Reading view

Pentagoni përgatit 4 skenarë për praninë ushtarake amerikane në Europë

Pentagoni po përgatit një rishikim të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, me të paktën katër grupe opsionesh që pritet të jenë gati deri më 6 nëntor. Dokumentet e brendshme të siguruara nga Reuters tregojnë se në shqyrtim është edhe mundësia e reduktimit të trupave amerikane në kontinent, teksa procesi ka shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë.

Pentagoni po hap një nga rishikimet më të rëndësishme të viteve të fundit për praninë ushtarake amerikane në Evropë. Deri më 6 nëntor, ushtria amerikane pritet të përgatisë të paktën katër grupe alternativash për mënyrën se si do të pozicionohen trupat amerikane në kontinent, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret deri në dhjetor.

Në qendër të këtij procesi janë rreth 80 mijë trupa amerikane që aktualisht shërbejnë në Evropë. Aleatët evropianë po e ndjekin me shqetësim rishikimin, pasi një reduktim i mundshëm i forcave amerikane do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrin e sigurisë brenda NATO-s.

Sipas dokumentit të brendshëm të siguruar nga Reuters, gjenerali më i lartë amerikan në Evropë pritet të marrë pjesë deri më 18 shtator në një takim informues me drejtuesin e politikave të Pentagonit, Elbridge Colby. Nga ky proces pritet të dalin alternativat që më pas do t’i paraqiten Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Administrata Trump ka kërkuar prej kohësh që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit. Për Uashingtonin, prania amerikane në Evropë duhet të shoqërohet me një angazhim më të madh financiar dhe ushtarak nga vendet e tjera të NATO-s.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka kritikuar disa prej aleatëve për atë që e konsideron mbështetje të pamjaftueshme ndaj Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka pranuar se shqetësimet amerikane ekzistojnë, por ka theksuar se shumica e vendeve evropiane kanë dhënë mbështetje.

Tashmë Pentagoni do të analizojë përgjigjet dhe kapacitetet e aleatëve, përpara se të përcaktojë skenarët për të ardhmen e trupave amerikane në Evropë.

Nëse rishikimi do të çojë në një tërheqje të pjesshme, ndryshimi do të ishte më shumë se një riorganizim ushtarak: do të ishte një sinjal i rëndësishëm për mënyrën se si Uashingtoni e sheh rolin e tij në sigurinë evropiane.

The post Pentagoni përgatit 4 skenarë për praninë ushtarake amerikane në Europë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Meta mendoi të shkurtonte deri në 60% të disa ekipeve dhe t’i zëvendësonte me AI, por punonjësit u rebeluan

Ambicia e Mark Zuckerberg për ta kthyer Meta-n në një kompani ku inteligjenca artificiale është në qendër të pothuajse çdo procesi pune hasi në një pengesë të madhe: vetë punonjësit.

Dokumente të brendshme të shqyrtuara nga Reuters tregojnë se Meta⁠ kishte analizuar mundësinë e reduktimit drastik të personelit në disa funksione, ndërsa AI do të merrte përsipër një pjesë më të madhe të punës.

Në disa skenarë të brendshëm ishte shqyrtuar reduktimi deri në 60% i disa ekipeve, sipas Reuters.

Ideja ishte pjesë e strategjisë për ta bërë Meta-n një kompani “AI native”, ku inteligjenca artificiale nuk do të përdorej vetëm për produkte si Facebook, Instagram apo WhatsApp, por edhe për mënyrën se si punohet brenda kompanisë.

AI mund të përdoret për shkrimin e kodit, analizën e të dhënave, krijimin e përmbajtjes dhe automatizimin e një sërë procesesh që aktualisht kryhen nga njerëzit.

Por planet shkaktuan shqetësim të fortë mes stafit.

Punonjësit ngritën pikëpyetje mbi faktin nëse teknologjia ishte realisht e gatshme të merrte përsipër kaq shumë detyra dhe mbi pasojat që një transformim kaq agresiv do të kishte për cilësinë e punës.

Sipas Reuters, vetëm disa orë përpara një vale të madhe shkurtimesh të planifikuar në muajin maj, Zuckerberg ndërhyri dhe anuloi planet për reduktime të mëtejshme.

Kjo nuk do të thotë se Meta ka hequr dorë nga automatizimi.

Përkundrazi, kompania vazhdon të investojë miliarda dollarë në inteligjencën artificiale dhe Zuckerberg e ka vendosur teknologjinë në qendër të strategjisë së ardhshme të kompanisë.

Por dokumentet tregojnë një problem që po shfaqet në shumë kompani: diferencën mes asaj që AI premton teorikisht dhe asaj që është në gjendje të bëjë në mënyrë të qëndrueshme në një ambient real pune.

Rasti i Meta-s mund të jetë një tregues i një debati shumë më të madh që pritet të intensifikohet: sa punë njerëzore mund të zëvendësojë realisht AI-ja dhe sa shpejt mund të ndodhë kjo pa dëmtuar kompanitë që e përdorin?

The post Meta mendoi të shkurtonte deri në 60% të disa ekipeve dhe t’i zëvendësonte me AI, por punonjësit u rebeluan appeared first on Euronews Albania.

  •  

Mbi 1300 të zhdukur pas përmbytjeve në Nepal dhe Tibet, mes tyre qindra turistë të huaj

Mbi 200 persona kanë humbur jetën dhe rreth 1300 të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e përmbytjeve katastrofike që kanë goditur Nepalin. Viktima janë raportuar edhe në Kinën fqinje.

Fillimisht pati paqartësi mbi shkakun e katastrofës, ndërsa të dhënat e fundit sugjerojnë se shembja e një akullnaje në zonat e larta malore mund të ketë shkaktuar një rrëshqitje masive dheu, e cila më pas solli vërshimin e fuqishëm të ujit, baltës dhe shkëmbinjve.

Sipas Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), ngjarja u regjistrua fillimisht si një tërmet me magnitudë 4.4. Megjithatë, analizat e mëtejshme të valëve sizmike treguan se energjia ishte shkaktuar nga një rrëshqitje dheu dhe jo nga një tërmet tektonik.

Mes rreth 1300 personave që rezultojnë të zhdukur janë edhe mbi 300 turistë, përfshirë shtetas nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja.

Të zhdukur rezultojnë gjithashtu disa shtetas të Koresë së Jugut, të cilët punonin në një hidrocentral në zonën e goditur. Agjencia Yonhap, duke cituar Ministrinë e Jashtme në Seul, raportoi se autoritetet po punojnë për të përcaktuar fatin e tyre.

Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë. Fshatra të tëra janë shkatërruar, ndërsa rrugë, ura dhe centrale elektrike janë dëmtuar. Disa prej autostradave dhe akseve kryesore mbeten të bllokuara.

Pamjet e publikuara në internet tregojnë masa të mëdha uji dhe balte që rrëmbejnë shtëpi, ndërsa ndërtesa të shumta shihen të zhytura nën baltë.

Shkencëtarët paralajmërojnë prej kohësh se rajoni i Himalajeve po ngrohet me ritme të shpejta. Rritja e temperaturave po përshpejton shkrirjen e akullnajave, ndërsa reshjet intensive po shtojnë rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

The post Mbi 1300 të zhdukur pas përmbytjeve në Nepal dhe Tibet, mes tyre qindra turistë të huaj appeared first on Euronews Albania.

  •  

Rama mbledh qeverinë, një ditë para mbledhjes së ministrave dhe drejtuesve politikë në PS

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte ekzekutivin, në një takim që ka nisur rreth orës 10:00.

Takimi i qeverisë zhvillohet një ditë përpara mbledhjes së thirrur nga Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, e planifikuar për pasditen e së premtes në selinë rozë.

Në këtë takim pritet që kreu i socialistëve të përcaktojë edhe detyrat për drejtuesit politikë në qarqe, të cilët do të nisin takimet me strukturat lokale. Në fokus do të jetë prezantimi dhe shpjegimi i dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Organizimi politik vjen në kuadër të përgatitjeve të socialistëve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa vëmendja e strukturave të PS pritet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te terreni dhe mobilizimi elektoral.

Paralelisht, socialistët janë në pritje të thirrjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në javën e parë të shtatorit.

The post Rama mbledh qeverinë, një ditë para mbledhjes së ministrave dhe drejtuesve politikë në PS appeared first on Euronews Albania.

  •  

Alarm në institucione, zbardhet email-i kërcënues: Jemi “Shteti Islamik” kemi vendosur një bombë

Një email kërcënues i mbërritur në disa institucione në vend ka alarmuar autoritetet e sigurisë. Mesazhi, i cili pretendohet se është dërguar në emër të “Shtetit Islamik”, përmban kërcënim për vendosjen e një bombe në ambientet e institucioneve.

Në email thuhet:

“Përshëndetje. Kjo është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafat do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim.”

Mesazhi ka shkaktuar reagimin e strukturave të sigurisë, ndërsa Policia e Shtetit dhe strukturat e specializuara të antiterrorit kanë nisur verifikimet dhe kontrollet në ambientet ku është marrë emaili.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për disa institucione, kryesisht në sektorin shëndetësor dhe në shërbime të ndryshme. Kontrollet po kryhen me qen antieksplozivë dhe pajisje të tjera të specializuara.

Nga kontrollet e kryera deri tani nuk është konstatuar prani e lëndëve apo mjeteve shpërthyese dhe dyshohet se bëhet fjalë për një alarm të rremë. Verifikimet po vijojnë edhe në ambientet e SPAK-ut, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur burimin e emailit dhe për të identifikuar autorët e kërcënimit.

The post Alarm në institucione, zbardhet email-i kërcënues: Jemi “Shteti Islamik” kemi vendosur një bombë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Kërcënim me bombë në disa institucione, reagon Policia e Shtetit

Disa institucione në qytete të ndryshme të vendit janë përfshirë këtë të enjte në një kërcënim me bombë përmes postës elektronike.

Sipas Policisë së Shtetit, mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të disa institucioneve është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Në mesazh pretendohej se në ambientet e institucioneve ishte vendosur një bombë.

Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur menjëherë kontrollet dhe verifikimet në institucionet e përfshira.

Nga kontrollet e kryera deri më tani nuk është konstatuar asnjë bombë apo material tjetër eksploziv.

Ndërkohë, çështja është marrë në ndjekje nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.

Hetuesit po punojnë për identifikimin e autorit, si dhe për gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se strukturat e saj janë të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Hetimet për identifikimin e personit ose personave përgjegjës vijojjnë.

The post Kërcënim me bombë në disa institucione, reagon Policia e Shtetit appeared first on Euronews Albania.

  •  

Alarm për eksplozivë në SPAK, anti-terrori kontrollon ambientet e Prokurorisë së Posaçme

Një email i mbërritur në disa institucione ka alarmuar autoritetet e sigurisë në vend. Sipas raportimit të gazetarit të Euronews Albania, Eni Ferhati bëhet fjalë për një mesazh që paralajmëronte vendosjen e bombave në ambientet e institucioneve, kryesisht në sektorin shëndetësor dhe në shërbime të ndryshme.

Situata po ndiqet nga hetuesit e Policisë së Shtetit dhe strukturat e specializuara të antiterrorit. Nga kontrollet e kryera deri tani rezulton se bëhet fjalë për një alarm të rremë.

Kontrollet me qen antieksplozivë dhe pajisje të tjera të specializuara po vijojnë aktualisht edhe në ambientet e SPAK-ut.

The post Alarm për eksplozivë në SPAK, anti-terrori kontrollon ambientet e Prokurorisë së Posaçme appeared first on Euronews Albania.

  •  

Arrestimi i Ergys Agasit, reagon zyrtarisht SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar arrestimin e shtetasit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim, pas një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas SPAK, Agasi u arrestua këtë të mërkurë në hyrje të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ai shoqërohej nga U. Sh., ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

SPAK bën me dije se Agasi është nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, në të cilin emri i tij është regjistruar më 5 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, ai po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”, veprat penale të kryera nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Hetimet ndaj tij përfshijnë gjithashtu dyshime për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Për Agasin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me vendimin nr. 125, datë 15 dhjetor 2025. Vendimi ishte përcjellë për ekzekutim pranë strukturave të Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.

Në përfundim të njoftimit, SPAK falënderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe për kryerjen me sukses të operacionit që çoi në arrestimin e personit të shpallur në kërkim.

The post Arrestimi i Ergys Agasit, reagon zyrtarisht SPAK appeared first on Euronews Albania.

  •  

Kroacia për armatosjen e Serbisë: Nuk janë vetëm mbrojtëse, por edhe sulmuese

Kroacia ka ngritur shqetësimin për fuqizimin ushtarak të Serbisë, teksa ka kërkuar që vendet aleate të Perëndimit të informohen për zhvillimet dhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit.

Deklaratat e zyrtarëve të lartë kroatë kanë sjellë një reagim të ashpër nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke rindezur tensionet mes dy vendeve.

Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviç, deklaroi se Serbia nuk po investon vetëm në kapacitete mbrojtëse, por edhe në armatime që mund të përdoren për qëllime sulmuese.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë”, deklaroi Jandrokoviq gjatë një konference në Zagreb.

Ai kërkoi një angazhim më të madh të diplomacisë kroate për t’u shpjeguar partnerëve perëndimorë situatën në Ballkan, duke argumentuar se një pjesë e elitave të reja politike në Perëndim nuk e njohin sa duhet historinë e rajonit dhe konfliktet e viteve ’90.

Në Kroaci, shqetësimet janë shtuar pas modernizimit të ushtrisë serbe dhe blerjes së 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca. Zagrebi e sheh rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë si një zhvillim që duhet ndjekur me vëmendje nga aleatët e saj.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, i cili tha se partnerët e Kroacisë duhet të informohen vazhdimisht për zhvillimet në Serbi.

“Duhet t’i informojmë dhe t’i njohim partnerët tanë me këtë situatë, në mënyrë që ata të ushtrojnë presion politik ndaj Serbisë”, deklaroi Anushiq.

Deklaratat nga Zagrebi kanë sjellë reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Ai iu përgjigj Jandrokoviqit me tone ironike, duke iu referuar historisë së viteve të luftës dhe duke kritikuar mënyrën se si Kroacia po e paraqet situatën.

Polemika e fundit vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Beogradit vijojnë të jenë të ngarkuara nga trashëgimia e luftërave të viteve ’90, por edhe nga orientimet e ndryshme strategjike të dy vendeve.

The post Kroacia për armatosjen e Serbisë: Nuk janë vetëm mbrojtëse, por edhe sulmuese appeared first on Euronews Albania.

  •  

Del e vërteta për supermakinat dhe jahtin e Andrew Tate, avokatët thonë se nuk ishin në pronësi të tij

Influenceri kontrovers Andrew Tate ka ekzagjeruar pasurinë dhe stilin e tij të jetesës në rrjetet sociale, ndërsa disa prej makinave luksoze dhe një jaht me vlerë 50 milionë dollarë të shfaqura në postimet e tij nuk kanë qenë në pronësi të tij. Pretendimi është bërë nga përfaqësuesit e tij ligjorë në një parashtresë drejtuar një gjykate në Florida.

Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan, ndodhen në paraburgim në Florida, ndërsa kërkojnë lirimin me kusht dhe presin përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Britanisë së Madhe.

Dy vëllezërit u arrestuan muajin e kaluar, pasi prokurorët britanikë ngritën 38 akuza të reja ndaj tyre, përfshirë akuza për përdhunim dhe vepra të lidhura me trafikimin seksual. Të dy i mohojnë akuzat.

Prokurorët kanë argumentuar se vëllezërit përbëjnë rrezik për arratisje, duke iu referuar deklaratave të tyre publike për pasurinë, ndikimin dhe mundësinë për të përdorur identitete të ndryshme.

Avokatët e Tate, megjithatë, kanë paraqitur një version tjetër të pasurisë së tij. Sipas tyre, imazhi i një jete jashtëzakonisht të pasur i shfaqur në rrjetet sociale ka qenë pjesë e një strategjie për të tërhequr vëmendje, për të rritur audiencën dhe për të gjeneruar të ardhura.

Në dokumentet drejtuar gjykatës, ata pretendojnë se jahti luksoz i përmendur nga prokurorët nuk ishte në pronësi të vëllezërve Tate. Sipas mbrojtjes, ata ishin paguar për ta promovuar atë.

Të njëjtin argument avokatët e përdorin edhe për disa prej automjeteve luksoze që shfaqeshin në përmbajtjet e Tate. Një Aston Martin dhe makina Bugatti, sipas tyre, ishin marrë me qira dhe nuk përbënin pjesë të pasurisë së tij personale.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se një pjesë e deklaratave të ekzagjeruara për pasurinë ishte përdorur për efekt komik dhe për të ndërtuar personazhin publik të influencerit.

Andrew Tate u bë i njohur fillimisht pas pjesëmarrjes në versionin britanik të “Big Brother” në vitin 2016. Ish-kickbokseri më pas ndërtoi një audiencë prej miliona ndjekësish në rrjetet sociale, kryesisht përmes videove ku promovonte një stil jetese të lidhur me makina të shtrenjta, udhëtime dhe pasuri të mëdha.

Aktualisht, Andrew dhe Tristan Tate përballen me gjithsej 59 akuza për vepra të dyshuara që lidhen me periudhën nga korriku 2010 deri në gusht 2017. Të dy vëllezërit i mohojnë akuzat.

The post Del e vërteta për supermakinat dhe jahtin e Andrew Tate, avokatët thonë se nuk ishin në pronësi të tij appeared first on Euronews Albania.

  •  

Masakër tragjike në SHBA, 44-vjeçari vret 8 anëtarë të familjes! Mes tyre 4 fëmijë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Billings, Montana,SHBA, ku një 44-vjeçar vrau tetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë katër fëmijë, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë.

Policia mbërriti në banesë, pasi kishte marrë njoftimin për të shtëna. Forcat e rendit dëgjuan të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e shtëpisë, e cila pak më vonë u përfshi plotësisht nga flakët.

I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar me prindërit e tij në këtë banesë, por sipas familjarëve, ata i kishin kërkuar të largohej disa javë më parë. Megjithatë, ai u kthye të dielën, në momentin kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.

Mes viktimave ishin prindërit e Smith, gjyshja, motra e tij, si dhe ish-gruaja e Brad Ireland, Megan Ghekiere, dhe katër fëmijët. Viktimat përfshinin katër breza të së njëjtës familje, nga një stërgjyshe në të 90-at, e cila përdorte karrocë me rrota, deri te një vajzë vetëm 7 vjeçe.

Hetuesit konfirmuan tetë viktima dhe thanë se Smith kishte qëlluar edhe veten. Zjarri shkatërroi plotësisht banesën, duke e bërë të vështirë punën e hetuesve. Zjarrfikësit vijuan përpjekjet për shuarjen e flakëve deri rreth orës 01:00 të mëngjesit të së hënës.

Mes viktimave ishin Oëen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, si dhe Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.

Familjarët e përshkruan Charlotte si një heroinë, pasi ajo telefonoi 911 dhe u përpoq të kërkonte ndihmë për familjen e saj. Familja kishte origjinën nga zona e Seattle-it dhe ishte zhvendosur në Montana disa vite më parë. Alan Smith kishte jetuar me prindërit e tij për vite me radhë, ndërsa familjarët thanë se ai ishte një person i izoluar, që kalonte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij përpara kompjuterit.

Sipas Brad Ireland, kishte pasur shenja paralajmëruese dhe persona që kishin shprehur shqetësim për sjelljen e Smith, por askush nuk kishte ndërhyrë.

Bashkëshorti i Megan Ghekiere, Adam Ghekiere, ndodhej në punë kur ndodhi sulmi. Ai mësoi për të shtënat përmes radios dhe u përpoq të kontaktonte me familjarët. Kur mbërriti në shtëpi, ajo ishte përfshirë nga flakët. Dy orë më vonë, ai mori konfirmimin se gruaja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën. Sipas tij, vajza e tij Charlotte kishte telefonuar 911 nga brenda banesës.

E dëgjoj vazhdimisht duke përsëritur frazën që thoshte çdo herë: ‘Të dua’, dhe ajo përgjigjej: ‘Të dua më shumë’”, rrëfeu Ghekiere.

The post Masakër tragjike në SHBA, 44-vjeçari vret 8 anëtarë të familjes! Mes tyre 4 fëmijë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Konjufca: LVV i ka gati emrat për president

Lëvizja Vetëvendosje i ka emrat gati për president, tha ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Megjithatë, ai shtoi se emrat e kandidatëve për president nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë, pasi, sipas tij, kjo do ta dëmtonte procesin e negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj me ju, pasi kjo do ta humbte procesin e negocimit. Edhe LDK-ja besoj se së shpejti do të jetë gati, pasi javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha se kjo javë do të jetë ajo që ata do të takohen. Sa kam marrë vesh unë, në LVV kryeministri Kurti ende s’ka një ftesë apo diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku këtë javë dhe ne jemi në pritje që kjo të ndodhë. Kur kjo të ndodhë, atëherë mendoj se do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin”, tha ai.

Konjufca ka thënë se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është i gatshëm për diskutime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për gjetjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së presidentit.

Konjufca është shprehur optimist se një takim mes dy liderëve mund ta afrojë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.

Ai ka vlerësuar se ekziston mundësia për një marrëveshje, duke theksuar se negociatat pritet të zhvillohen përmes propozimit të emrave konkretë.

Sipas Konjufcës, në takimin mes Kurtit dhe Abdixhikut do të diskutohen emra konkretë dhe njëri prej tyre mund të jetë presidenti ose presidentja e ardhshme e Kosovës.

“Është një shans i mirë dhe mundësi e re. Konsideroj se ekziston një probabilitet që të kemi një marrëveshje për presidentin. Kurdo që të takohen Kurti me Abdixhikun, kjo do të jetë forma e diskutimit dhe negocimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave konkretë besoj se njëri prej tyre do të jetë presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës. Mua më vjen keq që u humb java e kaluar, por prapëseprapë i mirëkuptojmë se ka pasur nevojë për një kohë shtesë”, theksoi Konjufca.

Këto komente Konjufca i bëri pas seancës gjyqësore për gazinlotësjellësin./KosovaPress/

The post Konjufca: LVV i ka gati emrat për president appeared first on Euronews Albania.

  •  

Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, ISHP nis hetimin në Korçë

Pas konfirmimit të rastit të parë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës.

Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka mbërritur në terren, ku po kryen hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin dhe marrjen e masave të nevojshme për kontrollin e tyre.

Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor. I moshuari banon në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës.

Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, 72-vjeçari iu drejtua spitalit, ndërsa analizat laboratorike konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.

Ndërkohë, specialistët e ISHP-së po kryejnë kontrolle në zona të ndryshme të qarkut të Korçës për të evidentuar praninë e mushkonjës bartëse të virusit dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren për frenimin e përhapjes së saj.

Në kuadër të hetimit dhe masave parandaluese, ekipet e specializuara po kryejnë edhe depistimin në vatër. Në zonat ku konstatohet prania e mushkonjave, pritet të ndërhyhet me dezinfektim dhe trajtime të posaçme.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve, infeksioni mund të kalojë pa simptoma ose të shfaqet me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.

Në rastet e rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren, ndërsa hetimi i ISHP-së pritet të përcaktojë shkallën e pranisë së mushkonjës bartëse në zonë dhe masat që do të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tjera.

The post Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, ISHP nis hetimin në Korçë appeared first on Euronews Albania.

  •  

Rusia përgatit “Çernobilin Fluturues”? Putin lëviz avionët specialë në bazën e testimit të super raketës bërthamore

Rusia po shfaq shenja se mund të jetë duke u përgatitur për një tjetër test të raketës së saj eksperimentale me energji bërthamore, Burevestnik, një armë që në Perëndim është pagëzuar me emrin shqetësues “Çernobili Fluturues”.

Lëvizje të pazakonta të aviacionit rus janë regjistruar ditët e fundit në Novaya Zemlya, arkipelagun e largët në Arktik ku ndodhet poligoni Pankovo, i ndërtuar posaçërisht për programin Burevestnik. Imazhet satelitore tregojnë se dy avionët rusë Il-976 SKIP kanë mbërritur në bazën ajrore Rogachevo. Këta avionë përdoren për gjurmimin e raketave, mbledhjen e telemetrisë dhe monitorimin e të dhënave, përfshirë rrezatimin.

Në bazë është evidentuar gjithashtu një avion radar A-50U, katër avionë transporti An-26, një An-74D dhe disa helikopterë. Në zonën detare përreth Novaya Zemlya janë pozicionuar edhe anije që besohet se përdoren për monitorimin e fluturimeve eksperimentale dhe operacionet e rikuperimit të raketave. Një pjesë e hapësirës ajrore në Detin Barents është gjithashtu e kufizuar për fluturimet. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se këto lëvizje mund të lidhen edhe me prova paraprake dhe nuk provojnë se lëshimi është i menjëhershëm.

Burevestnik, i njohur nga NATO si SSC-X-9 Skyfall, është një raketë lundruese e pajisur me një reaktor të vogël bërthamor. Pikërisht sistemi i saj i shtytjes teorikisht i jep një rreze jashtëzakonisht të madhe veprimi dhe mundësinë për të ndjekur trajektore të paparashikueshme për të shmangur sistemet e mbrojtjes ajrore.

Por teknologjia ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë. Ekspertët perëndimorë kanë paralajmëruar se sistemi i shtytjes mund të shkaktojë çlirime radioaktive, ndërsa një aksident gjatë testimit mund të sjellë ndotje në zonën ku raketa rrëzohet. Kjo është edhe arsyeja pse arma është etiketuar “Çernobili Fluturues”.

The post Rusia përgatit “Çernobilin Fluturues”? Putin lëviz avionët specialë në bazën e testimit të super raketës bërthamore appeared first on Euronews Albania.

  •  

I dënuar për grup kriminal me ish-drejtoreshën e Kadastrës, ndërron jetë në burg Ardjan Malasi

Ka humbur jetën në burgun e Fierit në rrethana të paqarta i dënuari Ardjan Malasi. Paraprakisht dyshohet se i dënuari i datëlindjes 1968, ka ndërruar jetë ppr shkak të hemoragjisë cerebrale. Ky i fundit mbahet nën arrest që prej 26 tetorit 2023, teksa GJKKO e ka dënuar  me 8-vite burg (Siguri e lartë), për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkepunimit të veçantë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar kriminal’. Vendimi ka marre formë të prerë më datë 01.06.2026. Malasit i kishin mbetur për të kryer edhe 3 vite burg.

Kujtojmë që SPAK dergoi për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi e dënuar gjithashtu me 7 vite burg, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash.

Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.

The post I dënuar për grup kriminal me ish-drejtoreshën e Kadastrës, ndërron jetë në burg Ardjan Malasi appeared first on Euronews Albania.

  •  

34 vatra zjarri në 24 orë, 5 mbeten aktive! Fokusi te Mali i Dajtit

34 vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën monitorim.

Në përballimin e situatës janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Fokusi kryesor i operacioneve mbetet Mali i Dajtit, ku zjarret vijojnë të jenë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës.

Operacioni është duke vijuar edhe sot, me përforcimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura. Në terren janë angazhuar gjithashtu forcat zjarrfikëse dhe strukturat e ADZM-së, ndërsa ndërhyrja nga ajri është realizuar me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun e Dibrës vijojnë aktive dy vatra zjarri. E para ndodhet në Ballenjë–Kostenjë, ku operacioni vijon me 6 forca të AZM Dibër.

Vatra tjetër ndodhet në Qafë të Helmës, Bulqizë, dhe po mbahet nën monitorim. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun e Elbasanit vijojnë aktive zjarret në Malin e Dardhës, Librazhd, ku është shënuar riaktivizim. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd.

Një tjetër vatër aktive raportohet në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku gjithashtu është konstatuar riaktivizim. Autoritetet bëjnë me dije se asnjë nga këto vatra nuk rrezikon zonat e banuara.

Situata paraqitet më e qetë në qarkun e Shkodrës, në Pukë, ku në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive.

Megjithatë, këto zona vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje për shkak të mundësisë së riaktivizimit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

The post 34 vatra zjarri në 24 orë, 5 mbeten aktive! Fokusi te Mali i Dajtit appeared first on Euronews Albania.

  •  

Rama pas takimeve në Pogradec njofton mbledhje me drejtuesit politik dhe ministrat të premten në PS

Vetëm pak ditë pas takimeve dyditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama rikthen në selinë e Partisë Socialiste drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Mbledhja do të zhvillohet të premten.

Takimi vjen në vijim të diskutimeve të zhvilluara në Pogradec, ku Rama vendosi në qendër të vëmendjes nevojën për një qasje të re të qeverisë dhe Partisë Socialiste ndaj problematikave të qytetarëve.

Kryeministri u ka kërkuar ministrave që të ndjekin çdo muaj punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë u ka kërkuar një prani më të madhe në terren dhe kontakt më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Kjo qasje është konkretizuar edhe përmes dy dokumenteve të prezantuara nga Partia Socialiste, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Një tjetër element i diskutimeve në Pogradec ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë, monitorojë dhe ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas projektit, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.

Platforma parashikon funksionimin përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve, dhe “Radar”, për gjurmimin e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Gjatë takimeve në Pogradec, ministrat prezantuan gjithashtu analizën e punës së sektorëve që drejtojnë dhe prioritetet për periudhën në vijim.

Mbledhja e së premtes do të shërbejë si vijim i këtij procesi, me fokus zbatimin e vendimeve të marra dhe forcimin e pranisë së qeverisë dhe strukturave të PS-së në terren.

The post Rama pas takimeve në Pogradec njofton mbledhje me drejtuesit politik dhe ministrat të premten në PS appeared first on Euronews Albania.

  •  

Rasti Sheholli! Zbardhet dokumenti “Leptiri”, plani serb për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit

Një dokument i emërtuar “Leptiri”, i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit, është bërë pjesë e materialeve të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës, dokumenti daton nga viti 2001 dhe dyshohet se është përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB). Në përmbajtjen e tij përshkruhet një plan operacional që lidhet me komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit, në kohën kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

Sipas përshkrimit të bërë në dosjen e prokurorisë, plani parashikonte përdorimin e një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, përmes të cilit do të siguroheshin materiale komprometuese ndaj Kurtit. Këto materiale, sipas aktakuzës, do të mund të përdoreshin për ushtrimin e presionit ndaj tij me qëllim të bashkëpunimit me RDB-në.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se dokumenti “Leptiri” është shpërndarë nga Sheholli te disa persona dhe se ai ka kërkuar përkthimin e dokumentit nga serbishtja në shqip.

Prokuroria i konsideron këto veprime në kuadër të materialeve dhe komunikimeve të tjera të gjetura në telefonin e të pandehurit.

Sipas aktakuzës, këto të dhëna janë relevante për të vlerësuar kontaktet dhe lidhjet e pretenduara të Shehollit me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve që dyshohet se kanë origjinë nga këto struktura.

Dokumenti “Leptiri” është një nga materialet që Prokuroria Speciale ka përfshirë në argumentimin e saj ndaj Fatmir Shehollit.

The post Rasti Sheholli! Zbardhet dokumenti “Leptiri”, plani serb për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit appeared first on Euronews Albania.

  •  

Zelensky thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka kërkuar Kinës të luajë një rol më të fuqishëm diplomatik në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave.

Zelenskyy i bëri komentet teksa falënderoi liderët ndërkombëtarë për urimet me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, të shënuar më 24 gusht. Mesazhi drejtuar presidentit kinez Xi Jinping mori një rëndësi të veçantë, për shkak të rolit që Pekini mund të luajë në përpjekjet diplomatike për përfundimin e konfliktit.

Duke iu referuar marrëdhënieve mes dy vendeve, Zelenskyy theksoi se pavarësia është një vlerë e panegociueshme për ukrainasit dhe për të gjitha kombet sovrane.

“Ne mbështetemi në bashkëpunim të mëtejshëm dhe në Kinën që luan një rol të fortë diplomatik për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit tonë. Paqja mund të jetë arritja jonë e përbashkët”, shkroi presidenti ukrainas.

Zelenskyy falënderoi gjithashtu Xi Jinping për urimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, duke vlerësuar marrëdhëniet e ndërtuara mes dy vendeve mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

Thirrja e presidentit ukrainas vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Kina ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj konfliktit dhe ka promovuar vazhdimisht dialogun dhe negociatat si rrugë për zgjidhjen e tij.

Me kërkesën e drejtpërdrejtë ndaj Pekinit, Kievi synon të rrisë presionin diplomatik ndaj Moskës dhe të përfshijë më fuqishëm Kinën në çdo përpjekje të ardhshme për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

The post Zelensky thirrje Kinës: Na ndihmoni t’i japim fund luftës appeared first on Euronews Albania.

  •  

Wikoff: Nuk i takon KFOR-it të vendosë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, por Kosovës dhe BE-së

Misioni i NATO-s në Kosovë nuk ka mandat për të vendosur nëse ura kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut të banuar me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht, tha të martën admirali amerikan i aleancës, George Wikoff.

 Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, tha se për këtë duhet të vendosë vetë Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE), pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë.

“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin që ne ia bëjmë gjendjes së sigurisë”, tha ai, sipas një komunikate të KFOR-it.

KFOR-i e përsëriti në komunikatë se është duke zhvilluar një proces për kufizimin e pranisë së trupave të saj mbi urën, e cila është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Vendimi i misionit paqeruajtës për kufizimin e pranisë dhe kalimin e përgjegjësive mbi urë tek Policia e Kosovës është kundërshtuar nga Serbia.

Ura mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e përplasjeve etnike.

Për këtë arsye, që atëherë misioni paqeruajtës e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën.

Tani, NATO-ja thotë se tërheqja graduale e trupave nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë të KFOR-it, pas përmirësimit të gjendjes së sigurisë në vend.

KFOR-i shtoi se do të vazhdojë ta vlerësojë rregullisht gjendjen në terren dhe të ruajë një pozicionim të hartuar për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Ai theksoi se personeli i saj do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth urës.

Ndërkohë, deklaratat e Wikoffit vijnë disa ditë pasi dështoi një takim i planifikuar mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Kurti e paralajmëroi takimin me komandantin Ulutash për të shtunën e kaluar. Por, më vonë atë ditë, KFOR-i njoftoi se “për shkak të rrethanave të paparashikuara”, takimi mes tyre nuk u zhvillua.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht viteve të fundit që ura të hapet plotësisht dhe Kurti tha ditë më parë se ishte “absurde” që ura kryesore mbi Ibër vazhdon të jetë e mbyllur.

Në anën tjetër, një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha javën e kaluar se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, tha zëdhënësja.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë ura nuk u hap plotësisht, autoritetet kosovare i ndërtuan edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Serbia i ka kundërshtuar planet e KFOR-it për kufizimin e pranisë mbi këtë urë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiç në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiçit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur kufizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, nuk përputhen me realitetin në terren./ REL

The post Wikoff: Nuk i takon KFOR-it të vendosë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, por Kosovës dhe BE-së appeared first on Euronews Albania.

  •  
❌