Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

19:55 Zyrtari i Trumpit jep lajmin: Drejt fundit operacioni i ICE-së në Minnesota

Fushata e zbatimit të ligjit për emigracionin në Minnesota do të përfundojë së shpejti, të paktën kështu tha të enjten për gazetarët zyrtari kufitar i presidentit Donald Trump.

Tom Homan deklaroi se Trump kishte miratuar kërkesën e tij për ta mbyllur operacionin, duke shtuar se do të qëndronte në Minnesota “pak më gjatë për të mbikëqyrur tërheqjen, për të siguruar suksesin e saj”.

Siç shkruan BBC, Homan tha se Operacioni Metro Surge kishte rezultuar në arrestimin e shumë emigrantëve të paligjshëm që kishin kryer krime të dhunshme, të cilët u ndaluan për deportim. Por fushata shkaktoi protesta mbarëkombëtare pasi dy qytetarë amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, u vranë nga oficerët e emigracionit.

Pas konferencës për shtyp, zyrtarë të lartë u paraqitën në Capitol Hill për të dëshmuar mbi fushatën e Trump-it për emigracionin.

Sipas Homan, autoritetet në Minnesota kanë arritur të “redukojnë ndjeshëm numrin e objektivave” për zbatimin e ligjit të emigracionit, duke e cilësuar operacionin si një “sukses të madh”.

Më shumë se 4 mijë emigrantë pa dokumente, të cilët Homan i quajti “alienë të paligjshëm”, ishin arrestuar, përfshirë burra të dënuar për përdhunim dhe abuzime seksuale.

Homan shtoi se Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) gjithmonë ka pasur një prani në Minnesota dhe do të vazhdojë ta ketë.

Reduktimi i forcës erdhi pas asaj që Homan e përshkroi si një nivel të paprecedentë bashkëpunimi mes agjentëve federalë dhe policisë lokale. Ai tha se policia e Minneapolis kishte shtuar goditjet ndaj protestuesve që ai i quajti kërcënime për sigurinë publike, ndërsa burgjet lokale ishin më të gatshme të njoftonin ICE-në për datat e lirimit të individëve që agjencia synonte.

Pas vrasjes së Alex Pretti-t, presidenti Trump e dërgoi Homan në Minneapolis për të mbikëqyrur operacionin, duke e lënë mënjanë drejtuesin e mëparshëm Greg Bovino.

Javën e kaluar, Homan njoftoi se po tërhiqte 700 agjentë emigracioni nga shteti, duke lënë rreth 2 mijë oficerë federalë, pasi kishte marrë më shumë bashkëpunim nga drejtuesit lokalë, dhe se po punonte për ta ulur praninë në nivelin e mëparshëm para fillimit të operacionit në dhjetor.

Të enjten, ai tha se Minnesota ishte bërë “më pak një shtet strehë” dhe se kishte zhvilluar takime gjatë javëve të fundit me kryetarin e bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, dhe guvernatorin e Minnesota-s, Tim Walz, të cilëve u kishte kërkuar të “zbusin retorikën”./mxh

19:51 Rama: Korridori VIII njihet zyrtarisht nga NATO si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive

Last Updated on 12/02/2026 by Monika

Kryeministri Edi Rama është shprehur përmes një reagimi se Korridori VIII është njohur zyrtarisht në Ministerialin e Mbrojtjes, si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive. Korridori VIII ka pikënisjen në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe daljen në Detin e Zi.

Ndër të tjera, Rama shkruan se kjo është një arritje që e vendos Shqipërinë në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës dhe forcon sigurinë rajonale.

“Sot në Ministerialin e Mbrojtjes, Korridori 8, me pikënisje në kompleksin detar Durrës–Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi, u njoh zyrtarisht si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive. Një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të infrastrukturës strategjike të Aleancës dhe forcon ndjeshëm sigurinë rajonale”, shkruan Rama./mxh

19:47 Shorti i plotë/ Kosova në grup të vështirë, duele si finale te Liga A

Është hedhur shorti i Ligës së Kombeve për sezonin 2026/2027 dhe kombëtaret kanë mësuar grupet përkatëse.

Shqipëria do të garojë në Ligën C, ku do të përballet me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Objektivi i kuqezinjve është vendi i parë, që siguron ngjitjen në Ligën B dhe një mundësi shtesë për Euro 2028 përmes play-off-it.

Kosova, pjesë e Ligës B, do të ketë përballë Izraelin, Austrinë dhe Republikën e Irlandës.

Në Ligën A spikat grupi me Francën, Italinë, Belgjikën dhe Turqinë. Gjermania do të ndeshet me Holandën, Serbinë dhe Greqinë, ndërsa Spanja dhe Anglia ndodhen në të njëjtin grup me Kroacinë dhe Çekinë.

SHORTI I PLOTË:

Shorti, Liga A

A1: Franca, Italia, Belgjika, Turqia.

A2: Gjermania, Holanda, Serbia, Greqia.

A3: Spanja, Kroacia, Anglia, Çekia.

A4: Portugalia, Danimarka, Norvegjia, Uells.

Shorti, Liga B

B1: Skocia, Zvicra, Slovenia, Maqedonia e Veriut.

B2: Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia, Irlanda e Veriut.

B3: Izrael, Austria, Republika e Irlandës, KOSOVA.

B4: Polonia, Bosnja Hercegovine, Rumania, Suedia.

Shorti, Liga C

C1: SHQIPËRIA, Finlanda, Bjellorusia, San Marino.

C2: Mali i Zi, Armenia, Qipro, Letonia ose Gjibraltar.

C3: Kazakiztan, Sllovakia, Ishujt Faroe, Moldavia.

C4: Islanda, Bullgaria, Estonia, Luksemburg ose Malta.

Shorti, Liga D

D1: Gjibraltar ose Letonia, Malta ose Luksemburg, Andorra.

D2: Lituani, Azerbajxhan, Lihtenshtejn./mxh

19:33 Largohet nga udhëheqja e AAK-së, Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e brendshme partiake.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj tha se zgjedhjet partiake do të mbahen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.

“Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës”, tha Haradinaj, duke treguar se janë disa arsye për këtë vendim.

E para, tha ai, është koha e gjatë në udhëheqje, përkatësisht nga maji i vitit 2000, kur u themelua partia, por edhe rezultati jo i mirë i partisë në dy palë zgjedhjet e fudit më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.

AAK në zgjedhjet e fundit arriti të siguronte gjashtë vende në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj njoftoi se deri më tani, kandidaturën për kreun e ri të AAK-së e ka shpallur Ardian Gjini, por tha se mund të ketë kandidatura të tjera.

I pyetur nëse do të jetë kandidat për president, Haradinaj tha se nuk është.

Ndërkaq, për qëndrimin e partisë lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë si presidente, Haradinaj tha se AAK-ja ende nuk ka vendosur për këtë çështje. Haradinaj është zgjedhur deputet i legjislaturës së dhjetë që u konsititua një ditë më parë. Ndërkaq, në zgjedhjet e dhjetorit ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës./mxh

19:17 Pasuesi i mundshëm i Leon Goretzkas, Bajerni e ka tashmë një emër

Noel Aseko po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në divizionin e dytë me Hanoverin, gjë që e ka bërë atë një nga objektivat më të kërkuar për transferim këtë verë. Megjithatë, Bajerni thuhet se ka ndërmend ta nënshkruaj huazimin si pasues të Leon Goretzkas për sezonin e ri.

Bajerni është i vendosur t’i jap të riut një shans sezonin e ardhshëm. Noel Aseko aktualisht është i huazuar te Hanover 96, të cilët kanë një opsion blerjeje prej rreth një milioni eurosh.

Megjithatë, kampionët e Gjermanisë kanë siguruar një klauzolë rikthimi. Mendohet se është e sigurt që Hanover do të përdor opsionin e tyre. Sipas raportimeve, kjo më pas do ta detyroj Bajernin të bëjë një ofertë, duke paguar rreth 2.4 milionë euro te Hanover. Një marrëveshje që duket se i kënaq të gjitha palët e përfshira./mxh

19:08 Masa e re kundër emigracionit të paligjshëm/ Qeveria e Melonit miraton projektligjin që lejon bllokadat detare

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka deklaruar se qeveria e saj do të përdorë çdo mjet për të garantuar sigurinë e kufijve të vendit të saj, pasi miratoi një projektligj që autorizon bllokada detare për të ndaluar anijet e paligjshme me emigrantë të mbërrijnë në Itali.

Ky projektligj është hapi i fundit në goditjen ndaj emigracionit të paligjshëm nga qeveria e ekstremit të djathtë e Giorgia Melonit.

Sipas legjislacionit, i cili duhet të miratohet nga të dyja dhomat e parlamentit, autoritetet italiane do të kenë fuqinë për të ndaluar anijet të hyjnë në ujërat territoriale të vendit deri në 30 ditë, me mundësi zgjatjeje deri në gjashtë muaj, në situata kërcënimesh serioze për rendin publik ose sigurinë kombëtare, siç është terrorizmi.

Masa, e cila vjen pasi qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur gjatë kalimit të Mesdheut nga Afrika e Veriut gjatë një stuhie të fuqishme të kohëve të fundit, gjithashtu u jep fuqi autoriteteve të vendosin bllokadën gjatë periudhave të rritjes dramatike të mbërritjeve të anijeve.

Ata që shkelin rregullat përballen me gjoba deri në 50,000 euro dhe anijet e tyre mund të konfiskohen në rast të shkeljeve të përsëritura, një masë e synuar për anijet e shpëtimit. Në raste të tilla, pasagjerët në bord mund të transportohen në vende të tjera përveç vendit të tyre të origjinës me të cilat Italia ka marrëveshje specifike riatdhesimi.

Parlamenti Europian këtë javë miratoi ndryshimet në rregullat e azilit të BE-së në përgjigje të presionit nga shtetet anëtare, përfshirë Italinë, për një qasje më të ashpër./mxh

18:59 10 milionë, jo më shumë… Zvicra mban referendum

10 milionë, jo më shumë. Më 14 qershor, zviceranët do të shkojnë në votime për një nga referendumet e shpeshta që karakterizojnë jetën politike të vendit: do të vendosin për një propozim ligjor që kërkon të përcaktojë një tavan, pikërisht dhjetë milionë, për popullsinë rezidente në vend. Iniciativa ka nisur nga UDC, partia e djathtës sovraniste që ka shumicën relative në Zvicër. Qëllimi është i dyfishtë: nga njëra anë të vendoset një kufi për emigracionin, nga ana tjetër të theksohet neutraliteti dhe pavarësia, veçanërisht nga BE-ja, që janë pjesë e ADN-së së vendit.

“Jo për një Zvicër me 10 milionë, iniciativë për qëndrueshmëri”: kjo është formula me të cilën konsultimi u pranua pasi kaloi pengesën e mbledhjes së firmave (që kërkon vetëm 100 mijë nënshkrime) dhe që, në rast miratimi, do të bëhej pjesë e Kushtetutës.

Para vitit 2050, lexohet në faqen zyrtare të Këshillit Federal (qeveria) që paraqet tekstin e ligjit, popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës nuk mund të kalojë dhjetë milionë banorë. Pas vitit 2050, Këshilli Federal mund, me anë të një urdhërese, ta rrisë çdo vit kufirin në masën e rritjes natyrore. Konfederata siguron që ky kufi të respektohet.

Nëse popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës, thotë një tjetër nen i propozimit që do t’u paraqitet votuesve, kalon nëntë milionë e gjysmë banorë para vitit 2050, Këshilli Federal dhe Asambleja Federale, në kuadër të kompetencave të tyre, marrin masa që lidhen veçanërisht me sektorin e azilit dhe bashkimit familjar.

Me fjalë të tjera, merret si pretekst koncepti i “qëndrueshmërisë” (ekonomike, sociale, madje edhe mjedisore) për të ngritur barriera ndaj hyrjes së banorëve të rinj. Edhe me koston, dhe ky është një tjetër pasazh kyç i tekstit, të heqjes dorë nga marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtarisht nga Berna.

Në Zvicër sot jetojnë 9,2 milionë njerëz, një në katër ka origjinë të huaj. Megjithëse, si në vende të tjera perëndimore, popullsia po përballet me plakje progresive, “tavani” prej dhjetë milionësh nuk është larg.

Por çfarë do të ndodhte nëse më 14 qershor do të mbizotëronin “po”-të? Zvicra, jo menjëherë, rrezikon të përballet me një sërë konfliktesh diplomatike, duke filluar me Bashkimin Evropian, me të cilin Berna ka nënshkruar prej vitesh një traktat për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe bizneseve.

Në letër, konsultimi nuk ka për momentin shumë gjasa suksesi: qeveria dhe parlamenti janë shprehur me shumicë për “Jo”, pozita e UDC-së duket e izoluar. Për më tepër, edhe Economiesuisse (praktikisht ekuivalenti zviceran i Konfindustrisë) e ka cilësuar referendumin si “iniciativa e kaosit”, e shqetësuar për pengesat që do të vendoseshin ndaj lirisë së biznesit, qarkullimit të fuqisë punëtore dhe pasojave në tregje. Megjithatë, një sondazh i fundit tregon se 48% e votuesve janë të orientuar në favor të “tavanit” për popullsinë rezidente./mxh

18:56 Shqiptarët bëhen bashkë, nënshkruajnë peticionin për njohjen ndërkombëtare të plisit, mblidhen rreth 9000 firma

Last Updated on 12/02/2026 by EL

8624 shqiptarë kanë firmosur peticion online duke i bërë thirrje UNSECO-s që plisi shqiptar të njihet ndërkombëtarisht.

Iniciativa e marrë nga shqiptarët, mësohet të jetë bërë për shkak se plisi i cili ka një peshë shumë të rëndëishsme në historinë kombëtare, është në rrezik që të harrohet tërësisht për shkak të mungesës së tij në skenat botërore.

Për këtë, mijëra shqiptarë janë bërë bashkë për të t’i dhënë vlerat e duhura këtij artefakti unik që mishëron traditat tona dhe lidh çdo brez të ri me paraardhësit e tyre, duke forcuar më tej unitetin dhe krenarinë tonë kombëtare.

Në peticionin e nisur online shkruhet: Duke nënshkruar këtë peticion, ju i jepni zërin tuaj thirrjes për njohjen ndërkombëtare të plisit shqiptar. Le të bashkohemi për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë tonë kulturore në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe komunitetit global. Ju lutemi nënshkruani dhe shpërndajeni këtë peticion për ta bërë këtë ëndërr realitet.

Kujtojm se dhjetorin e 2025, lahuta shqiptare u bë pjesë e UNESCO-s.

Përfshirja e lahutës në listën ndërkombëtare jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj të menjëhershme, për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar.

Ndaj shqiptarët kërkojnë që dhe plisi shqiptar të njihet botërisht. /et

18:50 Përfshihet nga zjarri një stallë në Selenicë/ Digjen lopë dhe viça

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Një stallë me gjedhë është përfshirë nga zjarri pasditen e sotme në fshatin Armenë të Selenicës. Raportohet se si pasojë e flakëve, janë djegur 22 lopë dhe viça.

Ka dyshime zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga policia për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

/et

18:49 U përmend në dosjen Epstein, policia norvegjeze bastis pronat e ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland

Policia norvegjeze kontrollon pronat e ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland për lidhjet me Epstein

Autoritetet norvegjeze kanë kontrolluar pronat e ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland, pasi Këshilli i Europës i hoqi imunitetin, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe lidhjet e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein.

Hetimi nisi pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, të cilat sugjeronin se Jagland dhe familja e tij kishin qëndruar me Epstein mes viteve 2011–2018, periudhë kur ai kryesonte Komitetin Nobel dhe ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Siç shkruan Euronews, njësia speciale për krime ekonomike Okokrim ka kryer kontrolle në banesën dhe pronat rekreative të Jagland. Këtë e konfirmoi avokati i tij Anders Brosveet në një deklaratë.

Të mërkurën, Këshilli i Europës tha se kishte pranuar kërkesën e autoriteteve norvegjeze për të hequr imunitetin e Jagland nga proceset ligjore që ai gëzonte më parë.
Organizata europiane e të drejtave të njeriut me bazë në Strasburg tha se ky imunitet synon “të mbrojë ushtrimin e pavarur të funksioneve zyrtare” dhe se nuk është menduar për “përfitim personal.”

Jagland ishte një figurë kontroverse kur drejtonte Këshillin e Europës dhe shpesh akuzohej nga media norvegjeze dhe ndërkombëtare se ishte shumë i nënshtruar ndaj Vladimir Putinit dhe Kremlinit.

Pas pushtimit fillestar të Ukrainës dhe aneksimit të paligjshëm të Krimesë në 2014, Rusia u vendos nën sanksione votimi, por Jagland udhëhoqi përpjekjet në 2019 për t’i rikthyer Moskës të drejtat e votës.

Rusia u përjashtua përfundimisht nga organizata pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Anëtarët e Këshillit dhe analistët kritikuan Jagland për t’u dorëzuar ndaj “shantazhit” rus.

Lidhje të tjera me Epstein-in në Norvegji

Dokumentet e fundit të Epstein të publikuara në janar treguan gjithashtu se Princesha e Kurorës Mette-Marit, bashkëshortja 52-vjeçare e Princit të Kurorës Haakon, kishte përdorur një pronë të Epstein në Palm Beach për disa ditë në vitin 2013.

Në një shkëmbim emailesh mes Epstein dhe Mette-Marit në 2012, ai shkruante se ishte në Paris “në kërkim për grua,” por “preferoj skandinavet.” Ajo iu përgjigj se kryeqyteti francez ishte “i mirë për tradhti bashkëshortore,” por “skandinavet” ishin “material më i mirë për bashkëshorte.”

Mette-Marit kërkoi falje këtë muaj për “situatën ku e kam vendosur familjen mbretërore” dhe tha: “Disa nga përmbajtjet e mesazheve mes meje dhe Epstein nuk përfaqësojnë personin që dua të jem.”

Mona Juul, ish-ambasadore e Norvegjisë në Jordani, e përfshirë në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze në vitet 1990, dha dorëheqjen fundjavën e kaluar pasi raportet thanë se Epstein kishte lënë 10 milionë dollarë për fëmijët e saj në një testament të hartuar pak para se të vdiste.

Ministri i Jashtëm Espen Barth Eide tha se një hetim i ministrisë mbi njohuritë dhe kontaktet e saj me Epstein vazhdon, ndërsa Juul do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet norvegjeze për të sqaruar situatën./mxh

17:58 Presidenti kroat vizitë në Gjeorgji, kritika ndaj qasjes së BE-së

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili, priti në një vizitë zyrtare homologun kroat Zoran Milanoviç, në vizitën e parë të një kreu shteti kroat në këtë vend të Kaukazit Jugor.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kavelashvili u shpreh se disa vende të Bashkimit Evropian po vlerësojnë në mënyrë objektive progresin e Gjeorgjisë dhe po zgjedhin dialogun, në vend të asaj që ai e quajti retorikë agresive nga burokratët evropianë. Ai theksoi se politika e zgjerimit të BE-së nuk duhet të përdoret si mjet presioni apo manipulimi.

Nga ana e tij, presidenti kroat Zoran Milanoviç deklaroi se shumë vende evropiane nuk kanë një qëndrim të qartë ndaj Gjeorgjisë dhe preferojnë të qëndrojnë në “zonën e rehatisë”, duke mbajtur një qasje oportuniste.

Vizita u fokusua edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Marrëdhëniet mes Tbilisit dhe Brukselit kanë qenë të tensionuara. Në vitin 2024, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi ngrirjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndonëse ka deklaruar se synon integrimin evropian duke ruajtur vlerat tradicionale.

Një raport i Komisionit Evropian në nëntor akuzoi Gjeorgjinë për “rrëshqitje serioze demokratike”, duke e cilësuar vendin si kandidat vetëm në emër. Ndërkohë, autoritetet janë kritikuar për goditje ndaj opozitës dhe arrestime të protestuesve.

Dikur i konsideruar si një nga shtetet më pro-perëndimore në hapësirën post-sovjetike, Gjeorgjia vitet e fundit është përballur me akuza për prirje autoritare dhe për thellim të lidhjeve ekonomike me Rusinë./mxh

17:44 Dedikimi prekës i Bad Bunny në Superbowl për njeriun e zemrës: Ishte pranë meje në skenë!

Bad Bunny na tregon edhe një herë se dalja në skenën e Super Bowl nuk ishte thjesht një performancë spektakolare, por edhe një moment shumë personal për të. Artisti nga Puerto Rico zbuloi se kishte vendosur ta kthente atë mbrëmje në një homazh për xhaxhain e tij të ndjerë, të cilin e njihte me nofkën “Kutito”.

Për këtë arsye, ai zgjodhi një veshje të veçantë, të realizuar enkas për atë event, por nga një brand mjaft i njohur dhe ekonomik si Zara, ku në pjesën e pasme ishte shënuar mbiemri i tij dhe numri 64. Ky detaj nuk ishte i rastësishëm numri përfaqësonte vitin 1964, vitin kur kishte lindur xhaxhai i tij.

Këngëtari ka rrëfyer se xhaxhai kishte ndikuar shumë në jetën e tij, sidomos duke i kultivuar dashurinë për futbollin amerikan. Sipas tij, një nga dëshirat më të mëdha kishte qenë ta çonte në një Super Bowl, por kjo nuk u bë e mundur, pasi ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur.

Duke qenë se nuk arriti ta realizonte atë ëndërr, Bad Bunny vendosi ta përfshinte simbolikisht në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Ai tha se përpara se të ngjitej në skenë, ia dedikoi performancën xhaxhait, me bindjen se ai ishte “aty” në shpirt dhe do të ishte krenar për të.

Ky rrëfim prekës mori reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e vlerësuan si një gjest të sinqertë dhe plot ndjenjë./mxh

17:37 Pas disa vitesh lidhjeje dhe një fëmije, Zayn Malik thotë se nuk e ka dashuruar kurrë Gigi-n

Zayn Malik foli për marrëdhënien e tij me Gigi Hadid gjatë intervistës së tij në “Call Her Daddy”. Ai tha se, ndonëse e do dhe e respekton ish-partneren, nuk mendon se ka qenë “ndonjëherë i dashuruar me të”, edhe gjatë periudhës kur ishin të lidhur.

Çifti u lidh në vitin 2015, kur të dy ishin rreth moshave 20 dhe 22 vjeç. Marrëdhënia e tyre pati ndarje dhe ribashkime deri në vitin 2021, kur u ndanë përfundimisht. Në shtator të vitit 2020, ata u bënë prindër të një vajze, Khai.

Kur moderatorja, Alex Cooper, e pyeti nëse ende e mbështeste një deklarate të mëparshme ku kishte thënë se nuk kishte qenë kurrë i dashuruar, Malik u përgjigj:

“Po, sepse kuptimi që kam për dashurinë ndryshon me kalimin e kohës. Në atë moment mund të kem menduar se ishte dashuri, por me kalimin e viteve kam kuptuar se ndoshta nuk ishte. Ndoshta ishte pasion, ndoshta diçka tjetër. Nuk ndiej se ishte dashuri.”

Ai shtoi:

“Dhe, për të qenë i qartë, dua ta them publikisht: do ta dua gjithmonë G-n, Gigi, sepse ajo është arsyeja që fëmija im është në këtë botë. Kam respektin më të madh për të. Do ta dua gjithmonë, por nuk e di nëse kam qenë ndonjëherë i dashuruar me të.”

Malik pranoi se e kuptonte si mund të ishte interpretuar komenti i tij i mëparshëm:

“Edhe atëherë, besoj se njerëzit e interpretuan në mënyra të ndryshme. Por unë kam shumë respekt për këtë grua dhe e dua jashtë mase. Megjithatë, nuk mendoj se kam qenë i dashuruar me të në atë kohë. Përndryshe, do të kisha qenë një version më i mirë i vetes.”

Më herët gjatë podkastit, Malik tha se për momentin është beqar, por nuk dëshiron që lidhjet e tij në të ardhmen të jenë në qendër të vëmendjes së publikut.

“Nuk po kërkoj më një lidhje publike dhe, nga përvoja, pa dashur të ofendoj askënd me të cilin kam qenë më parë në marrëdhënie publike, kam mësuar se kjo nuk funksionon për mua. Jam një person mjaft privat. Nuk kërkoj miratimin apo vëmendjen e njerëzve. Një marrëdhënie duhet të jetë mes meje dhe atij personi. Dhe mendoj se dikush që nuk dëshiron ta bëjë një lidhje publike do të ishte më i përshtatshëm për mua.”/mxh

17:30 Rusia bllokon “WhatsApp”-in, u kërkon përdoruesve të kalojnë te platforma e mbështetur nga shteti

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Rusia ka bllokuar shërbimin e mesazheve WhatsApp për shkak të shkeljeve të dyshuara ligjore, duke i nxitur përdoruesit të kalojnë në një alternativë të mbështetur nga shteti, në atë që shihet gjerësisht si një përpjekje për të shtypur lirinë e fjalës përgjatë luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi këtë veprim të enjten, duke ia atribuar atë “ngurrimit të WhatsApp për t’u përmbajtur normave dhe shkronjës së ligjit rus”.

Ai i këshilloi rusët që të drejtoheshin te MAX, një platformë e mbështetur nga shteti, e cila reklamohet si një vend i vetëm për mesazhe, shërbime qeveritare online dhe shërbime të tjera si kryerja e pagesave.

Ekspertët paralajmërojnë se MAX, i cili deklaron hapur se do të ndajë të dhënat e përdoruesve me autoritetet sipas kërkesës, nuk përdor enkriptimin “end-to-end” që siguron që mesazhet të mbeten në shërbimet e njohura si WhatsApp, duke i lënë përdoruesit të prekshëm ndaj përgjimit shtetëror. /et

17:29 Gati njësoj si më parë! Hasimja bën bashkë PD dhe aleatët e saj, as Lapaj nuk shkon

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Forumi për Dialogun Politik me në krye politologun Ermal Hasimja, nuk arriti që të ulte bashkë në një tryezë atë të pjesë të opozitës që nuk bashkëpunon me PD-në dhe aleatët e saj.

Takimi që kishte si qëllim daljen me një deklaratë të përbashkët për aksionin politik opozitar dhe reformën zgjedhore, mblodhi përfaqësuesit e PD, një pjesë të aleatëve të saj, por askush nuk u paraqit nga partitë e Adratik Lapajt, Agron Shehajt dhe Arlind Qorit.

Nëse për Shehaj dhe Qorin shpresat ishin shuar për t’u ulur në këtë tryezë opozitarësh, Hasimja pohon se me Lapajn po vijojnë negociatat.

Ermal Hasimja, Forumi për Dialogun Politik: “Kemi diskutuar vazhdimisht, i takojmë dhe nuk shohim ndonjë arsye që Shqipëria Bëhet të mos pjesë pjesë e kësaj tryeze”.

Dy orë diskutime duket se u mjaftuan përfaqësuesve politikë dhe Forumit për Dialog Politik për të dalë në një qëndrim të përbashkët. Nga kjo tryezë u qartësua se në 20 Shkurt, Partia Demokratike nuk do jetë vetëm në shesh, por edhe se do kenë qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor dhe do të mbështesin drejtësinë.

Ermal Hasimja, Forumi për Dialogun Politik: “Përmes kësaj tryeze ramë dakord për të qenë kundër çdo ndryshimi ligjor që kërkon të godasë drejtësinë dhe ta paaftësojë atë. Ramë dakord edhe për një drejtësi kushtetuese. Kemi gjithashtu edhe një qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor. Një pikë tjetër e rëndësishme është çështja e kërkesës për një qeveri tranzitore që të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

PD u përfaqësua në tryezë me nënkryetarin Luçiano Boçin, pasi kishte pranuar kërkesën e mëparshme të Lapajt që të shmangeshin liderët e këtyre forcave.

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD: “Qëllimi është i njëjtë, por duhet të unifikojmë edhe rrugën”.

Forumi për Dialogun Politik do të vijojë takimet me partitë politike opozitare dhe gjatë javës së ardhshme do të ketë një tryezë të dytë për të detajuar qëndrimet e përbashkëta./et

17:25 Asnjë marrëveshje! Justin Baldoni dhe Blake Lively sërish përpara gjykatës

Blake Lively dhe Justin Baldoni nuk arritën asnjë marrëveshje mbi zgjidhjen e padisë për ngacmim seksual të ngritur nga aktorja të premten, pas një dite të plotë diskutimesh në Gjykatën Federale. Të dy aktorët kryesorë të filmit “It Ends With Us” hynë në gjykatën e New York-ut në mëngjes dhe e kaluan pjesën më të madhe të ditës në salla të ndara në katin e 14-të.

Në fund të ditës, të dy u larguan nga godina mes një turme të madhe gazetarësh, pa dhënë asnjë deklaratë. Bryan Freedman, avokati i Justin Baldoni, konfirmoi për gazetarët se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje. Ai pranoi se një marrëveshje mund të ndodhë ende, por la të kuptohej se kjo ishte thuajse e pamundur.

I pyetur nëse beson se çështja do të shkojë në gjyq, ai tha:

“Po. Mezi po e presim.”

Edhe pse të dyja palët kishin pasur më parë seanca ballë për ballë me gjyqtaren Sarah L. Cave, asnjëra prej tyre nuk priste që bisedimet të përfundonin me marrëveshje. Blake Lively e ka akuzuar Justin Baldoni për ngacmim seksual ndaj saj në sheshxhirimin e “It Ends With Us” dhe për bashkëpunim me ekipin e tij të marrëdhënieve me publikun me qëllim organizimin e një fushate shpifjeje kundër saj, pasi ajo kishte paraqitur ankesat.

Gjyqi është caktuar të mbahet më 18 maj. Ndërkohë, gjyqtari i çështjes po shqyrton nëse do ta rrëzojë ose do ta kufizojë padinë e aktores para gjyqit. Ekipi i Baldoni-t ka paraqitur një kërkesë për vendim pa gjykim, duke argumentuar se padia përbëhet nga ankesa të vogla që nuk arrijnë standardin ligjor për ngacmim.

Shpjegim: Kërkesë për vendim pa gjyq – një kërkesë që i bëhet gjykatës për të marrë vendim pa u zhvilluar gjyqi i plotë, duke u bazuar vetëm në ligjin dhe dokumentet e paraqitura, pa analizuar provat dhe dëshmitë e reja.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Blake Lively-t kanë shprehur se edhe aktorë të tjerë kanë pasur ankesa për sjelljen e Justin Baldoni-t në sheshxhirim dhe se akuzat janë të mjaftueshme për t’u shqyrtuar nga trupi gjykues.

17:25 Deputetja i kërkon ‘babagjyshit’ hekurudhën Shkodër-Gjakovë: Kurti e Rama kanë punë, por është jetike për Malësinë tonë

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Deputetja socialiste Marjana Koçekun uron Kosovën për qetësinë politike dhe plotësimin institucional që ka gjetur tashmë pas një krize disa mujore.

Teksa shprehet optimiste se me zgjedhjen e qeverisë së re të Albin Kurtit, vendi do të vazhdojë rrugën e zhvillimin dhe forcimin e shtetit, Neomalësorja kërkon nga kryeministri i Kosovës dhe kryeministri Edi Rama të intensifikojnë bashkëpunimin për fillimin e punimeve dhe realizimin sa më të shpejtë të hekurudhës Shkodër – Gjakovë.

Deputetja thekson se një investim i tillë është jetik për komunitetin e banorëve të Shkodrës dhe zonave përreth dhe u bën thirrje 2 kryeministrave që ta trajtojnë me prioritet këtë nevojë.

Postimi i plotë: 

I uroj Kosovës tonë mbarësi e zhvillim me qeverinë e sapokrijume, e i dëshiroj suksese kryeministrit Kurti dhe ministrave të tij. Tash, unë e di që Vitin e Ri e lamë mrapa, por po të kisha mundësi t’i shprehja edhe nji dëshirë “babagjyshit”, do të ishte fillimi i punëve dhe realizimi sa më i shpejtë i hekurudhës Shkodër – Gjakovë. Asht jetike për vendet tona, e sidomos për komunitetin e Malsis tonë. Teksa e di se kryeministrat kanë shumë punë, vazhdimisht do të kërkoj prej kryeministrave Rama e Kurti që ta kenë prioritet ktë investim me randësi strategjike kombëtare./et

17:18 Gigi Hadid sapo na tregoi si të dukemi bukur, pa shumë përpjekje

Gigi Hadid na tregoi si mund të krijohet ekuilibri perfekt mes kombinimit të rrobave të rehatshme të përditshmërisë dhe atyre pak më elegante. Gjatë një shëtitjeje në Manhattan, modelja kombinoi xhinse blu me fund të prerë dhe të çarë me një palë këpucë klasike ngjyrë të zezë dhe stili i saj nuk dukej aspak i çuditshmëm.

Për t’u mbrojtur nga të ftohtit e New York-ut, ajo mbante veshur një xhaketë të gjatë me lëkurë të butë, te këmbët kishte veshur një palë çorape të trasha me qafë, një shall të ngrohtë dhe gjithë veshjen e kishte kompletuar me një çantë kafe prej lëkure.

Ngjyrat e ngrohta që ajo zgjodhi shkojnë më së miri me xhinset. Një lajm i mirë për ata që duan të ndjekin trendet e 2026-s: nëse xhinset me fund të çarë, si ato që Gigi ka veshur, përhapen shumë, nuk keni nevojë të shpenzoni asgjë, ju mjaftojnë një palë gërshërë./mxh

17:16 Dhunimi i avokatit Cakrani, dështon gjyqi paraprak ndaj Metës, seanca më 19 shkurt

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Dhunimi fizik i avokatit mbrojtës të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, u bë shkak të enjten për dështimin e seancës së radhës paraprake në Gjykatën e Posaçme.

Avokati Cakrani nuk ishte prezent në sallë dhe një shenjë solidarizimi edhe disa prej kolegëve të tij nuk u paraqiten në proces. Ndonëse ish-presidenti Meta, i pranishëm në sallë, pretendoi se ishte gati t’i bënte parashtrimet e tij, gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka vendosi të shtyjë procesin për më 19 shkurt.

Në seancën e kaluar të shqyrtimit paraprak ndaj ish-presidentit, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe 3 të bashkëpandehurve, SPAK përfundoi leximin e akt-akuzës dhe kërkoi kalimin në gjyq të çështjes.

Në seancën e radhës do të dëgjohen parashtrimet e të pandehurve. Avokati Cakrani u dhunua fizikisht të dielën nga dy persona pranë një pikë karburanti në qytetin e Vlorës./et

17:11 Gjyqi për ish-krerët e UÇK, avokati i Selimit: Sipas ZPS, edhe Adem Jashari ishte pjesë e ndërmarrjes kriminale

Last Updated on 12/02/2026 by EL

Avokati Roberts tha se si anëtarë të dyshuar të NPK-së përmenden shumë emra, që nuk janë të akuzuarit, dhe Prokuroria synon të bëjë lidhjen e tyre me të akuzuarit duke pretenduar qëllimin e përbashkët kriminal.

Ai tha se në këtë proces nga Prokuroria është përmendur edhe Adem Jashari, duke kujtuar se ai përmendet kur ka luftuar në fillim të 1998-ës në Prekaz, por Roberts shtoi se nuk përmendet fare “masakra që i ka ndodhur kësaj familjeje”.

“Përmendet edhe në raste të tjera që është takuar me Veselin dhe Thaçin më 1992, apo që është prezantuar me Selimin nga Sulejman Selimi më 1994. Po ashtu, thuhet se më 4 mars 1998 është takuar me Selimin, Sabit Gecin, Rrahman Ramë e të tjerë” për të diskutuar për armët dhe UÇK-në. Përfundimi i logjikshëm që ka nxjerrë ZPS që këto lidhje mes të akuzuarve dhe Adem Jasharit janë relevante për argumente të ZPS-së apo NPK-së”, tha Roberts.

Ai tha se mendon që Prokuroria e bën këtë sepse sipas tyre “edhe Adem Jashari është anëtar i pretenduar i NPK të cilit nuk ia përmendin emrin. Pra, nuk mund të diskutosh thelbin e NPK dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë i UÇK-së ka qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje, përfshirë këtu edhe Adem Jasharin”.

“Megjithatë, unë mendoj që nëse e pyet Prokurorinë ajo s’mund të përgjigjet. Nëse e pyesni a ka qenë Adem Jashari pjesë e kësaj NPK-së që pretendoni ju sepse po të ishte kështu prokuroria do të ishte në gjendje ta vërtetojë këtë”, tha ai./et

❌