Reading view

Fluks turistësh të huaj në jug: Shqipëria destinacion befasues, do rikthehemi edhe në verë

TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Plazhet me ujë kristal dhe rërë të bardhë po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët po e zgjedhin Ksamilin edhe gjatë pranverës.

I konsideruar një nga perlat e rivierës shqiptare, Ksamili vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj të cilët vlerësojnë natyrën, ushqimin, mikpritjen dhe premtojnë se do të rikthehen sërish.

ATSH bëri një vëzhgim në plazhet e Ksamilit ku sezoni turistik duket se ka nisur më herët këtë vit, ndërsa turistët e huaj shijojnë temperaturat e buta pranverore dhe ujërat e Jonit.

Prania e tyre duke nisur nga fillimi i muajit prill ka sjellë një tjetër ritëm edhe për bizneset buzë detit.

Restorantet dhe baret kanë nisur përgatitjet intensive për sezonin veror, duke sistemuar ambientet dhe duke u përshtatur me kërkesën që po rritet gradualisht. Strukturat akomoduese raportojnë rezervime të hershme, një tregues i qartë se interesi për këtë zonë është në rritje.

Ky fluks i hershëm turistësh konfirmon një trend të ri për turizmin shqiptar, zgjatjen e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës.

Një familje britanike me dy fëmijë të mitur kanë zgjedhur qetësinë që ofron kjo periudhë e vitit, larg fluksit të verës, për të shijuar Ksamilin.

Edhe pse kanë mbërritur vetëm një ditë më parë në Ksamil, Genevieve (46 vjeç) nga Mbretëria e Bashkuar tregon se eksperienca e tyre është përtej pritshmërive.

“Unë jam nga Britania e Madhe. Kemi një ditë këtu. Është absolutisht bukur. Jam me fëmijët, njëri gjashtë vjeç dhe tjetri tre vjeç, dhe bashkëshortin. Është shumë bukur këtu, fantastike”, u shpreh ajo.

Edhe për turistët nga Europa Veriore dhe Amerika Latine, Ksamili mbetet një destinacion befasues që do ta zgjidhnin sërish.

Kristina (30 vjeçe), Vaida (26 vjeçe) dhe Zydre (56 vjeçe) nga Lituania theksuan se do të rikthehen në Shqipëri për të eksploruar më tej veriun dhe jugun e vendit.

“Do rrimë këtu për katër ditë. Po qëndrojmë në Sarandë dhe kemi ardhur të vizitojmë Ksamilin. Moti është i mrekullueshëm, mahnitës. Do kthehemi sërish për të eksploruar veriun dhe më shumë për jugun”, thanë ato.

Dy të rinj nga Brazili, Guilherme dhe João shprehen se Shqipëria u ka lënë shumë mbresa.

“Ne jemi këtu prej tri ditësh dhe jemi nga Brazili. Deri tani na ka pëlqyer shumë. E mrekullueshme. Isha në Kroaci dy vjet më parë, por tani preferoj Shqipërinë dhe jo Kroacinë. Po, është e mrekullueshme. Do të rikthehemi në verë”, u shprehën ata.

Një tjetër grup që tërheq vëmendjen janë tre turistë nga Galicia e Spanjës, Olalla (33 vjeç), Hadrian (38 vjeç) dhe Dani (38 vjeç), të cilët janë studentë arti.

Ata e nisën vizitën e tyre në Shqipëri nga Tirana, ndërsa do të qëndrojnë këtu për 2 muaj për të eksploruar më tej kulturën, traditën dhe destinacionet autentike që ruajnë “rrënjët” e vendit, siç shprehen ata.

“Do të qëndrojmë këtu për një apo dy muaj. Na pëlqen peizazhi, gjërat tradicionale dhe do përpiqemi të gjejmë vende interesante. Do të rikthehemi, sigurisht që po, dhe duam të rrimë sa më shumë që të mundemi”, u shpreh Olalla.

Ata u shprehën se këtu ndihen si në shtëpi pasi Shqipëria ka shumë elementë të ngjashëm me Galician.

“Ndihemi si në shtëpi. Galicia nuk është si pjesa tjetër e Spanjës, ndodhet në veri dhe e rrethuar me gjelbërim dhe karakteri është pak ndryshe. Dhe ne po kuptojmë se kemi karakter të ngjashëm me ju shqiptarët. Shumë këndshëm”, u shprehën ata.

Ndërkohë dy turiste nga Belgjika, Aina Maria (45 vjeç) dhe Justina (17 vjeç) shprehen të mahnitura nga ajo që kanë gjetur në Ksamil.

Fillimisht kishin planifikuar një qëndrim të shkurtër, por tashmë po mendojnë ta zgjasin qëndrimin e tyre në Shqipëri.

“Jemi nga Belgjika, kemi një javë këtu në Shqipëri. Do të kthehemi në Belgjikë e do flasim për ju. Na pëlqen shumë këtu, njerëzit janë shumë të dashur. Deti shumë i pastër dhe i bukur. Duam të rrimë tre ose katër ditë më shumë, ndoshta shtatë ditë më shumë. Ushqimi është i shkëlqyer. Nuk kam hasur njerëz kaq shumë miqësore dhe mikpritës. Ejani në Shqipëri. Ksamili është parajsë”, u shprehën ato.

Ndërsa Lisa (70 vjeçe) nga Franca tha se ndodhet në Shqipëri prej dy javësh dhe deri tani ka vizituar Tiranën, Gjirokastrën dhe Beratin. Në Ksamil ajo vlerësoi veçanërisht detin.

Me klimën e butë, çmimet konkurruese dhe natyrën që mbetet ndër më të bukurat në rajon, Ksamili po konsolidohet si destinacion që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.

Në këtë mënyrë, jugu i Shqipërisë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa turistët që e vizitojnë kthehen në ambasadorët më të mirë për promovimin e potencialit turistik.

Ksamili në Pranverë
1 nga 12
Ksamili në pranverë
Ksamili në Pranverë

The post Fluks turistësh të huaj në jug: Shqipëria destinacion befasues, do rikthehemi edhe në verë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rruga e re drejt Ksamilit në përfundim, lehtësi për sezonin veror turistik

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ksamili, ndër destinacionet më të kërkuara turistike në jug të vendit ka njohur vitet e fundit flukse të larta vizitorësh që kanë nxitur edhe plotësimin e infrastrukturës së shërbimeve.

Një ndër investimet më të rëndësishme në këtë drejtim është edhe rruga e re, që përfshin trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, që shtrihen nga Ksamili deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës.

Fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha ishte në kantierin e këtij investimi duke sjellë galerinë e fotove që tregojnë punimet dhe përfundimin e disa pjesëve të rrugës që do të lehtësojë aksesin në Ksamil.

Investimi pritet të përfundojë para fillimit të sezonit turistik duke garantuar lehtësim të trafikut dhe akses më të sigurt e më të organizuar për vizitorët dhe komunitetin lokal.

I cilësuar shpesh si “Maldivet e Europës” për shkak të plazheve me rërë të bardhë dhe ujit të kristaltë, Ksamili tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.

Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe investimet në infrastrukturë kombinuar me bukurinë natyrore, plazhet dhe pasuritë kulturore e bëjnë Ksamilin një potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të turizmit.

I shtrirë midis qytetit të Sarandës dhe Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Ksamili mbetet ndër zgjedhjet kryesore veçanërisht për turistët e huaj, duke ofruar një paketë të plotë turistike që ndërthur natyrën, historinë dhe relaksin.

/m.m/j.p/

The post Rruga e re drejt Ksamilit në përfundim, lehtësi për sezonin veror turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rruga e Ksamilit drejt përfundimit, trotuare panoramike dhe korsi biçikletash

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Në kantierin e ndërtimit të Rrugës së Ksamilit, në Sarandë, punimet po vijojnë me ritme të mira, duke sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturën rrugore të zonës.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejt përfundimit është segmenti hyrës për në fshatin turistik të Ksamilit, duke përfshirë trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, që shtrihen nga qyteti deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës.

Ky projekt synon të ofrojë lidhshmëri më të mirë për banorët dhe turistët, të përmirësojë sigurinë në trafikun rrugor dhe të rrisë atraktivitetin turistik të zonës, duke krijuar një ambient më funksional dhe të aksesueshëm për vizitorët dhe komunitetin lokal.

Ksamil është një nga zonat më të njohura dhe të vizituara turistike në Rivierën Shqiptare, e vendosur pranë qytetit të Sarandës. E njohur për plazhet e saj me rërë të bardhë, ujërat kristal të kaltër dhe ishujt e vegjël përpara bregdetit, Ksamil tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.

Zona njihet edhe për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ku infrastruktura, si rrugët, trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, po përmirësohet për të lehtësuar lëvizjen e turistëve dhe për të rritur aksesin në atraksionet natyrore. Ksamil është gjithashtu pikënisje për eksplorimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore, e cila është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Investimet në infrastrukturë kombinuar me bukurinë natyrore, plazhet dhe pasuritë kulturore e bëjnë Ksamilin një zonë të rëndësishme turistike për Shqipërinë, me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe promovim ndërkombëtar.

1 nga 3

/e.xh/a.f/

The post Rruga e Ksamilit drejt përfundimit, trotuare panoramike dhe korsi biçikletash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kozeli: Rruga e Ksamilit përfundon para sezonit turistik

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot punimet për ndërtimin e rrugës së Ksamilit, duke vlerësuar ritmin e avancuar të punimeve dhe respektimin e parametrave të sigurisë rrugore.

Segmenti hyrës për fshatin turistik është tashmë drejt përfundimit, duke mundësuar qarkullim më të sigurt dhe më të shpejtë për vizitorët dhe banorët e zonës.

Gjatë inspektimit, Kozeli theksoi rëndësinë e përfundimit të punimeve para nisjes së sezonit të ri turistik, për të lehtësuar trafikun dhe për të përmirësuar infrastrukturën rrugore drejt një nga destinacionet më të vizituara të vendit.

Në kuadër të këtij projekti, punimet përfshijnë edhe shtrimin e trotuareve panoramike dhe korsive për biçikleta, nga qyteti deri tek kryqëzimi për në plazhin e Pulëbardhës, duke krijuar mundësi për qarkullim të sigurt për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, përmes përmirësimit të infrastrukturës rrugore, synohet të rritet siguria, të reduktohet koha e udhëtimit dhe të mbështetet zhvillimi turistik i zonës, që konsiderohet një destinacion kryesor për pushuesit vendas dhe të huaj.

Drejtori Kozeli u shpreh se ARRSh do të vazhdojë të monitorojë nga afër çdo fazë të projektit, për të garantuar përfundimin e punimeve brenda afateve të parashikuara dhe për të siguruar standarde të larta të sigurisë rrugore dhe cilësisë së infrastrukturës.

Ky projekt është pjesë e planit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe rrugore në të gjithë vendin, me fokus në destinacionet strategjike dhe zonat me fluks të lartë vizitorësh.

1 nga 4

/e.xh/a.f/

The post Kozeli: Rruga e Ksamilit përfundon para sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Shkolla “5 Dëshmorët” në Ksamil, me standarde bashkëkohore

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “5 Dëshmorët” në Ksamil e nisën këtë vit të ri shkollor në ambiente të reja, të rikonstruktuara dhe fusha sportive moderne.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë 9-vjeçare, që tashmë ofron kushte dhe standarde bashkëkohore.

Rama u shpreh se shkolla “5 Dëshmorët” në Ksamil në këtë vit të ri shkollor ka rilindur me kushte dhe standarde bashkëkohore për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e saj, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë Sarandë.

Investimet në infrastrukturën arsimore mbeten prioritet i qeverisë për të garantuar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.

Në të gjithë vendin, janë hapur këtë vit 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa 40 të tjera janë aktualisht në proces ndërtimi apo rikonstruksioni.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Rama: Shkolla “5 Dëshmorët” në Ksamil, me standarde bashkëkohore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Faqja e njohur turistike: Plazhi i Pasqyrave një nga më të bukurit në botë

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ – Nëse jeni duke kërkuar vendin e përsosur për të notuar në ujërat e kristalta ose thjesht për të ëndërruar nën një qiell blu, ka disa plazhe në botë ku secili prej nesh dëshiron ti vizitojë të paktën një herë në jetë, shkruan faqja e njohur rangetravel.com.

Kjo faqe përfshin edhe Plazhin e Pasqyrave në Ksamil duke e vlerësuar për ”reflektimet vezulluese që dielli hedh mbi detin Jon”.

Kjo faqe rendit edhe disa nga plazhet e tjera mahnitëse dhe ato më pak të njohura në botë:

Plazhi i Pasqyrave – Ksamil

Destinacioni më i popullarizuar i plazhit?

Sipas të dhënave të kërkimit, të analizuara nga kompania ”Planet Cruise”, është Ksamili, në Shqipëri, ku i ashtuquajturi ”Mirror Beach” ose ”Plazhi i Pasqyrave” renditet ndër më të mirët për reflektimet vezulluese që dielli hedh mbi detin Jon.

Plazhi Whitehaven – Australi

Një zgjedhje kryesore për udhëtarët si dhe zgjedhje e ”Lonely Planet” si nga më të mirët në botë.

Plazhi Elafonissi – Greqi

Rëra rozë, ujërat bruz dhe shtigjet e ecjes janë ndër arsyet pse ky plazh quhet “Karaibet e Mesdheut” dhe u emërua plazhi më i mirë në botë nga udhëtarët e ”TripAdvisor” këtë vit.

Plazhi Coopers Beach – SHBA

Ndërtesa historike dhe plazhi në Long Island, renditet si plazhi më i mirë në Shtetet e Bashkuara. Shtatori është muaji ideal për ta vizituar, me më pak turma njerëzish dhe ujëra më të ngrohta.

Plazhi Cala Goloritze – Itali

Falë përpjekjeve të jashtëzakonshme për ruajtjen e natyrës gjatë 30 viteve të fundit, Cala Goloritze ka mbetur mahnitëse dhe ishull i virgjër, duke fituar vendin e parë në listën e 50 plazheve më të bukura në botë./ /os/

The post Faqja e njohur turistike: Plazhi i Pasqyrave një nga më të bukurit në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Agjencia turke e lajmeve AA: Ksamili, perla e bregdetit shqiptar

TIRANË, 9 shtator /ATSH-AA/ – Destinacioni i njohur turistik i Ksamilit në jug të Shqipërisë vazhdon të jetë një vend i preferuar për turistët e huaj dhe vendas, shkruan sot Fatjon Cuka për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA).

Ksamili si njësi administrative është pjesë e Bashkisë së Sarandës, që gjithashtu shquhet për vijën bregdetare që tërheq shumë turistë, sidomos gjatë stinës së verës.

Një nga destinacionet turistike më të njohura në Ballkan, Ksamili me ujërat e kristalta të Jonit, bukuritë natyrore dhe ishujt e vegjël i magjeps vizitorët.

Për periudhën janar-gusht 2025, Shqipëria ka mirëpritur rreth 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë synimin që “Ksamili 2030” të jetë model mesdhetar në çdo aspekt, shkruan AA./   /os/

Pamje nga Ksamili
1 nga 5

The post Agjencia turke e lajmeve AA: Ksamili, perla e bregdetit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndërtuan pa leje në tokë publike në Ksamil, vihen në pranga katër shtetas

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative.

Pas kontrollit në territor, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i dy objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur, për të ndërtuar pa leje në tokë publike.

/r.e/

The post Ndërtuan pa leje në tokë publike në Ksamil, vihen në pranga katër shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil

TIRANE, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kryen menjëherë verifikimet dhe identifikuan automjetin.

Nga veprimet e kryera rezultoi se automjeti tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat, kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Dhërmi–Himarë.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 52 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Në një rast tjetër, pas një denoncimi se një automjet taksi kishte kryer parakalim të gabuar, duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë bënë menjëherë të mundur identifikimin e drejtuesit të tij, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte kryer parakalim të gabuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 40 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në zonat turistike ku lëvizshmëria është e lartë gjatë sezonit veror.

/m.m//a.f//r.e/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rrezikoi pushuesit nē Ksamil, gjobë 100 mijë lekë për pronarin e një mjeti lundrues

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Pronari i një mjeti lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë nga Policia e Shtetit në Ksamil pasi shkeli perimetrin e sigurisë ujore duke lundruar me Jet Ski në zonën e pushuesve.

Gjithashtu u bllokua nga shërbimet e Policisë Kufitare mjeti lundrues, tip Jet Ski.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Sarandë, krahas patrullimit të vijës bregdetare me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, kanë ndërhyrë në zonën e Ksamilit, pas një ankese të ardhur në portalin e bashkëqeverisjes, ku denoncohej një mjet Jet Ski që lundronte brenda perimetrit të sigurisë për pushuesit, duke i rrezikuar ata, pamjet të këtij rasti janë publikuan më pas edhe në rrjetet sociale.

Pas verifikimeve, shërbimet e Policisë Kufitare identifikuan mjetin lundrues Jet Ski, në pronësi të shtetasit S. D, ndaj të cilit u vendos masa administrative prej 100 000 lekësh, për shkelje të nenit 24/1/c, “Shkelja e perimetrit të sigurisë, duke lundruar në zonat e ndaluara”, të Ligjit nr. 43/2020, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të qëndrojnë vetëm në zonat e përcaktuara për lundrim.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.

/gj.m/r.e/

The post Rrezikoi pushuesit nē Ksamil, gjobë 100 mijë lekë për pronarin e një mjeti lundrues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Festa e Midhjes rikthehet në Ksamil më 30-31 maj, Kumbaro: Traditë për produktin lokal

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Festa e Midhjes rikthehet në Ksamil, më 30 dhe 31 maj 2025, duke sjellë një përvojë autentike mesdhetare që ndërthur gastronominë me kulturën dhe argëtimin në bregdetin e mrekullueshëm të jugut.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ftoi qytetarët të bëhen pjesë e festës duke theksuar se “Festa e Midhjes e kthen Ksamilin në një skenë mesdhetare shijesh, ndjesish e emocionesh me dekor valët e detit dhe perëndimin e diellit”.

“Një traditë që feston vlerat dhe produktin lokal, na fton jemi të gjithë së bashku në Ksamil, për t’i dhënë mirëseardhjen një sezoni turistik veror si asnjëherë më parë”, nënvizoi Kumbaro.

Festa e Midhjes është një nga aktivitetet më të veçanta të sezonit turistik në jug të Shqipërisë dhe synon të promovojë produktin unik të zonës – midhjen e Liqenit të Butrintit, e njohur për cilësinë e saj të lartë dhe shijen karakteristike.

Festa e Midhjes ka nisur si një iniciativë për të promovuar kulturën kulinarike të zonës dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit gastronomik. /j.p/

The post Festa e Midhjes rikthehet në Ksamil më 30-31 maj, Kumbaro: Traditë për produktin lokal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Edhe Euronews e konsideron Ksamilin si Maldivet e Evropës

TIRANË, 20 mars /ATSH/ – Plazhet e kristalta të Ksamilit, që rrjeti gjigant informativ evropian Euronews i konsideron si Maldivet e Evropës, kanë filluar të presin pushuesit e parë të huaj.

”Vetë ata e kanë konsideruar Ksamilin si Maldivet e Europës”, shkruan euronews.com.

Jehona e Ksamilit në tabloidet britanike duket se po përkthehet në prani të madhe të turistëve nga ishulli.

Një çift nga Skocia, po qëndron për pak ditë në Ksamil, po kaq ka mjaftuar që të planifikojnë të rikthehen sërish në verë.

”Jam Xheini nga Skocia dhe si një impresion i parë për Shqipërinë mund të them që është shumë e bukur, ne sapo hëngrëm mëngjesin në këtë natyrë kaq të bukur dhe ishte shumë i shijshëm, kafja ishte akoma më e mirë, dhe dielli është perfekt për këtë kohë të vitit. Sa i përket çmimeve çdo gjë ishte në një vije paralele me cilësinë e ushqimit dhe shërbimit”, thotë ajo.

Edhe vetë operatorët turistikë thonë se në këtë fazë të sezonit po dominojnë turistët britanikë, francezë e gjermanë.

Sipas tyre, fluksi pritet të nisë në qershor, ndërsa deri tani kushtet atmosferike kanë qenë në disfavor të turizmit.

”Dominojnë anglezët sepse kanë bërë edhe shumë marketing për ne dhe më pas francezët dhe gjermanët po i konsiderojmë pushues cilësorë. Nga qershori e tutje presim një sezon që nuk është parë deri tani në Ksamil, pasi nga qershori rregullohet koha dhe presim deri në shtator një fluks të madh sepse ka filluar sezoni shumë herët, problem këtë jave ka qenë vetëm koha”, shprehet Nevzad Salihi, operator turistik.

Industria e turizmit në Ksamil është përgatitur për fluks turistik më të lartë se një vit më parë.

Ksamili mbetet destinacioni i preferuar i të rinjve europianë që vizitojnë Shqipërinë./  a.jor.

The post FOKUS – Edhe Euronews e konsideron Ksamilin si Maldivet e Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Punimet për bajpasin e Ksamilit, Çaçi: Do të optimizojë qarkullimin

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Në kantierin e bajpasit të Ksamilit në Sarandë puna po përparon me ritme të shpejta, duke sjellë një zhvillim të rëndësishëm infrastrukturor dhe turistik.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi ndau në rrjetet sociale pamje nga puna për ndërtimin e bajpasit.

“Ky bajpas optimizon lëvizjen e automjeteve dhe rrit efikasitetin e qarkullimit për banorët dhe vizitorët”, tha Çaçi.

Projekti përfshin zgjerim të rrugës ekzistuese me korsi emergjence dhe korsi pedolanesh biçikletash.

Ky bajpas do të lehtësojë ndjeshëm trafikun gjatë sezonit veror, duke e bërë lëvizjen më të shpejtë dhe më të sigurt.

Përfundimi sa më shpejtë i projektit tregon përkushtimin për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimeve në këtë zonë të rëndësishme bregdetare.

/k.s/j.p/

The post Punimet për bajpasin e Ksamilit, Çaçi: Do të optimizojë qarkullimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rruga e Ksamilit me tri korsi, ARRSH: Përfundojnë 20% e punimeve

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) po vijon punimet për zgjerimin me tri korsi të rrugës ekzistuese të qytetit të Ksamilit në jug të vendit.

Sipas ARRSH-së, realizimi fizik për zgjerimin e rrugës ekzistuese të Ksamilit ka arritur në masën 20%.

ARRSH informon se, në pjesën e parë të projektit po punohet me gërmim dhe mbushje për formimin e trupit të rrugës si dhe për ndërtimin e veprave të artit (mure mbajtëse e pritëse, tombino rrethore dhe box).

Me përfundimin e plotë të kësaj vepre rruga do të jetë kthyer në një rrugë me tri korsi kalimi, me trotuarë nga të dyja krahët dhe me korsi biçikletash në krahun e djathtë.

Përfundimi i këtij projekti do të lehtësojë trafikun e mjeteve përgjatë sezonit turistik dhe lëvizhmërinë e turistëve vendas e të huaj që vizitojnë Ksamilin.

1 nga 4

/a.f/r.e/

The post Rruga e Ksamilit me tri korsi, ARRSH: Përfundojnë 20% e punimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ARRSH: Rruga ekzistuese e Ksamilit drejt zgjerimit me tre korsi

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur punimet për zgjerimin me tre korsi të rrugës ekzistuese të qytetit të Ksamilit në jug të vendit.

Sipas ARRSH-së, punimet do të konsistojnë krahas zgjerimit të rrugës me tre korsi kalimi edhe në ndërtimin e trotuareve nga të dyja krahët dhe me korsi biçikletash në krahun e djathtë.

ARRSH njoftoi se, tashmë kanë filluar punimet e gërmimit për hapjen e trasesë dhe pastrimin e vegjetacionit të trupit të rrugës.

Përfundimi i këtij projekti do të lehtësojë trafikun e mjeteve përgjatë sezonit turistik duke shtuar edhe numrin e turistëve vendas e të huaj që duan të vizitojnë Ksamilin. /j.p/

1 nga 4

 

The post ARRSH: Rruga ekzistuese e Ksamilit drejt zgjerimit me tre korsi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌