Një replikë është shënuar këtë të martë mes kreut të Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe deputetes së PD-së Jozefina Topalli.
Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që është çuar në foltore dhe ka replikuar me kreun e PD-së, Sali Berisha, duke i thënë se ai është akuzuar për korrupsion nga SHBA.
Më tej, Balla ka thënë se Jozefina Topallit nuk duhet t’i dhimbset Berisha, sipas tij, sepse ajo ka bashkëpunuar në zgjedhjet e 2021 me PS-në.
Nga ana tjetër, Topalli është çuar dhe ka replikuar duke thënë se nuk e ka takuar kurrë Taulant Ballën, dhe se sipas saj zgjedhja e saj në 2021 ishte sepse në krye të PD-së ishte një njeri i kontrolluar nga socialistët, raporton euronews.al.
“Kur ti drejtohesh këtij krahu këtej, duhet ta lash mirë gojën, dëgjove, dhe ngrije kokën e laje mirë gojën, sepse për këto që thuaj zotrote je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ne s’kemi thënë asgjë më shumë se çfarë ka thënë SHBA, të cilat të kanë shpallur non grata për korrupsion.
Drejtësia në Shqipëri të ka marrë të pandehur për korrupsion. Je i akuzuar për korrupsion dhe vjen këtu dhe të bësh të pandershmin, të flasësh në emër të drejtësisë dhe madje të bëhesh ti emisari për të sjellë haberet e drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon përpara drejtësisë dhe i merr me libër shpie të gjithë ata që të kanë ngritur ty akuzën: merr prokurorin, merr gjyqtaren.
Do vish këtu, do merresh edhe me mua, që e kam nderin e madh të jetës sime që jam njeriu që të kam kallëzuar ty. Do merresh edhe me mua që kam nderin e jetës të jem njeriu që të kam kallëzuar. Ngrije kokën, Sali, 100 herë të kthehem mbrapa do e bëja. Jozefinë, mos u bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, ma kurse, se në 2011 bashkëpunuam bashkë kundër Saliut. Por na dole huq, nuk more vota në Shkodër. Jozefinë, historia në 20 vite, rikthimet si puna jote… Ulsia ka një shprehje të bukur, ajo pas asaj.
Sali, laj gojën sa herë përmend PS-në, se ta ka dhënë përgjigjen dhe do të ta japë edhe në 2029. Tani çohu, na sqaro vendimin e djeshëm. Do vini në komision apo jo?”, tha ai.
Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar edhe Topalli.
“Për të pasur një seancë normale duhet zbatuar rregullorja, ndërsa tani po i kthej përgjigje parafolësit. Është e ditur publikisht që në vitin 2021 kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD-së ishte dikush që ju e kontrollonit në çdo lëvizje; e ke takuar Lulzim Bashën në mënyrë të fshehtë. Prandaj, merre vetë, mos ma drejto mua, se unë s’të kam takuar ty.
Për zgjedhjet ka një raport të OSBE-së që thotë shumë gjëra: si është përdorur administrata, paraja, si janë dhënë bonuset, tenderët, parapensionet etj. Por ka një frazë që është më e rëndë, që ju nuk e thoni kurrë: thotë se në Shqipëri ndodh diçka që nuk ndodh askund tjetër. Vijë ndarëse mes pushtetit dhe partisë nuk ekziston. Shih se çfarë keni bërë: ja keni dhënë vetë zarfet diasporës, shkove në Greqi duke i kërcënuar se, nëse nuk jepnin votën për ju, do t’iu hiqnit familjarët nga puna. Ta kam thënë edhe një herë: në Bjellorusi zgjedhjet fitohen me 70%, Putini i fiton me 75%, në Shqipëri Rama i ka marrë me 90%”, tha ajo.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën për atë që e cilësoi si “të keqe radikale”, ndërsa mbrojtësit e saj i quajti “të keqe banale”.
Në fjalën e tij nga foltorja, Berisha deklaroi se “këta të keqes radikale janë njerëzit më të pashpirt që majmen çdo ditë duke vjedhur të varfrit, qytetarët dhe shqiptarët”, duke shtuar se ata që i mbrojnë “janë e keqja banale”, raporton euronews.al.
Deklaratat e Berishës u bënë gjatë debateve të forta mes opozitës dhe mazhorancës për bojkotin e mbledhjeve të Komisionit të Reformës Territoriale.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, unë fola për të keqen banale për këta që janë këtu, kurse ai që është mbrapa me suitën e tij, ata janë e keqja radikale. Këta të gjithë këtu janë e keqja radikale. Këta janë hajdutë të pashoq. Por ju që i mbroni këta dhe nuk ua tregoni vendin, ju jeni e keqja banale. Po si mor bëheni ushtarë, shërbëtorë. Po çfarë dinjiteti keni ju që bëni këtë akt? Ju mbroni Ramën, por Rama do t’ju marrë me vete”, tha Berisha.
Seanca e sotme plenare në Shqipëri është përshirë nga debate dhe tone të larta zëri.
Pasi Berisha iu drejtua mazhornacës duke i quajtur “E keqja banale”, kreu i grupit parlamentar i PS, Tualant Balla reagoi ashpër duke i thënë ‘Laj gojën mirë kur të flasësh për PS’, raporton tch.
Sakaq iu drejtua deputetes së PD-së, Jozefina Topalli duke i thënë “Mos bëj sikur të shemb shpirti për të. E mban mend kur bashkëpunuam kundër Berishës në 2021?”
“Kur t’i drejtohesh krahut këtej duhet ta lash mirë gojën, dhe ngrije kokën (Berishës). Laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua, zotrote… je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ej, për pastrim parash dhe korrupsion. Ne s’kemi thënë asgjë me shumë seç kanë thënë SHBA. Të kanë shpallur non grata, thuaj, po apo jo? Je i akuzuar për korrupsion dhe të vish të bësh të ndershmin, të flasësh në emrin e drejtësisë dhe të behësh emisari i drejtësisë që dy herë në muaj shkon në SPAK dhe merr në gojë prokurorin. Ben këtu dhe merresh me mua, që kam nderin jetës që të kam kallëzuar, ej Sali, ngrije kokën Sali, 100 herë të kthehem pas, të njëjtën gjë do bëj.
Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Berishën se në 2021 kemi bashkëpunuar kundër Berishës., këtë pjesë ma kurse pak. Ti na dole huq, mendonim se do merrje ndonjë votë në Shkodër. Por e di si dole? Si në diasporë. Këto rikthimet e tua në politikë janë ‘si ia ajo pas asaj’.
Sali laj gojën kur flet për PS, ta dha përgjigjen dhe do ta japë edhe ne 2029. Çohu dhe na shpjego mbledhjen djeshme, do merrni pjesë apo jo në komision?”, tha ai/TCH/
Më 25 maj 1992 në Kosovë janë mbajtur me sukses zgjedhjet e para shumë-partiake parlamentare dhe presidenciale.
Zgjedhjet e para shumëpartiake për Parlamentin dhe presidentin e Republikës së Kosovës i kishte përshkruar masiviteti, vullneti i madh i zgjedhësve që përmes këtij akti historik të arriheshin kërkesat e kamotshme të qytetarëve të Kosovës.
Një ditë pas zgjedhjeve, presidenti historik, Ibrahim Rugova kishte deklaruar në atë kohë se zgjedhjet e mbajtur dëshmuan se populli i Kosovës di të organizohet, të mbajë pushtet e të bëjë shtet.
“Zgjedhjet ishin një cilësi e re që dëshmojnë se ky popull di të organizohet, di të mbajë pushtet dhe që di të bëjë shtet”, ishte shprehur një ditë pas këtyre zgjedhjeve, presidenti historik, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur për një monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente për të parandaluar aksidentet në rrugë.
Në njoftim thuhet se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Shkodrës është konstatimit i rasteve të drejtimit të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, shkelje të cilat rezultojnë burime parësore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.
Si rezultat i monitorimit, gjatë muajit janar, janë proceduar penalisht 18 shtetas, prej tyre: 9 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit; 9 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht:
1153drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
390 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
157 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
88 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
217 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
52 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
737 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.
Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në parandalimin e aksidenteve në veçanti dhe në sigurinë rrugore në tërësi.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.
Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore.
Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.
Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion kontrolli ndaj një automjeti në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Republikës së Shqipërisë.
Dogana njofton se gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar prania e një arme zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit.
“Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar municion i kalibrave të ndryshëm rreth 120 copë, si dhe një shumë parash në valutën euro. Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar për vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë masa të shtuara kontrolli dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare. /Telegrafi/
Një 34-vjeçar nga fshati Garunjas, Lushnjë, është dënuar me 25 vite burg pas akuzave se kishte porositur një vrasje të mbetur në tentativë.
Laert Hasalla ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe tani do të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit.
Sipas policisë, Hasalla kishte paguar një 31-vjeçar për të qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit Marius Hasalla, raporton euronews.al.
Nga të shtënat mbeti e plagosur shtetasja B. S, halla e Mariusit, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me Mariusin.
“Policia arriti të zbardhë tentativën e vrasjes që ndodhi më 30 mars 2023 në Lushnjë. Për shkak të një konflikti të hershëm gjakmarrjeje, 22-vjeçarit Marius Hasalla iu organizua atentati, por e plagosur mbeti halla e tij, Bajame Sejena”.
Në pranga ranë Mariglen Matjani, 28 vjeç, dhe Laert Hasalla, 30 vjeç.
Ky i fundit ishte porositësi i atentatit dhe kishte paguar Mariglen Matjanin për të vrarë Marius Hasallën, megjithatë plani nuk shkoi sipas parashikimeve. Motivi i atentatit lidhej me një ngjarje të mëparshme: dy vite më parë, i ati i Marius Hasallës kishte vrarë Romeo Hasallën, vëllain e Laert Hasallës.
Konflikti ka nisur për një tokë prej 2 hektarësh dhe ka eskaluar në një mosmarrëveshje të gjatë mes dy familjeve. Përplasjet kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tij, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin Romeo Hasallën dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për këtë ngjarje, Kastriot Hasalla u dënua me 35 vite burg.
Prej më shumë se një dekade, dialogu Kosovë–Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është njëri nga proceset më të rëndësishme diplomatike në Ballkan. Ai synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe zgjidhjen e çështjeve praktike që prekin jetën e qytetarëve. Por, derisa raundet e bisedimeve vijojnë të mbahen në Bruksel mes ngërçeve dhe tensioneve, një realitet tjetër është formësuar në terren, ku dialogu po kthehet në një fushëbetejë të propagandës politike në rajon.
Në të dyja anët e kufirit, politika, media dhe aktorë të jashtëm ndërtojnë narrativa konkurruese për të formësuar opinionin publik. Si rrjedhojë, qytetarët shpesh informohen jo mbi përmbajtjen e vërtetë të procesit, por mbi versionet politike të tij, të cilat ndryshojnë në varësi të interesit të brendshëm të palëve.
Kësisoj në vend që të shihet si mekanizëm që zgjidh çështje praktike, nga energjia te lëvizja e lirë, dialogu në publik shihet si burim i tensioneve, ndarjeve dhe pasigurive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të prodhuara artificialisht.
Gjetjet nga monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale, intervistat dhe raportet e pavarura tregojnë se për dialogun janë krijuar narrativat e keqinformimit dhe dezinformimit, të cilat synojnë të formësojnë opinionin publik, të rrisin polarizimin dhe të ripozicionojnë palët në arenën ndërkombëtare. Palët, por edhe aktorët e jashtëm, veçanërisht Rusia, përdorin mjete të ndryshme komunikimi për të ndërtuar versione paralele të realitetit.
Për nevojat e këtij artikulli janë analizuar 43 artikuj të botuara në mediat me seli në Serbi, në Kosovë, por edhe ato ruse, përgjatë dekadës së fundit. Gjithashtu janë shqyrtuar edhe 13 raportime mediatike dhe publikime të OSHC-ve lidhur me temën nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025.
Njëra prej narrativave kryesore të krijuara në mediat serbe është se “Prishtina po e saboton dialogun”. Kjo narrativë e portretizon Kosovën si palë joserioze, agresore dhe të papërgjegjshme. Mediat e afërta me qeverinë e Serbisë (si: RTS, RTV, Blic dhe tabloidet si Kurir, Informer, etj) amplifikojnë deklaratat e Zyrës për Kosovën, duke i paraqitur ato si fakte të pakontestueshme. Në këto artikuj përmenden “veprimet eskalatore të Prishtinës”, “sulmet ndaj serbëve”, “kërcënimet për sigurinë e komunitetit serb” dhe “moszbatimi i marrëveshjeve”. Këta artikuj rrallë japin kontekst të plotë dhe kanë rol thelbësor në formësimin e klimës së frikës në komunitetin serb në Kosovë.
Një narrativë tjetër është se “Perëndimi po i bën presion Serbisë ta njohë Kosovën”. Kjo narrativë është e pranishme në Serbi, kryesisht e shprehur përmes deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që zmadhohen edhe nga mediat ruse, si Sputnik Srbija.
Kjo narrativë, të cilën zakonisht presidenti serb Vuçiq e ndërlidh me interesat e Serbisë dhe me raportet me Rusinë, shpërndahet nga Sputnik edhe në pjesët tjera të botës.
Ndërsa incidentet e izoluara shpesh nga politika dhe mediat serbe paraqiten si pjesë e një strategjie të përgatitur të qeverisë së Kosovës për të dëmtuar serbët. Titujt alarmantë të tabloidëve dhe mediave të afërta me pushtetin në Beograd duke i dhënë hapësirë deklaratave të eksponentëve të Listës Serbe synojnë të krijojnë idenë e një rreziku të përhershëm, si pjesë e narrativës se “Serbët janë të kërcënuar sistematikisht në Kosovë”.
Në realitet, shumica e raporteve ndërkombëtare nuk e mbështesin këtë narrativë.
Platforma EUvsDisinfo ka gjetur se si Sputnik mundohet që të shtyjë përpara narrativën se edhe Perëndimi është bashkëfajtor në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë, me ç'rast theksohet se "me mosveprimin e ambasadorëve të Quint-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) në Prishtinë, për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti të mundshëm, ata bëhen bashkëfajtorë në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë). Por sipas EUvsDisinfo ky pretendim është përpjekje për të nxitur ndjenja anti-perëndimore dhe tensione, duke akuzuar pa bazë vendet perëndimore për një “spastrim etnik” inekzistent ndaj serbëve në Kosovë. "Kjo është pjesë e një fushate dezinformuese pro-Kremlin, e cila synon ta fajësojë Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë në dhjetor të vitit 2022, ndërkohë që në fakt është Rusia ajo që po e nxit situatën. Për më tepër, kjo shërben edhe për të larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia".
Edhe raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 ka gjetur se qeveria ruse ka përsëritur narrativën se autoritetet e Kosovës kanë planifikuar përzënien e serbëve nga Kosova.
Ndërkohë raportimet në mediat serbe, si N1, Nova S dhe Danas janë më të balancuara, megjithëse në raste të caktuara mungon thellimi analitik, edhe për shkak të pengesave gjuhësore.
Për dallim prej mediave në Serbi, portalet e ndryshme në Kosovë bazuar në deklaratat politike kanë ndërtuar narrativën se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është i barabartë me “autonomi territoriale” ose ndarje të Kosovës, përkundër faktit se statuti i tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Një tjetër narrativë dominuese përgjatë viteve të fundit në mediat e Kosovës ka qenë se ndërmjetësuesit e BE-së nuk kanë qenë të paanshëm përgjatë procesit të lehtësimit të dialogut, ani pse procesi nuk është dizajnuar për ta privilegjuar cilëndo palë në dialog.
Por, te mediat kosovare (Koha, Kallxo, RTK, Klan Kosova, Gazeta Express, etj) në përgjithësi ka raportim bazuar në dokumentet ndërkombëtare, pastaj obligimet për zbatimin e marrëveshjeve, deklaratat e zyrtarëve dhe nganjëherë janë kritike sa i përket jetësimit të obligimeve që dalin nga dialogu dhe rezistencës nga pala serbe në këtë aspekt.
Narrativa e përbashkët e mediave të reja online në të dyja anët e kufirit është portretizimi se “çdo kompromis është humbje”.
Në anën tjetër mediat ruse (Sputnik/RT dhe platformat e tyre ndihmëse) shtyjnë në mënyrë sistematike narrativën se BE-ja respektivisht Perëndimi janë detyruese ose hipokrite, se veprimet e Kosovës mbështeten për arsye gjeopolitike përkatësisht se “BE-ja duhet të turpërohet për Kosovën”, dhe se Serbia po vihet nën presion, të cilat më shumë shërbejnë për të pasqyruar por edhe forcuar narrativat e brendshme serbe, sikurse edhe qëndrimet ruse në arenën ndërkombëtare.
Palët në dialog sipas BE-së duhet të shmangin retorikën që nuk kontribuon në pajtim
Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe plotësisht i konceptuar, dizajnuar dhe udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Ai u nis pas miratimit të Rezolutës 64/298 (2010) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në raportin e fundit të BE-së për Kosovën, thuhet se nga të dyja palët pritet që t’i zbatojnë të gjitha obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të Dialogut, në përputhje me riangazhimet zyrtare të bëra në shtator dhe tetor 2024. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Nga Kosova pritet të nisë procesin që çon në themelimin e tij, derisa nga Serbia pritet që të fillojë përmbushjen e obligimeve të saj në mënyrë paralele duke nisur njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Marrëveshja, sipas BE-së, është e vlefshme dhe juridikisht obligative për palët dhe çdo formalitet, përfshirë ato që lidhen me miratimin apo “formalizimin” e saj, nuk duhet të pengojnë përparimin në zbatim, dhe se vlerësimi i konstruktivitetit të palëve do të bëhet vetëm mbi bazën e performancës së tyre të zbatimit.
“Normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i detyrimeve nga Dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë humbjen e mundësive të rëndësishme në mungesë të progresit”.
Në raport gjithashtu theksohet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por se duhet të tregojnë angazhim shumë më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit. Të dyja palët, sipas BE-së, duhet të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk kontribuon në dialog dhe pajtim.
Hulumtuesi dhe verifikuesi i fakteve, Festim Rizanaj ka vlerësuar se “palët në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e përdorin informacionin dhe narrativat si instrument politik për të formësuar opinionin publik dhe për të forcuar pozicionin e tyre negociues”. Sipas tij në të dyja vendet, përzgjedhja selektive e fakteve, krijimi i frikës dhe përdorimi i gjuhës polarizuese e kthejnë dialogun nga proces teknik në betejë propagandistike, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje dhe duke minuar besimin publik te vetë procesi i ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Narrativat dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi zakonisht portretizojnë palën tjetër si kërcënim dhe vetveten si viktimë, duke ushqyer mosbesim dhe tension”, ka thënë Rizanaj.
Sipas tij, edhe aktorët e jashtëm luajnë rol të rëndësishëm në amplifikimin e narrativave dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi, duke i bërë ato më të dukshme, më emocionale dhe më polarizuese.
“Rusia përdor mediat e saj dhe rrjetet propagandistike për të forcuar narrativën serbe të viktimizimit dhe për të paraqitur dialogun si një proces të imponuar nga Perëndimi, me qëllim dobësimin e rolit të BE-së dhe rritjen e tensioneve në Ballkan. Media rajonale pro-serbe dhe portale lobuese i riprodhojnë këto narrativa pa verifikim, duke i shpërndarë më shpejt në Serbi dhe në komunitetin serb në Kosovë”, është shprehur ai.
Rizanaj nënvizon se të dyja palët e dialogut përdorin komunikim të koordinuar politik dhe mediatik për të krijuar presion ndaj palës tjetër, sidomos para takimeve kyçe në Bruksel. “Në Serbi, qeveria, mediat pranë pushtetit dhe zyrtarët e Zyrës për Kosovën shpesh dalin me mesazhe të unifikuara që portretizojnë Prishtinën si agresore dhe serbët në Kosovë si të rrezikuar. Kjo narrativë publike rrit ndjenjën e emergjencës dhe i jep Beogradit justifikim për qëndrim më të ashpër në tavolinën e dialogut. Në Kosovë, shpesh vërehet koordinim ndërmjet deklaratave të institucioneve, akuzave politike dhe mediave që theksojnë se Serbia po destabilizon veriun me qëllim sabotimin e marrëveshjeve. Para takimeve në Bruksel, komunikimi publik shndërrohet në një narrativë që thekson vijat e kuqe dhe legjitimon qëndrime më të forta, si për të mos u parë ‘si palë që lëshon pe’”, ka deklaruar Rizanaj.
“Komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara”
Hulumtuesja në fushën e mediave dhe redaktorja menaxhuese në K2.0, Gentiana Paçarizi ka pohuar se nga vështrimi disa vjeçar ka vërejtur se në diskursin e brendshëm kosovar kanë qarkulluar disa narrativa pa bazë faktike rreth procesit të dialogut.
“Në periudhat kur dialogu ishte më aktiv, takimet dhe marrëveshjet shpesh interpretoheshin nga akterë politikë si ‘rrezik për sovranitetin’, ‘tradhti kombëtare’, ‘hapa drejt copëtimit’, etj. Mungesa e transparencës si nga institucionet e Kosovës, si nga BE-ja, me komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara, si ide për marrëveshje të ‘firmosura fshehurazi’”, ka thënë ajo.
Një tjetër narrativë e qëndrueshme sipas saj lidhet me paraqitjen e BE-së si ndërmjetës jo i besueshëm dhe i njëanshëm. “Për shkak të mungesës së transparencës nga BE dhe shpjegimeve të qarta, interpretimet politike shpesh marrin epërsi ndaj fakteve”, ka shtuar Paçarizi.
Sipas saj, përgjatë procesit është parë se secila palë e ndërton versionin e vet të rrëfimit rreth ngjarjeve.
“Çdo raund i dialogut trajtohet si zero sum game: njëra palë ‘fiton’, tjetra ‘humb’. Kjo qasje ushqehet nga mungesa e transparencës, pasi takimet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe secila palë e ndërton versionin e vet të ngjarjeve. Fatkeqësisht, BE-ja nuk ndërhyn për ta sqaruar se cili version është i saktë”, ka deklaruar ajo.
Ndonëse narrativat kanë ndryshuar ndër vite, sipas Paçarizit, ato, së bashku me mungesën e rezultateve konkrete nga procesi, kanë ndikuar që në mungesë të informacionit të duhur, qytetarët të zhvillojnë një lloj averzioni ndaj dialogut në tërësi si proces i shkëputur nga realiteti i tyre.
Në të njëjtën kohë ka theksuar se raportimi i balancuar për dialogun përballet me disa sfida strukturore.
“Së pari, mungesa e transparencës nga BE-ja ka qenë një kritikë e vazhdueshme. Procesi shihet si jo transparent dhe kjo e vështirëson ndjeshëm punën e gazetarëve, të cilët shpesh nuk kanë qasje në informacionet bazë për t’i verifikuar zhvillimet”.
“Së dyti, edhe institucionet e Kosovës nuk kanë qenë transparente. Shumica e takimeve zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa interpretimet që ofrohen pas çdo raundi janë kryesisht politike, jo faktike. Kjo e bën të pamundur verifikimin e plotë të informacionit, pengon raportimin e thelluar dhe sfidimin e narrativave pa bazë që burojnë nga aktorët politikë”.
“Së treti, mungesa e gazetarëve të specializuar në proceset e udhëhequra nga BE-ja mbetet pengesë serioze. Në Kosovë, vetëm pak gazetarë e ndjekin dialogun në mënyrë të vazhdueshme dhe analitike. Për pasojë, shumica e raportimit mbështetet në deklarata të palëve dhe jo në burime të pavarura ose në kuptim të thelluar të procesit, gjë që e kufizon fuqinë e mediave për të prodhuar raportim vërtet të balancuar”.
Sipas saj, amplifikimi i deklaratave politike është një dukuri e zakonshme dhe ndodh shumë më shpesh sesa verifikimi i tyre para publikimit. “Arsyet lidhen me gjendjen e vështirë financiare të mediave dhe presionin për të publikuar shpejt çdo deklaratë që mund të tërheqë vëmendje. Në një sistem medial që favorizon shpejtësinë dhe ekskluzivitetin mbi verifikimin, redaksitë shpesh u nënshtrohen rregullave të këtij tregu”.
Mirëpo konsideron se raportimi për dialogun mes mediave të Kosovës dhe atyre të Serbisë nuk mund të krahasohet.
“Në Serbi, raportimi për Kosovën është pjesë e një narrative të gjerë politike që ushqehet dhe mirëmbahet nga një makinë e koordinuar dezinformimi mes qeverisë dhe mediave që e mbështesin atë. Kosova dhe institucionet e saj paraqiten sistematikisht si të jashtëligjshme, BE-ja si e njëanshme apo manipuluese, ndërsa vetë dialogu portretizohet si proces ku Serbia është nën presion të padrejtë”.
Sipas saj në Kosovë, situata është krejt tjetër.
“Edhe pse ka prirje për sensacionalizëm dhe raportim të varur nga deklaratat politike, media nuk funksionon me logjikën e një aparati të organizuar dezinformues. Problemi kryesor është mungesa e thellimit analitik dhe varësia nga interpretimet e akterëve politikë”.
“Në thelb, mediat pro-qeveritare serbe operojnë brenda një arkitekture propagandistike, ndërsa mediat kosovare brenda një ekosistemi të brishtë që vuan nga mungesa e kapaciteteve, jo nga koordinimi për dezinformim”.
“Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin”
Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon Sorokin ka vlerësuar se gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me qëllimin për normalizim gradual të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi e ndjekin dialogun nga afër. BE-ja vepron si lehtësuese në dialog. Përgjegjësia për rezultatet e dialogut bie plotësisht mbi të dyja palët. Komunikimi i dialogut, i procesit dhe i rezultateve të tij me publikun vendas është gjithashtu përgjegjësi e të dy palëve dhe jo e BE-së. Duke u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog, të dyja palët synojnë të arrijnë një normalizim gradual të marrëdhënieve të tyre. Gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me këtë qëllim”, ka thënë ai.
Sipas tij të dyja palët në dialog kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë procesin dhe normalizimin.
“Dezinformimi sot është një çështje globale dhe dialogu nuk zhvillohet në izolim. Është e rëndësishme që të dyja palët të sigurojnë një komunikim që nxit normalizimin e marrëdhënieve dhe u ndihmon njerëzve të kuptojnë se si dialogu mund ta lehtësojë jetën e përditshme dhe të hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin, kompromisin dhe një perspektivë pozitive përpara. Bërja e kompromiseve nuk është dobësi; është parakusht për progres. Kjo është arsyeja pse mbajtja e një debati publik të mbështetur në fakte është thelbësore”, ka deklaruar zyrtari evropian.
Në të njëjtën kohë nënvizon se BE-ja, si lehtësuese procesit, komunikon vetëm rezultatet nga dialogu përkatësisht faktet.
“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e njohur dhe objektivat e normalizimit janë të qarta. Ne punojmë ngushtë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, me të gjitha institucionet evropiane dhe me shtetet anëtare, që informacioni i saktë të arrijë te qytetarët. Kur shfaqen pretendime të rreme, ne i adresojmë ato përmes sqarimeve të menjëhershme dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me palët përkatëse”, është shprehur ai.
Raste të tilla kanë ndodhur edhe në vitin 2025.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në qershor të vitit 2025 pati akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, se ka bërë deklarata të rrejshme pas takimit të datës 10 qershor 2025 në Bruksel, duke thënë se zyrtari serb ka shkelur dakordimin e bërë gjatë takimit trilateral.
Sipas raportimit të Kohës, Bislimi ka shtuar se në faqen e ashtuquajturës Zyre për Kosovë është korrigjuar deklarata e Petkoviq, “me shumë gjasë pas intervenimit të emisarit të BE-së, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash”.
Pyetjet lidhur me çështjen e dezinformimit në dialog i janë dërguar edhe Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, por deri në momentin e raportimit nuk janë pranuar përgjigjet.
Rrjetet sociale dhe platformat e internetit janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit
Raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 konstaton se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit dhe se në Kosovë nuk ka një vizion të qartë dhe qasje strategjike për luftimin e këtij fenomeni, prandaj dhe dezinformimi ka ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik në Kosovë.
Sipas këtij studimi, në mungesë të financimit të qëndrueshëm, burimeve të kufizuara njerëzore, politikave të paqarta redaktuese dhe ndikimeve nga jashtë, media është bërë krijues dhe përforcues i dezinformimit në disa raste.
Gjetjet e hulumtimit kanë treguar se rrjetet sociale dhe platformat e internetit të specializuara në lajme të rreme janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit, sado që, në disa raste, edhe mediat tradicionale e profesionale kanë faj.
“Hulumtimi tregon se dialogu i fascilituar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte shoqëruar me dezinformim rreth fascilitatorëve të emëruar nga BE dhe ShBA. Frustrimi me mungesën e progresit në dialog shpesh është interpretuar në media si faj i fascilitatorëve të cilët nuk janë në gjendje të imponojnë implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Në këtë mënyrë, edhe pse mbi 91 % e qytetarëve të Kosovës janë shprehur në favor të integrimit në BE, janë shfaqur sentimente lokale kundër BE-së rreth dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo më pas është përforcuar nga narrativat dezinformuese ruse. Në mënyrë të ngjashme, politikanët në Kosovë dhe Serbi janë përballur me fushata të bazuara në informacion të rremë, që kryesisht synon portretizimin e tyre si ‘tradhtarë‘ të çështjeve kombëtare”, thuhet në raport.
Ndërkaq punimi hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me titull “Në ç’mënyrë dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë?” i publikuar në vitin 2024 ka konstatuar se dezinformimi dhe keqinformimi janë çështje të përhapura në Kosovë, ku shfrytëzohen ndarjet ekzistuese shoqërore dhe besimi i ulët në të dhënat institucionale.
Sipas këtij raporti, dezinformimi vepron në nivele të shumta, duke shënjestëruar perceptimet individuale, dinamikën e komunitetit dhe besimin institucional, dhe se shpesh fokusohet në çështje të ngarkuara emocionalisht dhe të ndjeshme nga ana kulturore, duke përdorur të vërteta të pjesshme dhe informacione të paverifikuara për të përkeqësuar ndarjet.
“Dezinformimi dekurajon bashkëpunimin ndëretnik duke krijuar një mjedis armiqësor për dialog. Për shembull: Narrativat rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) e cilësojnë atë si një kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin, gjë që çon në kundërshtimin e shqiptarëve të Kosovës. Mediat serbe e portretizojnë mungesën e progresit të AKS-së si dëshmi të vullnetit të keq të Kosovës, duke nxitur mosbesimin tek serbët. Një nga narrativat kryesore në lidhje me AKS-në është se “formimi i AKS-së do të nënkuptonte formimin e një Republika Srpska tjetër në Kosovë”, gjë që besohet nga 58% e shqiptarëve dhe 37% e serbëve të Kosovës”, thuhet në punimin hulumtues.
Edukimi medial i domosdoshëm për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik
Hulumtuesi Festim Rizanaj ka vlerësuar se mediet luajnë një rol kyç në amplifikimin ose zvogëlimin e dezinformatave politike, në varësi të standardeve të gazetarisë që ndjekin dhe mënyrës se si raportojnë informacionin.
“Kur mediat operojnë me verifikim të fakteve, burime të besueshme dhe qasje të balancuar, ato ndihmojnë në reduktimin e dezinformatave, ofrojnë kontekst dhe rrisin transparencën në komunikimin politik. Në të kundërt, kur mediat përdorin tituj sensacionalë, raportime selektive ose riprodhojnë pa verifikuar deklaratat e politikanëve dhe aktorëve të jashtëm, ato amplifikojnë narrativat dezinformuese, përforcojnë polarizimin dhe ndikojnë negativisht në perceptimin publik”, ka thënë ai.
Për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik, sipas tij janë të rëndësishme edukimi medial, komunikimi i qartë nga institucionet, fushatat e verifikimit të fakteve dhe nxitja e mendimit kritik përmes debatit dhe diskutimeve publike.
“Këto masa rrisin rezistencën ndaj dezinformatave dhe ndihmojnë qytetarët të formojnë opinione të informuara”, është shprehur ai.
Në anën tjetër dokumentet e BE-së tregojnë qartë se të dy palët kanë detyrime të pambajtura dhe probleme të vazhdueshme të implementimit. Vështrimi procesit ka treguar se dialogu nuk dëmtohet nga ajo që negociohet në Bruksel, por nga mënyra se si interpretohet në Prishtinë, Beograd dhe platforma të treta mediatike. Dhe nëse nuk ndryshohet qasja ndaj informacionit, procesi rrezikon të mbetet peng i narrativave, jo i fakteve. Dhe në këtë klimë, normalizimi bëhet edhe më i vështirë.
Artikull i shkruar nga gazetarët: Fisnik Minci dhe Raif Kırkul
Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërish politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.
Ky material nuk pasqyron domosdoshmërish as politikat redaktuese të Telegrafit.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri tha sot se Kosova gjatë vitit 2025 ka importuar mesatarisht çdo ditë 8.860 euro për rrymë nga Serbia.
Ymeri kështu u shpreh përmes një postimi në Facebook.
“Për një vit, 2025, Kosova ka importuar rrymë nga Serbia 3,234,127.98 euro ose mbi 3.2 milionë euro. (Dogana e Kosovës).
Mesatarisht çdo ditë, 8,860 euro para për rrymë për Serbinë.
Tash këta filmat me konferenca e zvarritje të proceseve se kinse Kuti e paria e tij po e mbron Kosovën nga Serbia i rikujtoni vet, në ndërkohë që ne i paguanim Serbisë para për rrymë, e për çfarë jo tjetër”, shkruan Ymeri. /Telegrafi/
Shqipëria të martën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.
Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal.
Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore. Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve.
Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë zonave luginore dhe vijës bregdetare në jug në pjesën e parë të ditës era hera-herës me shpejtësi deri 10m/s.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë kësaj jave në Kosovë parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me intervale me diell dhe reshje të herëpashershme shiu.
IHK për të martën ka njoftuar mot të vranët me intervale me diell, ndërkaq mëngjesi me ngrica.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -2 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 4 deri në 7 gradë.
Era do të fryjë nga verilindja, 1–7 m/s. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të kanosjes së gazetarëve në Viti.
Rasti ka ndodhur të premten, në ora 14:30.
“Viti 30.01.2026-14:30. Raportohet se pas përfundimet të një seance gjyqësore që ishte duke u mbajtur në Gjykatën Themelore në Viti, gazetarët janë kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili gjendej në sallën e gjykimit”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me gjyqtarin e procedurës paraprake Shaqë Curri, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit T.P., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
I pandehuri dyshohet për dhunimin e një të miture në Istog.
Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri T.P. ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1, si dhe lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Paraburgimi i është caktuar nga data 29.01.2026, ora 14:30, dhe do të zgjasë deri më 28.02.2026, ora 16:00. /Telegrafi/
Sot po mbahen punimet e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të vendosur lidhur me udhëheqjen e partisë pas rezultateve jo të mira në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Para delegatëve të partisë, në fjalë rasti e mbajti kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
E fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova ju sjell fotografi nga punimet e Kuvendit të LDK-së. /Telegrafi/
Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të dotir se ka arrestuar dy të dyshuar për grabitjen në një këmbimore në Pejë.
Rasti kishte ndodhur më 28.01.2026, rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Policia njoftoi se menjëherë i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje, ka kuptuar nga viktima e cila ka qenë në orarin e punës se dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e thikës kanë arritur t’i marrin nga viktima 1 mijë euro.
Në njoftim tutje thuhet se pas një pune intensive të hetuesve të sektorit rajonal për hetime, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Istog, më 30.01.2026, rreth orës 23:00, nga zyrtarët policor të Stacionit Policor në Istog janë lokalizuar dhe arrestuar në bjeshkët e Istogut, dy persona të dyshuar për këtë rast.
Pas intervistimit nga hetuesit e sektorit rajonal për hetime, dy të dyshuarit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të njëjtit dyshohen edhe për një grabitje tjetër e cila ka ndodhur më 21.12.2025 në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë. /Telegrafi/
Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteranë e familjarë kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteranë theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.
“Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë...“, tha ajo, raporton KP.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.
Sipas tij, forcat serbe i vranë më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruar nga veprimtaria e tyre.
“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t'ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti...", tha ai.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku para se të hynte në mbledhjen partisë, saktësisht në Kuvendin e punës së LDK-së tha se do të dëshironte që kjo ditë të shënohet me maturitet politik, me diskutime dhe debate të hapura.
Abdixhiku thekoi se le të jetë kjo një standard i mirë, i mbarë jo vetëm për LDK-në, por edhe për partitë tjera.
“I siguroj të gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga kjo ditë do të dalim edhe më të unifikuar, më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara”, tha ai.
Abdixhiku tha se me debat, me diskutime dhe në fund me shumicë votash e përcaktojnë faktin politik.
Ai tutje tha Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe ka të drejtë të vendos çdo gjë.
“Kuvendi vendos për të ardhmen politike të LDK-së dhe të secilit”, tha ai, kur u pyet për kandidaturën e Avdullah Hotit.
Ndërkaq, lidhur me kritikat për mos qartësim të agjendës, Abdixhiku tha se ky është niveli më i lartë demokratik dhe mund të gjejnë kritika për gjëra të parëndësishme. /Telegrafi/
Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka bërë të ditur se është propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Ai në një postim në Facebook thotë se Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar
Lexoni të plotë postimin e tij:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Me përgjegjësi të lartë morale dhe me ndjenjë të thellë reflektimi kam pranuar njoftimin se Rrjeti Intelektual Shqiptar më ka propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Këtë propozim nuk e konsideroj si nder personal, por si shprehje të një shqetësimi të sinqertë qytetar për gjendjen e institucioneve tona dhe për nevojën e një udhëheqjeje që mbështetet mbi etikën, dijen dhe përgjegjësinë publike.
Formimi im akademik perëndimor, i ndërtuar në universitete ku mendimi kritik, autonomia morale dhe respekti për shtetin e së drejtës janë parime themelore, më ka mësuar se pushteti nuk është privilegj, por barrë; jo mjet afirmimi personal, por shërbim ndaj shoqërisë. Në këtë kuptim, çdo angazhim publik duhet të kalojë përmes filtrit të ndërgjegjes, ligjshmërisë dhe interesit afatgjatë të shtetit.
Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, e pavarur nga interesat e ngushta politike, e aftë të dialogojë me të gjitha subjektet politike, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, mbi bazën e respektit dhe përgjegjësisë kushtetuese.
Nëse ky propozim do të marrë trajtë konkrete institucionale dhe politike, unë do ta shqyrtoj me seriozitet maksimal, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës, me parimet e demokracisë parlamentare dhe me bindjen time se integriteti personal nuk guxon të komprometohet për asnjë funksion publik. Kosova ka nevojë për qetësi institucionale, maturi politike dhe rikthim të besimit qytetar – jo për aventura personale apo projekte të ndërtuara mbi emocione të momentit.
Në çdo rrethanë, do të mbetem i përkushtuar ndaj dijes, të vërtetës dhe shërbimit publik, sepse besoj se vetëm një shtet i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe arsyeja mund të garantojë të ardhmen që qytetarët e Kosovës meritojnë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 29-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha tha se ata i dhanë rrugë lirisë së Kosovës.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se ata me veprën e tyre ishin motiv për të gjithë.
“Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha i dhanë rrugë lirisë së Kosovës.
Në 29-vjetorin e rënies, nderuam heroizmin e trimave të UÇK-së, komandantin Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Zahiri, Edmondi e Hakifi, me veprën e tyre ishin motiv për të gjithë ne në rrugën e mëtejme dhe vitet vendimtare drejt çlirimit. Idealit të tyre iu bashkuan djem e vajza nga më të mirët, në frontet anembanë vendit, deri në çlirimin përfundimtar.
Lavdia e tyre do të jetojë përjetë e mot!”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/