Mateta nuk do t’i bashkohet Juventusit, do të zgjedhë njërën mes dy skuadrave angleze

Jean-Philippe Mateta ka vendosur të largohet nga Crystal Palace dhe e ardhmja e tij do të mbetet në Ligën Premier, pavarësisht interesimit nga Juventusi.
Sulmuesi francez ka në tavolinë dy oferta konkrete dhe fitimprurëse nga futbolli anglez dhe pritet të zgjedhë mes Aston Villa dhe Chelsea.
Vendimi për largim vjen pas një periudhe të trazuar te Crystal Palace. Kapiteni dhe qendërmbrojtësi Marc Guehi është larguar nga klubi, ndërsa trajneri Oliver Glasner ka njoftuar gjithashtu largimin e tij.
Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt te Mateta, i cili është i zhgënjyer me menaxhimin e klubit dhe veprimet në tregun e transferimeve, duke besuar se premtimet e dhëna nuk janë përmbushur.
Interesimi i Juventusit ishte konkret, por kërkesa e Crystal Palace prej rreth 40 milionë eurosh u konsiderua shumë e lartë nga klubi italian, i cili përfundimisht u tërhoq nga gara.
Aktualisht, Aston Villa shihet si opsioni më i afërt për transferimin e Matetës, pasi palët kanë arritur një marrëveshje për pagën, kohëzgjatjen e kontratës dhe kushtet personale.
Megjithatë, situata mbetet e hapur, pasi në garë është futur edhe Chelsea, i cili pritet të paraqesë një ofertë konkurruese.
“Blutë” njihen për aftësinë e tyre për të investuar shuma të mëdha në merkato, edhe pse këto lëvizje shpesh kanë sjellë dilema në të kaluarën. Vendimi final i Matetës pritet në ditët në vijim, ndërsa gara mes dy klubeve angleze mbetet e hapur. /Telegrafi/






































