Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një postim në rrjetet sociale shkruan se askund në Europë një kryeministër nuk mbron korrupsionin dhe nuk i përgjigjet qytetarëve me dhunë shtetërore.
Sipas tij, Edi Rama është një kryeministër i skaduar, i cili mbrëmjen e kaluar reagoi ndaj protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me gaz lotsjellës të skaduar, ujë me piper dhe dhunë policore.
Reagimi i Bardhit:
Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin
Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper.
Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe i përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët.
Askund në Europë, Kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur.
Askund në Europë, një kryeministër nuk paracakton tenderat.
Askund në Europë, një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin.
Askund në Europë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë.
Askund në Europë, kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë!
Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama! Sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave.
As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.
Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar.
Reagimi i Ramës për protestën:
“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”.