Komuna e Obiliqit do t'i mbështetë familjet strehuese me 350 euro në muaj

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbështetje financiare mujore për familjet strehuese që kujdesen për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka bërë të ditur se kjo mbështetje do të jetë në vlerë prej 350 euro në muaj për secilën familje strehuese në komunë.
“Sot kam nënshkruar vendimin që familjet strehuese në Komunën e Obiliqit, ato që hapin derën dhe zemrën për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të mbështeten me 350 euro në muaj”, ka shkruar ai.
Kryetari i Obiliqit ka theksuar se kujdesi ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore është obligim institucional dhe jo akt bamirësie. “Kujdesi për fëmijët nuk është bamirësi, por përgjegjësi institucionale”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka siguruar se Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të mbështesë familjet që kontribuojnë në mirëqenien sociale dhe në ndërtimin e një shoqërie më të përgjegjshme.
“Komuna do të jetë pranë atyre që bëjnë më shumë për shoqërinë”, ka përfunduar kryetari Thaçi. /Telegrafi/




































