Interneti fiks, numri i abonentëve ka arritur në më shumë se 710 mijë
Numri i abonentëve të internetit me linja fikse u rrit më tej gjatë 3-mujorit të tretë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të muajit shtator 2025 arriti në rreth 710 mijë, në rritje me 2.4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu i internetit nga linjat fikse vazhdon të ndjekë një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke ngushtuar pjesërisht prapambetjen në depërtimin e linjave fikse të komunikimit.
AKEP vlerëson se tashmë linjat e internetit fiks kanë depërtuar në më shumë se 92% të familjeve shqiptare. Sidoqoftë, ky raport duket të jetë tepër optimist për disa arsye. Kjo llogaritje mbështetet në numrin e përgjithshëm të abonentëve, ku përfshihen edhe bizneset. Deri më sot, AKEP nuk ofron statistike të diferencuara për numrin e abonentëve familjare dhe të atyre biznes.
Nga ana tjetër, sipas burimeve nga tregu, disa operatorë kanë tendencën të raportojnë shifra më të larta të abonentëve nga sa kanë në të vërtetë, kryesisht duke mos reflektuar në statistika abonentët që largohen drejt kompanive të tjera. Për këto arsye, depërtimi real i internetit në Shqipëri mund të jetë disi më i ulët nga sa tregojnë statistikat zyrtare.
Megjithatë, tregu në përgjithësi po shfaq rritje dhe konkurrencë të lartë, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh. Operatorët e kanë rinovuar gradualisht infrastrukturën drejt teknologjive më të reja, të fibrës optike, që ka ndikuar në rritjen e shpejtësisë mesatare të lidhjes për përdoruesit.
Sipas të dhënave më të fundit, të vitit 2024, rreth 84% e pajtimtarëve kishin linja me shpejtësi më të madhe se 30 Mbps (megabit për sekondë), nga 69% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps, nga 28% që kishte qenë ky tregues për vitin 2023.
Gjithmonë duke iu referuar shifrave të 2024, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike.
Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të tremujorit të tretë 2025, tregu kryesohej nga One Albania, që raportonte pothuajse 153 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën 21.5% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut. One Albania megjithatë ka pësuar rënie në  numrin e abonentëve, me 1.3% më pak krahasuar me një vit më parë.
Vodafone Albania në fund të tremujorit të tretë raportonte rreth 151 mijë abonentë, në rritje të me 15.2% krahasuar me një vit më parë. Vodafone mban vendin e dytë në tregun e internetit fiks, me afërsisht 21.3% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 8.5% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 6.4%, Digicom, me 5.3% dhe Nisatel, me 4.2%.
Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 33% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
The post Interneti fiks, numri i abonentëve ka arritur në më shumë se 710 mijë appeared first on Revista Monitor.











