Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Lista Serbe gjobitet me 30 mijë euro nga PZAP



Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, kundër subjektit politik Lista Serbe, me seli në veri të Mitrovicës.

Kjo ankesë lidhej me shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në vendimin e datës 24 dhjetor 2025, PZAP pranoi ankesën e subjektit Kosovski Savez dhe konstatoi se subjekti Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe detyrimet e tyre ndaj kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.

Për këtë arsye, Lista Serbe është gjobitur me 30,000 euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.

Ky vendim vjen pas një ankese të dorëzuar më 23 dhjetor 2025, ku subjekti Kosovski Savez pretendonte se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, duke shkelur rregullat e fushatës zgjedhore.

Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa thekson rëndësinë e respektimit të Kodit të Mirësjelljes për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. /Telegrafi/

Trump: Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, Zoti e bekoftë Amerikën



Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i uroi të gjithëve Krishtlindjet në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

"Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim", tha presidenti republikan në Truth Social, përpara se të rendiste ato që ai i konsideron sukseset e mandatit të tij.

“Nuk kemi më kufij të hapur, burra në sportet e grave, apo zbatim të dobët të ligjit. Ajo që kemi është një treg aksionesh rekord dhe shifrat më të ulëta të krimit në dekada, asnjë inflacion, dhe një GDP prej 4.3, dy pikë më mirë se sa pritej”, shton ai.

“Tarifat na kanë dhënë triliona dollarë dhe prosperitet, dhe sigurinë kombëtare më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi të respektuar përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!! Presidenti DJT”, përfundoi Trump postimin.



Ekonomia, tensionet sociale dhe madje edhe konfliktet ndërkombëtare - Donald Trump fajëson rregullisht Partinë Demokratike, dhe veçanërisht ish-presidentin Joe Biden, për vështirësitë me të cilat përballen SHBA dhe bota.

Në kategorinë e "të majtës radikale", me stilin e tij të ashpër, ai përfshin të gjithë demokratët dhe kundërshtarët politikë, madje edhe ata që konsiderohen të moderuar ose të qendrës.

Donald Trump po i kalon pushimet e Krishtlindjeve në Mar-a-Lago, në rezidencën e tij në Florida. /Telegrafi/

Me fjalin hyrëse të të akuzuarit Aleksandar Nacev vazhdon gjykimi për rastin "Pulse"



Gjykimi për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçan vazhdon sot në gjykatën e Idrizovës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Për seancën e sotme janë caktuar fjalë hyrëse nga mbrojtja e Aleksandar Nacev, i cili, sipas Prokurorisë, ka vepruar si pronar joformal, ose real, i agjencisë së sigurimit "Rubikon", kompanisë përgjegjëse për sigurinë e klubit, si dhe mbrojtja e të akuzuarve të personave juridik të "MMMM CAFE" DOOEL Koçani dhe "RUBICON SECURITY SOLUTIONS".

Më parë, në fjalën e tij hyrëse, prokurori Borçe Janev theksoi se gjyqi është një hap drejt vendosjes së përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën, kush lejoi, kush heshti dhe kush nuk e parandaloi tragjedinë në “Pulse”.

Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm kush e ndezi zjarrin, por edhe kush pati mundësinë ta parandalonte atë, duke theksuar se tragjedia nuk është vetëm rezultat i piroteknikës, por edhe i dështimeve të gjata sistemike, heshtjes institucionale dhe mungesës së kontrollit që e shndërruan diskon në një “kurth vdekjeprurës”. Janev theksoi se drejtësia kërkohet, jo si hakmarrje, por si pasojë e paligjshmërisë dhe detyrës së lënë pas dore./Telegrafi/

MPJ e Maqedonisë: Kemi refuzuar ndihmën bullgare për mazut, gjendja në vend është e qëndrueshme



Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme konfirmoi se Bullgaria i ka ofruar Maqedonisë ndihmë me mazut për të kapërcyer situatën e krizës me këtë burim energjie që për të cilën qeveria e RMV-së shpalli gjendje krize.

Për shkak të protestave të fermerëve grekë, Maqedonia po has probleme me importimin e sasive të nevojshme të naftës për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-in e Negotinës, prandaj u aktivizuan rezervat shtetërore të naftës me mazut.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se Ministri i Jashtëm Timço Mucunski ka refuzuar ndihmën e ofruar nga Bullgaria.

"Këtë mëngjes, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Georg Georgiev. Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar, duke theksuar se aktualisht nuk ka nevojë për mbështetje shtesë, pasi situata është e qëndrueshme", tha Ministria e Punëve të Jashtme./Telegrafi/

Arrestohet një person në Fushë Kosovë, i konfiskohen mbi 500 gram substanca narkotike



Një person është arrestuar të martën pasdite në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në trup dhe në banesën e të dyshuarit mashkull kosovar, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar 534.6 gram substanca të dyshuara narkotike, të paketuara në qese plastike.

Po ashtu, nga i dyshuari është konfiskuar edhe një telefon celular.

I dyshuari është intervistuar në prani të organeve kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Fury gati të dalë nga pensioni dhe të ndeshet me Joshuan, por vetëm me një kusht



Tyson Fury është gati të hyjë në ring me Anthony Joshuan vitin e ardhshëm, por ndeshja që tifozët e boksit kanë pritur për gati një dekadë do të ndodhë vetëm me një kusht, por vendimtar. Siç e ka konfirmuar promotori i tij, gjithçka varet nga një ofertë financiare.

Ky spektakël i peshave të rënda është organizuar prej vitesh, gjatë të cilit të dy boksierët mbajtën tituj botërorë. Fury u bë kampion i unifikuar me një fitore ndaj Wladimir Klitschko, pas së cilës u tërhoq për disa vite. Ai u rikthye me stil, mori rripin e WBC nga Deontay Wilder dhe e mbrojti atë në një ndeshje epike, vetëm për t'ia dorëzuar përfundimisht Oleksandr Usyk.

Ishte Usyk ai që e rrëzoi nga froni Joshuan në vitin 2021, dhe as Fury dhe as Joshua nuk arritën ta ndryshonin rezultatin në revanshet e tyre kundër mjeshtrit ukrainas.

Fury është pensionuar zyrtarisht që nga janari i vitit 2025, ndërsa Joshua kishte qenë jashtë ringut që nga një nokaut i rëndë kundër Daniel Dubois në shtator të vitit 2024, deri fundjavën e kaluar kur ai e mposhti Jake Paulin në një ndeshje të pabarabartë.

Çmimi luan një rol vendimtar

Duke folur për Sky Sports, promotori i Furyt, Frank Warren, pranoi se "Mbreti Cigan" është i interesuar për meçin, por me një kusht.

“Ajo që do ta motivojë Tysonin është aspekti financiar. Unë besoj se ai mund ta mposhtë 'AJ', vetë Tyson dhe i gjithë ekipi i tij e besojnë këtë. Gjithçka varet nga vlera e ndeshjes. Është një ndeshje e madhe dhe vlen shumë para. Tyson ka çmimin e tij", ka thënë Warren.

Në të njëjtën intervistë, Warren shtoi se ka shumë të ngjarë që ndeshja të zhvillohet në Arabinë Saudite si pjesë e Sezonit të Riadit.

"Paratë do të diktojnë se ku do të zhvillohet ndeshja, është kaq e thjesht. Ata do të shkojnë aty ku janë paratë, janë luftëtarë profesionistë, hyjnë në ring dhe pranojnë grushte për para”, përfundoi promotori i Furyt. /Telegrafi/

Tentim vrasja në Prishtinë - arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari



Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.

Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/

Arnold Schwarzenegger ribashkohet me ish-bashkëshorten Maria Shriver për festa, 14 vjet pas skandalit brutal të tradhtisë



Arnold Schwarzenegger u ribashkua me ish-bashkëshorten e tij Maria Shriver gjatë festave të fundvitit — 14 vjet pas skandalit të ashpër të tradhtisë.

Ylli 78-vjeçar — i cili së fundmi zbuloi të ardhmen e tij në ekskluzivitetin Terminator — u pa duke buzëqeshur me Shriver-in ndërsa u bashkuan me fëmijët e tyre gjatë sezonit festiv.

Kjo vjen pasi ish-çifti u nda në vitin 2011 pas zbulimit të lidhjes së tij me mirëmbajtësen e tyre të shtëpisë Mildred Baena — dhe faktit se kishte bërë një fëmijë jashtëmartesor me të.

Çifti kishte qenë i martuar për 25 vjet përpara se Shriver të bëhej e vetëdijshme për skandalin — dhe megjithëse u ndanë në vitin 2011, divorci i tyre nuk u finalizua zyrtarisht deri 10 vjet më vonë.

Ribashkimi i tyre për festa u dokumentua përmes disa pamjeve të ndara nga vajza e dyshes, Katherine.

Në një imazh, ajo ishte e ulur mes nënës dhe babait të saj, ndërsa ata buzëqeshin drejt kamerës.

Shriver u shfaq elegante me një xhaketë tweed ngjyrë ari, ndërsa ish-bashkëshorti i saj zgjodhi një këmishë dhe xhaketë të zezë për motin e ftohtë.

Prindërit e saj u shfaqën edhe në foto të tjera, ku Shriver shihet duke udhëhequr nipërit dhe mbesat e saj ndërsa ndiqnin një shfaqje Krishtlindjesh.

Tatimi në pronë deri 300%? Nga 1 janari në fuqi ligji që po frikëson bizneset



Nga 1 janari sipas ligjit të ri do të nisë të zbatohet norma progresive e tatimit në pronë. Në bazë të ligjit pritet që pronave komerciale t’u rritet tatimi, siç thuhet, deri 300%. Në këtë situatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, përmend ambientin e rënduar në Kosovës për bizneset.

“Mes shumë sfidave që ka kaluar biznesi, sfidë e rradhës është edhe kjo, ligji i ri për tatimin në pronë që rrezikon bizneseve tu rritet tatimi në pronë deri në 200-300%…”, tha Rafuna për RTV21.

Qeveria në vitin 2024 përmes ligjit për buxhetin kishte prolonguar ligjin e ri për tatimin në pronë për janarin e viti 2026. Arsyetimi i ministrisë për shtyrjen e zbatimit të këtij ligji lidhet mos funksionalizimin e sistemit që bënë përllogaritjet e reja. Ndërkohë, në këtë situatë ish-ministri i financave Haki Shatri përmend sfidat që ka shtyrja e serishme e këtij ligji.

“Këta atë vit e shtynë ligjin përmes ligjit për buxhetin, dihet që atëherë kanë pasur 51% dhe ajo arroganca e numrave edhe ndodhi qysh ndodhi u prolongua. Tash prap përmes ligjit për buxhetin në një nen të veçant kanë vendosë me e shty, por, zvarritja që bënë në mosfromimin e institucioneve dhe shkuarja sërish në zgjedhje rrezikon që bizneset kësti i parë i tatimit në pronë t’i prekë me dyfish apo trefish më shtrenjtë bizneset…”, tha Shatri.

Aktualisht shkalla tatimore për pronat komerciale është 0.17% e vlerës së pronës. Në bazë të shkallës tatimore progresive komunat kanë hapësirë që të tatimojnë një pronë prej 0.10% të vlerës së saj deri në 1%. Në këtë mënyrë nëse vlera e një prone biznesore është 7 milionë euro dhe e njëjta me ligjin aktual ka paguar tatim rreth 12 mijë euro me shkallën tatimore progresive i bie të paguaj tatim mbi 26 mijë euro. Ndërkohë për pronat me vlerë mbi 100 milionë euro, bizneset do të paguajnë tatim minimalisht rreth 600 mijë euro. Në gjithë situatën e krijuar, shqetësimi kryesor për bizneset mbetet mos formimi i institucioneve të cilat do të mund të adresonin sfidën e rradhës që i pret bizneset për këtë çështje.

“Rreziku është që ska institucione dhe ligji do të hyjë në fuqi pa pasur mundësi të ndërrohet…”, tha Kushtrim Ahemti nga dhoma e tregtisë.

Taksa progresive e tatimit në pronë e cila shtrenjton tatimin në pronë për bizneset deri në 200% u tha se ndikon negativisht edhe tek investitorët e huaj për të cilët vlerësohet se Kosova ka nevojë të madhe.

Për shkak të dendësisë së mjegullës, në disa rrugë të Maqedonisë është zvogëluar dukshmëria deri në 50 metra



Lidhja Auto Moto-Moto e Maqedonisë (LAMM), njofton se trafiku në rrugët tjera shtetërore po zhvillohet pa pengesa.

Dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës deri në 40 metra ka në qafat malore Strazhë, deri në 30 metra në Pletvar, Presekë, Gjavato e Mavrovë si dhe deri në 50 metra në Krushevë.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Në pikat kufitare në anën maqedonase, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Ukraina pritet të marrë tre milionë dronë FPV deri në fund të 2025



Forcat e Armatosura të Ukrainës pritet të marrin gjithsej tre milionë dronë FPV deri në fund të vitit 2025, gati 2.5 herë më shumë se vitin e kaluar, ka njoftuar Ministri i Mbrojtjes Denys Shmyhal.

Njoftimi nënvizon përpjekjen e Kievit për të zgjeruar prodhimin vendas të armëve, ndërsa dronët luajnë një rol gjithnjë e më vendimtar në luftën në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

"Roli i sistemeve pa pilot në fushën e betejës po rritet dhe për këtë arsye prodhimi i instrumenteve inovative të luftës është përparësia jonë numër një", tha Shmyhal .

Sipas ministrit, shumica e dronëve të përdorur nga forcat ukrainase prodhohen në vend.

Ai tha gjithashtu se Agjencia e Prokurimit të Mbrojtjes furnizoi ushtrinë me 2.4 milionë dronë FPV në vitin 2025, me shumicën e blerë përmes kontratave të drejtpërdrejta me prodhuesit.

200,000 dronë të tjerë u dorëzuan nëpërmjet sistemit IT të Mbrojtjes DOT-Chain, një platformë digjitale prokurimi e lansuar në fund të korrikut.

Shmyhal tha se Ukraina ka zgjeruar gjithashtu përdorimin e sistemeve robotike tokësore.

Gati 15,000 platforma të tilla iu dorëzuan Forcave të Armatosura në vitin 2025, tre herë më shumë se vitin e kaluar.

Ndryshe, dronët janë bërë thelbësorë për luftën moderne në Ukrainë, me forcat ukrainase dhe ruse që mbështeten në sisteme pa pilot për zbulim, shënjestrim artilerie dhe sulme precize. /Telegrafi/

Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes



Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në dy raste të ndara që lidhen me vepra penale të vjedhjes.

Në rastin e parë, është arrestuar një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor lidhur me një rast të vjedhjes së veturës, i ndodhur më 8 gusht 2025 në Gjermani.

Pas arrestimit, vetura e vjedhur është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin e dytë, është ndaluar një femër kosovare, e cila ishte në kërkim policor për një rast vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 09:30.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/

Moti sot në Maqedoninë e Veriut



Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe me reshje shiu, posaçërisht paradite në pjesët lindore të vendit.

Në male dhe në disa vise më të larta reshjet do të jenë me dëborë. Pasdite reshjet do të ndalojnë.

Do të fryjë dhe erë mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri në 6, ndërsa ajo maksimale prej 3 deri në 9 gradë.

Një futbollist që sheh vetëm me njërin sy është historia e parë e Kupës së Kombeve Afrikane



Kombëtarja e Burkina Fasos arriti një fitore spektakolare kundër Guinesë Ekuatoriale me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë të Grupit E në Kupën e Kombeve Afrikane.

Edhe pse Guinea Ekuatoriale udhëhiqte 1-0 deri në fund të kohës shtesë, Burkina Faso arriti një kthesë të madhe dhe një festë të madhe me gola në minutat e 95-të dhe të 98-të.

Epërsia e Guinesë Ekuatoriale u shënua nga Marvin Anieboh, por Georgi Minoungou barazoi në fund të ndeshjes, dhe Edmond Tapsoba shënoi golin e fitores për Burkina Fason disa minuta më vonë.

Fakti që shënuesi i golit të barazimit, 23-vjeçari Georgi Minoungou, është një futbollist që sheh vetëm me njërin sy, i jep një peshë të veçantë këtij triumfi.

🇧🇫✨ Historia pura de la AFCON.

Georgi Minoungou perdió la visión de su ojo izquierdo tras una grave infección en 2023: los médicos le dijeron que no volvería a jugar al fútbol.

Ayer, en su primer partido en una Copa Africana de Naciones, apareció en el tiempo añadido para… pic.twitter.com/3sheB4Plog
— Pedro Fermín Cano (@pfermincano) December 24, 2025


Në vitin 2022, Minoungou u transferua nga liga e dytë çeke në ekipin rezervë të Seattle Sounders në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas një viti e gjysmë, ai fitoi ngjitjen në ekipin e parë të MLS-së dhe udhëtoi për në Marbella për stërvitje, por ai udhëtim u shndërrua në një makth të përjetshëm. Për shkak të infeksionit, syri i tij i majtë filloi të ënjtet papritur dhe gjendja shpejt u përkeqësua në mënyrë drastike. Pavarësisht një operacioni urgjent, mjekët nuk mundën t’ia shpëtonin shikimin sepse nervat kishin vdekur plotësisht.

Mjekët më pas i thanë se nuk do të ishte më kurrë në gjendje të luante futboll profesional. Megjithatë, Minoungou nuk u dorëzua. Ai i kërkoi klubit ta lejonte të vazhdonte stërvitjen dhe i dha vetes një shans të fundit.

🇧🇫 « C’est un immense plaisir d’aider mon équipe à gagner ! »

La réaction de Georgi Minoungou après la victoire du Burkina Faso contre la Guinée équatoriale 🇧🇫🇬🇶 pic.twitter.com/KZqpTJYapp
— Sport News Africa (@snewsafrica) December 24, 2025


“Nëse jam mirë, vazhdoj. Nëse jo, ndalem”, tha ai në atë kohë.

Ai ishte i mirë dhe më shumë se kaq.

“U stërvita më shumë se kurrë. Nuk mund të shihja më gjithçka, por mund ta ndieja lojën dhe të lexoja situatat. Është e mahnitshme se çfarë mund të bëjë truri. Ndonjëherë as nuk e shoh mbrojtësin, e ndiej dhe reagoj instiktivisht", tha Minoungou në një intervistë.

Talenti dhe shpirti i tij luftarak u shprehën plotësisht në Kampionatin Botëror të Klubeve verën e kaluar, ku ai tërhoqi vëmendjen e publikut të gjerë. Sot ai është anëtar i ekipit kombëtar të Burkina Fasos dhe golashënuesi më i mirë në Kupën e Kombeve Afrikane. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, shi i herëpashershëm dhe borë në Alpe



Ditën e enjte Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës shtrëngata afatshkurtra.

Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Në Alpe dhe në lartësitë 700-800 metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.

Mjegull e dendur përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja-juglindja me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15 m/s. /TC/

Arrestohet një person në Podujevë nën dyshimin për dhunim



Një person është arrestuar të enjten në mbrëmje në Podujevë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Sipas njoftimit të autoriteteve, i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka kryer veprën penale ndaj një viktime kosovare.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar nga organet kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u hetuar nga institucionet përkatëse./Telegrafi/

Vdes aktori që luajti në serialet “Friends” dhe “Seinfeld”



Aktori amerikan Pat Finn, i cili u shfaq në seriale të njohura televizive, përfshirë Friends, Seinfeld dhe The Middle, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare.

Komediani dhe improvizuesi vdiq në shtëpinë e tij në Los Angeles, pasi u trajtua për kancer që nga viti 2022, raportuan mediat amerikane.

"Ai e jetoi jetën e tij në maksimum - me gëzim dhe entuziazëm", tha familja.

Roli i parë televiziv i Finn ishte në The George Wendt Show në vitin 1995, ku ai u shfaq si vëllai i personazhit kryesor. Ai gjithashtu pati një rol të përsëritur në Murphy Brown midis viteve 1995 dhe 1997.

Ai luajti rolin e Joe May në serialin Seinfeld në vitin 1998, duke luajtur rolin e një organizatori feste të njohur për delegimin e detyrave të vështira te mysafirët e tij.

Ai luajti si i ftuar në seriale të njohura në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, duke përfshirë "King of Queens", "Friends", "That '70s Show" dhe "Dr. House".

Finn ishte ndoshta më i njohur për rolin e tij si Bill Norwood në The Middle, i cili u transmetua për tetë sezone midis viteve 2011 dhe 2018.

Karrierat e tij në filma përfshijnë Complicated (2009) dhe Santa's Paws 2: Santa's Puppies (2012).

Përveç roleve të tij në ekran, Finn ishte improvizues dhe dha mësim edhe në Universitetin e Kolorados, ku ishte profesor i asociuar. Ai ishte pjesë e një trupe improvizuese me gjashtë anëtarë të quajtur Beer Shark Minj.

Theu shtatë vetura dhe vodhi gjësende - arrestohet i dyshuari në Fushë Kosovë



Një person është arrestuar nën dyshimin për vjedhje të rëndë, pasi dyshohet se ka thyer disa vetura në parkingun e një objekti në Fushë Kosovë.

Sipas raportit policor, rreth orës 02:45 është raportuar se janë thyer gjithsej shtatë vetura, nga të cilat janë vjedhur gjësende të ndryshme, kryesisht vegla pune.

Njësitë e hetuesisë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, mashkull kosovar, dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar shumica e gjësendeve të raportuara si të vjedhura.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Klubi ukrainas ‘nxehë’ fansat me një foto engimatike të Lindon Emërllahut



Klubi ukrainas, FC Polissya Zhytomyr është gati ta prezantojë si lojtar të ri reprezentuesin e Kosovës, Lindon Emërllahu.

Emërllahu pritet ta vazhdoj karrierën në Superligën e Ukrainës, pasi presidenti i CFR Cluj konfirmoi para disa ditësh shitjen e tij te Polissya Zhytomyr.

Cluji do të përfitojë 1.5 milionë euro si dhe ka 15 për qind në shitjen e radhës, ndërsa Emërllahu pritet të zyrtarizohet shumë shpejt te skuadra e re.

Se zyrtarizimi i ish-yllit të Ballkanit te klubi ukrainas është afër, këtë e tregon një postim i fundit i tyre në rrjetet sociale.

Faqja zyrtare e Polissya Zhytomyr ka publikuar një fotografi enigmatike, por që vërehet se është transferimi i tyre i ri, Emërllahu.


Në postim ata kanë vendosur një bredh, duke paralajmëruar se reprezentuesi i Kosovës do të jetë “dhurata” e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri për tifozë.

Ndryshe, Polissya Zhytomyr e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e tretë me 30 pikë apo pesë ma pak se LNZ dhe Shakhtar që renditen në vendin e parë dhe të dytë. /Telegrafi/

Sot festohet Krishtlindja, Imzot Dodë Gjergji bën thirrje për stabilitet politik dhe paqe



Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë që simbolizon shpresën, paqen dhe dritën.

Edhe në Kosovë, kjo ditë po shënohet me meshë solemne dhe tubime familjare, ku besimtarët shkëmbejnë urime për mirësi, dashuri dhe harmoni.

Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, u mbajt mesha qendrore e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë fjalimit të tij, ai bëri thirrje për paqe, reflektim dhe përgjegjësi shoqërore.

Imzot Dodë Gjergji theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik, duke shtuar se qytetarët duhet të kontribuojnë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e rrugës drejt integrimit evropian, si dhe për ruajtjen e vlerave bazë të shoqërisë.

Ai paralajmëroi se bota po përballet me kriza të thella morale dhe politike, të shoqëruara me urrejtje, padrejtësi dhe konflikte, të cilat po rrezikojnë shpresën e brezave të rinj dhe po dëmtojnë ndërgjegjen politike globale.

“Kjo situatë kërkon që të gjithë të ndjehemi përgjegjës dhe të angazhohemi për paqe, drejtësi dhe dashuri, duke kontribuar secili në rolin e vet qytetar”, ka theksuar Imzot Dodë Gjergji.

Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

❌