Ka nisur intervistimi lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore edhe në rajonin e Gjilanit.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.
Ai ka bërë të ditur se organet e drejtësisë janë duke vepruar në kuadër të hetimeve dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë intervistimin e personave të dyshuar për këtë çështje.
“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha ai.
Kadriu nuk ka dhënë detaje shtesë rreth numrit të personave të intervistuar.
Rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me institucionet përkatëse.
Kujtojmë se deri më tani ka komisionerë dhe kryesues të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë.
Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq./Telegrafi/
Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se ka filluar aksionin për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni ka nisur më 05.02.2026 në ora 09:00 dhe përfshin largimin e të gjitha shtyllave (kunjave) metalike anti-parking, të cilat janë vendosur pa leje nga organet kompetente.
Drejtoria ka bërë të ditur se subjektet afariste dhe personat fizikë që i kanë vendosur këto pengesa pa leje, janë të obliguar që deri më 05.02.2026 t’i largojnë ato nga hapësirat publike.
"Në të kundërtën, ndaj tyre do të ndërmerren veprime ligjore dhe ndëshkuese", thuhet në njoftim.
Qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka raportuar dy raste të ndara të posedimit të paautorizuar të substancave narkotike gjatë ditës së hënë në Podujevë.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 17:27, ku gjatë kontrollit te një i dyshuar mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar 2.78 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I dyshuari është intervistuar nga autoritetet dhe, me vendim të prokurorit, është liruar.
Rasti i dytë është raportuar rreth orës 19:25 në rrugën “Afrim Zhitia” në Podujevë.
Gjatë kontrollit në veturën e një të dyshuari tjetër mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar 0.47 gram marihuanë.
Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Një rast i dhunës në familje ka eskaluar në përleshje mes disa personave mbrëmjen e së hënës në Ferizaj, duke rezultuar me disa të lënduar dhe një person të arrestuar.
Sipas raportit të policisë, rreth orës 21:30 është raportuar një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se fillimisht kishte sulmuar fizikisht një viktimë femër kosovare.
Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të qëndrojë në Kosovë gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media të lëshuar më 2 shkurt 2026 nga përfaqësuesi rezident rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit, misioni i FMN-së do të udhëhiqet nga David Amaglobeli.
Qëllimi i kësaj vizite është shqyrtimi i zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, vlerësimi i perspektivës ekonomike dhe rreziqeve, si dhe diskutimi i politikave ekonomike dhe prioriteteve të reformave me autoritetet e Kosovës dhe palët kryesore të interesit.
FMN ka bërë të ditur se në përfundim të vizitës do të publikojë një komunikatë dhe do të mbajë edhe një konferencë për media. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.
Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, ndërsa është obliguar për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, Muhamet Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.
Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.
Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 korrik 2024, e shpalli fajtor Muhamet Alidemajn dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Në të njëjtën kohë, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, e cila kishte të bënte me zhvarrosjen e trupave me ekskavator.
Kjo për shkak se, në fjalën përfundimtare të seancës së 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga kjo pikë e aktakuzës, pasi nuk ishte arritur të vërtetohej se Alidemaj kishte marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj, gjatë periudhës 24 mars – 11 qershor 1999, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarë të tjerë të këtyre forcave, me dhunë i ndau gratë dhe fëmijët nga burrat, duke i detyruar të largohen në drejtim të Shqipërisë.
Aktakuza sqaron se burrat e mbetur u ekzekutuan me armë automatike, duke u vrarë gjithsej 130 persona, prej të cilëve 114 viktima janë identifikuar, ndërsa 12 civilë i kanë mbijetuar ekzekutimit. Më pas, pas rreth dy muajsh, thuhet se trupat e viktimave u zhvarrosën me ekskavator dhe u transportuan me disa kamionë drejt një destinacioni të panjohur.
Pas përfundimit të luftës, trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, si dhe në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Me këto veprime, Alidemaj akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe aktualisht e paraparë si “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./KP/Telegrafi/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara ankesat janë paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.
Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.
Nga PZAP kanë bërë të ditur se për të gjitha ankesat e pranuara do të vendoset brenda afatit ligjor prej 96 orësh, duke filluar nga data e parashtrimit të secilës ankesë.
Vendimet e PZAP-së pritet të kenë ndikim në procesin përfundimtar të certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ.
Ndryshe kujtojmë se sot në orën 11:00 është përmbyllur afati për subjektet dhe kandidatët për të dorëzuar ankesat në PZAP.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të shtunën.
Shpallja e rezultateve u bë pas rinumërimit, gjatë të cilit u konstatua manipulim me vota të kandidatëve për deputet.
Lidhur me tjetërsimin e votës u aktivizuan institucione të sigurisë e drejtësisë. U arrestuan dhjetëra persona në disa rajone. /Telegrafi/
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj ka shprehur falënderimet e tij për gazetarët, fotografët, operatorët e kamerave, producentët, redaktorët dhe çdo anëtar të medias për punën e tyre të përditshme.
Në një postim Murtezaj tha se gazetarët punojnë shpesh në kushte të vështira vetëm për t’i dhënë publikut informacionin që meriton.
“Dua të ju them: Faleminderit. Ju punoni çdo ditë, shpesh apo dhe zakonisht në kushte të vështira, të pakëndshme ose nganjëherë madje të rrezikshme. E bëni këtë për të bërë pyetjet që duhet bërë, për t’i mbajtur pushtetet dhe politikanët përgjegjës për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, për t’i dhënë publikut informacionin që meriton”, ka shkruar Murtezaj.
Ai shtoi se pavarësisht që politikanët i vendosin në armiqësi dhe i sulmojnë, gazetarët vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.
“Ju duroni orë të gjata, ndryshime në sekondën dhe minutën e fundit, dhe shpesh dëgjoni përgjigje të përsëritura dhe fjalë pa kuptim apo dhe gënjeshtra. Politikanët ju vendosin në armiqësi, dhe ndonjëherë me sulme të hapura madje ju quajnë edhe mercenarë. Dhe megjithatë ju vazhdoni të vini, vazhdoni të përpiqeni të merrni informacione dhe qartësi për t’i informuar të tjerët”, u shpreh anëtari i LDK-së.
Murtezaj theksoi se “nga ajo që kam parë përgjatë shumë viteve durimi juaj është i jashtëzakonshëm.Kjo këmbëngulje juaj është e rëndësishme”.
Ai theksoi se gazetaria mbetet një nga shtyllat më të rëndëishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në vend.
“Por një gjë duhet ta keni të qartë, puna juaj, edhe kur kritikohet ose kur nuk vlerësohet sa duhet, ajo mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Faleminderit”, shkroi Murtezaj. /Telegrafi/
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar se Lista Serbe ka dorëzuar ankesën e saj në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas njoftimit të OSBE-së, ankesa e subjektit politik serb ka të bëjë lidhur me dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e kaluar për të publikuar zyrtarisht votat e tyre të marra në zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Në njoftim misioni thekson nevojën për përputhje të plotë dhe respektin të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve, si mënyrë për të siguruar siguri ligjore dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
OSBE gjithashtu bëri të ditur se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet nga afër.
Kujtojmë se kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq kishte paralajmëruar ankesë në PZAP, pasi të shtunën me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me pjesën tjetër të anëtarëve të KQZ-së që abstenuan nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.
Ligji për Zgjedhjet e parasheh që për trajtimin e ankesave, PZAP-ja i ka katër ditë afat./Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit në Podujevë.
Në njoftim thuhet se "gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës“.
Prokuroria gjithashtu thekson se së bashku me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërkohë që institucionet përkatëse kanë theksuar rëndësinë e transparencës dhe ndjekjes së procedurave ligjore në procesin e numërimit të votave.
Ndryshe dje në rajonin e Mitrovicë janë ndaluar për 48 orë 34 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN), ku për 10 prej tyre Prokuroria ka paraqitur kërkesë për paraburgim.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.
Kujtojmë se hetime pëveç Podujevës e Mitrovicës, po kryhen edhe në Prizren, Malishevës, Ferizaj, Pejë dhe Drenas./Telegrafi/
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE u mblodh sot, ku pas analizimit të aplikacionit dhe procesit të konsultimit publik, miratoi të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për zonën e ofertimit të Kosovës për vitet 2026‑2028.
ZRRE theksoi se struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative dhe se "rritja e të hyrave reflekton zhvillimin e tregut dhe rritjen e volumit të shitjes së energjisë dhe jo rritjen tarifore për pjesëmarrësit", duke sqaruar se tarifa e NEMO‑s propozohet të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.
Sipas vendimit, vlera e të hyrave të propozuara për Kosovën është: 669,028 euro për vitin 2026, 712,410 euro për vitin 2027 dhe 835,613 € për vitin 2028.
ZRRE gjithashtu konfirmoi se “tarifat e ALPEX aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave, raporton Telegrafi.
Në pjesën tjetër të rendit të ditës, ZRRE shqyrtoi edhe çështjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF). U rikujtua se, sipas rregullave të energjisë elektrike, konsumatorët që mbesin pa furnizues kalojnë në FMF vetëm për një periudhë 60 ditore, ku pastaj duhet të zgjedhin një furnizues të licencuar.
Me vendimin e Bordit më herët, KEK ishte emëruar furnizues i mundësisë së fundit për periudhën 31.07.2022–31.07.2025, por tenderi për një furnizues të ri kishte dështuar dy here.
“Në mars 2025, kur u hap procedura e tenderimit pas përfundimit të periudhës së mëparshme, por nuk u paraqit asnjë ofertë. Gjatë ritenderimit në periudhën korrik–dhjetor 2025, u anulua sërish më 18.12.2025 për mungesë ofertash”, u than në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.
Në këtë kontekst, ZRRE propozoi dhe caktoi KEK‑un sërish si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhën prej 31.01.2026 deri më 31.01.2029, duke argumentuar që është plotësuar kushti për të ushtruar këtë përgjegjësi dhe duke miratuar periudhën e re trevjeçare të furnizimit. /Telegrafi/
Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.
Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal.
Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites, reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore.Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve.
Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje, do të ketë reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10m/s.
Në det do të ketë valëzim të forcës 1-2 ballë./tch/
Një aksident ka ndodhur mbrëmë në rrugën Prishtinë – Podujevë, në fshatin Shakovicë, ku janë përfshirë tri vetura.
Për pasojë, uraishte bllokuar dhe qarkullimi u ndërpre përkohësisht, ndërsa autoritetet dolën në vendngjarje.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegragfin zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
"Mbrëmë, rreth orës 21:00, në fshatin Shakovicë të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë pësuar lëndime", tha Ahmeti
Ajo shtoi se personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.
Kujtojmë se të dielën kjo rrugë ishte bllokuar si pasojë e ngricave të shkaktuara nga reshjet e borës./Telegrafi/
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhja e parë e Bordit të ZRRE-së për vitin 2026.
Gjatë kësaj mbledhjeje do të shqyrtohet kërkesa për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO), si dhe çështja e caktimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Ndërkohë, operatorët energjetikë në Kosovë kanë paraqitur kërkesa për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave, duke u arsyetuar me rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.
Sipas dokumentit të dorëzuar nga KESCO, i cili përmban analizën e kostove dhe projeksionet financiare për vitin e ardhshëm, nevojat financiare të furnizuesit tejkalojnë vlerat e të hyrave të miratuara për vitin 2025, duke sugjeruar një rritje të tarifave për konsumatorët, në mënyrë që të mbulohen kostot operative dhe të tjera të lidhura me sigurimin e furnizimit me rrymë.
Në vitin 2023, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte miratuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 tarifat u shtrenjtuan për 16.1 për qind. /Telegrafi/
Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të vazhdojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.
Vendimi u mor me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP-ja ka afat prej katër ditësh për shqyrtimin e ankesave.
Pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit ka tri ditë kohë për të vendosur.
Duke u bazuar në këto afate ligjore, vendimmarrja përfundimtare pritet të përfundojë deri në mesin e muajit shkurt.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së në PZAP, duke filluar nga e shtuna, 31 janar 2026, nga ora 11:00, brenda afatit prej 48 orësh. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 prej 34 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) që janë ndaluar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve gjatë procesit zgjedhor të 28 dhjetorit 2025.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili tha se 34 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Prokuroria kishte urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të QKN-ve në komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të rezultatit zgjedhor.
Gjykata pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj të ndaluarve në seancat e ardhshme.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. /Telegrafi/
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve që shpien drejt pikave të kalimit kufitar është përgjithësisht e mirë dhe e kalueshme.
Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e magjistraleve nuk ka prezencë të borës, akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut. Rrugët në drejtimet Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë Morinë, Gjakovë–Qafë Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Kaçanik–Hani i Elezit, Podujevë–Merdarë dhe Prizren–Vërmicë janë të kalueshme pa pengesa.
Megjithatë, në disa segmente është raportuar prani e borës dhe akullit.
Rruga Pejë–Kullë ka borë dhe mjegull, ndërsa në aksin Prishtinë–Mutivodë është shënuar prani e borës dhe akullit, çka kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar, pasi kushtet atmosferike dhe reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore.
Trafiku është bërë i vështirë për shkak të borës, ngricave dhe dukshmërisë së reduktuar në disa segmente, veçanërisht në rrugët nacionale e rajonale.
Autoritetet kanë kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të: Përshtatin shpejtësinë me kushtet aktuale të rrugës; mbajnë distancë të sigurt nga automjetet para tyre; të përdorin dritat në kushte me dukshmëri të dobët dhe të shmangin manovrat e rrezikshme si parakalimet e panevojshme apo frenimet e papritura. /Telegrafi/