Reading view

Arabia Saudite i bashkohet SHBA-së në sulmet ndaj milicisë së mbështetur nga Irani

Arabia Saudite i është bashkuar SHBA-së në kryerjen e sulmeve kundër një milicie të mbështetur nga Irani në Irak, në një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se sulmet ishin kundër “terroristëve të lidhur me Iranin, të cilët Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i drejtuan për të sulmuar forcat amerikane dhe infrastrukturën energjetike saudite”.

Deklarata nuk e përmendi emrin e milicisë. Megjithatë, Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF) thanë se të paktën 10 anëtarë të saj ishin vrarë.

Kjo vjen pasi Irani nisi raketa “të shumta” balistike në një “tentativë sulmi të papritur” ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, sipas Centcom. Shkëmbimi i jep fund një ndërprerjeje të shkurtër në armiqësitë SHBA-Iran.

SHBA-të thanë se sulmi ndodhi në orën 17:45 EDT (21:45 GMT) të martën, me të gjitha raketat “të interceptuara me sukses”. Irani tha se kishte synuar një bazë amerikane në Jordani.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha gjithashtu se kishte goditur tre anije cisternash nafte në Ngushticën e Hormuzit, sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim.

Centcom tha se avionët luftarakë amerikanë dhe sauditë kishin goditur “disa vende logjistike dhe armësh terroriste në të gjithë Irakun lindor në një përgjigje të fortë ndaj mbi 30 sulmeve ajrore me dronë të drejtuara nga IRGC në 72 orët e fundit”.

Ai i quajti sulmet “të pajustifikuara” dhe shtoi se ato kishin dështuar.

  •  

Shkon në 13 numri i viktimave nga tërmeti në Japoni, vazhdojnë kërkimet në qendrën tregtare

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugun e Japonisë është rritur në të paktën 13, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në zonat e dëmtuara të prefekturës Kumamoto.

Dridhja me magnitudë 7.1 goditi ishullin Kyushu të martën. Tetë persona janë nxjerrë nga pjesa e shembur e qendrës tregtare Aeon pranë Kumamotos, ku rreth një orë pas tërmetit ndodhi edhe një shpërthim. Tre prej personave të nxjerrë nuk mbijetuan, ndërsa katër punonjës vazhdonin të mos ishin lokalizuar.

Autoritetet po hetojnë nëse shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi, por shkaku nuk është konfirmuar. Kryeministrja Sanae Takaichi tha se operacioni i shpëtimit është garë me kohën dhe se të gjitha burimet e nevojshme po angazhohen në terren.

Rreth 4,500 pjesëtarë të forcave japoneze janë vendosur për të ndihmuar operacionet. Autoritetet udhëzuan rreth 260 mijë banorë të shkonin në qendrat e evakuimit, ndërsa më shumë se 36 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike në temperatura të larta verore.

Tërmeti ka ndërprerë transportin dhe aktivitetin industrial. Sony, Renesas, Honda dhe kompani të tjera pezulluan punën në impiantet e rajonit, ndërsa Toyota njoftoi ndalesa të përkohshme në tri fabrika për shkak të problemeve te furnizuesit. Autoritetet paralajmëruan se gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë lëkundje të tjera të forta dhe rrëshqitje dheu.

 

  •  

Adnan Xholi, në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm/ Prokurori i SPAK dorëzon aplikimin në KLP

Adnan Xholi, kandidati i parë që shpreh interesin për garën për Prokuror të Përgjithshëm. Prokurori i SPAK ka dorëzuar aplikimin në KLP.

Xholi më herët ka kandiduar 2 herë edhe për drejtues të SPAK, si dhe ka mbajtur postin e shefit të seksionit kundër krimit të organizuar në Strukturën e Posaçme.

Deri në datën 1 gusht, ora 00:00, pritet të dorëzohen edhe kandidatura të tjera. Më pas, deri në datën 14, KLP do të verifikojë se cilat kandidatura plotësojnë kushtet.

Më pas, sipas ligjit, KLP propozon 3 kandidatura dhe kryeprokurorin e ri e zgjedh Parlamenti për një mandat 7-vjeçar.

Olsian Çelës i mbaron mandati në muajin dhjetor të këtij viti./abcnews.al

  •  

U konfliktuan me sende të forta dhe mjete prerëse për pronën/ Pukë, tre të arrestuar, procedohen dy të tjerë

Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në fshatin Dedaj në Pukë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dedaj, këta shtetas janë konfliktuar për motive pronësie, me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse/të mprehta.

Të arrestuarit janë babë e bir, Isa Shkreli, Fatjon Shkreli si dhe Gramoz Istrefi.

Si pasojë e konfliktit, kanë pësuar dëmtime shtetasit Isa Shkreli dhe Gramoz Istrefi., të cilët po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sende dhe mjete të dyshuara të përdorura gjatë konfliktit./abcnews.al

  •  

Zjarr në metronë e Barcelonës, 136 të lënduar nga tymi dhe 39 të shtruar në spital

Një zjarr i rënë në metronë e Barcelonës ka shkaktuar panik dhe ka lënë të lënduar 136 persona, shumica prej të cilëve kanë pësuar probleme nga thithja e tymit. Sipas mediave katalanase, ngjarja ndodhi në linjën L1 të metrosë.

Shërbimet e emergjencës njoftuan se 129 persona kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa shtatë të tjerë janë në gjendje të moderuar. Gjithsej, 39 persona u transportuan në spital për trajtim mjekësor.

Zjarri shpërtheu duke mbushur me tym tunelet mes stacioneve Clot dhe Glòries. Për pasojë, autoritetet organizuan evakuimin e pasagjerëve, ndërsa në stacionin Clot, ku ndodhet edhe stacioni hekurudhor Rodalies, ekipet e shpëtimit nxorën udhëtarët nga një prej trenave.

Pasagjerët përshkruan skena paniku, duke treguar se tymi ishte aq i dendur sa shumë prej tyre u detyruan të përdornin dritat e telefonave celularë për të gjetur daljen nga stacioni.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur pasi një pjesë e veshjes së tunelit u shkëput dhe më pas mori flakë.

Për shkak të incidentit, autoritetet pezulluan përkohësisht qarkullimin normal në linjat L1 dhe L2 të metrosë, si dhe ndryshuan itineraret e disa linjave të autobusëve. Shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende nën hetim.

Ngjarja vjen në një kohë kur Spanja po përballet me temperatura të larta dhe një valë zjarresh në disa rajone të vendit, megjithëse autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes kushteve atmosferike dhe incidentit në metronë e Barcelonës.

  •  

Turqia ndalon kryetaren opozitare të Üsküdarit, operacioni zgjerohet në Stamboll

Autoritetet turke kanë ndaluar të mërkurën kryetaren e komunës së Üsküdarit në Stamboll, Sinem Dedetaş, së bashku me pesë persona të tjerë, në kuadër të një hetimi për parregullsi të pretenduara në lejet e ndërtimit dhe të shfrytëzimit të objekteve.

Sipas raportimit të Reuters, i cili citon transmetuesin turk NTV, policia ka kontrolluar 11 adresa dhe ka sekuestruar materiale digjitale.

Në mesin e personave të ndaluar janë edhe një nënkryetar komune, sekretari i tij, një arkitekt, një përfaqësues biznesi dhe një kontraktor.

Dedetaş është pjesë e Partisë Popullore Republikane, CHP, dhe fitoi Üsküdarin në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Komuna kishte qenë për një kohë të gjatë bastion i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, prandaj fitorja e opozitës u konsiderua simbolike.

Hetimi lidhet me pretendime për parregullsi në procedurat e lejeve. Opozita i ka cilësuar operacionet e ngjashme ndaj komunave që drejton si të motivuara politikisht, ndërsa qeveria turke thotë se gjyqësori vepron në mënyrë të pavarur. Pretendimet ndaj të ndaluarve nuk janë provuar në gjykatë.

Ky është zhvillimi më i ri në një varg hetimesh ndaj zyrtarëve lokalë të opozitës. Në prill, një operacion tjetër në komunën e Üsküdarit përfundoi me ndalimin e dhjetëra personave, ndërsa Dedetaş nuk ishte ndaluar atëherë.

  •  

Rama ndan pamje nga Nikaj-Mërturi: Projekti ALPS promovon potencialin turistik të zonës

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Nikaj-Mërtur, duke e cilësuar një nga thesaret e Alpeve Shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai vlerësoi mikpritjen e zonës dhe theksoi rëndësinë e projektit ALPS, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si një nismë që synon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit malor dhe promovimin e potencialit turistik të këtij destinacioni.

“Mirëmëngjes dhe me një thesar të Alpeve Shqiptare, siç është Nikaj-Mërturi, ku mikpritja krijon një përvojë speciale për çdo vizitor, ndërsa projekti ALPS, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS), bëri bashkë administratorë të bujtinave, hoteleve dhe guida turistike për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit malor, duke nxitur dialogun me aktorët lokalë si bazë për promovimin e qëndrueshëm të këtij destinacioni dhe valorizimin e potencialit të tij të jashtëzakonshëm turistik, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama./abcnews.al

  •  

Rafineria në Siberi ndalon punën pas sulmit ajror ukrainas

Një rafineri nafte në rajonin Tyumen të Siberisë Perëndimore ka ndalur plotësisht përpunimin e naftës së papërpunuar dhe prodhimin e derivateve pas një sulmi me dron këtë fundjavë, i cili dëmtoi njësitë e përpunimit dytësor, thanë për Reuters dy burime nga industria.

Të shtunën, guvernatori i rajonit Tyumen, Alexander Moor, konfirmoi se një dron ukrainas goditi rafinerinë e Tyumenit, duke shkaktuar zjarr në objekt.

Sipas burimeve, sulmi me dron më 25 korrik shkaktoi zjarr në një njësi për trajtimin me hidrogjen të naftës (hidrotrajtimi i dizelit), me kapacitet prej 2.6 milionë tonësh metrikë në vit, si dhe në një njësi të kombinuar për prodhimin e benzinës me oktan të lartë.

Burimet thanë se është e vështirë të vlerësohet se sa kohë do të zgjasin riparimet, shkruan times of moscow.

Kompania RI-Invest, e cila zotëron rafinerinë e Tyumenit, nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment.

Njësia e hidrotrajtimit të dizelit ishte tashmë duke kaluar nëpër riparime muajin e kaluar, pas një zjarri më 6 qershor, i shkaktuar nga probleme teknike të brendshme.

Rafineria e Tyumenit ka një kapacitet të përgjithshëm prodhimi prej 9 milionë tonësh metrikë në vit. Në vitin 2024, ajo përpunoi 5.7 milionë tonë naftë bruto, duke prodhuar rreth 0.5 milionë tonë benzinë dhe 2.8 milionë tonë dizel, sipas burimeve të industrisë.

  •  

Horoskopi 29 korrik 2026, zbuloni parashikimet e yjeve

Dashi

Do t’ia kaloni mjaft mirë sot pranë atij që dashuroni dhe emocionet do të jenë të njëpasnjëshme. Mos e mbani mendjen nga e shkuara. Beqarët do të jenë të gatshëm të dalin me personat që do t’i joshin dhe të njihen më mirë me ta. Financat do të kenë përmirësime të njëpasnjëshme për shkak të masave që keni marrë gjithë këto kohë. Tashmë e dini çfarë duhet të bëni.

Demi

Nëse kohët e fundit jeni treguar histerikë me partnerin tuaj dhe e keni detyruar atë të bëjë gjëra që nuk ka dashur, ka rrezik që t’ju tradhtojë. Beqarët do të ndihen mirë edhe ashtu si janë, prandaj nuk do ta kërkojnë me ngulm princin e tyre të kaltër. Për financat do të jeni gjithë kohës në merak. Asgjë nuk ka për të ecur ashtu si e keni menduar dhe me zor do t’i kryeni shpenzimet e nevojshme.

Binjakët

Qetësia do të mbizotërojë gjatë gjithë kësaj dite në jetën tuaj në çift. Do të flisni për ato që keni kaluar dhe do të buzëqeshni kur të jeni pranë njëri-tjetrit. Beqarët do të kenë më tepër mundësi për të gjetur shpirtin binjak. Dilni më tepër me miqtë. Në planin financiar nuk do të ndikojë asnjë planet. Menaxhojeni me kujdes buxhetin nëse nuk doni të keni tronditje.

Gaforrja

Të dashuruarit do të tregohen më të hapur me atë që kanë në krah dhe do t’ia shprehin gjatë gjithë kohës ndjenjat njëri-tjetrit. Nëse jeni ende beqarë, me shumë gjasa do ta gjeni shpirtin binjak. Do të jetë një takim impresionues dhe i veçantë. Financat do të jenë mjaft delikate, prandaj mos bëni as shpenzime të kota dhe as mos jepni hua. Nëse gaboni, nuk keni për t’ia dalë dot.

Luani

Ju që keni kaluar një periudhë plot konflikte në çift do të ndiheni më të qetë sot. Bashkëpunimi do të përforcohet pak nga pak dhe do të kuptoheni më mirë me njëri-tjetrin. Beqarët do të kenë më shumë fat se kurrë të takojnë personin e ëndrrave. Shfrytëzojeni ditën! Financat ka gjasa të përmirësohen më tepër falë një shpërblimi që do të merrni. Shpenzimet bëjini ende me maturi!

Virgjëresha

Venusi do ta mbrojë gjatë gjithë kohës sot jetën tuaj në çift. Do të komunikoni më tepër dhe do të bëni lëshime. Edhe pse këtë duhet ta kishit bërë prej kohësh, asnjëherë nuk është vonë. Beqarët do të bënin mirë të mos merrnin asnjë vendim për të krijuar lidhje gjatë kësaj dite, sepse nuk do të kishin fat. Në planin financiar situata do të jetë goxha e qëndrueshme.

Peshorja

Në punë ka ardhur koha të bëni disa sqarime me partnerin tuaj dhe të mendoni për të ardhmen. Nëse bashkëpunoni ashtu si duhet, do të arrini atje ku dëshironi. Beqarët mund të fillojnë veçse një aventurë që do t’ju sjellë emocione momentale. Situata financiare nuk do të jetë shumë e qëndrueshme, prandaj shmangni investimet e mëdha dhe të pamenduara.

Akrepi

Jeta sentimentale e çifteve do të jetë e mbrojtur gjatë kësaj dite. Do të jeni më tolerantë dhe më solidarë me atë që keni në krah. Nga ana tjetër, yjet këshillojnë të mos u besoni të gjitha atyre që do t’ju thonë mikeshat. Beqarët do të kenë më tepër mundësi ta arrijnë atë që duan. Tregohuni më të hapur. Reflektoni mirë para se të shpenzoni, në mënyrë që financat të mos kenë probleme.

Shigjetari

Ka ardhur momenti t’i merrni gjërat me seriozisht në çift dhe të krijoni një klimë më harmonike. Tregohuni të kujdesshëm me ato që do të thoni dhe lëreni partnerin të flasë lirshëm. Beqarët ka gjasa të kenë dashuri me shikim të parë. Jeta e tyre do të marrë një tjetër drejtim. Mos e teproni me shpenzimet sot nëse nuk doni të keni tronditje financiare.

Bricjapi

Gjatë kësaj dite do të bënit mirë të mos e tepronit me xhelozinë. Ai që keni në krah ju dashuron më shumë sesa e mendoni, edhe pse nuk jua shpreh tërësisht ndjenjat. Beqarët do të jenë dyshues me të gjithë personat që do të takojnë dhe do të qëndrojnë sërish vetëm. Bëjini rezistencë dëshirës së madhe për shpenzime nëse doni që financat të mos kenë tronditje.

Ujori

Dashuria do të jetë mbi gjithçka gjatë kësaj dite. Në krahët e partnerit do të ndiheni si mbi re. Shfrytëzojeni çdo sekondë duke u dashuruar me pasion. Beqarët nuk do t’i shfrytëzojnë dot të gjitha mundësitë që do t’ju jepen për takime dhe do të mbeten vetëm. Financat nuk do të jenë të shkëlqyera, por gjithsesi nuk do të kenë as probleme të mëdha.

Peshqit

Në jetën në çift do t’ju dalin disa vështirësi të vogla, por nëse tregoheni të kujdesshëm dhe të matur mund t’i kaloni shpejt. Gjithçka do të varet nga mënyra juaj e të vepruarit. Beqarët duhet ta heqin sa më shpejt turpin nëse duan të bëjnë dikë për vete. Financat do të jenë të mira, por nëse shpenzoni më shumë sesa duhet, mund të përballeni edhe me tronditje. Kujdes!

  •  

“Ka struktura që s’e duan Shqipërinë në BE”/ Marrëveshja me SHBA, Bejko: Veprimi i Agron Shehaj, i pajustifikuar

Analisti Roland Bejko në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, foli për dëmet e dezinformimit në Shqipëri dhe luftën hibride.

“Ka struktura që nuk e duan Shqipërinë në BE. Po përdoret pakënaqësia e qytetarëve për luftë hibride. Aty mundohen të përfitojnë. Ka duar të padukshme që trazojnë dhe të përfitojnë nga situata”, tha ai.

Gjithashtu gjatë intervistës u shpreh se opozita është thuasje jo ekzistente, ndërsa shtoi se PD është një parti e interesave personale të Berishës.

“Opozita nuk e di se në çfarë mund të ndihmojë. Por qeveria përgjithësisht i ka numrat për të miratuar ligje, përjashto këtu reformën kushtetuese. Por opozitën në xhep e ka qeveria dhe çështjen e sigurisë përgjithësisht i takojnë qeverisë, presidentit. Por nëse duket konsensusi i opozitës, patjetër që duhet”, shtoi ai.

Ai gjithashtu foli edhe për marrëveshjen me SHBA duke e vlerësuar si të rëndësishme. Ndërsa u ndal edhe tek marrja e dokumentit nga deputeti Agron Shehaj duke thënë se ishte një veprim i pajustifikuar.

“Ajo që bëri Shehaj ishte e panevojshme. Është e pajustifikuar marrja e një dokumenti të klasifikuar. Ndërsa për Berishën duhet thënë se nuk dallohet për respektimin e Kushtetutës, ai ka shkelur Kushtetutën e partisë së vet”, tha Bejko.

/abcnews.al/

  •  

2 viktima nga aksidentet/ 4 aksidente në rrugët e vendit, dy prej tyre fatale

Katër aksidente rrugore, dy prej tyre me pasoja fatale, janë regjistruar gjatë orëve të fundit në vend.

Një prej aksidenteve më të rënda ndodhi në një aks rural që lidh fshatin Bilaj me pjesën tjetër të Fushë-Krujës.

Dy automjete, një Volkswagen dhe një Benz, u përplasën me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes humbi jetën drejtuesi i Volkswagen-it, Viktor Doda, banor i zonës.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte drejtuesi i automjetit tjetër, Kristjan Laska, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.

Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Portin e Durrësit, pranë terminalit të kamionëve në zonën e skanerit. Viktima është 62-vjeçari nga Kosova, Nexhmedin Shabani. Ai kishte ndaluar kamionin dhe po priste në radhë për kontroll, kur u godit nga një tjetër mjet i tonazhit të rëndë që drejtohej nga një 49-vjeçar nga Berati. Shabani u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Ndërkohë, në Korçë një aksident u regjistrua në lagjen 10, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”. Një automjet përplasi një karrocë me një fëmijë një vjeç e gjysmë, ndërsa nëna po kalonte rrugën. Drejtuesi i mjetit e transportoi menjëherë të miturin në Urgjencën e Spitalit të Korçës. Sipas mjekëve, fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Vetëm pak orë më pas, një tjetër përplasje ndodhi në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj.

Dy automjete, një me targa greke dhe një me targa italiane, u përfshinë në aksident pasi drejtuesi i mjetit me targa greke tentoi një parakalim të gabuar. Si pasojë, automjeti tjetër përfundoi në kanal. Tre personat që udhëtonin në të, dy bashkëshortë dhe djali i tyre i rritur, u dërguan me urgjencë në Spitalin e Lushnjës.

Policia vijon ende punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa po monitoron edhe trafikun, i cili në këtë zonë është i ngarkuar.

  •  

Ekspertja e Sigurisë: Lufta SHBA-Iran ka hyrë në një fazë të zgjatur, Hormuzi mbetet pikë e rëndësishme

Ekspertja e sigurisë, Juxhina Sotiri, ka analizuar zhvillimet e fundit në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke paralajmëruar se përplasja mes dy vendeve mund të zgjasë dhe të marrë përmasa të reja.

Në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, Sotiri u shpreh se konflikti ka hyrë në një fazë të zgjatur, ndërsa theksoi se Irani ka në dispozicion një mjet presioni më të fuqishëm sesa programi i tij bërthamor.

“Jemi në muajin e pestë dhe të dyja këto vende kanë hyrë në një konflikt të përhershëm. Mendoj se mund të jetë një konflikt i zgjatur. U kuptua se Irani nuk kishte nevojë vetëm për programin bërthamor si mjet kërcënimi, por ka edhe një levë shumë më të rëndësishme, siç është Ngushtica e Hormuzit, e cila duket se është një instrument i fuqishëm në duart e Teheranit,” tha ajo.

Sotiri u ndal edhe te dimensioni politik i konfliktit, duke theksuar se zhvillimet e luftës ndikojnë drejtpërdrejt në komunikimin dhe mbështetjen elektorale të liderëve politikë.

“Trump ka nevojë të ndërtojë një narrativë të re dhe të ndryshojë komunikimin me elektoratin e tij. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Benjamin Netanyahun, pasi rritja e pëlqyeshmërisë ndaj tij ka ecur paralelisht me zgjatjen e luftës. Kemi të bëjmë me dy dinamika kontradiktore që ndikojnë edhe në zhvillimin e konfliktit,” u shpreh ekspertja.

/abcnews.al/

  •  

Eksperti Krisafi: Një marrëveshje mes Trump dhe Iranit ende e vështirë për t’u arritur

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, deklaroi se një marrëveshje mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe regjimit iranian do të ishte shumë e vështirë për t’u arritur, duke argumentuar se Teherani mbetet një partner kompleks në negociata.

Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi u shpreh se, pavarësisht përpjekjeve dhe presionit ndërkombëtar ndaj Iranit, edhe Shtetet e Bashkuara përballen me kufizime në raport me regjimin iranian.

“E kam të vështirë të mendoj nëse Trump mund të arrijë një marrëveshje me regjimin iranian. Ky është një regjim me të cilin është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje. Pavarësisht se Irani është dënuar apo është vënë nën presion, edhe amerikanët ndodhen në njëfarë disavantazhi,” tha ai.

Duke komentuar zhvillimet ushtarake në rajon, Krisafi u ndal edhe te përdorimi i armëve dhe teknologjisë në konfliktet e fundit.

Sipas tij, ushtritë po përpiqen të përshtaten me sistemet e mbrojtjes kundër dronëve, ndërsa për goditjen e objektivave strategjikë janë përdorur kryesisht raketa balistike.

“Në përgjithësi po mundohen të përshtaten me sistemin e kapjes së dronëve. Një pjesë e madhe e bazave amerikane janë goditur me raketa balistike. Dronët përdoren më shumë për të goditur rafineritë e naftës, ndërsa për bazat amerikane janë përdorur raketa balistike. Suksesi më i madh i iranianëve gjatë javëve të fundit kanë qenë koordinatat që kanë ardhur nga rusët,” u shpreh Krisafi.

/abcnews.al/

  •  

I kërkuar nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, ndalohet në Francë Ermal Beqiri

Biznesmeni Ermal Beqiri është ndaluar nga autoritetet franceze, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e njohur si “AKSH”.

Ndaj Beqirit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

  •  

Tragjedi në SHBA/ Burri vret gruan dhe gjashtë fëmijët, dogji shtëpinë dhe më pas kryen vetëvrasje

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin e Grand Haven, në shtetin e Michiganit, SHBA, ku autoritetet dyshojnë se një 47-vjeçar vrau gruan dhe gjashtë fëmijët e tyre, i vuri flakën banesës familjare dhe më pas i dha fund jetës së tij.

Sipas autoriteteve, trupat e Amanda Karolkiewicz, 39 vjeçe, dhe gjashtë fëmijëve të çiftit, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, u gjetën nga zjarrfikësit pasi shkuan në vendngjarje për të shuar një zjarr në banesë. Rezultatet paraprake të autopsisë tregojnë se Amanda dhe fëmijët u vranë me armë zjarri, ndërsa Christopher Karolkiewicz dyshohet se kreu vetëvrasje.

Zyra e Sherifit bëri të ditur se zjarri ishte vënë qëllimisht në disa pjesë të shtëpisë pas vrasjeve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar saktësisht se si nisi zjarri. Në banesë u gjetën gjithashtu të ngordhura kafshët shtëpiake të familjes, përfshirë qentë dhe të paktën një mace.

“Kjo është një tragjedi e papërshkrueshme që mund të mos e kuptojmë kurrë plotësisht”, deklaroi Sherifi Eric DeBoer gjatë një konference për shtyp.

Zjarrfikësit kishin marrë më herët telefonata për erë tymi në zonë, por gjatë kontrollit të parë nuk konstatuan asgjë të pazakontë. Rreth tre orë më vonë, pas raportimeve të tjera, ata u rikthyen dhe gjetën shtëpinë në flakë, ku më pas zbuluan viktimat.

Amanda Karolkiewicz punonte si mësuese zëvendësuese në një shkollë fillore dhe u kujtua nga familjarët si një nënë e përkushtuar dhe një person me zemër të madhe. Ndërkohë, Christopher Karolkiewicz kishte punuar deri në fillim të muajit korrik si nënkryetar i shitjeve dhe marketingut në një kompani që merrej me produkte dhe trajnime për ndihmën e parë.

Sipas mediave amerikane, çifti ishte njohur në vitin 2008 dhe ishte martuar një vit më vonë. Amanda kishte ndarë për vite me radhë momente nga jeta familjare në një blog personal dhe më pas në rrjetet sociale, ku shpesh fliste për besimin e saj, fëmijët dhe jetën familjare.

Megjithatë, raportime të fundit bëjnë të ditur se në vitin 2024 ajo kishte publikuar në mënyrë anonime në platformën Reddit për vështirësitë në martesën e saj, duke përmendur tradhtinë e bashkëshortit dhe sfidat emocionale që kishte përjetuar. Në një prej postimeve ajo shkruante se kishte vendosur të qëndronte në martesë për hir të gjashtë fëmijëve të tyre.

Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga një nga ngjarjet më të rënda familjare të viteve të fundit.

  •  

“Takime produktive”, Shtëpia e Bardhë zbardh detajet nga takimi i Trump me Zeleknsky dhe Netanyahu

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për takimin e tyre të tetë ballë për ballë që nga rikthimi i presidentit amerikan në detyrë.

Netanyahu mbërriti në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë në orën 10:57 me kohën lokale, ndërsa takimi, i cili nuk ishte i hapur për mediat, përfundoi 90 minuta më vonë.

“Presidenti Trump ka përfunduar takimet e tij në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas (Volodymyr) Zelensky dhe kryeministrin Netanyahu. Të dyja takimet ishin pozitive dhe produktive”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Izraeli nuk publikoi menjëherë një përmbledhje të takimit.

Bisedimet me Netanyahu, i cili erdhi në SHBA për të marrë pjesë në funeralin e senatorit Lindsey Graham, pritej të përqendroheshin te lufta rajonale me Iranin, zbatimi i kornizës së sigurisë Izrael-Liban dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, tha Shtëpia e Bardhë.

Vizita zhvillohet në një kohë kur mes dy liderëve ka fërkime publike. Trump së fundmi kritikoi kryeministrin izraelit për shprehjen publikisht të shqetësimeve lidhur me objektet bërthamore të Iranit, në vend që t’i diskutonte ato privatisht.

Ai gjithashtu hodhi poshtë kundërshtimin e Netanyahu ndaj shitjeve të avionëve luftarakë amerikanë për Turqinë duke deklaruar se askush nuk do t’i diktojë eksportet amerikane të armëve. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Trump tha të hënën se të dy janë “mjaft afër” sa i përket çështjes së Iranit, ndërsa pranoi se ka një “dallim të vogël” në qasjet e tyre.

  •  

SHBA: Shqipëria, shënjestër e Iranit/ Leka: Vendi ynë është i rrezikuar nga lufta hibride

SHBA konfirmon se Shqipëria është objektiv i Iranit dhe Rusisë. Raporti më i fundit i Sigurisë për Shqipërinë nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit për llogari të DASH, konsideron Shqipërinë një prej vendeve të rrezikuara seriozisht nga sulme kibernetike të vendeve si Irani dhe Rusia.

Në raport, përmenden sulmet e fundit të kryera nga Irani ndaj sistemeve shtetërore apo faqeve të internetit në Shqipëri.

Analisti Martin Leka ka deklaruar se protesta përmbante edhe elemente që, sipas tij, lidhen me luftën hibride të Iranit, Moskës dhe qarqeve ekstremiste greke.

Sipas Lekës, konfirmimi nga Shtetet e Bashkuara për ekzistencën e rrezikut të luftës hibride tregon se edhe Shqipëria përballet me një kërcënim të tillë.

Ai theksoi se dezinformimi është një nga format më të rrezikshme të konfliktit në botë, duke e cilësuar atë si një luftë të egër që zhvillohet përmes manipulimit të informacionit.

“Protesta kishte edhe pjesë ku këmbehej lufta hibride e Iranit, Moskës dhe qarqeve ekstremiste greke, dhe tashmë që SHBA e konfirmoi ekzistencën e rrezikshmërisë të kësaj lufte hibride, tregon se Shqipëria është e rrezikuar nga lufta hibride.

Dezinformimi është lufta e egër që zhvillohet në botë, një ndër luftërat më të rrezikshme është ajo e dezinformimit. Edhe në protestë është tentuar të punojnë montazhierët e protestës me figura të ndryshme, me pjesë ku janë goditur figura që kanë impakt në opinionin publik. Kjo tregon se protesta e ka tejkaluar misionin e fillimit dhe është drejt shuarjes së misionit, që është rrezikshmëria më e madhe për një shoqëri demokratike.”

  •  

Aksident i dyfishtë në Fier/ Mjeti me targa italiane përfundon në kanal, shkak parakalimi i gabuar

Aksident në aksin rrugor nacional Pushimi i shoferit-Fier Shegan. Dy mjete janë përplasur në dalje të fshatit Rrupaj.

Mjeti me targa greke tentoi të parakalonte mjetin me targa italiane. Manovra e gabuar e parakalimit bëri që mjeti me targa italiane të përfundojë në kanal. Tre personat që udhëtonin në të, dy bashkëshortët dhe djali i tyre i rritur u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjes nga dy ambulanca.

Policia në vendngjarje po dokumenton rastin dhe po disiplinon trafikun. Ky aks rrugor nacional është tepër i ngushtë për volumin e trafikut që përballon dhe shpeshherë ka aksidente të tilla.

  •  

Opozita përballë krizës politike/ Berhami: Kurti po tenton ta kontrollojë masën

Deputeti i PDK-së, Artan Berhami, ka deklaruar se opinioni publik është helmuar prej dy dekadash nga deklarata që, sipas tij, janë materializuar nga Lëvizja Vetëvendosje për ta imponuar narrativën e saj.

Berhami tha se, veçanërisht në gjashtë vitet e fundit dhe sidomos pas dërgimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, janë hapur qindra profile false që, sipas tij, në mënyrë të organizuar kanë hedhur baltë mbi krerët e UÇK-së dhe kanë sulmuar një pjesë të opozitës.

Sipas deputetit të PDK-së, kjo ka një qëllim politik, të cilat, sipas tij, Kurti i përdor për të kontrolluar masën.

“Prej dy dekadash është helmuar opinioni publik nga disa deklarata, ku kryesisht Vetëvendosja i ka materializuar, duke e bërë mekanizëm për të imponuar të vërtetën. Në 6 vitet e fundit, çfarë kemi vërejtur, sidomos pas krerëve të UÇK-së në Hagë, janë hapur qindra profile false, të cilat në mënyrë të organizuar kanë hedhur baltë mbi krerët e UÇK-së dhe janë munduar të sulmojnë një pjesë të opozitës. Kjo ka një qëllim politik dhe qëllimi është mirëmbajtja e urrejtjes dhe frikës që Kurti përdor për të kontrolluar masën dhe për të mos e lënë të ikë. Këto profile, muajt dhe vitet e fundit, kanë qenë shumë agresive dhe nuk kanë kursyer askënd.”  / abcnews.al /

  •  

Aksident në Korçë/ Makina përplas karrocën e një fëmije dy vjeç, transportohet me urgjencë në spital

KORÇË- Një aksident ka ndodhur në lagjen nr.10 të qytetit të Korçës, ku një automjet ka përplasur një karrocë me një fëmijë 1.5 vjç.

Sipas informacioneve paraprake, gruaja po kalonte rrugën bashkë me fëmijën e saj, ndërsa automjeti ka goditur karrocën.

Drejtuesi i mjetit, pas ngjarjes, e ka transportuar foshnjën menjëherë drejt Urgjencës së Spitalit të Korçës.

Sipas deklaratave nga bluzat e bardha, mësohet se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe shkaqet e plota të aksidentit./abcnews.al

  •  
❌