhe kishte organizuar përgatitje të posaçme për ngjarjen kozmike.
Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë. Dokumenti sekret në fjalë nuk riprodhohet dhe nuk ofrohet ndonjë adresë ku lexuesja mund ta shohë e ta lexojë atë me sytë e saj.
Ndërkaq, në faqen e saj zyrtare, NASA thotë se më 12 gusht 2026 do të ndodhë një eklips total diellor, jo ndonjë ‘humbje graviteti’.
Eklipset diellore në faqen zyrtare të NASA
Një zëdhënës i NASA tha për kolegët e Snopes në janar 2026 se thashethemet nuk ishin të vërteta:
“Toka nuk do ta humbasë gravitetin më 12 gusht 2026. Graviteti i Tokës, ose forca totale gravitacionale, përcaktohet nga masa e saj. E vetmja mënyrë që Toka të humbasë gravitetin do të ishte që sistemi i Tokës, masa e kombinuar e bërthamës, mantelit, kores, oqeanit, ujit tokësor dhe atmosferës së saj, të humbasë masë. Një eklips total diellor nuk ka ndonjë ndikim të pazakontë në gravitetin e Tokës. Tërheqja gravitacionale e Diellit dhe Hënës në Tokë, e cila nuk ndikon në gravitetin total të Tokës, por ndikon në forcat baticore, është kuptuar mirë dhe është e parashikueshme dekada para.”
Pretendimi: Një gjykatë holandeze ka thirrur si të akuzuar miliarderin amerikan Bill Gates dhe drejtorin ekzekutiv të Pfizer Albert Bourla në lidhje me vaksinat.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një gjykatë holandeze ka thirrur si të akuzuar miliarderin amerikan Bill Gates dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë farmaceutike Pfizer Albert Bourla në lidhje me vaksinat.
Pretendimi bazohet në një padi civile të depozituar në një gjykatë të Leeuwarden, në Holandën veriore, nga shtatë qytetarë holandezë, të përshkruar nga media vendase si “një grup skeptikësh ndaj koronavirusit”, kundër 17 personave. Këta përfshinin ish-kryeministrin holandez Mark Rutte, ish-ministrin e Shëndetësisë Hugo de Jonge, disa këshilltarë qeveritarë që shërbyen gjatë pandemisë dhe Bill Gates, në cilësinë e tij si drejtor i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates. Paditësit pretenduan se ishin mashtruar nga këta individë në lidhje me efektet e padëshiruara të pretenduara të vaksinave Covid-19, duke pretenduar se kishin vuajtur probleme fizike dhe mendore pas marrjes së tyre, për të cilat ata kërkuan dëmshpërblim.
Në atë kohë, zëdhënësi i Gjykatës së Qarkut të Holandës Veriore sqaroi se kjo nuk ishte një çështje penale por një çështje civile“në të cilën disa paditës kanë paditur disa palë të tjera”.
Pra, Gates dhe Bourla, krahas 15 personave të tjerë, nuk janë thirrur nga gjykata si të akuzuar në një çështje penale. Ata janë të paditur në një padi civile, gjë që në rastin më të keq mund të përfundojë duke i detyruar të paditurit t’u paguajnë dëmshpërblim paditësve
Një vendim i Gjykatës në 16 tetor 2025 hodhi poshtë argumentin e Gates se gjykata nuk kishte juridiksion për të dëgjuar çështjen sepse Gates nuk jeton në Holandë.
“Për të qenë të qartë, ky vendim nuk thotë asgjë për çështjen më të madhe,”tha zëdhënësi i gjykatës Anno Rijpkema.
Një dispozitë në Kodin Holandez të Procedurës Civile lejon një gjykatë holandeze të fitojë juridiksion për sa kohë që ka juridiksion mbi të paktën një të paditur dhe me kusht që pretendimet kundër të paditurve të kenë të njëjtin grup faktesh themelore dhe të jenë të lidhura ngushtë ligjërisht.
Gates nuk është i detyruar të paraqitet personalisht kur çështja më e madhe shkon në gjyq civil, tha Rijpkema, por avokatët e tij mund ta përfaqësojnë atë.
Remme Verkerk, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Utrecht, tha për AFP se vetëm pse gjykata pranoi të dëgjonte çështjen nuk do të thotë se ajo ka bazë. “Lejohet të fillojnë procedurat, dhe pastaj rregulli kryesor në sistemin tonë ligjor është që kushdo mund të shkojë në gjykatë”, tha ai.
Çështja në fjalë është ende në pritje në Gjykatën Civile të Leeuwarden.
Imazhi ka marrë gjithashtu qindra komente dashamirëse.
Megjithatë, imazhi i mësipërm, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.”SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për vogëlushen që ka humbur mamanë.
Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.
Shembuj të llumit AI në Facebook
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Pretendimi: Barnat antiparazitare Ivemectin dhe Fenbendazole përdoren për të shëruar kancerin e prostatës
Verdikti: E paprovuar
————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të shpërndahet promovimi i ilaçeve antiparazitar Ivermectin dhe Fenbendazole si një kurë çudibërëse që mund të përdoret për të trajtuar kancerin e prostatës.
Për të mbështetur këtë pretendim, megjithatë, nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Postimi pretendon se barnat antiparazitarë janë përdorur në një terapi eksperimentale që çoi në kurimin e plotë të një pacienti me kancer prostate të stadit 4.
Megjithatë, ai nuk tregon se ku dhe kur ka ndodhur kjo mrekulli, ndërsa emri i pacientit fatlum apo mjekëve gjenialë që e shëruan nuk jepen.
Nëse një shërim i tillë i mrekullueshëm do të kishte ndodhur, një studim rasti do të ishte hapi minimal që do të merrej, në mënyrë që mrekullia të përsëritej për shërimin e çfarë është quajtur sëmundja e shekullit.
Fenbendazoli
Fenbendazoli është një ilaç që përdoret për të trajtuar infeksionet parazitare te kafshët. Ai vepron duke prishur mënyrën se si parazitët menaxhojnë energjinë, gjë që çon në vdekjen e tyre. Është licencuar për përdorim te bagëtitë dhe kafshët shtëpiake.
Studimetlaboratorike që përdorin qeliza njerëzore kanë treguar se fenbendazoli është në gjendje të vrasë qelizat kancerogjene në mënyra të ndryshme. Gjithashtu është treguar se zvogëlon si agresivitetin ashtu edhe numrin e tumoreve të zorrës së trashë në qelizat e minjve. Studime të tjera kanë treguar se Fenbendazoli në kombinim me vitamina të ndryshme mund të ketë efekte antikanceroze te minjtë me limfomë.
Megjithatë, hulumtimet mbi qelizat e ngurta tumorale të gjirit nga minjtë nuk treguan asnjë përfitim në përdorimin e Fenbendazolit vetëm ose në kombinim me trajtimin me rrezatim. Hulumtime të tjera kanë vënë në dukje se efektet antikanceroze janë të kufizuara pasi ilaçi nuk është shumë i tretshëm.
Deri më tani, studiuesit nuk e kanë përjashtuar plotësisht fenbendazolin si një trajtim të mundshëm, por asnjë studim i besueshëm nuk ka demonstruar ende efektivitetin e tij kundër kancerit tek pacientët njerëzorë.
“Rezultatet premtuese të marra nga qelizat kancerogjene janë vetëm fillimi”, tha për AFP në vitin 2023 Sheila Singh, drejtoreshë e Qendrës për Zbulimin e Kërkimeve mbi Kancerin në Universitetin McMaster. “Por pretendimi se mund të kurojë kancerin është thjesht jo-shkencor, pasi nuk ka të dhëna për të mbështetur këtë pretendim”, shtoi ajo.
Matías Norte, nga seksioni i kirurgjisë onkologjike të Hospital de Clínicas në Buenos Aires, tha për AFP se një ilaç “nuk mund të përgjithësohet në një, dy ose tre raste; ai duhet të ketë një mostër statistikore përfaqësuese”.
Sipas Andreia Melo, drejtuese e Divizionit të Kërkimeve Klinike dhe Zhvillimit Teknologjik në Institutin Kombëtar brazilian të Kancerit, nuk ka studimeklinike të fazës 3 me substancën. Ky lloj kërkimi përfshin grupe të mëdha pacientësh dhe tregon efektivitetin e një ndërhyrjeje krahasuar me trajtimin standard për një gjendje të caktuar klinike.
Nevojitet një hulumtim në të cilin pjesëmarrësit caktohen rastësisht në grupe ku disa marrin ilaçin që po testohet dhe pjesa tjetër marrin trajtim standard. Grupet duhet të ndiqen për periudha të gjata, muaj ose vite. Këto quhen studime të rastësishme prospektive.
Institucionet kërkimore të kancerit, si Shoqata Amerikane e Kancerit, Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Lidhja Kundër Kancerit, nuk e rekomandojnë përdorimin e Fenbendazol. Në mënyrë të ngjashme, as Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave, as Agjencia Evropiane e Barnave nuk e kanë autorizuar tregtimin e fenbendazolit për këtë qëllim.
Ivermektina
Ivermectin është një mjekim antiparazitar, i cili në fillim nisi të përdorej te kafshët. Që nga 1987, Ivermectin përdoret tek njerëzit për të trajtuar parazitët si morrat e kokës dhe infektimet e lidhur me to si zgjebja.
Gjatë pandemisë, përdorues të rrjeteve sociale shpërndanë pretendimin e paprovuar se Ivermectin ndihmonte në kurimin apo parandalimin e Covid-19. Në 2021, Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) iu desh të lëshonte një paralajmërim zyrtar që këshillonte qytetarët mos të përdornin pastë Ivermectin për kafshët.
Studimetparaklinike (studimet in vitro dhe në kafshë) kanë demonstruar efektet antikanceroze të Ivermektinës, duke përfshirë frenimin e përhapjes së qelizave kancerogjene në lloje të ndryshme kanceri.
Dr. Susanne Arnold, nga Qendra e Kancerit Markey në Kentucky, ShBA tha për Associated Press se ka patur studime paraklinike që eksplorojnë përdorimin e Ivermectin dhe ilaçe të ngjashme për të ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene në laborator, me disa rezultate interesante. Megjithatë, ajo nënvizoi se studime të tilla nuk kanë vërtetuar se ilaçet funksionojnë te njerëzit.
Megjithatë, provat klinike tek njerëzit janë të kufizuara, dhe ende nuk ka studime të kontrolluara të rastësishme në shkallë të gjerë që konfirmojnë përfitimet terapeutike.
“Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer,” tha Arnold.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i tha Deutsche Presse-Agentur në gusht 2025 se “aktualisht nuk ka prova që mbështesin përdorimin e Ivermectinës si ilaç për kancerin.”
Studimet vëzhguese dhe raportet e rasteve nxjerrin në pah rreziqet e vetëmjekimit të nxitura nga mediat sociale që reklamojnë përfitimet e paprovuara të Ivermektinës për kancerin, të cilat mund të çojnë në toksicitet tek pacientët onkologjikë në disa raste.
Pavarësisht të dhënave premtuese paraklinike, mungesa e provave klinike njerëzore në shkallë të gjerë kufizon dobinë e Ivermektinës në trajtimin e kancerit. Përballueshmëria e saj është tërheqëse në mjedise me burime të kufizuara, por sfidat etike lindin nga dezinformimi, i cili mund t’i çojë pacientët të heqin dorë nga terapitë e provuara.
Disa studiues besojnë se Ivermectina mund të jetë premtuese kur përdoret në kombinim me ilaçe të tjera dhe po kryejnë studime të mëtejshme.
Peter Lee, kreu i Departamentit të Imuno-Onkologjisë në City of Hope, një nga organizatat më të mëdha për hulumtimin dhe trajtimin e kancerit në ShBA, drejton një ekip që po studion nëse Ivermectin mund të ndihmojë në trajtimin e kancerit të gjirit në kombinim me ilaçe të tjera.
“Ka sigurisht një të vërtetë që Ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit,” tha ai për AFP. “(Por) ajo duhet të kombinohet me një aktivizim imunitar. Dhe ne jemi në procesin e zbulimit të kësaj tani.”
Lee tha se regjimet e barnave që ekipi i tij po studion funksionojnë vetëm kur jepen në doza specifike në kohë specifike.
“Thjesht duke thënë se dikush mund të marrë pak Ivermectin nga një veteriner dhe mund t’ia hedhë – kjo nuk do të funksiononte aspak,” tha ai.
Ivermectin ka efekte anësore si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.
“Ne dimë gjithashtu se Ivermectin në doza shumë të larta, në fakt mund të jetë toksike,” tha Lee. “Pra, padyshim, nuk duhet të jetë: shko gjej ca dhe merre vetë.”
Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi një paralajmërim kundër marrjes së Ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.
Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në UnIversitetin Mjekësor të Grazit, tha për AFP se “dhënia ose marrja e Ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”
Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në UnIversitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.
Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit deklaroi se Ivermectin është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA për trajtimin e disa infeksioneve parazitare, bazuar në gjetjet në provat klinike. Në të kundërt, “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove klinike të ngjashme” që vërteton se Ivermectin është efektive kundër çdo kanceri.
Edhe pse historitë personale rreth barnave si Fenbendazoli dhe Ivermektina mund të ndahen sinqerisht, ato prapë mund të na drejtojnë në drejtimin e gabuar, për disa arsye. Shumë kancere shtohen dhe pakësohen. Skanimet mund të duken pak më mirë për arsye që nuk lidhen me një ilç të ri. Më tej, përmirësimet e vërejtura mund të vijnë nga kimioterapia, radioterapia, imunoterapia ose kirurgjia e kryer në të njëjtën kohë ose pak më parë.
Defekte të tjera të anekdotave personale kanë të bëjnë me çfarë njihet si “paragjykimi i të mbijetuarve,” kur historitë e suksesit marrin zë dhe përhapen, por dështimet mbeten të papublikuara. Më tej, dëmtimet mund të mos vihen re derisa të publikohen si studime zyrtare rastesh.
Mjekët mbështeten në modele studimi që mund ta ndajnë shapin nga sheqeri për të bërë rekomandime për trajtim.
“Hierarkia e provave” është një kornizë që rendit besueshmërinë e provave, duke i dhënë më shumë peshë hulumtimit që përjashton më së miri gabimin dhe paragjykimin. Studimet klinike të rastësishme të kryera mirë (dhe meta-analizat e tyre) janë në krye të hierarkisë. Anekdotat dhe dëshmitë personale janë në fund fare. Kjo nuk i bën anekdotat të padobishme. Anekdotat shpesh janë shkëndija për kërkime të mëtejshme, por ato nuk mund të sjellin vetë vendime për trajtim.
Arsyeja pse udhëzimet kryesore të onkologjisë nuk përfshijnë ilaçe antiparazitare si Fenbendazoli dhe Ivermektina pasqyron boshllëkun aktual të provave. Hulumtimi i mëtejshëm është e vetmja mënyrë për t’i çuar këto ilaçe më lart në shkallë.
Faktoje ka shpjeguar më parë se nuk ka ende prova të mjaftueshme klinike që tregojnë se ivermektina mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit në mënyrë efektive.
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon në masë një postim që premton të tregojë recetën e gjyshes për zhdukjen e variçeve, duke ftuar lexuesit të zbulojnë më shumë në linkun në komente.
Në brendinë e artikullit të lidhur në komente, gjejmë një fjali të vetme: “Të gjithë ne e dimë që domatet janë një nga ato ushqime që e bëjnë sallatën tonë më të shijshme dhe pjatat më ngjyrosur, por a e dinit se ato gjithashtu mund të na ndihmojnë në kurimin e variçeve?”
Megjithatë, lexuesi nuk udhëzohet më tej se si duhet të përdoren domatet për të zhdukur variçet.
Kështu, titulli i artikullit keqinformon me synim mbledhjen e klikimeve.
Domatet kanë flavonoide që ndihmojnë në forcimin e mureve të enëve të gjakut, si dhe veti acidike që veprojnë si hollues të gjakut dhe antikoagulantë. Ato mund të ndihmojnë në parandalimin e trashjes së gjakut dhe në uljen e presionit në enët e gjakut të prekura.
Pra, kur hahen si pjesë e një diete të rregullt të shëndetshme, domatet mund të ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së venave me variçe.
Këto veti thuhet se ndihmojnë në trajtimin e venave me variçe nëse i mbështillni fetat e domates rreth këmbëve. Megjithatë, përmbajtja acidike dhe flavonoidet nuk do të depërtojnë nëpër lëkurë dhe nuk do të arrijnë në venat e prekura. Që të jetë efektiv, acidi nga domatja do të duhet të depërtojë nëpër këmbë dhe venë për të eliminuar gjakun që është grumbulluar në venë duke shkaktuar varikozën e saj. Kjo nuk është e mundur.
Aplikimi topikal i domateve nuk arrin të adresojë shkakun themelor të venave me variçe, i cili ndodhet më thellë brenda venës. Valvulat e vogla përgjegjëse për pompimin e gjakut prapa në zemër keqfunksionojnë dhe e lënë gjakun të rrjedhë përsëri në venë. Kur muri i venës nuk mund ta mbajë më këtë vërshim gjaku, një venë me variçe del nga poshtë lëkurës.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar, “nëse venat me variçe nuk ju shkaktojnë shqetësime, mund të mos keni nevojë për trajtim. Trajtimi i venave me variçe zakonisht është i nevojshëm vetëm për të lehtësuar simptomat dhe për të trajtuar ndërlikimet.”
Veshja e çorapeve kompresive, ngritja e këmbëve dhe shmangia e periudhave të gjata të qëndrimit në këmbë janë disa nga mënyrat për të parandaluar përkeqësimin e venave me variçe, sipas Stanford Medicine.
Trajtime të ndryshme janë gjithashtu të disponueshme për venat me variçe, sipas Cleveland Clinic dhe Johns Hopkins Medicine. Këto përfshijnë: ablacioni termik ose terapia me lazer (futja e një fibre lazeri dhe mbyllja e venës me variçe); lidhja dhe zhveshja e venës (lidhja dhe heqja e venës së lartpërmendur); flebektomia (bëhen disa prerje të vogla për të hequr venën me variçe); dhe skleroterapia (një mjek injekton një tretësirë kimike ose kripe për të mbyllur venat me variçe.)
Pretendimi: Futbollisti argjentinas Lionel Mesi ka qenë vizitor i rregullt në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein dhe këto foto tregojnë Epstein dhe Messi
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se futbollisti argjentinas Lionel Mesi ka qenë vizitor i rregullt në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein. Ky pretendim shoqërohet dhe me dy imazhe që duket se tregojnë Epstein dhe Messi.
Megjithëse dosjet janë publike, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë nga to që të mbështesë pretendimin.
Të dyja imazhet e Messi me Epstein nuk gjenden në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me Epstein. Lexuesit mund të shfletojnë vetë emailet e Epstein këtu.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një version më të madh të imazhit sipër majtas, ku fytyrat e ‘personave’ duken të deformuara, një tregues tipik i përmbajtjeve të gjeneruara me programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Më tej, ky version u gjet në faqen e Craiyon, një gjenerues falas online i imazheve të AI nga teksti, dhe mban titullin “imazh satirik i Jeffrey Epstein dhe Lionel Messi duke shijuar një pije në një ishull.”
Pra, ky imazh nuk është real, por i gjeneruar me AI.
Ndërkaq, imazhi tjetër që duket se tregon Messi dhe Epstein, poshtë majtas, gjithashtu është gjeneruar me AI.
Një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendime lidhur me Epstein, dhe një imazh të rremë që dukej se tregonte Messi dhe Epstein.
Pretendimi: Kjo video dëshmon se Sistemi i Transmetimit të Emergjencave (EBS) amerikan ka shkëputur sinjalet në disa pjesë të ShBA pas një sulmi bërthamor
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, jep alarmin se Shtetet e Bashkuara i janë nënshtruar një sulmi bërthamor dhe shoqërohet me pretendimin se Sistemi i Transmetimit të Emergjencave (EBS) amerikan “ka shkëputur sinjalet në ShBA” në disa zona.
Sistemi i Alarmit të Emergjencave (EAS) është një “sistem kombëtar paralajmërimi publik që kërkon që transmetuesit radiofonikë dhe televizivë, televizioni kabllor, sistemet kabllore pa tel, operatorët satelitorë dhe të telefonisë me tel t’i ofrojnë presidentit mundësinë për t’iu drejtuar popullit amerikan brenda 10 minutave gjatë një emergjence kombëtare.”
Video tregon një ekran me simbolin e Vulës së Madhe së ShBA dhe tekst që thotë “Sistemi i Alarmit të Emergjencës”, i ndjekur nga pretendimet se “Shtetet e Bashkuara i janë nënshtruar një sulmi bërthamor.” Një zë robotik në video thotë se ka patur “raketa bërthamore të drejtuara drejt Shteteve të Bashkuara kontinentale” dhe se “katër nga 12 raketat e lëshuara janë kapur.”
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video që shfaqet në ekran është postuar fillimisht në Youtube gati 4 vite më parë, në mars 2022, me titull” “Sulmi bërthamor EAS SHBA në kohë reale.”
Megjithatë, përshkrimi i videos shpjegon se është “një skenar realist i simuluar për një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara” dhe thotë: “Ju lutem vini re se ky është një skenar imagjinar dhe çdo ngjashmëri me ngjarje ose situata të botës reale është rastësore.”
FEMA tha për Reuters se “për të konfirmuar vlefshmërinë e një paralajmërimi, publiku duhet të kontrollojë llogaritë e radios, mediave sociale federale dhe shtetërore, ose televizionet/faqet e internetit të mediave kombëtare. Çdo mesazh i tillë do të ishte i disponueshëm në formate të shumta njëkohësisht.”
Sigurisht, nëse video do të ishte e vërtetë, ShBA do të kishin përjetuar tashmë një sulm bërthamor. Nuk ka patur ndonjë raportim për këtë.
Pretendimi: Kjo foto tregon gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Sara Netanyahu.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Sara Netanyahum, gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, me peshqir në ballkon duke mbajtur një gotë me çfarë duket si birrë.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm qarkullon në rrjet që nga Janari i këtij viti, krahas pretendimeve se Benjamin Netanyahu ishte kthyer në Izrael pas festës së Vitit të Ri të organizuar nga presidenti amerikan në resortin e tij në Mar-a-Lago por e shoqja kishte ndenjur pas në Miami, ShBA.
Megjithatë, siç vërehet në imazhin e mësipërm, në këtë version thuajse identik të imazhit, ndryshon vetëm veshja e gruas, e cila nuk është më e veshur me peshqir, por me pizhama.
Ky është tregues se imazhi që po qarkullon në rrjetet shqipfolëse është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Duke përdorur Grok, programin AI të X/Twitter, Faktoje gjeneroi imazhin me peshqir duke futur imazhin me pizhama dhe duke i kërkuar programit ta “veshë atë me peshqir banje,” siç vërehet në videon e mëposhtme.
Ndërkaq, edhe vetë imazhi me pizhama rozë është gjeneruar me AI, duke përdorur si bazë një foto të vërtetë që tregon të birin e Netanyahu, Yair, në të njejtin ballkon.
Foto e gjeneruar e Sara Netanyahu (majtas) dhe foto reale e Yair Netanyahu, shkrepur në Miami, ShBA në Shkurt 2024 (djathtas)
Krahasim i fotos së gjeneruar dhe asaj reale
Foto e Yair Netanyahu, djali i Benjanim dhe Sara Netanyahu, në ballkonin e një apartamenti luksoz në Florida, ShBA, u botua në shkurt 2024 nga tabloidi britanik Daily Mail.
Krahas fotos së mësipërme, tabloidi në atë kohë botoi dhe foto nga kënde të ndryshme të Yair Netanyahu në të njejtën situatë.
Nëse imazhi i Sara Netanyahu në ballkon do të ishte i vërtetë, foto nga kënde të ndryshme, si ato të Yair, do të ishin gjithashtu të disponueshme në rrjet.
Pretendimi: Burri plak në këtë foto është ish-presidenti amerikan John F. Kennedy. Ai që u vra në një atentat në 1963 në Dallas ishte kloni i tij.
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullonpretendimi se një veteran i moshuar, i cili tregohet në një foto duke takuar presidentin amerikan Donald Trump, është në të vërtetë presidenti i 35-të i ShBA, John F. Kennedy. Më tej, pretendohet se ai i cili u vra në një atentat në Dallas më 22 nëntor 1963 nuk ishte Kennedy, por një klon i tij.
Si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në foto është Russell Pickett, një veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili ishte 94 vjeç në kohën kur u bë fotografia.
Specifikisht, fotografia është bërë më 6 qershor 2019, gjatë një eventi që përkujtonte 75-vjetorin e zbarkimit në Normandi, një operacion në të cilin vetë Pickett mori pjesë, siç tregohet në dosjen e tij ushtarake. Fotografia tregon kapelen e Pickett me mbishkrimin “Shoqata e Divizionit të 29-të”, dhe një tjetër fotografi e tij duke përshëndetur Donald Trump u postua në faqen e Shoqatës së Divizionit të 29-të në Facebook.
Gjatë fjalimit të tij atë ditë, Trump iu drejtua drejtpërdrejt Pickett dhe vlerësoi punën e tij gjatë zbarkimit në Normandi.
Pickett duke përshëndetur Trump (djathtas) dhe presidentin francez Macron
Russell Pickett, i cili kishte lindur në 1925, ndërroi jetë më 2 gusht 2020, në moshën 95-vjeçare. Pas vdekjes së tij, Qendra Amerikane e Veteranëve përkujtoi karrierën e tij ushtarake dhe publikoi një fotografi të tij gjatë viteve të shërbimit.
Më 22 nëntor 1963, presidenti amerikan John F. Kennedy, lindur në 1917, u vra gjatë një vizite në Dallas në Teksas. Vrasja u kap në fotografi dhe video të shumta dhe u hetua nga Komisioni Warren, gjetjet e të cilit janë të disponueshme në Arkivat Kombëtare. Raporti i komisionit emëron Lee Harvey Oswald si autorin e krimit, i cili u vra para gjyqit të tij më 24 nëntor 1963. Raporti përfshin gjithashtu raportin e autopsisë së John F. Kennedy.
Nëse e hasni këtë lajm duke shfletuar në shtëpinë e prindërve apo në banesën ku jetoni me qera dhe ai ju duket i pabesueshëm, keni instinkte të mira!
Në fakt, lajmi i mësipërm është një keqintepretim i të dhënave të botuara nga zyra statistikore e Bashkimit Evropian, Eurostat.
Është e vërtetë se, sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të pronësisë së banesave në Europë. Megjithatë, kjo nuk matet me individë që janë pronarë, por me njësi familjare që e zotërojnë shtëpinë e tyre.
Kështu, sipas Eurostat, 95.5% e familjeve shqiptare, dhe jo e shqiptarëve, zotërojnë shtëpinë e tyre. Kjo shifër e lartë përgjithësisht shpjegohet me procesin e privatizimit të banesave që ndodhi në vend pas rënies së ekonomisë kolektiviste në fillim të viteve 1990.
Familjet shqiptare Eurostat i ndan në 8 lloje: një person beqar, një person beqar me fëmijë në varësi, dy të rritur, dy të rritur me një fëmijë në varësi, dy të rritur me dy fëmijë në varësi, dy të rritur me 3+ fëmijë në varësi, tre ose më shumë të rritur, dhe tre ose më shumë të rritur me fëmijë në varësi.
Tabela nga Eurostat tregon llojet e familjeve shqiptare që zotëronin shtëpinë e tyre në 2023
Në grafikun e poshtëm, ku janë përkthyer të dhënat e mësipërme në mënyrë pamore, vërehet se pjesa më e madhe e familjeve që zotërojnë banesën e tyre janë familjet me 3 ose më shumë anëtarë të rritur.
Kjo shpërndarje e pronësisë përkon me një tjetër gjetje të Eurostat. Megjithëse shumica dërrmuese e familjeve shqiptare zotërojnë shtëpinë e tyre, 57.1% e popullsisë në Shqipëri jeton në banesa të mbipopulluara, kur familja që jeton aty nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe përbërjen e anëtarëve të saj.
Ndërkaq, censi i vitit 2023 i kryer nga zyra statistikore shqiptare Instat gjeti se 82.5% e Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) janë pronarë të banesës ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. Madhësia mesatare e një NjEF në 2023 ishte 3.2 anëtarë.
Pretendimi: Sot mijëra njerëz në Veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur sepse HAARP është aktiv mbi Adriatik
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————-
Një postim në Instagram pretendon se “mijëra njerëz në veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur” dhe shkaku i kësaj lodhjeje nuk i atribuohet ndonjë sëmundjeje, faktori ekonomik apo social, por famëkeqit sistemit HAARP.
Megjithatë, postimi i msipërm nuk jep ndonjë provë, burim apo referencë që mbështet as pohimin e tij parësor: se mijëra njerëz në veri të Shqipërisë po ndihen të rraskapitur.
Asnjë burim zyrtar, mediatik apo anekdotal shqiptar apo i huaj nuk e mëbshtet këtë pretendim, i cili duket se është shpikur tërësisht nga autori i postimit.
Aq më pak nuk jepen prova për pretendimin edhe më të jashtëzakonshëm se epidemia e pretenduar e lodhjes në veri të Shqipërisë është pasojë e veprimtarisë së HAARP mbi Adriatik.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Bob McCoy, drejtor i Institutit Gjeofizik në Universitetin e Alaskës Fairbanks, i cili operon HAARP tha për Associated Press se “sinjalet elektrike në trurin e njeriut janë me frekuencë shumë të ulët. HAARP ka frekuencë shumë të madhe, valët janë me metra të gjata.” Si rrjedhojë HAARP nuk ka se si të ndikojë trurin e njerëzve apo të shkaktojë lodhje në veri të Shqipërisë.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
Menaxhmenti i Universitetit të Alaskës, i cili mbikëqyr projektin HAARP, ka krijuar një traditë të Ditëve së Hapur të HAARP. Vizita përfshin një prezantim hyrës, një tur në ndërtesën e kontrollit, një shëtitje midis antenave, një seminar me eksperimente si për të rritur ashtu edhe për fëmijë, dhe një diskutim me shkencëtarët.
Gjatë një Dite të Hapur, vizitorët shëtisin qentë e tyre nën një fushë antenash të përdorur për të ngrohur atmosferën e sipërme gjatë eksperimenteve të fizikës hapësinore në strukturën e njohur si HAARP / KTOO
Pretendimi: Kjo video tregon një udhëtar shqiptar që nevrikoset sepse i refuzojnë hyrjen në Gjermani
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon një udhëtar shqiptar që nevrikoset sepse i refuzojnë hyrjen në Gjermani.
Megjithatë, video qesharake nuk tregon një ngjarje të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillmisht në TikTok nga një llogari që poston përmbajtje të gjeneruara me AI.
Në fakt, Faktoje ka përgënjeshtruar me parë dyvideo të gjeneruara nga kjo llogari, e quajtur “çudira albanistani” dhe të shpërndarë si të vërteta në rrjet.
Këto video janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit. Llumi AI që nxit zemërim, ofendim dhe skandalizim merr shumë angazhim.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Meta i detyron përdoruesit të etiketojnë videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Elbasan, 19 shkurt 2026 – Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje, prezantoi të enjten e 19 shkurtit përpara përfaqësuesve të Bashkisë Korçë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas një viti monitorimi të punës së kësaj bashkie.
Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.
Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.
Monitorimi është bazuar në tre elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, përmbushjen e premtimeve elektorale si dhe fondin social.
Transparenca
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se bashkitë me performancën më të lartë në transparencë janë, Korça, Shkodra, Lezha dhe Saranda, me 100%përmbushje të indikatorëve të matur.
Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Elbasan matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 87.5%, nga 68.8% vitin e kaluar.
Bilanci i premtimeve
Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, në rastin e Bashkisë Elbasan, nga 4 premtime të monitoruara në tre vitet e fundit, 3 premtime janë kategorizuar si të pambajtura, dhe 1 pjesërisht të mbajtur.
Në total, nga 40 premtime të verifikuara në të dhjeta bashkitë vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 nuk janë përmbushur.
Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve mbeten të pambajtura, duke krijuar një hendek të madh mes retorikës elektorale dhe veprimit konkret. Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxhetit, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.
Ky është viti i gjashtë që Faktoje realizon një raport të tillë, duke sjellë një panoramë të qartë mbi transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit vendor në Shqipëri.
Fondi Social
Gjetjet për vitin 2025 tregojnë se Fondi Social ka vijuar të zgjerojë shtrirjen e tij në nivel vendor, duke përfshirë bashki të reja dhe duke mbështetur një gamë më të gjerë shërbimesh sociale. Megjithatë, analiza evidenton edhe sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me cilësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara, mospërputhjet ndërinstitucionale dhe mungesën e planifikimit të qartë për vazhdimësinë e shërbimeve pas përfundimit të financimit.
Në disa raste, shërbimet mbeten të varura nga fondet qendrore dhe të ekspozuara ndaj rrezikut të ndërprerjes, ndërsa shpërndarja e tyre nuk reflekton gjithmonë në mënyrë të balancuar nevojat e të gjitha grupeve vulnerabël. Këto gjetje nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë, koordinim dhe planifikim të qëndrueshëm, në mënyrë që investimi publik të përkthehet në shërbime me ndikim real dhe afatgjatë për komunitetet.
Projekti “40 premtime, 10 bashki” është i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
Pretendimi: Kjo video tregon një grup kotelesh të maces së egër Manul (Pallas’s cat) që vendos të kalojë rrugën përpara një makine
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————–
Një video që ka marrë dhjetëra mijëra pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një moment të adhurueshëm kur një tufë kotelesh qimegjata të maces së egër Manul kalojnë rrugën përpara një makine.
Megjithatë, kjo video e ëmbël nuk është reale. Ajo është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 4 janar 2026.
Ajo është pjesë e një kolazhi videosh, e para prej të cilave duket se tregon një qen që ngre putrën për të ndaluar trafikun, në mënyrë që të kalojnë katër kotele.
Pamundësia e këtij skenari, sado i adhurueshëm, tregon se videot nuk janë të vërteta, por janë gjeneruar me AI.
Më tej, llogaria me mbi 1 milion ndjekës në Tik Tok që ka postuar videon duket se poston ekskluzivisht përmbajtje të adhurueshme me kafshë, te gjeneruara me AI.
Në përshkrimin e videos përfshihet etiketimi “TikTok Creator Search Insights Incentive”, një program monetizimi i krijuar për postuesit e TikTok që të fitojnë shpërblime më të larta përmes përmbajtjeve që postojnë, duke paguar afërsisht $0.40–$1 për 1 mijë shikime.
Pra, llogaria që poston përmbajtet e gjeneruara me AI paguhet për sa më shumë shikime që marrin videot e saj.
Kështu, publikimi dhe përhapja e videove të rreme të dizenjuara për të tërhequr vëmendjen dhe provokuar kureshtjen e publikut tashmë ka pas edhe incentivë monetare, një arsye më shumë për lexuesin të presë me skepticizëm video të tilla.
Kjo video është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Sa i përket maceve Manul, ato nuk janë të përshtatshme për kafshë shtëpiake. Sipas kopshtit zoologjik të Institutit Smithsonian në ShBA, “macet e Pallas nuk janë zbutur kurrë dhe janë shumë territoriale. Ashtu si shumë mace të egra, ato mund të bëhen agresive kur kërcënohen.”
Pretendimi: Forcat ruse në Ukrainë kanë zbuluar një operacion të gjerë nëntokësor të trafikimit të fëmijëve dhe nxjerrjes biologjike, i maskuar si infrastrukturë humanitare
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————
Teksa hyjmë në vitin e pestë të luftës në Ukrainë, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojë pretendimi se, në territoret e marra ushtria ruse ka zbuluar tunele nëntokësore që janë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikimit të fëmijëve me qëllim nxjerrjen e gjakut të tyre.
Megjithatë, postimi i mësipërm nuk jep ndonjë provë, burim apo referencë për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Postimi i mësipërm duket se është përkthimi në shqip i një postimi të 11 shkurtit në X/Twitter nga një përdorues me emrin Paul White Gold Eagle, i cili vetëpërshkruhet në Facebook si transmetues i “mesazheve të përditshme të energjive të 5d dhe Tokës së Re.”
Asnjë media ndërkombëtare nuk ka raportuar një ngjarje të tillë, e cila, nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte raportuar gjerësisht nga shtypi i etur për lexues, siç zaptoi peizazhin mediatik përmbajtja e dosjeve të lëshuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë lidhur me pedofilin dhe trafikantin amerikan Jeffrey Epstein.
Pyetur nga AFP në 2023 në lidhje me akuzat për trafikim organesh që pretendohej se ishin kryer nga ushtarët ukrainas, Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB në Ukrainë tha se “asnjë nga anëtarët e misionit të OKB-së nuk ka dëgjuar ndonjëherë për një gjë të tillë”.
Jakub Kalenský, eksperti kryesor për dezinformimin i Qendrës Europiane e Ekselencës për Kundërshtimin e Kërcënimeve Hibride, tha për AFP se “trillimi i gënjeshtrave për krimet ukrainase kundër fëmijëve ka qenë një nga qëllimet e preferuara të kanaleve dezinformuese të Kremlinit dhe ekosistemit që përsërit gënjeshtrat e tyre që të paktën nga viti 2014.”
“Krijimi i historive dezinformuese për fëmijët e abuzuar dhe të lënduar synon të krijojë emocionet më të forta të mundshme tek audienca e synuar dhe kështu të eliminojë mendimin e tyre kritik”, tha Kalensky. “Deri më tani, nuk kemi parë asnjë provë që autoritetet ukrainase kanë kryer krime kundër fëmijëve. Përkundrazi, ka pasur shumë prova për krime ruse kundër fëmijëve ukrainas. Është një situatë tipike dhe cinike e ‘hajdutit’ që e thërret ‘hajdut’.”
Ndërkaq, në mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, nën akuzat për deportim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, të cilat karakterizohen si krime lufte.
Pretendimi: Gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Itali u shfaq një pentagram i përmbysur
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë pretendime mbi praninë e “simbolizmit satanik” gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026. Pretendimet lidhen me dizajnin e flakës olimpike, e cila përshkruhet si një “pentagram i përmbysur.”
Ceremonia e hapjes u mbajt më 6 shkurt në stadiumin San Siro në Milano, me performanca të zhvilluara njëkohësisht në Livigno, Predazzo dhe Cortina d’Ampezzo. Kampionia olimpike italiane Sofia Goggia shërbeu si mbajtësja e fundit e pishtarit, duke ndezur depozitën e flakës olimpike në një moment të transmetuar globalisht.
Pentagrami lidhet me Satanizmin kryesisht për shkak të riinterpretimeve moderne dhe jo përdorimit të tij në lashtësi. Ndërsa pentagrami i përmbysur është i lidhur me Kishën e Satanit dhe Sigilin e Bafometit, kjo lidhje daton kryesisht në mesin e shekujve të 19 dhe 20. Historikisht, ylli me pesë cepa është përdorur gjerësisht në traditat e krishtera, islame dhe pagane si një simbol neutral ose pozitiv.
Pretendimet në rrjete sociale janë përqendruar në format gjeometrike kalimtare të dukshme kur lëvizin pjesët e kazanit. Struktura kinetike, e cila zgjerohet dhe tkurret gjatë ceremonisë, krijon vija që kryqëzohen që disa shikues i interpretuan si pentagrame. Ekspertët vërejnë se dizajnet gjeometrike komplekse shpesh prodhojnë modele të rastësishme si yje kur shihen nga kënde të caktuara.
Instalacioni i flakës u projektua nga krijuesi italian Marco Balich në bashkëpunim me kompaninë Fincantieri. Sipas shënimeve zyrtare të projektimit, struktura frymëzohet nga gjeometria e Rilindjes italiane dhe nyjet e ndërthurura që gjenden në fletoret e Leonardo da Vinçit.
Nyja e Gjashtë, nga një seri prej gjashtë ‘nyjesh’ që mendohet të jetë dizenjuar nga Leonardo da Vinci, ndoshta rreth viteve 1490
I ndërtuar nga alumini i lehtë aeronautik, “kazani olimpik” përmban 1,440 pjesë dhe 244 pika rrotulluese. Diametri i tij zgjerohet nga afërsisht 3.1 metra kur është i mbyllur në 4.5 metra kur është plotësisht i hapur.
Ceremonia e hapjes përfshinte referenca artistike prej Komedisë Hyjnore nga Dante Alighieri, një vepër kyç e trashëgimisë kulturore italiane. Disa shfaqje u mbështetën në imazhet e Inferno (Ferrit), duke përdorur ndriçim të kuq dhe portokalli për të evokuar zjarr dhe luftë. Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime që lidhnin hapjen e Lojërave Olimpike në 2024 me simbole ‘sataniste’.
Pretendimi: Ky imazh tregon një polic që sapo u bë baba
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————-
Një imazh që ka marrë mbi 10 mijë pëlqime në Facebook dhe 5 mijë në Instagrampretendohet se tregon një policshqiptar 37-vjeçar i cili është bërë baba, por askush nuk e kishte uruar.
Megjithatë, imazhi i mësipërm, ‘personat’ në të dhe historia e tyre janë trillim. Ato janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një tjetër version gati identik të imazhit. I vetmi ndryshim ishte stema në krahun e policit, e cila nuk është më me flamurin shqiptar, por me atë kosovar.
Ky imazh është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si keqardhje për babain e ri të cilin nuk e ka uruar askush.
Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.
Shembuj të llumit AI në Facebook
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Pretendimi: Papa Leo XIV konfirmon se ka një dhomë sekrete poshtë Qabes, e cila mban një mesazh nga qielli.
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Në fillim të këtij viti, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi i pazakontë se Papa Leo XIV ka konfirmuar se ka “një dhomë sekrete poshtë Qabes, e cila mban një mesazh nga qielli.”
Si zakonisht, ky pretendim i pazakontë nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur atë.
Faktoje gjeti se ky ‘lajm’ ka qarkulluarmë parënë rrjet në gjuhënangleze. Megjithatë, në asnjë nga versionet e tij, ai nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim. Portali në anglisht që ka shërbyer si zanafilla e këtij lajmi, ka për synim që të tërheqë interesin e lexuesve për t’i orientuar ata të klikojnë drejt reklamave të ndryshme të biznesit të lojrave online.
Me gjasa, ky lajm i trilluar është frymëzuar nga vizita e vërtetë e Papës Leo XIV në Xhaminë Blu në Stamboll.
Megjithatë, që nga marrja e detyrës në maj 2025, Papa Leo nuk ka vizituar kurrë Qaben, vendin më të shenjtë të myslimanizmit që ndodhet në Mekë, në Arabinë Saudite.
Një kërkim me fjalën “Qabe” në faqen zyrtare të Vatikanit nuk jep asnjë rezultat. Njësoj, një kërkim me të njejtën fjalë në llogarinë zyrtare në X të Papës nuk jep asnjë rezultat. Sigurisht, që nëse do të kishte ndonjë sekret poshtë strukturës së shenjtë për fenë myslimane, kjo nuk do të zbulohej nga kleri i një besimi tjetër.
Pjesa e brendshme e kubesë së shenjtë në Mekë nuk është e hapur zakonisht për besimtarët e thjeshtë, përveç disa drejtuesve fetarë dhe punonjësve të mirëmbajtjes. Në një moment që u bënë publike disa foto në vitin 2021, struktura është e përbërë nga tre shtylla mbajtëse druri, në të cilat qëndron i varur një koleksion llampash të vjetra me vajra aromatikë si dhe tetë gurë të dekoruar me mbishkrime të vjetra arabe.
Pretendimi: Bleona Mata, 5-vjeçarja shqiptarja e zhdukur në 2010, është gjendur pas 20 vjetësh. Atë e kishte rrëmbyer i ati.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në janar 2026, në rrjetet sociale shqipfolëse vijon të përdoret emri i 5-vjeçares shqiptare të zhdukur në 2010, Bleona Mata, për të mbledhur klikime dhe angazhim në mënyrë jo etike.
Një postim në Facebook pretendon se Bleona është gjendur “pas 20 vitesh” dhe atë e kishte rrëmbyer i ati, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Postimi ilustrohet me imazhe të rreme të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI) që tregojnë dy burra të ndryshëm të shoqëruar nga oficerë policie, si dhe me një imazh të prodhuar nga autoritetet në 2019 që tregon se si do të dukej Bleona Mata 9 vite pas zhdukjes së saj, mbi të cilin shkruhet “E GJETëM.”
Megjithatë, ky lajm nuk është i vërtetë.
Artikulli i referuar në komente nuk përmban ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime. Ai është shkruar në shqipe të çalë dhe është i mbushur me pasaktësi faktike dhe logjike.
Bleona Mata nuk ka si të jetë gjetur “pas 20 vitesh” sepse kanë kaluar vetëm 16 vite nga zhdukja e saj në 22 maj 2010.
Nuk ka asnjë raportim të besueshëm se Bleona Mata është gjendur apo se atë e kishte rrëmbyer i ati. Ajo vijon të listohet si person i humbur nga faqja zyrtare e Interpolit.
Ka gjasa ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Duhet nënvizuar se ky lajm tejkalon një kufi moral kur zgjedh të përdorë si karrem për klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.
Pretendimi: Publikimi i dosjeve Epstein, provon teorinë se elitat satanike vrasin fëmijë për adrenokrom
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Publikimi i Dosjeve Epstein ka nxitur edhe një herë teoritë konspirative rreth adrenokromit, “drogën e elitave” që përftohet nga gjaku i fëmijëve dhe përdoret nga personat e famshëm dhe të pushtetshëm.
Megjithëse dosjet janë publike, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë nga to që të mbështesë pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postime të tilla duket se frymëzohen nga zbulimi i një rrjeti të gjerë trafikimi të miturash tek burrat e shtresave elitare nëpërmjet dosjeve Epstein. Nëse diçka kaq e pazakontë doli që është e vërtetë, shkon logjika, atëherë edhe një pretendim i jashtëzakonshëm si nxjerrja e një ilaçi kundër plakjes nga gjaku i fëmijëve mund të jetë i vërtetë.
Megjithatë, rrjetet e gjera të trafikimit të të miturave tek burrat e shtresave elitare nuk janë të pazakontë. Në 2005, gazetarja meksikane Lydia Cacho zbuloi një rrjet të tillë që operonte në Meksikë, nën mbrojtjen e personave të pushtetshëm vendas. Ndërkaq, ende nuk ka asnjë provë konkrete për nxjerrjen e adrenokromit nga ndokush.
Procedimet penale që përfshinin Jeffrey Epstein u përqendruan në trafikimin seksual dhe shfrytëzimin seksual të të miturve, me prova gjyqësore që përfshinin regjistra fluturimi, të dhëna financiare, email-e dhe dëshmi nga viktimat. Në vitin 2021, Ghislaine Maxwell u dënua për vepra penale federale të trafikimit seksual të lidhura me atë operacion.
Dokumentet e publikuara përshkruajnë metodat e rekrutimit, modelet e udhëtimit dhe rrjetet e shoqërimit, por ato nuk përshkruajnë vrasje, kanibalizëm ose nxjerrjen biokimike të adrenokromit. Krimet e trafikimit u vërtetuan në gjykatë.
Adrenokromi është një përbërës kimik i vërtetë që formohet kur adrenalina oksidohet dhe ai është sintetizuar prej kohësh në mjedise laboratorike. Nuk ka nevojë për ta marrë atë nga qeniet njerëzore.
Hulumtimet e mesit të shekullit të XX eksploruan nëse adrenokromi mund të ketë efekte psikoaktive, por rezultatet ishin të paqëndrueshme dhe nuk u përcaktua kurrë si halucinogjen, trajtim kundër plakjes ose ilaç që rrit performancën. Mjekësia bashkëkohore nuk e klasifikon atë si një substancë rinovuese. Nëse do të kishte vlerë të matshme klinike, adrenokromi do të prodhohej në kushte laboratorike të rregulluara, jo përmes nxjerrjes nga njerëzit.
Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.
Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një klan elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.
Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.