Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie, duke theksuar se anëtarësia është themeli dhe autoriteti më i lartë i LDK-së.
Përmes një reagimi publik, Veliu ka deklaruar se asnjë kryetar, asnjë kryesi, Këshilli i Përgjithshëm apo Kuvendi i partisë nuk mund të jetë mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Ai ka vlerësuar se pas humbjes së thellë në zgjedhje, zgjidhja nuk gjendet duke u mbështetur në struktura të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës.
“LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë”, ka theksuar Veliu.
Ai ka paralajmëruar se historia ka treguar se ata që dëmtojnë themelet e partisë dhe e shndërrojnë atë në interes personal, nuk mbahen mend si udhëheqës, por si ata që e kanë lënë të fundit.
Në fund të reagimit, Veliu ka shprehur shqetësimin dhe njëkohësisht urimin e tij për të ardhmen e partisë, duke përfunduar mesazhin me thirrjen: “Zoti e ruajt LDK-në!”.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Islame e Bosnjë dhe Hercegovinës kanë organizuar ekspozitën “Kujtesa në fotografi”, e cila paraqet xhamitë e shkatërruara gjatë viteve ’90.
Ekspozita shërben si dëshmi e kujtesës historike dhe e pasojave të luftës mbi trashëgiminë kulturore e fetare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri më 7 shkurt 2026, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka refuzuar sot kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të pandehurve të dyshuar për “falsifikim të rezultateve të votimit”.
Të pandehurit, të cilët përfshijnë R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., do të vazhdojnë të mbrohen në liri.
Bëhet e ditur se gjykata ka vendosur se, në këtë fazë të procedurës, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për paraburgim, duke siguruar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të palëve në proces.
Rinumërimi ka përfunduar gjatë fundjavës që shkoi dhe KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare.
Për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, dhjetëra persona janë ndaluar dhe qindra të tjerë janë intervistuar në shumë rajone të Kosovës.
Po më 2 shkurt, autoritetet nisën hetime në Podujevë, pas dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.
Ndryshe, koordinatorja nacionale për zgjedhje në Kosovë, prokurorja e shtetit, Laura Pula, ka paralajmëruar se edhe kandidatët për deputetë që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, ndonëse deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndonjë prej tyre është ftuar për intervistë në prokurori./Telegrafi/
Zbardhen detaje të reja nga operacioni i Komisariatit të Policisë Nr.3, ku u zbulua një arsenal armësh në zonën e Selitës, në Tiranë.
Sipas burimeve policore, armët mbaheshin në një vilë trekatëshe dhe prej aty shiteshin në mënyrë të organizuar. Kur blerësit shkonin për t’i marrë, poseduesit e armëve dilnin jashtë banesës, i vendosnin në një kuti në formë pakoje dhe më pas ia dorëzonin personave që kishin bërë porosinë.
Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur rreth dy muaj më parë nga Komisariati Nr.3 në kryeqytet, shkruan A2.
Me metoda speciale hetimore, policia arriti të dokumentojë veprimtarinë e paligjshme të këtij rrjeti të shitjes së armëve. Përmes agjentëve të infiltruar, u kryen blerje të kontrolluara armësh nga anëtarët e grupit kriminal, të cilat u filmuan dhe u shoqëruan me prova ligjore.
Pas kësaj faze u ndërmor edhe operacioni policor, ku u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan 8 armë zjarri, një armë gjahu, një jelek antiplumb, municione, tre radio të ngjashme me ato të policisë dhe nëntë telefona celularë. Sa i përket çmimeve, armët e zjarrit, kryesisht pistoleta tip Glock, shiteshin në tregun e zi deri në 5 mijë euro copa, ndërsa automatikët deri në 3 mijë euro.
Në pranga ranë shtetasit Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardjan Caushi, të dyshuar si pjesë e grupit që ushtronte tregtinë e paligjshme të armëve.
Ndërkohë, policia po heton edhe pistën se pranë vilës trekatëshe në Selitë ndodhet një person me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet të jetë edhe kreu i këtij grupi kriminal./A2 CNN
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se bashkë me Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, si dhe Komisionin e Kryeqytetit për Vlerësimin e Dëmeve, kanë mbajtur një takim koordinues me Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve.
Sipas Ramës, takimi është fokusuar në forcimin e koordinimit institucional dhe në zbatimin e procedurave ligjore për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e muajit janar, të cilat kanë prekur ekonomitë familjare, sektorin e bujqësisë, bizneset dhe infrastrukturën.
Ai ka riafirmuar përkushtimin e Kryeqytetit për mbështetjen e qytetarëve të prekur, duke theksuar se procesi i vlerësimit të dëmeve do të jetë i drejtë dhe transparent, në përputhje me ligjet në fuqi.
Rama ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë për të siguruar trajtim të barabartë dhe ndihmë të shpejtë për të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet.
Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, kanë zbuluar rreth dy kilogramë lëndë narkotike gjatë një kontrolli në Pikëkalimin Kufitar Merdare.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli i detajuar është realizuar sot, më 02.02.2026, ndaj një automjeti të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij kontrolli, zyrtarët kanë gjetur të fshehura në mënyrë të sofistikuar rreth 2 kilogramë substancë, për të cilën dyshohet se është kokainë.
Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pajisje kjo që ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve dhe ka mundësuar identifikimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike.
Rasti aktualisht është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë pritet të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të informatave dhe përdorimit të kapaciteteve moderne teknike, me synim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
FSPTSPK-ja, thekson se vendimi i kryeministrit i marrë më 31 tetor 2025 parasheh që paga minimale nga 1 janari 2026 të jetë jo më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 të rritet në 500 euro.
Megjithatë, sindikata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF të Klinës kanë marrë vetëm 350 euro pagë, çka sipas tyre përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar dhe të të drejtave të punëtorëve.
Federata ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës, ndërsa nuk përjashtohet as ndjekja e rrugëve ligjore, përfshirë adresimin e çështjes në Gjykatë.
“Këta punëtorë sot morën 350 euro pagë, pra në kundërshtim me vendimin e kryeministrit të Kosovës. Për këto shkelje, Sindikata do të njoftojë Inspektorin e Punës dhe nëse ka nevojë edhe Gjykatën”, thuhet në komunikatë.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.
Lista Serbe më 2 shkurt është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa për këtë vendim të KQZ-së./Radio Evropa e Lirë/
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë nisur zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”, përmes të cilit do të evidentohen automatikisht shkeljet në trafik.
Sipas informacioneve zyrtare, monitorimi do të realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat regjistrojnë shkeljet e dispozitave të komunikacionit në përputhje me legjislacionin përkatës të Maqedonisë së Veriut.
Në fazën e parë, sistemi do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Në këto zona do të evidentohen shkelje si: tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.
Autoritetet kanë bërë të ditur se sistemi “Qyteti i sigurt” do të vlejë edhe për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova. Në rast se një shtetas i huaj kryen shkelje të konstatuar nga ky sistem, ai do të njoftohet gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Qytetarët e huaj kanë të drejtë që ta paguajnë 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Ndërkaq, në rast të mospajtimit me shkeljen ose mosrealizimit të pagesës, ndaj tyre do të iniciohet procedurë kundërvajtëse për të huaj para gjykatës kompetente.
Ky njoftim u është adresuar qytetarëve me qëllim të informimit dhe rritjes së kujdesit, si dhe respektimit të dispozitave ligjore gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/
Objektivi i atentatit të ndodhur të dielën në mbrëmje në në Rrilë të Lezhës dyshohet se ka qenë Merando Nikulaj, 21 vjeç, ndërkohë që plumbat i mori 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku po qethej Nikulaj.
Autorët me dy automjete, një Audi dhe një Passat ndaluan përpara berberhanes dhe pasi zbritën nga makinat, dy prej tyre qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të berberhanes ku ndodhej i riu Merando Nikulaj, raporton A2.
Brenda biznesit ka qenë edhe një efektiv policie, i cili është kundërpërgjigjur autorëve, dhe që me ndërhyrjen e tij mesa duket ka evituar që atentati të kishte viktima. Në dëshminë e tij paraprake polici ka deklaruar se është gjendur rastësisht në berberhane dhe se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe se nuk i ka parë autorët.
Hetuesit kanë marrë gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, ku pritet të bëhet analiza e ADN-së, për të zbuluar nëse kemi të bëjmë vetëm me një person të plagosur, apo nëse përveç berberit të jetë plagosur edhe Nikulaj, shënjestra e atentatit. Burime policore bëjnë me dije se dyshohet se Nikulaj mund të ketë mbetur edhe ai i plagosur në këmbë.
Nga breshëritë më të cilat është qëlluar, katër plumba kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht personat që ndodheshin brenda kanë shpëtuar pa u prekur.
Ndërkohë berberi 30-vjeçari Sokol Daci i cili u plagos aksidentalisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, por me parametra jetësor stabël, në shërbimin e reanimacionit. Ai dyshohet të ketë marrë të paktën 4 plumba, në shpatull, bark dhe në këmbë.
Shënjestra e atentatit, 21-vjeçari Merando Nikulaj është nipi i Ardian Nikulaj, i vrarë më 19 prill 2023 në Shëngjin në hotelin e tij.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se më datë 28 janar 2026 ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit në Komunën e Malishevës.
Në njoftim thuhet se, pasi në datën e lartë cekur nuk ishte siguruar prezenca e një kryesuesi të komisionit, sot më 2 shkurt është siguruar prezenca e tij për intervistim.
Pas veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij prej 48 orësh.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, thuhet në njoftim.
Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 655 milionë euro.
Sipas të dhënave të reviduara (verifikuara) nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), stoku i mbitërheqjeve apo overdrafteve në fund të vitit 2025 ka arritur vlerën prej 655 milionë eurove, një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, bën të ditur Instituti GAP.
Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat në vitin 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro apo 10 për qind.
Sipas një publikimi nga Instituti GAP, norma mesatare efektive (e ponderuar) e interesit e aplikuar në këto overdrafte gjatë vitit 2025 ishte 7 për qind.
"Ndërkaq, overdraftet e ekonomive familjare kapin vlerën prej 115.9 milionë euro, që përbën një rritje rreth 18 milionë euro apo 19% krahasuar me vitin paraprak. Norma mesatare efektive e interesit (e ponderuar) e aplikuar në overdraftet e ekonomive familjare gjatë vitit 2025 ishte 12.3 për qind", thuhet në njoftimin e Institutit GAP.
Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele në qendër të qytetit të Shkodrës, ku një automjet ka përplasur humoristin Nexho Shabani, i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, Shabani ka pësuar dëmtime të shumta dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Për lajmin ka shkruar edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.
“Sonte, Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona.
Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht”.
Muzeut Etno-Kastrioti në Isniq të Deçanit, krahas mijëra eksponateve të vjetra të grumbulluara ndër vite, këto ditë i është shtuar edhe një “Kosh i Drithërave”, i vjetër rreth 200 vjet.
Zekë Sinanaj, pronar i mëparshëm i këtij eksponati, thotë se me kënaqësi e ka dhuruar koshin për muzeun, i bindur se këtu do të ruhet më mirë dhe do t’i zgjatet jetëgjatësia e tij.
"Miftarit kanë filluar kohëve të fundit, sidomos duke e parë rëndësinë e këtij projekti, t’i ofrojnë eksponate të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet. Natyrisht, në oborrin e familjes sonë e kemi pasur edhe këtë kosh, i cili vlerësohet të jetë mbi 200 vjeç. Për të mos u shkatërruar krejtësisht, kam vendosur ta sjell këtu që gjeneratat e ardhshme të shohin si kanë ditur ta ruajnë misrin dhe prodhimet e tjera të paraardhësve tanë. Prandaj, mendoj se është shumë i rëndësishëm, sikurse të gjitha eksponatet e tjera që janë këtu", tha Sinanaj.
Dhurimin e këtij eksponati të vjetër e ka mirëpritur edhe koleksionisti Miftar Januzaj, i cili tha se ky shtesë do të rrisë edhe më shumë vlerën e muzeut.
"Pas shumë eksponateve që na i kanë sjellë nga i gjithë vendi dhe rajoni, është edhe ky kosh, i përdorur nga familja e Selman Bejtë Sinanaj dhe i sjellë në Muzeun Etno-Kastrioti nga djali i tij, Zekë. Çka është me rëndësi, për brezat që do të vijnë, këto eksponate do të tregojnë përmes trashëgimisë sonë se kush ishim", deklaroi koleksionisti Miftar Januzaj.
Ai ndërkaq ka një lutje për të gjithë qytetarët që artefaktet dhe eksponatet e tilla të mos i shkatërrojnë, por t’i sjellin në muze, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e këtij lokaliteti nëpër kohë./RTK
Veshja tradicionale e Hasit, një ndër më të vjetrat në trojet shqiptare, pritet të nisë rrugëtimin drejt UNESCO-s. Për të siguruar pranimin e saj në këtë organizatë ndërkombëtare, studiuesit dhe mbështetësit e kulturës theksojnë rëndësinë e ruajtjes së origjinalitetit të punimit dhe mënyrës së bartjes së saj.
Leme Tanaj, 71-vjeçare nga Gorozhupi i Hasit, ka veshur këtë rrobë tradicionale për dekada dhe kujton me nostalgji punën e madhe që kërkonin veshjet e zonës. Në ditën e martesës, ajo kishte përgatitur tetë veshje të kompletuara, të gjitha të punuara me dorë, të cilat fatkeqësisht u shkatërruan gjatë luftës.
"Kur u nisa për martesë, i kisha tetë veshje. Ato kishin vendet e tyre: më të thjeshtat për shtëpi, ato për dasmë dhe për ngjarje të veçanta ishin më të punuara. Veshja e dekës, për shembull, kishte më pak lule dhe ngjyra më të mbyllëta", rrëfen Tanaj.
Gjenerata më e re, përfshirë Rabije Hodaj nga Shoqëria Kulturore “Hasi Jehon”, vazhdon ta përdorë veshjen për raste të veçanta, si festivalet tradicionale. Ajo thekson se veshja tregonte edhe gjendjen sociale të femrës.
"Përmes veshjes mund të dallosh nëse një grua ishte e ve, pjesëmarrëse në dasmë apo nuse e re. Nuset e reja vishnin fustanella me kanac të kuq, 33 metra të gjatë, ndërsa gratë e mesme përdornin mshellak", thotë Hodaj.
Sipas studiuesit Nexhat Çoçaj, veshja hasjane daton mbi 2,500 vjet më parë. Ajo karakterizohet nga asimetria e punimit dhe një “gjuhë komunikimi” që tregonte jetën sociale të komunitetit.
Çoçaj thotë se, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi dhe Kulturë “Pjetër Bogdani” dhe shoqërinë kulturore “Hasi” në Tiranë, po hartohet kërkesa për pranimin e veshjes në UNESCO, e cila pritet të nisë në prill 2026.
"Rregullat e UNESCO-s kërkojnë që çdo veshje që prezantohet dhe pranohet të jetë origjinale, të punohet origjinale dhe të ruajë bartjen origjinale. Veshja e Hasit humbet karakterin e saj unik nëse i hiqet 'gjuha e komunikimit' ose figurat që tregojnë jetën sociale të bartësit, qoftë veshja e Krumës, qoftë ajo e Vlahnës, apo veshja e Zymit si nënvariant i saj."
Ai gjithashtu nënvizon se nëpër shtëpitë hasjane në Kosovë dhe Shqipëri janë identifikuar mbi 150 veshje të kompletuara, të ruajtura me fanatizëm nga gjeneratat e vjetra, duke siguruar që trashëgimia kulturore të mbetet e gjallë për brezat e ardhshëm./RTK
Karavanit të 150 ushtarëve të lirisë, po i printe Mujë Krasniqi, i njohur si komandant “Kapuçi”.
13 dhjetori i vitit 1998 i gjeti në Cahan të Krumës, e mbrëmjen e asaj të diele, morën rrugën për në Kosovë.
Ata gjatë këtij rrugëtimi u përballën me një prit nga forcat serbe.
Nga dëshmorët e parë që ranë në këtë betejë, ishte Veli Ballazhi. Por, kushëriri i tij, Sameti, nuk e pati këtë fat. Ky i fundit, ishte në mesin e 8 ushtarëve të UÇK-së, të cilët u zunë rob nga forcat serbe.
Sameti tregon se motivi për t’iu bashkuar UÇK-së lindi nga gjendja e rëndë në Kosovë dhe nga luftimet që nisën në Drenicë, duke e shtyrë atë dhe bashkëluftëtarët të shkonin në Shqipëri për t’u trajnuar dhe për t’u radhitur në radhët e rezistencës.
Samet Ballazhi me shokë, i kapur rob në Pashtrik nga serbët
Ai tregon se grupi që u kapën rob u mbajt i ndarë në burgje të ndryshme në Serbi për rreth 40 ditë, duke përjetuar kushte të rënda dhe pasiguri të vazhdueshme për fatin e tyre.
Lirimi i tyre u bë përmes një marrëveshjeje këmbimi, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Kjo ndodhi pasi në një betejë në Shalë të Bajgorës, UÇK-ja kishte zënë rob 8 oficerë serb dhe përmes OSBE-së ata ishin shkëmbyer me ushtarët e UÇK-së.
Pavarësisht vuajtjeve dhe pasojave fizike nga plagët e luftës, Ballazhi thekson se besimi në liri nuk u shua asnjëherë.
“Ne u betuam: ose vdekje, ose liri”, shprehet ai, duke shtuar se edhe në momentet më të vështira besonin se Kosova do të ishte e lirë, edhe nëse jo për veten e tyre.
Ushtarët serb, të kapur rob nga UÇK-ja që u shkëmbyen me grupin e Samet Ballazhit
Sot, rrëfimi i Samet Ballazhit mbetet një dëshmi e gjallë e sakrificës, qëndresës dhe idealit për liri.
Historia e tij kujton se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk erdhën lehtë, por u ndërtuan mbi dhimbje, përkushtim dhe besim të palëkundur në të ardhmen./Telegrafi/
Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, grupi parlamentar multietnik do të përbëhet nga gjithsej tetë deputetë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se ky grup do të përfshijë deputetë nga partitë KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK.
Ai ka theksuar se përkushtimi i këtij grupi është që të japë kontributin e tij në formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, sa më parë.
“Të përkushtuar të japim kontributin tonë në formimin e institucioneve të republikës sa më parë”, ka shkruar Krasniqi.
Kujtojmë, ulëse në Kuvend nga komunitetet joserbe kanë fituar edhe Veton Berisha, Duda Balje dhe Adem Hoxha./Telegrafi/
Policia e Kosovës bën të ditur se si pasojë e reshjeve atmosferike, rrugëve me ngrica dhe dukshmërisë së zvogëluar, kushtet e qarkullimit janë të vështirësuara në shumë segmente rrugore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës thekson se me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik, apelohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndermarrin këto masa: Përshtatja e shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës, mbajtja e distancës së sigurt nga mjeti përpara, përdorimi i dritave në kushte të dukshmërisë së reduktuar.
Ai kërkoi po ashtu nga pjesëmarrësit në trafik po ashtu të shmangin manovrat e rrezikshme (parakalime të panevojshme, frenime të papritura), dhe shoferët të sigurohen që automjeti të jetë i pajisur dhe teknikisht i rregullt për kushte dimërore
“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në terren për monitorim dhe menaxhim të trafikut, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për siguri të përbashkët.Udhëtoni me kujdes. Siguria juaj është prioriteti ynë”, thotë ai.
Sot, gjatë ditës janë raportuar për disa aksidente në vend, si rrjedhojë e reshjeve të borës.
Gjatë përmbytjeve në Gjakovë, Brigada e Zjarrfikësve qëndroi në vijën e parë të shpëtimit, duke evakuuar familje të rrezikuara dhe duke përballuar sfidat e ujit dhe terrenit të panjohur.
Në shiun që s’u ndalë për orë të tëra e rrugët e stërmbushura me ujë, Brigada e Zjarrfikësve të Gjakovës nuk kërkonte strehë.
Në vërshimet e fundit që u përballë vendi nga reshjet e dendura të shiut, zjarrfikësit u vendosën në vijën e parë të shpëtimit duke ndihmuar familje të tëra që mbetën të ngujuara në shtëpitë e tyre.
Ato rrethana i tregojnë këto pamje, në ditë e natë, zjarrfikësit kishin njëri-tjetrin, varkat dhe shpresën.
“Kam qenë personalisht në fshatin e Gjelbër, kemi evaukuar mbi 30 familje, kam qenë personalisht aty. Ka qenë situatë emocioni, i shifshim anëtarët e familjet. Kati i parë ishte përmbytur tërësisht, familja kishe shkuar në katin e dytë, të kapur në dritare. Të thoshin të gjithë: Hajde te unë, tjetri hajde merrem mu. U dashke me i qetësu me ju thanë që të gjithë do t’i tërheqim. Përpiqeshim familjet me fëmijë t’i evakuonim të parat, ishin në panik, qanin”, ka deklaruar Fitim Agushi, zjarrfikës.
Agushi tregon se profesioni ka ditur ta sfidojë por edhe t’i falë momente të çmueshme.
“E kam pas rastin edhe një të moshuar t’a evakuojë. Fshati i Gjelbërt krejt ujë ka qenë. Të moshuarit janë më të stresuar, kanë frikë. Te fëmijët dhe të moshuarit janë më delikatët në këto raste. Pa e dasht punën nuk mundesh me hy këtë profesion. Duhet me dit se kjo punë ka lloj-lloj sfide. Ka pas raste kur fëmijët na thonin fjalë shumë të mira. Na thonin “Je heroi im”. Kemi pas lavdata shumë. Zjarrfikësit janë gjithmonë në shërbim të popullit në çdo situatë, zjarr, ujë, mbyllje shtëpisë. Gjithkund!”, ka theksuar ai.
Për sfidat e terrenit e veçanërisht përballjet ndër vite me vërshimet, tregon edhe drejtuesi i kësaj brigade.
“Para se me mbërri tek vendi zakonisht i ndajmë detyrat por Uji është sfida më e madhe se terreni është i panjohshëm se nuk e din terrenin, nuk e din ku duhesh me shkel. Më problematikun e kemi pas këtu te stacioni i autobusëve, shtëpitë kanë qenë të mbuluara katin e parë me ujë. U tutshim po na bjen najsen prej katit të dytë po prapë po them, intervenimi në ujë është më i zorshmi. Kemi pas vërshime edhe para 3-4 viteve po kësaj here i kemi përballuar më lehtë. Ka pasur më pak thirrje për t’iu ndihmuar”, ka deklaruar Xhevdet Brahimaj – Komandant i Zjarrfikësve – Gjakovë.
Reshjet u ndalën e uji nga vërshimet u tërhoq por në vijën e parë të shpëtimit në rast të situatave emergjente, aty mbetet prapë një brigadë zjarrfikësish, që nuk pushon derisa gjithçka, të jetë e sigurt përsëri./Tv Dukagjini
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lart veprën dhe kontributin e fotografit Hazir Reka, duke e cilësuar atë si një dëshmitar të qetë dhe të thellë të kohës sonë.
Në një postim, Kurti ka theksuar se përmes fotografisë, Reka ka ruajtur tensionet e ngjarjeve, peshën e gjendjeve dhe fytyra të papara, ku pritja bashkon ankthin me shpresën, ndërsa dinjiteti ndan dhimbjen nga frika. Sipas tij, Hazir Reka ka dokumentuar guximin dhe krenarinë, vuajtjet dhe rreziqet që populli i Kosovës i ka përjetuar përgjatë tri dekadave.
Kryeministri ka bërë të ditur se veprat, produktet, mjetet dhe aparatet fotografike të Rekës janë arkivuar dhe po ekspozohen në studion e tij të veçantë në fshatin e lindjes, Nerodime të Ferizajt, në një ambient të këndshëm dhe përplot bukuri.
“Fotografia e tij është kujtesë publike që reziston me estetikë dhe një akt ndërgjegjeje që përgjigjet me qytetari”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se përmes dokumentimit të asaj që sheh, Reka rikthen shoqërinë në vendet ku janë shkrepur fotografitë dhe krijon një proces edukimi për brezat.
Në fund, Kurti ka falënderuar përzemërsisht Hazir Rekën dhe familjen e tij për mikpritjen e ngrohtë, kohën, respektin dhe bujarinë, duke i uruar shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme.