Pas tubimit mjaft mikpritës në Gjakovë, kandidati për kryeministër Albin Kurti, në një darkë të këndshme, bashkëbisedoi edhe me veteranët e arsimit si dhe veprimtarët gjakovarë.
Mentor Kaçi, Malush Tullumk, Blerim Zajmi, Ruzhdi Sefa dhe Feim Komoni ishin disa nga veteranët prezentë në këtë darkë.
Ndërsa Kurti ishte i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga komuna e Gjakovës. /Telegrafi/
Distributori Union sh.p.k. ka lëshuar një komunikatë për shtyp duke e informuar opinionin publik lidhur me sigurinë dhe cilësinë e formulës për fëmijë Aptamil AR 1, i cili është në treg me datën e skadencës 17.05.2026 dhe lotin 111444865.
Në reagim ndaj shqetësimeve të mundshme për cilësinë e produktit, kompania ka siguruar se Aptamil AR 1 është një produkt i sigurt dhe i kontrolluar.
"Të gjitha formulat për fëmijë të markës Aptamil prodhohen duke respektuar standardet e larta të sigurisë dhe cilësisë, dhe se janë në përputhje me rregullat më të ashpra evropiane për sigurinë e ushqimit", thuhet në njoftim.
Pas shqetësimit të ngritur nga autoritetet kompetente në Republikën e Kosovës dhe Kroaci lidhur me një seri të caktuar të produktit Aptamil AR 1, kompania ka realizuar analiza të thelluara dhe ka konfirmuar se produktet janë të sigurta për konsum.
Autoritetet e inspektoratit të ushqimit dhe agjencitë përkatëse kanë dhënë gjithashtu miratimin për vazhdimin e shpërndarjes së produktit në treg.
Union sh.p.k. i bën thirrje mediave dhe konsumatorëve të sigurohen që çdo informacion të vijë vetëm nga burime të verifikuara, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve.
Për më shumë informacion, konsumatorët mund të kontaktojnë Union sh.p.k. përmes kanaleve të tyre të komunikimit të verifikuara. /Telegrafi/
Me fillimin e reshjeve të borës, operatorët e mirëmbajtjes rrugore janë aktivizuar për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Me fillimin e reshjeve të borës, janë aktivizuar operatorët e mirëmbajtjes për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve dhe janë vënë në gjendje gatishmërie,” ka deklaruar Durmishi.
Ai ka theksuar se institucionet janë të përgatitura për sezonin dimëror dhe se synimi është që qarkullimi të mos pengohet nga kushtet atmosferike.
“Siç kemi theksuar, jemi të përgatitur që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme gjatë sezonit dimëror,” ka shtuar ai.
Megjithatë, ushtruesi i detyrës së ministrit ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, për shkak të kushteve të vështira në rrugë.
“Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet i domosdoshëm,” ka përfunduar Durmishi./Telegrafi/
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se produkti i qumështit për fëmijë Aptamil AR1 është vlerësuar i sigurt për konsum dhe sërish lejohet të shitet në treg.
Ky njoftim vjen pas një ndalimi të përkohshëm të produktit me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë.
Ndalimi ishte masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.
"Pas ritestimeve të kryera nga autoritetet kompetente të Holandës, analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, duke konfirmuar se Aptamil AR1 është i sigurt për konsum", thuhet në njoftim.
AUV thekson se do të vazhdojë të monitorojë situatën me kujdes dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin dhe prodhimin e produkteve ushqimore, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në territorin e komunës.
Sipas tij, këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët dhe bizneset lokale.
Në një reagim zyrtar, Kastrati thekson se situata është veçanërisht e vështirë në këtë periudhë, kur temperaturat janë të ulëta, është afër festave të fundvitit dhe prezente është edhe diaspora.
Ai paralajmëron se ndërprerjet po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme, funksionimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve komunale, si dhe po krijojnë pasoja ekonomike për bizneset.
Kryetari i Komunës ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për trajtimin e situatës energjetike dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Malishevës. Ai ka kërkuar gjithashtu nga KEDS dhe KESCO sqarime për arsyet e ndërprerjeve dhe ndërhyrje urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë.
“Qytetarët e Malishevës meritojnë trajtim të barabartë, ashtu si çdo komunë tjetër e vendit. Furnizimi me energji elektrike është një shërbim bazik dhe e drejtë themelore që duhet të garantohet pa përjashtime,” ka deklaruar Kastrati.
Komuna e Malishevës ka njoftuar se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të menjëhershme dhe afatgjata për këtë problem. /Telegrafi/
Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafes, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar Hysni Gucati, kryetari i OVL e UÇK-së, i cili shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të ndjerit.
Gucati në një postim në rrjetet sociale shkruan se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se djali i të ndjerit, Salih Mustafa, nuk ka mundur ta vizitojë babanë në momentet e fundit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.
"Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!", ka shkruar Gucati.
Ndërkaq në një reagim OVL UÇK ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.
"Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale", thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së shton se mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.
"Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja", thuhet në reagim.
I ndjeri ishte tash e një kohë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa djalit të tij, ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili gjendet në burg në Gjykatën Speciale, nuk iu lejua vizita ditë më parë. /Telegrafi/
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarë e Kosovës, të cilët raportojnë se faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak.
Në reagimin e KLMDLNj-se thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh faktin se temperaturat mes dy muajve nuk kanë shënuar dallime të ndjeshme, çka përjashton nevojën për rritje të konsumit të energjisë elektrike.
“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.
Po ashtu sipas KMDLNj, ZRRE, që nga themelimi i saj, ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin.
“Këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor, i cili ka konstatuar se ZRRE ka diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, pa pasuar asnjëherë kompensim për dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve shqiptarë dhe joserbë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu sipas KLMMbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRrE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për këtë situatë, duke u identifikuar si pjesëmarrëse në varfërimin e skajshëm të qytetarëve.
KMDLNj shpreh po ashtu shqetësim të thellë për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshimet e bazuara për korrupsion që përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren kujdestare Artane Rizvanolli.
“Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë. Po ashtu, licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, përfshirë persona të afërt me Kryeministrin kujdestar, nxit dyshime serioze për një korrupsion institucional të mirëplanifikuar, i cili synon përfitime të kundërligjshme në dëm të qytetarit dhe të shtetit. Veçanërisht alarmante është dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë elektrike një personi me emrin Vuk Hamović, shtetas i Serbisë, i biri i ish-kreut të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, çka përbën rrezik serioz jo vetëm ekonomik, por edhe të sigurisë kombëtare të Kosovës”, thuhet në reagim.
Po ashtu KMDLNj i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës që të: hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj; Hetojë dhënien e licencës monopolizuese Vuk Hamoviçit; Hetojë dhënien e licencave për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike; Hetojë vendosjet politike në pozita kyçe dhe largimet nga puna për shkaqe politike si dhe të hetojë të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.
Sipas KMDLNj, ZRRE ka paralajmëruar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të çmimit të rrymës që nënkupton përkeqësim edhe më të madh të gjendjes ekonomike për pjesën dërrmuese të familjeve kosovare. Sipas reagimit, rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve andaj qytetarët duhet ya kundërshtojnë pavarësisht se cila qeveri ka pushtetin. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar urimet e tij për Krishtlindjet, duke theksuar rëndësinë e festës si një kohë reflektimi dhe mirënjohjeje.
Në një postim, Kurti ka shkruar se Krishtlindja është kremtim dhe reflektim.
"Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë", ka shkuar Kurti.
Kreu i Qeverisë në detyrë ka theksuar se në këtë ditë të shënuar besimtarët e krishterë paçin begati .
"Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti.
Ky mesazh nënvizon vlerat e solidaritetit, respektit dhe dashurisë në këtë periudhë festive. /Telegrafi/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.
"Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!", thuhet në urim.
Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë mëngjes qytetarët shqiptarë me një urim të veçantë për Krishtlindje.
Në postimin e bërë në rrjetet sociale, ai shoqëroi urimin me një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.
“Mirëmëngjes dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, ‘Çeta e Profetëve’, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama, duke ndërthurur mesazhin festiv me vlerën e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ky urim vjen në kuadër të festave të fundvitit, ku Kryeministri ka shpeshherë traditë të ndajë mesazhe reflektuese dhe artistike me qytetarët./euronews/
Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, kundër subjektit politik Lista Serbe, me seli në veri të Mitrovicës.
Kjo ankesë lidhej me shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Në vendimin e datës 24 dhjetor 2025, PZAP pranoi ankesën e subjektit Kosovski Savez dhe konstatoi se subjekti Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe detyrimet e tyre ndaj kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.
Për këtë arsye, Lista Serbe është gjobitur me 30,000 euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.
Ky vendim vjen pas një ankese të dorëzuar më 23 dhjetor 2025, ku subjekti Kosovski Savez pretendonte se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, duke shkelur rregullat e fushatës zgjedhore.
Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa thekson rëndësinë e respektimit të Kodit të Mirësjelljes për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. /Telegrafi/
Një person është arrestuar të martën pasdite në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në trup dhe në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar 534.6 gram substanca të dyshuara narkotike, të paketuara në qese plastike.
Po ashtu, nga i dyshuari është konfiskuar edhe një telefon celular.
I dyshuari është intervistuar në prani të organeve kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.
Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/
Nga 1 janari sipas ligjit të ri do të nisë të zbatohet norma progresive e tatimit në pronë. Në bazë të ligjit pritet që pronave komerciale t’u rritet tatimi, siç thuhet, deri 300%. Në këtë situatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, përmend ambientin e rënduar në Kosovës për bizneset.
“Mes shumë sfidave që ka kaluar biznesi, sfidë e rradhës është edhe kjo, ligji i ri për tatimin në pronë që rrezikon bizneseve tu rritet tatimi në pronë deri në 200-300%…”, tha Rafuna për RTV21.
Qeveria në vitin 2024 përmes ligjit për buxhetin kishte prolonguar ligjin e ri për tatimin në pronë për janarin e viti 2026. Arsyetimi i ministrisë për shtyrjen e zbatimit të këtij ligji lidhet mos funksionalizimin e sistemit që bënë përllogaritjet e reja. Ndërkohë, në këtë situatë ish-ministri i financave Haki Shatri përmend sfidat që ka shtyrja e serishme e këtij ligji.
“Këta atë vit e shtynë ligjin përmes ligjit për buxhetin, dihet që atëherë kanë pasur 51% dhe ajo arroganca e numrave edhe ndodhi qysh ndodhi u prolongua. Tash prap përmes ligjit për buxhetin në një nen të veçant kanë vendosë me e shty, por, zvarritja që bënë në mosfromimin e institucioneve dhe shkuarja sërish në zgjedhje rrezikon që bizneset kësti i parë i tatimit në pronë t’i prekë me dyfish apo trefish më shtrenjtë bizneset…”, tha Shatri.
Aktualisht shkalla tatimore për pronat komerciale është 0.17% e vlerës së pronës. Në bazë të shkallës tatimore progresive komunat kanë hapësirë që të tatimojnë një pronë prej 0.10% të vlerës së saj deri në 1%. Në këtë mënyrë nëse vlera e një prone biznesore është 7 milionë euro dhe e njëjta me ligjin aktual ka paguar tatim rreth 12 mijë euro me shkallën tatimore progresive i bie të paguaj tatim mbi 26 mijë euro. Ndërkohë për pronat me vlerë mbi 100 milionë euro, bizneset do të paguajnë tatim minimalisht rreth 600 mijë euro. Në gjithë situatën e krijuar, shqetësimi kryesor për bizneset mbetet mos formimi i institucioneve të cilat do të mund të adresonin sfidën e rradhës që i pret bizneset për këtë çështje.
“Rreziku është që ska institucione dhe ligji do të hyjë në fuqi pa pasur mundësi të ndërrohet…”, tha Kushtrim Ahemti nga dhoma e tregtisë.
Taksa progresive e tatimit në pronë e cila shtrenjton tatimin në pronë për bizneset deri në 200% u tha se ndikon negativisht edhe tek investitorët e huaj për të cilët vlerësohet se Kosova ka nevojë të madhe.
Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në dy raste të ndara që lidhen me vepra penale të vjedhjes.
Në rastin e parë, është arrestuar një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor lidhur me një rast të vjedhjes së veturës, i ndodhur më 8 gusht 2025 në Gjermani.
Pas arrestimit, vetura e vjedhur është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rastin e dytë, është ndaluar një femër kosovare, e cila ishte në kërkim policor për një rast vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 09:30.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/
Një person është arrestuar nën dyshimin për vjedhje të rëndë, pasi dyshohet se ka thyer disa vetura në parkingun e një objekti në Fushë Kosovë.
Sipas raportit policor, rreth orës 02:45 është raportuar se janë thyer gjithsej shtatë vetura, nga të cilat janë vjedhur gjësende të ndryshme, kryesisht vegla pune.
Njësitë e hetuesisë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, mashkull kosovar, dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar shumica e gjësendeve të raportuara si të vjedhura.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë që simbolizon shpresën, paqen dhe dritën.
Edhe në Kosovë, kjo ditë po shënohet me meshë solemne dhe tubime familjare, ku besimtarët shkëmbejnë urime për mirësi, dashuri dhe harmoni.
Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, u mbajt mesha qendrore e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë fjalimit të tij, ai bëri thirrje për paqe, reflektim dhe përgjegjësi shoqërore.
Imzot Dodë Gjergji theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik, duke shtuar se qytetarët duhet të kontribuojnë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e rrugës drejt integrimit evropian, si dhe për ruajtjen e vlerave bazë të shoqërisë.
Ai paralajmëroi se bota po përballet me kriza të thella morale dhe politike, të shoqëruara me urrejtje, padrejtësi dhe konflikte, të cilat po rrezikojnë shpresën e brezave të rinj dhe po dëmtojnë ndërgjegjen politike globale.
“Kjo situatë kërkon që të gjithë të ndjehemi përgjegjës dhe të angazhohemi për paqe, drejtësi dhe dashuri, duke kontribuar secili në rolin e vet qytetar”, ka theksuar Imzot Dodë Gjergji.
Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/
Sot mbi vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, me reshje shiu dhe bore.
Si pasojë e ndryshimeve në situatën meteorologjike, parashikimi i mëhershëm ka pësuar ndryshime të lehta, ku përveç rigave të shiut, në disa zona priten edhe reshje bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 dhe 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë 1 deri në 2 gradë Celsius.
Sipas meteorologëve, fuqizimi i vorbullës polare ka ndikuar në uljen e temperaturave, veçanërisht të atyre maksimale, duke sjellë ndryshime të lehta në parametrat meteorologjikë.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi, me shpejtësi 1 deri në 7 metra në sekondë./Telegrafi/