Modric: Mourinho e bëri Ronaldon të qante te Real Madridi

Mesfushori kroat i Milanit, Luka Modric, deklaroi të mërkurën se Jose Mourinho ishte një trajner kaq i rreptë gjatë kohës së tyre te Real Madrid, sa që njëherë e bëri Cristiano Ronaldon të qante.
“E pashë që e bëri Cristiano Ronaldon të qante në dhomën e zhveshjes, një njeri që jep gjithçka në fushë, vetëm pse një herë nuk i bëri presion mbrojtësit kundërshtar”, tha Modric për gazetën italiane Corriere della Sera.
Ronaldo, tashmë 40 vjeç dhe te Al Nassr, u stërvit nga Mourinho në Madrid për tre vite, nga 2010 deri në 2013 dhe rrëfimi i Modricit për këtë moment emocional pasqyron marrëdhënien e tyre shpesh të tensionuar, e cila është përshkruar në detaje në një biografi të Ronaldos nga gazetar veterani spanjoll Guillem Balague, botuar në vitin 2015.
Modric luajti te Real Madridi me Ronaldon për gjashtë sezone nën drejtimin e Mourinho, Carlo Ancelotti, Zinedine Zidane dhe Rafa Benitez.
Ronaldo, që luajti nëntë sezone për ‘Los Blancos’, është pesë here fitues i Topit të Artë. Me Real Madridin ai fitoi katër herë Ligën e Kampionëve, tre herë Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e UEFA-s, dy herë titullin e La Ligës, dy Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa të Spanjës.
Mourinho ishte trajneri që e transferoi Modricin nga Tottenham Hotspur dhe besimi i tij te mesfushori u shpërblye. Ata fituan së bashku Superkupën e Spanjës, ndërsa ndikimi i Modricit te e ardhmja e Madridit u bë i qartë.
Pavarësisht momenteve të tensionuara, Modric e përshkroi Mourinhon si “të veçantë".
“Si trajner dhe si person, ai ishte ai që më donte te Real Madrid. Pa Mourinhon, unë kurrë nuk do të kisha ardhur. Më vjen keq që e pata vetëm një sezon pranë tij”, ka deklaruar kroati./Telegrafi/

































