Mbappe reagon pas shkarkimit të Alonsos - ja çfarë shkroi ai

Xabi Alonso (44) nuk është më trajner i Real Madridit, konfirmoi klubi në faqen e tij zyrtare. Largimi i trajnerit spanjoll erdhi vetëm një ditë pas humbjes 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës.
Trajneri i ri i ekipit të parë do të jetë Alvaro Arbeloa, që drejtonte deri tani ekipin e dytë të Real Madridit.
Pak orë pas njoftimit, ylli i Real Madridit, Kylian Mbappé, i dedikoi një mesazh lamtumire Alonson në Instagram.
"Ishte e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit që më besove që nga dita e parë. Do të të kujtoj si një trajner që kishte ide të qarta dhe dinte shumë për futbollin. Paç fat në kapitullin tënd të ardhshëm", shkroi francezi.
Alonso mori drejtimin e Real Madridit në maj të vitit 2025 si pasardhës i Carlo Ancelottit, i cili u largua për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar të Brazilit.
Ai kishte nënshkruar një kontratë deri në qershor 2028 dhe u prit si zgjedhja logjike pas një periudhe të suksesshme te Bayer Leverkusen, ku u shqua si një nga trajnerët më të kërkuar në Evropë.
Gjatë mandatit të tij te Reali, Alonso drejtoi ekipin në 34 ndeshje, duke regjistruar 24 fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje.
Në La Liga, skuadra renditet e dyta me 45 pikë pas 19 javësh, katër pikë pas lideres Barcelona. Në Ligën e Kampionëve, Reali është i shtati me 12 pikë pas gjashtë raundeve./Telegrafi/
































