Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Confindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet

Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 170 biznese italiane e të përbashkëta, ka shprehur qëndrimin e saj të ashpër zyrtar kundër projektligjit të ri të Kodit Penal, i hedhur së fundmi për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë, duke paralajmëruar se nëse miratohet në ketë formë do të rrezikojë paralizimin e investimeve të huaja.

Confindustria Albania ndryshimet në Kodin Penal i cilëson të panevojshëm, të cilat rrisin ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenojnë klimën e investimeve në vend.

“Nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë”, nënvizohet në qëndrim.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kriminalizimin e tepruar të veprimeve me natyrë administrative, si shkeljet tatimore formale, mangësitë në dokumentacion apo shkelje të brendshme në shoqëritë tregtare, të cilat deri më tani janë trajtuar përmes masave administrative ose civile. Sipas Confindustria Albania, kjo qasje rrit presionin penal mbi biznesin dhe krijon pasiguri në ushtrimin e aktivitetit ekonomik.

Confindustria Albania shpreh gjithashtu kundërshtime ndaj zgjerimit të përgjegjësisë penale për personat juridikë, duke vënë në dukje se projekti parashikon përgjegjësi edhe për vepra penale që, sipas saj, nuk mund të lidhen logjikisht me natyrën e personit juridik. Kjo, sipas Confindustria Albania, bie ndesh me parimet themelore të së drejtës penale dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ku përgjegjësia penale e personave juridikë është e kufizuar në fusha të caktuara si korrupsioni, krimi i organizuar dhe veprat kundër mjedisit.

Një tjetër problem që ngrihet është edhe mungesa e harmonizimit të draftit me legjislacionin ekzistues dhe praktikën gjyqësore, si dhe mbivendosja me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, veçanërisht përmes tentativës për të kriminalizuar pozitën dominuese në treg. Sipas Confindustria Albania, kjo mund të paralizojë investimet, të rrisë arbitraritetin në zbatim dhe të dëmtojë konkurrencën e lirë.

“Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim”, theksohet ndër të tjera në qëndrimin e Cofindustria Albania.

Në përfundim, Confindustria Albania vlerëson se projektiligji i ri i Kodit Penal, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe përbën pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Rekomandohet që drafti të mos përparojë dhe që fokusi të jetë përmirësimi i Kodit Penal ekzistues përmes një procesi të thelluar, gjithëpërfshirës dhe të mirëkonsultuar institucionalisht.

Drafti paraprak më herët është kundërshtuar edhe nga Profesionistët e Aleancës të Profesionistëve të Lirë (APL). Nëpërmjet një letre dërguar ish ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja APL kërkoi rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike, duke theksuar nevojën për respektim të parimit të proporcionalitetit dhe mbrojtje të lirive ekonomike dhe lirisë së fjalës.

Duke ngritur shqetësimin për zgjerimin e panevojshëm të ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht janë trajtuar nga e drejta civile apo administrative, APL solli në vëmendje disa nene që sipas tyre mund të sjellin pasoja negative në marrëdhëniet mes bizneseve.

https://monitor.al/profesionistet-e-lire-leter-ministrit-manja-drafti-i-kodit-penal-cenon-lirine-ekonomike/

Drafti paraprak i kodit të Ri Penal më herët është publikuar në faqen zyrtare të Ministria së Drejtësisë.

Kodi Penal është miratuar në janar 1995, pothuajse 28 vite më parë. Në kohën e miratimit ky kod kishte 362 nene, ndërsa Kodi i Ri i propozuar ka mbi 600 nene. Sipas Ministrisë së Drejtësisë vit pas viti, Kodi i është nënshtruar mbi 30 herë amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik që ka kaluar Shqipëria.

Ministria e Drejtësisë thekson se si pasojë e këtyre ndërhyrjeve në Kod është konstatuar ndjeshëm një mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht përsa i përket llojeve dhe masave të dënimeve penale për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj.

 

Qëndrim Zyrtar i Confindustria Albania për projektin e ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë

1.Vlerësim i përgjithshëm dhe mungesa e nevojës për një Kod të ri

Confindustria Albania shpreh shqetësimin në lidhje me projektin e Kodit Penal të hedhur kohët e fundit për konsultim publik. Kodi Penal, siç dihet, është një akt me rëndësi themelore për sistemin juridik, ekonomik dhe politik të vendit. Në lidhje me këtë projekt, kemi zhvilluar diskutime të gjera me juristë dhe avokatë, përfaqësues të shoqërive anëtare që Confindustria Albania përfaqëson. Nisur nga këto diskutime, na rezulton se ky draft nuk vjen si pasojë e ndonjë nevoje apo kërkese reale të sistemit penal apo i problemeve në zbatimin e Kodit Penal aktual. Përkundrazi, mendimi i përgjithshëm është se sistemi penal me Kodin Penal ekzistues, si një shtyllë e këtij sistemi, ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka manifestuar rezultate pozitive, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e çështjeve që lidhen me personat juridikë. Argumenti i përsëritur nga autorët e projektit të ri të Kodit Penal se “ndryshimet e shpeshta në Kodin aktual kërkojnë hartimin e një Kodi të ri” nuk është i bazuar dhe i qëndrueshëm. Ndryshimet ligjore janë reflektim i ndryshimeve në jetën sociale, politike dhe ekonomike të vendit. Projekti i Kodit të ri Penal sjell një varg ndryshimesh të rëndësishme thelbësore dhe strukturore. Nuk mendojmë se është kjo që kërkohet në këtë moment. Në këtë moment kërkohet forcimi dhe konsolidimi i zbatimit të Kodit ekzistues.

Ndryshimet rrënjësore apo të shumta në këtë moment nuk do të kontribuonin në forcimin e sistemit penal. Përkundrazi, kjo lloj qasjeje cenon sigurinë juridike, parashikueshmërinë ligjore dhe besimin e subjekteve ekonomike në sistemin e drejtësisë. Nga diskutimet rezultoi e qartë se mungojnë arsyet, faktorët apo motivet që të nxisin apo të shtyjnë për bërjen e një kodi të ri penal. Gjithashtu, nuk rezultoi dhe as konstatohet se ekziston ndonjë boshllëk në legjislacion penal, që të justifikojë nevojën për të shkuar drejt hartimit dhe miratimit të një kodi të ri penal. Mbi të gjitha vërehet se nga hartuesit e projektit të Kodit të ri Penal nuk është bërë një analizë shteruese e ndikimit të faktorëve ekonomikë dhe socialë në lidhje me rëndimin me penalizime të reja, siç propozohet, për veprat penale të kryera nga personat juridikë.

  1. Kriminalizimi i tepruar i veprimeve dhe akteve administrative

Një shqetësim thelbësor i Confindustria Albania lidhet me tendencën për të kriminalizuar veprime dhe akte që kanë natyrë të theksuar administrative dhe që deri më tani janë trajtuar me mjete administrative ose civile. Shembuj të tillë janë:

  • Shkeljet në fushën e tatimeve dhe mbajtjes së dokumentacionit tatimor;
  • Kërkesat e parregullta apo mosmbajtja e regjistrave;
  • Shkelje të kryera në shoqëritë tregtare;
  • Shkelje të karakterit formal që nuk përbëjnë rrezik penal, por vetëm mangësi administrative.

Kjo qasje rënduese penale përbën një rrezik për klimën e biznesit, pasi vendos presion penal mbi aktivitetin tregtar dhe sjell pasiguri në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. Në këtë kuadër, theksojmë se projektkodi nuk ruan një raport të drejtë ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Përveç ruajtjes së një raporti të drejtë dhe proporcional ndërmjet këtyre përgjegjësive, jemi të mendimit se në zbatimin e përgjegjësisë penale ndaj personave juridikë duhet të evitohet ndëshkimi i biznesit në vetvete ose i punonjësve që lidhen me të. Në radhë të parë, fokusi duhet të jetë krijimi i një klime të shëndetshme bashkëpunimi dhe ndërveprimi ndërmjet organeve publike, si: tatimet, doganat, konkurrenca, etj, nga njëra anë, dhe biznesit nga ana tjetër.

  1. Presion i shtuar penal ndaj personave juridikë

Në projektin e Kodit të ri Penal është vërejtur shtim i konsiderueshëm i veprave penale për të cilat mund të përgjigjet personi juridik (ose më saktë përfaqësuesit ligjorë të tij). Ky zhvillim:

  • është përtej logjikës juridike të dallimit ndërmjet personit fizik dhe juridik;
  • ngarkon padrejtësisht shoqëritë tregtare me përgjegjësi që nuk u takojnë;
  • krijon mundësi për interpretime arbitrare gjatë zbatimit nga organet kompetente.

Në disa dispozita, projekti parashikon që personi juridik mund të dënohet për vepra penale absurde, si p.sh. vrasja, plagjiatura apo keqtrajtimi i kafshëve, çka është në kundërshtim me parimet themelore të përgjegjësisë penale dhe të funksionimit të shoqërive tregtare. Gjithashtu, konstatojmë se shumë vepra penale parashikojnë si rrethanë cilësuese apo rënduese rastin kur vepra penale kryhet nga personi juridik.

Ndërkohë që disa prej figurave të veprave penale nuk kuptohet se si mund të kryhen nga personi juridik, për disa të tjera mendojmë se parashikime të tilla e rëndojnë në mënyrë joproporcionale pozitën e personave juridikë dhe janë të paqarta. Për më tepër, konstatojmë dispozita ku gjykatës i jepet një diskrecion i tepruar për vendimmarrje mbi bazën e “rrethanave konkrete”, duke cenuar sigurinë dhe parashikueshmërinë ligjore. Prej vitesh Bashkimi Evropian është i orientuar drejt përgjegjësisë penale të personave juridikë, por e kufizuar kjo në fusha, si: korrupsioni, krimi i organizuar apo veprat penale kundër ambientit.

Ekspertët e Confindustria Albania vlerësojnë që përgjegjësia penale e personave juridikë duhet të kufizohet vetëm për vepra penale të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin ekonomik dhe përfitimin në dobi të shoqërisë, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme të theksohet se për veprat penale të kryera nga personi juridik ekziston tashmë një ligj i posaçëm siç është ligji nr. 9754, datë 14.6.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, i cili mendojmë se rregullon në mënyrë të mjaftueshme dhe të duhur përgjegjësinë penale për personat juridikë në rastin e kryerjes së një vepre penale.

  1. Mungesa e harmonizimit me ligjet ekzistuese dhe praktikat gjyqësore

Në kuadër të një shteti demokratik, një ligj penal duhet të priret nga përqafimi i parimeve moderne të drejtësisë penale dhe jo atyre që tregojnë qasje represive ndaj biznesit dhe konkurrencës së lirë. Projekti i Kodit të ri Penal nuk merr në konsideratë parimet bazë të drejtësisë penale dhe asaj civile kur bëhet fjalë për normimin e përgjegjësisë penale të personit juridik, parime këto të konsoliduara nga doktrina dhe jurisprudenca moderne e vendeve perëndimorë prej më shumë se 100 vjetësh. Në veçanti, në shumë figura të veprave penale konstatohet shkelja e parimeve të përgjithshme të së drejtës, të tilla si: parimi i specialitetit, parimi i proporcionalitetit, parimi i humanizmit, apo edhe vetë parimi i ligjshmërisë.

Kodi aktual së bashku me ligjin “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” dhe ligjin “Për shoqëritë tregtare” kanë krijuar një kuadër të qartë dhe të integruar për trajtimin e çështjeve penale që lidhen me subjektet tregtare. Në praktikë ky sistem ka prodhuar rezultate të qëndrueshme, të konfirmuara edhe nga vendimet e Gjykatës së Lartë. Konkretisht, praktika gjyqësore që është zhvilluar së fundmi nga ana e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë tregon se kur merret në analizë përgjegjësia penale e personit juridik, duhet të udhëhiqemi nga disa rregullime specifike që nuk i gjejmë në rregullat që sanksionojnë përgjegjësinë penale të individit (për referencë vendimi nr. 154, datë 16.05.2023, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë). Projekti i Kodit të ri Penal nuk e merr parasysh këtë përvojë dhe për më tepër injoron parimet bazë të ndarjes ndërmjet përgjegjësisë civile dhe asaj penale të organeve të personit juridik. Ai shfaq mospërputhje të dukshme me logjikën dhe terminologjinë e ligjeve tregtare dhe nuk reflekton njohuri të mjaftueshme për funksionimin e shoqërive tregtare. Ndër të tjera, një problem i veçantë dhe i rëndësishëm është integrimi në Kodin Penal i një dispozite të re që mund të kriminalizojë pozitën dominuese në treg.

Kjo dispozitë përbën mbivendosje të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikuar me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, i cili tashmë rregullon në mënyrë të specializuar abuzimin me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara dhe kontrollin e përqendrimeve.

Kriminalizimi i një sjellje që kërkon analiza komplekse ekonomike krijon pasiguri të thellë juridike, duke bërë që sjellje të zakonshme të biznesit si përqendrimet të mund të interpretohen si vepra penale. Gjithashtu, integrimi i përgjegjësisë penale mbi përqendrimet e ndërmarrjeve rrezikon të paralizojë investimet, të zbehë transaksionet dhe të dobësojë klimën konkurruese të tregut për shkak të rrezikut të shtuar të ndjekjes penale, në çdo rast ku çdo ndërmarrje mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në treg. Në praktikë, kjo krijon mbivendosje ligjore, konflikte interpretimi ndërmjet autoriteteve dhe një rrezik të lartë arbitrariteti në zbatim.

  1. Ndikimi negativ në klimën e investimeve dhe në sigurinë juridike

Projekti, në formën aktuale, rrit ndjeshëm riskun ligjor për bizneset dhe cenon klimën e investimeve në Shqipëri. Në vend që ta thjeshtojë dhe modernizojë legjislacionin penal, ai e komplikon, e zgjat në mënyrë të panevojshme dhe krijon pasiguri për subjektet ekonomike. Për pasojë, Confindustria Albania e konsideron projektin si represiv ndaj funksionimit normal të kompanive, pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rrezik për përkeqësimin e klimës së biznesit në vend.

  1. Rekomandim për procesin e mëtejshëm

Duke marrë parasysh rëndësinë themelore të Kodit Penal, çdo rishikim i tij duhet të ndodhë vetëm mbi bazën e një analize të thelluar, me konsultim të gjerë institucional, akademik dhe ekonomik, dhe jo përmes një projekti të papjekur e të nxituar.

Confindustria Albania rekomandon që:

  • Drafti aktual të mos përparojë në këtë formë;
  • Të synohet përmirësimi i Kodit ekzistues, jo zëvendësimi i tij total.

 

The post Confindustria Albania kundër draftit të Kodit Penal: Rrezik për biznesin, paralizon investimet appeared first on Revista Monitor.

Si do të funksionojë banka e parë 100% digjitale në vend, cilat do jenë shoqëritë investitore

Shqipëria pritet të ketë bankën e parë plotësisht digjitale, në një moment kur sistemi financiar po përballet me sfida të formalizimit, përfshirjes financiare, digjitalizimit dhe ambicies së qeverisë për një ekonomi pa para në dorë “cashless”.

Në një intervistë për Monitor, Fatbardha Rino, CEO e JET Bank, që së fundmi ka marrë licencën paraprake nga Banka e Shqipërisë, shpjegon arsyet pas krijimit të bankës së re, modelin e funksionimit, tregun e synuar, strukturën e pronësisë dhe dallimet kryesore nga bankat tradicionale.

Intervistë me Fatbardha Rino, CEO e JET bank

  1. Pse u mor vendimi që të hapet një bankë digjitale në Shqipëri?

Vendimi për të ndërtuar një bankë digjitale në Shqipëri ka ardhur si rezultat i një analize afatgjatë të zhvillimeve në sistemin financiar, por mbi të gjitha nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i nevojave reale dhe mungesave në shërbimin ndaj klientëve. Pas 24 vitesh përvojë në bankim, kam parë nga afër se si modeli bankar ka evoluar, nga banka me limite në akses, te retail-i tradicional dhe më pas drejt digjitalizimit, jo si një trend teknologjik, por si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesave në ndryshim të klientëve.

Bankat digjitale nuk ndërtohen për të zëvendësuar degët apo edhe bankat tradicionale, por për të zgjidhur probleme konkrete: procese të gjata, produkte të vështira për t’u kuptuar, akses të kufizuar dhe përvoja, që shpesh nuk është e ndërtuar rreth individit. Pikërisht këto boshllëqe krijojnë nevojën për një model të ri bankar, më të thjeshtë, më transparent dhe më të aksesueshëm.

Shqipëria ndodhet sot në një moment kyç zhvillimi. Digjitalizimi është një prioritet kombëtar, ndërsa reformat në drejtim të formalizimit të ekonomisë, transparencës dhe përafrimit me standardet evropiane kanë rritur ndjeshëm besimin e aktorëve ndërkombëtarë, për të investuar në vend. Kjo vëmendje ndërkombëtare nuk vjen rastësisht, por si reflektim i hapave konkrete që Shqipëria po ndërmerr drejt një ekonomie më europiane.

Në këtë kontekst, JET Bank u konceptua si një bankë 100% digjitale, e ndërtuar mbi nevojat reale të klientëve dhe në harmoni të plotë me këtë moment zhvillimi të vendit. Një bankë me procese të thjeshta, siguri të lartë dhe qeverisje të fortë, e përputhshme me standardet evropiane dhe e aftë të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe alternative e re e sistemit bankar shqiptar.

  1. JET Albania është e para që ka aplikuar për licencë dixhitale në Shqipëri, në një vend ku informaliteti është i lartë dhe përdorimi i shërbimeve bankare mbetet relativisht i ulët. Si i shihni sfidat e të bërit biznes.

Informaliteti dhe përdorimi relativisht i ulët i shërbimeve bankare janë realitete të njohura, por nuk janë arsye për të mos investuar; përkundrazi, janë tregues të qartë oportunitetesh se ka hapësirë për modele të reja. Përvoja e gjatë në këtë industri si brenda dhe jashtë vendit, më ka mësuar se imponimi nuk është mjeti më i qëndrueshëm drejt formalizimit.

Të gjitha studimet më relevante tregojnë se këto tregje karakterizohen nga përdorim i gjerë i cash-it, akses i kufizuar në shërbime bankare formale, mungesë edukimi financiar dhe një nivel i ulët besimi ndaj institucioneve financiare.
Këta faktorë krijojnë barriera reale për formalizimin, rritjen e bizneseve dhe përfshirjen financiare të individëve, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si operojnë institucionet financiare dhe si ndërtohet marrëdhënia me klientin.

Pikërisht në këtë kontekst, sfida kryesore nuk është vetëm ofrimi i produkteve bankare, por ndërtimi gradual i besimit, thjeshtimi i aksesit dhe krijimi i një përvoje financiare, që i përgjigjet realiteteve lokale, pa kompromentuar standardet rregullatore dhe të sigurisë.

Kjo kërkon kohë, edukim financiar dhe mbi të gjitha një kuadër të fortë rregullator dhe sigurie.

JET Bank e sheh veten si një alternativë moderne që mund të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe formalizimit, në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme.

  1. Kur pritet të fillojë aktiviteti dhe si do të funksionojë kjo bankë digjitale?

JET Bank do të nisë aktivitetin vetëm pasi të përfundojë plotësisht i gjithë procesi rregullator dhe certifikues, si dhe faza e testimit të detajuar të sistemeve. Procesi i licencimit për një bankë është i strukturuar dhe kërkon kohë, duke përfshirë verifikime të shumta teknike, operacionale, organizative dhe të sigurisë. Ligjërisht, ky proces mund të zgjasë deri në 12 muaj dhe synon të garantojë që çdo element i bankës të jetë plotësisht i qëndrueshëm, përpara se t’i ofrohet publikut.

Aktualisht ndodhemi në një fazë shumë të rëndësishme përgatitore, ku çdo hallkë e operacioneve po testohet dhe certifikohet në detaje, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetin mbikëqyrës. Ky është një proces thelbësor, për të garantuar sigurinë e klientëve, stabilitetin operacional dhe përputhshmërinë e plotë rregullatore.

JET Bank do të funksionojë si një bankë 100% digjitale, kryesisht përmes aplikacionit mobil. Onboarding-i i klientëve do të jetë tërësisht digjital, i sigurt dhe në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore por dhe standarte Europiane. Core banking i bankës është ndërtuar mbi Oracle Banking Services, një platformë e përdorur gjerësisht nga institucione bankare ndërkombëtare, që garanton stabilitet, integritet të të dhënave dhe vazhdimësi operacionale.

Për përvojën e përdoruesit dhe ndërveprimin digjital përdoret Backbase, ndërsa automatizimi i proceseve dhe integrimet mbështetet nga Facilization. Identifikimi dhe verifikimi i klientëve realizohet përmes Jumio, ndërsa monitorimi i riskut, AML dhe përputhshmëria rregullatore sigurohen përmes ComplyAdvantage.

Infrastruktura teknologjike është ndërtuar mbi platformat më të sigurta globale, duke kombinuar Oracle Cloud Infrastructure, Microsoft Azure dhe Amazon Web Services, ndërsa siguria forcohet përmes përdorimit të firewalls të dedikuara nga Palo Alto. Të dhënat e klientëve ruhen brenda Bashkimit Evropian, në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe rregulloret më strikte të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Pra deri sa të sigurojmë, që të gjitha këto komponente janë stable, të sigurtë dhe të certifikuar, do të duhet të merret koha e nevojshme.

  1. Cili është tregu juaj i synuar?

JET Bank fokusohet në ofrimin e shërbimeve bankare të thjeshta, të sigurta dhe të lehta për t’u përdorur, të ndërtuara mbi nevojat reale të tregut dhe analizat e sjelljes së klientëve. Qasja jonë nuk nis nga segmentimi tradicional, por nga identifikimi i kërkesave konkrete për shërbime më të aksesueshme, më transparente dhe më efikase.

Si bankë digjitale, JET Bank ndjek një model zhvillimi progresiv. Produktet nuk ndërtohen të gjitha njëkohësisht, por hap pas hapi, duke filluar nga funksionet bazë bankare dhe duke u zgjeruar gradualisht mbi bazën e përdorimit real, kërkesës së tregut dhe stabilitetit operacional. Kjo qasje siguron që çdo shërbim i ri të jetë i kuptueshëm, i testuar dhe i përshtatur me kërkesat e klientëve.

Qasja jonë është gjithëpërfshirëse. Synimi është të ulim barrierat e hyrjes në sistemin bankar formal përmes shërbimeve të thjeshta dhe proceseve të qarta, duke ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me klientët, në përputhje me zhvillimet e tregut dhe standardet rregullatore.

  1. Në planin tuaj të biznesit, cilat janë disa pritshmëri në vitin e parë të aktivitetit në drejtim të numrit të klientëve, volumit të transaksioneve etj.

Viti i parë është konceptuar si një vit konsolidimi dhe ndërtimi i besimit. Objektivat janë të matur dhe realiste, duke pasur parasysh natyrën e një institucioni të ri bankar. Prioriteti është stabiliteti operacional, cilësia e shërbimit dhe adoptimi gradual nga klientët. Suksesi për ne matet jo vetëm me numrin e klientëve, por me nivelin e përdorimit aktiv të shërbimeve, besimin që klientët krijojnë ndaj bankës dhe qëndrueshmërinë e operacioneve.

Për një bankë digjitale të re, sidomos në një treg në zhvillim, objektivi kryesor nuk është përshpejtimi i volumit, por vendosja e ekuilibrave të duhur mes rritjes, kontrollit dhe qëndrueshmërisë.

Pritshmëritë për numrin e klientëve dhe aktivitetin transaksional janë ndërtuar mbi parimin e adoptimit progresiv. Fokusimi është te krijimi i një baze përdoruesish që e përdorin bankën realisht, e kuptojnë modelin digjital dhe ndërtojnë një marrëdhënie afatgjatë me institucionin, më shumë sesa te zgjerimi i shpejtë numerik.

Nga këndvështrimi financiar, viti i parë shërben edhe si një fazë vëzhgimi dhe kalibrimi: si reagojnë klientët ndaj produkteve, si funksionojnë proceset e automatizuara në praktikë dhe si përkthehet përvoja digjitale në besim dhe përdorim të qëndrueshëm. Volumet dhe ritmet e aktivitetit janë të menduara të rriten në mënyrë organike, në përputhje me kapacitetin operacional dhe maturimin e tregut.

Për ne, suksesi nuk lexohet vetëm në rritje, por në cilësinë e asaj rritjeje. Besimi i klientëve, përdorimi aktiv i shërbimeve dhe stabiliteti i operacioneve janë tregues shumë më domethënës në këtë fazë sesa rezultatet afatshkurtra. Kjo qasje krijon bazën që vitet pasuese të ndërtohen mbi një strukturë të shëndoshë dhe financiarisht të balancuar.

  1. Në raport me bankat tradicionale, çfarë do të jetë ndryshe nga JET Albania?

Dallimi kryesor qëndron në faktin se JET Bank është ndërtuar digjitale që nga themeli. Kjo do të thotë se proceset, sistemet dhe mënyra e funksionimit nuk janë përshtatur mbi struktura ekzistuese, por janë projektuar që në fillim për një bankë pa degë fizike dhe me ndërveprim kryesisht digjital.

Nuk kemi sisteme të vjetra (legacy) apo procese manuale të trashëguara nga modele tradicionale. Proceset e panevojshme janë eliminuar dhe ato që mbeten janë automatizuar, në mënyrë që teknologjia të merret me volumin dhe rutinën, ndërsa njerëzit të fokusohen te vendimmarrja, mbikëqyrja dhe marrëdhënia me klientin.

Paralelisht me këtë, JET Bank po ndërton një strukturë të fortë organizative, përfshirë një Drejtori funksionale dhe një Qendër të dedikuar të Shërbimit ndaj Klientit, me ekipe të shumta dhe të trajnuara posaçërisht. Këto ekipe janë pjesë qendrore e modelit tonë operativ dhe do të jenë të pranishme për të mbështetur klientët, për të menaxhuar rastet komplekse dhe për të garantuar që çdo proces digjital të ketë gjithmonë një përgjegjësi njerëzore pas tij.

Ky kombinim mes teknologjisë dhe njerëzve na lejon të jemi më efikasë, më të shpejtë dhe më fleksibël, duke ruajtur në të njëjtën kohë të njëjtin rigorozitet rregullator, nivel sigurie dhe standarde kontrolli që aplikohen për bankat tradicionale.

  1. A do të jetë aksionar i vetem i JET Bank Idan Avishai apo në projekt do të përfshihen investitorë të tjerë individuale apo institucionale?

JET Bank është në pronësi të JET Holding, një konsorcium kompanish ndërkombëtare me qender ne Amsterdam. Struktura e pronësisë nuk përfshin aksionarë individualë të drejtpërdrejtë, por realizohet përmes shoqërive që kanë investitorë të ndryshëm dhe pronarë përfitues përfundimtarë (UBO) të identifikuar, në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore.

Z.Idan Avishai, shtetas britanik, është një nga investitorët kryesorë përmes strukturave përkatëse dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fazat e hershme të projektit, por nuk është aksionari i vetëm dhe nuk përfaqëson i vetëm pronësinë e bankës.

Më lejoni të sqaroj se JET Bank nuk është ende e regjistruar si shoqëri bankare, pasi përpara regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ekziston një proces i detajuar miratimi nga Banka e Shqipërisë. Ky proces përfshin aprovimin e strukturës së qeverisjes, organeve drejtuese dhe modelit organizativ të bankës. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi rregullator dhe marrjes së miratimeve përkatëse, banka do të regjistrohet zyrtarisht dhe do të nisë veprimtarinë e saj.

Të gjitha shoqëritë aksionare dhe pronarët përfitues përfundimtarë kanë kaluar procesin rigoroz të vlerësimit “fit & proper” nga Banka e Shqipërisë, duke përfshirë verifikimin e integritetit, burimit të kapitalit dhe përputhshmërisë rregullatore, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet evropiane.

  • Cili është background i z.Avishai në biznes dhe a ka përvojë në aktivitete të tjera financiare, përveç platformave të trading?

Z.Idan Avishai është një investitor ndërkombëtar me përvojë në ndërtimin dhe financimin e projekteve në sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë, shërbimet financiare dhe struktura investimi. Profili i tij është ai i një investitori strategjik, i fokusuar në qeverisje korporative, strukturim kapitali dhe mbështetje të projekteve afatgjata.

Në JET Bank, roli i tij është qartësisht ai i pronarit përfitues përfundimtar dhe investitorit, ndërsa banka është konceptuar, ndërtuar dhe do të operohet nga një ekip profesional lokal, nën mbikëqyrjen e plotë të Bankës së Shqipërisë dhe në përputhje me kuadrin rregullator shqiptar dhe evropian.

Në kuadër të procesit të licencimit, e theksoj sërish, të gjithë aksionarët kanë kaluar procedura të detajuara “fit & proper”, ku janë vlerësuar integriteti, reputacioni, burimi i kapitalit dhe përputhshmëria rregullatore, sipas standardeve më strikte bankare.

  1. Një koment rreth faktit që platformat e tij, FXLider/Fortrade janë raportuar në vitin 2018 nga AMF, për ushtrim të palicencuar të aktivitetit si agjent për shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.

Lidhur me këtë temë, është e rëndësishme të bëhet një qartësim faktik. Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar apo vendim rregullator që lidh Z. Idan Avishai personalisht me platformat e përmendura. Çdo pretendim në këtë drejtim nuk mbështetet në akte ligjore apo dokumente të autoriteteve përkatëse dhe është spekulativ, mënyrë e përdorur shumë për qëllime jo të drejtëpërdrejta.

Referencat që qarkullojnë herë pas here në media lidhen nuk pasqyrojnë realitetin juridik dhe nuk bazohen në verifikime formale mbi pronësinë apo rolet ekzekutive të individëve të veçantë.

Për JET Bank, kriteri i vetëm relevant është procesi rigoroz dhe shumë i thellë i licencimit dhe vlerësimit “fit & proper” nga Banka e Shqipërisë, ku çdo aksionar është verifikuar mbi bazë dokumentesh zyrtare, burimi kapitali të gjera dhe integriteti personal, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor shqiptar dhe standardet evropiane.

 

The post Si do të funksionojë banka e parë 100% digjitale në vend, cilat do jenë shoqëritë investitore appeared first on Revista Monitor.

ERE: Klientët e lidhur në 6 kv të marrin masa për të dalë në treg të lirë nga 1 janari 2026

Bizneset e lidhur në tension 6 kilovolt do të duhet të sigurojnë të vetëm energjinë në tregun e lirë nga një furnizues privat.

Pas një seri njoftimesh nga kompanitë që janë pjesë e OSHEE Group edhe Enti Rregullator i Energjisë kërkoi që këta të fundit të marrin masa për t’ju përshtatur kësaj etape të fundit të liberalzimit.

“Nga data 1 janar 2026, klientët e lidhur në nivelin e tensionin 6 kV, që gjithashtu plotësojnë kriteret ligjore dhe teknike për të dalë në tregun e liberalizuar të furnizimit me energji elektrike, kanë detyrimin të gjejnë furnizuesin e tyre në treg të lirë.

Lidhur me sa më sipër, sjellim në vëmendje të të gjithë konsumatorëve që i përkasin kësaj kategorie, por edhe çdo konsumatori tjetër që ka plotësuar kriteret për daljen në tregun e lirë të energjisë, që të marrë masat për të gjetur e kontraktuar furnizuesin e tij nga lista e furnizuesve të licencuar nga ERE në këtë veprimtari”, thuhet në njoftimin e Entit.

Ky i fundit bën me dije se në faqen e tij të internetit mund të gjenden furnizuesit e licencuar si dhe modalitetet e kontaktimit dhe kontraktimit të tyre.

“Po ashtu, ju sjellim në vëmendje se, në platformën e krahasimit të çmimeve PCT (Price Comparison Tool), të ndërtuar nga ERE https://pct.ere.gov.al/, mund të kërkoni dhe gjeni ofertat me të mira të furnizimit për kategorinë së cilës i përkisni” nënvizon ERE.

Rregullatori nënvizon se të gjithë konsumatorët që kanë plotësuar kriteret për daljen në treg të lirë dhe që nuk kanë mundur të kontraktojnë vetë një furnizues ose kanë humbur furnizuesin e tyre, mund të përfitojnë nga furnizimi nëpërmjet “Furnizuesit të Mundësisë së Fundit” i cili është një furnizues i caktuar në përputhje me dispozitat e ligji të sektorit të energjisë elektrike, dhe që ofron për një periudhë të kufizuar kohe (60 ditë) shërbimin e furnizimit, në kushte të rregulluara.

Ndërkohë në çdo rast subjektet mund të ndryshojnë pa pagesë furnizuesin pasi kjo është një e drejtë që ua njeh ligji.

Procesi i liberalizimit nisi nga viti 2018 kur dolën në treg të lirë bizneset e lidhura në tension 35 kv. Nga ajo kohë e në vazhdim liberalizimi ka ecur me faza duke nxjerrë më pas në treg të lirë bizneset në tension 20 kilovolt dhe më pas ata në 10 kilovolt.

Në këtë fazë të fundit janë rreth 2300 subjekte të verifikuar në tension 6 kilovolt të cilët do të dalin në treg të lirë teksa një pjesë tjetër janë në faza verifikimi për shkak të detyrimeve që kanë ndaj furnizuesit aktual./ N.Maho

 

The post ERE: Klientët e lidhur në 6 kv të marrin masa për të dalë në treg të lirë nga 1 janari 2026 appeared first on Revista Monitor.

Elite Travel Group dhe NTLG/Ving&Spies: Epokë e re e turizmit nordik në Jugun e Shqipërisë (2026)

Elite Travel Group pas një pune disa vjeçare në bashkëpunim me kompaninë më të madhe nordike, NTLG/Ving & Spies për të sjellë turistë nordikë në jug të Shqipërisë, ja arriti me sukses!

Një mundësi e re për hotelet, apartamentet, restorantet, aktivitetet dhe bizneset lokale në këtë rajon. Me hapjen e Aeroportit të Vlorës në pranverë të vitit 2026, fluturimet direkte nga vendet nordike do të bëhen realitet, duke krijuar mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të vizitorëve nga Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda.

Fluturime direkte për në Vlorë: Një hap i madh për turizmin në Shqipëri

Në fillim të qershorit, kompania NTLG Ving & Spies dhe linja e saj ajrore, Sunclass Airlines, do të operojnë fluturime direkte për në Vlora airport (VLO), nga Stokholmi, Oslo dhe Kopenhageni e më pas mundësia nga Helsinki. Ving dhe Spies do të jenë kompanitë e parë nga rajoni i vendeve nordike që do të ketë fluturime direkte për në Shqipëri.

Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për turizmin shqiptar, pasi turistët nordikë do të mund të udhëtojnë direkt në bregun jugor të Shqipërisë, duke shmangur periudhën e mëparshme të transferimit të gjatë nga Janina dhe Korfuzi për në Sarandë.

Ky zhvillim fantastik në vitin e dytë të operimit do të zgjasë sezonin në rajonin e Jugut dhe pritet që, brenda 2028, të shtrihet nga fundi i marsit në fillim të nëntorit. Në 2026 do të kemi 3 fluturime në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, qëndrimi i klientëve do të jetë i njëpasnjëshëm: qëndrimi për 7 netë, 14 netë dhe 21 netë, duke i lehtësuar punën pritësve dhe duke i shmangur ditët e qëndrimit bosh.Tashmë turizmi ka hyrë në një fazë maturie dhe planet janë që, nga vendet nordike, të kemi rreth 10,000 klientë në 2026 dhe të shkojmë deri në 80,000 – 90,000 brenda 2028, por kjo do të varet nga dëshira dhe cilësia e shërbimit që tashmë operatorët shqiptarë në jug do të ofrojnë. Si turistë që vijnë nga vendet e ftohta, ata do të kërkojnë më të mirën e klimës fantastike shqiptare, ushqimit tradicional, mikpritjes dhe shërbimeve cilësore, aktivitete unike të bizneseve lokale.

Hapja e Aeroportit të Vlorës do të shoqërohet me krijimin e mundësive të reja për të gjithë, duke shtuar më shumë interesin për vendin tonë kaq të bukur.

Hapja e Aeroportit të Vlorës është një mundësi për rritjen e turizmit në këtë rajon dhe do të bëhet një faktor kyç për turistët që vijnë nga vendet nordike. Ky aeroport do të lehtësojë aksesin në plazhet e bukura të Vlorës, Orikumit, Dhermiut dhe Sarandës për 2026, por do të zgjerohet më tej në vitet e ardhshme në rajone të tjera, si Borsh, Himarë, Qeparo etj. Elite Travel Group dhe Ving e shohin këtë hap si mundësi për të pasuruar ofertën turistike në jug të Shqipërisë, duke ofruar një destinacion tërheqës dhe të përballueshëm për turistët gjatë gjithë vitit.

Elite Travel Group, përmes partneritetit me Ving & Spies dhe Sunclass Airlines, po synon ta kthejë jugun e Shqipërisë në atraksionin më të madh të vitit 2026 dhe patjetër që do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë sektorët e turizmit të përfshihen në këtë mundësi të jashtëzakonshme.

 

CEO i Elite Travel Group, Elvis Kotherja dhe Drejtuesi i Shitjeve dhe Partneriteteve, Krist Dodbiba, shprehen shumë optimistë dhe shpresojnë që deri në 2030 të kemi mbi 100,000 klientë nordikë nga 1 marsi në 15 nëntor!

 

Ving.se Press Release: https://via.tt.se/pressmeddelande/4195708/ving-forst-ut-att-lansera-direktcharter-till-vlora-i-albanien-till-sommaren?publisherId=1726617&lang=sv

 

Elvis Kotherja me Christer Aarum nga NTLG ne Emisionin Histori Shqiptare: https://youtu.be/nkxS3pBNL8s?t=1305

 

The post Elite Travel Group dhe NTLG/Ving&Spies: Epokë e re e turizmit nordik në Jugun e Shqipërisë (2026) appeared first on Revista Monitor.

Siguria e furnizimit me energji, raporti: Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje

Shqipëria nuk ka një plan gatishmërie për të garantuar sigurinë energjetike sipas parimeve që përcaktojnë direktivat e Bashkimit Europian.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vërën se afatet për të plotësuar disa kërkesa të lidhura me rregulloren përkatëse që mbulon këtë çështje kanë mbaruar prej vitesh tashmë por përafrimi mbetet ende në faza diskutimi.

“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023.

Një version pune i projektligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë disa dispozita të Rregullores (BE) 2019/941. Ky projektligj parashikon që ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë elektrike të jetë autoriteti kompetent dhe vendos detyrimin që ky autoritet të miratojë një plan përgatitjeje ndaj rreziqeve”, thuhet në raport.

Ky i fundit nënvizon se megjithatë, transpozimi i plotë dhe zbatimi i Rregullores do të kërkojnë përpjekje të mëtejshme për hartimin dhe miratimin e legjislacionit parësor dhe atij dytësor përkatës. Rregullorja (BE) 2017/2196 gjithashtu nuk është transpozuar ende. Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.

“Zhvillimet kryesore në fushën e sigurisë kibernetike në Shqipëri përfshijnë miratimin në vitin 2024 të Ligjit të ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2) dhe pasqyron standarde më të gjera evropiane. Përveç kësaj, është krijuar Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në fushën e sigurisë kibernetike”, vlerëson raporti.

Ky dokument analizon edhe ecurinë s ai takon sigurisë së furnizimit me gaz dhe atë të furnizimit me naftë dy çështje që mbeten secila në hallka të ndryshme të zbatimit të kërkesave ku më e avancuar ajo e gazit teksa ajo e naftës me një realizim  vetëm 23 për qind të planit të përafrimit.

 

The post Siguria e furnizimit me energji, raporti: Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje appeared first on Revista Monitor.

Ndërtime e kulla pa fund, por 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara

Ndonëse Shqipëria mban rekordin në Europë për peshën e ndërtimeve në raport me madhësinë e ekonomisë dhe pallatet e reja e kullat vijojnë të lartësohen çdo ditë, ironikisht, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave në Europë.

Të dhënat më të fundit tregojnë se 57.1% e popullsisë jeton në banesa të mbipopulluara, një shifër shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, që në vitin 2024 ishte 16.9%.

Sipas Eurostat niveli më i lartë regjistrohet në Mal të Zi, ku 61.6% e popullsisë jetojnë në banesa të mbipopulluara.

Kur një banesë quhet e mbipopulluar

Eurostat e quan një banesë të mbipopulluar kur familja që jeton aty nuk ka mjaftueshëm dhoma për numrin dhe përbërjen e anëtarëve të saj.

Sipas këtij standardi, një banesë duhet të ketë të paktën:
-një dhomë për familjen në tërësi,
-një dhomë për çdo çift,
-një dhomë për çdo të rritur të vetëm,
-një dhomë për dy fëmijë të vegjël,
-ose dhoma të veçanta për adoleshentët, sipas moshës dhe gjinisë.

Nëse këto kushte minimale nuk plotësohen dhe shumë persona ndajnë pak dhoma, banesa klasifikohet si e mbipopulluar, pavarësisht madhësisë në metra katrorë. Ky tregues përdoret nga

Eurostat për të matur cilësinë e kushteve të jetesës dhe presionin mbi strehimin.

Shqipëria, rekord për shpenzimet në ndërtim

Të dhënat e tjera të Eurostat, bëjnë të ditur se shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

https://monitor.al/shqiperia-me-shpenzime-rekord-per-ndertimin-ne-europe-ne-2023/

Pavarësisht dërtimeve, familjet shqiptare nuk arrijnë të blejnë dot apartamente për shkak të shtrenjtimit shumë më të shpejtë të tyre në raport me të ardhurat.

Sipas të dhënave të përpunuara më herët nga Monitor, për të blerë një apartament 70 metra katror kushton 14.8 milionë lekë, nga 7.8 milionë lekë një dekadë më parë. Për të blerë këtë apartament tashmë duhen gati 19 paga vjetore reale bruto (18.6), ose gati 6 vite më shumë sesa një dekadë më pare, që është ndër më të lartat në Europë.

Për të blerë një hyrje duhen 19 paga vjetore, 6 vjet më shumë se një dekadë më parë rekord në Europë

Europa
Sipas Eurosta, në vitin 2024, 16.9% e popullsisë në Bashkimin Europian jetonte në banesa të mbipopulluara, një rënie e lehtë nga 18.1% në vitin 2014.

Mbi 30% e popullsisë në 5 vende të BE-së jetonte në banesa të mbipopulluara. Rumania raportoi përqindjen më të lartë (40.7%), e ndjekur nga Letonia (39.3%), Bullgaria (33.8%), Polonia (33.7%) dhe Kroacia (31.7%).

Në të kundërt, normat më të ulëta të mbipopullimit u regjistruan në Qipro (2.4%), Maltë (4.4%) dhe Holandë (4.6%).

The post Ndërtime e kulla pa fund, por 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara appeared first on Revista Monitor.

Kina godet industrinë e qumështit të BE-së me tarifa deri në 42.7%

Masa përshkallëzon një marrëdhënie tregtare tashmë të tendosur mes Brukselit dhe Pekinit

Kina ka vendosur tarifa deri në 42.7% për disa importe të produkteve të qumështit nga BE-ja, pas një hetimi 16-mujor për subvencione, që ka rritur më tej tensionet tregtare mes Brukselit dhe Pekinit.

Ministria e Tregtisë njoftoi në një vendim paraprak se kishte konstatuar se importet e produkteve të qumështit nga BE-ja ishin të subvencionuara dhe se industria vendase kineze kishte “pësuar dëm material” si pasojë.

Tarifat, që variojnë nga 21.9% deri në 42.7%, por që për shumicën e kompanive të prekura janë pak nën 30%, do të hyjnë në fuqi më 23 dhjetor.

Hetimi i Kinës për importet e produkteve të qumështit nga BE-ja, një prodhues i madh nga Franca deri në Irlandë, u nis në gusht 2024, pak pasi hetimi i vetë bllokut prej 27 shtetesh anëtare mbi subvencionet çoi në vendosjen e tarifave të reja ndaj automjeteve elektrike kineze.

Pekini nisi gjithashtu hetime për mishin e derrit dhe konjakun.

Mosmarrëveshjet hakmarrëse për automjetet elektrike janë zbehur më pas nga të ashtuquajturat tarifa të “ditës së çlirimit” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Kinës, të cilat u përshkallëzuan ndjeshëm në prill dhe përfundimisht çuan në një armëpushim në tetor.

Por tarifat e reja ndaj produkteve të qumështit vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në një marrëdhënie tregtare që Europa e ka cilësuar vazhdimisht si të pabalancuar.

Pekini ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të negociojë një marrëveshje me Brukselin për heqjen e tarifave ndaj automjeteve elektrike, në këmbim të një zotimi për të shitur me një çmim minimal që të mos dëmtojë konkurrentët vendas. Komisioni Europian tha këtë muaj se po shqyrtonte dhënien e një të ashtuquajturi angazhim për çmim minimal vetëm për Volksëagen, prodhuesin gjerman të makinave me fabrika në Kinë.

Zyrtarë të BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Pekini po këmbëngul për një marrëveshje në nivel sektori, dhe jo me kompani individuale kineze, çka po i ndërlikon bisedimet.

Lëvizja e fundit shton presionin mbi një sektor bujqësor të BE-së tashmë të trazuar, i zemëruar për shkurtimet e propozuara në skemën e subvencioneve të bllokut, marrëveshjet tregtare që lejojnë më shumë importe dhe rregulloret mjedisore.

Traktorë hynë në Bruksel gjatë një samiti të BE-së javën e kaluar. Protestuesit dëmtuan godinat e Parlamentit Europian, shpërndanë pleh organik dhe goditën policinë e rendit me patate.

Sipas një ndarjeje të Ministrisë së Tregtisë mbi tarifat e reja për dhjetëra kompani, pothuajse të gjitha ato të prekura do të përballen me tarifa 28.6% ose 29.7%.

Deklarata e ministrisë i referohej djathit të freskët, të përpunuar dhe djathit blu, si edhe qumështit dhe ajkës. Nuk u bë asnjë përmendje për qumështin pluhur apo formulën për foshnja.

Norma më e lartë është rezervuar për FrieslandCampina, një kooperativë holandeze e qumështit, si edhe për kompani të tjera. Azia, përfshirë Kinën, përbënte më shumë se një të katërtën e shitjeve të saj prej 13 miliardë eurosh në vitin 2024. Kjo shifër përfshin gjithashtu Indonezinë, Tajlandën, Filipinet dhe Pakistanin.

BE-ja ka këmbëngulur prej kohësh se subvencionet e saj bujqësore janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë, pasi nuk janë të lidhura me prodhimin. / FT

The post Kina godet industrinë e qumështit të BE-së me tarifa deri në 42.7% appeared first on Revista Monitor.

Huamarrja e brendshme e qeverisë do të rritet lehtë në tremujorin e parë 2026

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet lehtë në tremujorin e parë të vitit 2025.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.

Ministria e Financave ka planifikuar emetimin për herë të parë të obligacioneve 2.5vjeçare, në muajt janar dhe shkurt.

Por, tremujori i parë 2026 pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.

Në muajin janar do të zhvillohet ankandi i pestë për emetimin e obligacioneve 20-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të bëhet rihapja e tij. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato u emetuan për herë të parë në vitin 2025.

Këto instrumente janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofolet e tyre dhe për të rritur kthimet nga investimi për anëtarët.

Në muajin janar do të zhvillohet gjithashtu ankandi i ri i obligacioneve 10-vjeçare, ndërsa në muajin mars do të kryhet rihapja e tij. Ndërkohë, në muajin shkurt do të zhvillohet ai i obligacioneve 15-vjeçare.

Zakonisht, tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kryesisht për shkak të një prirjeje më të madhe të investitorëve, kryesisht bankave tregtare, për të ndjekur objektivat e buxheteve vjetore në pjesën e parë të vitit.

Por, nga ana tjetër shpenzimet buxhetore realizohen në pjesën dërrmuese në muajt e fundit të vitit, sidomos në pjesën që u takon investimeve publike. Huamarrja në avancë dhe krijimi i tepricave të mëdha të likuiditetit krijon kosto të shtuara për interesa borxhi.

Megjithëse huamarrje në tremujorin e parë pritet të rritet lehtë, në tërësi për vitin 2026 ajo parashikohet të ketë një vlerë më të ulët krahasuar me një vit më parë.

Sipas buxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, vlerë kjo 10% më e ulët krahasuar me atë të parashikuar në buxhetin e vitit 2025./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Huamarrja e brendshme e qeverisë do të rritet lehtë në tremujorin e parë 2026 appeared first on Revista Monitor.

Ministri Salla: 150 mijë fermerë përfitojnë nga fondet e BE-së, do përditësojmë regjistrin e fermave

Ministri i Bujqësisë Andis Salla në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030” u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Salla theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.

Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Ai bëri me dije se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane, duke nënvizuar se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.

“Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër. Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun.

Por kjo mbështetje ka kushtëzime.

Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.

Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë. Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme: Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë; Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.

Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, NE do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.

Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve.

Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.

Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish.

Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje”.

Ministri Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.

Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik me strukturat europiane.

Në këtë kuadër, Ministri Salla lançoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare,” përfundoi Ministri Salla.

 

The post Ministri Salla: 150 mijë fermerë përfitojnë nga fondet e BE-së, do përditësojmë regjistrin e fermave appeared first on Revista Monitor.

Ari dhe argjendi arrijnë nivele rekord mes tensioneve gjeopolitike

Bllokada amerikane ndaj naftës venezueliane dhe parashikimet për ulje të normave nga Fed rrisin çmimet e metaleve të çmuara

Çmimet e arit dhe argjendit u rritën në nivele rekord të hënën, teksa tensionet gjeopolitike u kombinuan me pritshmëritë për ulje të normave të interesit në SHBA, duke nxitur një tjetër rritje të fortë të metaleve të çmuara.

Çmimi i arit u rrit deri në 1.9% në tregtimin e hershëm të së hënës, duke prekur nivelin 4,420 dollarë për ons. Edhe argjendi arriti një rekord, duke u rritur deri në 3.4%, në 69.44 dollarë për ons.

Analistët thanë se intensifikimi i bllokadës amerikane ndaj naftës venezueliane ishte një shpjegim i pjesshëm për rritjen e çmimeve të metaleve të çmuara, pasi investitorët kërkojnë aktive të sigurta. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake në territorin venezuelian, ndërsa rrit presionin ndaj presidentit autokrat Nicolás Maduro për t’u larguar nga pushteti.

“Kjo është një kujtesë se shqetësimet gjeopolitike dhe ato për zhvlerësimin kanë të njëjtën mbrojtje: arin,” tha Arun Sai, strateg i lartë për asete të shumëfishta në Pictet Asset Management. “Zhvlerësimi” i referohet teorisë se metalet e çmuara, si ari, shërbejnë si mbrojtje ndaj erozionit të vlerës së monedhave tradicionale, si dollari.

Pas një rritjeje marramendëse këtë vit, ari dhe argjendi parashikohet se do të shënojnë rritjen më të madhe vjetore të çmimeve që nga viti 1979, kur revolucioni në Iran shkaktoi një rritje të fortë të çmimit të naftës. Ari është rritur me 68% dhe argjendi me 139% deri tani këtë vit.

Pasiguria e tregut, e shkaktuar nga tarifat e gjera “reciproke” të Trump dhe sulmet e tij ndaj pavarësisë së Rezervës Federale, i ka shtyrë investitorët të orientohen masivisht drejt metaleve të çmuara këtë vit.

Investitorët kanë rritur gjithashtu parashikimet për ulje të normave të interesit nga Fed vitin e ardhshëm. Pritshmëritë për norma më të ulëta interesi mbështesin çmimet e arit, pasi investitorët, duke pritur kthime më të ulëta nga mbajtja e obligacioneve, kërkojnë aktive alternative.

“Përshkallëzimi i tensioneve mes Venezuelës dhe SHBA-së mund të jetë duke mbështetur çmimet e arit,” tha Hamad Hussain, ekonomist për klimën dhe mallrat në Capital Economics, megjithëse shtoi se “besimi optimist i tregut” po bën pjesën më të madhe të punës për ta çuar çmimin më lart.

Bakri, një metal industrial i përdorur gjerësisht dhe që shihet si barometër i shëndetit ekonomik global, u rrit gjithashtu në një rekord të ri, duke arritur pothuajse 12,000 dollarë për ton.

Bakri ka shënuar një seri rekordesh të reja që nga tetori, për shkak të një kombinimi ndërprerjesh të furnizimit, frikës për mungesa dhe një fluksi masiv bakri drejt SHBA-së, që ka varfëruar stoqet në pjesë të tjera të botës. Frika se administrata amerikane mund të vendosë tarifa shtesë importi në vitin 2026 ka vazhduar ta nxisë rritjen e bakrit në vend javët e fundit.

Edhe çmimet e naftës u rritën të hënën, teksa presioni i SHBA-së ndaj Venezuelës u intensifikua. Indeksi Brent u rrit deri në 1.4%, në 61.31 dollarë për fuçi. / FT

 

The post Ari dhe argjendi arrijnë nivele rekord mes tensioneve gjeopolitike appeared first on Revista Monitor.

Konsumi i energjisë në Kosovë thyen rekordet, autoritetet apelojnë për kursim

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është tejkaluar dhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem.

 

Kosova po përballet me një situatë të rënduar energjetike, pasi konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar të gjitha rekordet e mëparshme.

Tashmë kur ka nisur edhe stina e dimrit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT ka paralajmëruar mundësinë e reduktimeve në furnizimin me energji elektrike, duke thënë se diçka e tillë mund të imponohet nga mbingarkesa.

Teksa njoftoi se konsumi i rrymës ka shënuar rritje prej 14.33% dhe se piku veçse ka arritur në 1468 megavat/orë, KOSTT-i kërkoi nga qytetarët që të “kursejnë dhe zhvendosin konsumin” në orë tjera, përtej intervaleve 16-20 dhe 22-23

“Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00 ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët”, thuhet në njoftim.

KOSST u ka apeluar qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë me kujdes dhe të kontribuojnë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë.

“Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës): rreth 12 MW, NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit): rreth 10 MW”.

Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar lidhur me situatën ekonomike dhe të energjisë në vend.

Muharremi ka thënë se sot qytetarët janë më të varfët e më të pasigurt, pasi rryma është kthyer në luks.

“Edhe ma t’varfën, edhe n’terr. A po e shihni si kogja disa aktivitet zgjedhore që po raportohen janë duke u zhvilluar në terr, me llampa e me qirinjë. A thua në cilin shekull jemi? Zoti e di sa fshatëra e vendbanime tjera janë pa energji këto momente.. Na i rritën çmimet e energjisë 2-3 herë brenda një mandati, e na e sollën gati 1 miliardë euro import energjie me çmim 4-5 herë ma të lartë sesa prodhojmë vetë. Tona t’zezat, e prapë nuk kemi rrymë. Sot jemi ma të varfën, ma të pasigurt dhe po jetojmë në një shtet ku rryma është luks, jo shërbim.. për qytetarët familjet dhe ekonominë”.

Kurse, këtë situatë dhe mundësinë e rëndimit të saj, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj e lidhi me mos-përmbushjen e obligimeve nga operatorët e licencuar në sektorin e energjisë.

“Kjo ka ardhur si pasojë e investimeve jo të bollshme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si atë në domenin e KOSTT-it ashtu dhe atë të KEDS-it”.

Teksa në këtë kontekst përmendi edhe mungesën e investimeve për kapacitet të reja prodhuese të rrymës, Mulaj tha se pasojat e dështimit të akterëve rregullues i vuajnë qytetarët.

“Ndoshta për mungesë të kapacitetit, ndoshta për jo-profesionalizëm, ose në raste të caktuara edhe për favorizim të operatorëve në treg, realisht kanë krijuar një lloj problematike të jashtëzakonshme, që qytetarët, konsumatorët në Kosovë sot, edhe nuk kanë energji të bollshme, edhe cilësia e energjisë nuk është e ajo që kërkohet, por edhe fatura ju vjen shumë e lartë”.

Me ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës janë përballur edhe qytetarë të komunave të tjera të Kosovës, duke shkaktuar telashe edhe në funksionim të bizneseve.

Biznesmeni Burim Piraj nga Dragashi ka thënë se nga e shtuna kanë pasur ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës dhe nuk kanë marrë përgjigje pse po ndodh kjo.

“Në këtë kohë të dimrit është shumë telashe, pasi ne kemi shumë hapësira në reparte dhe mund të vijë deri te ngrirja e ujërave. Në anën tjetër kemi frigoriferë që duhet të punojnë non-stop. Ne po e aktivizojmë agregatin dhe nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne kemi provuar të kontaktojmë KEDS-in dhe KESCO-n nëpërmjet numrit të qendrës së thirrjeve, por nuk kemi arritur të kontaktojmë për të marrë një arsye pse është duke u ndërprerë energjia pa paralajmërim”.

Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.

Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.

Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta.

The post Konsumi i energjisë në Kosovë thyen rekordet, autoritetet apelojnë për kursim appeared first on Revista Monitor.

Ndryshime në buxhetin 2025: bonus 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike

Këshilli i Ministrave ka miratuar Aktin Normativ të fundit të vitit, duke bërë ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Ndryshimet parashikojnë dhënien e një bonusi fundviti prej 15 mijë lekësh për familjet që përfitojnë Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar dhe kujdestarët e tyre, nga i cili do të përfitojnë rreth 148,500 qytetarë.

Sipas Ministrisë së Financave, fondet e pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore do të transferohen në Fondin e Veçantë të Pensioneve, me një vlerë minimale të parashikuar prej 150 milionë eurosh, të destinuara për Reformën e Pensioneve.

Ndryshimet në buxhet përfshijnë edhe mbështetje shtesë për bujqësinë, me rreth 2 miliardë lekë shtesë, duke e çuar fondin total për vitin 2025 në 6.4 miliardë lekë.

Shëndetësia do të përfitojë 18 milionë euro për furnizimin me ilaçe në spitale, ndërsa pushteti vendor do të mbështetet me 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Në total, vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barazvlefshme me rreth 40% të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki.

Ministria e Financave thekson se këto masa synojnë forcimin e stabilitetit ekonomik dhe rritjen e mbështetjes sociale.

The post Ndryshime në buxhetin 2025: bonus 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike appeared first on Revista Monitor.

Të rinjtë kanë ikur; 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë, nën 45 vjeç

Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Europian.

Lexo edhe: Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit.

Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare.

Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit. / B.Hoxha

 

 

The post Të rinjtë kanë ikur; 70% e emigrantëve shqiptarë në Europë, nën 45 vjeç appeared first on Revista Monitor.

Fitimet e investitorëve të huaj po ulen për herë të parë në pesë vjet

Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri janë në rënie gjatë vitit 2025, pas katër vitesh radhazi në rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2025, të ardhurat e investitorëve të huaj kishin vlerën e 253 milionë eurove, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.

Për të gjithë 9-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 802 milionë eurove, në rënie me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është hera e parë që prej vitit 2020 që fitimet nga investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie. Në vitet e fundit, rritja e fitimeve është mbështetur nga rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas pandemisë dhe nga rritja e vazhdueshme e investimeve të reja.

Megjithatë, pjesërisht ajo është ndikuar edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron nga ndikuar pozitivisht të ardhurat e investitorëve të huaj, të shprehura në monedhën europiane. Gjatë 2025, ecuria e kursit të këmbimit Euro-Lek është më e stabilizuar, me një ndryshim vjetor pranë nivelit të 2%, gjithmonë në kahun rënës. Stabilizimi i kursit po e redukton efektin e tij statistikor në ecurinë e të ardhurave nga investimet për investitorët e huaj në Shqipëri.

Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2025 ranë në 228 milionë euro, 2.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare ngelet gjerësisht negativ, në vlerën e 575 milionë eurove. Megjithatë, deficiti në këtë zë u tkurr lehtë me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit dhe për këtë arsye bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Të dhënat progresive tregojnë se, edhe për vitin 2025, investimet e huaja direkte vazhdojnë të regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 1.208 miliardë euro, shifër kjo 4.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshë gjithnjë e më të rëndësishme në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2025, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 632 milionë euro, 0.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 52% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2025./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Fitimet e investitorëve të huaj po ulen për herë të parë në pesë vjet appeared first on Revista Monitor.

Ngriva-shkriva me tenderin 7.7 mln euro të sistemit të Tatimeve, ankimohet sërish në KPP

Tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizmit për llogari të Drejtorisë së Përgjithshe të Tatimeve, me autoritet kontraktor Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me fond limit 7.7 milionë euro ka përfunduar sërish i ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik vetëm dhjetë ditë nga heqja e pezullimit.

Teksa më herët KPP mori këtë masë për të hapur rrugë vijimit të procesit pas konstatimit se ishin bërë korrigjimet e nevojshme në dokumentet eë tenderit, tashmë një tjetër operator vlerëson se këto ndryshime nuk janë të plota duke lënë hapësira për interpretim.

Në një ankimim të regjistruar në sistem kompania ankimuese rendit se konstatimet e këtyre paqartësive janë bërë nga kompania e huaj me të cilën ajo bashkëpunon.

Tashmë topi është sërish në dorën e KPP për të vendosur nëse do ti kërkojë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) që të rishikojë sërish dokumentet bashkë me Tatimet për llogari të të cilave po zhvillon tenderin i cili është hapur që në prill të këtij viti.

Tenderi për sistemin e fiskalizimit

Tenderi me objekt kontrate Mirëmbajtje e Modulit te Menaxhimit te Kontrollit te Faturimit per Drejtorinë e Përgjithshme te Tatimeve u hap në prill të këtij viti. Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën, qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një periudhë prej 24 muajsh.

“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardëare). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore”, thuhet në dokumente.

Në dokumentacion theksohet se disponueshmëria e sistemit të fiskalizimit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për qëllime përditësimi (upgrade, update) apo modifikime të tjera.

“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.

Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara. Dokumentet e tenderit përshkruajnë kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit./ N.Maho

 

The post Ngriva-shkriva me tenderin 7.7 mln euro të sistemit të Tatimeve, ankimohet sërish në KPP appeared first on Revista Monitor.

Recesioni shumëvjeçar i Gjermanisë do të zbehet gradualisht në vitin 2026

Banka qendrore shuan shpresat për një rimëkëmbje të fortë nga vala e shpenzimeve të financuara me borxh

Ekonomia e Gjermanisë do të dalë ngadalë nga një recesion shumëvjeçar, ka paralajmëruar Bundesbank në një parashikim që shuan shpresat për një rimëkëmbje të shpejtë të nxitur nga vala e shpenzimeve të Berlinit të financuara me borxh.

Banka qendrore uli parashikimin e rritjes për vitin 2026 me 0.1 pikë përqindje, në 0.6%. Ndërsa rriti parashikimin për vitin 2027 me të njëjtën masë, në 1.3%, ajo paralajmëroi se rreziqet për parashikimin e përditësuar të PBB-së “janë të prirura më shumë nga ana negative”.

Perspektiva e re sugjeron se PBB-ja e Gjermanisë do të rikthehet në nivelet para recesionit vetëm nga fundi i vitit 2026.

Ekonomistët e sektorit privat, investitorët dhe qeveria gjermane kishin shpresuar se 1 trilion euro investime shtesë dhe shpenzime për mbrojtjen do të rigjallëronin ekonominë më të madhe të Europës, e cila ka mbetur në stanjacion që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Parashikimi i Bundesbank përjashton efektet pozitive të një numri më të lartë ditësh pune vitin e ardhshëm, që pritet ta rrisë PBB-në e raportuar me edhe 0.3 pikë përqindje, në 0.9%. Ky nivel është më i ulët se parashikimi i qeverisë prej 1.3%, i cili përfshin efektet nga ditët shtesë të punës.

Deficiti qeveritar pritet pothuajse të dyfishohet nga 2.5% këtë vit në 4.8% në vitin 2028, ndërsa barra e borxhit të Gjermanisë pritet të rritet nga 62% në 68%. Deficiti vjetor në vitin 2028 do të ishte niveli më i lartë që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitet 1990, duke tejkaluar edhe krizën financiare globale dhe pandeminë e Covid-19.

Kostot e punës jo në paga do të rriten pothuajse me një të dhjetën gjatë tre viteve të ardhshme, duke arritur një rekord historik 44.5% të fondit të pagave, të nxitura nga rritja e kostove të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, të cilat rrezikojnë të dëmtojnë më tej konkurrueshmërinë e prodhuesve gjermanë.

Ndërsa Bundesbank pranoi se ka “shenja fillestare të rritjes së porosive qeveritare”, ajo theksoi se treguesit ende nuk sinjalizojnë një “shtysë të hershme dhe të ndjeshme të aktivitetit ekonomik nga rritja e shpenzimeve publike”.

Njëkohësisht, inflacioni do të bjerë më ngadalë se sa ishte parashikuar më parë. Me 2.3% këtë vit dhe 2.2% në vitin 2026, ai pritet të qëndrojë mbi objektivin afatmesëm prej 2% të BQE-së për Eurozonëns, kryesisht për shkak të presioneve nga pagat.

Gjermania ka qenë “qartësisht në recesion që nga fundi i vitit 2022” dhe madje është rikthyer në tkurrje gjatë tremujorëve të dytë dhe të tretë të këtij viti, tha banka qendrore.

Ajo paralajmëroi se vala e huamarrjes së kancelarit Friedrich Merz do ta rrisë potencialin e rritjes së Gjermanisë vetëm me 0.35 deri në 0.5 pikë përqindje, pasi rreth 250 miliardë euro nga borxhi i ri pritet të përdoren për financimin e buxhetit të mirëqenies sociale, ulje taksash dhe shpenzime të tjera të përditshme, në vend të investimeve në infrastrukturë.

“Efektet afatgjata të rritjes, efektet mbi potencialin prodhues të ekonomisë gjermane, janë për rrjedhojë shumë të kufizuara deri në vitin 2028 dhe mbeten të kufizuara edhe përtej kësaj periudhe,” tha Bundesbank. / FT

 

The post Recesioni shumëvjeçar i Gjermanisë do të zbehet gradualisht në vitin 2026 appeared first on Revista Monitor.

EPPO zbulon një mashtrim të madh me TVSH 78 milionë euro në Kroaci dhe Itali

 Në një zhvillim të madh që thekson vendosmërinë në rritje të Bashkimit Europian kundër krimit financiar në shkallë të gjerë, Zyra e Prokurorit Publik të BE-së (EPPO) shpalli më 25 nëntor se ka zbuluar mashtrimin e parë multimilionë euro me TVSH-në në Kroaci. Operacioni i sofistikuar, që përfshin 78 milionë euro tatim të papaguar, tregon shkallën e skemave të evazionit të tatimit ndërkufitar brenda BE-së dhe rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar për t’i luftuar ato.

Hetimi synoi një rrjet kriminal të përfshirë në tregtinë e elektronikës dhe produkteve higjienike. EPPO, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet tatimore kroate, policinë lokale dhe Guardia di Finanza të Italisë, realizuan një operacion gjithëpërfshirës që rezultoi në disa arrestime dhe sekuestrime të pasurive të rëndësishme në Kroaci dhe Itali. Ky rast është konsideruar një moment kyç për EPPO, duke shënuar një përpjekje vendimtare për të ndërprerë skemat e mashtrimeve tatimore të organizuara që shtrihen në disa shtete anëtare.

Në Kroaci, autoritetet arrestuan gjashtë të dyshuar. Hetimi zbuloi se grupi kishte krijuar një rrjet të ndërlikuar kompanish ndërmjetësuese për të realizuar transaksione tregtare të sajuara brenda BE-së. Këto tregti lejuan grupin të kërkonte përjashtime nga TVSH-në në mënyrë të paligjshme, duke shmangur kështu sasi të konsiderueshme taksash. Autoritetet kroate bllokuan dy prona dhe tetë automjete të dyshuarve, të vlerësuara në rreth 650,000 euro.

Hetuesit vërejtën se rrjeti ishte organizuar me kujdes, me role të ndara ndërmjet anëtarëve për të menaxhuar logjistikën, administratën dhe kontabilitetin, duke siguruar që aktivitetet mashtruese të mbeteshin të fshehura. Prokurorët e EPPO theksuan se operacionet e tilla shpesh përfshijnë shtete të shumta dhe kërkojnë koordinim ndërkufitar për t’u çmontuar në mënyrë efektive.

Hetimi u zgjerua në Itali, ku Gjykata e Napolit ngriu 33 milionë euro (38.19 milionë dollarë) pasuri të lidhura me shtatë udhëheqës të dyshuar të rrjetit kriminal, si dhe 23 kompani që besohet se ishin pjesë e skemës. Përveç këtyre pasurive të bllokuara, autoritetet kanë sekuestruar tashmë më shumë se 1 milion euro në pasuri të paluajtshme, automjete luksoze, bizhuteri dhe para. Disa nga të dyshuarit janë të lidhur me një gjyq të veçantë për mashtrimet e TVSH-së që vazhdon në Itali, por hetimi aktual është fokusuar në rrjetin kryesor që orkestroi këto aktivitete të paligjshme.

Hetuesit italianë raportuan se operacionet e rrjetit përfshinin ofrimin e magazinimit, transportit dhe shërbimeve administrative për të mundësuar tregtinë mashtruese. Duke koordinuar logjistikën dhe menaxhimin e dokumenteve, grupi mundi të fshehë origjinën dhe lëvizjen e mallrave, duke errësuar kështu rrjedhën e TVSH-së dhe duke minimizuar rrezikun e zbulimit.

 

The post EPPO zbulon një mashtrim të madh me TVSH 78 milionë euro në Kroaci dhe Itali appeared first on Revista Monitor.

Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Diaspora shqiptare vijon të zgjerohet dhe të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe ekonomike të vendit.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë sipas Botimit Diaspora në Shifra.

INSTAT thekson se, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, diaspora nuk mund të përllogaritet me saktësi absolute. Për këtë arsye përdoren metoda të tërthorta, duke krahasuar të dhënat e regjistrit civil me popullsinë banuese në vend.

Ky vlerësim tregon se diaspora shqiptare ka një profil relativisht të ri dhe ekonomikisht aktiv, me rreth 77% të saj në grup-moshën 15–64 vjeç, ndërsa vetëm rreth 5% janë mbi 65 vjeç, çka e bën atë një burim të rëndësishëm potencial për tregjet e punës në vendet pritëse.

Historikisht, migrimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm dhe i larmishëm, duke nisur që nga shekujt XV–XVI e deri te valët masive pas viteve ’90. Botimi dallon mes “diasporës së vjetër”, të formuar kryesisht para vitit 1944 dhe gjatë periudhës 1945–1990, dhe “diasporës së re”, e cila lidhet me migrimin masiv pas rënies së komunizmit. Në këtë fazë të fundit, destinacionet kryesore kanë qenë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.

Të dhënat nga censet ndërkombëtare tregojnë se rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në 31 vende të Evropës, ndërsa rreth 939 mijë shtetas shqiptarë figurojnë si rezidentë në këto vende. Italia dhe Greqia mbeten dy destinacionet kryesore historike dhe aktuale, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Paralelisht, në vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi, Gjermani dhe Suedi, duke reflektuar një integrim më të qëndrueshëm afatgjatë.

Një kapitull i veçantë i botimit i kushtohet diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare, të ndarë mes gjeneratës së parë të emigrantëve dhe gjeneratës së dytë të lindur në SHBA. Ky komunitet paraqitet me norma të larta punësimi dhe me një strukturë arsimore të diversifikuar, duke përforcuar rolin e diasporës si faktor ekonomik dhe social me peshë.

INSTAT thekson se publikimi synon të shërbejë si instrument informues për politikëbërësit dhe institucionet, në funksion të hartimit të politikave më të mira për diasporën dhe forcimit të lidhjeve të saj me vendin e origjinës, në një kontekst ku migrimi mbetet një nga sfidat strukturore më të mëdha për Shqipërinë.

 

 

The post Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit appeared first on Revista Monitor.

Paga minimale rritet në 50 mijë lekë, përfitues mbi 300 mijë punonjës

Qeveria ka miratuar rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë nga 40,000 lekë në 50,000 lekë.

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj njoftoi se vendimi përfshin 307,850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat dhe përbën përmbushjen e një tjetër angazhimi të dhënë ndaj qytetarëve.

Sipas ministres, kjo masë synon mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare.

Ajo theksoi gjithashtu se rritja e pagës minimale do të kontribuojë në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore, duke pasur një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.

 

 

The post Paga minimale rritet në 50 mijë lekë, përfitues mbi 300 mijë punonjës appeared first on Revista Monitor.

Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, drafti: Si do veprohet me pronarët e truallit dhe blerësit

Qeveria do të nxjerrë na ankand pasuritë e paluajtshme të ndërtuara pa lejë të cilat  sekuestrohen dhe konfiskohen.

Në një draft të nxjerrë për konsultim nënvizohet se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të ketë një rol më të zgjeruar duke ndjekur procedurat sa i takon ankandeve apo shpërndarjes së aseteve tek institucionet dhe entet publike sipas nevojave që paraqiten.

Por teksa ankandi do të jetë në thelb të procedurës duket se drafti parashtron edhe mënyrën sesi do të veprohet për ndërtimet që kanë specifika të veçanta siç mund të jetë rasti kur ka blerës me kontrata apo mënyra sesi do të veprohet me ish-pronarët e truallit.

Lidhur me të parët pra kur ndërtimi pa leje është një objekt ku ka pasuri që janë paguar dhe zotërohen nga palë të treta sipas një marrëveshje fillestare që mund të jerë bërë me ndërtuesin drafti parashikon që ato të trajtohen me legalizim dhe regjistrim.

“Përjashtimisht për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit për të cilat gjatë vlerësimit nga njësia e zbatimit, konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontrate të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, do të konsiderohen brenda fushës së zbatimit pikës 9, neni 69 të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

AAPSK për këtë kategori objektesh, i kërkon ASHK vijimin e procedurave të legalizimit sipas legjislacionit përkatës”, thuhet në draft.

Sa i takon rasteve kur një objekt jashtë leje konfiskohet por marrëdhënia me ish pronarin e truallit mbetet për zgjidhje parashikohen dy mundësitë. Kur ka një marrëveshje paraprake e cila është e dokumentuar procedohet me respektimin e saj kurse në rastin kur ajo nuk ekziston ish-pronarët shpronësohen.

“AAPSK merr, regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiskuara deri në momentin e zbatimit të një prej formave të zhvillimit. 2. Pas marrjes në dorëzim të objektit dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, AAPSK vlerëson për: a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara; b) masën e shprehur në përqindje të pjesëve takuese që rrjedhin nga marrëdhënia ligjore me pronarët e truallit sipas parashikimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit; c) masën e detyrimit financiar që njihet për personat e tretë sipas parashikimeve të këtij ligji; 3. Në rastet kur nuk ka marrëveshje me pronarët e truallit, procedohet me shpronësim, përsa i përket të gjithë objektit të ndërtuar pa leje sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet në nenin 19 të draftit.

 

 

The post Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, drafti: Si do veprohet me pronarët e truallit dhe blerësit appeared first on Revista Monitor.

❌