Reading view

“Super-El Niño” drejt rekordit historik/ Shkencëtarët paralajmërojnë për një vit 2027 ekstremisht të nxehtë

✇Albeu
By: V K

Fenomeni klimatik El Niño, i cili po intensifikohet në Oqeanin Paqësor, pritet të bëhet më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë, sipas studiuesve të fondacionit amerikan Berkeley Earth.

Ekspertët, të cilët prej kohësh po monitorojnë këtë fenomen, parashikojnë se vala e të nxehtit e shkaktuar nga ajo që është quajtur tashmë “Super-El Niño”, e kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga ndryshimet klimatike me origjinë njerëzore, mund ta bëjë vitin 2027 vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Sipas studiuesve, temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë një sërë ngjarjesh të rënda meteorologjike në shumë pjesë të botës, veçanërisht në Amerikën Latine. Këto parashikime janë bërë publike në buletinin e fundit klimatik të fondacionit Berkeley Earth, i prezantuar gjatë një konference të zhvilluar më 23 korrik.

“Bazuar në projeksionet e një serie modelesh klimatike, kulmi i këtij fenomeni El Niño pritet të tejkalojë rekordin e mëparshëm me një diferencë vërtet të jashtëzakonshme”, deklaroi klimatologu Zeke Hausfather, një nga autorët e studimit.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që ky fenomen, i kombinuar me ndryshimet klimatike globale, të rrisë temperaturën mesatare të planetit në vitin 2027 deri në 1.7°C mbi mesataren e periudhës para-industriale, duke tejkaluar edhe pragun prej 1.5°C, të cilin qeveritë botërore janë zotuar ta shmangin në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për klimën.

Hausfather analizoi parashikimet e 14 modeleve klimatike për këtë episod të El Niño-s dhe zbuloi se vlerësimi mesatar për temperaturën maksimale të sipërfaqes së detit në Paqësor është rreth 0.8°C më i lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur në vitet 2015-2016.

“Nuk është aspak një përfundim i sigurt, por probabiliteti rritet nga muaji në muaj”, tha klimatologu.

Përfundimet e Berkeley Earth përputhen edhe me vlerësimet e Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), e cila parashikon një probabilitet prej rreth 80% që deri në fund të vitit të zhvillohet një fenomen ‘shumë i fuqishëm’ El Niño.

Sipas NOAA, ekziston gjithashtu një bindje pothuajse e plotë se kushtet e El Niño-s do të vazhdojnë të paktën deri në prill të vitit 2027, duke rritur rrezikun për ngjarje ekstreme klimatike në mbarë globin.

The post “Super-El Niño” drejt rekordit historik/ Shkencëtarët paralajmërojnë për një vit 2027 ekstremisht të nxehtë appeared first on Albeu.com.

  •  

“Pa mua nuk ke jetë”/ Pas orësh të tëra negociata, publikohen pamje nga momenti kur Refit Buzi liroi ish-partneren që mbante peng (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

News24 ka siguruar pamjet ekskluzive nga momenti dramatik kur Refit Buzi liron ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka, të cilën e mbante peng pas një krimi të rëndë familjar.

Ngjarja e rëndë mori përmasa tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Buzi i mori jetën ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij me armë gjahu, për të marrë më pas peng ish-të fejuarën dhe për t’u arratisur nga vendngjarja.

Lirimi i të resë erdhi vetëm pas disa orësh negociatash të tensionuara me forcat speciale RENEA, të cilat kishin rrethuar zonën ku fshihej autori.

Edhe pse u arrit shpëtimi i Rozalinda Plakës, ngjarja u përmbyll me një tjetër viktimë gjatë pasdites së djeshme, pasi 35-vjeçari Refit Buzi i dha fund jetës duke u vetëvrarë me të njëjtën armë gjahu me të cilën kreu krimin, pas 8 orësh negociata me forcat RENEA.

Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, në një deklaratë për mediat bëri me dije se gjatë rrethimit, 35-vjeçari kishte kërcënuar disa herë se do të vishte armën kundër vetes, kërcënim të cilin e çoi deri në fund pas lirimit të pengut.

Strukturat e policisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

 

The post “Pa mua nuk ke jetë”/ Pas orësh të tëra negociata, publikohen pamje nga momenti kur Refit Buzi liroi ish-partneren që mbante peng (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

  •  

Askush nuk më ka nxjerrë jashtë dje/ Përplasja mes Ramës dhe Braçes në mbledhjen e socialistëve, shpërthen deputeti: Dola vetë se nuk kisha më çfarë të dëgjoja

✇Albeu
By: V K

Me anë të një postimi në “Facebook”,  deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas lajmeve për një përplasje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së djeshme me deputetët dhe kabinetin qeveritar.

Braçe i ka cilësuar këto raportime si “vrasje me pagesë” në politikë dhe pjesë të një fushate linçimi politik.

Socialisti shprehet se përpara se të niste fjalën e tij në mbledhje, u kishte kërkuar kolegëve që diskutimet të mos dilnin jashtë, por sipas tij kjo nuk ndodhi.

Në reagimin e tij, Braçe u ndal edhe te angazhimi i marrë gjatë mbledhjes për të ndëshkuar ata që nxjerrin jashtë diskutimet e brendshme të partisë, duke nënvizuar se pret që ky premtim të zbatohet.

Sa i përket raportimeve se Braçe ishte përplasur me Ramën, deputeti hodhi poshtë zërat, duke theksuar se ai ishte larguar vetë nga mbledhja dhe nuk e kishte përjashtuar askush.

Braçe thotë se nuk kishte çfarë të thoshte dhe as çfarë të dëgjonte, pasi kishte thënë gjithçka edhe në mbledhjen pararendëse.

“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emrin një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është “vrasje me pagesë” në politikë. Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar.

Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli. Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam patur çfarë të them më, e pasi kam thënë aty, e në mbledhjen pararendëse, gjithçka që thonë socialistët prej 1 viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam patur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, tha Braçe.

The post Askush nuk më ka nxjerrë jashtë dje/ Përplasja mes Ramës dhe Braçes në mbledhjen e socialistëve, shpërthen deputeti: Dola vetë se nuk kisha më çfarë të dëgjoja appeared first on Albeu.com.

  •  

Berisha: Rama injoroi kërkesat e ligjshme të protestuesve, e para është dorëheqja e tij, vodhi miliona bashkë me Ballukun

✇Albeu
By: V K

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së dhe qeverisë në Pallatin e Brigadave, duke e cilësuar atë si, “një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se Rama shpërfilli plotësisht kërkesat e protestuesve, të cilët prej dy muajsh po protestojnë me pesë kërkesa themelore, ku kryesorja është “Edi Rama jep dorëheqjen’, të panegociueshme dhe të parevokueshme.

Më tej, kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin se mbrojti ish-zv.kryeministren Belinda Balluku për të mbrojtur veten dhe hodhi poshtë deklaratën e Ramës se në 100 vitet e fundit nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion.

“Dje, pa përgjegjësi, thoshte se në 100 vitet e fundit nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, pavarësisht se vetëm në 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për korrupsion. Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë”, deklaroi Berisha.

Berisha: Dje, kur e dëgjuat te Pallati Presidencial, patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar. Një njeri që injoroi “de facto” totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve, që po bëhen prej dy muajsh.

Kërkesat më themelore janë 5 pika, ku e para është “Edi Rama jep dorëheqjen”, të panegociueshme dhe të parevokueshme.

Nuk ka kërkesë më legjitime, sepse Edi Rama nuk është një kryeministër legjitim. Edi Rama është instaluar në pushtet nga zgjedhje të plaçkitura, të vërtetuara nga të gjitha raportet ndërkombëtare.

Rama qëndron në pushtet pasi ka vjedhur qindra milionë euro bashkë me Lubi Ballukun dhe e mbrojti atë për të mbrojtur veten e tij.

Dje, pa përgjegjësi, thoshte se në 100 vitet e fundit nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, pavarësisht se vetëm në 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për korrupsion. Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë.

The post Berisha: Rama injoroi kërkesat e ligjshme të protestuesve, e para është dorëheqja e tij, vodhi miliona bashkë me Ballukun appeared first on Albeu.com.

  •  

Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë në Britani/ Mbi 100 zjarrfikës në luftë me flakët, tymi i zi mbulon zonën (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Një shpërthim i fuqishëm tronditi Qarkun Essex në Britaninë e Madhe pasditen e së premtes, pasi një zjarr i madh shpërtheu në një fabrikë industriale në Southend Road, mes zonave East Hanningfield dhe Rettendon.

Mbi 100 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa re të dendura tymi të zi kanë mbuluar zonën dhe janë të dukshme nga kilometra larg.

Sipas banorëve, pak para orës 18:00 me orën lokale u dëgjuan disa shpërthime të forta, ndërsa shërbimet e emergjencës e kanë cilësuar ngjarjen si një “incident serioz”.

Dëshmitarët thanë se zhurma e shpërthimit u dëgjua deri në rreth 24 kilometra larg, me disa prej tyre që fillimisht menduan se bëhej fjalë për një bum zanor.

Një banor raportoi në rrjetet sociale se vala e goditjes shkaktoi dëme edhe në banesën e një të afërmi.

Pamjet ajrore nga vendngjarja tregojnë disa ndërtesa industriale dhe automjete të përfshira nga flakët, ndërsa dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe ambulanca vijojnë të operojnë në zonë.

Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për viktima apo të lënduar, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit.

 

ONGOING FIRE IN INDUSTRIAL COMPLEX, RETTENDON ESSEX #fire #essex #essexfire #live pic.twitter.com/JJaCi4CqHk

— TMCNJ (@C_Neale_) July 24, 2026

The post Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë në Britani/ Mbi 100 zjarrfikës në luftë me flakët, tymi i zi mbulon zonën (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

  •  

Tabaku zbërthen 10 vitet e “Ligjit të Investimeve Strategjike”: 9 ndryshime dhe 6 shtyrje! Parlamenti është përdorur si noter i qeverisë

✇Albeu
By: V K

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rindërtuar kronologjinë e Ligjit për Investimet Strategjike, nga miratimi i tij në vitin 2015 deri te zgjatjet e vazhdueshme dhe debatet e sotme për shfuqizimin e tij.

Tabaku kujtoi se ligji u prezantua fillimisht si një instrument i përkohshëm, që synonte të tërhiqte investitorë të huaj dhe të nxiste investime në sektorët strategjikë të ekonomisë. Por, sipas saj, pas një dekade zbatimi, ai është kthyer në një mekanizëm për shpërndarjen pa garë të aseteve dhe pronave publike te një grup i kufizuar përfituesish.

Deputetja demokrate deklaroi se ligji është ndryshuar nëntë herë, ndërsa gjashtë prej ndërhyrjeve kanë pasur si qëllim vetëm shtyrjen e afatit të tij.

“Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin”, u shpreh Tabaku.

Ajo rikujtoi se, që në momentin e miratimit të ligjit në vitin 2015, kishte propozuar disa amendamente që synonin mbrojtjen e pronës private dhe ndalimin e ndërhyrjes së shtetit në marrëdhëniet ndërmjet dy pronarëve privatë.

Sipas Tabakut, amendamentet synonin të pengonin marrjen e pronës së një qytetari me çmim reference për t’ia kaluar më pas një subjekti tjetër privat, por ato u rrëzuan nga votat e mazhorancës socialiste.

Deputetja e PD-së u ndal edhe te nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit. Ajo tha se propozimi u rrëzua me argumentin e përfaqësuesve të qeverisë se ligji kishte qenë i dobishëm dhe se po punohej për një kuadër të ri e të përhershëm për investimet.

Për deputeten e PD-së, Ligji për Investimet Strategjike është një nga shembujt më të qartë të ligjeve me porosi, ndërsa Parlamenti është përdorur si “noter i qeverisë” për interesa të ngushta.

“Këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë ata që e krijuan, e konceptuan, e votuan dhe e zbatuan. Këtë sistem do ta ndryshojë shoqëria shqiptare. Shfuqizimi i këtij ligji është heqja e njërës prej tullave mbi të cilat është ngritur sistemi i favoreve”, përfundoi Tabaku.

Fjala e plotë e Jorida Tabakut

Prej javësh e muajsh, e gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë kundër një sistemi të pandershëm. Një sistemi që është ndërtuar ditë pas dite nga mazhoranca socialiste; është ngritur tullë pas tulle, përmes vendimeve dhe ligjeve që, fatkeqësisht, kanë rënduar shtresën e mesme.

Një sistem kaq i pandershëm, që në masën 95 për qind mbahet në kurrizin dhe mbi supet e brishta të shtresës së mesme dhe të familjeve shqiptare, ndërkohë që pasuria u shpërndahet të paktëve.

Ky sistem i pandershëm nuk është ngritur brenda një dite. Ai lidhet me ligjet me porosi, me vendimet dhe me mënyrën se si është qeverisur gjatë këtyre viteve.

Shembulli par excellence, shembulli më i mirë i abuzimit dhe i zbatimit të një ligji që tregon se si vepron dhe operon qeveria, është sot Ligji për Investimet Strategjike.

Ligji për Investimet Strategjike u miratua për herë të parë, me propozim të qeverisë, në vitin 2015. U prezantua si një ligj që do të sillte investitorë të huaj nga çdo cep i botës dhe që do të tërhiqte investime në Shqipëri.

Investitorët do të merrnin asete publike, prona private, leje, akses në procedura, heqje taksash dhe favore fiskale për të investuar në vendin tonë.

Por, në përfundim të ditës, gjatë dhjetë viteve të zbatimit të tij, ky ligj ka shërbyer për t’ua shpërndarë këto asete publike dhe prona private, të marra nga familjet dhe qytetarët shqiptarë, vetëm një grushti të vogël njerëzish.

Në momentin e miratimit të ligjit, në vitin 2015, propozova disa amendamente që lidheshin pikërisht me çështjen e pronës. Me faktin se shteti nuk mund të ndërhyjë në një marrëdhënie ndërmjet privatëve, t’i marrë tokën një qytetari apo një familjeje, ta shpronësojë me çmim reference — dhe jo me çmimin që ofron tregu — për t’ia dhënë më pas një privati tjetër. Këto amendamente u rrëzuan me forcën e kartonëve, si gjithmonë.

Pa iu tharë ende boja këtij ligji, qeveria shqiptare solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit të tij në vitin 2018.

Nëntë herë është ndryshuar ligji. Plot nëntë herë, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin. Shtyrja e parë erdhi me një kërkesë të mazhorancës.

Ndërkohë kishin premtuar se do të punonin për një ligj kuadër për investimet. Për atë ligj thuhet se po punohet edhe sot. Ligji i ri nuk erdhi kurrë; erdhën vetëm ndryshimet e njëpasnjëshme të Ligjit për Investimet Strategjike.

Kërkesa e dytë erdhi nga një grup deputetësh në vitin 2019. Kërkesë pas kërkese dhe ndryshim pas ndryshimi, në çdo rast ne kemi propozuar amendamente.

Në vitin 2022, edhe pas kërkesave të Komisionit Europian dhe pasi ky ishte shfaqur si ligji më abuziv, që pa konkurrencë dhe pa garë të ndershme u jepte asetet publike një grupi të vogël biznesesh pranë qeverisë, kërkova që efektet e tij të ndaleshin.

Në debatin e gjatë që zhvilluam në disa prej komisioneve parlamentare, përfaqësuesit e qeverisë e mbronin me krenari ligjin dhe rezultatet e tij.

Ata jepnin si shembull “Durrës Marinën”, e cila, përsëri, është një shembull i jashtëzakonshëm i abuzimit, i korrupsionit dhe i mungesës së garës në ekonomi. Në vend që të tërhiqnim një investitor perëndimor, përsëri zgjodhëm të dyshuarit e zakonshëm të qeverisë. Në vitin 2019, në vitin 2020 dhe në vitin 2023, të gjitha këto ishin shtyrje të Ligjit për Investimet Strategjike.

Të gjitha këto shtyrje u miratuan me forcën e kartonëve. Deputet pas deputeti dhe grup deputetësh pas grupi deputetësh, pa asnjë kompromis, ngrinin kartonin dhe votonin për këtë ligj abuziv; për ligjin kundër të cilit sot qytetarët në të gjithë Shqipërinë janë ngritur në këmbë për të protestuar.

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve të vitit 2025, qeveria kërkoi shtyrjen e radhës, deri më 31 dhjetor 2026, ndërkohë që kishte marrë angazhimin për ta pezulluar këtë ligj.

Ky angazhim lidhej edhe me detyrimet dhe pozicionin negociues të Shqipërisë në procesin e integrimit, si dhe me problematikat në raport me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ligji i ndan asetet dhe pronat publike pa konkurrencë dhe pa garë. Ai vret ekonominë dhe ka dhënë kryesisht leje për ndërtime hotelesh në turizëm, pa tërhequr investitorë seriozë të huaj.

Në një tjetër përpjekje u kërkua që afati të shkonte deri më 31 dhjetor 2027. Kjo u shoqërua më pas edhe me ndryshimet në ligjin për portet turistike, për t’i dhënë mundësi çdo investitori strategjik të merrte edhe një port.

Ky është historiku kronologjik i këtij ligji. Kjo është e vërteta. Këto janë faktet, të shkruara e zeza mbi të bardhë, për këtë ligj abuziv; për këtë ligj që sot premtohet se do të pezullohet.

Për këtë ligj që është kthyer në një debat të gjatë ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Për këtë ligj që, fatkeqësisht, tregon sistemin socialist, sistemin e pakicës dhe sistemin e favoreve.

Është sistemi i marrjes së trojeve publike dhe private, sistemi i heqjes së taksave dhe i dhënies së aksesit në asetet publike pa garë. Tani, sa mund t’i besohet propagandës së qeverisë?

Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë? Sa mund t’u besohet atyre që sot vajtojnë me lot krokodili dhe thonë se fajin e kanë protestuesit apo opozita? Sa mund t’u besohet atyre që plot gjashtë herë e kanë ndryshuar këtë ligj vetëm për t’i shtyrë afatin?

Nëntë ndryshime në total dhe asnjëherë për të përmirësuar garën në ekonomi, asnjëherë për meritokracinë dhe asnjëherë për konkurrencën. Gjithmonë për të favorizuar një grup të vogël njerëzish.

Këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë ata që e kanë krijuar. Këtë sistem, me ligje që kalojnë në Parlament duke e kthyer atë në një noter të rëndomtë të qeverisë; me ligje që ndryshojnë për interesa të ngushta dhe që kapin shtetin, nuk mund ta ndryshojnë ata që e ideuan, e konceptuan, e votuan, e miratuan dhe e zbatuan.

Këtë sistem do ta ndryshojë shoqëria shqiptare. Këtë sistem duhet ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Ndoshta rezultatet kanë vonuar të vijnë, sepse ky ligj ka bërë shumë dëme në ekonomi.

Por zhbërja e këtij ligji është heqja e njërës prej tullave mbi të cilat është ngritur sistemi.

Sistemi i pakicës, sistemi socialist, sistemi që i ka marrë frymën ekonomisë, që ka vrarë garën dhe që sot është shndërruar në pengesën kryesore për zhvillimin e Shqipërisë. Vetëm duke larguar këtë mazhorancë mund të zhbëhet ky sistem.

Pak nga pak, ligj pas ligji, vendim pas vendimi dhe favor pas favori. Ashtu siç i kanë dhënë, ashtu duhet të hiqen. Këtë sistem do ta ndryshojmë.

 

The post Tabaku zbërthen 10 vitet e “Ligjit të Investimeve Strategjike”: 9 ndryshime dhe 6 shtyrje! Parlamenti është përdorur si noter i qeverisë appeared first on Albeu.com.

  •  

“Besa” e Ramës kthehet në meme, protestuesit ironi me pankarta: Belinda ka edhe një hall me SPAK…

✇Albeu
By: V K

Në protestën e 55-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, qytetarët kanë ironizuar përmes pankartave dokumentin e prezantuar nga kreu i qeverisë para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se dokumentin e ka pagëzuar me emrin “Besa”, duke e cilësuar si një reflektim mbi qeverisjen, me synimin që vendimet e qeverisë të mos perceptohen më nga qytetarët si “prerje në besë”.

Megjithatë, ky emërtim u shndërrua në një nga temat kryesore të pankartave të protestuesve, të cilët e përdorën me tone ironike për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Në një prej pankartave shkruhej: Belinda ka edhe një hall me SPAK. Na duhet edhe një herë me dhënë “Besën”.

Jepi besën Ramës që të pasurohet Belinda e të ngrejë vila Zegjineja”?- ndërsa një tjetër pyeste: “O Ramzi, sa herë ende do të na presësh në besë”?

Mesazhet e protestuesve synuan të sfidonin narrativën e prezantuar nga kryeministri, duke e kthyer termin “Besa” në simbol të kritikave ndaj mënyrës së qeverisjes.

The post “Besa” e Ramës kthehet në meme, protestuesit ironi me pankarta: Belinda ka edhe një hall me SPAK… appeared first on Albeu.com.

  •  

Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit kryesorë të ajrit

✇Albeu
By: V K

Tirana dhe Elbasani, vijojnë të kenë nivele të larta të grimcave PM10 (pluhur i imët që qëndron pezull në ajër dhe mund të depërtojë në rrugët e frymëmarrjes) duke tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar.

Elbasani rezulton gjithashtu qyteti i vetëm, ku është tejkaluar norma për dioksidin e azotit (NO₂). Të paktën kështu rezulton në Raportin e Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Raporti bazohet në monitorimin e cilësisë së ajrit në nëntë stacione në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier.

Matjet përfshijnë ndotësit kryesorë të ajrit, si grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin, për të vlerësuar nëse ajri përmbush standardet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

Sipas AKM-së, PM10 janë grimca pluhuri me diametër deri në 10 mikrometra, të cilat krijohen kryesisht nga trafiku rrugor, aktivitetet industriale, ngrohja me lëndë djegëse dhe burime të tjera.

Raporti thekson se këto grimca mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa ekspozimi afatgjatë lidhet edhe me rreziqe më të larta për shëndetin.

Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, norma vjetore për PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ose 44% mbi kufirin e lejuar, ndërsa në Elbasan vlera arriti në 59.72 mikrogramë për metër kub, 49% mbi normë.

Raporti evidenton gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh që lejon standardi brenda një viti.

Për grimcat edhe më të imëta PM2.5, të cilat depërtojnë më thellë në mushkëri, AKM raporton se nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë prej stacioneve të monitoruara, megjithëse vlerat në Korçë rezultuan pranë kufirit të lejuar.

Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial, tejkalim i vlerës kufi vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan, ku mesatarja arriti në 40.18 mikrogramë për metër kub.

Për ndotësit e tjerë, AKM konstaton se nuk janë regjistruar tejkalime të kufijve për dioksidin e squfurit (SO₂).

Ndërkohë, tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin janë evidentuar në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e Tiranës, ndërsa për monoksidin e karbonit tejkalimi është regjistruar vetëm në Fier. Për benzenin nuk është konstatuar tejkalim i normës vjetore në asnjë stacion.

Në përfundimet e raportit, AKM vlerëson se “cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shumë të mirë”.

Sipas institucionit, ndotësi kryesor mbeten grimcat PM10, veçanërisht në stacionet “Tirana Higjena” dhe Elbasan, ku burimi kryesor i ndotjes identifikohet trafiku rrugor.

Monitorimet shumëvjeçare tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri lidhen me trafikun, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile për ngrohje./Monitor

The post Tirana dhe Elbasani “nën pushtetin” e pluhurit, raporti nxjerr ndotësit kryesorë të ajrit appeared first on Albeu.com.

  •  

Sot dita e 56 e revoltës qytetare, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

✇Albeu
By: V K

Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 56-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.

Në protestën e zhvilluar një ditë më parë, aktivistët dhe qytetarët i dhanë një përgjigje deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste prezantoi platformën “Besa”, duke kërkuar, sipas tij, një marrëdhënie të re me qytetarët.

Nga podiumi para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke theksuar se “besa” nuk mund të kërkohet pas 55 ditësh protesta dhe se qeveria, sipas tyre, ka humbur besimin e qytetarëve.

Gjatë fjalimeve, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar me iniciativa të reja, ndërsa këmbëngulën se protesta nuk ka ndryshuar objektiv.

Ata deklaruan se nuk kërkojnë platforma, premtime apo dokumente të reja, por vetëm largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u theksua se pas dorëheqjes duhet të ketë edhe përballje me drejtësinë, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që, sipas tyre, do të garantojë zgjedhje të lira.

Në përfundim të fjalimeve, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur “Rama ik”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet”.

Edhe sot në mbrëmje, protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë për ditën e 56-të radhazi, duke përsëritur se nuk do t’i ndalin tubimet derisa të realizohet kërkesa e tyre kryesore: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

The post Sot dita e 56 e revoltës qytetare, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit appeared first on Albeu.com.

  •  

Parashikimi i motit për ditën e sotme, 25 Korrik 2026

✇Albeu
By: V K

Këtë të shtunë, Shqipëria do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët dhe kushte të favorshme atmosferike në të gjithë territorin.

Sipas parashikimit, gjatë gjithë ditës do të mbizotërojë moti i kthjellët, ndërsa era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim-verilindje me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s.

Në zonat bregdetare, herë pas here, era pritet të forcohet deri në 14 m/s.

Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 1 deri në 3 ballë.

Sa i përket temperaturave, vlerat maksimale do të arrijnë deri në 34 gradë Celsius, kryesisht në zonat e Tiranës, Elbasanit dhe Beratit.

 

The post Parashikimi i motit për ditën e sotme, 25 Korrik 2026 appeared first on Albeu.com.

  •  

Horoskopi 25 korrik 2026, çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

✇Albeu
By: V K

Dashi

E shtuna ju sjell energji dhe dëshirë të shtuar për veprim. Shfrytëzojeni ditën për të bërë aktivitete që ju plotësojnë ose për të kaluar kohë me njerëz që ju frymëzojnë. Në dashuri, ju pret një mundësi për një bisedë të sinqertë që mund ta thellojë marrëdhënien. Mos merrni vendime të nxituara.

Demi

Ju pret një ditë e qetë dhe e këndshme. Do të shijoni kohën e kaluar me familjen ose miqtë e ngushtë. Situata financiare kërkon pak më shumë vëmendje, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Në dashuri, ju presin momente të buta dhe një ndjenjë sigurie.

Binjakët

E shtuna sjell shumë komunikim, njohje të reja dhe takime interesante. Kureshtja juaj ju çon drejt përvojave të reja. Në dashuri, jini spontanë dhe mos kini frikë të bëni hapin e parë. Mbrëmja është ideale për të dalë ose për t’u shoqëruar.

Gaforrja

Dita është ideale për të pushuar dhe për t’u lidhur me veten. Intuita do t’ju ndihmojë të zgjidhni një dilemë emocionale. Marrëdhëniet familjare dalin në pah dhe sjellin një ndjesi ngrohtësie. Kushtojini vetes më shumë vëmendje se zakonisht.

Luani

Karizma juaj është veçanërisht e dukshme sot. Kudo që të shfaqeni, do të lini një përshtypje të fortë. Momente të bukura ju presin në dashuri dhe Luanët e lirë mund të tërheqin vëmendjen e një personi që i ka vëzhguar prej kohësh. Shijoni fundjavën tuaj në maksimum.

Virgjëresha

E shtuna ju kujton të ngadalësoni dhe të bëni një pushim nga përgjegjësitë tuaja të përditshme. Mos u stresoni për gjërat e vogla që nuk mund t’i ndryshoni. Në dashuri, biseda e sinqertë do të sjellë më shumë mirëkuptim. Kaloni mbrëmjen në një atmosferë të relaksuar.

Peshorja

Dita sjell takime të bukura, harmoni dhe mundësinë për të rinovuar marrëdhënien tuaj me një të dashur. Kreativiteti dhe frymëzimi do të theksohen. Më shumë romancë dhe butësi ju presin në dashuri. Dëgjoni zemrën tuaj.

Akrepi

Intuita juaj është jashtëzakonisht e fortë sot. Do të ndjeni se kujt mund t’i besoni dhe çfarë është më e mira për ju. Marrëdhëniet dashurore rriten më thellë përmes ndershmërisë dhe hapjes. Dita është e favorshme për ndryshime të brendshme dhe qetësi.

Shigjetari

E shtuna ju sjell optimizëm, të qeshura dhe dëshirë për aventurë. Një udhëtim spontan ose një telefonatë interesante që do t’ju ndriçojë ditën është e mundur. Surpriza të këndshme ju presin në dashuri. Jini të hapur ndaj mundësive të reja.

Bricjapi

Kushtojini këtë ditë vetes dhe njerëzve që doni. Edhe pse po mendoni për përgjegjësitë, përpiquni të relaksoheni dhe të rimbushni bateritë. Në dashuri, tregoni më shumë emocione dhe mbajini më pak gjërat brenda. Paqja dhe stabiliteti do të jenë shpërblimi juaj më i madh.

Ujori

Ngjarjet e papritura do të sjellin freski në jetën tuaj të përditshme. Idetë tuaja do të jenë frymëzim për të tjerët. Në dashuri, ju pret një bisedë interesante ose një njohje e re. Pranoni ndryshimet që ju ofron jeta.

Peshqit

E shtuna sjell nevojën për paqe, qetësi dhe ekuilibër të brendshëm. Kreativiteti dhe intuita do të theksohen veçanërisht. Në dashuri, ju presin momente të buta dhe një ndjenjë lidhjeje me një të dashur. Mbrëmja është ideale për relaksim, meditim ose për të qenë në natyrë.

The post Horoskopi 25 korrik 2026, çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot appeared first on Albeu.com.

  •  

Përplasjet gjatë protestës te Parlamenti, 32 protestues u shoqëruan në Polici! Dy mbeten në qeli, të tjerët po hetohen në gjendje të lirë

✇Albeu
By: V K

32 protestues janë shoqëruar në total për protestën që u zhvillua një ditë më parë përpara Parlamentit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje.

Bëhet me dije se nga 32 të shoqëruar, dy janë arrestuar, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë.

Kujtojmë që Policia përdori ujë me presion dhe spraj me piper ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit hodhën vezë ndaj disa deputetëve, si dhe hoqën gardhet metalike të vendosura në disa anë pranë institucionit.

The post Përplasjet gjatë protestës te Parlamenti, 32 protestues u shoqëruan në Polici! Dy mbeten në qeli, të tjerët po hetohen në gjendje të lirë appeared first on Albeu.com.

  •  

Politike “O çifut”/ Protestuesit “shënjestrojnë” me vezë Ervin Hoxhën dhe Eduard Shalsin: Tradhtarët e kombit

✇Albeu
By: V K

Protestuesit kanë “shënjestruar” me vezë deputetët e Partisë Socialiste, Ervin Hoxha dhe Eduard Shalsin, teksa po shkonin në Kuvend për seancën plenare.

Hoxha dhe Shalsi po lëviznin në këmbë në Pedonale, ndërsa protestuesit nisin të gjuanin me vezë ndaj tyre.

Portestuesit thirrën gjithashtu njëzëri “O tradhtarë”,Parlamet i krimit”, “tradhtarët e kombit”, dhe “o çifut”.

Pak më herët, protestuesit sulmuan me vezë edhe Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin, teksa po kalonte tek pedonalja.

The post Politike “O çifut”/ Protestuesit “shënjestrojnë” me vezë Ervin Hoxhën dhe Eduard Shalsin: Tradhtarët e kombit appeared first on Albeu.com.

  •  

VIDEO/ Momenti kur garda tërheq zvarrë Kreun e Partisë Mundësia! Shpërthen Agron Shehaj: Ej mos më shty

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, punonjësit e Gardës kanë penguar hyrjen në Kuvend në seancë plenare të kryetarit të Partisë Mundësia Agron Shehaj. Pavarësisht se përjashtimi me 30 ditë i tij ka përfunduar në datën 22 korrik, Garda nuk e ka njohur dokumentin që Shehaj u ka paraqitur punonjësit e Gardës

“Mos më shty, afati ka mbaruar, hape rrugën, ka skaduar në datën 22 korrik pas 30 ditëve përjashtim. Ore jeni të ccmendur apo jo, si më ndaloni mua të hyj në Kuvend? Ku është komandanti i Gardës? Po të prish punë? Ti po më ndalon mua të hyj në Kuvend dhe unë po të prish punë ty”? – është shprehur Shehaj gjatë momenteve të tensionit tek dera e Kuvendit.

 

The post VIDEO/ Momenti kur garda tërheq zvarrë Kreun e Partisë Mundësia! Shpërthen Agron Shehaj: Ej mos më shty appeared first on Albeu.com.

  •  

VIDEO/ Përshkallëzohet situata te Parlamenti, policia hedh ujë dhe spraj lotsjellës ndaj protestuesve

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, situata është përshkallëzuar gjatë protestës para Kuvendit, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me piper në drejtim të turmës, ndërsa sipas raportimeve, nuk janë kursyer as gazetarët dhe operatorët që po ndiqnin zhvillimet nga afër.

Protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur vezë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa tensionet vijojnë përpara godinës së Parlamentit.

 

The post VIDEO/ Përshkallëzohet situata te Parlamenti, policia hedh ujë dhe spraj lotsjellës ndaj protestuesve appeared first on Albeu.com.

  •  

Reformë në drejtësi, por Shqipëria ndër vendet me më pak gjyqtarë në raport me popullsinë

✇Albeu
By: V K

Pavarësisht reformës së thellë në drejtësi dhe procesit shumëvjeçar të rivlerësimit të magjistratëve, Shqipëria vijon të ketë një nga numrat më të ulët të gjyqtarëve në raport me popullsinë në Europë.

Në vitin 2024, vendi kishte vetëm 9.66 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor (për Shqipërinë Eurostat, raporton vetëm të dhënat për numrin e gjyqtarëve, raporti për 100 mijë banorë është përllogaritur nga redaksia).

Ky nivel ishte rreth 39% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 15.7 gjyqtarësh për 100 mijë banorë.

Mes 32 vendeve europiane dhe të rajonit për të cilat ka të dhëna, Shqipëria renditej e nënta nga fundi. Raport më të ulët kishin vetëm Suedia, Malta, Polonia, Italia, Çekia, Spanja, Austria dhe Irlanda.

Në raport me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, Shqipëria ka një diferencë të madh. Mali i Zi kishte 42.49 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Serbia 40.18 dhe Maqedonia e Veriut 20.15.

Në raport me popullsinë, Mali i Zi kishte mbi katër herë më shumë gjyqtarë se Shqipëria, ndërsa Serbia rreth katër herë më shumë. Për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk figurojnë të dhëna në tabelën përkatëse.

Niveli i ulët pasqyron tkurrjen e trupës gjyqësore gjatë procesit të rivlerësimit, kur largimet, dorëheqjet dhe shkarkimet nuk u zëvendësuan me të njëjtin ritëm nga emërimet e reja.

Për pasojë, një pjesë e gjykatave kanë funksionuar me vende vakante, ndërsa çështjet e mbartura dhe kohëzgjatja e proceseve janë kthyer në një nga problematikat kryesore të sistemit.

Të dhënat e tjera të Eurostat, treguan se Shqipëria ka 55% të gjyqtareve femra, një nga më të ulëtat në Europë.

Kroacia dhe Mali i Zi kryesojnë Europën

Kroacia kishte raportin më të lartë në Europë, me 43.32 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë. Pas saj renditej Mali i Zi me 42.49, Serbia me 40.18 dhe Sllovenia me 40.16.

Nivele të larta shënonin gjithashtu Luksemburgu, me 36.01 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Bullgaria me 35.37 dhe Rumania me 35.31.

Në Gjermani raporti arrinte në 26.3, në Greqi në 26.06, ndërsa në Finlandë dhe Estoni përkatësisht në 19.38 dhe 18.11 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Eurostat raportoi se në të gjithë Bashkimin Europian numri i gjyqtarëve në raport me popullsinë është ulur edhe në nivel europian gjatë dekadës së fundit. BE kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë në vitin 2024, nga 17.7 në vitin 2014.

Irlanda kishte numrin më të ulët të gjyqtarëve në raport me popullsinë, me vetëm 3.64 për 100 mijë banorë. Ajo ndiqej nga Austria me 4.32, Spanja me 6.18, Çekia me 6.72 dhe Italia me 7.86.

Polonia regjistronte 8.01 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Malta 8.52 dhe Suedia 9.04, të gjitha poshtë nivelit të Shqipërisë.

Megjithatë, krahasimi i drejtpërdrejtë mes vendeve duhet interpretuar edhe në raport me organizimin e ndryshëm të sistemeve gjyqësore, kompetencat e gjykatave dhe rolin e personelit tjetër juridik.

Eurostat sqaron gjithashtu se të dhënat për Austrinë dhe Çekinë përfshijnë vetëm gjyqtarët e autorizuar për të shqyrtuar çështje penale.

Si përkufizohet gjyqtari profesionist

Në tregues përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë ato në gjykatat e apelit.

Ata duhet të jenë të rekrutuar dhe të paguar për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit. Në të dhëna nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë, anëtarët laikë të trupave gjyqësore dhe magjistratët që nuk e ushtrojnë këtë funksion si profesion./Monitor

 

The post Reformë në drejtësi, por Shqipëria ndër vendet me më pak gjyqtarë në raport me popullsinë appeared first on Albeu.com.

  •  

Sot dita e 54-të e protestës popullore, qytetarët zhvendosen para Parlamentit: Nuk na përfaqësojnë

✇Albeu
By: V K

Sot është dita e 54-t e protestës qytetare, por ndryshe nga herët e tjera, revolta do të nisë që në orën 08:30.Parlamenti mblidhet në seancën e fundit plenare për sesionin e tij, për t’u rikthyer më pas në muajin shtator në sesionin e ri.

Organizatorët e protestës lajmëruan dhe bënë thirrje nga podiumi i protestës mbrëmjen e djeshme, që sot në orën 08:30 të mblidheshin fillimisht në sheshin “Skënderbej” për t’i lënë rrugë marshimit drejt Kuvendit, ku në orën 10:00 nis seanca plenare.

Ata lajmëruan gjithashtu se sot në Kuvend është parashikuar të kalohen shumë ligje, mes tyre edhe Paketa e Maleve dhe se nuk do i lejonin deputetët që t’i votonin, pasi shitet Shqipëria.

Gjithashtu, është lajmëruar që protesta do jetë e shoqëruar me aksion në goditjen me vezë apo miell të deputetëve të Kuvendit dhe për këtë shkak do u zihet prita në hyrje të institucionit, pavarësisht nga masat e Policisë.

Kjo do të jetë e disata protestë qytetare që mbahet para Kuvendit. Më parë ka pasur edhe goditje deputetësh dhe makinash me vezë e miell si dhe konfrontim me Policinë, e cila ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.

 

The post Sot dita e 54-të e protestës popullore, qytetarët zhvendosen para Parlamentit: Nuk na përfaqësojnë appeared first on Albeu.com.

  •  

U raportua se u kap me celular në qeli, avokati i Laert Haxhiut mohon lajmin: Nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm

✇Albeu
By: V K

Avokati i të dënuarit me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve në media se klientit të tij i është gjetur një telefon celular gjatë një kontrolli blic në IEVP Drenovë.

Përmes një deklaratë, avokati mbrojtës i Haxhiut hedh poshtë pretendimet e autoriteteve të burgjeve, duke e cilësuar lajmin të pasaktë dhe duke garantuar se në dhomën e vuajtjes së dënimit nuk është gjetur asnjë send i ndaluar.

“Si mbrojtës ligjor i shtetasit Laert Haxhiu, e ndiej si detyrim profesional të sqaroj se këtij shtetasi nuk i është gjetur asnjë send i paligjshëm në dhomën e tij”, – shprehet avokati.

The post U raportua se u kap me celular në qeli, avokati i Laert Haxhiut mohon lajmin: Nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm appeared first on Albeu.com.

  •  

Ndahet nga jeta akademiku Emin Riza, figurë e shquar e trashëgimisë kulturore shqiptare

✇Albeu
By: V K

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një prej studiuesve më të rëndësishëm shqiptarë në fushën e arkitekturës tradicionale dhe trashëgimisë kulturore.

Akademiku Riza, lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër dhe gjatë gjithë karrierës së tij profesionale i kushtoi jetën dokumentimit, studimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë materiale shqiptare.

Ai punoi për shumë vite si studiues, pedagog dhe specialist pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e qendrave historike dhe banesave tradicionale shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor për vlerat arkitektonike dhe historike të këtij qyteti, si dhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave që trajton tipologjinë dhe veçoritë e banesave popullore shqiptare.

Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, Emin Riza botoi 16 monografi, disa prej tyre në bashkëpunim me studiues të tjerë, si dhe mbi 130 artikuj shkencorë në revista të specializuara, ku trajtoi arkitekturën popullore, strukturat tradicionale dhe qytetet historike shqiptare.

Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave shkencore “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore kombëtare.

REAGIMI

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akad. Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, ç’ka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një vlerësim i rëndësishëm i autoritetit të tij shkencor në mbarë hapësirën shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehin familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore.

Homazhet do të mbahen sot në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 16:00, në varrezat e Tufinës.

The post Ndahet nga jeta akademiku Emin Riza, figurë e shquar e trashëgimisë kulturore shqiptare appeared first on Albeu.com.

  •  

Aksident i rëndë në aksin Rrogozhinë-Lushnje, 50-vjeçari dërgohet me urgjencë në spitalin e Traumës (EMRI)

✇Albeu
By: V K

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Rrogozhinë-Lushnjë, pranë vendit të quajtur rrethrrotullimi i Cermës. Përplasja ka shkaktuar plagosjen e rëndë të drejtuesit të një mjeti bujqësor.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, në aksident janë përfshirë një furgon mallrash dhe një mjet bujqësor.

Dyshohet se furgoni ka goditur nga pas mjetin bujqësor, duke shkaktuar dëmtime të rënda për drejtuesin e tij.

I plagosuri është identifikuar si Ajet Kullolli, 50 vjeç, banues në Cermë.

Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Lushnjës, ai është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut të përplasjes.

The post Aksident i rëndë në aksin Rrogozhinë-Lushnje, 50-vjeçari dërgohet me urgjencë në spitalin e Traumës (EMRI) appeared first on Albeu.com.

  •  
❌