Janë publikuar formacionet zyrtare për përballjen mes Hibernianit dhe Malishevës, në një sfidë të rëndësishme për rrugëtimin evropian të të dyja skuadrave.
Skuadra jonë fitoi takimin e parë me rezultat 2-0 dhe kërkon kualifikimin tutje.
Trajneri i Hibernianit, David Gray, ka vendosur t’i besojë një formacioni me disa nga titullarët kryesorë.
Në anën tjetër tekniku i Malishevës, Thomas Brdarić, ka bërë zgjedhjet e tij për të kërkuar një paraqitje sa më të mirë ndaj skuadrës skoceze.
Malisheva do të luajë në fazën ofensive me një treshe sulmuese, ku Uka, Xhylani dhe Ibishi do të jenë përgjegjësit kryesorë për të rrezikuar portën e Hibernianit.
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kanë siguruar prova dhe informacione që dyshohet se tre persona kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata, të cilat më pas i kanë përdorur si dokumente të vlefshme.
Të dyshuarit, sipas policisë, kanë tentuar që përmes këtyre dokumenteve të kryejnë në mënyrë të kundërligjshme shitblerje të pronave të paluajtshme, me qëllim përfitimin e shumës prej rreth 1 milion e 550 mijë eurosh.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “bashkëkryerja”, “ndihma”, “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.
Tre personat janë intervistuar më 30 korrik 2026 në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e avokatëve mbrojtës.
Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.
Agjenti i portierit të Kombëtares së Paraguait, Orlando Gill, ka konfirmuar se janë zhvilluar bisedime paraprake me Manchester United, ndërsa zbuloi se klienti i tij është pranë një transferimi pas paraqitjeve mbresëlënëse në Kupën e Botës 2026.
Mario Jara bëri të ditur se interesimi për 26-vjeçarin nuk vjen vetëm nga Anglia, por edhe nga klubet gjermane.
"Jemi në bisedime me klube angleze, si dhe me disa në Gjermani. Ka pasur diskutime paraprake me Manchester United. Deri tani kemi marrë vetëm dy oferta konkrete. Jemi në mes të negociatave", deklaroi Jara për DSports Radio.
Sipas tij, momenti është ideal që Gill të bëjë hapin e madh në karrierë.
"Shitja është afër – tani është koha. Duhet ta menaxhojmë këtë me shumë kujdes, sepse ka shumë faktorë të përfshirë. Është mundësia perfekte që ai të bëjë një hap përpara në karrierë. Ai është gati dhe i aftë të luajë në çdo ligë, pa asnjë dyshim", shtoi agjenti.
Gill u bë një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës, duke ndihmuar Paraguain të arrinte në fazën e 1/16 së finales dhe të eliminonte Gjermaninë pas një serie penalltish.
Portieri 26-vjeçar shkëlqeu ndaj gjermanëve, duke pritur gjashtë goditje gjatë lojës dhe duke ndalur penalltitë e Kai Havertz dhe Nick Woltemade në serinë vendimtare.
Rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ka qenë aspak i lehtë.
Vetëm në shtator të vitit 2025 ai debutoi me Kombëtaren e Paraguait, ndërsa familja e tij kishte kaluar vështirësi të mëdha financiare dhe personale. Bashkëshortja e tij, Melissa Ávalos, kishte treguar se Gill ishte detyruar të shiste fanellat e tij për të mbuluar shpenzimet mjekësore të djalit të tyre, Lautaro Daniel, i cili lindi para kohe dhe luftoi për jetën.
"Ne nuk kishim asgjë dhe Orlando shiti fanellat e klubit ku luante për të mbuluar shpenzimet. Djali ynë luftoi për jetën dhe babai i tij ishte gjithmonë pranë. Ai shiti gjithçka", kishte rrëfyer ajo.
Megjithëse Kupa e Botës nisi në mënyrën më të keqe për Gill, pasi Paraguai u mposht 4-1 nga Shtetet e Bashkuara, portieri reagoi në mënyrë spektakolare.
"Gjithçka që ai kaloi në Kupën e Botës nuk ishte e lehtë, sidomos humbja 4-1 ndaj SHBA-së. Shumë njerëz me ndikim folën kundër tij, por ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për t'i përballuar situata të tilla", tha Jara.
Pas suksesit ndaj Gjermanisë, Gill u përball edhe me Francën në fazën e 1/16 së finales. Edhe pse nuk arriti të ndalte penalltinë e Kylian Mbappe, tentativat e tij për ta shpërqendruar sulmuesin francez nuk u pritën mirë nga ylli i Real Madridit, i cili refuzoi t'i jepte dorën pas përfundimit të ndeshjes.
Tashmë, me interesimin e Manchester United dhe disa klubeve të tjera evropiane, Orlando Gill duket shumë pranë transferimit më të madh të karrierës së tij./Telegrafi/
Duke folur për Al Jazeera, Sultan Barakat, profesor i politikave publike në Universitetin Hamad Bin Khalifa, foli për refuzimin e planit të Omanit nga Irani për të menaxhuar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
"Mendoj se ishte një gabim ta refuzonim menjëherë", tha Barakat, transmeton Telegrafi.
"Ata duhet të kishin marrë kohën e tyre dhe ta kishin përdorur si një mundësi për të thelluar negociatat me Omanin - dhe për rrjedhojë, me shtetet e Gjirit, shumë prej të cilave e kanë miratuar tashmë propozimin e Omanit, i cili është një hap i rëndësishëm", shtoi ai.
Barakat shpjegoi se plani i Omanit propozonte dy rrugë, secila e përdorshme për anijet hyrëse dhe dalëse, me pagesa opsionale që do të caktoheshin nga vetë kompanitë e transportit detar.
Meqenëse pronarët e anijeve do të tërhiqeshin natyrshëm drejt rrugës së lirë më të afërt me bregdetin e Omanit, trafiku do të tërhiqej në ujërat territoriale të Omanit me kalimin e kohës.
Teherani dëshiron një sistem me një rrugë të veçantë hyrëse dhe dalëse, dhe dëshiron kontroll specifik mbi korsinë hyrëse - duke i lejuar atij të monitorojë anijet ushtarake që hyjnë në ngushticë.
Barakat tha se sulmet e fundit SHBA-Iran e kanë bërë konfliktin më të rrezikshëm, duke përmendur tre javët e fundit si provë të "zbatimit të keq të asaj që ishte një mirëkuptim i paqartë".
Propozimi i Omanit do të kishte ndarë rrugët e tranzitit në mënyrë të barabartë midis Iranit dhe Omanit, të financuara nga tarifat vullnetare të transportit detar.
Në vend të kësaj, Irani kundërshtoi me planin e tij duke i dhënë Teheranit kontrollin mbi një korsi të plotë tranziti dhe një pjesë të rrugës së kthimit, duke argumentuar se ndarja 50-50 nuk arriti të adresonte shqetësimet e tij për sigurinë.
Zëvendësministri i Jashtëm, Kazem Gharibabadi, tha se ngushtica do të mbetej e mbyllur nëse Omani refuzon kundërpropozimin e Iranit. /Telegrafi/
Lidhja Shqiptare ka bërë reagime të menjëhershme ndaj qëndrimeve të sotme të kryeparlamentarit Gashi për Propozimligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
‘’Është skandaloze deklarata e Kryeparlamentarit, Afrim Gashi kur thotë që më mirë një ligj gjysmak për pëfaqësim të drejtë dhe adekuat sesa pa ligj fare. Akoma më skandaloze është kur edhe bashkëkryetarët e VLEN-it mbajnë të njëjtin qëndri’’, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Sipas kësaj partie më mire pa ligj fare se sa me një ligj që na kthen në diferencimet politike të pas viti 1981.
‘’Atëherë për hirë të sqarimit të opinionit: Më mirë pa ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe me të drejtën e përfaqësimit vetëm në Kushtetutë, sesa me një ligj të këtillë siç e propozon Qeveria. Sepse ky ligj i Qeverisë brënda vetes duke mos paraparë sanksione, duke mos paraparë mekanizma implementimi dhe duke paraparë vetëm heqjen e kuotave etnike gjatë punësimit, synon kthimin e të drejtave të shqiptarëve në periudhën e diferencimeve politike të pas vitit 1981 në ish Jugosllavi duke lënë të ardhmen e shqiptarëve, e fëmijëve të shqiptarëve, e nipërve dhe e mbesave të tyre në dëshirën e mirë ose të keqe të politikanëve maqedonas ju nuk keni të drejtë të tregëtoni të drejtat e shqiptarëve’’, thotë Lidhja Shqiptare.
Për fund , partia e Selës, ironizon me qëmdrimet e Gashit pro pushtetit me aludime pro OBRM-PDUKM-së duke i thënë se, ‘’Po ta nxeh ujin dikush avash-avash’’ e duke i kujuar Gashit shembujt që mirrte me bretkocën kur ishte ishte në opozitë.
"Prandaj Afrim Gashi, meqë e ke përzemër alegorinë me bretkosën, po ta nxeh ujin dikush avash-avash’’, përfundon reagimin Lidhja Shqiptare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është aktualisht lideri më i ri në moshë në mesin e kryetarëve të katër partive kryesore politike në vend.
I lindur më 17 prill 1983, Abdixhiku është më i ri se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i lindur më 24 mars 1975, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i lindur më 8 nëntor 1963, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i lindur më 18 janar 1970.
Megjithatë, krahasimi ndryshon nëse merret parasysh mosha e liderëve në momentin kur kanë marrë drejtimin e partive të tyre. Në këtë aspekt, Abdixhiku nuk është lideri më i ri që ka udhëhequr një subjekt politik në Kosovë.
Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, kur ishte 37 vjeç e 11 muaj.
Më i ri se ai në momentin e marrjes së drejtimit të një partie ishte Albin Kurti. Ai ishte rreth 30 vjeç kur themeloi dhe mori drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2005. Ndërsa, nëse merret si pikë referimi regjistrimi i LVV-së si parti politike në vitin 2010, Kurti ishte 35 vjeç kur u zgjodh kryetar.
Edhe ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ishte më i ri se Abdixhiku kur mori drejtimin e partisë në vitin 1999. Thaçi ishte 31 vjeç kur u zgjodh lider i PDK-së në tetor të atij viti.
Në të njëjtën moshë ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili mori drejtimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në vitin 2000, në kohën e themelimit të kësaj partie.
Po ashtu, Visar Ymeri ishte 36 vjeç kur u zgjodh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2015, duke qenë gjithashtu më i ri se Abdixhiku në momentin e marrjes së drejtimit të partisë.
Në anën tjetër, disa prej liderëve politikë të Kosovës kanë marrë drejtimin e partive në mosha më të mëdha. Ibrahim Rugova ishte 45 vjeç kur u bë kryetar i LDK-së në vitin 1989.
Kadri Veseli ishte 49 vjeç kur mori drejtimin e PDK-së pas largimit të Hashim Thaçit, ndërsa Fatmir Sejdiu ishte 55 vjeç kur u zgjodh kryetar i LDK-së në vitin 2006.
Isa Mustafa e mori drejtimin e LDK-së në moshën 59-vjeçare, ndërsa Bedri Hamza mban rekordin si kryetari që ka marrë drejtimin e një partie kryesore në moshën më të madhe, pasi u zgjodh lider i PDK-së në nëntor të vitit 2025, kur kishte mbushur 62 vjet.
Hoteli “Jezero” u bë rrafsh me tokë të enjten, duke u bërë objekti i 17-të i rrënuar përskaj liqenit të Ujmanit, me arsytetimin se është ndërtim pa leje në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.
Shifrën e këtyre rrënimeve e konfirmoi sot ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
“Përrreth Liqenit të Ujmanit deri tash janë rrënuar 17 objekte/villa. Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit”, bëri me dije ajo në një postim në faqen zyrtare në Facebook.
“Mbrojtja e ujërave mbetet prioriteti ynë kryesor. Për këtë arsye, do të vazhdojmë t’i mbrojmë, t’i menaxhojmë me përgjegjësi dhe t’i zhvillojmë si një pasuri jetike për Kosovën”- ka vazhduar ajo.
Megjithatë, aksioni është përcjellë edhe me reagime nga një pjesë e komunitetit lokal, të cilët pretendojnë se vendimet për rrënimin e objekteve janë marrë në mënyrë të ngutshme dhe pa bazë ligjore.
Madje, reagime pati edhe në Serbi, duke nisur nga hiq më pak se presidenti i saj, Aleksandar Vuçciq.
Por, pavarësisht këtyre reagimeve, në terren nuk pati asnjë incident, as këtë të premte.
Shefi i planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, tha për KosovaPress se Policia ka ofruar asistencë për institucionet përgjegjëse gjatë zhvillimit të aksionit dhe se gjithçka ka kaluar pa incidente.
Erduan Baliqi, shefi i planifikimit të Operativës Rajonale Mitrovicë – Veri
“Ne kemi asistuar Ndërmarrjen Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenc’ dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë realizimit të aksionit. Nuk kemi hasur në ndonjë rezistencë, nuk kemi pasur ndonjë problem apo kundërshtim”, tha Baliqi.
Rrënimet e objekteve ilegale nisën javën e kaluar, pas fushatës paralajmëruese të drejtuesve të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”
Pushimet verore të familjes Beckham kanë tërhequr sërish vëmendjen e publikut dhe këtë herë në qendër të vëmendjes ishin Romeo Beckham dhe e dashura e tij Kim Turnbull.
Çifti i ri iu bashkua pjesës tjetër të familjes në një jaht luksoz, ku shijuan së bashku ditët me diell dhe një atmosferë të relaksuar.
Paparacët i filmuan duke notuar dhe duke u relaksuar në kuvertë, dhe vëmendje të veçantë tërhoqën momentet pas daljes nga deti, kur Romeo dhe Kim bënë dush në kuvertën e jahtit. Çifti nuk i fshehu emocionet dhe shkëmbeu shikime të buta dhe përqafime, duke konfirmuar se po e shijonin kohën së bashku.
Foto: BACKGRID / Backgrid UK / Profimedia
DJ dhe influencuesja e re shkëlqente me bikini të ngushta që nxirrnin në pah figurën e saj të hollë dhe lëkurën e nxirë.
Ajo e kompletoi pamjen e thjeshtë por efektive të verës me grim natyral dhe flokë të lëshuar rastësisht, prandaj shumë komentuan se ajo ishte ylli i ditës në jahtin luksoz.
Romeo Beckham, djali i futbollistit të famshëm David Beckham dhe stilistes së modës Victoria Beckham, është shfaqur gjithnjë e më shumë publikisht me Kim Turnbull në muajt e fundit. Lidhja e tyre ka tërhequr shumë vëmendje dhe fotot e tyre së bashku me pushime vetëm sa kanë nxitur më tej interesin e fansave. /Telegrafi/
Paris Saint-Germain është shumë pranë kompletimit të transferimit të Maghnes Akliouche, pasi Monaco ka pranuar ofertën e pestë të kampionëve të Francës, me vlerë 50 milionë euro, raporton L'Equipe.
Dy klubet kanë arritur një marrëveshje në parim, pasi Monaco më në fund pranoi ofertën e përmirësuar të PSG-së. Megjithatë, para se transferimi të zyrtarizohet, palët duhet të finalizojnë kushtet personale dhe kontratën e lojtarit.
Akliouche, 24 vjeç, zhvilloi një tjetër sezon të mirë me Monacon, duke regjistruar shtatë gola në 43 paraqitje në të gjitha garat.
Paraqitjet e tij i siguruan gjithashtu një vend në përfaqësuesen e Francës për Kupën e Botës 2026, ku u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen ndaj Irakut në fazën e grupeve.
Nëse marrëveshja përfundon me sukses, ky do të jetë transferimi më i madh mes klubeve të Ligue 1 gjatë kësaj vere, duke kaluar blerjen prej 25 milionë eurosh të Matthis Abline nga Monaco, i transferuar nga Nantes më herët gjatë afatit kalimtar./Telegrafi/
Mes dy gjuhëve, fjalëve që vijnë me ritme të ndryshme dhe heshtjeve që shqetësojnë prindërit, jo çdo vonesë është ajo që duket. Dallimi fshihet te mënyra se si fëmija kupton, komunikon dhe përparon.
Zyla Musliu, Logopede në Psikiatri për fëmijë dhe adoleshentë Tel. 045 663 774
Në shumë familje shqiptare, fëmijët rriten duke dëgjuar shqipen në shtëpi dhe gjuhën e vendit pritës në çerdhe, kopsht, shkollë e shoqëri. Kur fjalët e para vonohen, kur fëmija i përzien gjuhët ose përgjigjet vetëm në njërën prej tyre, prindërit shpesh frikësohen se dygjuhësia po e pengon zhvillimin e tij.
Megjithatë, jo çdo ndryshim në ritmin e të folurit është shenjë e një problemi. Zhvillimi gjuhësor i fëmijëve dygjuhësh ka veçoritë e veta dhe duhet vlerësuar duke marrë parasysh të dyja gjuhët, mënyrën e komunikimit dhe përparimin e përgjithshëm. E rëndësishme është të kuptohet se çfarë konsiderohet pjesë normale e këtij zhvillimi dhe cilat shenja kërkojnë këshillim me logopedin.
Dygjuhësia dhe zhvillimi i të folurit
Dygjuhësia, në vetvete, nuk shkakton vonesë në të folur dhe as çrregullim gjuhësor. Fëmijët mund t’i mësojnë dy ose më shumë gjuhë që nga lindja pa u hutuar.
Përshtypja se fëmija di më pak fjalë krijohet sepse fjalori i tij ndahet mes dy gjuhëve. Një fëmijë mund të përdorë 25 fjalë në shqip dhe 25 në gjuhën e vendit ku jeton. Nëse vlerësohet vetëm në njërën gjuhë, mund të duket sikur ka fjalor të kufizuar; por në të dyja gjuhët ai përdor gjithsej 50 fjalë.
Prandaj, duhet vlerësuar komunikimi i përgjithshëm: a kupton, a përdor gjeste, a ndërvepron dhe a përparon nga muaji në muaj.
Si i përpunon truri dy gjuhë
Truri i fëmijës është i aftë t’i përvetësojë paralelisht dy ose më shumë gjuhë. Fëmija mëson gradualisht se cilën gjuhë përdor me familjen, në kopsht apo me shokët.
Në vitet e para, të dyja gjuhët janë aktive dhe ndikojnë te njëra-tjetra. Kjo nuk është shenjë konfuzioni, por pjesë normale e zhvillimit. Me kalimin e kohës, fëmija mëson ta zgjedhë gjuhën sipas personit dhe situatës.
Mund të ketë dallime individuale prej disa muajsh në shfaqjen e fjalëve të para, ashtu si edhe te fëmijët njëgjuhësh. Shumica e fëmijëve e thonë fjalën e parë rreth moshës njëvjeçare dhe bashkojnë dy fjalë rreth moshës dyvjeçare. Dygjuhësia nuk duhet përdorur si shpjegim automatik kur fëmija nuk flet ose nuk përparon.
Vonesë normale apo çrregullim gjuhësor
Të folurit lidhet me shqiptimin dhe prodhimin e fjalëve; gjuha me kuptimin, fjalorin, gramatikën dhe shprehjen e mendimeve.
Një fëmijë me zhvillim normal dygjuhësh mund ta ketë njërën gjuhë më të fortë dhe disa fjalë t’i dijë vetëm në njërën prej tyre. Ai mund edhe t’i përziejë gjuhët brenda së njëjtës fjali. Megjithatë, komunikon, përdor gjeste, kupton udhëzime, mëson fjalë të reja dhe tregon përparim.
Kur ekziston një çrregullim i vërtetë gjuhësor, vështirësitë zakonisht shfaqen në të dyja gjuhët. Fëmija mund të ketë probleme në kuptimin e udhëzimeve, mësimin e fjalëve, ndërtimin e fjalive, gramatikën ose zhvillimin e një bisede.
Prandaj, fëmija dygjuhësh nuk duhet vlerësuar vetëm me teste për fëmijë njëgjuhësh. Logopedi duhet të marrë parasysh të dyja gjuhët, historinë e zhvillimit, ekspozimin ndaj secilës dhe komunikimin në situata të ndryshme.
Shenjat që kërkojnë vlerësim profesional
Prindërit nuk duhet të presin një moshë të caktuar nëse vërejnë mungesë të dukshme të komunikimit. Vlerësimi i hershëm ndihmon të dallohet një ndryshim individual nga problemi i dëgjimit ose vështirësia gjuhësore.
Rreth moshës njëvjeçare kërkon vëmendje nëse fëmija nuk belbëzon, nuk përdor gjeste, nuk tregon me gisht, nuk imiton tinguj ose nuk reagon ndaj emrit. Në moshën 15–18 muajsh, mungesa e çdo fjale kuptimplotë duhet diskutuar me pediatrin ose logopedin.
Rreth moshës dyvjeçare është shqetësuese nëse ka shumë pak fjalë në total në të dyja gjuhët, nuk bashkon dy fjalë spontanisht ose nuk tregon përparim. Nga mosha dy deri në tre vjeç duhet kërkuar këshillë nëse nuk përdor shprehje të shkurtra, nuk arrin t’i shprehë nevojat ose nuk kupton kërkesa të thjeshta.
Pas moshës trevjeçare shqetësojnë mungesa e fjalive, vështirësia për t’iu përgjigjur pyetjeve të thjeshta dhe pamundësia për të zhvilluar komunikim funksional. Në çdo moshë, humbja e fjalëve ose aftësive të fituara më parë duhet vlerësuar pa vonesë.
Vëmendje kërkojnë edhe mungesa e kontaktit, e lojës simbolike, frustrimi gjatë komunikimit dhe dyshimi se fëmija nuk dëgjon mirë. Kontrolli i dëgjimit është i rëndësishëm, sepse edhe një ulje e lehtë mund të ndikojë në zhvillimin e gjuhës.
Përzierja e gjuhëve është pjesë e zhvillimit
Përzierja e fjalëve ose strukturave të dy gjuhëve është e zakonshme. Fëmija mund të përdorë një fjalë nga gjuha tjetër sepse i vjen më shpejt në mendje, sepse e njeh vetëm në atë gjuhë ose sepse kështu flasin njerëzit përreth tij.
Kjo nuk do të thotë se ai nuk i dallon gjuhët. Shpesh e di cilën gjuhë përdor secili person, por zgjedh mënyrën më të shpejtë për ta përcjellë mesazhin.
Nuk ekziston një moshë e prerë pas së cilës përzierja konsiderohet jonormale. Edhe të rriturit dygjuhësh e bëjnë këtë. Me rritjen e fjalorit, fëmija mëson t’i ndajë më mirë gjuhët dhe ta përshtatë të folurin me bashkëbiseduesin.
Shqetësimi nuk duhet të jetë vetë përzierja, por nëse fëmija ka fjalor shumë të kufizuar, nuk kupton, nuk ndërton fjali ose nuk arrin të komunikojë në asnjërën gjuhë.
Strategjitë që funksionojnë në shtëpi
Nuk ekziston një metodë e vetme për çdo familje. Metoda “Një prind, një gjuhë” mund të funksionojë mirë kur secili prind e përdor natyrshëm gjuhën e vet, por nuk duhet të bëhet rregull i ngurtë.
Më e rëndësishme është që fëmija të ketë ekspozim të rregullt, të mjaftueshëm dhe cilësor në secilën gjuhë. Prindërit duhet të flasin në gjuhën që e zotërojnë më mirë dhe në të cilën shprehin natyrshëm emocionet, tregimet dhe mendimet.
Nuk është e dobishme që një prind ta braktisë shqipen dhe të flasë një gjuhë të huaj që nuk e zotëron mirë, vetëm nga frika se fëmija nuk do ta mësojë gjuhën e vendit pritës. Në disa familje flitet shqip në shtëpi dhe gjuha tjetër në kopsht; në të tjera, gjuhët ndahen mes familjarëve.
Bisedat, librat, tregimet, këngët dhe loja janë më të vlefshme se ekspozimi pasiv ndaj ekraneve.
Kur fëmija kupton të dyja gjuhët, por flet vetëm njërën
Është e zakonshme që një fëmijë ta kuptojë mirë një gjuhë, por të përgjigjet në tjetrën. Kuptimi zakonisht zhvillohet përpara aftësisë për ta përdorur gjuhën në mënyrë aktive.
Fëmija shpesh zgjedh gjuhën që i nevojitet më shumë. Gjuha dominuese mund të ndryshojë. Para kopshtit, shqipja mund të jetë kryesore; më vonë, gjuha e vendit pritës mund të bëhet më aktive. Kjo nuk do të thotë se fëmija e ka harruar shqipen.
Për ta nxitur gjuhën më pak aktive, prindërit duhet të krijojnë situata të natyrshme: biseda me gjyshërit, lojëra me fëmijë shqipfolës, libra, këngë, tregime, vizita në vendlindje dhe aktivitete familjare në shqip.
Fëmija nuk duhet të testohet vazhdimisht ose të qortohet kur përgjigjet në gjuhën tjetër. Prindi mund ta pranojë mesazhin dhe ta përsërisë butësisht në shqip. Nëse fëmija thotë “I want water”, përgjigjja mund të jetë: “Po, do ujë. Ja ku e ke ujin.” Kështu dëgjon modelin e saktë pa presion.
Gjuha amtare nuk e pengon integrimin
Ruajtja e gjuhës amtare nuk e pengon integrimin në gjuhën e vendit ku jeton. Fëmija zakonisht ekspozohet shumë ndaj saj përmes kopshtit, shkollës dhe jetës së përditshme.
Gjuha që rrezikon të dobësohet është shqipja, sidomos nëse nuk përdoret në familje. Ajo është gjuha e marrëdhënies me familjen, e historive, emocioneve dhe identitetit.
Kur prindi kufizon gjuhën që e zotëron më mirë, mund të kufizojë edhe pasurinë e komunikimit me fëmijën. Një bazë e mirë në gjuhën amtare nuk ia zë vendin gjuhës së dytë; aftësitë e të kuptuarit, të tregimit dhe të menduarit mund të zhvillohen përmes të dyja gjuhëve.
Edhe kur fëmija ka çrregullim gjuhësor, zakonisht nuk rekomandohet heqja e gjuhës amtare. Çrregullimi nuk shkaktohet nga shqipja ose dygjuhësia dhe do të shfaqej edhe sikur fëmija të rritej vetëm me një gjuhë.
Çfarë duhet të mbajnë mend prindërit
Prindërit duhet të flasin me fëmijën në gjuhën që e zotërojnë më mirë dhe në të cilën ndihen më natyrshëm. Fjalori dhe komunikimi duhet të vlerësohen në të dyja gjuhët, jo vetëm në njërën. Gjuha amtare nuk duhet braktisur nga frika se pengon mësimin e gjuhës së vendit.
Dygjuhësia nuk shkakton çrregullim të të folurit. Ajo që duhet vëzhguar është komunikimi në tërësi: a kupton fëmija, a përdor gjeste dhe fjalë, a ndërvepron, a mëson dhe a përparon?
Kur vështirësitë shfaqen në të dyja gjuhët, kur përparimi mungon ose humben aftësitë e fituara, duhet kërkuar vlerësim nga logopedi dhe kontroll i dëgjimit. Dygjuhësia nuk duhet të shërbejë si arsye për ta vonuar vlerësimin, por as për t’ia hequr fëmijës gjuhën amtare. /Telegrafi/
Një ajsberg gjigant është filmuar teksa përmbysej pranë brigjeve të Grenlandës, në afërsi të qytetit bregdetar të Ilulissat, duke krijuar një pamje spektakolare dhe njëkohësisht të rrezikshme.
Pamjet e regjistruara nga një dëshmitar okular tregojnë momentin kur masa e madhe e akullit humb ekuilibrin dhe rrotullohet në ujë, duke shkaktuar valë të fuqishme që u përhapën pranë vijës bregdetare të qytetit.
Fenomene të tilla janë të zakonshme gjatë procesit të shkëputjes dhe zhvendosjes së ajsbergëve, por madhësia e këtij blloku akulli e bëri ngjarjen veçanërisht mbresëlënëse, transmeton Telegrafi.
Qyteti i Ilulissat, i vendosur në bregun perëndimor të Grenlandës, është i njohur për Fjordin e Akullt të Ilulissat, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Zona konsiderohet një nga rajonet më të rëndësishme për studimin e akullnajave dhe të ndryshimeve klimatike, ndërsa tërheq çdo vit mijëra vizitorë të interesuar për peizazhet e saj unike arktike. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, i cili ka si pikë të vetme të rendit të ditës shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Në fjalimin e tij para delegatëve, Abdixhiku tha se kjo nismë vjen në një moment të ndjeshëm për vendin dhe për partinë.
“E konsideroj të tillë sepse vjen në mënyrë të njëanshme, të ndjeshme për vendin, përcaktuese për partinë tonë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tha se procesi është i parakohshëm, pasi vjen vetëm disa muaj pas Kuvendit të fundit të jashtëzakonshëm dhe pak kohë para Kuvendit të rregullt të partisë.
Kreu i LDK-së shprehu keqardhje për disa anëtarë të partisë, të cilët, sipas tij, nuk kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme politike, por më pas kanë kërkuar përgjegjësi për rezultatet.
“Kur refuzohet pjesëmarrja në Këshill të Përgjithshëm, në Kolegjium të degëve, në fushatën e partisë e pas saj kërkohet përgjegjësi, unë e refuzoj këtë logjikë”, ka thënë ai.
Abdixhiku shtoi se përgjegjësi, sipas tij, duhet t’u kërkohet atyre që kanë qenë aktivë në terren dhe kanë kontribuar në betejat politike të partisë.
“S’mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, që refuzon betejën më të rëndësishme që mund të kemi, teksa fërkon duart për rezultat të keq për të nisur edhe një herë për të satën herë refrenin e njëjtë. Përgjegjësi i jap vetëm anëtarit, delegatit që ishte në terren”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së po mbahet me kërkesë të një grupi delegatësh, ndërsa 355 delegatë pritet të votojnë për të vendosur nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë./Telegrafi.
“Në shekullin XXI të ndodhë ndotje e ujësjellësit me baktere koliforme është e barabartë me katastrofë. Raste të tilla zakonisht shfaqen gjatë përmbytjeve ose fatkeqësive të tjera natyrore. Të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi duhet të japin llogari”, deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Aleksandar Trajanovski, në edicionin informativ të Televizionit 24, duke theksuar se rasti i Gostivarit tregon mungesë serioze të funksionimit të pushtetit aktual dhe komunikim të dobët institucional.
“Kur flasim për Gostivarin, duhet të jemi të qartë: përgjegjësia duhet të jetë nga maja e pushtetit e deri poshtë. Nuk e amnistojmë as vetëqeverisjen lokale, por përgjegjësia kryesore bie mbi partinë në pushtet, sepse ajo duhet ta vërë këtë situatë nën kontroll dhe të mos lejojë eskalim”, tha Trajanovski.
Ai theksoi se LSDM kërkon publikimin e plotë të dokumentacionit, si dhe të gjithë zinxhirit të vendimeve dhe reagimeve institucionale, pasi simptomat e para janë shfaqur që në fund të korrikut, ndërsa askush nuk ka reaguar me kohë.
“Imagjinoni, disa ditë me radhë në spitalin e Gostivarit ka 200–300 të sëmurë me të njëjtën tablo klinike, ndërsa nuk ndërmerret asnjë masë, dhe për këtë fajësohet vetëm pushteti lokal, megjithëse drejtori i spitalit deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka qenë e informuar.
Nëse Instituti i Shëndetit Publik është kompetent për të gjitha qendrat e shëndetit publik, atëherë çfarë ka bërë Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë, e cila mbulon edhe degën në Gostivar? A ka njoftuar dikë për pesë ditë me radhë, a ka dërguar sinjale, apo vetëm ka analizuar ujin?
Këto janë pesë ditë të humbura, të çmuara. Nga njëra anë kemi drejtor spitali që thotë se Ministria ka qenë e informuar, nga ana tjetër shohim se informacioni nuk ka arritur ku duhet — ose dikush nuk ka reaguar me kohë. Padyshim, dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, shtoi Trajanovski.
Nënkryetari i LSDM-së theksoi se qytetarët e Gostivarit meritojnë përgjigje të plota dhe transparencë nga institucionet.
“Qytetarët e Gostivarit meritojnë përgjigje. Në një situatë të tillë, dikush duhet të dalë çdo ditë para publikut, të mbajë konferenca për shtyp, të qetësojë popullatën dhe të japë informacione të qarta për zhvillimin e situatës”, tha Trajanovski.
Ai bëri krahasim me mënyrën e komunikimit gjatë krizës së COVID‑19, kur kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, dhe me mënyrën se si komunikon pushteti aktual.
“Venko Filipçe, nëse kujtoheni, gjatë krizës së COVID‑19 dilte çdo ditë para publikut dhe jepte udhëzime për menaxhimin e një krize globale shëndetësore. Pushteti i sotëm nuk arrin të menaxhojë as krizën në Gostivar”, përfundoi Trajanovski.
Shkolla të shumta në tre shtete amerikane së shpejti do të kenë togat e tyre të vërteta të dronëve me spërkatje me piper për të ndjekur personat aktivë që ngrenë armë, raporton The Washington Post, të cilët presin të hidhen në veprim në momentin që thirren.
Duke udhëtuar me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë dhe të aftë të përplasin dritaret, të ashtuquajturit "Engjëj Mbrojtës të Kampusit" mund të arrijnë një person të armatosur brenda vetëm pesëmbëdhjetë sekondave, pretendon prodhuesi Mithril Defense.
Përveç goditjes me sprej me piper, ata gjithashtu mund ta shpërqendrojnë atë me sirena të forta dhe drita që ndizen, dhe madje t'i përplasin me shpejtësi të lartë, transmeton Telegrafi.
"Sapo të të kapin dronët, thjesht nuk mund t'u shpëtosh dot", tha për WaPo, Bill King, bashkëthemelues i Mithril dhe Navy SEAL në pension.
Mbetet një zgjidhje e skajshme, por duket se po merr vrull. Shteti i Floridës vitin e kaluar ndau më shumë se 557,000 dollarë për një program pilot për të vendosur dronët në tre shkolla të mesme të ndryshme.
Xhorxhia kohët e fundit miratoi programin e saj pilot prej 500,000 dollarësh për të testuar sistemin e Mithril në pesë shkolla publike. Dhe në Kolorado, një shkollë e re publike charter K-12 vendosi se do të paguante për të përdorur dronët vetë.
Dronët nuk janë autonomë dhe në vend të kësaj kontrollohen nga distanca nga operatorë njerëzorë në selinë e Mithril në Austin, Teksas.
Diku midis 30 dhe 90 dronë do të vendosen në të gjithë shkollën në kuti ruajtjeje, gjë që i ndihmon ata të arrijnë shpejt në vendngjarje.
Mithril ka premtuar se teknologjia e saj mund të ndihmojë zbatimin e ligjit lokal që i përgjigjet një të shtëne duke gjetur autorin e të shtënave dhe duke transmetuar informacion kritik, por kjo do të kërkonte një shkallë të lartë koordinimi në një mjedis kaotik dhe të rrezikshëm.
Po sikur operatorët e dronëve të synojnë personin e gabuar, ose të bëjnë që forcat e rendit të ngatërrojnë një person të pafajshëm me autorin e vrasjes, sepse dronët ndodhen pranë tyre? A janë të gatshëm këta operatorë dronësh të marrin vendime të menjëhershme në një situatë jetë a vdekje për njerëzit në terren?
"Është pothuajse si kur lojërat dhe siguria në shkollë përplasen. Kam disa rezerva vërtet serioze në lidhje me vendosjen e dronëve në shkolla", tha Curtis Lavarello, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Avokimit për Sigurinë në Shkolla, për WaPo.
Nuk është e vetmja zgjidhje e ndikuar nga teknologjia që po miratohet për të luftuar të shtënat masive. Tashmë ka shumë startup-e që ofrojnë sisteme zbulimi armësh të mundësuara nga inteligjenca artificiale, por performanca e tyre ka qenë e dyshimtë.
Një e quajtur Omnilert thirri policinë për një 16-vjeçar të pafajshëm pasi ngatërroi çantën e tij me çipa Dorito me një armë dhe po paditet nga një i mbijetuar i të shtënave në një shkollë të mesme në Tenesi pasi nuk arriti të zbulonte pistoletën e përdorur nga autori i vrasjes. /Telegrafi/
Këngëtarja Shania Twain foli për menopauzën dhe kritikat për pamjen e saj në një intervistë për People, duke thënë se ka mësuar të pranojë ndryshimet e trupit të saj dhe të vendosë mirëqenien e saj në vend të parë.
Twain tha se menopauza ishte një faktor që kontribuoi në incidentin e vitit 2019, kur ajo u lëndua gjatë një shfaqjeje në Las Vegas dhe u desh të nxirrej nga skena.
Ajo deklaroi se më pas këputi dy muskuj në kofshë dhe problemi u përkeqësua më tej nga dehidratimi, marrja e pamjaftueshme e ujit, proteinave dhe kripës dhe mungesa e përshtatjes me klimën në Nevada.
Ajo kujtoi gjithashtu një periudhë kur e kishte të vështirë të përballonte ndryshimet fizike. Ajo thotë se nga një grua e re që ishte e kënaqur me pamjen e saj, kaloi në një fazë ku nuk shihte më atë që i pëlqente në pasqyrë. Sot, ajo e sheh ndryshe dhe thotë se shëndeti i saj është përparësia e saj.
"Mirëqenia vjen gjithmonë e para," tha ajo.
Këngëtarja thekson se nuk ka më nevojë të kthehet te idealet e viteve të saj të rinisë.
"Nuk po përpiqem të jem 30 vjeç. Nuk po përpiqem të jem 25 vjeç dhe nuk do të jem kurrë më. I inkurajoj të gjithë: Shijojeni veten ashtu siç jeni tani dhe duajeni atë", tha Twain.
Duke folur për plakjen, ajo tha se kalon nëpër secilën fazë duke u përshtatur me të. Si shembull, ajo veçoi tenisin, të cilin nuk mund ta luajë më si më parë, kështu që ndryshoi mënyrën e të luajturit për të lehtësuar ngarkesën në trupin e saj.
Ajo tha gjithashtu se komentet negative për pamjen e saj nuk e ndikojnë më: "Trupi im nuk është diçka për të cilën duhet të turpërohem. Me kohën dhe pjekurinë vjen ajo guxim". /Telegrafi/
Mercedes-Benz e ka përditësuar plotësisht GLA-në për vitin 2028. Crossover-i kompakt i nivelit fillestar i prodhuesit të automjeteve krenohet me më shumë sesa thjesht një dizajn të ri; ai gjithashtu paraqet disa ndryshime rrënjësore brenda dhe nën kapakun e motorit.
Mercedes do ta ofrojë GLA-në në dy versione, elektrike dhe hibride, me dy variante elektrike në dispozicion. GLA 250+ elektrike prodhon 268 kuaj fuqi, ndërsa GLA 350 4Matic Electric prodhon 349 kuaj fuqi. GLA më e nxehtë mund të arrijë 60 milje në orë në 5.3 sekonda.
Prodhuesi i automjeteve thotë se EV ka një autonomi deri në 657 kilometra, por kjo është me WLTP evropiane, e cila është shumë më tolerante. EV do të përdorë një bateri nikel-magnez-kobalt me një kapacitet të përdorshëm prej 85.0 kilovat-orë, transmeton Telegrafi.
Hibridi do të mbështetet në një motor me katër cilindra 1.5 litra me turbo të zhvilluar rishtazi. Do të ketë një motor elektrik të integruar në transmisionin e ri të elektrizuar me tetë shpejtësi me dy tufë. Mercedes nuk i zbulon shifrat e fuqisë dhe çift rrotullues të hibridit, por prodhuesi i automjeteve thotë se do të jetë i disponueshëm në dy dalje.
GLA e re 2028 është më e madhe se paraardhësi i saj. Baza e rrotave është 2.4 inç më e gjatë, duke u rritur në 109.8 inç në përgjithësi. Crossover-i gjithashtu është 0.8 inç më i ulët dhe ka një shinë të pasme 1.2 inç më të gjerë.
Baza e rrotave më e gjatë përkthehet në më shumë hapësirë për këmbët. Pasagjerët në ulëset e përparme shijojnë 0.3 inç shtesë, por janë pasagjerët e pasmë ata që përfitojnë vërtet, me 1.5 inç hapësirë shtesë për këmbët.
Dimensionet e reja përkojnë me një dizajn krejtësisht të ri të jashtëm. GLA Electric do të ketë dizajnin e ri të grilës së markës, e cila ka një kornizë kromi dhe një kornizë të ndriçuar. GLA hibride vjen me grilën yll.
Crossover-i ka fletë metalike të re, fenerë të ripërtërirë dhe një dizajn të ri të dritave të pasme që thekson gjerësinë e GLA-së. Është i disponueshëm me rrota 18 deri në 20 inç. Opsione si AMG Line dhe Night Edition përmirësojnë pamjen me zbukurime, rrota dhe detaje të brendshme unike.
Mercedes thotë se GLA e re do të fillojë të mbërrijë te shitësit në Shtetet e Bashkuara në gjysmën e dytë të vitit 2027 si model i vitit 2028.
Prodhuesi i automjeteve nuk ka dhënë informacion mbi çmimet. Ne presim që kjo të jetë më afër datës së shitjes së crossover-it vitin e ardhshëm. GLA 250 me benzinë e vitit 2026 fillon nga 42,850 dollarë, që përfshin tarifën e destinacionit. Ne presim që GLA e re të fillojë rreth mesit të 40,000 dollarëve. /Telegrafi/
Thuhet se Samsung po punon në një palë kufje Galaxy Buds me një faktor të ri forme me kapëse (e re për Samsung - kjo është bërë shumë nga shumica e konkurrentëve të saj kohët e fundit).
Dikur dëgjuam se do të quheshin Galaxy Buds Able, por ndërkohë ka qarkulluar edhe emri Galaxy Buds On, me "Able" që supozohet të jetë emri i tyre i koduar, transmeton Telegrafi.
Do t'i quajmë Galaxy Buds On për momentin, dhe sot një rrjedhje e re na tregon se si duken, falë disa ilustrimeve që thuhet se vijnë nga një aplikacion i paidentifikuar i Samsung.
Siç mund ta shihni, ato duken si kufje mjaft standarde me kapëse, dhe kjo në një farë mënyre hedh poshtë thashethemet se ato do të përdorin përçueshmëri kockore.
Ndërsa kjo nuk është 100% e pamundur derisa Samsung t'i bëjë këto zyrtare, është shumë më e mundshme që Galaxy Buds On të jenë një palë standarde kufjesh me përçueshmëri ajri me vesh të hapur, ndonjëherë të referuara si kufje Open Wireless Stereo (OWS).
Ata ndoshta përdorin altoparlantë konvencionalë, njësoj si pjesa tjetër e kufjeve me kapëse në treg.
Meqenëse Galaxy Buds On nuk janë zbuluar së bashku me Galaxy Z Fold8, Galaxy Z Fold8 Ultra dhe Galaxy Z Flip8 në fillim të këtij muaji, supozojmë se ato do të shfaqen në eventin e ardhshëm të lansimit të Samsung, ku pritet të njoftohet Galaxy S26 FE, në fillim të shtatorit. /Telegrafi/
Një bibliotekë në Uells mori një vizitë të pazakontë nga një burrë që mbërriti për të kthyer disa libra që gjyshi i tij kishte kontrolluar 116 vjet më parë.
Bibliotekat Conwy thanë në mediat sociale se njeriu, i identifikuar si O'Sullivan, vizitoi bibliotekën Llanrwst kohët e fundit për të kthyer dy libra që gjyshi i tij, Walter Griffith Owen, i kishte huazuar nga ajo që ishte atëherë biblioteka publike Llanrwst dhe dhoma e leximit në 1910.
Postimi thoshte se Owen kishte shërbyer në të dy Luftërat Botërore dhe ishte vendosur në Conwy gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.
“Stafi ynë ishte shumë i emocionuar për të trajtuar librat dhe për të takuar O'Sullivan për një fotografi dhe për t'u përfshirë në historinë e tyre familjare”, thuhet në postim. /Telegrafi/
UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, duke konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë garë të FIFA-s nëse organi qeverisës i futbollit botëror vazhdon me planin për t'u shitur aksione investitorëve privatë.
Në komunikatën zyrtare, UEFA e cilëson propozimin e FIFA-s si të papranueshëm dhe thekson se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi.
“Kupa e Botës nuk është në shitje. Ajo është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit, e ndërtuar ndër breza nga lojtarët, kombëtaret dhe tifozët në të gjitha kontinentet. Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë”, thuhet në deklaratë.
UEFA kritikon ashpër mënyrën se si FIFA e ka paraqitur këtë projekt, duke pretenduar se ai është hartuar në fshehtësi dhe është çuar pranë miratimit pa asnjë konsultim domethënës me federatat që drejtojnë futbollin.
Sipas organizmit evropian, federatave u është paraqitur një ultimatum: ose ta pranojnë privatizimin e garave më të rëndësishme të futbollit, ose të përballen me pasojat. UEFA e konsideron këtë jo një proces demokratik, por një formë presioni dhe intimidimi.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se hyrja e investitorëve privatë në pronësinë e garave të FIFA-s do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si qeveriset futbolli, pasi vendimet për kalendarin, formatin e garave dhe të ardhmen e sportit do të ndikoheshin nga interesat financiare të aksionarëve dhe jo nga interesi i vetë futbollit.
“Futbolli nuk mund ta hipotekojë të ardhmen e tij për përfitime financiare. Askush nuk ka autoritet moral të shesë diçka që e mban vetëm në besim për brezat e ardhshëm”, vijon komunikata.
Si rezultat i vendimit të marrë, UEFA njoftoi se asnjë kombëtare evropiane nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj, Kupën e Botës për femra dhe Kupën e Botës për Klube, për sa kohë që ky projekt mbetet në fuqi. Bojkoti do të hiqet vetëm nëse FIFA tërhiqet plotësisht nga propozimi dhe jep garanci të detyrueshme se nuk do të hapë më kurrë pronësinë apo qeverisjen e garave të saj për investitorët privatë.
Në fund të deklaratës, UEFA dërgon një mesazh të prerë ndaj FIFA-s, duke theksuar se Kupa e Botës i përket futbollit.
“Ka momente kur institucionet gjykohen jo nga ajo që janë të gatshme të pranojnë, por nga ajo që refuzojnë të komprometojnë. Ky është një prej atyre momenteve. Disa gjëra janë thjesht shumë të rëndësishme për t'u shitur. Kupa e Botës i përket futbollit. Gjithmonë ka qenë dhe, për sa kohë Evropa ka zë, nuk do të jetë kurrë në shitje”, thuhet në fund. /Telegrafi/