Granit Xhaka i jep mbështetje Florian Wirtz: Është i pakrahasueshëm

Në verën e vitit 2025, Granit Xhaka u largua nga Bayer Leverkusen dhe u transferua te Sunderland, skuadër që sapo ishte ngjitur në Ligën Premier. Mesfushori 33-vjeçar ka folur së fundmi për “Suddeutsche Zeitung”, ku është pyetur nëse i mungon bashkëpunimi me yllin e madh të futbollit gjerman, Florian Wirtz.
Xhaka nuk ka hezituar ta vlerësojë ish-bashkëlojtarin e tij, duke pranuar se bëhet fjalë për një futbollist të veçantë, por njëkohësisht ka theksuar se sot prioritetet janë krejtësisht të tjera, të lidhura më shumë me rolin udhëheqës dhe ndikimin që dëshiron të ketë te brezi i ri i lojtarëve në Sunderland.
“Florian Wirtz është i pakrahasueshëm, këtë duhet ta pranojmë”.
Megjithatë, kapiteni i kombëtares së Zvicrës ka sqaruar se nuk ndjen nostalgji për të kaluarën, duke nënvizuar se kënaqësia e tij aktuale buron nga zhvillimi i lojtarëve të rinj në ekipin e tij të ri.
“Aktualisht e gjej shumë më përmbushëse nëse pas disa vitesh del një lojtar i madh nga skuadra ime e Sunderlandit dhe unë kam mundur të jap një kontribut të vogël në këtë proces, sesa të shënoj vetë 50 gola ose të jem i rrethuar nga yje”.
Xhaka, i cili tashmë ndodhet në fazën e fundit të karrierës së tij si futbollist aktiv, ka theksuar se përvoja dhe mosha e kanë ndihmuar të shohë futbollin nga një këndvështrim tjetër, më i thjeshtë dhe më njerëzor.
“Në këtë moshë bëhet fjalë për të hequr dorë nga çdo lloj arrogance dhe për t’u rikthyer te kujtimet e kohës kur ishe vetë i ri – kur kishe nevojë për mbështetje nga të tjerët”./Telegrafi






































