Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë foton familjare në Samitin e NATO-s që po mbahet në Ankara.
Kreu i qeverisë shqiptare shfaqet krah presidentit turk Erdogan, ndërsa aty ndodhen edhe liderët e tjerë botëror si Rutte dhe Trump.
Në videon e shpërndarë nga zyra e shtypit të Kryeministrit, shfaqet një moment kur atletet e veshura nga Kryeministri Edi Rama tërheqin vëmendjen e Mark Ruttes, me këtë të fundit që ia tregon menjëherë Presidentit Trump.
Presidenti i SHBA shikoi në drejtim të atleteve të kryeministrit të Shqipërisë dhe nuk pati asnjë reagim.
Samiti u zhvillua me dyer të mbyllura, teksa vetëm fjala hapëse e Erdogan ishte ajo që u transmetua drejtpërdrejt nga mediat.
Humbja e Brazilit ndaj Norvegjisë i dha fund në mënyrë të papritur ëndrrës së miliona tifozëve brazilianë për sukses në Kupën e Botës.
Pas eliminimit, shumë prej lojtarëve të “Seleçaos” reaguan me mesazhe emocionale në rrjetet sociale, por më pas secili prej tyre mori rrugë të ndryshme drejt destinacioneve të veta.
Pas përfundimit të grumbullimit të dielën në mbrëmje, shumica e futbollistëve u larguan individualisht drejt vendeve ku do të kalojnë pushimet. I vetmi lojtar i ekipit që u kthye në Rio de Janeiro me avionin zyrtar të delegacionit ishte mbrojtësi Danilo.
Futbollistët që aktivizohen në klubet evropiane kanë nisur pushimet e tyre më herët nga sa e kishin parashikuar, pas përfundimit të aventurës së Brazilit në turne. Ndërkohë, lojtarët që luajnë në kampionatin brazilian do të kenë rreth një javë pushim përpara se të rikthehen te klubet e tyre dhe të përgatiten për rifillimin e sezonit pas Kupës së Botës.
Vëmendje ka marrë edhe fakti që Danilo ishte i vetmi futbollist që udhëtoi me pjesën tjetër të delegacionit të Brazilit, ku përfshiheshin anëtarë të stafit teknik dhe persona të tjerë të angazhuar në organizimin e kampit stërvitor.
Edhe portieri Leo Nannetti ishte pjesë e udhëtimit, megjithëse nuk ishte përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet. Ai kishte marrë pjesë në të gjitha seancat stërvitore dhe kishte ndjekur programin e përgatitjes së skuadrës gjatë gjithë periudhës së Botërorit.
Kreu i PD, Sali Berisha, i ka përshkruar protestat e udhëhequra nga të rinjtë në Shqipëri si “lëvizjen më të rëndësishme të 35 viteve të fundit”, duke i renditur ato krahas kryengritjes që rrëzoi diktaturën komuniste në vitet 1990.
Në një intervistë për median britanike “Truth Times”, kryedemokrati kërkoi që Kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij “nuk ka legjitimitet” për të qeverisur, të japë dorëheqjen menjëherë në favor të një qeverie kujdestare jopartiake.
Berisha dënoi gjithashtu dhunën policore ndaj demonstruesve, hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaj pas trazirave dhe pretendoi se autoritetet u përpoqën t’i fabrikonin lëvizjes një imazh antisemit. Mesazhi i tij për protestuesit ishte: “Mos u ndalni kurrë!”
Berisha tha se Rama e kishte paraqitur fillimisht projektin si një marrëveshje mes pronarëve privatë të tokës për të zhvilluar pronën e tyre me një investitor privat.
Ai këmbënguli se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar gjatë gjithë kohës: ai dhe Partia Demokratike i mirëpresin investimet e huaja direkte “me kushtin e vetëm që ato të respektojnë ligjin”, një qëndrim që sipas tij e mbajti për herë të parë tre vjet më parë, kur u shpall investimi i Kushner-it, dhe e përsëriti fjalë për fjalë ditën kur nisën protestat. “Ky qëndrim nuk ndryshon“, tha ai.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tjip Erdogan hapi punimet e ditës së dytë të samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara.
Ndër të tjera, Erdogan theksoi mbështetjen e Turqisë për Ukrainën si dhe bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.
“Unë ndaj vizoni e Trump për paqen dhe të theksoj mbështetjen time për nismat e mbështetëse. Në përfitojmë dhe nga kanalet e komunikimit për të drejtuar Rusinë drejt paqes. Unë e vlerësoj shumë qëndrimin e vendosur të mikut tim Trump për të garantuar që kriza e Iranit të përfundojë me një marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për sabotazh. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për të pastruar Hormuzin. Dua ti shpreh falënderimet mbështetjes së NATO-s për raketat që shënjestrojnë Turqinë dhe shtete të tjera që kanë aktivizuar bateri raketash shtesë”, tha Erdogan.
Çmimet e naftës u rritën pasi SHBA-të nisën sulme të reja kundër Iranit në hakmarrje për sulmet e tij ndaj anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosën sanksionet mbi eksportet e naftës.
Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent, indeksi global i referencës, u rritën me 5.8% në 76.2 dollarë për fuçi në orën 01:00 të mëngjesit. Çmimi i papërpunuar WTI, indeksi amerikan i referencës, u rrit me 2.75% në 72.38 dollarë për fuçi.
Tensionet e ripërsëritura nënvizojnë natyrën e brishtë të marrëveshjes paraprake kornizë të arritur nga të dy vendet, të cilat kanë parë shpërthime të armiqësive në mënyrë të përsëritur gjatë disa javëve të fundit.
Në përgjigje të sulmeve të reja amerikane, Irani akuzoi SHBA-në për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit, ndërsa u zotua të jepte një përgjigje shkatërruese.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Ankara, ku po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ka ndarë pamje nga takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Mark Rutte dhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
“Përshëndetja zyrtare e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan”, shkruan Rama, teksa ndan dhe video nga momenti i shtrëngimi të duarve.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në këtë Samit rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë si një aleate aktive dhe e besueshme në NATO, si edhe kontributin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.
Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të mërkurë doli për vrap në rrugët e Ankarasë përpara fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s.
Macron vrapoi në Parkun Segmenler në lagjen Cankaya të qytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe pothuajse të gjitha ambasadat e huaja.
I shoqëruar nga ekipi i tij i sigurisë, Macron përshëndeti kalimtarët gjatë vrapimit. Macron gjatë ditës së sotme është planifikuar të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe pritet të zhvillojë takime dypalëshe përpara se të përfundojë ditën me një konferencë për shtyp.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump këtë të mërkurë kritikoi ashpër Iranin duke i cilësuar si “njerëz të këqij dhe të sëmurë”, ndërsa marrëveshja e tij paraprake me Teheranin duket se po shkon drejt dështimit.
Duke folur në fillim të një samiti të NATO-s në Turqi, Trump e quajti Iranin si “lojtarë të ndyrë” për shënjestrimin e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur armëpushimin.
Komentet e fundit të presidentit amerikan pasuan njoftimin e Gardës Revolucionare Islamike se kishte nisur sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt në përgjigje të sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.
Trump tha se SHBA-të po humbisnin kohë duke folur me Iranin dhe shprehu dëshirën për të bërë punën e tyre në vend që të përpiqeshin të ndiqnin diplomacinë.
“Duhet t’ua heqim qafe kancerin, kancerin e tyre. Dhe e dini çfarë bëni? Duhet ta parandaloni kancerin herët. Dhe kështu ndihem unë”, tha ai.
Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me inspektorët e Qarkut Fier. Në një deklaratë për mediat Sula ka deklaruar se siguria ushqimore në qarkun e Fierit, do të jetë në fokus të punës pasi është një nga qarqet kryesore për prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Sipas tij, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve gjatë sezonit veror, inspektorët e sigurisë ushqimore do të shtojnë kontrollet në stabilimentet e përpunimit të qumështit dhe në subjektet që tregtojnë produkte ushqimore.
Ai theksoi se kontrollet do të jenë më intensive për të garantuar që produktet të përmbushin standardet e sigurisë dhe cilësisë, me synimin që turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë qarkun e Fierit, përfshirë destinacionet si Apolonia, Bylisi dhe Ardenica, të konsumojnë produkte të sigurta dhe cilësore.
Sula pohoi gjithashtu se një vëmëndje e veçantë do ti kushtohet edhe kontrolleve në subjektet ndotëse të naftës dhe kontrollit të pesticideve në hambarin e Shqipërisë si një problematikë e ‘nxehtë’.
Marrëdhënia mes futbollit dhe politikës mbetet një nga ndërveprimet më komplekse dhe dinamike të shoqërisë moderne. Futbolli nuk është thjesht një lojë, por një “laborator” i vërtetë ku testohen dhe reflektohen vlerat tona sociale. Kur ky sport pushon së qeni një argëtim i thjeshtë, ai kthehet në një pasqyrë politike, siç e dëshmon edhe një sondazh sa i pazakontë, aq edhe interesant i realizuar në Greqi.
Kompania e njohur e sondazheve, Interview, ka realizuar një hulumtim të opinionit publik duke u bërë votuesve të partive të ndryshme greke një pyetje të qartë: “Cilën skuadër kombëtare dëshironi të fitojë Kupën e Botës 2026?”
Gjetjet e këtij kërkimi janë prezantuar në televizionin publik ERTnews nga analisti politik i kompanisë, Dhimitris Vasiliadis, dhe zbulojnë preferenca mjaft interesante bazuar në bindjet politike të qytetarëve.
Ndarja e votave: Nga Franca e Mbappé te Spanja e Yamal
Rezultatet tregojnë një korrelacion të qartë mes kahut politik dhe yjeve të futbollit botëror:
Demokracia e Re (Nea Dimokratia – E djathta në pushtet): Votuesit “blu” anojnë dukshëm nga Franca e Kylian Mbappé, me 34.7% e tyre që duan ta shohin këtë kombëtare të ngrinte trofeun. Ndërkohë, 29.5% dëshirojnë që Argjentina e Lionel Messi-t të bëjë “back-to-back” (të mbrojë titullin), dhe 12.6% mbështesin Brazilin.
Partia ELAS (e udhëhequr nga Alexis Tsipras): Tek votuesit e së majtës skenari ndryshon. 35% e tyre janë rreshtuar në krah të Spanjës, e cila udhëhiqet nga talenti i ri Lamine Yamal. Argjentina ndjek në vendin e dytë me 24.4%, e pasuar nga Brazili me 15%.
PASOK (Qendra e majtë): Votuesit e kësaj force politike ndjekin një linjë të ngjashme me të djathtët për kreun, ku 33.8% zgjedhin Francën, por sërish Argjentina mbetet zgjedhja e dytë e fortë me 23.5%.
Ndryshimi i madh tek Komunistët dhe Radikalët
Aty ku peizazhi përmbystet plotësisht është tek partitë e skajeve të spektrit politik:
KKE (Partia Komuniste e Greqisë): Votuesit komunistë refuzojnë “fuqitë e mëdha” tradicionale të këtij Botërori. Një shumicë prej 38.6% e tyre kanë deklaruar se duan të shohin një skuadër krejtësisht tjetër (jashtë dyshes Francë-Argjentinë apo Spanjës) të shpallet kampione.
Kursi i Lirisë (Plefsi Eleftherias – E majta radikale): Këtu vërehet mbështetja më masive për një skuadër të vetme. Një përqindje dërrmuese prej 41.4% e votuesve duan të shohin triumfin e Argjentinës, ndërsa 20.7% mbështesin Spanjën.
Zgjidhja Greke (Elliniki Lisi – E djathta nacionaliste): Ngjashëm me komunistët, edhe votuesit e këtij krahu (35.1%) dëshirojnë që trofeun e shumëlakmuar ta fitojë një kombëtare surprizë, jashtë emrave të mësipërm.
Futbolli: “Opium” apo Kështjellë e vullnetit popullor?
Ky sondazh rihap një debat të vjetër sociologjik në Greqi dhe më gjerë. Pyetja e madhe që mbetet për t’u përgjigjur pas këtyre shifrave është: A është futbolli “opium për popullin”, një mjet shpërqendrimi i përdorur nga pushteti politik për të menaxhuar masat, apo në të vërtetë përfaqëson një kështjellë të fundit ku populli mund të shprehë lirisht dhe në mënyrë metaforike vullnetin e tij të vërtetë politik?
Një gjë është e sigurt: Botërori 2026 po luhet sa në fushën e gjelbër, aq edhe në analizat politike./in.gr-ad
Një histori suksesi vjen nga Shërbimi i Oftalmologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku një pacient 68-vjeçar, i cili ndodhej në gjendje verbërie, ka rifituar shikimin falë një ndërhyrjeje të specializuar të realizuar me sukses nga ekipi mjekësor.
Ndërhyrja u krye nën drejtimin e dr. Ermal Simaku, me angazhimin e një ekipi të specializuar oftalmologësh, duke i rikthyer pacientit një nga shqisat më të rëndësishme dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së tij.
Ky rast është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë profesional të Shërbimit të Oftalmologjisë në QSUT, ku diagnostikimi i hershëm, teknologjia moderne dhe ekspertiza e mjekëve po bëjnë të mundur trajtimin me sukses të patologjive komplekse të syrit.
Nga trajtimi i glaukomës deri te kirurgjia moderne vitreoretinale, investimet në pajisje bashkëkohore dhe përkushtimi i stafit mjekësor po u ofrojnë pacientëve kujdes të avancuar, ndërhyrje të sigurta dhe rezultate gjithnjë e më të mira.
Ky sukses përfaqëson jo vetëm një arritje profesionale për ekipin e QSUT-së, por edhe një mesazh shprese për pacientët që përballen me sëmundje të rënda të shikimit, duke dëshmuar se mjekësia shqiptare vazhdon të avancojë dhe të sjellë histori frymëzuese suksesi./ad
Një tjetër sukses për arsimin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Loris Qose, nxënës i shkollës 9-vjeçare “7 Marsi” në Cërrik, ka fituar medaljen e artë në Finalen e Madhe të International STEM Olympiad, ku morën pjesë përfaqësues nga 56 shtete.
Kjo nuk është arritja e parë e 15-vjeçarit. Më herët, Loris Qose u shpall fitues i vendit të parë në Matematikë dhe i vendit të tretë në Kimi në “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando, SHBA, ku përfaqësoi Shqipërinë dhe u vlerësua me medalje ari në Matematikë dhe medalje bronzi në Kimi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Loris u shpreh se medalja e artë në STEM është rezultat i punës, përkushtimit dhe sakrificës, ndërsa theksoi se është krenar që ngriti sërish flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ai falënderoi mësuesen e tij, Flutura Hoxholli, si edhe të gjithë mbështetësit që e kanë shoqëruar në këtë rrugëtim drejt suksesit./kb
Diva veterane e popit ka shtypur butonin e kthimit pas për të ecur përpara në albumin e saj të ri – dhe nën ritmet e fuqishme fshihen një sërë kujtimesh të ngarkuara emocionalisht.
Recensë për Confessions II – udhëtimi nostalgjik në pistën e kërcimit sjell albumin e saj më jetik në dy dekada
Nga Lucy O’Brien
“Madonna nuk reflekton kurrë, ajo gjithmonë ecën përpara,” më tha në vitin 2005 menaxherja e saj e marrëdhënieve me publikun në Warner, Liz Rosenberg, kur pas disa muajsh frustrues e izoluar për shkak të një aksidenti me kalë, Madonna u rishfaq “si plumb nga pushka” me albumin e lavdishëm të stilit disko Confessions on a Dance Floor, i prodhuar kryesisht krah Stuart Price. Madonna ka qenë gjithmonë militantisht kundër nostalgjisë: rinovimi i vazhdueshëm është vendimtar për identitetin e saj artistik.
Por, mund të thuhet se Confessions ishte – deri javën e kaluar – albumi i saj i fundit i madh. Përpjekja e vazhdueshme për të ecur përpara nuk ka funksionuar gjithmonë për Madonnan; producentët e shumtë dhe zhanret e ndryshme të krijimeve të saj në vitet 2010 rezultuan shpesh të paqëndrueshme dhe konfuze: funku muskuloz i Hard Candy (2008), powerpop-i i ngarkuar i Rebel Heart (2015) dhe Madame X (2019) që shtrihej në të gjithë globin.
Largimi nga Warner Records në vitin 2007 shënoi fillimin e rënies: Madonna kishte nënshkruar kontrata jashtëzakonisht fitimprurëse me Live Nation dhe Interscope, por presioni për të kthyer atë investim solli një element kompromisi në punën e saj dhe përshtatjen me një tjetër risi të popit bashkëkohor: kampet e shkrimit të këngëve dhe produksionet e bëra nga komisione të tëra njerëzish. Në vitin 2015, Madonna u ankua për Rolling Stone duke thënë se po “punonte me njerëz që nuk lëshojnë telefonin nga dora, nuk ndalojnë së bëri tweet-e, nuk mund të përqendrohen dhe të përfundojnë një këngë”.
Rinënshkrimi i kontratës me Warner në vitin 2021 i ka rikthyer asaj lirinë e veprimit, veçanërisht pasi ajo marrëveshje i jep të drejtat globale për të gjithë katalogun e saj të kaluar. Me albumin e sapoformuar Confessions II, Madonna më në fund ndaloi së ndjekuri tendencat dhe i lejoi vetes të bënte atë që e kishte kundërshtuar prej kohësh: të reflektonte mbi të kaluarën e saj, të lundronte në muzikën dance që është në ADN-në e saj dhe të gjente lirinë krijuese duke parë pas.
Confessions II është kulmi i një pune që filloi me një projekt biografik të Universal për jetën e saj (i cili tani është pezulluar) dhe me turneun Celebration Tour (2023/4) – një spektakël prekës që nuk ishte thjesht një përmbledhje triumfuese e hiteve më të mëdha, por më shumë një meditim mbi plakjen, dashurinë dhe humbjen. Një moment kyç ishte performanca e ngadaltë dhe sensualisht e plogësht e Madonnas për Justify My Love, duke i kënduar vetes së saj më të re si në një ëndërr të largët.
Bërja e kësaj pune duket se ka hapur një portë. “Ndiej sikur truri im është i sintonizuar te kujtesa,” tha ajo së fundmi. Ndoshta fakti që ajo pothuajse vdiq në vitin 2023 nga një infeksion i rëndë bakterial e bëri të kuptonte se jo gjithmonë ka një të ardhme drejt së cilës duhet ecur. Ribashkimi me Stuart Price, producentin origjinal të Confessions dhe drejtorin muzikor të turneut të saj Celebration, i ka mundësuar asaj t’i kthejë kujtimet në flori.
Madonna krijon këngët e saj më të mira kur punon kokë më kokë me një producent, duke i lënë emocionet e saj të rrjedhin përmes një procesi që Price e quan “mbajtje ditari dhe mbledhje kujtimesh”.
Ajo e bëri këtë me Pat Leonard në Like a Prayer (1989), me William Orbit në Ray of Light (1998) dhe me Mirwais në Music (2000). Ky eksplorim improvizues është i qartë në Confessions II. Kënga kryesore Danceteria filloi si një sesion i natës vonë, ku Madonna tregonte histori për njerëzit që njihte në skenën e klubeve të Nju Jorkut të fundit të viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, si Basquiat, Keith Haring, dizajnerja Maripol dhe mikja e saj më e mirë Debi Mazar. “Lërma mua këtë,” i tha ajo Price. “Do të shkoj në shtëpi dhe do të mendoj për këtë.” Të nesërmen ajo u kthye në studion e tij në Notting Hill me tre faqe tekste, mori një mikrofon të vjetër të ngjitur me skotç dhe u zhyt në euforinë e plotë të atyre ditëve me fjalë të folura të papërpunuara dhe një kor shpërthyes.
Persona që ajo projekton këtu nuk është e lëmuar apo e përsosur. In një intervistë të fundit me Graham Norton, ajo foli për ndjenjën e të qenit e prapambetur dhe e papërshtatur në atë kohë: “Isha shumë e ngathët, nuk isha ‘cool’. Askush nuk donte të kërcente me mua.” Por duke kërcyer ajo humbi vetëdijen e tepruar dhe përfundimisht gjeti komunitetin dhe fisin e saj. “Pista e kërcimit nuk është thjesht një vend,” thotë ajo në One Step Away, “Është një hapësirë rituale ku lëvizja zëvendëson gjuhën.” Në këngë pas kënge, gjurmët e rrymave Chicago house dhe Detroit techno thonëzohen përmes ritmeve të fuqishme të klubeve të mëdha për të krijuar një ndjesi të muzikës dance si diçka katarktike dhe shëruese.
Ajo që u jep fuqi këtyre hiteve të klubeve është mënyra se si Madonna ndërthur ngarkesën emocionale të kujtimeve specifike dhe të forta. Kënga Bizarre kujton një “yll kinemaje, sy blu të thellë” dhe një makinë Shelby Cobra të viteve 1960 të ngarë shumë shpejt – një referencë për një dhuratë dasme që ajo i bëri Sean Penn. Edhe pse kanë kaluar vite, dhimbja e një martese të prishur ende djeg. “Tani që je larguar ndihem aq bosh,” këndon ajo. Disa kujtime mbeten të qarta dhe të ndritshme, si djaloshi nga Lower East Side me “fytyrën e Marlon Brandos” (LES Girl), ose pakënaqësia që ndien ndaj njerëzës së saj të ndjerë në Betrayal: “Kurrë nuk do ta zësh vendin e nënës sime… më tradhtove, më skllavërove.”
Dhe ndoshta më prekësja nga të gjitha është Fragile, një këngë për vëllanë e saj Christopher, i cili vdiq ndërsa ajo po bënte këtë album. Në vitin 2008, Christopher botoi Life With My Sister Madonna, një libër kujtimesh i ashpër që çoi në vite të tëra largimi mes tyre. Por kur ai po vdiste nga kanceri, ata u pajtuan. Ajo këndon në një pjesë muzikorë mbi gabueshmërinë dhe faljen: “Të shoh tek qëndron aty / Shoh brenda shpirtit tënd dhe ndihem e plotë.” Ndjesia e saj e pranimit të kujton Mer Girl në albumin Ray of Light, ku, në vend që të ikte nga hidhërimi për nënën e saj të vdekur, Madonna u përball me të.
Ka shumë arsye pse veçanërisht artistet femra më të vjetra mund t’i rezistojnë nostalgjisë: sugjerimi se puna juaj më e mirë ka mbetur pas; ideja e të qenit e ngrirë në kohë si vetja juaj më e re. Por turneu Celebration tregoi se gërmimi në të kaluarën nuk duhej të nënkuptonte ripërsëritjen e lavdive të dikurshme; mund të ishte gjithashtu një proces prekës dhe produktiv, i ngjashëm me mënyrën sesi idhulli i saj David Bowie riktheu kohën e tij në Berlinin e viteve 1970 në albumin e vitit 2013, The Next Day. Përballja me pikëllimin dhe humbjen e ka bërë muzikën e Madonnas më të thellë se sa ka qenë në 20 vjet, por edhe më të gjallë: “Unë jam zëri në veshin tënd, që të flet, që të fton,” thotë ajo, në vijën e parë mes jetës dhe vdekjes.
*Lucy O’Brien është autore e biografisë “Madonna: Like an Icon”
Një ndërtesë shumëkatëshe në Manhattan u konsiderua e paqëndrueshme të martën pasi autoritetet përcaktuan se kolonat mbështetëse u përkulën, duke shkaktuar evakuimin e personave dhe ndërtesave aty pranë.
Zyrtarët thanë se gjetën gjithashtu probleme strukturore në katin e 21-të të ish-ndërtesës farmaceutike Pfizer, e cila po shndërrohet në apartamente banimi.
“Dy kolona strukturore u përkulën dhe kishte shumë çarje”, tha departamenti i zjarrfikësve në X.
Punëtorët pritej të fillonin stabilizimin e ndërtesës të martën në mbrëmje. Sipas zyrës së kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, një ekip kaloi nëpër secilin kat dhe nuk zbuloi ndonjë lëvizje shtesë të kolonave mbështetëse, duke u lejuar kontraktorëve në vend të fillonin punimet e riparimit emergjent.
Masat e përkohshme kanë për qëllim stabilizimin e ndërtesës dhe pritet të shtrihen në ditët në vijim, duke ndikuar në një korridor të ngjeshur të qendrës së qytetit pranë Terminalit të famshëm Grand Central, i cili është një qendër për udhëtarët dhe banorët e zonës metropolitane, si dhe për turistët.
Departamenti i zjarrfikësve postoi gjithashtu një foto të një trau të përkulur në llogarinë e saj X.
“Është një situatë shumë serioze sepse trarët kanë filluar të përkulen dhe të devijohen nga pesha”, tha John Esposito, shefi i departamentit të zjarrfikësve.
“Ne evakuuam ndërtesën dhe filluam evakuimet e ndërtesave përreth.”
Dronët e zjarrfikësve janë vendosur në vend për të ofruar “informacion teknik dhe pamje” ndërsa zyrtarët vazhdojnë vlerësimin e ndërtesës./ad
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se armëpushimi i përkohshëm me Iranin ka marrë fund, duke sinjalizuar një përshkallëzim të ri të konfliktit mes dy vendeve. Deklarata u bë gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.
Trump u shpreh se nuk ka më interes të vazhdojë negociatat me Teheranin, duke i cilësuar bisedimet si “humbje kohe” dhe duke sulmuar ashpër udhëheqjen iraniane.
Vendimi vjen pasi negociatat e zhvilluara në Katar për një marrëveshje afatgjatë dështuan të sjellin rezultat. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave ushtarake iraniane dhe kanë revokuar licencën që i lejonte Iranit të eksportonte naftë në kuadër të marrëveshjes së përkohshme. (Reuters)
Tensionet janë rritur edhe më tej pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, për të cilat Uashingtoni fajëson Iranin. Situata ka rikthyer frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe ka ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, me rritje të çmimit të naftës. /kb
Shtetet anëtare të NATO-s janë pranë arritjes së një marrëveshjeje historike për të zgjeruar rrjetin e tubacioneve të karburantit të epokës së Luftës së Ftohtë drejt Evropës Lindore dhe Turqisë. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia prestigjioze mediatike Bloomberg, e cila citon burime të brendshme nga aleanca.
Sipas raportimeve, vendimi zyrtar pritet të shpallet gjatë samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara.
Siguri absolute për furnizimin ushtarak
Projekti madhor parashikon shtrirjen dhe modernizimin e sistemit të tubacioneve që lidh bazat strategjike ushtarake. Qëllimi kryesor është sigurimi i një furnizimi të pandërprerë me karburant për trupat aleate në rast krizash apo konfliktesh të mundshme në shkallë të gjerë.
Në aspektin strategjik, kjo infrastrukturë e re do të rrisë ndjeshëm aftësinë e NATO-s për të furnizuar me celulë të shpejtë avionët luftarakë, mjetet e rënda dhe bazat’ ushtarake. Për më tepër, lëvizja synon të reduktojë varësinë e aleancës nga transporti rrugor dhe ai hekurudhor, dy rrugë që konsiderohen tejet të cenueshme dhe të lehta për t’u bllokuar apo goditur në skenarët e një lufte konvencionale.
Investimi më i madh në historinë e Aleancës
Iniciativa konsiderohet si një pikë ktheese për logjistikën ushtarake të bllokut perëndimor. Detajet financiare dhe gjeografike të projektit përfshijnë:
Financimi gjigant: Projekti llogaritet të kushtojë deri në 30 miliardë dollarë përgjatë 20 viteve të ardhshme, duke u regjistruar si investimi më i kushtueshëm i ndërmarrë ndonjëherë nga aleanca.
Ndarja e kostove: NATO do të mbulojë pjesën “luaneshe” të buxhetit, ndërsa vendet e krahut lindor do të financojnë pjesën e mbetur të kostove.
Përfituesit kryesorë: Rrjeti i ri do të shtrihet kryesisht në zonat më të ekspozuara ndaj rreziqeve gjeopolitike, ku përfituesit kryesorë do të jenë Polonia, shtetet baltike, Rumania, Bullgaria dhe Turqia.
Ky hap dëshmon qartë ndryshimin e fokusit strategjik të NATO-s, duke u rikthyer te mbrojtja kolektive e stilit të Luftës së Ftohtë, por me një infrastrukturë të modernizuar për t’iu përgjigjur kërcënimeve të shekullit XXI./ad
32 e krerët e vendeve janë mbledhur në kryeqytetin turk, ndërkohë që i pari që mori fjalën ishte presidenti turk Erdogan, i cili foli në lidhje me luftën në Iran dhe Ukrainë, si dhe prioritete që duhet të ketë Aleanca.
“I kemi kërkuar aleatëve europianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe duhet të largohemi nga vendimmarrje që dobësojnë aleancën.
Përfitimet maksimale në fushën e sigurisë mund të jenë të mundshme vetëm duke u frenuar nga vendime të gabuara, përjashtimi i aleatëve, duke krijuar ndarje artificiale, nuk i shërben mbrojtjes trans atlantike.
Sa i përket luftës në Ukrainë ndaj të njëjtin opinion si Trump për paqen dhe këmbëngul në bërjen prioritet mbështetjen e Ukrainës.
Nga kjo përfitojmë nga kanalet e komunikimit me Rusinë. Vlerësojmë shumë rezolutat e presidentit Trump për t’u siguruar që kriza në Iran të zgjidhet, jemi të gatshëm të ofrojmë kontribut për të pastruar Gjirin e Hormuzit nga minat”, tha ai./kb
“Macron përballet me një gabim protokolli gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në NATO”.
Një përshëndetje e shkurtër mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdogan, në tapetin e kuq para darkës së samitit të NATO-s në Ankara, është bërë virale në rrjetet sociale.
Gjatë pritjes së organizuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kamerat filmuan një moment që shumë përdorues të rrjeteve sociale e interpretuan si një refuzim ose shmangie nga ana e Emine Erdogan, kur Macron u duk se tentoi t’i puthte dorën përpara se përshëndetja të vazhdonte. Pranë presidentit francez ndodhej edhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron.
Momenti ndodhi ndërsa liderët e NATO-s po mblidheshin në aktivitetin përpara samitit./ad
Në një intervistë ekskluzive për “Truth Times”, lideri i opozitës i cilëson demonstratat e udhëhequra nga të rinjtë si kryengritjen më domethënëse të vendit që nga rënia e komunizmit, ndërsa kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama dhe pretendon se autoritetet u përpoqën t’i paraqisnin protestat si antisemite.
Nga TruthTimes.com
Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, i ka përshkruar demonstratat e udhëhequra nga të rinjtë në vendin e tij si ‘lëvizjen më të rëndësishme të 35 viteve të fundit’, duke i renditur ato krahas kryengritjes që rrëzoi diktaturën komuniste në vitet 1990. Në një intervistë ekskluzive për Truth Times, kryetari i Partisë Demokratike (PD) kërkoi që Kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij ‘nuk ka legjitimitet’ për të qeverisur, të japë dorëheqjen menjëherë në favor të një qeverie kujdestare jopartiake. Berisha dënoi gjithashtu dhunën policore ndaj demonstruesve, hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaj pas trazirave dhe pretendoi se autoritetet u përpoqën t’i fabrikonin lëvizjes një imazh antisemit. Mesazhi i tij për protestuesit ishte i qartë: ‘Mos u ndalni kurrë!’
Pse nisën protestat
Protestat u nxitën fillimisht nga planet për një zhvillim turistik në shkallë të gjerë në peizazhin bregdetar të mbrojtur Zvërneç-Vjosa-Nartë, përfshirë një projekt të lidhur me një investim të Jared Kushner-it. Protestuesit argumentuan se planet kërcënonin zonat e mbrojtura mjedisore, përfshirë habitate të rëndësishme të flamingove, duke ngritur njëkohësisht shqetësime mbi transparencën, të drejtat e pronësisë dhe procesin e miratimit. Zemërimi u përshkallëzua pasi një protestues paqësor u tërhoq zvarrë nga sigurimi privat në terren, në prani të policisë së shtetit, dhe zona u rrethua me tela me gjemba.
Berisha tha se Rama e kishte paraqitur fillimisht projektin si një marrëveshje mes pronarëve privatë të tokës për të zhvilluar pronën e tyre me një investitor privat. Ai këmbënguli se qëndrimi i tij ka mbetur i pandryshuar gjatë gjithë kohës: ai dhe Partia Demokratike i mirëpresin investimet e huaja direkte ‘me kushtin e vetëm që ato të respektojnë ligjin’, një qëndrim që sipas tij e mbajti për herë të parë tre vjet më parë, kur u shpall investimi i Kushner-it, dhe e përsëriti fjalë për fjalë ditën kur nisën protestat.
‘Ky qëndrim nuk ndryshon,’ tha ai.
Çfarë i ndezi protestat
Ajo që ndryshoi, argumentoi ai, ishte ajo që protesta nxori në dritë: mosmarrëveshje të pazgjidhura pronësie dhe padi aktive të ngritura nga banorët vendas, si dhe përfshirja e tokës publike, sipërfaqja e saktë e së cilës, dhe kushtet me të cilat iu dha investitorit, mbeten të panjohura. Fermerët e zonës ishin të përfshirë në mosmarrëveshje ligjore mbi pronën, tha ai, mosmarrëveshje për të cilat Rama ishte në dijeni, por i kishte shpërfillur tërësisht.
Berisha e parashtroi pozicionin ligjor ashtu siç e sheh ai: një leje zhvillimi ose ndërtimi duhet të jepet vetëm pasi investitori ta ketë blerë tokën mbi bazën e titujve origjinarë shtetërorë të pronësisë dhe kur nuk ka asnjë mosmarrëveshje aktive pronësie. Në rastet kur pretendimet dalin më vonë në atë skenar, ligji e detyron shtetin, jo investitorin, të kompensojë me çmim tregu çdo pronar që fiton në gjykatë. Në vend të kësaj, pretendoi ai, Rama dha leje zhvillimi, madje edhe ndërtimi, ndërkohë që proceset gjyqësore ishin ende në vazhdim, dhe lejet shpërfillën statusin e Zvërneçit si peizazh natyror i mbrojtur sipas ligjit shqiptar, kuadrit Natura 2000 të BE-së dhe Direktivave për Habitatet dhe Shpendët, si dhe kërkesën e Konventës së Aarhusit për të informuar komunitetin vendas. ‘Sipas vlerësimit tim, ai i dezinformoi investitorët,’ tha Berisha.
Berisha tha se e dënoi ashpër zvarritjen e protestuesit paqësor nga sigurimi privat në terren, në prani të policisë së shtetit, si dhe rrethimin e zonës me tela me gjemba. Rama, tha ai, ka vepruar duke shpërfillur plotësisht si të drejtën e brendshme, ashtu edhe atë ndërkombëtare, duke u sjellë si një sulltan i shekujve të shkuar që i konsideron ‘tokën, ujin dhe ajrin pronë të tij personale’.
‘Kjo është arsyeja pse unë dhe PD-ja e mbështesim plotësisht protestën,’ tha ai.
Akuza për antisemitizëm
Për çështjen e antisemitizmit, Berisha e akuzoi qeverinë se është përpjekur t’i fabrikojë lëvizjes protestuese një imazh antisemit, duke i thënë Truth Times se ‘prova të konsiderueshme’ tregojnë për përpjekje zyrtare për t’i shtyrë demonstratat në atë drejtim. Ai veçoi grisjen e një flamuri pranë Ambasadës së Izraelit, një akt për të cilin policia nuk ka bërë kurrë publik ndonjë të dyshuar, si bazë për ‘dyshime serioze’ se autoritetet e orkestruan vetë atë, dhe këmbënguli se lëvizja ‘nuk ishte dhe nuk është antisemite’.
Në qendër të pretendimit të Berishës qëndron ai incident i vetëm i pazgjidhur: një flamur i grisur pranë Ambasadës së Izraelit gjatë trazirave. Javë më pas, vuri në dukje ai, policia ende nuk ka bërë publike identitetin e personit përgjegjës, një heshtje që ai e sheh të papajtueshme me një forcë e cila, në të kundërt, ka vepruar me shpejtësi dhe forcë kundër demonstruesve.
‘Kjo ngre dyshime serioze se ishte një akt i orkestruar nga vetë autoritetet,’ i tha Berisha Truth Times. Sipas rrëfimit të tij, episodi përputhet me një strategji të qëllimshme: me protestat që po fitonin simpati brenda dhe jashtë vendit, njollosja e tyre si antisemite do ta izolonte lëvizjen ndërkombëtarisht dhe do t’i jepte qeverisë një pretekst për shtypjen e saj.
Ai theksoi se vetë protestuesit nuk lanë asnjë paqartësi për qëndrimin e tyre. Përfaqësuesit e lëvizjes e dënuan menjëherë grisjen e flamurit, tha ai, një reagim që ai e citoi si dëshmi se demonstratat nuk kanë asgjë të përbashkët me etiketën që po u ngjitet.
Reagimi i policisë
Fushata e pretenduar e imazhit, argumenton Berisha, ka ecur paralelisht me përdorimin e forcës fizike. Ai dënoi atë që e quajti dhunë ‘të egër’ policore ndaj demonstruesve paqësorë të enjten, më 2 korrik. Duke pranuar se protestuesit hodhën vezë dhe miell mbi makinat e deputetëve që kalonin, ai tha se reagimi ishte brutalisht joproporcional: shkopinj, grushte dhe shkelma, përfshirë goditje në kokë, rrahje brenda automjeteve të policisë ndërkohë që të ndaluarit ishin me pranga, si dhe përdorim i gazit lotsjellës, sprait kundër arinjve dhe topave të ujit.
Edhe këtu ai pretendoi fabrikim. Policia, sipas tij, dërgoi në spital 18 efektivë gjoja të lënduar për të justifikuar shtypjen; në të vërtetë, tha ai, asnjëri prej tyre nuk kishte pësuar lëndime reale dhe të gjithë u kthyen drejtpërdrejt në vendin e protestës. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të demonstruesve të ndaluar.
Ai ngriti gjithashtu rastin e protestuesit të ri Niko Qarkaj, i cili sipas familjes së tij vuan nga epilepsia. Berisha tha se Qarkaj u keqtrajtua dhe u arrestua, u dërgua në spital pasi gjendja e tij u përkeqësua në paraburgim, e më pas u lirua të nesërmen, pas së cilës ai u kthye në protestë dhe bëri gjeste miqësore ndaj efektivëve.
Pjesë e një fushate më të gjerë për të diskredituar lëvizjen
Berisha e vendosi akuzën e antisemitizmit brenda asaj që ai e përshkroi si një përpjekje më e gjerë e Ramës për t’i delegjitimuar protestat në vend që t’u përgjigjej atyre. Kryeministri i ka etiketuar publikisht demonstruesit si agjentë të shërbimeve sekrete iraniane, ruse ose greke dhe ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një ‘luftë hibride’, pretendime që Berisha i hodhi poshtë kategorikisht.
‘Diktatorët, qofshin totalitarë apo autoritarë, nuk fajësojnë kurrë veten,’ tha ai, duke këmbëngulur se lëvizja ishte ‘tërësisht e shkaktuar dhe e nxitur nga pakënaqësia e të rinjve dhe qytetarëve’ në reagim ndaj asaj që ai e quajti një regjim të korruptuar dhe shtypës.
Ai e akuzoi Ramën për hipokrizi veçanërisht për akuzën e Iranit, duke kujtuar se kryeministri dikur shpalli një grua persona non grata thjesht sepse ishte shfaqur në një fotografi me Mahmud Ahmadinexhadin në një veprimtari ndërkombëtare fetare, ndërkohë që, pretendoi Berisha, vetë Rama ishte pritur nga Ahmadinexhadi në një takim të Internacionales Socialiste në Teheran.
Për Berishën, taktikat e njollosjes zbulojnë atë që ai e quajti një ‘mendësi të vjetër staliniste’, të rrënjosur në historinë familjare të Ramës brenda elitës së epokës komuniste. Babai i tij, tha Berisha, ishte deputet i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe nënshkroi varjen publike të poetit Havzi Nela më 10 gusht 1988 për vargje kushtuar të drejtave të njeriut, një akt për të cilin Rama nuk i ka kërkuar kurrë falje familjes Nela.
Shqetësimet më të thella
Çështjet mjedisore, theksoi Berisha, janë ‘vetëm një aspekt’ i protestës. Përtej Zvërneçit, ai vuri në dukje shqetësime më të thella që ushqejnë atë që ai e quajti revoltën qytetare më të fuqishme që nga vitet 1990: korrupsionin në nivelet më të larta, zgjedhjet që vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë OSBE/ODIHR-in, PACE-në dhe Parlamentin Europian, i kanë konstatuar të zhvilluara në kushtet e ‘Shtetit-Parti’, emigrimin e më shumë se 45% të popullsisë mes viteve 2014 dhe 2024, 1,099,000 qytetarë vetëm drejt zonës Shengen, sipas shifrave të Eurostat-it që ai citoi, dhe varfërinë në rritje, me pagat më të ulëta të rajonit dhe çmime ushqimore që ai i vlerësoi 20% mbi mesataren e BE-së. Ai vuri në dukje gjithashtu atë që e përshkroi si përkeqësim të arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera publike si një tjetër faktor madhor që ushqen zemërimin publik.
‘Libri i Kuq’ i projekteve sekrete
Berisha e lidhi Zvërneçin me atë që ai pretendon se është një model shumë më i gjerë, duke cituar një vëllim të botuar së fundmi me titullin ‘Albanian File’, me parathënie nga vetë Rama, që kataloguon 532 projekte në zonat më piktoreske bregdetare dhe malore të vendit, të projektuara nga 60 studio të huaja arkitekture. Përveç Ramës dhe atyre që i porositën dhe i paguan projektet, me një kosto totale që Berisha e vlerësoi mes 1,5 dhe 2 miliardë eurove, askush në Shqipëri nuk di asgjë për to, tha ai. Shumë prej tyre, pretendoi ai, ndodhen në zona të mbrojtura që u hoqën nga regjistri i zonave të mbrojtura me vendim ekzekutiv pasi projektet ishin përfunduar.
Mes tyre, Berisha veçoi projektin e Kanionit të Gjipesë. Kanioni, të cilin ai e përshkroi si një nga 20 më unikët në botë, me status mbrojtjeje të kategorisë së parë, pretendoi ai, është bërë pronë e familjes së Ramës përmes dokumentesh të falsifikuara: pa asnjë regjistrim të vetëm kadastral që të provojë pronësinë, dhe pa asnjë provë se 220,000 metrat katrorë janë konfiskuar ndonjëherë nga shteti i dikurshëm komunist. Në krye të kanionit, tha ai, tashmë është vendosur një hotel prej xhami.
‘Narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë’
Akuza më e gjerë e Berishës ishte se Rama ka ndërtuar ‘narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë’. Shqipëria, pretendoi ai, është sot eksportuesi kryesor i kanabisit drejt kontinentit, ndërsa kartelet shqiptare të kokainës shërbejnë si transportuesit kryesorë të drogës nga Amerika Latine drejt Europës dhe si aksionerë madhorë në tregun europian, duke kontrolluar, sipas llogarive të tij, mbi 63% të tregut në Mbretërinë e Bashkuar. Lidhjet e drejtpërdrejta mes qeverisë shqiptare, dhe Ramës personalisht, me këto kartele janë ‘provuar përfundimisht’, pohoi ai.
Ai e lidhi pretendimin me 532 projektet sekrete: hetoni transaksionet, pronarët dhe zhvilluesit e tyre, parashikoi ai, dhe do të bëhet e qartë se Rama e ka trajtuar Shqipërinë si feudin e tij privat, dhe ia ka dorëzuar atë feud, bashkë me projektet, karteleve shqiptare të drogës. Këto janë ndër akuzat më të rënda të ngritura nga lideri i opozitës; asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar në gjykatë, dhe qeveria i ka hedhur poshtë vazhdimisht.
‘Pa legjitimitet për të qeverisur’
Argumenti i Berishës për dorëheqjen mbështetet në një tezë legjitimiteti që ai e shtjelloi gjerësisht. Ai e krahasoi Ramën me presidentin e rrëzuar të Tunizisë, Ben Ali, duke pretenduar se kryeministri e siguroi mandatin e tij të katërt duke arrestuar liderët e dy partive kryesore opozitare gjatë një viti zgjedhor ndërkohë që hetimet ishin në pritje, duke vendosur liderin e partisë së tretë opozitare nën ndjekje penale, dhe duke shkelur si ligjin e brendshëm, ashtu edhe parimet ndërkombëtare zgjedhore.
Rama nuk ka legjitimitet edhe për një arsye tjetër, argumentoi Berisha: sepse ai, anëtarë të familjes së tij dhe ministrat e tij më të afërt, ‘si Balluku’, përballen me akuza të rënda korrupsioni, dhe sepse ai përdori votat e deputetëve të tij për t’i bllokuar prokurorisë arrestimin e tyre. Në çdo veprim zyrtar, tha Berisha, kryeministri ndjek një politikë anti-transparence, duke u mbështetur në ‘kode sjelljeje të stilit mafioz në vend të transparencës’.
Recetat e tij për krizën mbeten të pandryshuara: dorëheqja e Ramës dhe një qeveri kujdestare jopartiake për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
‘Mos u ndalni kurrë’
Berisha tha se PD-ja ka zgjedhur me vetëdije të mos e udhëheqë protestën, me anëtarë që marrin pjesë ‘thjesht si qytetarë’, pa simbole partiake, ndërsa deputetët e saj paraqesin në parlament amendamente që pasqyrojnë kërkesat e demonstruesve. Ato kërkesa, pesë gjithsej, të bëra publikisht tri herë nga përfaqësuesit e protestës, janë të gjitha të drejtuara kundër Ramës dhe qeverisë së tij, tha ai: ato kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një administrate kujdestare jopartiake që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve, dhe rikthimin mbrapsht të ligjeve të votuara nga deputetët socialistë kundër vullnetit të deputetëve të Partisë Demokratike.
Nga thirrjet e dëgjuara në turma, ai tha se 85-90% janë të drejtuara kundër Ramës dhe qeverisë së tij, ndërsa 10-15% kanë në shënjestër PD-në dhe vetë Berishën. ‘Sipas analizës sonë,’ tha ai, ato zëra vijnë nga grupe të njohura ekstremiste të së majtës së skajshme, që e kundërshtojnë opozitën për arsye ideologjike, dhe nga organizata të financuara nga Soros-i, me të cilat ai ka një armiqësi të vjetër. PD-ja ka zgjedhur t’i shpërfillë ata, tha ai, dhe u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj të vazhdojnë të dalin masivisht. Ai përshëndeti gjithashtu mbështetjen që lëvizja ka tërhequr nga jashtë, duke e quajtur ‘shumë të rëndësishme’ përkrahjen e parlamentarëve të BE-së dhe të mediave ndërkombëtare për protestat.
Mesazhi i tij për të rinjtë që përballen me shkopinjtë dhe, sipas rrëfimit të tij, me një fushatë të fabrikuar njollosjeje, ishte i prerë: pas lëvizjes që rrëzoi diktaturën komuniste, ‘protesta juaj qytetare e udhëhequr nga rinia është lëvizja më e rëndësishme e 35 viteve të fundit’. Prandaj, tha ai, ‘mos u ndalni kurrë!’/ Kb
Shtetasit e huaj që kalojnë transit nëpër Maqedoninë e Veriut do të përfshihen në sistemin e kamerave “Qyteti i Sigurt” (Safe City), por deri në përfundimin e modernizimit të plotë të këtij sistemi, gjobat nuk do t’u dërgohen në adresat e tyre të banimit.
Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve me targa të huaja që tejkalojnë shpejtësinë në autostradat e vendit do të sanksionohen vetëm nga efektivët e policisë, të cilët lëvizin me automjete civile të pajisura me radarë, të njohura si “përgjuesit”, transmeton INA.
Sipas MPB-së, këto automjete janë në mënyrë të vazhdueshme të pranishme në Korridorin 8 dhe 10, me synimin për të ndëshkuar shoferët që nuk respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut.
“Në lidhje me automjetet për të cilat pyetni, të ashtuquajturit ‘përgjues’, ju njoftojmë se të njëjtit janë vazhdimisht prezentë në korridoret 8 dhe 10 me qëllim të sanksionimit të shoferëve që shkelin rregullat dhe rregulloret e trafikut,” thuhet nga MPB.
Më herët, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski u kishte drejtuar një apel të gjithë atyre që kalojnë nëpër Korridorin 8 dhe 10, duke theksuar se kamerat e “Qytetit të Sigurt” janë aktive, funksionojnë dhe regjistrojnë shkeljet në komunikacion.
Ai tha se pas qytetarëve të vendit, shumë shpejt edhe shtetasit e huaj dhe mërgimtarët që kalojnë transit do të marrin gjoba për shkeljet e kryera. Toshkovski kërkoi respektim të rregullave, duke nënvizuar se çdo jetë e shpëtuar është një gjest i madh. /INA/