Reading view

Pas refuzimit të Rodrit, Real Madridi ka gati tre emra të mëdhenj për mesfushën



Pas dështimit për të afruar Rodrin në “Santiago Bernabeu”, Real Madridi ka kthyer vëmendjen te disa alternativa të tjera për të përforcuar repartin e mesfushës.

Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit e klubit madrilen, me në krye Florentino Perezin dhe trajnerin Jose Mourinho, po analizojnë mundësinë e transferimit të një mesfushori kreativ për sezonin 2026/27.

Megjithatë, 'Los Blancos' kanë vendosur një kusht të qartë para çdo lëvizjeje në afatin kalimtar, fillimisht duhet të largohet njëri mes Aurelien Tchouamenit dhe Eduardo Camavingas. Vetëm pas një largimi të tillë, Real Madridi do të hapë negociatat për një mesfushor të ri.

Emri i parë në listën e klubit spanjoll është Alexis Mac Allister. Mesfushori argjentinas i Liverpoolit shihet si një opsion shumë interesant nga drejtuesit madrilenë. 27-vjeçari raportohet se ka kërkuar largimin nga skuadra angleze, ndërsa Liverpooli ka vendosur një çmim prej rreth 70 milionë eurosh për ta lejuar transferimin e tij.

Alternativa e dytë është Martin Zubimendi. Mesfushori spanjoll i Arsenalit po monitorohet nga afër nga Real Madridi, veçanërisht pas ndryshimeve në skuadrën e Mikel Artetës pas afrimit të Bruno Guimaraes. Për kartonin e Zubimendit, Arsenali kërkon rreth 80 milionë euro.

Opsioni i tretë në listën e Real Madridit është Fabian Ruiz i Paris Saint-Germainit. Mesfushori spanjoll, edhe pse ka rinovuar kontratën me klubin francez, thuhet se po mendon një rikthim në La Liga. PSG do të ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij për një shumë afër 50 milionë eurove, nëse lojtari kërkon zyrtarisht transferimin.

Mourinho ka kërkuar nga drejtuesit e Real Madridit afrimin e një mesfushori me aftësi krijuese, i cili mund të sjellë më shumë kontroll dhe ide në lojën e skuadrës.

Megjithatë, drejtuesit madrilenë nuk kanë ndërmend të nxitojnë. Klubi do të presë fillimisht një largim nga mesfusha përpara se të bëjë ofertë konkrete për njërin prej tre kandidatëve./Telegrafi/

  •  

Befasia e afatit kalimtar: Liverpooli rrëmben yllin e Barcelonës



Liverpooli ka bërë një lëvizje të papritur në afatin kalimtar duke arritur marrëveshje verbale me Barcelonën për transferimin e Ronald Araujos në formë huazimi, raporton eksperti i transferimeve Fabrizio Romano.

Sipas këtij raportimi, marrëveshja është miratuar edhe nga drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, duke i hapur rrugën një prej lëvizjeve më interesante të verës në repartin defensiv.

Mbrojtësi uruguaian prej kohësh ka qenë në monitorimin e Liverpoolit, ndërsa më herët klubi anglez ishte lidhur edhe me një transferim përfundimtar të tij. Te “Të Kuqtë’, Araujo shihet si një përforcim i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, qoftë si partner apo si pasues afatgjatë i Virgil Van Dijk.

Me gjatësi rreth 1.92 metra, Araujo sjell te Liverpooli forcë fizike, dominim në duelet ajrore, karakter lideri dhe eksperiencë të madhe në nivelet më të larta të futbollit, përfshirë La Ligën dhe Ligën e Kampionëve.

🚨🚨💣 EXCLUSIVE: Liverpool agree loan deal to sign Ronald Araujo from Barcelona, HERE WE GO! 🇺🇾

Verbal agreement club to club with Barça now approved by director Deco.

New centre back for #LFC with a surprise bomba. pic.twitter.com/kK4GIifmff
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) August 7, 2026

Një huazim do t’i mundësonte Liverpoolit të forconte mbrojtjen pa bërë një investim të madh financiar menjëherë, ndërsa për Araujon do të ishte një mundësi për të siguruar më shumë minuta në një skuadër të nivelit elitar.

Situata e mbrojtësit uruguaian te Barcelona ka ndryshuar gjatë muajve të fundit. Araujo iu bashkua klubit katalunas në vitin 2018 nga Boston River dhe ka zhvilluar mbi 200 paraqitje me fanellën blaugrana, por konkurrenca për një vend titullari nën drejtimin e Hansi Flickut, së bashku me disa probleme fizike dhe luhatje në formë, kanë ndikuar në statusin e tij në skuadër.

Barcelona më herët ka qenë e hapur për të dëgjuar oferta për mbrojtësin, në kuadër të planifikimit financiar dhe riorganizimit të skuadrës.

Një marrëveshje huazimi do t’i sillte klubit katalunas lehtësim në paga, ndërsa njëkohësisht do t’i lejonte të ruante kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit, i cili ende ka kontratë afatgjatë në ‘Camp Nou’./Telegrafi/

  •  

Flick e telefonoi dhe e bindi: Barcelona avancon për transferimin e sulmuesit gjeorgjian



Barcelona ka nisur të përgatitet për çdo skenar në afatin kalimtar dhe, në rast se nuk arrin ta finalizojë transferimin e Julian Alvarez, klubi katalunas ka gjetur një alternativë të fortë në sulm.

Sipas raportimeve nga Spanja, Georges Mikautadze është emri që ka fituar më shumë peshë në listën e drejtuesve të Barcelonës. Sulmuesi gjeorgjian 25-vjeçar thuhet se ka dhënë miratimin e tij për një kalim të mundshëm te blaugranasit, pas kontakteve direkte me trajnerin Hansi Flick.

Flick raportohet se ka zhvilluar bisedime me Mikautadzen për t’i shpjeguar projektin sportiv të Barcelonës dhe rolin që ai mund të ketë në skuadër. Ky komunikim ka qenë vendimtar që sulmuesi të hapë derën për një transferim në “Camp Nou”.

Barcelona vazhdon ta ketë si prioritet afrimin e Alvarezit, por operacioni për sulmuesin argjentinas konsiderohet shumë i komplikuar. Për këtë arsye, drejtuesit katalunas kanë filluar të avancojnë me një plan alternativ, ku Mikautadze shihet si opsioni kryesor.

Sulmuesi gjeorgjian ka qenë prej kohësh në radarët e Barcelonës dhe përputhet me profilin që kërkon Flick për repartin ofensiv. Ai ka fituar vlerësim të madh në futbollin evropian falë aftësive teknike, lëvizshmërisë në sulm dhe aftësisë për të luajtur në disa pozita të repartit ofensiv.

Megjithatë, transferimi i tij nuk do të ishte i lirë. Barcelona vlerëson se për të nisur negociatat do të duhet të paraqesë një ofertë prej rreth 60 deri në 65 milionë euro.

Kjo shifër është më e ulët sesa ajo që do të kërkohej për Alvarez, por mbetet një investim i rëndësishëm për klubin katalunas, i cili duhet të menaxhojë me kujdes situatën financiare./Telegrafi/

  •  

Mourinho trondit Real Madridin, vendos rregulla të reja dhe ndalon “zakonet e këqija”



Jose Mourinho ka nisur të vendosë filozofinë e tij te Real Madridi, duke sjellë menjëherë një ndryshim të madh në mënyrën e funksionimit të skuadrës.

Sipas Diario AS, trajneri portugez ka identifikuar disa zakone të këqija brenda grupit të lojtarëve dhe ka vendosur t’i japë fund atyre përmes një regjimi më strikt profesional.

Një prej ndryshimeve kryesore lidhet me ushqimin e futbollistëve. Lojtarët nuk do të kenë më liri të plotë për të zgjedhur ushqimet e tyre, pasi një nutricionist i klubit tashmë do të ketë kontroll mbi menutë dhe do të hartojë një plan ushqimor të personalizuar për secilin lojtar.

Mourinho beson se përgatitja fizike dhe kujdesi jashtë fushës janë elemente vendimtare për suksesin, ndaj ka kërkuar një disiplinë më të madhe edhe në aspektin e dietës.

Trajneri portugez ka vendosur gjithashtu masa të forta disiplinore për vonesat në stërvitje. Sipas raportimeve, çdo lojtar që vonohet, edhe vetëm një minutë, do të përballet me një dënim të veçantë: stërvitje individuale në palestër.

Për Mourinhon nuk do të ketë përjashtime, pavarësisht emrit apo statusit të lojtarit në skuadër.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me menaxhimin e dëmtimeve. Futbollistët e lënduar do të duhet ta kryejnë procesin e rikuperimit në qendrën stërvitore të klubit, nën mbikëqyrjen e stafit të Real Madridit, dhe jo të punojnë jashtë ambientit të ekipit me staf të jashtëm.

Këto vendime tregojnë qartë filozofinë e Mourinhos, i cili gjatë gjithë karrierës së tij është njohur për kërkesat e larta, disiplinën dhe kontrollin maksimal mbi detajet.

Trajneri portugez synon të krijojë një ambient më profesional dhe më konkurrues te Real Madridi, duke besuar se rregullat jashtë fushës janë po aq të rëndësishme sa performanca gjatë ndeshjeve./Telegrafi/

  •  

Zyrtare: Marash Kumbulla nis kapitull të ri në karrierë – transferohet te skuadra e La Ligas



Marash Kumbulla ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi është transferuar në formë huazimi te skuadra spanjolle Rayo Vallecano nga Roma.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë do të jetë pjesë e klubit nga Madridi për sezonin 2026/27, ndërsa marrëveshja mes dy klubeve përfshin edhe një opsion blerjeje në fund të edicionit.

Kumbulla largohet nga Roma në kërkim të më shumë hapësirave dhe vazhdimësisë, pasi vitet e fundit ka pasur vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në formacionin e skuadrës italiane.

Reprezentuesi shqiptar sezonin e kaluar ishte i huazuar te Mallorca, por aventura e tij në klubin spanjoll nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi problemet me lëndime ndikuan në minutat dhe ritmin e tij të lojës.

OFICIAL | Marash Kumbulla es nuevo jugador del Rayo Vallecano.

Llega cedido por la @OfficialASRoma hasta final de temporada.

¡Bienvenido, @KumbullaMarash! ⚡️ pic.twitter.com/A21wDpLpw8
— Rayo Vallecano (@RayoVallecano) August 7, 2026

Kjo nuk ishte hera e parë që Kumbulla luante në formë huazimi në Spanjë. Gjatë sezonit 2024/25, mbrojtësi ishte pjesë e Espanyolit, ndërsa më herët ka pasur edhe një periudhë huazimi në Serie A te Sassuolo.

Kumbulla e nisi karrierën profesionale te Hellas Verona, ku u zhvillua si një prej mbrojtësve më premtues në futbollin italian. Paraqitjet e tij të mira i siguruan transferimin te Roma në vitin 2020, ku klubi kryeqytetas investoi për ta afruar si një mbrojtës me potencial të madh.

Tani, te Rayo Vallecano, 26-vjeçari shqiptar do të kërkojë të rikthejë formën e tij më të mirë dhe të fitojë stabilitet në një kampionat që tashmë e njeh mirë./Telegrafi/

  •  

Kayserispor bën goditje të dyfishtë shqiptare, zyrtarizon Florent Hasanin dhe Taulant Seferin



Kayserispor ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato duke zyrtarizuar brenda së njëjtës ditë transferimin e dy futbollistëve shqiptarë, Florent Hasanit dhe Taulant Seferit.

Klubi turk ka njoftuar afrimin e dy sulmuesve, të cilët pritet të forcojnë repartin ofensiv të skuadrës për sezonin e ri në Superligën turke.

Florent Hasani, reprezentues i Kosovës, vjen te Kayserispor pas eksperiencës së fundit me klubin tjetër turk Amed me të cilët në 37 ndeshje realizoi 18 gola dhe pati shatë asistime.

Në të njëjtën kohë, Kayserispor ka siguruar edhe shërbimet e Taulant Seferit, sulmuesit shqiptar që ka shpërthyer sezonin që lamë pas me Bodrumin, duke qenë autor i 16 golave të realizuar dhe shtatë asistimeve.

Me këto dy përforcime, klubi turk ka krijuar një dyshe shqiptare në repartin ofensiv, duke shtuar konkurrencën dhe opsionet për trajnerin.


Afrimi i Hasanit dhe Seferit tregon gjithashtu interesimin e Kayserisporit për tregun shqiptar, ndërsa të dy futbollistët synojnë të lënë gjurmë në futbollin turk dhe të ndihmojnë skuadrën në objektivat e sezonit të ri./Telegrafi/

  •  

Dështon transferimi i Fisnik Asllanit te Leipzig



Transferimi i Fisnik Asllanit te RB Leipzig ka dështuar në momentet e fundit, pavarësisht se marrëveshja mes palëve ishte negociuar dhe konsiderohej praktikisht e përfunduar.

Sipas Sky Sport Deutschland, transferimi është bllokuar për shkak të shqetësimeve mjekësore të evidentuara gjatë procesit të kontrolleve.

Raportohet se Leipzig dhe përfaqësuesit e Asllanit kishin negociuar të gjitha detajet e marrëveshjes. Sulmuesi shqiptar pritej të nënshkruante kontratë afatgjatë me klubin gjerman, e cila do ta mbante atë në Leipzig deri në vitin 2031.

Madje, marrëveshja parashikonte një paketë financiare prej rreth 25 milionë eurosh, por pavarësisht dakordimit për kushtet, transferimi nuk do të realizohet.

❌ Wegen medizinischer Bedenken: Asllani-Deal mit RB Leipzig geplatzt. Alles ausverhandelt. Bis 2031 mit 25 Mio € AK. Jetzt ist der Transfer geplatzt! Asllani wird nicht nach Leipzig wechseln. @SkySportDE pic.twitter.com/ySyJNURKzV
— Philipp Hinze (@philipphinze24) August 7, 2026

Kontrollet mjekësore kanë ndryshuar gjithçka në momentet e fundit, duke bërë që Leipzig të tërhiqet nga operacioni. Si pasojë, Asllani nuk do t’i bashkohet klubit gjerman.

Dështimi i këtij transferimi vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për sulmuesin kosovar, i cili ishte pranë një tjetër hapi të madh në karrierën e tij.

Për momentin, mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i Asllanit dhe nëse klubet e tjera të interesuara do të vazhdojnë garën për firmën e tij pas zhvillimeve të fundit./Telegrafi/

  •  

Rodri i mbyll derën, Barcelona rrezikon të humbasë një tjetër diamant të akademisë



Barcelona dhe mesfushori i ri Tommy Marques kanë zhvilluar bisedime për një largim të mundshëm gjatë kësaj vere, me klubin katalunas që po shqyrton një marrëveshje që do të përfshinte edhe një klauzolë rikthimi, raporton Mundo Deportivo.

19-vjeçari është përballur me një situatë të vështirë pas afrimit të mundshëm të Rodrit, pasi ardhja e mesfushorit të Manchester Cityt pritet të ulë ndjeshëm hapësirat për talentet e rinj në skuadër.

Për këtë arsye, Marques po shqyrton disa oferta për të siguruar më shumë minuta dhe vazhdimësi në zhvillimin e tij.

Një prej klubeve më të interesuara është Manchester City, i cili dëshiron ta transferojë mesfushorin afatgjatë. Plani i klubit anglez është që fillimisht ta huazojë atë te Girona, ku do të kishte mundësi të luante rregullisht dhe të fitonte përvojë në La Liga.

Ndërkohë, Sporting Braga është klubi që po shtyn më shumë për transferimin e tij. Trajneri Carlos Vicens dëshiron ta ribashkojë Marques me ish-bashkëlojtarin e tij, Pau Victor, në kampionatin portugez.

Interes konkret ka shfaqur edhe Borussia Dortmundi, i cili ka marrëdhënie të mira me Barcelonën dhe po monitoron nga afër situatën e talentit katalunas.

Marques debutoi me ekipin e parë të Barcelonës sezonin e kaluar dhe fillimisht shihej si një kandidat për të marrë rolin e Marc Casados në mesfushë. Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe largimi i tij nga ‘Camp Nou’ tashmë duket gjithnjë e më i mundshëm.

Barcelona nuk dëshiron ta humbasë plotësisht kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit dhe një marrëveshje me opsion rikthimi mund të jetë zgjidhja ideale për të dyja palët./Telegrafi/

  •  

Milani kërkon yllin e Argjentinës që bëri bujë në Botëror me veprimet e tij



Milani ka bërë një ofertë për mesfushorin argjentinas Leandro Paredes, i cili aktualisht është pjesë e Boca Juniorsit, raportohet në Argjentinë.

Sipas gazetarit Arevalo Martin, gjatë një transmetimi live në ESPN është bërë e ditur se klubi italian ka kontaktuar Paredesin dhe i ka paraqitur një ofertë për ta bindur të rikthehet në Serie A, pas një viti të kaluar në vendlindjen e tij.

Megjithatë, detajet e ofertës nuk janë bërë publike, pasi nuk dihet ende vlera e mundshme e transferimit, paga që i është ofruar lojtarit apo kohëzgjatja e kontratës.

Paredes u rikthye te Boca Juniors verën e kaluar për një shumë rreth 3 milionë eurosh dhe aktualisht ka kontratë me klubin argjentinas deri në fund të vitit 2028.

Mesfushori 32-vjeçar ka një histori të gjatë në futbollin italian, pasi më herët ka luajtur për Romën, ndërsa një rikthim në Serie A do të ishte një mundësi për të vazhduar karrierën në një kampionat që e njeh shumë mirë.

Megjithatë, nëse Milani dëshiron të afrojë një tjetër mesfushor gjatë këtij afati kalimtar, klubi fillimisht duhet të largojë disa prej lojtarëve aktualë në atë repart.

Sipas Calciomercato.com, drejtuesit e Milanit po punojnë për largimin e Warren Bondos para mbylljes së afatit kalimtar.

Gjithashtu, Yunus Musah nuk pritet të jetë një lojtar kyç në planet e trajnerit Ruben Amorim, ndërsa klubi do të dëgjojë oferta të përshtatshme edhe për lojtarë si Ruben Loftus-Cheek, Youssouf Fofana, Ardon Jashari dhe Samuele Ricci.

Në anën tjetër, Luka Modric, Adrien Rabiot dhe talenti i ri Christian Comotto konsiderohen si lojtarët e mesfushës që praktikisht do të vazhdojnë të jenë pjesë e Milanit edhe në muajin shtator./Telegrafi/

  •  

Dosja sekrete e Botërorit del në dritë: Kërcënime për vrasje ndaj Ronaldos dhe Messit



Një dosje e sigurisë së policisë amerikane ka zbuluar përmasat e kërcënimeve që kanë shoqëruar Kupën e Botës, duke nxjerrë në pah një realitet shqetësues pas spektaklit më të madh të futbollit botëror.

Sipas dokumenteve të raportuara nga The Sun, bazuar në informacionet e publikuara nga Informacion.es, gjatë turneut janë regjistruar kërcënime të shumta që kanë prekur jo vetëm kombëtaret dhe lojtarët më të mëdhenj, por edhe gjyqtarët dhe organizatorët.

Në qendër të kërcënimeve ishte kombëtarja e Argjentinës dhe veçanërisht Lionel Messi. Para ndeshjes së Argjentinës ndaj Jordanisë, një person telefonoi aeroportin e Dallasit duke kërcënuar se do të hynte në stadium së bashku me dy persona të tjerë të armatosur. Ai pretendonte se do të sulmonte policinë dhe lojtarët e të dyja skuadrave, duke përmendur edhe Messin si objektiv.

Një situatë e ngjashme u përsërit para përballjes së Argjentinës me Egjiptin. Një person kishte shkruar në rrjetin social “X” se do të hynte në stadiumin e Atlantës dhe do të kryente një sulm duke përdorur mjete shpërthyese, me synim sulmin ndaj kapitenit argjentinas.

Gjatë të njëjtës ndeshje, policia mori edhe një alarm tjetër për pretendimin se në tribunat e stadiumit ishin vendosur mjete shpërthyese. Menjëherë u aktivizuan ekipet kundër eksplozivëve dhe qentë e specializuar për kontroll.

Por kërcënimet nuk prekën vetëm Messin. Edhe Cristiano Ronaldo u përfshi në raportet e sigurisë. Një punonjës i FIFA-s raportoi për një person të dyshimtë që kishte kërkuar informacione rreth vendndodhjes së yllit portugez, ndërsa një tifoz kishte hyrë në hotelin e Ronaldos dhe kishte tentuar t’i afrohej në ashensor. Personi u ndalua nga policia dhe pretendoi se dëshironte vetëm një fotografi.

Edhe gjyqtarët u përballën me presion ekstrem. Gjyqtari francez Francois Letexier mori më shumë se 6000 mesazhe kërcënuese në WhatsApp pas vendimeve të tij në ndeshjen Argjentinë – Egjipt, ndërsa gjyqtari i VAR-it, Willy Delajod, u kërcënua me jetë nga tifozë të zemëruar egjiptianë.

Në shënjestër përfunduan edhe futbollistët që gabuan në momente vendimtare. Sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth dhe bashkëshortja e tij morën kërcënime pasi ai nuk ia pasoi topin Erling Haalandit në çerekfinalen ndaj Anglisë. Një situatë e ngjashme ndodhi me kolumbianin Jaminton Campaz pas një penalltie të humbur.

Këto raste rikthyen kujtimet e errëta të vitit 1994, kur mbrojtësi kolumbian Andres Escobar u vra pas autogolit të shënuar në Kupën e Botës.

Përveç kërcënimeve direkte, pati edhe incidente të tjera. Në Paraguaj, disa tifozë dogjën një figurë me emrin e Kylian Mbappes pas humbjes ndaj Francës, ndërsa ylli francez u përball edhe me thirrje raciste.

Edhe kombëtarja e Koresë së Jugut mori mbrojtje të shtuar pas eliminimit nga faza e grupeve, ndërsa trajneri Hong Myung-bo u bë objekt i zemërimit publik dhe policia nisi hetime rreth mënyrës së emërimit të tij.

Një alarm tjetër u regjistrua te kampi i Anglisë, ku qendra mediatike pësoi një shkelje sigurie pasi një person hyri me një çelës metalik duke bërtitur. Pas këtij incidenti, zona u shndërrua në një prej hapësirave më të sigurta të turneut, me disa rrethe sigurie, barriera betoni, masa kundër dronëve dhe mbrojtje të armatosur.

Sipas raportimeve, ky Botëror konsiderohet si një prej edicioneve më të fortifikuara në histori, ku pas spektaklit në fushë fshihej një operacion masiv sigurie për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe zyrtarët./Telegrafi/

  •  

Ronaldo akuzohet për arrogancë, por ish-bashkëlojtari i tij del me deklaratën e fortë



Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Manchester Unitedit, Javier “Chicharito” Hernandez, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos, duke insistuar se ylli portugez nuk duhet të konsiderohet si një futbollist arrogant.

Duke folur për ish-bashkëlojtarin e tij, me të cilin ka ndarë dhomën e zhveshjes te Manchester United, Hernandez ka lavdëruar karakterin, profesionalizmin dhe mentalitetin fitues të Ronaldos, duke theksuar se vetëbesimi i tij shpesh është keqinterpretuar.

“Nuk e kam menduar kurrë se Cristiano ishte arrogant. Ai është një person i jashtëzakonshëm, shumë njerëzor dhe shumë modest”.

“Ai gjithmonë ka shkuar kundër rrymës dhe ishte i gatshëm të luftonte për ata që ishin më të dobët”, deklaroi Chicharito.

Ish-reprezentuesi meksikan shtoi se Ronaldo e ka fituar të drejtën për të folur me shumë besim për arritjet e tij, pasi gjithmonë i ka mbështetur fjalët me paraqitje në fushë.

“Nëse thua se je më i miri dhe e dëshmon këtë, kjo nuk është arrogancë. Arroganca është kur pretendon diçka që nuk është e vërtetë. Nëse nuk e vlerëson veten dhe nuk flet mirë për veten, kush do ta bëjë këtë?”, shtoi ai.

Ronaldo gjatë gjithë karrierës së tij është kritikuar shpesh për vetëbesimin e lartë dhe deklaratat e tij për veten, por mbështetësit e tij argumentojnë se ky mentalitet ka qenë një prej arsyeve kryesore që e ka ndihmuar të arrijë nivele historike./Telegrafi/

  •  

Super talenti i Barcelonës pranë largimit, “fajtori” është Lamine Yamal



Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është takuar të premten me agjentin e Roony Bardghjit, Christian Emile, për të finalizuar largimin e sulmuesit anësor suedez, raporton Diario SPORT.

Bardghji pritet të largohet nga ‘Camp Nou’ në kërkim të më shumë hapësirave dhe minutave, pasi në krahun e djathtë të sulmit përballet me konkurrencën e fortë të Lamine Yamalit, i cili aktualisht konsiderohet titullar i padiskutueshëm në skuadrën e Hansi Flickut.

Pavarësisht se nuk ka pasur shumë mundësi për të luajtur në ndeshje zyrtare, 20-vjeçari suedez ka lënë përshtypje të mira te stafi teknik i Barcelonës falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tij në stërvitje.

Barcelona nuk dëshiron ta humbasë plotësisht kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit dhe preferon një transferim përfundimtar, por duke përfshirë një përqindje nga një shitje e ardhshme.

Në këtë mënyrë, klubi katalunas do të mund të përfitojë financiarisht nga zhvillimi i tij në vitet e ardhshme.

Për shërbimet e Bardghjit ka interes nga disa klube evropiane, ndërsa një prej destinacioneve të mundshme është Sporting Lisbona, që po e monitoron situatën e reprezentuesit suedez.

Barcelona e transferoi Bardghjin për vetëm 2.5 milionë euro, ndërsa tani shpreson që largimi i tij të sjellë një fitim të konsiderueshëm financiar.

Suedezi konsiderohet një lojtar me potencial të madh, por konkurrenca e jashtëzakonshme në repartin ofensiv të Barcelonës ka bërë që klubi dhe lojtari të shohin një largim si zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e karrierës së tij./Telegrafi/

  •  

“Shqipe, shqipe”, ylli i Juventusit i drejtohet në gjuhën shqipe Edon Zhegrovës



Në një ndeshje miqësore të luajtur në Hong Kong të mërkurën, lojtarët e Juventusit mposhtën Chelsean anglez me rezultatin 1-0.

Momenti vendimtar në ndeshje ndodhi në minutën e 68-të kur Kenan Yildiz pasoi në mënyrë brilante te Edon Zhegrova, dhe lojtari i kombëtares së Kosovës goditi cepin e kundërt të portës së kundërshtarit me një gjuajtje mjeshtërore me të majtën për t'i dhënë fitoren ‘Zonjës së Vjetër’.

Gjatë festimit, Alajbegovic bërtiti "Shqipe, shqipe" duke duartrokitur yllin kosovar për golin e realizuar.

Alajbegovic, i cili është bashkuar me Juventusin në këtë turne, nuk hyri në lojë dhe e ndoqi këtë duel nga tribunat.

Zhegrova a fazer relembrar os seus melhores tempos. ☄️🎯 pic.twitter.com/sI3KmEmCPd
— Futeb⚽l T⚽tal (@Futeb0lT0tal) August 7, 2026

Ai u bashkua vetëm së fundmi me gjigantët e Torinos, kështu që stafi i trajnerëve i udhëhequr nga Spalletti vendosi të mos ia linte asgjë rastësisë.

Në vend që të hynin në ritmin garues pa përgatitjen e duhur, Alajbegovic dhe Kolo Muani aktualisht po stërviten veçmas dhe po bëjnë një program të dedikuar individual të fitnesit./Telegrafi/

  •  

Për herë të parë në histori, Superkupa e Spanjës do të zhvillohet në Turqi



Superkupa e Spanjës do të zhvillohet për herë të parë në historinë e saj në Turqi, me qytetin e Stambollit që është zgjedhur si nikoqir i këtij turneu prestigjioz, raporton gazetari Alfredo Martinez.

Pas disa edicioneve të zhvilluara në Arabinë Saudite, kompeticioni do të ketë një destinacion të ri, ndërsa pritet të zhvillohet gjatë javës së parë të shkurtit të vitit 2027, si trofeu i parë që do të vendoset në sezonin e ri të futbollit spanjoll.

Ky edicion pritet të sjellë edhe një përballje shumë të veçantë taktike, pasi do të jetë dueli i parë zyrtar mes José Mourinhos, trajnerit të Real Madridit, dhe Hansi Flickut, strategut të Barcelonës.

Barcelona do të udhëtojë në Stamboll si kampione në fuqi e Superkupës së Spanjës, me synimin për të vazhduar dominimin në këtë garë.

Katalunasit kanë triumfuar në dy edicionet e fundit radhazi dhe kërkojnë një tjetër trofe për koleksionin e tyre.

Formati me katër skuadra do të përfshijë Barcelonën, Atletico Madridin, Real Madridin dhe Real Sociedadin, të cilat do të luftojnë në tokën turke për trofeun e parë të madh të vitit 2027.

Prania e katër prej skuadrave më të forta të futbollit spanjoll pritet të krijojë një atmosferë spektakolare në Stamboll, ndërsa tifozët turq do të kenë mundësinë të shohin nga afër disa prej yjeve më të mëdhenj të La Ligës.

Zhvendosja e Superkupës në Turqi shihet si një hap i ri në strategjinë e Federatës Spanjolle për ta promovuar këtë kompeticion në tregje ndërkombëtare./Telegrafi/

  •  

Real Madridi huazon lojtarin për të cilin pagoi mbi 60 milionë euro për ta transferuar



Real Madridi huazon talentin Franco Mastantuono te Fiorentina, argjentinasi largohet për një sezon

Real Madridi dhe Fiorentina kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen për huazimin e sulmuesit anësor, Franco Mastantuono, te klubi italian për sezonin 2026/27.

Talenti argjentinas 18-vjeçar do të qëndrojë në Firence deri më 30 qershor 2027, përpara se të rikthehet te gjiganti spanjoll, ku ka kontratë afatgjatë.

Mastantuono iu bashkua Real Madridit nga River Plate në gusht të vitit 2025, duke nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare që skadon në vitin 2031.

Franco Mastantuono entra a far parte della nostra Storia💜⚜️ pic.twitter.com/3UlfSNUFa9
— ACF Fiorentina (@acffiorentina) August 7, 2026

Ai mbërriti në Spanjë si një prej talenteve më premtues të futbollit argjentinas, pasi kishte tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij te klubi nga Buenos Aires.

Sezonin e parë me fanellën e “Los Blancos”, Mastantuono pati një rol të rëndësishëm për moshën e tij. Ai zhvilloi 35 paraqitje në të gjitha garat dhe realizoi tre gola.

Në La Liga, argjentinasi luajti 23 ndeshje, prej të cilave 11 si titullar, duke u përshtatur gradualisht me ritmin e futbollit evropian dhe kërkesat e një klubi si Real Madridi.

Huazimi te Fiorentina shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij, pasi do t’i japë mundësinë të fitojë më shumë minuta dhe përvojë në një kampionat të fortë si Serie A.

Klubi madrilen vazhdon ta konsiderojë Mastantuonon si një investim për të ardhmen dhe shpreson që aventura në Itali ta ndihmojë argjentinasin të rikthehet më i pjekur dhe më i gatshëm për të luftuar për një vend në formacionin e parë të Real Madridit./Telegrafi/

  •  

Arsenali dhe Man Utd në luftë të madhe për transferimin e yllit të Interit



Arsenali ka kthyer vëmendjen drejt një objektivi të ri në merkato, pasi ëndrra për transferimin e Vinicius Juniorit u shua pas rinovimit të brazilianit me Real Madridin.

Pavarësisht se ishte lidhur fuqishëm me një kalim te “Topçinjtë”, Vinicius Junior do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit sezonin e ardhshëm, pasi sulmuesi 26-vjeçar ka nënshkruar një kontratë të re gjashtëvjeçare me “Los Blancos”.

Ky zhvillim i dha fund shpresave të trajnerit Mikel Arteta për ta sjellë brazilianin në Londër, por drejtuesit e Arsenalit nuk kanë humbur kohë dhe tashmë kanë identifikuar një tjetër objektiv për repartin ofensiv.

Sipas raportimeve, drejtori sportiv Andrea Berta dhe Arteta kanë dërguar skautë në Perth të Australisë për të monitoruar nga afër një sulmues shumë të kërkuar gjatë fazës përgatitore.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Interit, Pio Esposito, i cili ka tërhequr vëmendjen e Arsenalit dhe Manchester Unitedit.

21-vjeçari italian, i cili përfaqëson kombëtaren e Italisë, ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga skautët e të dy klubeve angleze. Arsenali raportohet se e ka ndjekur progresin e tij prej disa muajsh, pasi kërkon të shtojë konkurrencën për sulmuesit aktualë Viktor Gyokeres dhe Kai Havertz.

Esposito konsiderohet si një lojtar që përputhet me profilin që kërkon Arteta. Italiani është rreth 1.91 metra i gjatë dhe njihet për fuqinë fizike, lojën në ajër, por edhe për punën e madhe pa top.

Manchester United gjithashtu është i interesuar për shërbimet e tij, por “Djajtë e Kuq” nuk duan të nxitojnë me një ofertë, pasi aktiviteti i tyre në afatin kalimtar mund të varet nga largimi i mundshëm i Joshua Zirkzee.

Interi, nga ana tjetër, e konsideron Espositon si një lojtar “të paprekshëm”, por sipas raportimeve, klubi italian mund të tundohet nga një ofertë rreth 84 milionë eurosh.

Sulmuesi nuk pritet të kërkojë largimin me forcë dhe nuk ka ndërmend të dorëzojë kërkesë zyrtare transferimi, por raportohet se ai është i interesuar për një aventurë në Ligën Premier në të ardhmen.

Pavarësisht interesimit nga Anglia, Esposito pritet të rinovojë kontratën me Interin gjatë kësaj vere, një lëvizje që mund ta rrisë edhe më shumë çmimin e tij në treg.

Sezonin e kaluar, italiani shënoi 11 gola në 50 paraqitje, duke e kthyer veten në një prej talentëve më premtues të futbollit italian./Telegrafi/

  •  

Liverpooli bën gati ofertën gjigante për transferimin e Barcolas



Liverpooli dhe Paris Saint-Germain ende nuk kanë arritur një marrëveshje për vlerën e sulmuesit francez Bradley Barcola, raporton gazeta prestigjioze franceze L’Equipe.

Klubi anglez pritet të intensifikojë përpjekjet për transferimin e reprezentuesit të Francës, duke përgatitur një ofertë fillestare prej 115 milionë eurosh për yllin e PSG-së.

Megjithatë, Liverpooli është i vetëdijshëm se kjo ofertë mund të mos jetë e mjaftueshme për kampionët francezë, të cilët nuk kanë ndërmend ta lejojnë largimin e Barcolas për një shumë më të ulët se 150 milionë euro, pa përfshirë bonuset eventuale.

PSG e konsideron 23-vjeçarin si një prej talenteve më të rëndësishme të skuadrës dhe dëshiron ta mbajë në Paris, por situata është komplikuar pasi vetë lojtari ka bërë të qartë dëshirën e tij për një aventurë të re.

Sipas raportimeve, Barcola ka njoftuar drejtuesit e PSG-së se nuk dëshiron ta rinovojë kontratën e tij, e cila skadon pas dy vitesh. Ky vendim ka krijuar presion mbi klubin francez, pasi rrezikon të humbasë kontrollin mbi të ardhmen e tij nëse nuk arrihet një marrëveshje gjatë kësaj vere.

Liverpooli e sheh Barcolan si një përforcim ideal për repartin ofensiv dhe beson se francezi mund të jetë një prej yjeve kryesorë të Ligës Premier në vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, edhe PSG është i interesuar të gjejë një zgjidhje, pasi dëshiron të shmangë një situatë ku lojtari hyn në vitet e fundit të kontratës pa një rinovim të sigurt.

Bisedimet mes dy klubeve raportohet se po zhvillohen në një atmosferë pozitive dhe të dyja palët kanë arsye për të arritur një kompromis./Telegrafi/

  •  

Salah mbetet pa fjalë në Turqi: Kryetari i komunës i bën dhuratën që nuk e priste askush



Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, mbeti i befasuar dhe dukshëm i shokuar pasi mori një dhuratë tejet të pazakontë nga një kryetar komune në Trabzon të Turqisë.

34-vjeçari iu bashkua klubit turk Trabzonspor në fillim të këtij muaji, vetëm disa javë pasi u largua nga Liverpooli si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës së tij me klubin anglez.

Vendimi i Salahut për t’iu bashkuar një skuadre që sezonin e kaluar përfundoi në vendin e tretë në Superligën turke ka befasuar shumëkënd. Megjithatë, aventura e tij në Turqi ka nisur në mënyrë mjaft interesante, pasi një kryetar komune i ka ofruar atij një dhuratë që vështirë se do ta kishte pritur.

Pas ceremonisë së prezantimit si lojtar i Trabzonsporit, Salah shkoi në distriktin Arakli të Trabzonit për t’u takuar me kryetarin e komunës, Huseyin Avni Coskun Çebi. Takimi fillimisht ishte paraparë si pjesë e një xhirimi reklamues.

Por situata mori një kthesë të papritur kur Çebi nisi të fliste për ndryshimet klimatike, pas një bisede rreth Egjiptit, vendlindjes së Salahut.

“Ngrohja globale po kërcënon botën. Në të ardhmen, do të bëhet e vështirë të jetohet në Egjipt gjatë verës. Distrikti ynë do të jetë shumë i banueshëm në ato vite. Ai do të jetë ndër vendet më pak të prekura nga ngrohja globale”, deklaroi Çebi.

Më pas, kryetari i komunës bëri ofertën e pazakontë për yllin egjiptian.

Trabzon's mayor offered Salah a suggestion: Let's give you a beautiful piece of land, and that way we'll have provided you and your kids and grandkids a beautiful spot in the future that won't be affected by global warming.

And Mohamed Salah thanked him.
pic.twitter.com/KwLWn4cOwi
— Salah Updates (@SalahUpdates) August 6, 2026

“Prandaj, le t’ju dhurojmë një copë të bukur tokë këtu. Mund të jetë një vend i mrekullueshëm për fëmijët dhe nipërit tuaj, pa probleme me ujin dhe i paprekur nga ngrohja globale”, shtoi ai.

Salah u fotografua teksa dukej i habitur nga propozimi, ndërsa preku fytyrën në shenjë befasie. Në fund, ai u përgjigj thjesht me “Faleminderit”, teksa i dha dorën kryetarit të komunës.

Pavarësisht se vjen pas një sezoni jo në nivelin e zakonshëm të tij, Salah ka firmosur një kontratë tejet të majme me Trabzonsporin. Sipas raportimeve, egjiptiani do të përfitojë rreth 16.8 milionë euro në vit.

Me transferimin e Salahut, Trabzonspori synon të sfidojë dominimin e dy gjigantëve të futbollit turk, Galatasarayt dhe Fenerbahces, të cilët kanë dominuar dy vendet e para të kampionatit në vitet e fundit./Telegrafi/

  •  

Transferimi i Bruno Guimaraes te Arsenali çështje e kryer – ja kur pritet të bëhet zyrtarizimi



Arsenali pritet të zyrtarizojë të premten transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes nga Newcastle United, raporton AS.

Sipas mediumit spanjoll, marrëveshja tashmë është në fazën përfundimtare, pasi Guimaraes ka kryer me sukses testet mjekësore, ka nënshkruar kontratën dhe madje ka pozuar me fanellën e re të Arsenalit.

Transferimi pritet të jetë një prej goditjeve më të rëndësishme të “Topçinjve” në këtë afat kalimtar. Arsenali ka rënë dakord të paguajë rreth 75 milionë funte për shërbimet e 28-vjeçarit, i cili pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me klubin londinez.

Largimi i tij nga Newcastle është konfirmuar praktikisht edhe nga trajneri i ri i klubit anglez, Matthias Jaissle, i cili zbuloi se vendimi për shitjen e brazilianit ishte marrë para se ai të merrte drejtimin e skuadrës.

“U takova me të shkurtimisht, por vendimi tashmë ishte marrë. Ai është një lojtar fantastik dhe një njeri i mrekullueshëm”, deklaroi Jaissle.

Trajneri i Newcastle gjithashtu paralajmëroi se klubi do të pësojë disa ndryshime në vazhdim, duke lënë të kuptohet se largimi i Guimaraes është pjesë e një riorganizimi më të gjerë të skuadrës.

Braziliani e nisi karrierën evropiane te Lyon, përpara se të transferohej te Newcastle, ndërsa më herët kishte luajtur edhe për Athletico Paranaense në Brazil.

Te Arsenali, Guimaraes mund të marrë fanellën me numrin 39, numër që e ka mbajtur edhe gjatë periudhave të ndryshme te Athletico Paranaense, Lyon dhe Newcastle./Telegrafi/

  •  

“Është një shaka, po na marrin për budallenj”, legjenda e Real Madridit shpërthen për Rodrin



Legjenda e Real Madridit, Fernando Morientes, ka kritikuar ashpër klubin madrilen për mënyrën se si e ka menaxhuar interesimin për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, i cili tashmë është pranë një transferimi te rivali i përbetuar, Barcelona.

Fituesi i Kupës së Botës me Spanjën është një prej objektivave kryesorë të Barcelonës dhe, sipas raportimeve të fundit, katalunasit janë gjithnjë e më afër sigurimit të shërbimeve të tij.

Kjo situatë ka shkaktuar reagime të forta në Madrid, ndërsa një prej tyre ka ardhur nga Morientes, i cili nuk i ka kursyer kritikat ndaj klubit që dikur e përfaqësoi.

“Është një shaka. Ata na marrin për budallenj. Është e qartë se Real Madridi nuk e donte Rodrin. Real Madridi nuk fle në gjumë në situata të tilla. Mund të flesh kur bëhet fjalë për një mbrojtës të djathtë 14-vjeçar, por jo për një lojtar të këtij lloji”, deklaroi Morientes.

Ish-sulmuesi i Real Madridit e ka konsideruar të pajustifikueshme mënyrën se si klubi madrilen po përpiqet t’ia atribuojë vetë Rodrit vendimin për t’iu bashkuar Barcelonës.

“Real Madridi nuk i ka bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme. Tani ia kalojnë përgjegjësinë Rodrit, duke thënë se ai donte të nënshkruante për Barçën për shkak të stilit të lojës. Kjo është një shaka me shije të keqe për ata prej nesh që e njohin futbollin”, shtoi ai.

Morientes kujtoi gjithashtu disa prej transferimeve më të mëdha në historinë e Real Madridit, duke argumentuar se kur klubi madrilen ka qenë vërtet i vendosur për një lojtar të klasit botëror, ka arritur ta sigurojë atë.

“Kur Real Madridi ka shkuar pas një transferimi të këtij lloji, ia ka dalë ta realizojë: Figo, Zidane, Owen, Ronaldo... Askush të mos vijë të më thotë tani se Rodri donte të luante diku tjetër”, përfundoi Morientes.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Barcelona po avancon në përpjekjen për ta transferuar Rodrin, duke e kthyer garën për yllin spanjoll në një tjetër përplasje të madhe mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll./Telegrafi/

  •  
❌