Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Broja e mbyll me asist/ Sulmuesi kuqezi, paraqitje mjaft e mirë në Burnley-Newcastle

Për fat të keq rivali ishte shumë i fortë dhe nuk mund të bëhej asgjë.

Pavarësisht luhatjeve, Njukasëlli është kategori tjetër në krahasim me Bërnlin, dhe në stadiumin “Tërf Mur” u regjistrua humbja 1-3, ndërsa titullar ishte sërish Armando Broja.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare ishte më I miri në fushë për vendasit, duke krjuar edhe golin e vetëm, apo më saktë duke dhënë asistin për autorin Xhosh Lorent.

Ylli kuqezi ishte që nga minuta e parë për të katërtën herë në pesë ndeshjet e fundit, dhe në dy sfida radhazi.

Broja u tregua tepër I lëvizshëm, sidomos kur kishte hapësirë në kundërsulme.

Forma e tij fizike është siç duhet dhe ka hyrë plotësisht në ritmin e lartë të futbollit anglez.

Mund të thuhet se Bërnli rrezikoi thuajse vetëm atëherë kur topi ishte në këmbët e shqiptarit, apo kur ai ishte pjesë e aksionit.

Armando dha asistin e parë këtë sezon në Premier Ligën angleze, ndërsa dy ndeshje më parë shënoi në barazimin 1-1 me Bornmuthin.

Një asist e ka edhe në Kupën e Ligës.

Momenti duket I shkëlqyer për Brojën që në 14 ndeshjet e para në kampionatin anglez luajti vetëm gjithsej 111’, mungoi tri herë për shkak dëmtimi, dhe tri herë ishte gjatë gjithë kohës në stol.

Eurostar, vonesa në udhëtime/ Defekt në sistemin elektrik të trenave Angli-Francë

Pasagjerët që po udhëtojnë me linjën e trenave Eurostar në tunelin nënujor hekurudhor që lidh Mbretërinë e Bashkuar me Francën dhe mbarë Europën po përballen me vonesa të udhëtimeve të tyre, pas një problematike në sistemin elektrik që preku linjat e trenave të martën. Ndonëse problematika e furinzimit me energji elektrike u zgjidh të martën  30 dhjetorit ka lënë kaos dhe vonesa për mijëra pasagjerë që po udhëtojnë në prag të ndërrimit të viteve.

Përvec vonesave dhjetëra udhëtime mes Londrës, Parisit,Amsterdamit dhe Brukselit u anuluan  pasi një tren u prish brena tunelit duke shkaktuar një bllokim disa orësh.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar kete 31 dhjetor , Eurostar tha:
“Ne planifikojmë të operojmë ne menyre te sakte me të gjitha shërbimet tona , megjithatë për shkak të efekteve zinxhir mund të ketë ende vonesa dhe anulime të minutës së fundit.”

Treni i parë i së mërkurës nga Parisi i planifikuar për në orën 06:01, u anulua, ndërsa nisja e orës 06:31 u shty për shkak të një problemi teknik me një tjetër tren në tunel.  Disa prej pasagjereve rrëfyen se kishin pritur mbi 4 orë pa ushqim dhe ujë të bllokuar në automjetet e tyre.

Eurostar ka pasur monopol në transportin e pasagjerëve përmes tunelit që nga viti 1994, por në të ardhmen pritet konkurrencë: biznesmeni Richard Branson ka paralajmëruar një shërbim rival, ndërsa kompania italiane Trenitalia synon të hyjë në linjën Paris–Londër deri në vitin 2029.

Këto ndërprerje vijnë në një moment kur Eurostar përballet me kritika për çmime të larta të biletave, veçanërisht në linjën Paris–Londër.

Presidenti Begaj uron qytetarët: Shqipëria dëshmoi vullnet për të ecur përpara, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkëta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri 2026, duke sjellë në kujtesë rëndësinë e familjes, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë qytetare.

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj nënvizoi se nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve dhe e shpresave për vitin e ri. Ai bëri thirrje për kujdes ndaj brezat e rinj, duke e quajtur investimin te fëmijët dhe të rinjtë si gur themeli për një Shqipëri evropiane.

Ai theksoi gjithashtu se viti 2025 ishte një vit sfidash dhe përpjekjesh, duke përmendur progresin në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përparimet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj uroi bashkëpunim dhe bashkërendim për të arritur qëllimet e interesave mbarëkombëtare dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë. Ai dërgoi urime të veçanta për shqiptarët kudo që ndodhen, për mjekët, infermierët, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët që janë larg familjeve gjatë natës festive.

Mesazhi i tij përfundoi me dëshirën për shëndet, gëzime, mbarësi dhe më shumë besim dhe mirëkuptim mes shqiptarëve, duke theksuar se e ardhmja e vendit ndërtohet me punë, solidaritet dhe përgjegjësi qytetare.

Mesazhi i plotë: 

Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri!
Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë.
Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë.
Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka
punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm.

Të dashur shqiptarë,
Puna juaj e ndershme, angazhimi dhe suksesi juaj forcojnë besimin dhe shpresën tek e ardhmja.

Motra dhe vëllezër,
Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.
Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan.
Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!
Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.
Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!
Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.
Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!
Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht!
Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të  ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Gëzuar!

“Heronjtë” e natës së festës/ Mjekë, policë e zjarrfikës në shërbim të qytetarëve gjatë ndërrimit të viteve

“Të gjithë duam që festat e fundvitit të na gjejnë pranë njerëzve që duam më shumë. Por, jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Arsyeja është e thjeshtë, se profesioni i tyre është misioni për të na garantuar neve festën.

Abc News ka biseduar me disa prej profesionistëve, të cilët natën e ndërrimit të viteve do të jenë në krye të detyrës, larg familjeve të tyre, duke ruajtur jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, si dhurata më e çmuar që na bëjnë të gjithëve”

Nata e ndërrimit të viteve i gjen inspektorët e Policisë së Shtetit, Iris Alikon dhe Isuf Likën, për herë të parë larg tryezës familjare. Ata do të jenë në patrullim në rrugët e kryeqytetit, pranë qytetarëve, aty ku i thërret detyra.

“Kam katër muaj në Policinë e Shtetit. Është festa e parë që nuk e festoj me familjen. Është një ndjesi shumë e bukur të jesh pranë popullit. Familjarët nuk e kanë pritur shumë mirë, por më kanë mbështetur.”

“Këtë vit festat na kanë rënë t’i kalojmë në punë. Shumicën e festave i kemi kaluar me kolegët, edhe ditëlindjet. Edhe Vitin e Ri do ta presim në shërbim, deri në orën 6 të mëngjesit.”

Iris Aliko ka përfunduar studimet e larta për Kimi Industriale dhe Mjedisore,  ndërsa Isuf Lika për Ekonomi dhe aktualisht ndjek studimet master. Dëshira për të qenë pranë komunitetit i ka bërë pjesë të uniformës blu, pas përfundimit të Akademisë së Policisë.

As shërbimi shëndetësor nuk njeh festë. Për bluzat e bardha, festat vijnë me më shumë orë pune dhe lodhje.

“Gjithmonë ka një karrige bosh në tavolinën e familjes, por kjo punë do pasion dhe përkushtim.”

Albana Koçiaj është mjeke në Urgjencën e QSUT, spitalit më të madh publik në vend. Prej më shumë se 10 vitesh, festat e fundvitit e gjejnë në shërbim, pranë pacientëve.

“Më shumë festa i kam kaluar pranë pacientëve. Kjo punë kërkon pasion, përkushtim dhe shpesh orë të zgjatura. Pavarësisht nëse është festë apo pushim, telefoni bie dhe ne duhet të jemi gati.”

Edhe shërbimi zjarrfikës është në gatishmëri 24 orë. Edhe këtë 31 dhjetor, zjarrfikësi Ervin Lleshi e pret Vitin e Ri në shërbim, së bashku me kolegët e tij.

“Shumë festa i kemi kaluar këtu me shokët, jo me familjen. Edhe këtë vit jemi në punë. Do të festojmë një ditë tjetër.”

Balanca mes jetës familjare dhe profesionit është e vështirë, por kur puna kthehet në pasion, sakrifica merr tjetër kuptim.

“Kur ke fëmijë të vegjël është e vështirë, por mundohemi ta kompensojmë ditën tjetër.”

“Vajza ime gjithmonë më pyeste: ‘Kur s’do bësh roje që të flej me ty?’ Ende nuk kam një përgjigje. Mendoj se misioni im do t’i tejkalojë këto mërzi.”, tha mjekja.

“Kemi lënë ditëlindje dhe festa. Si në protesta apo stadiume, ndërrohemi dhe dalim në punë.”, the polici Isuf Lika.

Në ditë festash, urgjencat dhe emergjencat nuk ndalen. Numri i rasteve shtohet, ndërsa përjetimet emocionale janë të ndryshme për secilin profesionistë.

“Raste të rrezikshme ka pasur shumë. Zjarri në fabrikën ‘Everest’ apo te ‘Casa Italia’. Humbja e jetës është e rëndë, por shpëtimi i një jete është kënaqësia më e madhe.”

“Jemi pranë të sëmurëve, por edhe pranë familjarëve për t’i ngushëlluar. Është shumë e vështirë.”

“Kur dikush humb një të afërm, ne e përjetojmë shumë, por duhet të qëndrojmë të fortë.”

“Më ka prekur shumë një rast kur një nënë ktheu rrobat e fëmijëve sepse i kishin vjedhur paratë.”

Forca e tyre buron nga familja, kolegët dhe mbështetja e qytetarëve.

“Familja ime është shumë mirëkuptuese. U jam shumë mirënjohëse.”

“Ka vështirësi dhe keqkuptime, por shumica e qytetarëve na mirëkuptojnë.”

Çdo sakrificë ka një emërues të përbashkët: shpëtimin e jetës.

“Nëse shpëton qoftë edhe një jetë të vetme, nuk ka kënaqësi më të madhe.”

Porosia që merr kur del nga shtëpia?

“Ki kujdes për veten. Ruaj veten.”

Teksa shumica prej nesh do të trokasë gotat për të uruar një vit të mbarë, një mjek do të shpëtojë një jetë, një polic do të jetë në patrullë për sigurinë dhe një zjarrfikës në gatishmëri për çdo emergjencë, ashtu si çdo ditë të vitit. Me mirënjohje, u themi faleminderit për fisnikërinë dhe shërbimin e tyre dhe u urojmë një 2026 sa më të gëzuar atyre dhe familjeve të tyre./abcnews.al

Tryeza e festës/ Mjekët: Kujdes konsumin e ushqimeve dhe alkoolit

SHQIPËRI- Tradita e do që tryeza në ndërrim të viteve të jetë plot për ti paraprirë një viti me bollëk, por çfarë sugjerojnë specialistët për të mos e tepruar me ushqimin.

“Sugjerimi im ne radhe te pare është psikologjik, kush bën pazaret e festave, bashkëshortet,  të jenë të dy të ngopur.  Është e vërtetuar shkencërisht që bëjnë zgjedhje më të qenësishme”

Mishi, ëmbëlsirat, pijet tundojnë, por në mënyrë që ushqyerja të jetë  kënaqësi dhe të mos kthehet në shqetësim nutricionistët këshillojnë.

“Mishin ta pjekin mundësisht, sa me pak i skuqur , ai do i rendonte, ta pjekin por jo ne temperatura te larta sepse… Pijet ti konsumojnë me  stomakun plot, studimet tregojnë qe kur është e shoqëruar sikur dhe me një meze efekti do jete jo vetëm për dhimbjen e kokës, por dhe nga ana metabolike do jete shume me here e përballueshme”

Më shumë se për shmangie të ushqimeve të caktuara këto ditë festash specialistët flasin  për kombinimin e duhur të tyre.

“Në mënyrë që të mos ndjehen të mbi fryrë t’i koordinojnë ushqimet, ëmbëlsirën jo veçmas, në fund të një vakti me perime proteinë dhe në fund do marrin dhe ëmbëlsirën, por vetëm ajo ka ndikim në glicemi të menjëhershme dhe fibrat do e bëjnë që të metabolizohet dhe tretet me ngadalë për ne vaktin tjetër

Kos dhe turshi shtëpie do i ndihmojnë në tretje. Frutave të mos u heqin lëkurën, fibra e frutave do i ndihmojë të treten më ngadalë, por do jenë më pak të fryrë.

Atyre që kane vendosur të prishin dietën  specialistet iu sugjerojnë te shmangin ngrënien emocionale ndërsa për ata që duan të vijojnë të mbajnë regjimin  ushqimor , por të mos  privohen as nga  tryeza plot iu këshillojnë

“Do te sugjeroja një çaj i ngrohtë para çdo vakti”, tha ajo.

Reduktimi i ushqimit mund te nise pas feste.

“7700 kalori që është 1 kg dhjam është e sigurt që s’do e vënë në një apo dy vakte. Me shume se të shmangin është të balancojnë ditën tjetër. Të nisim me  reduktimin e atyre qe e kemi tepruar, jo të hamë bakllavanë për 1 javë rresht”, tha ajo.

VIDEO/ Viti i Ri 2026 “troket” në Zelandë të Re, pritet me spektakël fishekzjarrësh

Zelanda e Re mirëpret Vitin e Ri 2026, duke shënuar momentin me një spektakël madhështor dritash dhe fishekzjarrësh. Qytetarët dhe turistët u mblodhën në qendrat kryesore të qyteteve për të ndjekur këtë traditë të veçantë, e cila simbolizon fillimin e një viti të ri me shpresë dhe gëzim.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

Spektakli i fishekzjarrëve ndriçoi qiellin e qyteteve kryesore të vendit, duke krijuar një atmosferë festive dhe plot emocione.

Familjet, por dhe vizitorët u bashkuan për të festuar, ndërsa muzika dhe ngjyrat e ndritshme “stolisën” natën e ndërrimit të viteve.

Zelanda e Re ka ka krijuar një traditë tashmë, që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Ajo njihet si një prej destinacioneve më të bukura për të pritur Vitin e Ri./abcnews.al

Gëzuar Vitin e Ri! 2026 troket zyrtarisht në “Ishullin e Krishtlindjeve”

Atolli Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve ka mirëpritur zyrtarisht vitin 2026, duke u bërë vendi i parë në botë që hyn në Vitin e Ri.

Pjesë të tjera të shtetit ishullor të Kiribatit në Paqësor do ta festojnë Vitin e Ri gjatë orëve në vijim.

Kiritimati është pjesë e shtetit të Kiribatit, i vendosur në Oqeanin Paqësor, në jug të Havait dhe në verilindje të Australisë. Kiribati përbëhet nga disa atolle – shkëmbinj koralorë në formë unaze – dhe shtrihet në një distancë prej gati 4,000 kilometrash nga lindja në perëndim.

Kiribati – që shqiptohet “Kiribas” – u shpall i pavarur nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1979. Vendi është shtëpia e rezervës më të madhe detare në Paqësorin Jugor. Shumë prej atolleve janë të banuara, por shumica e tyre janë shumë të ulëta mbi nivelin e detit dhe të rrezikuara nga rritja e nivelit të ujërave si pasojë e ngrohjes globale.

Arkipelagu ka rreth 116 mijë banorë. Pavarësisht se ndodhet pothuajse drejtpërdrejt në jug të Havait, Kiribati e feston Vitin e Ri një ditë më herët.

Në prag të ndërrimit të viteve/ Ilir Proda: Jemi në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit!

Në prag të Vitit të Ri 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, uroi qytetarët dhe punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e treguar gjatë vitit që po lëmë pas.

Në mesazhin e tij, Proda theksoi sfidat dhe përgjegjësitë e mëdha të vitit 2025, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të policisë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, qytetarët, mediat dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe besimin.

Ai përfundoi urimin me dëshirën për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë, duke theksuar se vetëm me përgjegjësi dhe besim mund të ndërtohet një vend më i sigurt në vitin 2026.

Mesazhi  i Ilir Prodës:

Në prag të ndërrimit të viteve, shpreh mirënjohjen time të thellë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë.

Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë.

Një falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleati ynë kryesor; për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë.

Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet, paqe dhe mbarësi! Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt!/abcnews.al

Ushtronin prostitucion në Tiranë, arrestohen tre vajza të huaja

TIRANË– Tre shtetase të huaja, dy kineze dhe një tajlandeze, u arrestuan nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në bulevardin “Zogu i parë”.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht gjashtë persona të tjerë që dyshohet se përfitonin nga kjo veprimtari.

Policia sekuestroi një shumë monetare dhe katër celularë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa vijon puna për identifikimin e të tjerëve të përfshirë në rrjet./abcnews.al

Lista e përfituesve/ Miratohet kompensimi për pronat për mbi 13 mijë familje

Mbi 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Promave. Lajmin e mirë e jep Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një video-mesazhi.

Ai shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekë do të shkojë në llogaritë bankare të pronarëve sot dhe në ditët e ardhshme. Ky kompensim është pjesa e mbetur prej 30% që ju takonte subjekteve për t’u shlyer plotësisht si pronarë.

Ministri i Drejtësisë thekson mes të tjerash se i ka kërkuar ATP-së “të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta”.

“Një tjetër lajm i mirë për të ndarë me ju sot, veçanërisht për shumë e shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti për pronat e tyre. Ndonëse shpesh u referohemi si ish-pronarë, në fakt nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon.

Sapo miratuam listën me plot 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30%.

Me nje fond prej rreth 1.4 miliard lekë, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por është diçka me tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin.

Me këtë pagesë që do të marrin nga sot e në ditët në vijim, kompensimi për këto familje sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër.

Njëkohësisht jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve. Kam kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta.

Teksa ne përparojmë çdo ditë në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Evropian, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushja e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj”,  tha ministri.

 

Nga Papa Fraçesku, tek Giorgio Armani dhe Brigitte Bardot/ Personalitetet botërore që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2025

Viti që po mbyllet ka lënë gjurmë të thella edhe në kulturën dhe jetën publike botërore, me humbjen e një sërë personalitetesh emblematike që shënuan dekada të tëra në art, politikë dhe jetën intelektuale.

Media greke “Protothema” ka publikuar një listë me emra të njohur ndërkombëtarisht, ku përfshihen figura si Papa Françesku, Robert Redford, Claudia Cardinale dhe Giorgio Armani, të cilët kanë lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushat përkatëse.

Në këtë renditje është përfshirë edhe Fatos Nano, ish-kryeministri i Shqipërisë, i cili u nda nga jeta pasditen e 31 tetorit, në moshën 73-vjeçare. Ish-kryeministri i Shqipërisë konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90, me një rol të spikatur në tranzicionin politik të vendit.

Më poshtë janë disa nga figurat e njohura që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2025.

Janar

  • David Lodge, 89 vjeç – shkrimtar britanik, i njohur për trilogjinë satirike mbi jetën akademike.

  • Rosita Missoni, 93 vjeçe – stiliste italiane dhe bashkëthemeluese e shtëpisë së modës Missoni.

  • Jean-Marie Le Pen, 96 vjeç – themelues i Frontit Kombëtar në Francë.

  • Oliviero Toscani, 82 vjeç – fotograf italian, i njohur për fushatat Benetton.

  • David Lynch, 78 vjeç – regjisor, shkrimtar dhe piktor amerikan.

  • Joan Plowright, 95 vjeçe – aktore britanike, bashkëshorte e Laurence Olivier.

  • Bertrand Blier, 85 vjeç – regjisor francez.

  • Jean-François Kahn, 86 vjeç – gazetar dhe themelues i revistave franceze.

  • Mauricio Funes, 65 vjeç – ish-president i El Salvadorit.

  • Marianne Faithfull, 78 vjeçe – këngëtare ikonë e “Swinging London”.

Shkurt

  • Horst Köhler, 81 vjeç – ish-president federal i Gjermanisë.

  • Karim Aga Khan, 88 vjeç – filantrop dhe udhëheqës shpirtëror.

  • Sam Nujoma, 95 vjeç – presidenti i parë i Namibisë.

  • Tom Robbins, 92 vjeç – shkrimtar amerikan.

  • Carlos Diegues, 84 vjeç – regjisor brazilian.

  • Rick Buckler, 69 vjeç – baterist i grupit britanik The Jam.

  • Gene Hackman, 95 vjeç – aktor amerikan, fitues i dy çmimeve Oscar.

  • Richard Chamberlain, 90 vjeç – aktor amerikan.

Prill

  • Val Kilmer, 65 vjeç – aktor amerikan.

  • Amadou Bagayoko, 70 vjeç – këngëtar nga Mali.

  • Mario Vargas Llosa, 89 vjeç – shkrimtar hispano-peruan, fitues i Nobelit.

  • Papa Françesku, 88 vjeç – lideri i Kishës Katolike, i njohur si “Papa i të varfërve”

  • Zurab Tsereteli, 91 vjeç – skulptor rus.

  • Virginia Giuffre, 41 vjeçe – aktiviste, e gjetur e vdekur në Australi.

Maj

  • José “Pepe” Mujica, 89 vjeç – ish-president i Uruguait.

  • Yuri Grigorovich, 98 vjeç – koreograf legjendar i Teatrit Bolshoi.

  • Sebastião Salgado, 81 vjeç – fotoreporter brazilian.

  • Mohamed Lakhdar-Hamina, 95 vjeç – regjisor algjerian, fitues i Palmës së Artë.

  • Marcel Ophüls, 97 vjeç – regjisor francez dokumentarësh.

  • Étienne-Émile Baulieu, 98 vjeç – mjek dhe shkencëtar francez.

Qershor

  • Edmund White, 85 vjeç – shkrimtar amerikan.

  • Frederick Forsyth, 86 vjeç – shkrimtar britanik.

  • Brian Wilson, 82 vjeç – themelues i The Beach Boys.

  • Lea Massari, 91 vjeçe – aktore italiane.

  • Bobby Sherman, 81 vjeç – këngëtar dhe aktor amerikan.

  • Lalo Schifrin, 93 vjeç – kompozitor i temës së “Mission Impossible”.

Korrik

  • Ozzy Osbourne, 76 vjeç – këngëtar i Black Sabbath.

  • Hulk Hogan, 71 vjeç – legjendë e wrestling-ut.

  • Bob Wilson, 83 vjeç – regjisor amerikan i teatrit dhe operës.

Gusht

  • Ion Iliescu, 95 vjeç – ish-president i Rumanisë.

  • Jim Lovell, 97 vjeç – astronaut i NASA-s, komandant i Apollo 13.

  • Terence Stamp, 87 vjeç – aktor britanik.

  • Rodion Shchedrin, 92 vjeç – kompozitor rus.

Shtator

  • Giorgio Armani, 91 vjeç – stilist italian.

  • Rosa Roisinblit, 106 vjeç – aktiviste e “Gjysheve të Plaza de Mayo”.

  • Rick Davies, 81 vjeç – këngëtar i Supertramp.

  • David Baltimore, 87 vjeç – biolog, fitues i Nobelit.

  • Charlie Kirk, 31 vjeç – influencues amerikan, i vrarë gjatë aktiviteti publik.

  • Robert Redford, 89 vjeç – aktor dhe regjisor amerikan.

  • Claudia Cardinale, 87 vjeçe – aktore italiane.

Tetor

  • Jane Goodall, 91 vjeçe – primatologe dhe aktiviste.

  • Jilly Cooper, 88 vjeçe – shkrimtare britanike.

  • John Lodge, 82 vjeç – këngëtar i The Moody Blues.

  • Diane Keaton, 79 vjeçe – aktore amerikane, fituese e Oscarit.

  • Ace Frehley, 74 vjeç – kitarist dhe bashkëthemelues i Kiss.

  • Chen-Ning Yang, 103 vjeç – fizikan fitues i Nobelit.

  • Björn Andrésen, 70 vjeç – aktor suedez.

  • Jack DeJohnette, 83 vjeç – baterist xhazi.

  • Prunella Scales, 93 vjeçe – aktore britanike.

  • Fatos Nano, 73 vjeç – ish-kryeministër i Shqipërisë.

Nëntor

  • Dick Cheney, 84 vjeç – ish-nënpresident i SHBA.

  • James Watson, 97 vjeç – biolog, bashkëzbulues i ADN-së.

  • Ornella Vanoni, 91 vjeçe – këngëtare italiane.

  • Jimmy Cliff, 81 vjeç – këngëtar legjendar xhamajkan.

  • Tom Stoppard, 88 vjeç – dramaturg britanik, fitues i Oscarit.

Dhjetor

  • Steve Cropper, 84 vjeç – kitarist amerikan.

  • Frank Gehry, 96 vjeç – arkitekt kanadezo-amerikan.

  • Martin Parr, 73 vjeç – fotograf britanik.

  • Rob Reiner, 78 vjeç dhe bashkëshortja Michelle Singer, 68 vjeçe – regjisor amerikan.

  • Anthony Price, 80 vjeç – stilist britanik.

  • Peter Arnett, 91 vjeç – korrespondent lufte, fitues i Pulitzer.

  • Chris Rea, 74 vjeç – këngëtar britanik.

  • Perry Bamonte, 65 vjeç – kitarist i The Cure.

  • Brigitte Bardot, 91 vjeçe – aktore dhe aktiviste për të drejtat e kafshëve.

EMRI/ Mbante armë zjarri, arrestohet 31-vjeçari në Korçë

KORÇË- Policia ka arrestuar 31-vjeçarin Andi Qeraxhi, i cili u kap në flagrancë teksa ndodhej në një lokal të qytetit, ndërsa mbante me vete dhe një armë zjarri pistoletë.

Arrestimi u krye gjatë një kontrolli rutinë të ushtruar nga forcat e policisë në ambientet e lokalit, ku shërbimet konstatuan se i riu mbante armë zjarri pa leje.

Ndërkaq, Andi Qeraxhi është emër i njohur për policinë, pasi në të kaluarën ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale, kryesisht në tregtimin e lëndëve narkotike.

Po ashtu, në vitin 2017, 31-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të një lokali, ngjarje për të cilën është proceduar më herët nga autoritetet.

Në kërkim për dhjetëra vjedhje/ Arrestohet 35-vjeçari në Mirditë, pritet ekstradimi drejt Italisë

Policia e Mirditës ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i akuzuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Konkretisht bëhet fjalë për Martin Zheri (Tirtja) 35 vjeç, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Sipas autoriteteve, Gjykata e Milanos i kishte caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim prone, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

35-vjeçari akuzohet se gjatë vitit 2023, në bashkëpunim me disa persona të tjerë të armatosur, ka kryer 71 vjedhje dhe tentativa për vjedhje në banesa, në 4 rajone të Italisë, duke u larguar nga vendngjarjet me automjete.

Gjatë operacionit, u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz”, me të cilin lëvizte i ndaluari. Ndërkohë, nisi procedimi penal për veprën “Përkrahja e autorit të krimit” ndaj një 37 vjeçari, banues në Mirditë, i cili drejtonte automjetin në momentin e kapjes.

 Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për përfundimin e procedurës së ekstradimit të 35-vjeçarit drejt Italisë.

Humbje që lanë boshllëk/ Nga arti tek politika, personalitetet që u shuan në vitin 2025

Gjatë vitit2025, Shqipëria humbi një numër të madh personalitetesh të shquara të jetës publike. Brenda një viti, vendi i dha lamtumirën figurave të rëndësishme nga politika, arti, kultura, muzika, media dhe feja, të cilët për dekada me radhë kontribuuan në formësimin e identitetit dhe zhvillimin shoqëror të vendit.

Nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe ish-kryeministri Fatos Nano, te artistë ikonë si Margarita Xhepa, Dhimitër Anagnosti dhe Violeta Sekuj, si edhe emra të njohur të medias dhe muzikës, këto humbje kanë lënë një boshllëk të thellë në jetën publike shqiptare.

Viti 2025 mbetet kështu një vit reflektimi, përkujtim dhe nderimi për figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë.

Më poshtë gjeni të përmbledhur emrat e personaliteteve që ndërruan jetë gjatë 2025:

25 janar 2025 – Anastas Janullatos
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Një figurë emblematike e besimit dhe dialogut fetar, ai la pas një trashëgimi të rëndësishme shpirtërore dhe shoqërore në Shqipëri dhe më gjerë.

9 mars 2025 – Andis Harasani
Ish-deputet dhe ish-drejtues i KESH-it, Harasani u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare në New York. Ai ishte një nga emrat më të njohur në politikat energjetike shqiptare.

3 prill 2025 – Margarita Xhepa
Ikonë e teatrit dhe kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare. Me një karrierë mbi tetë dekada, ajo mbetet një simbol i artit dhe kulturës shqiptare.

23 maj 2025 – Artan Lame
Publicist, historian dhe studiues i njohur, Artan Lame u nda nga jeta duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në historiografi, media dhe studime shoqërore.

23 korrik 2025 – Violeta Sekuj
Aktorja e njohur e teatrit shqiptar u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare. Ajo ishte një figurë e dashur dhe me ndikim në zhvillimin e artit skenik.

28 gusht 2025 – Naun Shundi
Aktor dhe dramaturg i njohur, Shundi u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në dramaturgjinë shqiptare.

Gusht 2025 – Artur Zheji
Gazetar dhe analist politik, Artur Zheji u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare. Ai ishte një zë i rëndësishëm në gazetari dhe debatin publik shqiptar.

1 shtator 2025 – Dhimitër Anagnosti
Një nga regjisorët më të shquar të kinemasë shqiptare, Anagnosti u nda nga jeta duke lënë pas filma që shënuan historinë e artit shqiptar.

22 shtator 2025 – Enver Petrovci
Aktor i njohur i skenës shqiptare dhe kosovare, Petrovci ishte një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinemasë në hapësirën mbarëkombëtare.

Shtator 2025 – Luiza Çako
Soprano e njohur, një nga zërat më të spikatur të muzikës shqiptare, e cila kontribuoi në ngritjen e artit operistik në vend.

30 tetor 2025 – Dorian Kongoli
Djali i shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli, ndarja e tij nga jeta tronditi opinionin publik dhe botën letrare.

31 tetor 2025 – Fatos Nano
Ish-kryeministër i Shqipërisë dhe një nga figurat kyçe të politikës shqiptare pas viteve ’90. Vdekja e tij u shoqërua me ditë zie kombëtare dhe reflektim mbi trashëgiminë e tij politike.

26 nëntor 2025 – Shpat Kasapi
Këngëtar i njohur dhe i dashur nga publiku, u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare. Humbja e tij la një boshllëk të madh në muzikën shqiptare.

Pesë personazhet që “pushtuan” faqet e mediave botërore në 2025

Nga xhihadisti i shndërruar në burrë shteti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, te Virginia Giuffre, akuzuesja e amerikanit të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein: këto janë pesë figura që definuan vitin 2025.

Ahmed al-Sharaa

Nga një ish-xhihadist i njohur si Abu Mohammed al-Jolani në president të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm qëkurse sundimtari i kamotshëm, Bashar al-Assad, u rrëzua nga pushteti.

Më 8 dhjetor 2024, Sharaa hyri në Damask pasi udhëhoqi ofensivën e rrufeshme të aleancës së tij islamiste nga bastioni i tyre në veriperëndim të Sirisë, duke i dhënë fund luftës civile që zgjati gati 14 vjet.

Duke e shkurtuar mjekrën dhe duke ndërruar uniformat ushtarake me kostume, Sharaa u vendos në pallatin presidencial ku Assadi – i cili u arratis në Rusi – dhe dinastia e familjes së tij sunduan për dekada.

Sharaa e mbërtheu shpejt pushtetin: ai u emërua president për një periudhë kalimtare pesëvjeçare dhe formoi një qeveri në të cilën aleatët e tij mbajnë poste kyç, megjithëse disa pjesë të vendit mbeten ende jashtë kontrollit të tyre.

Komuniteti ndërkombëtar e ka pritur kryesisht me krahë hapur, pavarësisht episodeve të dhunës sektare kundër pakicave alavite dhe druze gjatë këtij viti.

Shtetet e Gjirit, aleati kryesor Turqia dhe Franca janë ndër vendet që e kanë pritur Sharaan, i cili iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Kush është udhëheqësi militant sirian që rrëzoi Assadin?

Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë në nëntor ishte njohja kulmore për një njeri, për të cilin dikur jepej shpërblim prej 10 milionë dollarësh për ta kapur.

MrBeast

Në vitin 2025, krijuesi më me ndikim i përmbajtjes online në botë ndërmori projekte të reja ekstravagante, nga një park argëtimi, një serial i animuar, deri te një markë lodrash.

Në vendin e parë në YouTube me mbi 450 milionë ndjekës, Jimmy Donaldson – ose MrBeast – drejton një perandori të ndërtuar rreth personalitetit të tij, e cila përfshin një markë çokollate, një zinxhir restorantesh dhe madje edhe një serial në Amazon Prime.

Krijuesi amerikan 27-vjeçar u pozicionua madje si një pretendent për blerjen e rrjetit social TikTok në Shtetet e Bashkuara.

Duke filluar me video udhëtimesh ose shakash, marka e tij dalluese tani është bërë gara popullore me çmime që shpesh arrijnë shifra shtatëshifrore. Në një rast, ai riprodhoi konceptin e serialit televiziv të suksesshëm “Squid Game”.

Në shtator, videoja e tij “A do ta rrezikoje jetën për 500.000 dollarë?”, që përfshinte një kaskader në një ndërtesë që digjej, u dënua nga disa, pasi kritikët e akuzuan e vuri në rrezik jetën e njerëzve për argëtim.

I shpallur në vitin 2023 nga revista Time si një nga njerëzit më me ndikim në botë, MrBeast ka një pasuri prej rreth gjysmë miliardi dollarësh, sipas Forbes.

Maria Corina Machado

Udhëheqësja e opozitës venezuelase e fshehur, Maria Corina Machado, është sfiduese e guximshme e një qeverie me dorë të hekurt. Ky rol ia siguroi asaj Çmimin Nobel për Paqen 2025.

Pra, 58-vjeçarja nuk ka hequr dorë kurrë nga kritikat ndaj presidentit Nicolas Maduro – i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve të njëpasnjëshme për të qëndruar në pushtet dhe për burgosjen e kundërshtarëve – apo ndaj paraardhësit të tij socialist, Hugo Chavez.

Megjithatë, ajo është kritikuar për për lidhjet e saj me të djathtën ekstreme në Evropë.

Inxhiniere me profesion, Machado gëzon një popullaritet të ngjashëm me atë të yjeve të muzikës dhe një aftësi për të mbledhur turma të mëdha me fjalime entuziaste.

Ajo ishte kandidate e opozitës për zgjedhjet presidenciale në Venezuelë në vitin 2024, por ia ndalua pjesëmarrja.

Në vend që të tërhiqej në heshtje, ajo bëri fushatë pa u lodhur për zëvendësuesin e saj: ish-diplomatin pak të njohur Edmundo Gonzalez Urrutia.

Maduro shpalli fitoren zgjedhore, por vetëm një grusht vendesh e njohën rezultatin e tij.

Gonzalez Urrutia iku në mërgim në Spanjë, por Machado mbeti për të udhëhequr rezistencën nga fshehja.

“Do të jem aty ku mund të jem më e dobishme për vendin tonë”, i tha ajo AFP-së në tetor.

Oleksandr Usyk

Ukrainasi Oleksandr Usyk u bë njëri nga boksierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në vitin 2025.

Në moshën 38-vjeçare, Usyk u bë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë për herë të dytë në korrik, pasi nokautoi Daniel Duboisin në stadiumin Wembley.

Ai thotë se lavdia nuk është për veten e tij, por për kombin e tij të goditur nga lufta, Ukrainën, dhe për ata që e mbrojnë atë kundër forcave ruse.

“Dua ta falënderoj të gjithë Ukrainën, djemtë që po mbrojnë vendin tonë. Kam marrë mesazhe të panumërta nga ushtarë… aktualisht në vijën e frontit”, tha ai. “Djem, ju jeni të jashtëzakonshëm; ju ma mundësoni të jem këtu sot”.

Usyk, i cili ka fituar të gjitha 24 ndeshjet e tij profesionale, ka valëvitur flamurin e Ukrainës, qoftë duke mbledhur fonde apo duke folur publikisht, pasi u bind të mos i kapte vetë armët në dorë.

Ai përdori gjithashtu fonde për të rindërtuar shtëpinë e Oleksiy Dzhunkivskyi, një mik dhe ish-bashkëlojtar që u vra nga forcat ruse në Irpin, një periferi e Kievit.

“Gjatë tri vjetëve të fundit, fondacioni im ka mbledhur miliona euro nga donatorë të ndryshëm për të mbështetur ushtrinë, përpjekjet e rindërtimit dhe projektet humanitare”, i tha ai AFP-së në mars.

Virginia Giuffre

Virginia Giuffre – e cila ishte ndër gratë kryesore që i akuzuan të dënuarit për abuzime seksuale, Jeffrey Epsteinin dhe ish-princin britanik Andrew – i dha fund jetës së vet në prill në moshën 41-vjeçare.

Për gati 15 vjet, ajo foli për përdhunimin nga financieri kur ishte e mitur dhe pretendoi se ishte shfrytëzuar seksualisht nga disa prej miqve të fuqishëm të Epsteinit, përfshirë princin e atëhershëm Andrew.

Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.

Bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, po vuan një dënim me 20 vjet burgim, dhe Andrew i janë hequr të gjithë titujt mbretërorë.

Giuffre krijoi një familje në Australi dhe themeloi “Speak Out, Act, Reclaim”, një grup mbështetës për viktimat e trafikimit seksual dhe abuzimit seksual. Kujtimet e saj u botuan së fundmi pas vdekjes./REL

Besëtytnitë e Vitit të Ri, zakone të vjetra për një vit të mbarë

Nata e Vitit të Ri festohet gjerësisht në botë dhe është një ditë kur të gjithë mundohen të harrojnë të gjitha streset dhe të kalojnë mirë në shoqërinë e njerëzve të dashur. Mes shumë traditave që e shoqërojnë këtë festë, siç janë bakllavaja, gjeli i detit dhe mbushja e tryezës plot me ushqime të mira, ekzistojnë edhe shumë besëtytni, të cilat dashur – padashur i besojmë.

Disa besëtytni i kemi të dëgjuara nga gjyshet, disa të tjera i kemi huazuar nga vendet e ndryshme të botës, por shumë njerëz i respektojnë. Cilat janë disa prej këtyre besëtytnive, që njerëzit besojnë për natën e ndërrimit të viteve?

Gatimi i thjerrëzave

Besëtytnia e gatimit të thjerrëzave vjen nga Italia dhe simbolizon monedhat, pasi në antikitetin romak dhurohej gjithmonë një çantë me thjerrëza duke shpresuar që ato të shndërroheshin në monedha.

Hapja e një kokërr shege

Një kokërr shegë e hapur dhe e vendosur mbi tryezën e shtëpisë mendohet të sjellë mbarësi. Grekët mendojnë se ky frut është fatsjellës për nisjen e vitit. Ata e përplasin shegën në derën kryesore të shtëpisë dhe sa më shumë kokrra të dalin prej saj, aq më i mbarë do të jetë viti.

Konsumimi i rrushit

Në Spanjë njerëzit konsumojnë 12 kokrra rrush natën e Vitit të R, nga një kokërr për çdo muaj. Sipas tyre ky frut simbolizon bollëkun.

Frutat e rrumbullakëta

Në disa vende të tjera, kryesisht në Filipine, tryeza mbushet me fruta të rrumbullakëta, pasi kjo është forma e monedhave dhe supozohet të sjellë të ardhura.

Puthja

Një tjetër gjë që mendohet të sjellë mbarësi është shkëmbimi i një puthjeje në mesnatë.

Hapja e një shisheje shampanjë

Edhe shampanja sjellë mbarësi, kështu që sigurohuni që të hapni një shishe shampanjë në mesnatë për të festuar mbërritjen e Vitit të Ri.

Por, cilat janë gjërat që nuk duhet të bëjmë natën e ndërrimit të viteve, pasi mendohet se sjellin fat të keq?

Viti i Ri nuk duhet t`ju gjejë me borxhe

Shumë njerëz mendojnë se nëse Viti i Ri ju gjen me borxhe, edhe vitin që vjen do ta kaloni duke marrë borxhe.

Mos e mbaroni të gjithë pjatën

Viti i Ri duhet t`ju gjejë me tavolinën plot, kështu që kujdesuni që të lini diçka në pjatë dhe të mos i konsumoni të gjitha para se ora të shënojë 00:00.

Mos i prisni bananet

Bananet mendohet se sjellin fat të keq. Nëse i keni në shtëpi, mos i prisni dhe as mos i konsumoni natën e Vitit të Ri, lërini për të nesërmen (gjithmonë nëse jeni supersticiozë).

Ushqime të tjera që duhet të evitohen janë gjërat me krahë, si pula, pasi mendohet se fati fluturon tutje nëse i konsumoni. Po ashtu, nuk duhet të konsumohet arragosta, duke qenë se ajo ecën mbrapsht dhe njësoj mund të ecë fati juaj vitin që vjen.

Zvicër, ushtria do të rrisë shpenzimet për të modernizuar forcat e saj

Ushtria e Zvicrës po planifikon zgjerim të madh të shpenzimeve të saj për kërkim dhe bashkëpunim më të ngushtë me universitetet për të modernizuar teknologjinë e saj deri në vitin 2030, raportoi sot transmetuesi publik SWI.

Zyra Federale për Prokurimin e Mbrojtjes, e njohur si Armasuisse, dëshiron të rrisë buxhetin e saj të kërkimit në 2 për qind të buxhetit të përgjithshëm të ushtrisë deri në fund të dekadës, duke u përqendruar në dronë, siguri kibernetike dhe teknologji mbikëqyrjeje.

Ky qëllim është përcaktuar në strategjinë aktuale të armatimit të qeverisë zvicerane. Armasuisse tani ka përshkruar se çfarë mund të nënkuptojë kjo për arsimin e lartë. Planifikon të investojë rreth 10 herë më shumë para në projekte kërkimore universitare sesa investon.

Fokusi kryesor do të jetë në dy institutet federale të teknologjisë të Zvicrës, ETH Zurich dhe EPFL në Lozanë. Aktualisht, ETH Zurich vepron kryesisht si vëzhgues teknologjik për ushtrinë dhe në disa zona si nxitës i ‘startup’-eve në sektorin e mbrojtjes. Sipas strategjisë së re, qeveria dëshiron partneritet më të strukturuar.

Zëvendësdrejtori i Armasuisse-s, Thomas Rothacher tha se në të ardhmen ETH duhet të identifikojë boshllëqet teknologjike brenda ushtrisë. “Së bashku, ata mund të zhvillojnë zgjidhje inovative”, tha ai duke përshkruar planet për projekte kërkimore më të mëdha dhe më sistematike.

“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ky ngurrim është zvogëluar dhe interesi për të bërë diçka për mbrojtjen është rritur ndjeshëm në universitete”, shtoi ai.

❌