Mickoski: Kemi shumicë për ta shfuqizuar qeverinë teknike

"Për fat të keq kemi opozitë të papërgjegjshme dhe jokontruktive dhe pa ide", tha kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar refuzimin e Venko Filipçes për pjesëmarrje në takimin e liderëve, ku pritet të diskutohet për heqjen e qeverisë teknike dhe konsensus mbi ligjet reformuese.
Mickoski thotë se pushteti ka shumicë për ta shfuqizuar vetë qeverinë teknike, por që ka dashur që procesi të jetë gjithëpërfshirës.
“Ne me 61 deputetë në Kuvend mund ta ndryshojmë Ligjin për Qeverinë dhe ta fshijmë qeverinë teknike. Nuk kemi nevojë për mednimin e opozitës, por ne duam që procesi të jetë gjithëpërfshirës, edhe pse kemi shumicë të kryetarëve të komunave. Më shumë se 90% e kryetarëve të komunave janë nga koalicioni qeverisës, rreth 2/3 shumicë në Kuvend. Kështu që, nëse do të donim të silleshim në mënyrë të papjekur dhe papërgjegjshme, mund ta bënim këtë pa atë takim liderësh”, tha mes tjerash Mickoski.
I pyetur nëse takimi i liderëve ka të bëjë me zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski tha se zgjedhjet nuk i ka prioritet.
“Prioriteti ynë siç thash, janë reformat dhe projektet. Nuk i kemi prioritet zgjedhjet. Qytetarët më herët në zgjedhjet lokale qartë treguan se ku është mbështetja, më pak se një vjet e gjysmë qartë e thanë edhe në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale se cilin opsion politik e mbështesin”, theksoi Mickoski.
Mickoski tha se pavarësisht refuzimit nga LSDM, formalisht sot dhe nesër do të dërgohen ftesat deri tek liderët e partive politike, ndërsa takimi pritet të mbahet më 14 janar në ora 12, në Klubin e deputetëve. Kreu i ekzekutivit tha se mes tjerash, në takim pritet të diskutohet edhe për çështjen e Avokatit të Popullit./tv21/




































