Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ulja e temperaturave/ Rikthehen reshjet e borës në disa zona të qarkut të Dibrës

Rikthehen reshjet e borës në zonat e thella të qarkut Dibër. Reshjet janë regjistruar në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Zall-Reç, Selishtë, Muhurr, Trebishtë, si edhe në zonën e Martaneshit.

Ndërkohë deri në këto momente nuk raportohen probleme, ndërsa qarkullimi rrugor vijon normalisht.

Autoritetet mbeten në monitorim të situatës në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.

Lamallari: Me miratimin e saj, përfitojnë mbi 10 mijë persona! 388 lirohen menjëherë, 900 të tjerë ulje dënimi

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari theksoi se sapo ka firmosur aktin e ri për amnistinë penale, nga i cili janë parashikuar të përfitojnë mbi 10 mijë të burgosur dhe të paraburgosur.

“Sapo firmosur propozimin pas përfundimit të procesit së marrjes së mendimeve nga institucionet përgjegjësve të përgjegjësie për amnistinë penale, duke e dërguar këtë akt ligjor në Këshillin e Ministrave, dhe shpresoj se do të jemi shpejt miratimin e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend. Dua të theksoj se është një kategori e madhe personash që përfitojnë. Nga shifrat paraprake, përfshirë edhe procedimet e vitt 2024, numri i përfituesve është i lartë më shumë se 10 mijë që përfitojnë, janë 1280 persona që aktualisht janë në sistemin petinenciar, që dmth 388 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, 900 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi dhe me ndryshimet e fundit në draft, nga ai i lancuar më herët që prezantuam në fund të dhjetorit, duke sjellë këtu edhe faktin se kemi të tjerë që përfitojnë nga shuarja  e ndjekjes penale dhe nga të dhënat nga Prokuroria e Përgjithshme, për dy vepra që konsiderohen te lehta , ato drejtimin e parregulltt të mjetit, në 2024 llogariten 7711 procedime dhe shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit për amnisti, pa përfshirë këtu edhe të personave të tjerë që janë aktualisht në shërbimin e provës.”, u shpreh ministri Lamallari.

Bulqizë/ Babai plagos me thikë djalin, arrestohet nga policia

Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Ostren të Bulqizës, ku babai plagosi me thikë djalin.

Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta.

58-vjeçari u arrestua nga policia, teksa reagimi i efektivëve parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. 29-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë

Plagosi me mjet prerës (thikë) djalin e tij, falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i ngjarjes.

Arrestohet autori dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Rreth orës 23:00, të datës 29 janar 2026, në fshatin Ostren, dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi B.N., 58 vjeç, brenda banesës, ka plagosur me mjet prerës (thikë) djalin e tij, shtetasin K.N., 29 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë shkuar në vendngjarje, ku falë reagimit dhe ndërhyrjes së menjëhershme kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, si dhe kanë kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin B.N., 58 vjeç. Gjithashtu, është sekuestruar mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori.

29-vjeçari i dëmtuar ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Vodhi paratë në një farmaci në Fier, arrestohet 25-vjeçari

Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit për ka grabitur një shumë parash në një farmaci në lagjen “Liri”.

Gjatë operacionit është sekuestruar shuma e vjedhur e parave, si edhe veshjet që ka përdorur gjatë grabitjes.

Shetasi Imanuel Gjino dyshohet se ka vjedhur me forcë, 126 000 lekë në farmacinë në lagjen “Liri”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Vjedhja”.

Malaj: Bujqësia sektor prioritar, subvencione direkte fermerëve dhe rimbursim të TVSH-së

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se në muajin shtator do të nisë projekti IPARD 3 ku janë edhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë.

Në fjalën e tij në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Malaj tha se bujqësia konsiderohet nga Qeveria si sektor prioritar.

“Shifrat tregojnë realitetin dhe seriozitetin që ka kjo qeveri në lidhje me sektorin e bujqësisë. Në vitin 2013 kur morëm drejtimin e këtij vendi kemi marrë një bujqësi me buxhet 34 milionë euro, e kemi mbyllur 2025 me një buxhet 162 milionë euro, pesëfishi i asaj që morëm. Kemi marrë një bujqësi, e cila i kishte eksportet rreth 120 milionë euro, e cila sot në terma eksporti është mbi 500 milionë euro”, theksoi Malaj.

Malaj vuri në dukje se “kemi marrë një bujqësi që kishte në sipërfaqe serrash 700 ha ndërsa sot janë trefishuar sipërfaqet e serrave mbi 2200 ha. Kemi marrë një bujqësi ku toka e ujitur ishte 120 mijë ha dhe këtë vit do shkojmë në 300 mijë ha nga 360 mijë ha që është sipërfaqja e tokës së ujit në territor”.

Në këtë mandat, vijoi Malaj, qeveria është e angazhuar që të ndërtojë një model, i cili synon të mbështesë drejtpërdrejt fermerët.

“Ky është një model që është i ngritur në 4 komponentë kryesorë.

Ai renditi skemën e granteve ku për 2026 janë parashikuar 20 milionë euro, skemën e subvencioneve direkte për fermerët që është 31 milionë euro e buxhetuar për 2026 si dhe garancinë sovrane dhe rimbursimin e TVSH-së.

“Kemi të hapur garancinë sovrane që iu mundëson të gjithë fermerëve kredi të buta me normë interesi 2% dhe me garanci nga shteti për rreth 70% të vlerës së kredisë. Janë 30 milionë euro për vitin 2026. Ajo që është më e rëndësishme është kompensimi i TVSH për të gjithë fermerët, për çdo produkt që keni filluar të shisni nga data 1 janar 2026 e në vazhdim. Duhet të mblidhni faturat për produktet që çoni tek grumbulluesit dy herë në vit më 30 qershor dhe në 1 janar do të çoni faturat pranë autoriteteve tatimore dhe do të kompensoheni me 10% të  vlerës së faturave”, theksoi Malaj.

“Nga ana tjetër jemi besimplotë dhe shpresëplotë që në shtator do të hapet edhe IPARD3 dhe janë 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë”, tha Malaj.

Ministri Malaj u shpreh se “bujqësia ka nevojë për më shumë dhe jemi në rrugën e duhur për ta çuar atë në nivel tjetër dhe për ta pasur konkurruese në tregjet europiane”.

Aksident tragjik në Itali, automjeti përplaset me kamionin! Vdesin dy të rinj shqiptarë, plagosen tre të tjerë

Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur pasditen e së enjtes në zonën e Cuneos në Itali, në Savigliano.

Automjeti me të cilin udhëtonin, një Jeep Avenger, ku ndodhej edhe një person i tretë që ka mbetur i plagosur rëndë, u përplas me një kamion. Në mjetin e rëndë ndodheshin dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spitalet e Saviglianos dhe Cuneos.

Dy shqiptarët u nxorën pa shenja jete nga brenda automjetit nga shërbimet e urgjencës 118 dhe zjarrfikësit.

Rruga u bllokua për një kohë të gjatë për të lejuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit dhe kryerjen e ekspertizës nga forcat e rendit, të cilat po punojnë për të rindërtuar dinamikën e aksidentit.

Rama: Kemi vënë në dispozicion për bujqësinë 250 milionë euro

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë Andis Salla, ai i Financave Petrit Malaj ndodhet në Divjakë në një takim me fermerët.

Dialogu zhvillohet në kuadër të Skemës Kombëtare 2026 për të plotësuar panoramën e kërkesave dhe nevojave të evidentuara deri më tani nga qarqet e tjera, si dhe për ta ndërtuar skemën mbi një pasqyrë sa më të plotë të realitetit në terren.

Rama tha se buxheti i shtetit nuk duhet të jetë i vetmi burim financimi për fermerët. Janë dhe të tjerë komponentë që duhen të përdoren dhe për këtë kërkohet aftësi nga fermeri për t’i përthithur këto para.

Laboratori i drogës brenda godinës në Lezhë! Burg për babë e bir, arrest shtëpie për punonjësin e OSHEE

Tre personat e arrestuar për laboratorin e drogës i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjate aksit rrugor Lezhë-Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshem arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç, babë e bir, si autorë te dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest ne burg”.

Ndërsa për punonjësin e OSHEE, Gjon Doda u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Laboratori i drogës u zbulua nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.

Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive.

Rama takim me fermerët: Çdo projekt do financohet. Do kemi më shumë fonde nga BE

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026, ku theksoi nevojën për të ndërtuar politikat mbështetëse mbi një pasqyrë sa më reale të kërkesave dhe nevojave në terren.

Gjatë ciklit të dëgjesave në qarqe të ndryshme të vendit, Rama vuri theksin te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit në bujqësi, duke nënvizuar se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit, përgatitjes dhe aftësisë për t’i përthithur ato.

Ai bëri me dije se janë në dispozicion 250 milionë euro kredi me garanci shtetërore dhe interesa të ulëta, si dhe fonde në rritje nga Bashkimi Europian, por kërkoi angazhim më të madh nga bashkitë dhe bashkëpunim më të ngushtë me fermerët për hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të financueshme.

Më vjen shumë mirë që shikojmë njëri-tjetrin këtu në këtë zonë pas një periudhe që nga zgjedhjet. Më vjen shumë mirë që jam këtu përsëri si pjesë e këtij cikli dëgjesash për të kolauduar të gjithë planin e mbështetjes për këtë vit. Dua të fokusohem në një aspekt që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që i referohemi buxhetit të shtetit, por ai është vetëm një nga komponentët e zinxhirit të financimit të bujqësisë. Komponentët e tjerë janë pak më të vështirë, por janë komponentët që do të bëhen gjithnjë dhe më të pranishme. Duhen të gjithë të përpiqen të mësohen dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.

Mund të them me plot gojë, që puna e financimit të ideve që secili ka nuk është më problem. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe përthithjes për t’i thithur ato para. Ne do të kemi më shumë fonde nga BE, por që lidhen drejtpërdrejt me atë se sa të aftë jemi ne që t’i thithim këto fonde. Për këtë duhen disa gjëra që lidhen me një dosje, e cila duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet pse ky projekt duhet financuar. Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro. Ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe norma e interesit është shumë e ulët.

Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak. Sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, duhet një dosje dhe një projekt. Në këtë aspekt ka një mangësi që ne nuk po e adresojmë dot siç duhet, dhe ka të bëjë me pushtetin vendor. Bashkitë duhet të jenë më shumë aktivë me fermerët dhe bujqit. Nuk duhet të ketë asnjë problem për financimin. Bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle dhe struktura të përbashkëta për t’i marrë këto financime. Janë aty financimet presin”, tha kryeministri Rama.

Këshillimi i Punës/ Ibrahimaj: Rritje të mëtejshme të pagës minimale. Masa për fuqinë punëtore

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar në Këshillin Kombëtar të Punës një sërë çështjesh kyçe që lidhen me politikat e arsimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale.

Ajo theksoi rëndësinë e ngritjes së një komiteti që do t’i shërbejë jo vetëm Këshillit të Punës, por edhe hartimit të politikave afatgjata në fushën e arsimit dhe tregut të punës.

Gjatë mbledhjes u diskutuan ndryshimet ligjore për nxitjen e punësimit, rritja e pagës minimale dhe pensionet, si dhe masat për adresimin e mungesës së fuqisë punëtore dhe migracionit, përfshirë marrëveshjet me vendet e treta për shtimin e fuqisë punëtore.

Besoj që është një komitet që do i shërbejë dhe Këshillit Kombëtar të Punës, pasi do të shërbejë në politikat e arsimit dhe të punës. Pika e tretë do të lidhet me prezantimin e ndryshimeve të ligjit me qëllim nxitjen e punësimit. Për hartimin e politikave në këtë fushë, që do të përdoret nga të gjithë politikë bërësit. Në pjesën e tretë ka pika të ndryshme, ku ka pasur propozime të ndryshme, janë përzgjedhur tre tema për pagën minimale dhe pensionet. Rritja e pagës minimale ka hyrë në fuqi, dhe nga qeveria parashikohet që të ketë një rritje page të mëtejshme gjatë këtij 4-vjeçari, në përputhjet me nevojat dhe standardeve të BE.

Në këtë pikë do të diskutohet edhe për pensionet. Kremi një diskutim edhe për statusin e minatorit, e cila trajtohet në kuadër të ligjit përkatës. Në pikën e tretë do të diskutohet për mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionin. Ku janë të parashikuara një sërë masash. Adresimi i problemit të mungesës së fuqisë punëtore. Janë marrë një sërë masash për shtimin e fuqisë punëtore edhe në bazë të marrëveshjeve me vendet e treta”, tha Ibrahimaj.

Skema kombëtare për fermerët/ Balluku: Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte e pranishëm në takimin me fermerët për Skemën Kombëtare 2026. Balluku tha se buxheti 2026 është buxheti më i madh në histori për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin

“Fryma në Divjakë dhe në Lushnje edhe kur kemi problematika apo dëme nga përmbytjet është komplet ndryshe.

Më është dashur të hy në serat tuaja, të marr mësime nga më të mirët këtu dhe të kuptoj që edhe tokat tuaja ranore e përballojnë më mirë përmbytjen.

Me rëndësi është të mirëkuptohemi, të mbështesim njëri tjetrin.

Qeveria e angazhuar maksimalisht në mbështetjen e fermerëve. Tek shihja 2025, mbi 600 mln lekë janë vënë në dispozicion të skema dhe janë ezauruar në 95% të tyre. Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin.” u shpreh Balluku

“Ligjet të mos miratohen sa për të kënaqur BE-në”, Schieder: PE nuk komenton çështje juridike

Andreas Schieder, Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, ka dalë sot, 30 janar, në një konferencë për mediat.

Ai tha se “takimet në vendin tonë, në përgjithësi kanë qenë të suksesshme”, duke shtuar se lufta ndaj korrupsionit duhet fuqizuar.

“Në këtë vizitë unë u përqendrova edhe te politikat sociale kur fola me përfaqësuesit e komisionit treplaësh, sepse cilësia e një dialogu të mirë është shumë i rëndësishëm dhe roli i shoqërisë civile duhet të përmirësohet”, deklaroi ai.
“Sigurisht që kur vjen në Shqipëri, lexon shtypin, por dëgjon edhe aktorët e ndryshëm. Së pari, Parlamenti Europian nuk komenton çështje juridike apo ligjore, megjithatë institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, me gjetjet e tyre, në bazë të legjislacionit, kemi thënë që institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK-ut. Natyrisht nuk është për ne që të ndërhyjmë apo të komentojmë ndonjë rast specifik”, theksoi ai, kur u pyet për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai u ndal edhe te protestat e fundit të opozitës, duke sugjeruar se “duhet shmangur dhuna” dhe se “Shqipëria duhet të ketë një qasje të bashkuar”.

“Mësova kohët e fundit se në Kuvend ka unaninimtet për didsa cështje të jashtme, uroj të ndryshojë kultura edhe në çështje të tjera”, u shpreh ai.

Tha se Shqipëria ka pasur një ecuri madhore në negociatat me Bashkimin Europian.

I dënuar në Itali me 9 vite burg, kapet në Shijak 53-vjeçari i akuzuar për trafik droge dhe prostitucion

Një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane dhe i dënuar me 9 vite burg është arrestuar në Shijak. Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Decision”, i vu në pranga shtetasi Festim Keci.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Njoftimi

Finalizohet operacioni policor i koduar “Decision”

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 53-vjeçar i kërkuar nga autoritetet italiane.

53-vjeçari i dënuar me 9 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit.

Në kuadër të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Decision”.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Raportuesi i PE, Schieder: Shqipëria të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, mbështesim punën e SPAK

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.

Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.

Projektet fituese të Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore

Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projektet fituese të dy studiove prestigjioze nga Meksika, Taller Hector Barroso dhe Rojkind Arquitectos, të cilat morën pjesë në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Juria ndërkombëtare vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej tyre nuk ishin plotësisht i suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve, Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksit të ri të Inspektorateve Shtetërore.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

Ato janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.

Starmer firmos marrëveshje me Kinën pas vizitës në Pekin, Trump ‘ndez alarmin’

Pas vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Shangai, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “shumë e rrezikshme” që Mbretëria e Bashkuar të bëjë biznes apo të lidhë marrëveshje me Kinën. Komentet e Trump vijnë në një moment të ndjeshëm të marrëdhënieve gjeopolitike, ku Uashingtoni vijon të shprehë shqetësime për ndikimin ekonomik dhe strategjik të Pekinit në arenën ndërkombëtare.

Trump iu referua presidentit kinez Xi Jinping si një “mik”, duke theksuar se e njihte atë “shumë mirë”, por shtoi se bashkëpunimi ekonomik me Kinën mbart rreziqe serioze për vendet perëndimore. Në reagim ndaj këtyre deklaratave, Downing Street bëri të ditur se administrata amerikane kishte qenë e informuar paraprakisht për vizitën e Starmer në Kinë, si dhe për objektivat e saj.

Gjithashtu u theksua se vetë presidenti amerikan pritet të zhvillojë një vizitë në Kinë gjatë muajit prill, çka tregon se komunikimi mes dy fuqive mbetet i hapur, pavarësisht toneve kritike. I pyetur nga gazetarët se çfarë mendonte për afrimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kinën në aspektin ekonomik, Trump u shpreh shkurt, pa hyrë në detaje të mëtejshme.

Në vend të kësaj, ai e zhvendosi vëmendjen tek Kanadaja, duke dhënë një paralajmërim edhe më të fortë për Otavën. Sipas Trump, bashkëpunimi i Kanadasë me Kinën është “edhe më i rrezikshëm”, duke shtuar se vendi fqinj “nuk po ecën mirë” dhe se Kina nuk duhet parë si zgjidhje për problemet ekonomike.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan kërcënoi me vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë nëse ajo do të vijonte me marrëveshjet ekonomike të arritura me Kinën, pas vizitës së kryeministrit kanadez Mark Carney në Pekin. Ky qëndrim ka shtuar tensionet tregtare në Amerikën e Veriut dhe ka rritur pasigurinë për marrëdhëniet ekonomike rajonale.

Deklaratat e Trump vijnë në kontrast me qëndrimin e kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili pas takimeve me presidentin Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes Londrës dhe Pekinit janë “të mira dhe të forta”. Nga vizita e Starmer në Kinë kanë dalë disa rezultate konkrete, përfshirë një marrëveshje për udhëtime pa viza, uljen e tarifave për uiskin britanik, si dhe një investim prej 10.9 miliardë paundësh nga kompania AstraZeneca për ndërtimin e objekteve prodhuese në Kinë.

Po ashtu, janë njoftuar marrëveshje për bashkëpunim në fusha të tjera si lufta kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm. Sipas të dhënave të Departamentit britanik për Biznes dhe Tregti, Shtetet e Bashkuara mbetën partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2025, ndërsa Kina renditej si partneri i katërt më i madh tregtar.

Me një sërë akuzash të rënda, dëshmon në gjykatën belge e dashura e Franc Çopjajt

Mbahet në Belgjikë gjyqi për Franc Çopjan, ose i njohur ndryshe si Franc Gergely.

Një nga personat që kanë dëshmuar në gjyqin e tij, sipas ‘La Libre’, ka qenë edhe e dashura e tij, e cila e përshkruan atë si një njeri besnik, asnjëherë agresiv, i cili sipas saj “kurrë nuk e ngriti zërin para askujt”.

Partnerja e shqiptarit deklaroi se nuk ishte në dijeni të ndonjë aktiviteti kriminal prej anës së tij, duke thënë se ai është i pafajshëm.

Më parë, një dëshmitar shqiptar me origjinë nga Elbasani, deklaroi se i njihte dy familjet Alibej dhe Çopja, të cilat janë përfshirë në një ‘luftë klanesh’ që të paktën nga dhjetori 2018.

Ai u pyet në lidhje me një sherr, që daton që nga viti 2017, i cili dyshohet se shpërtheu në një lokal në Elbasan, ku përfshihej Franc Çopja.

Përplasja në fjalë ishte pjesë e një konflikti të gjatë kriminal midis bandave të Elbasanit për trafikun e drogës dhe dominimin në territor, duke përfshirë vrasjen e Endrit Alibejt më 29 dhjetor 2018 dhe vrasje të tjera që pasuan.

Dëshmitari përshkroi një “mosmarrëveshje të vogël” dhe një “zënkë të thjeshtë djemsh” që u përshkallëzua. Gjykatësi vuri në dukje se përleshja ishte raportuar në median shqiptare dhe se ishin përdorur armë zjarri.

Dëshmitari më pas pranoi përdorimin e armëve të zjarrit. Ai deklaroi gjithashtu se një pjesë e dëshmisë së dhënë të hënën nga vëllai i gruas së vëllait të viktimës, një anëtar i familjes Alibej, ishte e pavërtetë.

Më herët gjatë mëngjesit, një ekspert i ADN-së dëshmoi në gjykatë, duke specifikuar se në vendin e krimit nuk ishte gjetur asnjë ADN, përveç asaj të Ardit Spahiut dhe asaj të burrit që po drejtonte makinën me të cilën ndodhej ai pak para vrasjes së tij.

Franc Çopja akuzohet si porositësi dhe organizatori kryesor i vrasjes me paramendim të Ardit Spahiut, një anëtar i një bande rivale shqiptare, i vrarë me armë zjarri në Molenbeek të Brukselit në nëntor 2020.

Po ashtu ndaj tij rëndojnë akuzat për udhëheqjen e një organizate kriminale të strukturuar.

Prokuroria belge e ka përshkruar atë si “bossin” e një mafieje shqiptare të trafikut të drogës, e cila ka importuar tonelata kokainë nga Amerika Latine në Europë dhe ka kontrolluar aktivitete kriminale të lidhura me drogën, pastrim parash dhe dhunë.

Hetimet e kanë lidhur klanin Çopja me trafikimin masiv të kokainës, investime të mëdha të parave të pista në pasuri, biznes dhe kriptovaluta si pjesë e pastrimit të parave.

Ai u arrestua në Dubai nën identitet tjetër dhe më pas u ekstradua në Belgjikë, ku po përballet me gjyq për këto akuza të rënda.

Trump i gatshëm për bisedime me Iranin, por paralajmëron: Shumë anije luftarake po shkojnë në Lindjen e Mesme

Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime me Iranin, por duhet të bëjë dy gjëra për të shmangur veprimet ushtarake të SHBA, të heqë dorë nga armët bërthamore dhe të ndalojë së vrari protestuesit.

Ai tha se shumë anije luftarake amerikane po shkojnë drejt Iranit në Lindjen e Mesme dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të ishte e nevojshme t’i përdornin.

Komentet e tij të fundit vijnë pas javësh presioni mbi Iranin për të negociuar një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se forcat e armatosura ishin në gatishmëri për t’iu përgjigjur menjëherë dhe fuqishëm” çdo agresioni.

Më herët gjatë kësaj jave, Trump paralajmëroi se nëse nuk arrin marrëveshje për programin bërthamor, do të pësojë sulm më të keq se ai i qershorit 2025, ku u goditën objektet bërthamore.

Presidenti konfirmoi se aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln  ka mbërritur në Lindjen e Mesme dhe është e gatshme tashmë për sulme.

Përgjigja e Iranit erdhi nëpërmjet misionit të tij në OKB, i cili shprehet pro dialogut por duke kërkuar atë që e quan respekt të ndërsjelltë, përndryshe do të përgjigjet si asnjëherë tjetër.

Ndërsa BE deklaroi se palët duhet ti japi shans diplomacisë në një reagim ndaj mundësisë që SHBA të sulmojë iranin në orët e ardhshme.

Situata në Iran ndërkohë është tragjike prej javësh. Bilanci I përplasjeve mes civilëve dhe agjentëve iranin të sigurisë sipas Human Rights Activists Njuz Agency u përkeqësua duke shkuar në 6.221 të vdekur në protesta.

Por numri mund të jetë frikshëm më I lartë se kaq. Revista Time, e cila citoi dy zyrtarë të lartë të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, raportoi të hënën se rreth 30 mijë persona mund të jenë vrarë.

DOKUMENTI/ Gerond Meçe rikthehet sërish të fitojë tendera nga AKSHI

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka përzgjodhur kompaninë “Advanced Business Solutions”, në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe, si fituese për tenderin e mirëmbajtjes së sistemit elektronik të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgjet e vendit.

Kontrata me fond limit prej rreth 590 mijë eurosh është fituar nga kompania e Meçes me një çmim prej rreth 480 mijë euro.

Sipas njoftimit të fituesit, në garën për mirëmbajtjen e sistemit të vizitave në burgje u paraqitën 5 oferta nga kompani të ndryshme.

“Advanced Business Solutions” ishte eliminuar nga tenderat e AKSHI-t prej gati dy vitesh. Ndonëse kompania konkurronte thuajse në të gjithë tenderat e teknologjisë së informacionit ajo skualifikohej nga AKSHI.

DOSJA E SPAK

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj drejtuesve të AKSHI-t dhe dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri përfshin edhe dëshminë e Gerond Meçes, i cili u mor peng derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tendera shtetërorë.

Në dëshminë e dhënë Meçe tregon se poshtë pallatit të tij sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi e kishin marrë brenda në makinë ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.

Megjithatë Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së nuk dinin të vendosnin pranga.

SPAK ka akuzuar dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri se kanë urdhëruar pengmarrjen e Meçes.

Shifra rekord për Mbappe në Champions League, francezi në gjurmët e më të mëdhenjve

Edhe në mbrëmjen e hidhur të Lisbonës, Kylian Mbappe la gjurmë.

Pavarësisht humbjes së Real Madridit ndaj Benfica (4-2), sulmuesi francez shënoi një dopietë, duke e çuar totalin e tij në 13 gola në fazën e ligës së Champions League.

Një rekord absolut, i ndihmuar edhe nga formati i ri me 8 ndeshje për skuadër.

Rruga e tij finalizuese ka qenë mbresëlënëse: dopietë ndaj Marseille, tripletë kundër Kairat Almaty, 4 gola ndaj Olympiacos, 2 kundër Monaco dhe dopieta e Lisbonës.

Një vazhdimësi që e bëri kryegolashënues të fazës së ligës, me 5 gola më shumë se Harry Kane.

Mbappe ka kaluar edhe Cristiano Ronaldon më të mirë në fazën e grupeve (11 gola në 2015/16), ndërsa Messi, Lewandowski dhe Haller kishin arritur 10 gola.

Në raport me minutat, rekordi ndryshon: Lewandowski kryeson me 10 gola në 437 minuta (2019/20).

Në total, Mbappe ka 68 gola në 94 ndeshje në Champions League me Monaco, PSG dhe Real Madrid, më mirë se CR7 në të njëjtin numër paraqitjesh.

Kujdes edhe nga Erling Haaland; 56 gola në 56 ndeshje europiane.

❌