Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 March 2026Main stream

Starmer: Britania po dërgon 4 avionë Typhoon në Katar dhe helikopterë në Qipro

5 March 2026 at 15:26

Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Britania po dërgon 4 avionë Typhoon në Katar dhe helikopterë në Qipro.

“Mund të raportoj se fluturimi ynë i parë çarter nga Omani u nis pak minuta më parë”, tha kryeministri në një konferencë për shtyp në Downing Street.

Starmer gjithashtu deklaroi se më shumë se 4,000 britanikë janë kthyer në vend, me fluturime komerciale nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë britanikë.

Ndër të tjera tha se shtatë fluturime pritet të nisen nga Emiratet e Bashkuara Arabe sot, ndërsa ekipet e vendosjes së shpejtë janë në terren në Oman dhe Arabinë Saudite.

Theu arrestin shtëpiak dhe kanosi një shtetas, kapet 31-vjeçari në Tiranë, iu gjet kokainë dhe pistoletë sportive

5 March 2026 at 14:36

TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 31-vjeçar, pasi ka thyer masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ dhe ka kanosur një shtetas.

I riu është kapur në flagrancë me një sasi kokaine dhe me një pistoletë sportive, të cilat u sekuestruan më pas nga policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Sulmi në aeroportin e Nakhichevanit/ Presidenti i Azerbajxhanit akuzon Iranin për akte terroriste

5 March 2026 at 14:31

“Sot, Irani kreu një akt terrorist kundër shtetit të Azerbajxhanit. Shteti iranian lëshoi ​​mjete ajrore pa pilot në territorin e Republikës Autonome të Nakhçivanit”, ka deklaruar Presidenti Ilham Aliyev gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë së vendit.

Ai theksoi se dënon më forcë këtë ‘akt të shëmtuar terrorist’. Gjithashtu nënvizoi se autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Objektivat e sulmit ishin objektet politike. Shteti i Azerbajxhanit e dënon me forcë këtë akt të shëmtuar terrorist dhe ata që e kryen duhet të mbahen përgjegjës menjëherë”, shtoi ai.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit që ndodhet në Republikën Autonome të Nakhçivanit, duke plagosur dy persona, dhe një tjetër u rrëzua në një ndërtesë shkolle në fshatin Shakarabad.

 

🇮🇷🇦🇿 – IRAN | AZERBAIDJAN

❗A Iranian drone strike hit the city of Nakhchivan in AZERBAIDJAN pic.twitter.com/AwWG7t26JX

— NEXUSx (@Nexus_osintx) March 5, 2026

Kina rrit shpenzimet ushtarake mes rivalitetit me SHBA-në dhe tensioneve për Tajvanin

5 March 2026 at 14:26

Pekini njoftoi një rritje prej 7% të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2026, duke planifikuar të shpenzojë rreth 1.9 trilion juanë (276.8 miliardë dollarë) për modernizimin dhe forcimin e ushtrisë së saj.

Vendimi u publikua në hapjen e sesionit vjetor parlamentar “Two Sessions”.

Rritja e buxhetit vjen në një kohë tensionesh të larta me Shtetet e Bashkuara dhe në sfondin e synimeve të Pekinit për të forcuar kontrollin mbi Tajvanin dhe zonat e kontestuara në Detin e Kinës Jugore.

Sipas autoriteteve kineze, fondet do të përdoren për pagat e ushtarakëve, stërvitje të avancuara, operacione pranë Tajvanit, zhvillimin e kapaciteteve kibernetike dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së lartë.

Kryeministri Li Qiang deklaroi se Kina do të zbatojë projekte të mëdha të mbrojtjes dhe do të forcojë aftësitë ushtarake në pesë vitet e ardhshme për të garantuar sigurinë kombëtare.

Lufta SHBA-Iran trondit Gjirin Persik/ Eksperti: Turqia mund të ndërmjetësojë, ka interes që konflikti të zgjidhet!

5 March 2026 at 13:38

TIRANË- Ndërsa bëhen gjashtë ditë nga lufta e SHBA dhe Izraelit në Iran, eksperti i Çështjeve Ndërkombëtare Geron Kamberi, theksoi se pritet që konflikti në Lindjen e Mesme të zgjasë edhe më tej.

Në një intervistës në “NewsLine” në ABC News, eksperti Kamberi teksa analizoi zhvillimet e fundit, theksoi se pritshmëria për ndryshimin e regjimit në Iran nuk u vërtetua.

“Megjithëse u provua rruga diplomatike për të ndërhyrë në parandalimin e programit bërthamor të Iranit dhe SHBA ka një ndikim të drejtpërdrejtë, zgjodhën një rrugë tjetër, goditjen e befasishme. Një goditje e paparalajmëruar që ekzekutoi liderin super ë Irani ishte një mesazh për lidershipin tjetër. Por me sa u duk kjo nuk funksionoi dhe Irani u kthye me një valë kundër sulmesh”, tha ai.

Sa i përket negociatave, ai theksoi se vendet po zhvillojnë negociata në nivel shërbimesh inteligjente. Më tej eksperti Kamberi nënvizoi se objektivi i këtij konflikti është rrëzimi i regjimit në Iran dhe të ndalohet ecuria e programit bërthamore.

“Ndoshta Turqia mund të shihet si një ndërmjetës, pasi roli dhe pesha që ka si vend anëtar i NATO-s dhe vend fqinj, është i lartë. Turqia është vend që ka interes të drejtpërdrejtë të zgjidhjes së konfliktit me Iranit edhe për shkak të mos-ngjalljes së asaj që ka të bëjë me Kurdët. Kjo do përbënte shqetësim të drejtpërdrejtë për Turqinë pasi ka luftuar gjithmonë që çështja kurde të mos kthehet në tavolinë. Ajo që vërehet tani është ‘një luftë nervash që po shoqërohet me përplasje raketore’. SHBA dhe Izraeli presin që të shohin një tërheqje nga Irani. Objektivi i mundshëm është që lidershipi aktual, t’i rikthehet vendosmërisë për të ndaluar programin bërthamor dhe pjesë e zhvillimit të programit raketor. Por përpara se të shkohet të kjo zgjidhja edhe Irani kërkon ‘fitoren’ e tij. SHBA, Izraeli por edhe Irani e dinë që lufta nuk mund të zgjasë pafundësisht pasi i lodh, por Irani në këtë luftë është i vetëm dhe e vetmja gjë ë i ka mbetur është të kërcënojë me destabilitet. Por edhe deklaratat e Trump që lufta do të zgjasë katër javë është një mesazh për t’i thënë Iranit që brenda kësaj kohe duhet të ketë një zgjidhje”, tha mes të tjerash ai./abcnews.al/

Plagoset me thikë 46-vjeçari/ Arrestohet i moshuari në Librazhd, dy të tjerë të proceduar

5 March 2026 at 13:36

LIBRAZHD-Një sherr i ndodhur në Librazhd ka degraduar në përdorimin e thikës, i plagosur ka mbetur një 46-vjeçar. Autori i sulmit, 75-vjeçari  është arrestuar nga policia.

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 48-vjeçar për moskallëzim krimi.  Lidhur me këtë ngjarje është proceduar penalisht bashkeshortja e 48-vjeçarit cila dyshohet ka bashkëpunuar për të fshehur thikën e përdorur për plagosjen, dhe shtetasi i dëmtuar, pasi të dy kanë refuzuar të japin informacione për rrethanat e ngjarjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, menjëherë pas njoftimit për konfliktin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në afërsi të urës së qytetit të Librazhdit, organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Nga hetimet dyshohet se më datë 04.03.2026, rreth orës 20:20, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi H. D. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin S. M., 46 vjeç, banues në Librazhd, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al/

“Lufta”/ Spanja dërgon në Qipro fregatën “Cristóbal Colón”

5 March 2026 at 11:58

Spanja po dërgon fregatën “Cristóbal Colón” në Mesdheun Lindor për të siguruar mbrojtje për Qipron mes tensionit që mbizotëron ditët e fundit në Lindjen e Mesme. 

Fregata spanjolle do të shoqërojë aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle dhe anijet luftarake greke, pas sulmit iranian me dron në bazën britanike të ishullit në Akrotiri.

Fregata do të kryejë misione “mbrojtjeje dhe mbrojtjeje kundërajrore” dhe gjithsahtu  do të ndihmojë “në çdo evakuim të personelit civil”, tha Ministria Spanjolle e Mbrojtjes.

 “Epstein”, Bondi thirret të dëshmojë/ Kongresi kërkon prokuroren e përgjithshme për shpjegime për dosjet

5 March 2026 at 11:48

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, votoi për të thirrur Prokuroren e Përgjithshme amerikane, Pam Bondi, për të dëshmuar në lidhje me rolin e saj në publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein.

Mocioni për të thirrur Bondin që të dëshmojë u paraqit nga Nancy Mace, një ligjvënëse republikane, e cila akuzoi departamentin e drejtësisë se po fsheh informacion.

Bondi dhe administrata Trump janë përballur me kritika për mënyrën se si e kanë trajtuar publikimin e dosjeve, duke përfshirë edhe dështimin për të fshehur emrat e viktimave të Epstein.

Departamenti i drejtësisë ka publikuar miliona dokumente dhe ka thënë se ato janë të fundit që ka në lidhje me pedofilin dhe trafikantin seksual, por janë të paktën edhe 3 milionë dokumente të tjera që mbeten të vulosura.

Pam Bondi ka qenë në qendër të kritikave, pasi tha fillimisht se lista e shumëpërfolur e klientëve të Epstein ishte në tryezën e saj dhe po e shqyrtonte, por Departamenti i Drejtësisë në korrik tha se kishte arritur në përfundimin se nuk ekzistonte asnjë “listë klientësh”.

Bondi ka mbrojtur mënyrën se si departamenti e menaxhoi publikimin e dosjeve dhe ka akuzuar demokratët se po e përdorin situatën për të hequr vëmendjen nga sukseset e Trump, edhe pse disa nga kritikat më të zëshme kanë ardhur nga anëtarë të partisë së vetë presidentit.

Vendimi për të kërkuar dëshminë e Bondit vjen pasi disa media ndërkombëtare raportuan se disa të dhëna që përfshinin akuza të pakonfirmuara të bëra nga një grua kundër Trumpit, nuk u përfshinë në dosjet e publikuara./abcnews.al/

Seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës, shtyhet më 12 mars

5 March 2026 at 11:34

Shtyhet seanca paraprake për dosjen për Ilir Metën. Seanca e radhës pritet të mbahet më datë 12 mars.

Mësohet se shkak është bërë mungesa e avokatëve të Pirro Xhixhos.

I pranishëm në seancë këtë të enjte ka qenë ish-presidenti Ilir Meta, ndërsa SPAK u përfaqësua nga Altin Dumani.

“Ka me marrë vesh krejt bota”, Bekim Jashari ndan bisedën e fundit me Hamëz Jasharin: Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz bashkoi popullin e Kosovës

5 March 2026 at 11:01

Bekim Jashari, i biri i heroit Hamëz Jashari, ka kujtuar fjalët e babait të tij në bisedën e fundit që kishte me të, në Ditën e Epopesë së UÇK’së. Me anë të një statusi në ‘Facebook’, ai tregon se pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit e kishte pyetur se si ishin me armatim.

Mesazhi i plotë:

Bisedën e fundit me familjen në Prekaz e kisha më 3 mars 1998, pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, një ngjarje që e kishte prekur thellë babushin.

E pyeta si qëndronin me armatim dhe ai m’u përgjigj:

“Sa do të mund të qëndrojmë, nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë.

Por një gjë po ta them:

Qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta…

Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”

Dhe ashtu ndodhi. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe e bëri të pamundur që e vërteta për Kosovën të mbetej e heshtur. Në të njëjtën kohë, ajo zgjoi dhe bashkoi edhe më shumë popullin e Kosovës, i cili u mobilizua me vendosmëri drejt luftës çlirimtare.

Ajo rrugë ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por ishte rruga e drejtë që në fund u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit tonë.

Ky ishte çmimi i lirisë sonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.

“Epopeja”/ “Në Hagë po gjykohen bashkëluftëtarët e Adem Jasharit”, Bedri Hamza: Lufta e UÇK, e vërtetë historike dhe e panegociueshme!

5 March 2026 at 10:52

KOSOVË- Në fjalën e tij në mbajtur në seancën solemne për Epopenë e UÇK, kryetari i PDK Bedri Hamza, solli në vëmendje sakrificën e popullit të Kosovës dhe luftën e familjes Jashari për Liri.

Gjithashtu Hamza u shpreh se sot po bëhen përpjekje për të gjykuar luftën  çlirimtare, duke shtuar se në Hagë po gjykohen bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për të cilën tha se lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë dhe e panegociueshme.

“Në Prekaz me 5,6,7 mars luftoi ndërgjegjja e një populli të tërë. Në këtë përvjetor duhet të kujtojmë edhe një të vërtetë tjetër, sot po bëhen përpjekje për të gjykuar luftën tonë çlirimtare dhe gjykuar historinë tonë ku në Hagë po gjykohen bashkëluftëtarët e Adem Jasharit. Ne duhet të jemi të qartë që lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë për liri, dinjitet dhe të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në epokën e vet. Dhe kjo nuk është vetëm një bindje politike apo emocionale, por një e vërtetë  historike sakrifica e Familjesh Jashari dhe e çdo dëshmori të Kosovës mbetet e drejtë e pastër dhe e panegociueshme”, tha ai.

 

 

“Onkologjiku”/ Ministrja Sala: Kemi ngritur grupin e punës për krijimin e Institutit Kombëtar të kancerit dhe rrjetin e sëmundjeve tumorale

5 March 2026 at 10:34

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala e cilësoi sot reformimin e Shërbimit Onkologjik, prioritet kombëtar duke theksuar se sëmundjet tumorale janë një sfidë globale, pasi kanceri po bëhet një sëmundje kronike.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Sala tha se “për këtë arsye 2026 është viti i riorganizimit të plotë të shërbimit onkologjik”.

“Kemi ngritur grupin e punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale. Kemi nisur analizën e plotë të situatës aktuale siç thashë diagnostikimi është një fillim shumë i mirë. Për këtë po shohim shpërndarjen e sëmundshmërisë sipas rajoneve, kapacitetet në nivel tercial dhe rajonal si dhe nevojat për infrastrukturë, pajisje dhe barna”, nënvizoi Sala.

Ministrja Sala bëri të ditur se “nga bordi i Tumoreve të QSUNT në bashkëpunim me Institutin Nacional të Tumoreve në Milano kemi miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi”.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, vijoi Sala, u dyfishuan kapacitetet trajtuese në njësinë e kimioterapisë ditore në Shërbimin Onkologjik nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të mirë mes buxhetit të shtetit dhe donatorëve.

“Me të njëjtën formulë brenda 2026 do të përfundojë rikualifikimi i 6 puneeve rajonale të kimioterapisë në kuadër të Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale. Dhe 6 punkte të tjera në total 12, do të rikualifikohen në vijim”, tha Sala.

Ministrja Sala vuri në dukje se ministria që ajo drejton ka rinovuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe kjo është fokusuar në tre drejtime kryesore.

“Së pari, ardhja e akseleratorit të tretë, i cili është instaluar po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë dhe do të nisë së shpejti funksionimin”, tha Sala

“Së dyti, përditësimi i dy software akseleratorëve ekzistues i ngre në një nivel shumë të lartë teknik për trajtimin e pacientëve”, tha Sala.

Ministrja Sala tha se “do të kemi akseleratorë funksionalë totalisht të përditësuar, trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të Pet Scan”.

Gjithashtu Sala bëri të ditur se “problem ekzistues është aparatura e brakiterapisë, e cila brenda vitit do të instalohet e re, moderne dhe do të vihet në punë falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore”.

Epopeja e UÇK-së, Osmani: Një histori që vazhdon të jetojë si betim dhe si udhërrëfyes për brezat!

5 March 2026 at 09:31

Sot shënohen 28 vjet nga njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe më të dhimbshme në historinë e re të Kosovë – rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz.

Në nder të kësaj dite, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një reagim në Facebook.

“Nga sakrifica sublime te liria, një histori që vazhdon të jetojë si betim, si frymëzim dhe si udhërrëfyes për brezat”, ka shkruar ajo.

Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës.

Epopeja e UÇK-së, 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

5 March 2026 at 09:27

Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës.

Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve.

Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës

Inteligjenca artificiale në universitete, mes mundësive dhe rreziqeve

5 March 2026 at 09:16

Inteligjenca artificiale po hyn me shpejtësi në auditorët universitarë në Maqedoninë e Veriut. Nga esetë dhe punimet për seminare deri te përgatitja për provime, programe si ChatGPT po bëhen pjesë e përditshmërisë akademike.

Por ndërsa studentët flasin për kursim kohe dhe produktivitet më të lartë, ekspertët paralajmërojnë për pasoja afatgjata ndaj të menduarit kritik, integritetit akademik dhe privatësisë.

Adoptim në rritje, rregulla të paqarta

Sipas të dhënave të Eurostat, 45.4% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të moshës 16–24 vjeç, përdorin programe të inteligjencës artificiale, një përqindje e konsiderueshme kjo, edhe pse nën mesataren evropiane.

Një studim praktik i realizuar nga DW me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, përmes tri fokus-grupeve, tregon se përdorimi është tashmë rutinë: shumica e tyre e përdorin Inteligjencën Artificiale rregullisht (3-4 herë në javë), disa herë pas here, dhe vetëm një student thotë se e përdor rrallë.

Studentët thonë se e  përdorin për të strukturar temat apo esetë, përkthim dhe redaktim tekstesh, riformulim për të përmirësuar tekstet që shkruajnë, organizim idesh dhe përgatitje për provime.

Disa e përdorin edhe për gjenerim imazhesh dhe për të kaluar kohën e lirë. Si përfitime studentët përmendin: kursim kohe, qartësi më e madhe strukturore dhe rritje të produktivitetit.

Megjithatë përdorimi i IA po zhvillohet në një terren me rregullore të paqarta akademike.

Rreziqet: Nga “halucinacionet” te atrofia konjitive

Shqetësimi më i madh i studentëve është informacioni i pasaktë: 81% e tyre e konsiderojnë këtë si rrezik kryesor, pasuar nga varësia prej teknologjisë (57%) dhe uniformizimi i ideve (48%).

Aleksandër Manasiev, kryetar i Qendrës për Inovacione Mediatike “NarrativAI”, e sheh IA-në si mjet me potencial të madh pedagogjik, por me kufizime serioze: “Hulumtimet sugjerojnë se disa studentë përdorin mjete si ChatGPT për të gjeneruar plotësisht ose pjesërisht ese dhe punime. Edhe pse kjo duket joshëse, rreziku është real. Një nga problemet më të mëdha janë ‘halucinacionet’, kur modelet e IA-së krijojnë informacione fiktive, citate fiktive ose burime që nuk ekzistojnë, duke rrezikuar drejtpërdrejt integritetin akademik.”

Rreziku, sipas profesorit universitar dhe ekspertit të mediave Agron Kurtishi, është edhe më i thellë: “Studentët po ia delegojnë të menduarit teknologjisë. Kjo çon në atrofi konjitive, rënie të aftësive mendore që zakonisht vërehen në trurin e personave të moshuar. Nëse studentët përdorin IA-në për t’u treguar përgjigjen, ata ndalojnë së menduari vetë dhe me këtë bie aftësia për të menduar në mënyrë kritike”.

Kurtishi ngre edhe çështjen e privatësisë: “Çdo përdorim i IA-së krijon të dhëna për përdoruesin. Me kalimin e kohës, sistemi ndërton një ‘album’ të plotë informacionesh. Në një farë mënyre, IA mund të dijë më shumë për ne sesa ne për veten.”

Mes kontrollit dhe mundësive

Ekspertët theksojnë se IA nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë rolin e pedagogut. Universiteti i Oksfordit rekomandon që mjetet e IA-së të përdoren për mbështetjen e të nxënit dhe jo si zëvendësim i arsyetimit.

Studentët vetë nuk kërkojnë ndalimin e përdorimit të IA-së, por rregulla dhe udhëzime të qarta akademike për ese dhe projekte si dhe trajnime për përdorimin etik të IA-së..

Manasiev thekson nevojën për politika institucionale: “Institucionet duhet të vendosin një rrugë të qartë. Aktualisht, teknologjia përdoret para se të vendosen rregullat.”

Mjet ndihmës, jo zëvendësim i mendjes

Dilema pra nuk është nëse IA do të përdoret apo jo, sepse ajo tashmë po përdoret. Pyetja është se si.

Nëse integrohet me rregulla të qarta, me edukim etik dhe me theks tek mendimi kritik, Inteligjenca Artificiale mund të bëhet një mjet i dobishëm për produktivitet dhe kreativitet. Në të kundërtën, rrezikon të prodhojë varësi, uniformizim mendimi dhe dobësim të kapaciteteve intelektuale.

Sfida për universitetet në Maqedoninë e Veriut nuk është të ndalin teknologjinë, por të integrojnë në mënyrë të strukturuar njohuritë për IA në procesin mësimor. Sepse në epokën digjitale, aftësia për të menduar mbetet kompetenca më e rëndësishme dhe asnjë algoritëm nuk mund ta zëvendësojë plotësisht./DW/

❌
❌