Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Mërgimtarët vitin e kaluar kanë dërguar 310 milionë euro në Maqedoni



Mërgimtarët vitin e kaluar dërguan 310 milionë euro në Maqedoni, ose 2 për qind të PBV-së. Edhe pse po shënojmë suficit, dotacionet personale nga vendet e huaja për Maqedoninë në shifra absolute shënojnë rënie në vitet e fundit prej 319 milionë euro në vitin 2023 dhe 331 milionë euro në vitin 2022.

Nga vendet e rajonit në shifra absolut më së shumti dotacione vitin e kaluar kishte diaspora e Serbisë, e cila ka dërguar 4.47 miliardë euro, pastaj vijon Bosnja e Hercegovina me 1.99, Kosova me 1,32, Shqipëria me 1,28 miliardë dhe Mali i Zi me 345 milionë euro.

Në vitin 2024, suficit në transfertat personale kanë nëntë vende nga BE-ja, mes të cilave Kroacia (2,6% e PBB-së), Bullgaria (1,3%) dhe Portugalia (1,2%). Në të kundërt, Malta (-2,8%), Qiproja (-0,9%), Belgjika (-0,6%), Greqia, Spanja dhe Franca (secila nga -0,5%), treguan deficite më të mëdha të transfertave personale si pjesë e PBB-së së tyre, tregojnë të dhënat e Eurostat.

Transferet personale të parave të dërguara nga banorët e BE-së ndaj personave që nuk janë banorë të BE-së, vitin e kaluar arrijnë 52,1 miliardë euro, që është rritje prej 6% në krahasim me vitin 2023 (49,2 miliardë euro), ndërsa fluksi i transfertave personale ndaj amvisërive për banorë të BE-së arrin gjithsej 14,8 miliardë euro, që është rritje prej 7% në krahasim me vitin 2023.

Në pesë vitet e fundit është shënuar rritje e madhe e fluksit të transfertave personale. Fluksi është rritur për 51%, ndërsa qarkullimi rritje në mënyrë më të ngadaltë, duke u rritur për 26%. Si rezultat i kësaj, ka zgjerim të bilancit negativ për BE-në në krahasim me vendet që nuk janë anëtare të BE-së, duke arritur 37,3 miliardë euro në vitin 2024.

Eurostat: Maqedonia ka ushqimin më të lirë në Evropë



Ndërsa zviceranët paguajnë deri në 60 përqind më shumë se mesatarja evropiane për të njëjtën shportë ushqimore, çmimet në Maqedoni janë më të ulëtat në kontinent. Dallimet në çmimet e ushqimeve në të gjithë Evropën janë të mëdha, dhe të dhënat e fundit të Eurostat zbulojnë se ku blerjet janë më të përballueshme dhe ku do të ushtrojnë më shumë presion mbi buxhetet e familjeve, shkruan "Euronews".

Ushqimi përfaqëson një nga shpenzimet më të mëdha për familjet evropiane, me një mesatare prej 11.9% të konsumit total në Bashkimin Evropian, ndërsa në vende si Rumania kjo pjesë rritet në 20%. Krahasimi i çmimeve bazohet në indeksin e Eurostat, ku çmimi mesatar i shportës së ushqimit në BE është 100. Një vlerë mbi 100 tregon çmime më të larta se mesatarja, ndërsa një vlerë nën 100 tregon çmime më të përballueshme.

Sipas të dhënave të vitit 2024, Zvicra është deri tani vendi më i shtrenjtë me një indeks prej 161.1, që do të thotë se çmimet e ushqimeve janë 61.1% më të larta se mesatarja e BE-së.

Pas saj vijnë Islanda (146.3) dhe Norvegjia (130.6), vende që gjithashtu nuk janë anëtare të BE-së.

Brenda BE-së, banorët e Luksemburgut paguajnë me çmime deri 25.7% më të larta se mesatarja. Çmime të larta regjistrohen edhe në Danimarkë, Irlandë, Francë, Austri dhe Maltë.

Nga ana tjetër, ushqimi më i lirë në Evropë është në Maqedoni, me çmime 27% më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Brenda BE-së, Rumania është në situatën më të favorshme, ku e njëjta shportë ushqimore është për 25.4% më e lirë. Çmimet e ulëta të ushqimeve janë karakteristikë e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, kështu që Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Bullgaria janë gjithashtu dukshëm nën mesataren./Telegrafi/

ESHS: Inflacioni në nëntor 4%, ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 5.4%



Inflacioni në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mos zbresë nën nivelin prej 4%.

Enti Shtetëror i Statistikave mat se në nëntor shpenzimet për jetesë kanë qenë 4% më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 3%.

Vetëm brenda një muaji, nga tetori në nëntor, inflacioni është rritur me 0.5%. Grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënon rritjen më të theksuar.

Nëntorin e këtij viti, çmimet janë rritur me 5.4% në krahasim me një vit më parë.

Frutat janë shtrenjtuar me 18%, ndërsa mishi, vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë çmime mbi 7% më të larta. Rritja më drastike vërehet te produktet që varen nga bursat botërore – kafja, çaji dhe kakaoja – të cilat janë rritur me 27%.

Në RMV nga muaji mars paga minimale pritet të arrijë në rreth 26 mijë denarë



Paga minimale do të rritet në afër 26 mijë denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Rritja eventuale e kësaj shume mund të ndodh në fund të vitit nëse ka marrëveshje midis punëdhënësve, sindikatave dhe qeverisë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore përkrah rritjen e pagës minimale me lehtësime fiskale, ndërsa Konfedarata e Biznesit është pro me kusht që të merren parasysh përjashtime të caktuara. Mbetet të shikohet deri në fund të vitit se sa Lidhja e Sindikatave do të jetë më afër arritjes së qëllimit të saj. Dilema do të sqarohet pas takimit të Këshillit Ekonomik dhe Social, i cili është planifikuar të mbahet në fund të dhjetorit.

Qeveria ka vendosur të distancohet nga procesi i negociatave dhe mbetet në qëndrimin se çdo gjë për të cilën bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit do të pranohet. Sindikalistët argumentojnë rritjen e pagës minimale në 600 deri 700 euro me faktin se për një vit, kostoja e jetesës është rritur me 3.152 denarë. Nga ana tjetër, Qeveria njoftoi një harmonizim apo përshtatje të pagës minimale për marsin e vitit 2026, e cila do të jetë rreth 1.600 denarë. Sipas sindikalistëve, 397 euro nuk është jetë, por një luftë për mbijetesë. Sondazhi i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë me 1.613 të anketuar tregon se 45.2 për qind kërkojnë një pagë minimale prej 600 eurosh, 42 për qind kërkojnë mbi 700 euro dhe 99.5 për qind besojnë se paga duhet të rritet menjëherë. Mbi gjysma e të anketuarve janë të gatshëm për protesta dhe greva nëse paga minimale nuk rritet. Përfundimi është i qartë: kërkesa për rritje të pagës minimale nuk është dëshirë e individëve, por një nevojë reale e punëtorëve. “Shporta minimale e konsumit të sindikatës në nëntor 2024 arriti në 62.021 denarë, dhe në nëntor 2025 arriti në 65.173 denarë, që është një rritje prej rreth 5 për qind. Këto të dhëna tregojnë qartë se rritja e planifikuar e pagave nuk ndjek rritjen reale të kostove, por përkundrazi thellon hendekun midis të ardhurave dhe nevojave themelore të familjeve”, thonë nga LSM.

Ata shtojnë se ndërsa çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë vazhdojnë të rriten, me fruta që u rritën me 21 për qind, mish dhe vaj që u rritën me pothuajse 10 për qind dhe kafe që u rrit me 26 për qind, paga minimale mbetet në 397 euro dhe nuk do të ndryshojë deri në mars të vitit 2026, përveç këtij rregullimi simbolik. Në të njëjtën kohë, shporta e sindikatave tregon se mbi 65.000 denarë nevojiten për një jetë të mirë, dhe nëse familja jeton në një apartament me qira, kostot tejkalojnë 80.000 denarë.
“Shefat” po manipulojnë me vetëdije publikun duke pretenduar se punëtorët nuk janë produktivë, edhe pse të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën. Banka Popullore njoftoi se në vitin 2024, fitimet neto për punonjës në kompanitë e Maqedonisë u rritën ndjeshëm: në ndërtim 10.000 euro për punonjës, në tregti dhe transport 300.000 denarë, në industri 200.000 denarë dhe në sektorin e IT-së 400.000 denarë.

Këto shifra, tregojnë se çdo punëtor jo vetëm që fiton pagën e tij, por siguron edhe para për jetën luksoze të shefave”, thekson kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov.

Përveç kësaj, thotë ai, të dhënat nga Regjistri Qendror hedhin poshtë tezën se kompanitë po mbyllen për shkak të rritjes së pagës minimale. Përkundrazi, me çdo rritje, po hapen më shumë kompani të reja dhe po mbyllen më pak. Argumente ka edhe kundër rritjes së saj. Punëdhënësit vlerësojnë se do të ketë “barazim të pagave” tek disa punëdhënës. Ata thonë se ndoshta bizneset do të jenë në gjendje të përballojnë një pagë minimale prej 500 eurosh, por kjo do të çojë gjithashtu në nevojën për të rritur pagat e tjera, gjë që është e vështirë të bëhet për disa kompani. “Nëse ju, si kompani, shisni në tregun vendas dhe shteti rrit në mënyrë populiste pagën tuaj minimale, nuk do të keni mundësi të tjera përveçse të rrisni çmimet e produkteve tuaja për të siguruar fonde. Nëse nuk mund ta bëni këtë, atëherë do t’ju duhet vetëm të rrisni pagën minimale dhe nuk do të jeni në gjendje të rrisni pagat e punëtorëve të tjerë. Kjo do të prishë motivimin dhe produktiviteti juaj do të bjerë, siç ka ndodhur deri më tani”, thotë Angell Dimitrov, nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.

Disa herë deri tani, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka kërkuar që të ulen kontributet e pagave. Sipas OEMVP, vendi ynë paguan kontribute më të larta të pagave në rajon, 52 për qind si normë të kontributeve nga vlera e pagës neto prej 1000 euro. Pas Maqedonisë me 39 për qind pason Serbia dhe Shqipëria me 27 për qind. Ngarkesa më të ulëta për pagën me 14 për qind ka Kosova. Përderisa norma prej 26 për qind ka Mali i Zi. “Rritja e pagës minimale nuk duhet të diskutohet se a do të arrijë në 500 euro, por e njëjta duhet të rritet në 700 deri 800 euro dhe qeveria të marrë përsipër barrën fiskale për ta bërë këtë hap të realizueshëm për bizneset”, thotë Xhemali Dauti nga OEMVP.

Nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë, thonë se ata në përgjithësi janë “pro” një page minimale prej 500 eurosh, por me disa përjashtime, veçanërisht tek individët e vetëpunësuar dhe kompanitë mikro dhe të vogla që sigurojnë punë dhe paga për veten e tyre. “Imazhi dhe konkurrueshmëria janë shumë të rëndësishme për ne dhe, andaj duhet të biem dakord me sindikatat dhe Qeverinë se çfarë mesazhi do të dërgojmë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe për cilësinë e jetës së punëtorëve në vend”, thekson Mile Boshkov, numri një i kësaj organizate.

Nga Konfederata e Biznesit thonë se takimin e para një jave me sindikatat, është rënë dakord që duhet të negociohet, dhe të zhvillohen negociata kolektive në nivel sektorial, sepse paga minimale është një instrument që garanton standardin e punëtorëve, por nuk pasqyron gjendjen e vërtetë të shportës së konsumatorit dhe standardin e jetesës së punëtorëve, e aq më pak të përmbushjes së detyrave të punëtorëve.

Nga ana tjetër, në Kosovë, paga minimale rritet nga 350 në 500 euro në dy faza. Në fazën e parë të janarit 2026 do të jetë 425 euro, pastaj në korrik 2026 do të jetë 500 euro ose do të rritet me 150 euro.

Në Shqipëri, nga 1 janari 2026, pagesa minimale do të jetë 500 euro. Qeveria do të garantojë sigurimin dhe kostot e sigurimit për sigurimin janë 90 milionë euro për periudhën 9-mujore. Qeveria në Serbi e rriti pagën minimale nga tetori 2025 në 500 euro, ndërsa nga janari 2026, Serbia do të ketë 550 euro. Në Republikën Serbe (BiH), Këshilli Ekonomik Social i saj u pajtua që për janar 2026, ajo të jetë 512 euro për punëtorët e pakualifikuar, 538 euro për punëtorët e kualifikuar, 564 euro për punëtorët me shkollë të mesme, 692 euro për punëtorët me shkollë të lartë, dhe 743 euro për punëtorët me fakultete. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pagesa minimale për vitin 2025 është 1000 km ose 511 euro. Në Mal të Zi, paga minimale është 600 euro për punëtorët me arsim të mesëm, 800 euro për punëtorët me arsim të lartë. (koha.mk)

Kthimi i taksës solidare, Qeveria e RMV-së duhet të sigurojë rreth 50 milionë euro



Qeveria do të duhet të sigurojë afërsisht 50 milionë euro për kthimin e taksës solidare tek kompanitë. Para mbledhjes së nesërme, Qeveria nuk tregon se si do t’i sigurojë këto mjete.

Ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, për të cilën do ta ketë të vështirë shtetit ta përmbushë obligimin.

Ekonomistët thonë se shteti ka dy opsione për të kthyer mjetet nga tatimi solidar: t’i ulë shpenzimet dhe investimet dhe t’i reduktojë subvencionet për studentët dhe bujqit, ose të marrë borxh të ri për t’i kompensuar gradualisht bizneset.

Qeveria do të duhet t’u kthejë rreth 50 milionë euro 156 kompanive pas shfuqizimit të tatimit solidar. Edhe pse disa nga kompanitë kanë hequr dorë nga interesat, asnjëra nuk ka hequr dorë nga shuma kryesore. Mjetet duhet të planifikohen në buxhet për vitet 2026 dhe 2027.

Gjykata Kushtetuese e shpalli tatimin si të paligjshëm, duke lënë të drejtën kompanive që të kërkojnë shumën e paguar brenda pesë viteve./Alsat/

MF: Janë plasuar mbi 200 milionë euro për mbështetjen e investimeve ndaj kompanive, u pagua transheja e re nga Buxheti ndaj Bankës Zhvillimore



Ministria e Financave realizoi pagesën prej 785 milionë denarëve ndaj Bankës Zhvillimore për mbështetjen e kompanitë vendase, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

"Kjo është transheja e shtatë që po transferohet nga buxheti qendror në Bankën Zhvillimore, nga mjetet e destinuara për të stimuluar ciklin e investimeve në sektorin privat prej rreth 300 milionë eurove.

Me këtë transhe, vlera që shteti ka injektuar ndaj ekonomisë vendase për të mbështetur investimet tejkalon 200 milionë euro. Konkretisht, 190.5 milionë euro janë investuar përmes gjashtë transheve të paguara.

Mjetet, të cilat janë parashikuar në Buxhetin e vitit 2025 në vlerë prej 250 milionë eurove, janë siguruar me kushte të favorshme nga Banka Hungareze Eksport-Import dhe po plasohen gjithashtu me kushte të favorshme edhe tek shfrytëzuesit përfundimtarë, përkatësisht te kompanitë vendase. Norma vjetore e interesit është 1.95% ndërsa afati i shlyerjes është deri në 15 vjet me periudhë grejs deri në 3 vjet", thuhet në njoftim./Telegrafi/

DAP: Pagesa nga "TVSH-ja Ime" është në vazhdim, deri më tani janë paguar 552 milionë denarë



Që nga dje, 552 milionë denarë janë paguar në llogaritë e qytetarëve në bazë të “TVSH-së Ime”, dhe janë përgatitur urdhëresa për pagesën e 370 milionë denarëve të tjerë, informoi sot drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Disa qytetarë mund të përjetojnë vonesa në pagesa, por kjo, sipas Petrovës, është për shkak të problemeve teknike që nuk varen nga ZAP-i, siç është një llogari transaksioni e pavlefshme.

"Procesi i pagesës 'TVSH-ja Ime' është duke vazhduar. Tani rimbursimi për tremujorin e tretë duhet të realizohet deri më 30 shtator. Për të filluar përpunimin e porosive, do të fillojmë pas paraqitjes së deklaratave në shtator. Mund të ketë vonesa të caktuara për disa individë për të cilët llogaria e transaksionit e paraqitur nga personi nuk është e vlefshme, pra probleme teknike që nuk varen nga DAP-i", shpjegoi Petrova.

Lidhur me rimbursimin e TVSH-së për kompanitë, që nga dje, siç shtoi ajo, është realizuar një rimbursim prej gati 500 milionë eurosh.

Petrova thotë se ky është një proces i vazhdueshëm dhe se porositë përgatiten për ato kompani që nuk janë të rrezikshme, ndërsa për disa kompani procesi zgjat më shumë sepse duhet të kryhen kontrolle të jashtme./Telegrafi/

Rritet çmimi i vezëve, arrin deri në 400 denarë



Çmimi i një pakete me 30 vezë në treg arrin deri në 400 denarë (6.5 euro). Qytetarët të revoltuar thonë se çmimet janë shumë të larta, ndërsa çmimi i një pakoje me vezë ka tejkaluar edhe çmimin e një pule të gatshme të pjekur, e cila shkon deri në 350 denarë.
Qytetarët presin që qeveria të ndërmarrë masa, ndërsa thonë se çmimet kanë tejkaluar edhe ato të Bashkimit Evropian.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se janë duke monitoruar çmimet në treg dhe inspektorati është në terren për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.

“Ne vazhdimisht i monitorojmë çmimet përmes Inspektoratit të Tregut dhe reagojmë në mënyrë aktive kur është e nevojshme. Duhet theksuar se çmimi i vezëve varet kryesisht nga produktet e tregut global, siç është soja që përdoret për prodhimin e ushqimit për pula, gjë që e bën çmimin të jetë i varur nga luhatjet në treg. Megjithatë, institucionet mbeten të përkushtuara për të kontrolluar dhe monitoruar çmimet dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve", thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Çmimet në treg të vezëve kanë qenë nga 200 denarë deri në 300 denarë më parë, ndërsa vetëm për tre ditë çmimi i vezëve u rrit nga 350 deri në 400 denarë, që do të thotë se një vezë arrin rreth 13,3 denarë.

Me Projektbuxhetin për vitin 2026 rritja ekonomike parashikohet për 3.8% në Maqedoni



Mbi 100 amendamente po shqyrtohen në komisionin parlamentar për financat dhe buxhet, i cili po debaton Projektbuxhetin për vitin 2026, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në buxhetin e propozuar për vitin 2026, të ardhurat totale parashikohen në 374.7 miliardë denarë, ose 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 413.9 miliardë denarë, ose 6.7 miliardë euro. Investimet kapitale janë në nivelin e 40.5 miliardë denarëve, ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike parashikohet në 3.8 përqind, inflacioni në 2.5 dhe deficiti buxhetor në 3.5 përqind të BPV-së.

Në Buxhet ka më shumë para për pensionet, pagat dhe transfertat sociale, por të gjitha këto do të duhet të mbulohen nga huamarrje të reja për të mbuluar hendekun midis të ardhurave dhe shpenzimeve. Projektbuxheti për vitin 2026 planifikon rreth 1.9 miliardë euro për pensionet dhe 855.3 milionë euro për pagat e sektorit publik, që është një rritje prej 7% krahasuar me këtë vit kur u ndanë 780 milionë euro, njofton "Fokus".

Ku do të përfundojë një e pesta e parave të pagave? Mijëra njerëz janë të punësuar në rreth 300 organe shtetërore të panjohura nga një total prej 1,371 institucionesh, të cilat janë themeluar nga çdo organ i sektorit publik.

Askush nuk ka dëgjuar për këto institucione, agjenci, institute dhe organe, dhe të gjitha funksionojnë me drejtorë, borde drejtuese dhe mbikëqyrëse, kanë automjete zyrtare në dispozicion dhe një buxhet të qëndrueshëm vjetor. Regjistri zyrtar rendit gjithsej 14 institucione, të cilat në vitin 2023 nuk kishin asnjë punonjës, por kishin drejtorë./Telegrafi/

Bytyqi: Buxheti i ri sjell huamarrje të mëdha, do të ketë ulje të investimeve të huaja



Në seancën e sotme kuvendare të komisionit mbi financimin e buxhetit, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, akuzoi se buxheti i propozuar nga qeveria sjell huamarrje rekord dhe pagesa historikisht të larta të interesit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Në vitin 2026, borxhi publik do të rritet mbi 62% të BPV-së, me huamarrje të planifikuar prej mbi 120 miliardë denarësh dhe një rekord prej 21.27 miliardë për pagesat e interesit", theksoi Bytyqi.

Ai theksoi se paratë po shpërdorohen në deficit në vend që të shpenzohen në projekte zhvillimi.

"Nga të ardhurat e parashikuara tatimore prej rreth 200 miliardë denarësh, në vend që të përfundojnë në klasa, salla operacioni, laboratorë, rrugë dhe hekurudha, ato do të zhduken në hendekun e deficitit dhe pagesat e interesit", tha Bytyqi.

Ai gjithashtu theksoi se shkurtime serioze në projektet kapitale. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në 40.2 miliardë denarë, dukshëm më pak se 47.3 miliardë në buxhetin e vitit 2025.

Bytyqi paralajmëroi gjithashtu për një rënie të investimeve të huaja direkte, të cilat do të bien nga 570 milionë euro në 220 milionë euro./Telegrafi/

Mickoski: Rritja e pagës minimale jashtë kornizës ligjore do të varet nga dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve



Nëse do të ketë një rritje ndërhyrëse të pagës minimale jashtë ligjit është temë dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Sa i përket pagës minimale, ne kemi një ligj dhe e respektojmë plotësisht atë ligj. Nëse do të ketë ndonjë rritje ndërhyrëse jashtë ligjit është temë dialogu midis sindikatave dhe punëdhënësve. E di që në nëntor do të kemi seancë të Këshillit Ekonomik dhe Social dhe pres që kjo çështje të ngrihet atje, në mënyrë që ne si Qeveri të pranojmë çdo zgjidhje për të cilën do të bien dakord punëtorët dhe punëdhënësit", tha Mickoski pas ceremonisë së shënimit të 25-vjetorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).
Kryeministri tha se gjithashtu njoftoi se qeveria ka ndarë 53 miliardë denarë për FSSH-në.

"Qeveria ka siguruar buxhetin më të madh historik për FSSH-në deri më tani – 53 miliardë denarë. Kjo mundësoi një rritje prej 33% të kapitacionit për mjekët e përgjithshëm dhe gjinekologët, një rritje prej 23% për stomatologët, një rritje kumulative prej 17% të pagave në shëndetësinë publike, nga të cilat 9.5% janë rritje reale dhe një rritje prej 107% të kompensimit të kushtëzuar për barnat e reja inovative.

Këto nuk janë numra në letër. Këto janë numra që ndryshojnë realitetin e pacientëve, të punonjësve shëndetësorë dhe të të gjithë sistemit, shtoi Mickoski./Telegrafi/

VLEN: Fillon epoka e re ekonomike, paga minimale shkon në 26.400 denarë



Nga VLEN konfirmojnë se nga marsi i vitit të ardhshëm paga minimale do të rritet për 2000 denarë.

"Sot, koalicioni VLEN njofton një lajm që prek drejtpërdrejt mijëra familje: Paga minimale do të rritet me rreth 2.000 denarë në mars 2026, duke arritur në 26.400 denarë neto. Kjo falë dhe përkushtimit maksimal të Ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, dhe kjo është vetëm fillimi i reformave që po sjellim në ekonominë e vendit.

Kjo rritje është dëshmia më e fortë se qeverisja e VLEN nuk njeh pritje, nuk njeh vonesa dhe nuk njeh justifikime. Premtimet tona po kthehen në vendime, e vendimet po kthehen në benefite të prekshme për qytetarët.

Standardi jetësor i punëtorëve është prioriteti ynë. Dinjiteti i çdo familjeje është përgjegjësi e jonë. Ne po ndërtojmë një ekonomi ku puna shpërblehet drejt, ku të rinjtë shohin perspektivë dhe ku të gjithë ndihen të mbrojtur", thuhet në kumtesën e VLEN-it./Telegrafi/

Petrovski: Kemi informacione për tërheqjen e investitorëve të mëdhenj nga zonat industriale



Kryetari i Shoqatës të Burimeve Njerëzore të Maqedonisë dhe themeluesi i inkubatorit të biznesit "Stepap", Darko Petrovski, deklaroi se Evropa po përballet me një krizë të rëndë ekonomike që reflektohet drejtpërdrejt në Maqedoni.

"Recesioni nuk është vetëm në Gjermani, është më i gjerë dhe ndihet në të gjithë Evropën. Ai tashmë reflektohet në vendin tonë - kam informacion se disa nga investitorët e mëdhenj në zonat industriale po tërhiqen dhe po mbyllin kapacitetet e tyre", tha Petrovski në emisionin "Biznis 21" të "TV21".

Ai shtoi se tërheqja e investitorëve të lidhur me industrinë gjermane çon në një tepricë në tregun e punës, sepse me kërkesën e zvogëluar nga jashtë, kompanitë vendase mbeten pa punë.

"Është interesante që në të njëjtën kohë kompanitë thonë se nuk kanë mjaftueshëm njerëz, kjo tregon se problemi nuk është në numër, por në kualifikime", theksoi Petrovski./Telegrafi/

ESHS: Numri i lejeve të ndërtimit në shtator 2025 u rrit për 6.1% në Maqedoni



Numri i lejeve të ndërtimit në shtator 2025 është rritur me 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistika, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Në shtator 2025 janë lëshuar 314 leje ndërtimi, që është 6.1% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas lejeve të ndërtimit të lëshuara, vlera e parashikuar e objekteve është 7,124,419 mijë denarë, që është 5.2% më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve të ndërtimit të lëshuara, 220 (70.1%) janë të destinuara për ndërtesa të larta, 38 (12.1%) për ndërtesa të ulëta dhe 56 (17.8%) për ndërtesa për rindërtim.

Nga gjithsejtë 314 ndërtesash, 229 (72.9%) janë në pronësi të individëve, dhe 85 (27.1%) janë në pronësi të subjekteve afariste.
Në periudhën raportuese, është planifikuar ndërtimi i 727 banesave me një sipërfaqe totale të shfrytëzueshme prej 69.411 m2", njoftojnë nga ESHS./Telegrafi/

Rezervat valutore të Maqedonisë në tetor janë rritur për 120,5 milionë euro



Rezervat valutore në fund të tetorit të vitit 2025 kanë arritur në 4.843,2 milionë euro (katër miliardë e tetëqind e dyzet e tre milionë e dyqind mijë euro) dhe krahasuar me muajin e kaluar shënojnë rritje prej 120,5 milionë euro (njëqind e njëzet milionë e pesëqind mijë euro), njoftoi Banka Popullore.

Pjesa më e madhe e rezervave valutore janë të investuara në letra me vlerë (71,1%), pasuar nga ari monetar (15,9%) dhe valutat dhe depozitat (13%).

Rezervat valutore janë pasuri financiare që i mban Banka Qendrore e një shteti në valutë të huaj (si euro, dollarë, paund), ar monetar dhe letra me vlerë ndërkombëtare.

"Rezervat valutore shërbejnë për disa qëllime kryesore: Stabilizimi i kursit të këmbimit, nëse monedha vendase bie në treg, Banka Qendrore përdor rezervat për ta mbështetur vlerën e saj; pagesa e importit dhe borxheve sigurojnë që vendi të ketë para për të blerë mallra nga jashtë (naftë, ushqim, pajisje) dhe për të shlyer detyrimet ndërkombëtare; besueshmëri ekonomike, sa më të larta rezervat, aq më shumë besim kanë investitorët se ekonomia është stabile".

"Respektivisht, rezervat valutore janë kursimet ndërkombëtare të shtetit, që mbahen për të mbrojtur ekonominë dhe monedhën kombëtare", thonë nga Banka Botërore.

Për 4,5 për qind janë rritur shpenzimet e jetesës, ankohen qytetarët



Shpenzimet për jetesë në tetor janë rritur për 4.5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS). Statistika ka evidentuar rritje të ndjeshme të shpenzimeve te ushqimet dhe pijet joalkoolike për 7.0%, pijet alkoolike dhe duhani për 6.7%, ndërsa qytetarët kanë pasur rritje më të theksuar të shpenzimeve për rekreacion dhe kulturë për gati 8%, si dhe për vizita në restorante dhe hotele mbi 5%, dhe për blerjen e perimeve për 4.3%. Sipas përllogaritjeve të statistikës, në nivel mujor ka një ulje minimale të shpenzimeve prej 0.2%.

“Ulja e inflacionit në tetor 2025, krahasuar me shtatorin 2025, është rezultat i uljes së kostove të jetesës në këto grupe: Transporti për 6.1%, Mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e amvisërisë për 0.3%, Arsimi dhe Rekreacioni e kultura për 0.1%”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Qytetarët thonë se standardi po bie çdo ditë, ankohen se mezi mbijetojnë muajin. Sipas tyre, autoritetet vetëm e kalojnë përgjegjësinë nga njëri tek tjetri dhe askush nuk ndërmerr masa për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
“Standardi ynë është shumë i ulët, gjithçka është e shtrenjtë – çmimet janë rritur pa kufi, dhe mund të rriten edhe më shumë”, tha një qytetar.

“Kjo është vetëm propagandë, çfarë çmimesh – çdo ditë nga tre denarë, nga pesë denarë rritet çmimi”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Shtrenjtë”, u përgjigj një qytetare.

“Po nuk është ashtu tamam. – Si janë çmimet? – Më të larta”, u shpreh një qytetar.

Ndërkohë, fushata zgjedhore i ka lënë në hije ankesat e qytetarëve për çmimet e larta të produkteve bazë. Sipas përllogaritjeve të sindikatave, një familje katëranëtarëshe ka nevojë për mbi 65 mijë denarë vetëm për nevojat bazë. /Alsat/

Banka Popullore: Në vitin 2025 rritja ekonomike pritet jetë 3.5%, norma mesatare e inflacionit 3.9%



Për vitin 2025, ekonomia e Maqedonisë së Veriut pritet të rritet me 3.5 përqind, ndërsa norma mesatare e inflacionit do të jetë 3.9 përqind, njoftojnë sot nga Banka Popullore (BP), përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas vlerësimeve të BP-së, deficiti i llogarisë rrjedhëse do të arrijë në 4.2 përqind të BPV-së, që është një zgjerim i deficitit krahasuar me vitin e kaluar.

Krahasuar me parashikimet e prillit, pritet një deficit i llogarisë rrjedhëse mesatarisht më i lartë, pavarësisht flukseve financiare që janë mesatarisht më të larta se pritjet e mëparshme.

Siç tha Guvernatori, Trajko Slaveski, pamja makroekonomike për ekonominë e vendit tregon perspektiva të forta ekonomike dhe stabilizim të mëtejshëm të inflacionit.

"Projeksionet më të fundit makroekonomike për periudhën 2025-2028 tregojnë qëndrueshmëri dhe rritje të fortë të ekonomisë. Këtë vit pritet rritje prej 3.5 përqind, në periudhën 2026-2028 do të përshpejtohej në 4 përqind. Sa i përket inflacionit, norma mesatare do të jetë 3.9 përqind, dhe në të ardhmen do të ndjekë një rrugë të përshtatjes në rënie dhe kthimit në mesataren historike", theksoi Slaveski në një konferencë për shtyp.

Siç theksoi Slaveski, në nëntë muajt e parë të vitit 2025, aktiviteti kreditor shënoi rritje të fortë, e cila, sipas Bankës Popullore do të vazhdonte deri në fund të vitit./Telegrafi/

Rritet eksporti dhe importi, Maqedonia më shumë ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Kinën



Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në periudhën janar – shtator të vitit 2025, arriti në 5.978.9 milionë euro dhe shënon një rritje prej 2,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e mallrave të importuara, ndërkaq, arriti në 8.494.3 milionë euro, që është 3,5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës.

Shkëmbimi tregtar sipas produkteve sipas Klasifikimit Standard të Tregtisë Ndërkombëtare tregon se pjesëmarrja më e madhe në eksport është: te katalizatorët në bartës me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, grupe përçuesish ndezës dhe të ngjashme, për automjete, aeroplanë ose anije, pjesë të sediljeve dhe katalizatorë të tjerë të bartësve.

Në import më së shumti janë të përfaqësuara: vajrat e naftës dhe vajrat e përftuara nga mineralet bituminoze (përveç naftës bruto), metalet e tjera të grupit të platinës dhe lidhjet e tyre, të papërpunuara ose në formë pluhuri, platini dhe lidhjet e platinës, të papërpunuara ose në formë pluhuri, dhe automjete të tjera motorike për transportin e personave.

Në periudhën janar – shtator të vitit 2025, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, më së shumti është tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, të cilat përbënin 47.7% të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian përbënin 59.6% të shkëmbimit të përgjithshëm.

Koçovski: Mbi 15.000 shtetas të Maqedonisë punojnë në Kroaci, rritet numri i punëtorëve sezonalë që shkojnë në Qipro



Zoran Koçovski, pronar i "Kouzon", agjencisë më të famshme për ndërmjetësimin e punës jashtë vendit, tha se çdo vit midis 15 dhe 25 mijë shtetas nga RMV largohen për punë sezonale në vende të tjera.

"Sezonin e kaluar, numri më i madh i shtetasve nga Maqedonia u punësua në Kroaci. Sipas të dhënave tona, mbi 15.680 persona nga Maqedonia u regjistruan si punëtorë sezonalë në këtë vend", tha Koçovski, për "TV21".

Ai shpjegon se për Kroacinë ka statistika zyrtare përmes institucioneve të tyre shtetërore, ndërsa për vendet e tjera të dhënat janë vetëm të përafërta.

"Në Greqi, sipas njohurive tona, rreth 1.400 shtetas nga Maqedonia punuan këtë verë, në Bullgari pak më pak se 800, ndërsa në Mal të Zi numri u ul ndjeshëm rreth 350 punëtorë", thotë Koçovski.

Përveç destinacioneve tradicionale, ai vëren edhe një rritje të punësimit në Belgjikë, Francë dhe vendet skandinave, kryesisht përmes kontratave afatshkurtra ose informale.

"Dalja e fuqisë punëtore nga Maqedonia në industrinë e hotelerisë në Qipro është gjithashtu e dukshme, e cila është një trend i ri. Ka edhe migrim të përhershëm në Maltë dhe pjesërisht në Gjermani dhe Itali", thotë Koçovski./Telegrafi/

Ekspertët shprehen skeptikë për rritjen e BPB prej 3.8% në RMV: Ka dështime në investimet kapitale



Propozim-buxheti për vitin e ardhshëm është tradicionalisht për mbulimin e shpenzimeve shtetërore dhe mbrojtjen e standardit jetësor. Por, rritja e projektuar e BPV-së prej 3.8 për qind në kushte të tilla gjeopolitike është e vështirë të realizohet. Këto janë komentet e para të ekspertëve për arkën shtetërore, e cila vitin e ardhshëm do të arrijë mbi 6.73 miliardë euro.

“Unë nuk jam tepër optimist se do të arrijmë ta realizojmë, edhe pse realisht ajo normë është e arritshme nëse vihet në funksion kapaciteti i plotë i administratës dhe mbahet fokusi në projektet kapitale që mund të gjenerojnë një rritje të tillë”, tha Zoran Ivanovski – profesor universitar.

“Ky është një buxhet i stabilitetit, i vazhdimësisë dhe i realitetit, sipas mendimit tim, por ka edhe hapësirë për kritika, sigurisht. Ai krijon një bazë për një cikël më të fortë investimesh në vitin 2027 dhe besim ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, pohoi Sinisha Naumoski – profesor universitar.

Ata thonë se nuk kemi kapacitet për realizimin e investimeve kapitale. Rekomandojnë që për rritje dhe zhvillim, shteti të krijojë një ambient për rritjen e investimeve private.

“Mbetet dilema nëse e njëjta do të realizohet në praktikë, duke pasur parasysh gjendjen e dobët, veçanërisht të sektorit ndërtimor, dhe do të thosha edhe kapacitetin e administratës publike për t’i realizuar ato. Dhe çdo vit, për shkak të kësaj, tradicionalisht kemi norma relativisht modeste të realizimit të investimeve kapitale”, deklaroi tha Zoran Ivanovski – profesor universitar.

“Po, ka edhe dështime në lidhje me investimet kapitale. Unë shpesh flas publikisht për këtë, dhe tani është paralajmëruar – diku janë ulur investimet kapitale për rreth 650 milionë euro. Dhe këtu paraqitet gjithashtu një sfidë për këtë vit të ri 2026 në lidhje me realizimin e investimeve kapitale. Kjo në vazhdimësi ka ndodhur shpesh në të kaluarën”, u shpreh Sinisha Naumoski – profesor universitar.

Me propozim-buxhetin, deficiti buxhetor është projektuar në 3.5 për qind të BPV-së, ose 637 milionë euro. Investimet kapitale janë ulur dhe janë projektuar në 650 milionë euro. Për mbulimin e borxhit, është planifikuar të huazohet rreth 1.7 miliardë euro, nga të cilat 950 milionë përmes euroobligacionit. Parashikimet janë që BPV-ja vitin e ardhshëm të rritet me 3.8%, ndërsa inflacioni të jetë 2.5%./TV21/

❌