Ismaili: Çmimet e larta janë brenga kryesore e qytetarëve, Bedri Hamza ka programin e duhur për t’i ulur ato

I ftuar në emisionin Debat Plus, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore, Uran Ismaili, ka folur për programin zgjedhor të PDK-së dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Ismaili tha se sot gjendja ekonomike e familjeve në Kosovë është e rënduar dhe se çmimet e larta janë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Sipas tij, ulja e kostos së jetesës është një ndër prioritetet kryesore të programit të Bedri Hamzës, në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies.
Ai theksoi se qeverisja e ardhshme e udhëhequr nga Hamza parasheh masa konkrete, përfshirë heqjen e TVSH-së nga produktet bazike dhe nga faturat e energjisë elektrike, me qëllim që jeta e përditshme e qytetarëve të bëhet më e përballueshme.
Sipas Ismailit, qytetarët e Kosovës sot po kërkojnë stabilitet ekonomik dhe politik, duke shtuar se kjo është pikërisht ajo që përfaqëson Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ai vlerësoi se këto janë arsyet pse PDK-ja synon të arrijë rezultat historik në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Telegrafi/






































