Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Fajin e ka “uji”

Erjola Azizolli

Vetëm disa orë nën pushtetin e rreshjeve intensive të shiut dhe, Durresi ështe gjendur i përmbytur dhe në emergjencë. Mësimi në shkolla e çerdhe është pezulluar. Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur, ura e fshatit Borç rrezikon shembjen, ndërsa disa familje janë evakuuar. Qindra automjete dhe qytetarë janë bllokuar me orë të tëra në autostradën  Durrës-Tiranë e cila u pushtua nga uji. Alternativa për lëvizje të automjeteve në autostradë mbeti rruga e vjetër, Plepa-Ndroq. Në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës, uji ka shkuar deri në 40 cm  Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile për të monitoruar situatën dhe në orët në vijim priten ndërhyrje sidomos në arginatura ku rrezikohet dalja nga shtrati i lumenjve.

Nusha Pulaj, banore e ish-Kënetës në Durrës, rrëfen për Faktoje.al se banesa e saj është përfshirë nga përmbytja:

“Uji hyri brenda dhe gjithçka u përmbyt.”

Por Nusha nuk është e vetme. Janë me dhjetra familje  në zonën e  Ish-Kënetës, Spitallë dhe Nishtullë,  të mbushura me ujë.  

“Kjo rrugë përmbytet gjithmonë kështu. Uji arriti mbi një metër këtu, nuk ka ardhur askush për të na parë. Ngjitemi deri në katin e dytë, në dorë të Zotit… e gjithë shtëpia është përmbytur,” tha një banor i lagjes 17 në Durrës, duke treguar situatën dramatike që po përjetojnë pas reshjeve të dendura.

Nga përmbytjet nuk kanë shpëtuar as zonat pranë portit, ku Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur. Policia Bashkiake ka vendosur shirita sigurie për të ndaluar qarkullimin e mjeteve.

Rrugët e qytetit janë kthyer në pengesa të vërteta për qarkullim. Akseset e bllokuara përfshijnë “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa”, “Marta Buda”, “Jahja Ballhysa”, “Kristo Sotiri”, “Glaukia”, “Vaso Pasha”, “Jeta Re”, “Vllazërimi”, “Jezerca”, “Azem Hajdari”, “Mbreti Pirro” dhe “Enkelejve”, duke prekur veçanërisht lagjet 12, 13, 14, 17 dhe 18.

Bllokime të tjera janë regjistruar nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në Durrësin e Ri. 

Situata nuk është vetëm në rrugë: rrëshqitje dheu janë regjistruar në Kodrën e Currilave, duke rrezikuar automjetet, ndërsa ura e fshatit Borç në njësinë administrative Manzë rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. 

The post Fajin e ka “uji” appeared first on Faktoje.al.

Arusha miqësore në rrugët e Kukësit e krijuar nga Inteligjenca Artificiale

Pretendimi: Ky imazh tregon një arushë me këlyshët e saj në fshatin Kolesjan të Kukësit

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————–

Në dhjetor 2025, një imazh që pretendohet se tregonte një arushë me katër këlyshët e saj në Kukës u shpërnda gjerësishtrrjete sociale, media dhe portalet shqipfolëse. Ky imazh idilik i maleve shqiptare u shpërnda edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Megjithatë, imazhi i mësipërm është i rremë dhe me gjasa i gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti videon nga është shkëputur imazhi i mësipërm, botuar në Youtube më 23 dhjetor 2025 nga një llogari që poston video të gjeneruara me AI.

Në versionin video, origjina artificiale e pamjeve dallohet në defektet logjike, si mungesa e gjurmëve mbi borë pasi ariu i vogël kalon mbi të.

Ndërkaq, pasi imazhi nisi të qarkullonte në rrjet blogeri Ben Trota botoi një video nga vendi ku pretendohej se ishte xhiruar arusha. Në videon e tij, vërehet qartë se atje nuk ka borë. Sipas Trotës, bora ende nuk kishte filluar të binte në Kukës në ato ditë kur pretendohet të jetë shkrepur foto.

Trota gjithashtu thekson se arinjtë me nisjen e dimrit hyjnë në hibernim për t’u rishfaqur në pranverë, një fakt natyror që u mësohet fëmijëve që në shkollën fillore. 

Viraliteti i imazhit frymëzoi krijime spontane të komentuesve që shpotisnin artificialitetin e tij. 

The post Arusha miqësore në rrugët e Kukësit e krijuar nga Inteligjenca Artificiale appeared first on Faktoje.al.

Dezinformimi, një rrezik për reputacionin dhe financat e bizneseve

Lajmi se një bankë e madhe e nivelit të lartë kishte rrezikuar depozitat e shqiptarëve si pasojë e një hakerimi të sistemit online, mori dhenë në vjeshtën e vitit 2022, duke alarmuar klientët.
Ky ishte një lajm i pavërtetë, i cili bazën e kishte te njoftimi online i vetë bankës, që paralajmëronte klientët e saj për një “skemë peshkimi” (phishing).

Ky është vetëm një nga rastet e verifikuara nga Faktoje, që tregon se si informacioni i pasaktë mund të dëmtojë rëndë një biznes, duke shkaktuar panik, humbje financiare dhe ulje të besueshmërisë në publik.

Dezinformimi, veçanërisht kur përhapet në rrjetet sociale, mund të shkaktojë dëme të mëdha financiare dhe reputacionale, humbje të të ardhurave dhe mosbesim nga konsumatorët.

Rreziku nga dezinformimi në sektorin financiar

Në nivel botëror, dezinformimi dhe manipulimi i informacionit, janë ndër rreziqet më të mëdha që i kanosen sot biznesit. Për vitin 2025, Raporti i Rreziqeve Globale i përpiluar nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) e rendit dezinformimin si një nga tre rreziqet më të mëdha globale. Për të dytin vit radhazi, keqinformimi dhe dezinformimi klasifikohen si rreziqet kryesore, për një periudhë dyvjeçare.

 “Raporti i Rreziqeve Globale për vitin 2024 i klasifikon dezinformimin dhe keqinformimin në vendin e dytë për afatshkurtër dhe në vendin e pestë për afatgjatë,” shkruan prof. Dr. Arben Malaj në një analizë mbi ndikimin e dezinformimit në stabilitetin financiar.

Kostot e dezinformimit në Shqipëri

Në Shqipëri, ku numri i faqeve online pa rregullim ligjor është i lartë, rreziku nga dezinformimi mbetet i konsiderueshëm. Lajmet e nxjerra nga konteksti, postimet për klikime dhe mungesa e transparencës në drejtimin e mediave online e bëjnë tregun më të cenueshëm.

Pyetja që shtrohet është: Sa të përgatitura janë bizneset në Shqipëri për t’u përballur me dezinformimin sot?

Në një mjedis ku informacioni shpesh është i paqëndrueshëm, i pasaktë dhe i pakontrolluar, bizneset shqiptare duhet të jenë më vigjilente se kurrë.

Gjatë takimi me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare

“Kufiri mes informimit dhe dezinformimit është shumë i hollë. Sa i fuqishëm është informacioni i saktë, aq i dëmshëm është ai i pasaktë. Bizneset janë detyruar të zhvillojnë mekanizma kontrolli për të paraprirë dëmet reputacionale apo financiare që sjell dezinformimi,” shprehet Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare.

Një ndër problematikat që vuan sot media në Shqipëri është fenomeni i lajmeve-karrem për klikime, që ka ndikim të madh te sipërmarrjet. Shpeshherë lajmet nxirren nga konteksti ose titujt ekzagjerohen.

Fakti është që tregu online i mediave në Shqipëri është ende i parregulluar dhe, duke vepruar “pa rregulla”, shpeshherë edhe përgënjeshtrimi i një lajmi të pavërtetë nuk kalon nëpër mekanizma të përcaktuar, por mbetet në raporte individuale mes publikuesit dhe drejtuesit të kompanisë.

“Më ka ndodhur që të më publikojnë një lajm të pavërtetë, sikur isha emëruar drejtor diku tjetër. Pa asnjë verifikim nga ana e medias. Zgjidhja që i dhashë ishte të telefonoja dhe t’u kërkoja që ta fshinin informacionin,” shprehet një prej përfaqësueseve të biznesit.

Strategji për t’u mbrojtur

Nevoja për strategji mbrojtjeje nga dezinformimi është vendimtare sot. Mekanizmat që mund të ndihmojnë bizneset, përveç atyre ligjore, janë: zhvillimi i mendimit kritik, njohja e elementeve kyç të një lajmi si autorësia, transparenca e medias dhe krijimi i mekanizmave për parandalimin e dëmit reputacional.

Trajnimi i stafit për të identifikuar dhe raportuar dezinformimin është një praktikë e mirë për të reduktuar rrezikun. “Pre-bunking”, pra shpërndarja e informacionit faktik përpara se të përhapet një e pavërtetë, ka rezultuar efektive në kundërshtimin e narrativave virale.

“Ekzistenca e mekanizmave të kontrollit dhe verifikimit të fakteve shërben si një busull e jashtme, sepse ka biznese aq të mëdha sa nuk e kontrollojnë gjithmonë se çfarë ndodh brenda,” shprehet Feri.

Nuk ka një zgjidhje të vetme për t’u përballur me dezinformimin, por mendimi kritik është thelbësor. Partneriteti me organizata të verifikimit të fakteve, komunikimi i shpejtë dhe përdorimi i mjeteve të monitorimit ndihmojnë në shpejtësinë e reagimit ndaj përhapjes së dezinformimit, përpara se të dalë jashtë kontrollit.

“Organizata si Faktoje në Shqipëri janë shumë të vlefshme për të gjitha tregjet, por veçanërisht për tregun tonë, ku informacioni është më i ndërlikuar. Edukimi është i pazëvendësueshëm. Ai duhet të fillojë që në vegjëli dhe të ushqejë mendimin kritik për konsumimin e informacionit, për të vërtetën dhe për mekanizmat e të kuptuarit të saj,” – Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare.

Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare

Sot, kur lajmi i rremë mund të përhapet më shpejt se e vërteta, reagimi i mirëkoordinuar është çelësi për të ruajtur integritetin dhe qëndrueshmërinë.
Ndaj është e nevojshme që bizneset të zhvillojnë strategji për menaxhimin e reputacionit dhe komunikimin në krizë, me plane të verifikuara për reagim në kohë reale, të cilat janë të domosdoshme.

The post Dezinformimi, një rrezik për reputacionin dhe financat e bizneseve appeared first on Faktoje.al.

Sulmet amerikane nuk shkatërruan varrin e ish-presidentit Chavez në Venezuelë

Pretendimi: Sulmet amerikane në Venezuelë kanë goditur edhe mauzoleumin e ish-presidentit venezuelian Hugo Chavez

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Pasi forcat amerikane sulmuan objektet ushtarake në kryeqytetin e Venezuelës dhe rrëmbyen presidentin Maduro më 3 janar 2026, në rrjete sociale po qarkullon lajmi se një nga vendet e bombarduara ishte edhe varri mauzoleum i ish-presidentit historik të Venezuelës Hugo Chavez.

Eshtrat e Hugo Chavez, i cili kryesoi Venezuelën nga viti 1999 deri në vitin 2013, pushojnë në Kazermat Malore, një kompleks historik dhe ushtarak i vendosur në Karakas, kryeqytetin venezuelian.

Megjithatë, lajmi se mauzoleumi u bombardua më 3 janar nuk është i vërtetë.

Kolegët spanjollë të verifikimit të fakteve të Newtral.es arritën të kontaktojnë të nesërmen e operacionit një punëtor vendas në një biznes pranë Kazermave Malore, i cili konfirmoi se vendi i varrit të Hugo Chavez nuk u sulmua. Si provë, ai dha një video dhe një fotografi (flaka që shihet në video është nga një pishtar që mbahet ndezur përgjithmonë në ndërtesë).

Foto nga Newtral.es

Ronna Rísquez, një gazetare investigative nga Venezuela, gjithashtu konfirmoi për Newtral.es se mauzoleumi nuk u bombardua nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar. Sipas saj, ishte një ndërtesë 500 metra larg që strehon një Komandë të Përgjithshme të Milicisë Bolivariane (ish-Observatori Cagigal) që u bombardua.

Për më tepër, kazermat ku ndodhet varri i Hugo Chavez nuk janë përfshirë në listën e vendeve të sulmuara që qarkullon në grupet e zyrtarëve ushtarakë venezuelianë, të dërguara në këtë media nga gazetarët në vend. Zyrtarët e Maduros që mbeten në pushtet nuk kanë lëshuar ende një raport zyrtar mbi dëmet.

Kolegët faktverifikues venezuelianë Cazadores de Fake News gjithashtu pajtohen se varri i Hugo Chavez nuk është sulmuar dhe tregojnë se disa përdorues po përhapin imazhe të Observatorit të vjetër Cagigal në flakë sikur të ishin Kazermat Malore.

⚠ Kjo video nuk tregon një sulm ndaj Kazermat Malore 4F, por ndaj Komandës së Përgjithshme të Milicisë Bolivariane, Observatori i vjetër i Cagigal, 500 m. Ne konfirmojmë strukturën e prekur nëpërmjet gjeolokacionit. Ka gjithashtu përdorues të mediave sociale që konfirmojnë se Observatori i vjetër i Cagigal ishte ndërtesa që u godit.”

The post Sulmet amerikane nuk shkatërruan varrin e ish-presidentit Chavez në Venezuelë appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto virale e arrestimit të presidentit Maduro

Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin venezuelian Nicolas Maduro të arrestuar

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————-

Pas rrëmbimit të bujshëm të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga ushtria amerikane më 3 janar 2026, një imazh që pretendohet se tregon momente nga ngjarja po qarkullon në rrjet, duke u përdorur edhe nga mediat shqipfolëse.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artficiale (AI).

Ai është postuar fillimisht në X/Twitter nga një përdorues që vetëquhet “entuziast i video-artit” të krijuar me inteligjencë artificiale dhe që poston rregullisht përmbajtje të gjeneruar nga AI.

Një detaj tjetër që sugjeron se imazhi mund të jetë i rremë është fakti se jeleku i njërit prej ushtarëve mban inicialet e Administratës Kundër Drogës (DEA), ndërsa operacioni për kapjen e Maduros u krye nga Delta Force (një komandë e forcave speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara).

Më tej, imazhi nuk është shpërndarë nga profili i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, as nga ndonjë organizatë tjetër apo anëtar i qeverisë së ShBA. Trump publikoi një foto të Maduros pas kapjes së tij. Në të, ai ishte veshur krejtësisht ndryshe, me një tutë sportive gri Nike.

Një tjetër video e ndarë nga llogaria e Shtëpisë së Bardhë @RapidResponse47 tregon Maduro duke u shoqëruar për në paraburgim në New York City më 3 janar 2026. Pamjet e tregojnë atë duke u shoqëruar nga tre oficerë. Në këtë pamje të publikuar zyrtarisht, veshja e Maduro është gjithashtu e ndryshme nga rrobat e tij në imazhin e gjeneruar

.

Më tej, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Trump konfirmoi se Maduro u “kap dhe u largua me avion bashkë me gruan e tij.” Sekretari i Shtetit i ShBA, Marco Rubio, tha se Maduro do të përballet me një gjyq penal në Shtetet e Bashkuara.

The post E gjeneruar kjo foto virale e arrestimit të presidentit Maduro appeared first on Faktoje.al.

Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje

Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje

Nga: Sebi Alla
Foto: Atdhe Mulla

KLSh konstaton ndotje në nivele të larta në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz dhe sëmundje të shtuara malinje, kardiovaskulare dhe respiratore. Rrëfimi i banorëve: “Frikë për fëmijët”.Të gjithë të lidhur me naftën për punësim, por edhe me sëmundje.
Ndanë pragut të shtëpisë, pusi ‘i zi’ nr. 1754-P, tanimë i izoluar me kapak betoni, është shenja që nuk hiqet lehtë për 71-vjeçaren dhe fëmijët e saj, të mëdhenj e të vegjël. “Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” – ngre shqetësimin nëna 71-vjeçare.

“Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?”

Banesën e ka në dalje të fshatit Zharrëz, aty ku pak metra më larg qëndrojnë si ngrehina të mëdha plot ndryshk depozita të naftës. “Banorët që jetojnë kryesisht në zonën Patos-Marinëz janë të ekspozuar nga niveli i lartë i ndotjes në mjedis, i cili shkaktohet nga nxjerrja e naftës në këtë zonë. Situata e deritanishme paraqitet e rënduar, e konfirmuar edhe nga raportet e gjendjes së mjedisit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hollësishëm.
Përtej së dukshmes, nafta për shumë banorë është parë si bukë e përditshme, por një “bukë me pasoja” të rënda shëndeti. Alarmi është dhënë edhe në raportin e KLSH-së që, duke krahasuar shifrat, del në përfundimin se sëmundjet resporatore, kardiovaskulare dhe malinje janë shumë më të pranishme në zonën naftëmbajtëse të aksit Patos-Marinëz. Në raport KLSH nxjerr një tjetër problematikë po aq të “zezë” sa procesi i nxjerrjes së naftës: Institucionet shtetërore kanë shifra të ndryshme dhe përlasje mes numrit të të sëmurëve, por edhe të dhënave reale mjedisore, duke mbuluar të vërtetën, ose nuk kanë kryer studime të vazhdueshme.

Zharrëz-Marinëz

Të gjithë janë të lidhur me naftën; dikush i punësuar, një tjetër me dhënien e tokave me qira për kompaninë Bankers Petrolium dhe po të gjithë janë në një hall të përbashkët: sëmundjen dhe ndotjen.“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”, – thotë 71-vjeçarja.

“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”

Edhe nëse dëshiron t’i ikë mendimit të ndotjes dhe sëmundjes, pusin e naftës, aktualisht të taposur, e ka as 10 metra nga pragu i oborrit. “Pusi shpërthente dhe vinte serë (naftë bruto). Këtu para shtëpisë ka qenë një gropë e madhe e ndotur. Pastaj erdhën dhe vendosën kapakët. Tani nuk ka më aq erë si më përpara”, thotë ajo. Frika për të folur lirshëm është e madhe edhe kur bëhet fjalë për shëndetin. “Do të flas shumë, por jo me emër, më mirëkupto, djalë”, thotë një zotëri 64-vjeçar i cili ankohet për mbetjet e shumta në një përrua aty pranë, ku ujërat e zeza bashkohen po me serën e zezë të naftës, e cila është kamufluar në një tub që hedh mbetjet në mënyrë ilegale.. “Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”, thotë ai. 

“Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”

Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.

Nafta i mban, nafta i han

Një mesoburrë, ndërsa lan një makinë, tregon se ndotja është e madhe, sidomos kur shpimet në thellësi bëheshin me shpërthime eksplozivi. “Vendosej eksploziv, por banorëve kur ankoheshin i thonim se ka pasur tërmete. Kam shumë vite që punoj te Bankers Petrolium kur e kishin kanadezët dhe tani që e kanë edhe kinezët. Jam zjarrfikës dhe në ndërhyrjen e shpejtë në repartin e avarive”, thotë ai, ndërsa shton: “Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”.

“Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”

Lëmë disi pas Zharrëzën për të kalur nga Marinza, ku edhe aty halli është i njëjtë. “Në një mënyrë apo një tjetër jemi të lidhur me naftën. Këtu punojmë, në shpime, sigurinë e puseve dhe depozitave, apo në transport, nafta na mban e nafta na han”, thekson një i moshuar që ka dalë në pension. Mjekët në Tiranë më udhëzuan që të ndiqesha nga një hematolog, se kam probleme me gjakun”, thotë ai.
Në dy qendra shendetësore, në atë të Zharrëzës dhe spitalin bashkiak të Roskovecit janë me mijëra analiza të “kontrollit bazë”, ku ndër ta është edhe ajo e gjakut. “Ka një ndjekje të rregullt me analiza dhe kur konstatojmë probleme që lidhen me të dhëna shqetësuese në gjak I rekomandojmë ndjekjen tek hematologët”, thotë një mjeke e Spitalit të Roskovecit, ndërsa pranon se “nuk ka statistikë dhe analizim mbi shkaqet e sëmundjeve në disa raste kancerogjene, kryesisht në gjak dhe prekjen e organeve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Në Zharrëz, qendra e vogël shëndetësore ka një mjek dhe dy infermiere, por prania e medias është “patologji shqetësuese” për ta dhe nuk pranojnë të japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe ankesat e banorëve, se po sëmuren nga ndotja si pasojë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.

Të “fshehësh” vdekjen!

“Lidhur me të dhënat e administruara nga Roskoveci, krahasuar me ato të 2 qendrave shëndetësore Marinëz dhe Kuman, situata shfaqet problematike, duke vënë në diskutim informacionin e dërguar nga NjVKSh – Fier”, thotë KLSH, pasi ka marrë në shqyrtim të dhënat që vijnë fillimisht nga qendrat shëndetësore me aktivitet të lartë të ndotjes nga nafta, por edhe në rang bashkie. Për vitin 2018, në gjithë Roskovecin deklarohen 30 të sëmurë malinjë, ndërsa për dy qendra shëndetësore Kujan dhe Marinëz (zona me aktivitet naftënxjerrjen) raportohen 22 persona, më tej për 2021 deklarohen 25 në gjithë Roskovecin prej të cilëve 21 nga këto 2 qendra shëndetësore. “Për vitin 2022, deklarohen 25 për gjithë Roskovecin, ndërkohë për këto 2 qendra shëndetësore deklarohen 28 të sëmurë, pra 3 më shumë. Për vitin 2023, deklarohen 37 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 28 të sëmurë malinjë, dhe për vitin 2024, deklarohen 30 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 27 të sëmurë malinjë”, thotë KLSH teksa pranon se “të dhënat paraqesin mangësi”, duke lënë hapësirë për fshehjen reale të të sëmurëve.
“Duke vlerësuar të dhënat e ardhura vetëm nga 2 QSH, (shënim: Qendra Shëndetësore), rezulton se në zonën e Marinzës dhe asaj të Kumanit, situatat shëndetësore mund të konsiderohet alarmante, pasi numri i personave me sëmundje malinje është relativisht i lartë, ku çdo vit janë 20 deri në 30 persona me sëmundje malinje, ku për krahasim, për të njëjtën periudhën (tre vitet e fundit) Bashkia Belsh ka 100% deri në 500% më pak raste se sa 2 QSH të Roskovecit”, konstaton KLSH. Në raport ky institucion ka marrë të dhëna statistikore nga bashkitë Fier, Patos, Mallkastër Roskovec dhe Belsh. Në këtë rast Belshi është përfshirë si “rast studimor”, pasi cilësohet me rrezik të ulët ndotjeje dhe të dhënat për këtë bashki kanë shërbyer si krahasuese me bashkitë e tjera të Qarkut Fier që kanë ndotje në nivel të lartë nga aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.

Bankers nuk paguan

Një tjetër shqetësim që ngrihet nga banorët që kanë dhënë me qira për shfrytëzim tokën e tyre është mungesa e korrektesës së pagesa nga ana e kompanisë Bankes Petrolium. Për një dynym tokë të marrë me qira për shfrytëzim kompania është dakordësuar të japë 400 mijë lekë në vit, një shifër e pranueshme për banorët që të ardhurat nga bujqësia i kanë të pakëta, kjo edhe për shkak të prodhueshmërisë së ulët që ndikohet nga ndotja. “Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”, thotë për Faktoje, Tajar Bine.

“Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”

Ai shton se këtë problem nuk e kanë pasur kur kjo kompani drejtohej nga kanadezët, por tashmë që pronësia dhe administrimi i kaloi kompanisë kineze, sipas tyre kanë problem me likujdimin e qirave për tokën. “Kjo kompani tashmë nuk kujdeset për ambientin në radhë të parë dhe pastaj për kontratat e qirasë që kanë”, shton Bine.

Institucione në ajër

I përmbledhur në disa pika, raporti i KLSH-së nisur vetëm nga një studim i një zone të ngushtë del në përfundimin se institucione lokale dhe qëndrore jo vetëm nuk kanë monitoruar situatën mjedisore për ndotjen, por nuk kanë asnjë të dhënë për më shumë se 10 vite. Në nivel mjaft “amator” përsa u përket dy shtyllave kryesore; mjedis dhe shëndet janë bashkitë që mbulojnë territorin e zonave naftëmbajtëse.
“Në nivel vendor, investimet e kryera për riaftësimin dhe rehabilitimin mjedisor kanë qenë minimale dhe të pamjaftueshme në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit në këtë zonë. Masat e marra nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit në zonën Patos-Marinëz nuk kanë qenë të mjaftueshme”, del në përfundim KLSH. Në këtë zonë të gjithë ankohen për ndotje dhe sëmundje, por thuajse të gjithë druhen të reagojnë për shkak të punësimit, por edhe mosbesimit për zgjidhje nga institucionet shtetërore.

The post Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje appeared first on Faktoje.al.

Asnjë gjurmë për spitalin e parë me shtretërit shërues Medbed

Pretendimi: Spitali i parë me teknologjinë Medbed është bërë realitet

Vlerësimi: E pavërtetë

Teknologjia e shtretërve mjekësorë Medbeds, që pretendohet se mund të shërojë çdo sëmundje dhe rigjenerojë organet, publikohet prej vitesh si një ëndërr që po bëhet realitet falë zhvillimeve të fundit shkencore. Në vijim të kësaj teorie, ditët e fundit të dhjetorit po qarkullojnë në rrjet edhe pamjet e spitalit të parë të pajisur me këtë teknologji mrekullibërëse. Si argumentim për kufizimin e publikimit të këtij lajmi të rëndësishëm, sillet mbajtja e fshehur e këtij zhvillimi nga qeveritë e lidhura me kompanitë farmaceutike. 

Megjithatë, postimi nuk paraqet asnjë të dhënë për vendndodhjen e spitalit apo burim të mëtejshëm për të mbështetur këtë lajm të rëndësishëm. Hapja e një spitali gjigand si ai në këto pamje të publikuara nuk do të kalonte aq lehtë në fshehtësi edhe nëse do të ekzistonte kontrolli i plotë i ndonjë qeverie ndaj mediave. Pamjet e ndërtesave ku shfaqet dukshëm emri “Medbed hospital”, por asnjë e dhënë e mëtejshme, ka shumë gjasa që të jenë një gjenerim imazhesh nga Inteligjenca Artificiale.  

Sipas narrativave që qarkullojnë online, “medbeds” janë pajisje futuristike që përdorin teknologji të avancuar — shpesh të përshkruar si “energji kuantike” — për të shëruar çdo lloj sëmundjeje. Pretendimet më të zakonshme përfshijnë që nga shërimi i menjëhershëm të kancerit, rigjenerim të gjymtyrëve, kthim të moshës biologjike apo eliminim të çdo infeksioni apo dëmtimi. Këto pretendime nuk mbështeten nga asnjë provë shkencore, klinike apo teknologjike.

Narrativa e “medbeds” është e lidhur ngushtë me komunitete konspirative, veçanërisht ato që besojnë se qeveritë apo korporatat “fshehin teknologji të avancuara”. Këto ide janë të zakonshme në hapësira të ekstremit të djathtë në SHBA dhe në komunitete që përhapin teorinë konspirative QAnon. Faktoje ka 

Elementet kryesore të këtyre narrativave është pretendimi se teknologjia ekziston, por mbahet e fshehta dhe akuzat ndaj institucioneve shëndetësore se “nuk duan që njerëzit të shërohen”. Përdorimi i gjuhës pseudoshkencore, si “energji kuantike”, “frekuenca shëruese”, “teknologji e epokës së re”, janë shenja tipike të dezinformimit.

Narrativa të tilla janë tërheqëse sepse premtojnë zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara. Ato bëhen më të besueshme kur dikush përballet me sëmundje të rënda dhe ideja e një “shërimi magjik” është emocionalisht e fuqishme.

Edhe pse “medbeds” nuk ekzistojnë, mjekësia moderne ka zhvillime të jashtëzakonshme si kirurgji robotike me precizion të lartë, terapi gjenetike për sëmundje të rralla dhe mjekësi rigjenerative (qeliza staminale, inxhinieri e indeve) apo terapi të personalizuara bazuar në profilin gjenetik. Këto janë teknologji reale, të provuara dhe të certifikuara — por asnjëra nuk ofron “mrekullitë” që premton miti i medbeds. Faktoje ka përgënjshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds.

The post Asnjë gjurmë për spitalin e parë me shtretërit shërues Medbed appeared first on Faktoje.al.

Asnjë dyshim për grabitje të arit italian nga Banka Qendrore Europiane

Pretendimi: Bashkimi Europian po i grabit rezervat e arit Italisë nëpërmjet Bankës Qendrore

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Në 8 dhjetor 2025, është publikuar në median shqipfolëse online lajmi se Bashkimi Europian po “vjedh” rezervat e arit të Italisë, duke çuar vendin drejt daljes nga BE-ja. Kjo narrativë është një interpretim i gabuar i një vendimi të Bankës Qendrore Europiane (BQE) mbi pavarësinë e institucioneve financiare nga pushteti politik.  

fillim të dhjetorit BQE i ka dërguar një opinion qeverisë italiane duke kërkuar sqarime për një amendament në buxhetin e vitit 2026, i cili thekson se rezervat e arit të Bankës së Italisë “i përkasin shtetit, në emër të popullit italian.” BQE-ja ka pyetur se cili është qëllimi konkret i këtij amendamenti, pikërisht pasi gjuha dhe qëllimi i amendamentit nuk janë të qartë.

Ky vendim nuk përbën një përpjekje nga ana e BE-së për të marrë kontrollin e arit italian. Përkundrazi, BQE-ja po kërkon transparencë dhe po kujdeset që Banka e Italisë të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të pavarur, siç kërkojnë traktatet europiane. 

Banka Qendrore Europiane ka dhënë dy herë radhazi një opinion negativ për amendamentin e propozuar nga partia Fratelli d’Italia, partia e kryeministres Georgia Meloni. Pas refuzimit të parë, qeveria italiane paraqiti një version të rishikuar që sqaronte se amendamenti nuk do të mbizotëronte normat europiane. Megjithatë, BQE-ja gjeti se edhe ky rishikim nuk mjafton dhe shprehu shqetësim se mund të cënojë pavarësinë e Bankës së Italisë, një parim themelor i sistemit bankar europian. 

Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian, konfirmoi se “Banka e Italisë ka autoritet të plotë mbi rezervat e arit të Italisë”. BQE-ja ka bërë publik edhe në vitin 2019 opinionin e saj se  bazuar në Traktatet e BE-së “nuk ka referencë për pronësinë” e rezervave të arit të vendeve anëtare. Ajo që traktatet thonë, shumë qartë, është se rezervat dhe menaxhimi i rezervave i përkasin bankës qendrore të secilit shtet. Dhe Banka e Italisë nuk është ndryshe nga shtetet e tjera. “Banka e Italisë,” vazhdoi Lagarde, “ka detyrën të mbajë dhe menaxhojë këto rezerva. 

Rezervat e arit të Italisë, që vlejnë rreth 200 miliardë euro, janë një mjet që bankat qendrore i përdorin në raste krizash financiare për të mbajtur stabilitetin e monedhës. Për momentin, ligji italian përcakton se Banka e Italisë i menaxhon këto rezerva në përputhje me normat europiane, të cilat ndalojnë shfrytëzimin e tyre për të financuar shpenzime publike. 

Amendamenti ishte paraqitur nga senatori Lucio Malan pa u konsultuar paraprakisht me BQE-në, duke rihapur një betejë të vjetër. Teksti lë të kuptohet se ari mund të vihet në dispozicion të qeverisë për të financuar shpenzime publike, gjë që do të ishte një shkelje e qartë e ligjeve europiane.

Kjo narrativë është pjesë e një fsushate më të gjerë dezinformuese kundër Bashkimit Europian dhe pavarësisë së vendeve pjesëtare për të vendosur politikat e brendshme. Në vend që të jetë një “vjedhje” e arit italian, kjo çështje demonstron se institucionet europiane po mbrojnë parimet e pavarësisë së bankave qendrore dhe stabilitetit financiar. 

The post Asnjë dyshim për grabitje të arit italian nga Banka Qendrore Europiane appeared first on Faktoje.al.

I pabazë alarmi për aluminin në brendësi të vaksinave

Pretendimi: Alumini në vaksina shkakton sëmundje tek fëmijët e ekspozuar ndaj vazhdave të avionëve

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Prej pandemisë së Covid-19 narrativa kundër vaksinimit është bërë e zëshme duke mos kursyer as vaksinat tradicionale, të testuara prej dekadash. Një prej këtyre narrativave është dhe ajo rreth prezencës së aluminit në vaksina, e cila lidhet sipas këtyre postimeve me “inflamacionin kronik në tru, duke rritur rrezikun për Alzheimer, Parkinson dhe Autizëm”. Ashtu si shumë argumenta të mbështetura në teori konspirative, flitet për studime të shumta shkencore, por nuk ofrohen burime të qarta të tyre. 

Së pari, shkenca ka provuar prej dekadash se sasia e aluminit e cila përdoret në vaksina është jashtëzakonisht e vogël, dhe nevojitet për të rritur përgjigjen imune ndaj vaksinës. Alumini e bën të mundur që të përdoren sasi më të vogla të vaksinës dhe më pak doza.

Pretendimet se vaksinat çojnë në sëmundje si Alzheimer, Parkinson apo autizëm te fëmijët qarkullojnë prej kohësh në rrjet dhe kanë çuar në skepticizëm ndaj vaksinave në rang global dhe nuk mbështeten nga asnjë studim shkencor i besueshëm. Faktoje i ka hedhur poshtë disa herë këto pretendime. 

Shkenca po avancon, por ende nuk ka një përgjigje të vetme për sëmundjet e Alzheimer dhe Parkinson. Të dyja janë sëmundje neurodegjenerative, pra lidhen me dëmtimin gradual të qelizave të trurit. Por secila ka mekanizma të ndryshëm biologjikë.

Sipas burimeve shkencore, Alzheimer lidhet me grumbullimin jonormal të dy proteinave në tru Beta-amiloid dhe Tau. Këto proteina dëmtojnë qelizat nervore dhe lidhjet mes tyre. Shkaku i saktë pse këto proteina grumbullohen ende nuk dihet plotësisht

Parkinson, sipas studimeve, shkaktohet nga dëmtimi i qelizave nervore që prodhojnë dopaminë në një zonë të trurit të quajtur substantia nigra. Edhe këtu ka grumbullim jonormal të proteinave, kryesisht alfa-sinuklein, që dëmton qelizat nervore.

Postimi pretendon se ka “studime të pavarura” mbi problemet që shkakton alumini në vaksinat, por se këto studime janë censurohen nga revista shkencore. Kjo është po ashtu një teoria konspiracioni. Po të kishte me të vërtetë studime të tilla rigoroze, ato do të publikoheshin në revista shkencore që kanë një proces të rreptë rishikimi. 

Sa i përket pretendimit se alumini në vaksina rrit ndjeshmërinë ndaj rrezatimeve elektromagnetike 5G dhe HAARP, këto janë po ashtu teori konspirative që qarkullojnë shpesh në internet dhe janë hedhur poshtë nga Faktoje më përpara. 

Për sa u përket “metodave tradicionale të pastrimit”, ndonëse disa ushqime si koriandri ose hudhra kanë vlera ushqyese, pretendimi se ato “pastrojnë” trupin nga metalet e rënda është një pretendim pseudo-shkencor dhe nuk ka asnjë bazë në studime shkencore. Trupi ynë ka mekanizma natyrorë detoksifikimi përmes mëlçisë dhe veshkave. 

The post I pabazë alarmi për aluminin në brendësi të vaksinave appeared first on Faktoje.al.

Von de Leyen fle në zyrën e saj, por jo për t’iu shmangur arrestit

Pretendimi: Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen nuk fle në zyrë për t’iu shmangur arrestimit

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Një postim i publikuara edhe në profile shqipfolëse në Facebook pretendon se Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, ka transformuar një ambjent si banesë të saj brenda godinës ku punon për t’iu shmangur arrestimit nga prokuroria belge. Ky pretendim është në vazhdën e hetimeve të autoriteteve gjyqësore belge në qytetin e Liezhit, të nisura në fillim të vitit 2023 për të ashtuquajturën “Pfizergate”, çështjen e negociatave të presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe CEO të Pfizer, për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19.

Videoja pretendon se ndryshe nga “të gjithë paraardhësit e Ursulas, madje çdo politikan, deputet apo zyrtar i lartë, që marrin një apartament me qera për të jetuar, vetëm Ursula ka modifikuar disa zyra duke i kthyer në banesë brenda Parlamentit Europian.” 

Aty shkruhet po ashtu se  von der Leyen e ka marrë këtë vendim pasi policia belge “nuk ka juridiksion për ta arrestuar brenda Parlamentit të BE-së.”

Së pari, von der Leyen nuk banon në Parlamentin Europian, por në një dhomë 25 metra katrorë në katin e 13-të të ndërtesës Berlaymont, selia kryesore e Komisionit Europian. Sipas Deutsche Welle, ky vendim u mor në tetor 2019, shumë më herët se të niste hetimi për Pfizergate, për arsye praktike dhe ekonomike, jo për të shmangur drejtësinë. Një praktikë të ngjashme, Von der Leyen e ka zbatuar gjatë karrierës së saj në Gjermani, duke jetuar në zyrat e ministrive gjatë javës për të kaluar sa më shumë kohë me familjen e saj të bollshme gjatë fundjavave.

Së dyti, pretendimi se prokuroria belge nuk mund ta arrestojë von der Leyen brenda ndërtesës së BE-së nuk është tërësisht i vërtetë. Ndërtesat e BE-së në Bruksel, përfshirë Berlaymont, ndodhen në territorin sovran të Belgjikës dhe nuk trajtohen si ambasada ku ka imunitet të plotë. Belgjika mban juridiksionin penal mbi çdo vepër penale që ndodh brenda këtyre ndërtesave. Megjithatë, sipas Protokollit nr. 7 mbi privilegjet dhe imunitetet e BE-së, autoritetet belge duhet të kërkojnë pëlqimin e Komisionit Europian para se të kryejnë veprime hetimore brenda ndërtesës.

Kjo nuk do të thotë se von der Leyen është e paprekshme. Nëse ka prova për vepër penale, prokurorët belgë mund të fillojnë hetime dhe të kërkojnë heqjen e imuniteteve institucionale. Për më tepër, hetimi për Pfizergate është fokusuar mbi akuzat për korrupsion me fondet europiane dhe çështja i është kaluar për hetim Prokurorisë së BE‑së (EPPO). Ky organ mund të arrestojë zyrtarët edhe brenda godinave zyrtare të BE-së, duke kërkuar heqjen e imunitetit kur është e nevojshme për veprat penale që dëmtojnë interesat financiare të BE‑së. 

Edhe pse pretendimi për arrest është i pavërtetë, është e vërtetë se ka pasur hetime dhe padi ligjore në lidhje me komunikimin e von der Leyen me CEO-n e Pfizer, Albert Bourla, rreth kontratave për vaksinat COVID-19.  Një gjykatë e BE-së ka vendosur se von der Leyen ka shkelur ligjet e transparencës duke mos dorëzuar mesazhe teksti të kërkuara.

Megjithatë, këto janë procedura ligjore civile dhe administrative, jo një rast penal që ka rezultuar në një mandat arresti për të. Asnjë person nuk është ngarkuar me akuza në lidhje me rastin penal që po heton Prokuroria Europiane (EPPO). Prandaj, pretendimi se von der Leyen po përpiqet të shmangë arrestimin nga autoritetet belge nuk bazohet në fakte. 

The post Von de Leyen fle në zyrën e saj, por jo për t’iu shmangur arrestit appeared first on Faktoje.al.

Kryeministria, kampione e refuzimit të informacionit në vitin 2025

Nga konferenca e 7-të kombëtare për të drejtën e informimit, kryeministri Edi Rama përsëriti leksionet mbi transparencën. 

“Ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë…”, deklaroi ai. Por kjo deklaratë bie ndesh me realitetin e përditshëm të gazetarëve dhe qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre ligjore për informim.

Faktoje.al, gjatë vitit 2025, ka dërguar mbi 200 kërkesa për informacion. 

Nga 183 kërkesa drejtuar institucioneve shqiptare, shumica e përgjigjeve ishin të pjesshme, të përgjithshme ose shmangnin pyetjen konkrete. Në 42 raste, gazetarët u detyruan t’i drejtohen Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke dëshmuar nivelin e lartë të refuzimit institucional. 

Edhe partitë politike nuk e zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme ligjin. Nga 5 kërkesa për informim, Partia Socialiste nuk ktheu përgjigje për asnjërën nga dy kërkesat, ndërsa Partia Demokratike dha dy përgjigje të plota dhe një të pjesshme.

Ndryshe nga praktika shqiptare, institucionet ndërkombëtare si KE, NATO, OLAF dhe DASH i kthyen të gjitha përgjigjet për 25 kërkesat e dërguara. 

Kryeministria, institucioni më refuzues

Institucioni që mban rekordin e shkeljeve të ligjit për informacion në vitin 2025 është Kryeministria. 

  • Marrëveshja SHBA–Shqipëri për luftën kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj

Ky është një nga rastet më flagrante të mungesës së transparencës. Faktoje kërkoi dokumentacionin mbi marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe SHBA-së, e cila lidhet me ngritjen e mekanizmave kundër manipulimit të informacionit nga shtete të huaja. Kryeministria nuk dha asnjë përgjigje edhe pse rasti u ankimua tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit. 

  • Marrëveshja me Grupin Titan në Forumin BE–Ballkani Perëndimor

Faktoje kërkoi informacion mbi marrëveshjen e nënshkruar gjatë Forumit të parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e cila ishte bërë publike përmes rrjeteve sociale të kryeministrit. Institucioni kërkoi “saktësim të aktit miratues” (ligj, VKM, urdhër etj.), ndërkohë që bëhej fjalë për një marrëveshje të shpallur publikisht. Ne i dërguam linkun zyrtar të aktivitetit, por Kryeministria përsëri refuzoi të japë dokumentin, duke thënë se “nga linku nuk arrijmë të identifikojmë informacionin e kërkuar”. Kërkesa u zvarrit me kërkesa të përsëritura për sqarime, pa dhënë kurrë dokumentin e kërkuar edhe pas ankimimit tek Komisioneri për të Drejtën për Informim. 

  • Lista e këshilltarëve të jashtëm dhe konsulentëve të kontraktuar

Faktoje kërkoi listën e personave të angazhuar si këshilltarë të jashtëm, përfshirë ekspertë të huaj, si dhe informacion mbi pagesat e tyre, bazuar në VKM nr. 325, datë 31.05.2023. Ky akt parashikon pagesa deri në 1 milion lekë/muaj për këshilltarët e kontraktuar. Kryeministria nuk dha asnjë informacion, pavarësisht se kërkesa citonte qartë aktin ligjor dhe objektin e saj. Pas ankimimit nuk ka asnjë masë të raportuar nga Komisioneri. 

‘Jashtë objektit të ligjit’

Ndërsa tre rastet e para tregojnë mungesë totale përgjigjeje, në tre raste të tjera kërkesat e Faktoje.al ndaj Kryeministrisë u mbyllën me argumentin se janë jashtë objektit të ligjit ose u deleguan në institucione të tjera. 

  • Deklarata për çlirimin e hapësirave publike në Tiranë 

Më 19 korrik, kryeministri Rama shkroi se “sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara”. Faktoje kërkoi të dhëna konkrete mbi këtë deklaratë. Kryeministria nuk dha përgjigje, ndërsa Komisioneri e përcolli rastin tek Bashkia Tiranë, duke shmangur përgjegjësinë e institucionit që e bëri deklaratën.

  • Pyetjet mbi bazën ligjore të deklaratave të Kryeministrit 

Në një tjetër rast, kërkesa për të sqaruar mbi çlirimin e hapësirave publike u konsiderua nga Komisioneri si “jashtë objektit të ligjit për të drejtën e informimit”, duke e mbyllur shqyrtimin pa dhënë informacion. Argumenti ishte se pyetjet për interpretim nuk përbëjnë dokumentacion publik.

  • Udhëtimi i Kryeministrit në SHBA

Faktoje kërkoi informacion mbi planifikimin e vizitës së Ramës në SHBA, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 

Pyetjet u refuzuan si “jashtë objektit të ligjit për informim”. Komisioneri e mbylli shqyrtimin, duke lënë pa përgjigje nëse vizita ishte planifikuar dhe nëse po pse nuk u realizua.

Ligji dhe “Maliqi”

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” garanton akses publik, por praktika e institucioneve shqiptare tregon vonesa sistematike, mungesë transparence dhe mosdhënie të përsëritur të informacionit.

Qendra Res-Publica që ka mbi 10 vite që monitoron zbatimin e të drejtës së informimit në Shqipëri, në raportin e fundit vlerëson se gati 1/3 e rasteve institucionet nuk japin asnjë përgjigje, duke e cilësuar refuzimin si problem serioz dhe të rrënjosur. 

“Kjo sjellje jo vetëm që bie ndesh me frymën e ligjit, por i shndërron kërkesat për informacion në një proces të pasigurt, ku qytetari nuk ka garanci se do të marrë një reagim, pavarësisht detyrimit ligjor” nënvizon raporti. 

E ardhmja, parashikon studiuesi Afrim Krasniqi, do të bëhet edhe më e vështirë. 

“Për shkak të skandaleve të vazhdueshme, për shkak të konfliktit të madh që ka midis vizionit të qeverisë për informimin dhe nevojave që ka media dhe shoqëria civile për më shumë informacion dhe transparencë”, përfundon ai. 

Përfundim

Praktika e institucioneve, sidomos e Kryeministrisë, tregon se e drejta e informimit vazhdon të cungohet në Shqipëri. Ndaj deklaratën e kryeministrit Edi Rama, se“ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë…”, e kategorizojmë të vërtetë. 

The post Kryeministria, kampione e refuzimit të informacionit në vitin 2025 appeared first on Faktoje.al.

Rama sfidon SPAK dhe paralajmëron ndryshime ligjore tek drejtësia

Sebi Alla– Në konferencën për shtyp të fundit të vitit, kryeministri Edi Rama përmendi shumë herë fjalën SPAK, por që në nisje të përgjigjeve për mediat kreu i qeverisë la të nënkuptohej se nuk do të ishte aq i lehtë miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëses së tij Belinda Balluku. Gjithashtu edhe për dosjen tjetër të skandalit të aferave të AKSHI-t, Rama doli në mbrojtje të ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, aktualisht në masën “arrest shtëpie”. Teksa i trajtoi gjatë të dyja çështjet, kryeministri paralajmëroi edhe ndryshime ligjore, veçanërisht përsa i përket akuzës së “shpërdorimit të detyrës”, gjithashtu sipas tij, masat ekstreme të “arrestit me burg” janë shqetësim edhe nga Komisioni Europian.

Reagimi për SPAK  

Ndërsa kreu i qeverisë ende nuk kishte përfunduar konferencën e gjatë, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nëpërmjet një mesazhi të shkurtër doli në mbrojtje të SPAK, duke shprehur vlerësime për Prokurorinë Speciale. “Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, thekson njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë, duke iu referuar trajnimit në SHBA të një agjenti të BKH-së.

Drejtësia dhe Parlamenti

“Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie është gati gjykatë. Nuk do të doja ta kisha përmendur 16 mijë faqe dhe prova sepse ajo më provon, më ka provokuar që ditën e parë, po të isha unë në Këshillin e  Mandateve, do t’i thoja çohuni ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin”, tha Rama duke kritikuar formën që është qasur prokuroria në këtë rast.

Sipas tij, 16 mijë faqe nuk janë hetime, por janë futur brenda kontrata dhe studime të marra nga arkivi i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Duke u ndalur në dosjen e AKSHI-t, kryeministri doli në mbrojtje hapur ish-drejtoreshës Mirlinda Karçajan, për të cilën SPAK ka caktuar masën ‘arrest shtëpie’ për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe grup të strukturuar kriminal. “E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektin tim. E njohur ndërkombëtarisht dhe ka respektin tim maksimal. Çfarë thoni ju sot, bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor, nuk është e mjaftueshme për të dalë në përfundime për të fajësuar njerëzit”, tha Rama.

83 mandate

Në aspektin politik kryeministri përmendi disa herë faktin se ka 83 mandate duke shuar çdo dyshim mbi një tërheqje të mundshme për shkak të shpërthimit të disa skandaleve të dala nga dosjet hetimore të SPAK. Në lidhje me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij Rama ironizoi se është një parti pa ide dhe qëndrime. “Duan të hyjnë nga dera e hapur dhe të ulen në tryezë bujrum. Por ne peng nuk na mbajnë dot. Edhe këto reforma mirë është t’i bëjmë bashkë, nëse s’duam do t’i bëjmë vetë. Duan qeveri kështu apo ashtu, të fitojnë zgjedhjet. S’i fitojnë dot”, tha Rama.

The post Rama sfidon SPAK dhe paralajmëron ndryshime ligjore tek drejtësia appeared first on Faktoje.al.

Trazirat në plazhin australian jo pasojë e mbylljes së rrjeteve sociale

Pretendimi: Kryeministri i Australisë ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç dhe si rezultat, adoleshentët plaçkitën dhe shkatërruan një supermarket në Melbourne.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Një video që tregon një turmë të rinjsh duke bastisur një dyqan po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se tregon adoleshentë australianë që shkatërrojnë një supermarket në Melbourne si rezultat i ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi.

Është e vërtetë se pamjet e mësipërme tregojnë një turmë adoleshentësh australianë që pushtuan një supermarket vendas dhe skelën Mordialloc, duke shkaktuar shqetësim publik në Melbourne më 17 dhe 18 dhjetor

Mbi 20 oficerë me pajisje speciale dhe 20 automjete policie u dërguan në vendngjarje, ku ishin mbledhur mbi 200 të rinj. Autoritetet u thirrën fillimisht në një dyqan Woolworths pak pas orës 3 pasdite pas raportimeve për një përleshje. 

Megjithatë, nuk ka prova se ky incident ka lidhje me ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç, që hyri në fuqi në Australi në fillim të dhjetorit 2025. Raportimet e mediave vendase dhe ndërkombëtare nuk përmendin fare ndalimin e rrjeteve sociale. Madje, policia beson se sherri mund të jetë organizuar në rrjetet sociale.

Në një ditë përvëluese gjatë pushimeve shkollore, të rinj nga periferitë e Melburnit u mblodhën në plazhin Mordialloc, një lloj i zakonshëm tubimi i organizuar nëpërmjet mediave sociale.

Sipas dëshmitarëve okularë që folën për mediat vendase, ajo që pasoi nuk ishte një “trazirë rinore” e planifikuar paraprakisht, por një zinxhir ngjarjesh i ngatërruar i shkaktuar nga një operacion policor i armatosur rëndë. Policia përmbyti zonën, duke u përballur me turma adoleshentësh vetëm 12 dhe 13 vjeç. Oficerët përdorën sprej me piper dhe forcë, duke provokuar panik, frikë dhe zemërim. Disa nga të rinjtë më pas vrapuan nëpër supermarketin Woolworths aty pranë, duke përmbysur mallra, duke hedhur qumësht dhe duke filmuar në telefonat e tyre. Kjo ishte një përgjigje kaotike dhe e zemëruar ndaj policisë dhe jo një plaçkitje e organizuar.

Përsa i përket kufizimeve të reja online, personat nën 16 vjeç në Australi tani e kanë të ndaluarpërdorin faqet kryesore të mediave sociale, duke përfshirë Tiktok, X, Facebook, Instagram, YouTube, Snapchat dhe Threads. Ata nuk mund të krijojnë llogari të reja dhe profilet ekzistuese po çaktivizohen.

Qeveria australiane ka thënë se kjo politikë do të zvogëlojë ndikimin negativ të “karakteristikave të dizajnit që inkurajojnë [të rinjtë] të kalojnë më shumë kohë në ekrane, ndërkohë që ofrojnë gjithashtu përmbajtje që mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e tyre”.

Një studim i porositur nga qeveria në vitin 2025 zbuloi se 96% e fëmijëve të moshës 10-15 vjeç përdornin mediat sociale dhe se 7 nga 10 prej tyre ishin ekspozuar ndaj përmbajtjes së dëmshme. Kjo përfshinte materiale mizogjine dhe të dhunshme, si dhe përmbajtje që promovonte çrregullime të të ngrënit dhe vetëvrasje.

1 në 7 raportoi gjithashtu se kishte përjetuar sjellje të tipit “grooming” nga të rriturit ose fëmijët më të rritur, dhe më shumë se gjysma thanë se kishin qenë viktimë e bullizmit kibernetik.

The post Trazirat në plazhin australian jo pasojë e mbylljes së rrjeteve sociale appeared first on Faktoje.al.

10 rrenat e vitit 2025 

Nga treni elektrik që mbeti kantier, tek aeroporti i Vlorës pa fluturime, nga dëmshpërblimi i banorëve për zjarret deri te nafta e Shpiragut që u shua bashkë me premtimet për 24 orë ujë, dy avionë zjarrfikës, shkolla të reja e legalizime.

Esmeralda Topi

2025 ishte vit zgjedhor, dhe si çdo vit zgjedhor në Shqipëri, premtimet ishin të shumta dhe të përsëritura. Në mbyllje të vitit, faktet flasin për kantierë të pambyllur, projekte të dështuara rrugësh, afate të shtyra dhe qytetarë të zhgënjyer. 

Treni elektrik që nuk u nis 

Në prezantimet 3D të qeverisë, Tirana lidhet me Durrësin dhe Rinasin nga një tren modern elektrik. Në terren, prej më shumë se katër vitesh ekziston vetëm një kantier që s’po mbaron. Me disa afate të shkelura, hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas është ende larg përfundimit. Afati i ri i operimit të trenit elektrik është fundi i vitit 2026.  

Aeroporti i Vlorës pa fluturime

Në pranverë, skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Qeveria premtoi se aeroporti i Vlorës do të niste fluturimet këtë vit. Por, faktet tregojnë se në realitet fluturimi i vetëm mbeti ai testues i 8 majit. 

Nafta ‘arabe’ e Shpiragut 

“Naftë premium si e Arabisë Saudite” kështu e prezantoi qeveria zbulimin e naftës në Shpirag. Por testet e kompanisë SHELL rezultuan zhgënjyese. Gjigandi holandez është drejt largimit nga Shqipëria. Fondi Sovran mbeti një ëndërr e bukur bashkë me premtimin për epokë të re ekonomike nga nafta në Shpirag.

24 orë ujë të pijshëm 

Që nga 2013, ky është refreni i çdo fushate elektorale por vendi ende vuan nga mungesa e furnizimit me ujë 24 orë. Afati i ri për të njëjtin premtim është shtyrë në 2030. Këtë vit, gjatë fushatës zgjedhore kryeministri Edi Rama premtoi se në 2030-ën 100% të qyteteve dhe 80% e fshatrave do të mbulohen me ujë 24 orë. 

Shqipëria pa avion zjarrfikës

Premtimi i bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale, se Shqipëria do të kishte dy avionë zjarrfikës të gatshëm për sezonin veror, rezultoi i pambajtur. Këtë verë vendi kaloi një situate dramatike për shkak të zjarreve që shkrumbuan mbi 60 mijë hektarë me pyje dhe kullota. Por të vetmit avionët zjarrfikës ishin ata të ardhur nga vendet e BE-së përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. 

Dëmshpërblimet për Gramshin dhe Delvinën 

Qeveria premtoi dëmshpërblim dhe rindërtim të banesave për të gjithë banorët e zonave të prekura nga zjarret këtë verë. Në fund të vitit, ata ende presin përmbushjen e këtij zotimi. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) konfirmoi për “Faktoje.al” se inventari me shtëpitë e djegura dhe bagëtitë e humbura ende nuk është përmbyllur. 

Llogaria elektorale e 450 shkollave të reja 

Në nisje të fushatës, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij kishte ndërtuar 450 shkolla të reja në dhjetë vite. Faktet tregojnë se janë rindërtuar ose zgjeruar vetëm 43 institucione arsimore. Shifra propagandiste e Ramës përfshin çdo ndërhyrje, nga riparimi i tualeteve tek lyerja e mureve. 

Odisea e rindërtimit pas tërmetit 

6 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit është afër mbylljes financiare, por jo i përfunduar në terren. Qeveria ka shpenzuar 131 miliardë lekë dhe raporton se 90% e projekteve janë ndërtuar. Zvarritjet vijojnë të mbajnë pezull ende qindra familje që janë pa çati mbi kokë. Afatet shtyhen vit pas viti dhe çdo 26 nëntor sjell një tjetër justifikim. 

‘Flamuri Blu’ për plazhet shqiptare 

Ministria e Mjedisit premtoi se Shqipëria do të arrinte standardin europian të “Flamurit Blu” për cilësinë e ujërave larës. Por raportet e BE-së na rendisin në vendin e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave bregdetare. Shkaku kryesor? Ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në det, mungesa e impianteve të trajtimit dhe menaxhimi i dobët mjedisor.

Legalizimet pa fund 

Ky është premtimi më i vjetër i ricikluar. Çdo zgjedhje sjell një valë të re legalizimesh të premtuara. Por procesi nuk ka fund. Dosjet shtohen, afatet shtyhen, dhe qytetarët mbeten peng të një premtimi që nuk po përmbushet. Që nga nisja e procesit të legalizimeve në vitin 2006 dhe deri më tani, legalizimet janë përdorur si mjet i rëndësishëm për mbështetje politike, sidomos në fushata zgjedhore.

Përfundim 

Në këtë artikull përmblodhëm vetëm 10 rrena, por gjatë vitit 2025 Faktoje ka verifikuar gjithsej 87 premtime të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Nga këto, 52 premtime rezultuan të pambajtura, vetëm 6 u mbajtën plotësisht, ndërsa 29 u realizuan pjesërisht. Verifikimet nxjerrin në pah hendekun mes premtimeve dhe realitetit, veçanërisht në një vit zgjedhor si ky që po lëmë pas. 

The post 10 rrenat e vitit 2025  appeared first on Faktoje.al.

Të gjeneruar policët specialë që “trokasin” në shtëpinë e kryeministrit

Pretendimi: Kjo foto tregon dhjetëra makina policie pranë shtëpisë në Surrel të kryeministrit Edi Rama

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

———————————————————-

Një imazh që po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon shtëpinë e kryeministrit Edi Rama në Surrel të rrethuar nga forca të shumta policie.

Imazhi nisi të shpërndahej një ditë pasi një grup nga Partia Demokratike marshuan në fshatin Surrel duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Nga pamjet televizive, duket se në këtë protestë kishte edhe prani policore. Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk tregon momente nga kjo protestë, kryesisht për faktin që protesta ndodhi pas perëndimit të diellit, ndërkohë që në imazhin e mësipërm është ditë.

Në fakt, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Origjina e gjeneruar e videos duket në një pjesë të videos ku mbishkrimi i disa makinave të policisë është i deformuar. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Të gjeneruar policët specialë që “trokasin” në shtëpinë e kryeministrit appeared first on Faktoje.al.

Vlora në katastrofë higjenike, tubi apo keqmenaxhimi “unik”?

Sebi Alla Unik e quajtën një copë tub, por po aq unike është qëndrimi i institucioneve përgjegjëse që vështirë të gjendet një “rast i dytë”, për justifikimin e prag katasrofës higjenike në qytetin e Vlorës. “Pajisjet janë duke ardhur nga Stambolli”, thanë ekspertët, “kjo është një fatkeqësi natyrore, 15 bote po furnizojnë institucionet”, tha kryebashkiakja, “ujin e boteve mos e pini”, deklaroi UKV, “as unë nuk jam larë”, u “ankua” drejtori i AKUK.

Ndërsa numri një i qytetit të Vlorës flet për “fatkeqësi natyrore”, vendi po kalon prej dy javësh një mot të kthjellët, pa reshje, pa ngrica e rrëshqitje… Megjithatë “rrëshqitjet institucionale” janë të dukshme në qëndrimet që mbajnë për këtë rast të paprecedent, ku në mesin e dimrit uji i pijshëm mungon prej pesë ditësh në të gjithë Vlorën.

Defekti në tubacionin kryesor të shpërndarjes së ujit ndodhi mesnatën e 24 dhjetorit, ndërsa tentativat për ta riparuar në kohë dështuan, duke ia faturuar problemin “tubit që vetëm Vlora e ka”. 

E ka kush e ka

Dita e pestë e mungesës së ujit solli “revoltën e vonë” të pak qytetarëve që protestuan në mbrëmjen e së dielës ku zyrtarë të bashkisë ishin mbledhur në një “shfaqje artistike”, për të festuar me muzike e shfaqje të përzgjedhura fundin e vitit. Po ashtu mëngjesin e sotëm qindra banorë kërkuan mbajtjen e përgjegjësive dhe dorëheqje të drejtuesve të bashkisë, ndërsa lëshuan akuza për vjedhje të fondeve publike dhe në shenjë revolte hodhën letra higjenike dhe vezë.

“Në këtë situatë, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm mungesa e ujit, por mungesa e qartësisë institucionale mbi përgjegjësinë”, thotë për Faktoje.al, eksperti i çështjeve të pushtetit lokal, Agron Haxhimali. Kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini hoqi përgjegjësinë nga institucioni që drejton duke ia faturuar Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

“Bashkia nuk ka varësi ndaj ujësjellësit, ujësjellësi i ka kaluar prej dy vitesh AKUK-së, por është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi natyrore”, tha Mersini.

“Fakti që Bashkia Vlorë, së bashku me bashkitë e tjera të qarkut, zotërojnë 49% të aksioneve, nuk i përjashton nga përgjegjësia. Pjesëmarrja në pronësi do të thotë edhe detyrim për të reaguar, për të informuar qytetarët dhe për të ushtruar presion institucional mbi aksionarin shumicë, edhe pse përgjegjësia e bashkisë mbetet aty edhe me mungesën e shumicës vendimmarrëse”, sugjeron eksperti Haxhimali.

Premtim i ricikluar

Ndërkohë Faktoje ishte në muajin Gusht në Vlorë dhe u përball me të njëjtin problem të përsëritur.

Të paktën në dekadën e fundit, kryetarët e bashkive në Vlorë kanë kërkuar votën e qytetarëve duke përfshire si prioritet të programit furnizmin me ujë të pijshëm.

Në mesin e gushtit, nga verifikimi në terren i Faktoje.al rezultoi se Vlora vijonte të kishte probleme me furnizimin normal me ujë të pijshëm.

Situata e ditëve të fundit vetëm sa ka rënduar mungesën e një premtimi të pambajtur prej vitesh në këtë qytet për ujë 24 orë.       

Botet me ujë që s’pihet

Në këtë çoroditje qëndrimesh dhe mungese të theksuar të reagimit në kohë, në Vlorë është shfaqur një tjetër problem, sa higjenik, aq edhe shëndetësor.

Pas tre ditësh që një pjesë e banorëve janë furnizuar me autobotë erdhi qëndrimi i Ujesjellës Kanalizimeve Vlorë. “Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral”, thuhet në njoftim.

Për të qetësuar revoltën qytetare tentoi të komunikonte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Flauers Shoshi. “E di shqetësimin tuaj, ju kuptoj. Kemi tentuar tre herë ta rregullojmë defektin por nuk kemi mundur ta rregullojmë. Pajisjet janë duke ardhur. Sonte në mesnatë nis furnizimi me ujë. Kjo është fjala jonë”, tha ai, ndërsa deklaratave të qytetarëve se nuk mund të shkojnë në tualet e as të lahen për shkak të mungesës së ujit, ai iu përgjigj: “As unë nuk jam larë dot”.

Shumë institucione, pak ujë

Më shumë se zgjidhje konkrete për furnizimin me ujë, në vitet e fundit janë trumbetuar “strategji kombëtare”, duke e copëtuar përgjegjësinë në disa institucione, sa qëndrore aq edhe lokale.

“Sipas modelit aktual të riorganizimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është aksionari kryesor, duke kontrolluar 51% të aksioneve me të drejtë vote, përmes strukturave të saj dhe AKUM”, thotë eksperti Haxhimali.

Sipas tij, politikat kryesore dhe përgjegjësia e parë për funksionimin e shërbimit janë qendrore. “Problemi real është modeli i ndërtuar: një shërbim i centralizuar në vendimmarrje, por i decentralizuar në faj. Bashkitë mbeten adresa e parë e zemërimit qytetar, ndërsa pushteti real qëndron larg kamerave dhe përgjegjësisë publike”, thekson Haxhimali.

Rama: Fajin e ka Saliu

Pas katër ditësh reagoi edhe kryeministri Edi Rama me historinë e vjetër të reagimit se fajin e ka Saliu (Berisha).

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë  hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan Rama.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Vlora në katastrofë higjenike, tubi apo keqmenaxhimi “unik”? appeared first on Faktoje.al.

E rrezikshme terapia ndaj autizmit me nxjerrjen e metaleve të rënda

Pretendimi: Kelatimi i metaleve të rënda nga trupi mund të kurojë simptomat e autizmit.

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se “terapia e kelatimit” mund të kurojë ose zvogëlojë ndjeshëm simptomat e autizmit.

Kelatimi është një procedurë që funksionon për të hequr metalet e rënda si zhiva nga trupi nëpërmjet konsumit oral ose injektimit intravenoz të substancave të ndryshme kimike që lidhen me metalet në trup për t’u nxjerrë nëpërmjet urinës. Substancat e përdorura ndonjëherë përbëhen nga acidi etilendiaminetetraacetik dinatriumi (EDTA), acidi dimerkaptosukcinik (DMSA) ose acetati i leuprolidit. Edhe pse kushdo mund të bëjë terapi kelatimi, ajo nuk rekomandohet për fëmijët me probleme të mëlçisë dhe veshkave.

Ekziston një hipotezë se individët me çrregullim të spektrit të autizmit kanë nivele më të larta të metaleve të rënda toksike në sistemet e tyre sesa bashkëmoshatarët e tyre. Megjithatë, kjo hipotezë është e pavërtetuar. Është sugjeruar, por nuk është provuar, që ashpërsia e autizmit lidhet drejtpërdrejt me sasinë e metaleve të rënda toksike në sistemin e individit. Prandaj, teoria që qëndron pas kelatimit është se heqja e metaleve do të zvogëlojë ndjeshëm simptomat e autizmit.

Kelatimi është miratuar për të trajtuar pacientët me helmim nga metalet e rënda, por nuk është miratuar për pacientët me sëmundje dhe çrregullime të tjera. Kelatimi ka dobi në trajtimin e gjendjeve specifike, siç është helmimi nga plumbi. Në këto kontekste, kur toksiciteti dokumentohet, kelatimi mund të ndihmojë në uljen e niveleve toksike të substancave brenda trupit. Megjithatë, nuk ka lidhje të provuar midis toksicitetit të metaleve të rënda dhe autizmit. 

Disa kompani përpiqen të shesin ilaçe të ndryshme kelatimi pa recetë si shtesa dietike ose si një ilaç pa recetë për individët me autizëm, por Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i ka paralajmëruar kompanitë të mos e bëjnë këtë pasi është e rrezikshme dhe e paligjshme. Rreziku i marrjes së ilaçeve të kelatimit pa recetë për një diagnozë të verifikuar (p.sh., helmim nga plumbi) mund të rezultojë në efekte anësore serioze.

Njësoj, në faqen e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) britanik terapia e kelatimit listohet si një trajtim që nuk rekomandohet për autizmin, specifikisht si trajtim për autizmin që është i rremë ose mund të jetë i dëmshëm.

Qendra Kombëtare për Mjekësi Plotësuese dhe Alternative (NCCAM) ka deklaruar se përdorimi i kelatimit për sëmundje dhe çrregullime të pamiratuara ka çuar në afërsisht 800 mijë vizita mjekësore çdo vit, duke e shtuar ngarkesën në sistemin mjekësor. Në vitin 2008, një projekt kërkimor në shkallë të gjerë mbi përdorimin e kelatimit për të trajtuar fëmijët autikë u ndalua për shkak të rreziqeve që shoqëroheshin me të.

Një studim i vitit 2015 që përfshiu 77 fëmijë autikë gjeti se “nuk ka prova që sugjerojnë se raunde të shumta të DMSA [terapia e kelatimit] orale kanë pasur efekt në simptomat e [autizmit].” Më tej, “duke pasur parasysh raportet e mëparshme të ngjarjeve të padëshiruara serioze, të tilla si hipokalcemia, dëmtimi i veshkave dhe vdekja e raportuar, rreziqet e përdorimit të kelatimit për Çrregullimin e Spektrit Autik aktualisht i tejkalojnë përfitimet e provuara.”

Në 23 gusht 2005, 5-vjeçari autik Abubakar Tariq Nadama vdiq ndërsa i nënshtrohej terapisë së kelatimit në klinikën e Dr. Roy Kerry, në Pennsylvania, ShBA. 

Atij iu dha një injeksion me Disodium EDTA dhe ai pësoi arrest kardiak menjëherë pas kësaj. Një autopsi zbuloi se shkaku i vdekjes ishte mungesa e kalciumit në gjak si rezultat i trajtimit. Hetuesit arritën në përfundimin se Dr. Kerry kishte përdorur lëngun e gabuar. Nëse ai do të kishte përdorur Kalcium Disodium EDTA, ai do të kishte qenë i padëmshëm.

The post E rrezikshme terapia ndaj autizmit me nxjerrjen e metaleve të rënda appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria “karton të verdhë” për refuzimin e rregulloreve të BE për energjinë

Pretendimi: Bashkimi Europian skualifikon qeverinë shqiptare nga Ministeriali i Energjisë si pasojë e skandaleve dhe aferave të Ministres së Energjisë Belinda Balluku

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————-

Në 23 dhjetor 2025, mediat shqipfolëse (link, link, link, link) raportuan se Bashkimi Evropian skualifikoi Shqipërinë nga Ministeriali i Komunitetit të Energjisë. Si arsye për këtë masë penalizuese këto lajme përmendin skandalet e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku si dhe projektin për ndërtimin e një TEC në Roskovec apo marrëveshjen për prodhimin e energjisë nga TEC-e lundruese të ankoruara në Vlorë. 

Artikujt i referohen një vendimi të datës 18 dhjetor të Këshillit Ministerial të Komunitetit të Energjisë, një organizmi ndërkombëtar që bashkon prej vitit 2005 Bashkimin Evropian dhe 9 vende fqinje kandidate ose kandidate potenciale për në BE, për të krijuar një treg të integruar rajonal të energjisë bazuar në një kuadër ligjërisht të detyrueshëm. Vendet antare, mes tyre dhe Shqipëria janë zotuar që të ndjekin rregulloret e përbashkëta të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë edhe pa qënë vend anëtar i BE-së. Monitorimi i strukturave të Komunitetit të Energjisë shërben si një mundësi për të vlerësuar zbatimin e zotimeve të marra nga vendi ynë në sektorin e energjisë dhe mjedisit në kuadër të integrimit në tregun e përbashkët evropian dhe është i lidhur ngushtësisht me integrimin në Bashkimin Evropian.

Faqja e parë e vendimit

Megjithatë, në dokumentin 2-faqësh nuk deklarohet se Shqipëria është përjashtuar nga ministeriali, mbledhja e ministrave të energjisë së vendeve antare të Komunitetit të Energjisë. Njësoj, aferat për të cilat Balluku akuzohet nga SPAK nuk përmenden në vendim.

Në vendim konstatohet mosrespektimi nga ana e Shqipërisë i detyrimeve të lindura nga 31 dhjetori 2023, si pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke mos adoptuar dhe aplikuar një sërë direktivash lidhur me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të elektricitetit, përgatitjen për emergjenca në sektorin elektrik, dhe hartimin e një numër udhëzuesish.

Më konkretisht, Rregulloren (BE) 2019/941 — Përgatitja ndaj rrezikut në sektorin e energjisë elektrike, dhe Rregulloren (BE) 2017/2196 – Kodi i Rrjetit për Emergjencën dhe Restaurimin e Energjisë Elektrike (NC ER), të cilat përcaktojnë një paketë masash të detyrueshme për shtetet anëtare me qëllim garantimin e funksionimit të sigurt të sistemit elektronik në gjendjen e emergjence, blackout-i dhe restaurimi.

Vendimi urdhëron Shqipërinë të marrë masat e duhura për të ndrequr shkeljet e identifikuara dhe të raportojë rregullisht në sekretariat në lidhje me masat e marra deri në korrik 2026, si një afat kur mund të ndërmerren masa të mëtejshme ndaj vendit tonë. 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lëshoi një deklaratë për mediat më 24 dhjetor ku hidhte poshtë pretendimet se Shqipëria ishte përjashtuar nga Komuniteti i Energjisë.

“Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE,” deklaroi MIE. “Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE.”

Pavarësisht panoramës pozitive që transmeton deklarata e MIE, verifikimi i dokumentacionit zyrtar të sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, konfirmon se vendi ynë ka marrë paralajmërimin e fundit për pezullim apo ngrirje të statusit si vend anëtar i këtij organizmi të iniciuar dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Pasi ka dështuar prej dy vitesh për të paraqitur një plan kombëtar dhe koordinuar me vendet fqinje në rajon shpalljen e emergjencave të furnizimit me energji elektrike, sipas direktivave të BE-së, lajmet për masa ndëshkuese mund të bëhen realitet në korrikun e ardhshëm. 

Vlen të theksohet se vendi ynë shpalli gjendjen e emergjencës prej 23 nëntor 2021, duke thjeshtuar procedurat e detyrueshme në blerjen dhe furnizimin e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Kjo situatë emergjence u shty disa herë deri në 31 dhjetor 2023 edhe pse kriza energjitike botërore kishte frenuar pasojat e saj në bursat e shitjes së energjisë.

The post Shqipëria “karton të verdhë” për refuzimin e rregulloreve të BE për energjinë appeared first on Faktoje.al.

E ekzagjeruar këshilla për shërimin e tiroides me çajin e hithrës

Pretendimi: Konsumi i çajit të hithrës shëron problemet e tiroides përgjithmonë

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Një nga këshillat mjekësore të publikuara në portale së fundmi është dhe ajo për shërimin e problemeve të tiroides nëpërmjet pirjes së çajit të hithrës dy herë në ditë. Në fakt, nuk ka asnjë provë apo studim mjekësor që të mbështesi këtë pretendim. Përdorimi i hithrës nuk ka ndikim tek gjëndja e tiroides, dhe nuk mund ta shërojë atë pa kura mjekësore specifike. 

Këto pretendime për vetitë “e jashtëzakonshme shëruese” të hithrës duket se qarkullojnë në mediat e huaja prej disa vitesh para së të mbërrinin në faqet shqiptare. Pavarësisht se flitet për një zbulim të një mjeku të njohur,  artikujt nuk përmendin identitetin e këtij mjeku apo të një studimi mbi këtë temë. 

Është e njohur shkencërisht se bima e hithrës ka përmbajtje të lartë proteinike si dhe vitaminë C, që forcon imunitetin, si dhe flavonoidë & karotenoidë, antioksidantë të fuqishëm. Pavarësisht këtyre vlerave të njohura, çaji i hithrës nuk është kurë për sëmundje specifike dhe nuk duhet të zëvendësojë trajtimin mjekësor, sidomos për probleme hormonale si tiroidja.

Për kolegët verifikues të Kallxo, endokrinologu Amir Rexhepi e hedh poshtë kategorikisht këtë lloj dezinformimi. “Ne këshillojmë që të mos merret asnjë mjekim pa recetë të mjekut,” shpjegon ai. “Vetëmjekimi mund të jetë i rrezikshëm pasi mund të çojë në marrjen e dozave të pasakta, në efekte anësore ose ndërveprime me medikamente të tjera.” Rexhepi thekson se marrja e produkteve për tiroidën pa monitorim mjekësor është veçanërisht e rrezikshme për pacientët me probleme të zemrës.

Një mjeke tjetër, endokrinologia Rreze Serhati Morina sqaron po ashtu se çrregullimet e tiroides kërkojnë trajtim specifik mjekësor. Hipotiroidizmi, ku gjëndra nuk prodhon mjaftueshëm hormone, manifestohet me lodhje, lëkurë të thatë, rënie të flokëve dhe çrregullime menstruale. Hipertiroidizmi, anasjelltas, shkakton djersitje, të rrahura zemre dhe shqetësim të vazhdueshëm. Trajtimi mund të përfshijë barna, përdorim jodi, ose në raste të rënda, ndërhyrje kirurgjikale. Por pirja e çajit të hithrës nuk është mjekim dhe nuk mund të shërojë problemet e tiroides përgjithmonë, ashtu siç premtohet në këshillat online. 

The post E ekzagjeruar këshilla për shërimin e tiroides me çajin e hithrës appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht dëshirës, Trump nuk ndaloi ekspozimin e flamurit LGBT+

Peretendimi: Trump dhe Gjykata e Lartë amerikane ndaluan ekspozimin në publik të flamujve LGBT+

Verdikti: Mungon Konteksti

Barbara Halla

Kohët e fundit, në rrjetet sociale shqiptare ka qarkulluar pretendimi se presidenti amerikan Donald Trump, i mbështetur edhe nga Gjykata e Lartë, ka ndaluar vendosjen publike të flamurit të komunitetit LGBT+ në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara. Në të vërtetë, Trump ka bërë deklarata kundër flamurit dhe komunitetit LGBT+, por ende nuk ka marrë një vendim që e ndalon vendosjen e flamurit në ambjente publike. 

Në fillim të mandatit të tij, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv ku ndalonte flamurin e komunitetit LGBT (si dhe flamuj të tjerë të çështjeve të të drejtave të njeriut) nga ndërtesa të caktuara federale, duke përfshirë ndërtesat e misioneve diplomatike amerikane jashtë SHBA-ve. 

Megjithatë, ndalimi i shfaqjes së flamurit në ambjentet private publike, ashtu sic pretendohet në postimin e fundit, është një hap që nuk do të kalonte kaq lehtë. 

Verifikimi i mëtejshëm zbulon një deklaratë që ka dhënë Trump me datë 17 shtator 2025 se ai “nuk do ta kishte problem” heqjen e flamujve të komunitetit LGBT nga rrugët e Washingtonit, D.C. Kjo deklaratë erdhi gjatë një bisede në Zyrën Ovale me gazetarin Brian Glenn, i cili i tregoi Trumpit një fotografi të një biznesi në D.C. që kishte vendosur flamurin e komunitetit LGBT. 

Megjithatë, përgjatë kësaj interviste Trump shprehu një opinion personal dhe nuk nënshkroi asnjë urdhër ekzekutiv apo ligj që ndalon shfaqjen e flamujve LGBT+ në publik në përgjithësi. Ai vetë pranoi se çdo përpjekje e tillë do të përballej me padi ligjore, pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka gjykuar disa herë se shfaqjet simbolike, përfshirë flamujt, janë të mbrojtura si formë e lirisë së shprehjes.

Për momentin, këto ishin komente të Trump dhe jo veprime konkrete politike. Pra, ndonëse Trump ka shprehur mbështetje e tij për heqjen e flamujve të komunitetit LGBT+, asnjë ndalim zyrtar nuk ekziston nga zyra e tij apo nga kongresi amerikan.

The post Pavarësisht dëshirës, Trump nuk ndaloi ekspozimin e flamurit LGBT+ appeared first on Faktoje.al.

❌