Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Disa komuna kanë mbetur pa ujë të pijes e po ashtu edhe pa rrymë. Shumë familje janë evakuuar.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Klinë), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për të përmirësuar kushtet e qarkullimit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.
Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.
“Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.
Nga ndalja e furnizimit me ujë janë prekur Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Pritet që me reduktime të furnizimit të preken edhe zona të tjera në kryeqytet.
KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.
Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica. Shumë familja janë evakuuar.
Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.
Edhe në Gjakovë në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre. Disa familje janë evakuuar edhe atje. Evakuuimi u bë nga zjarrfikësit e Gjakovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Vazhdojnë reshjet e shiut, disa komuna pa ujë e rrymë – shumë familje evakuohen appeared first on Sinjali.