Temperaturat e ulëta kanë përfshirë veriun e vendit, duke sjellë reshje dëbore kryesisht në zonat malore. Në Qarkun Shkodër, akset rrugore në Qafë Thorë, Vermosh dhe Theth janë zbardhur nga dëbora, ndërsa strukturat përgjegjëse kanë dalë në terren për monitorimin e situatës dhe garantimin e qarkullimit normal.
Sipas prefekturës së Shkodrës, në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore reshjet e dëborës janë me intensitet të ulët deri mesatar. Në Qafë Thorë, trashësia e dëborës ka arritur rreth 15 cm, por qarkullimi rrugor vijon pa probleme. Në aksin Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse në disa segmente rruga paraqitet me ngrica.
Në qytetin e Koplikut raportohen reshje dëbore me trashësi rreth 3 cm. Në zona të tjera malore, reshjet vijojnë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm, ndërsa rrugët janë të hapura dhe qarkullimi zhvillohet normalisht. Edhe në bashkitë e tjera të qarkut, trashësia e dëborës arrin rreth 5 cm, pa situata problematike të raportuara.
Ndërkohë, në Qarkun Kukës, i gjithë territori vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët, të shoqëruara me erë, ndërsa në lartësitë mbi 700 metra ka reshje bore. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme dhe nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika emergjente.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës është i furnizuar, me përjashtim të njësive administrative Margegaj, Lekbibaj dhe fshatit Berishë në Njësinë Administrative Bytyç, bashkia Tropojë.