Reforma territoriale, Mazniku: Komisioni me tre grupe, konsultime publike në qarqe
TIRANË, 2 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Mazhoranca do t’i drejtohet nesër Kuvendit me një kërkesë për ndryshimin e formulës së përfaqësimit në komisionin e posaçëm për reformën administrativo-territoriale me synimin për të garantuar një mekanizëm zhbllokues, në kushtet kur opozita nuk merr pjesë në punimet e komisionit.
Dita e sotme ishte afati i fundit që i ishte vendosur opozitës nga anëtarët e mazhorancës në këtë komision, për t’u bërë pjesë e mbledhjeve të këtij komisioni.
Në nisje të mbledhjes së sotme ku mungonin përfaqësuesit e opozitës në komision, bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku bëri të ditur se mazhoranca do t’i kërkojë Kuvendit shtimin e një anëtari të PS-së në komision, si dhe kalimin e pozicionit të bashkëkryetarit që i përket PD-së në statusin e nënkryetarit të komisionit.
“I kemi kërkuar parlamentit javën që kaloi që të ndryshojmë formulën e komisionit, për të shtuar një anëtar në anën e mazhorancës që të kemi mekanizëm zhbllokues. Opozita do të ketë vendin e saj me 8 anëtarë në komision. Po ashtu kemi kërkuar që nga bashkëkryesi komisioni të ketë nënkryetar, që të fillojmë të punojmë për këtë proces”, tha Mazniku.
Mazniku kujtoi se kur komisioni u krijua me kërkesë të opozitës, pavarësisht përbërjes së parlamentit, u ra dakord duke pasur parasysh edhe rëndësinë e komisionit të kishte elementë bashkëkryesie dhe përfaqësim të barabartë në komision.
“Nisur nga fakti se kjo reformë ka rëndësi të madhe ne donim t’i jepnim gjithë mundësitë opozitës për të pasur pjesëmarrje dhe për t’i dhënë asaj garanci speciale edhe përtej praktikës më të mirë parlamentare europiane”, tha Mazniku.
Por aktualisht, sipas tij, mungesa e opozitës ka sjellë humbjen e dy muajve kohë për një reformë që është me ngut.
Duke sqaruar hapat e mëtejshëm që do të ndjekë komisioni, Mazniku theksoi se komisioni do të ndahet në tre grupe të mëdha dhe secili grup do të mbulojë katër qarqe.
Gjatë muajit shkurt, ai theksoi se anëtarët e komisionit bashkë me ekspertët do të dalin në terren për të zhvilluar konsultim publik.
Ndërsa në mars, sipas tij, do të zhvillohet faza e dytë e konsultimeve tematike. “Të gjitha këto diskutime do të mblidhen së bashku dhe në muajin prill-maj fillojmë procesin e hartimit formal të ligjit”, tha ai.
Duke folur për rëndësinë dhe nxitimin që ka ky proces, Manziku theksoi se kjo reformë duhet të përfshijë një diskutim tërësor, për të qenë më efikase dhe për t’i shërbyer më mirë shqiptarëve.
Një tjetër element me rëndësi, sipas tij, është edhe përgatitja e bashkive për të tërhequr fonde nga Bashkimi Europian dhe për t’i vendosur ato në shërbim të komunitetit.
“Kjo është sot mbledhja e katërt në të cilën opozita nuk vjen. Kemi humbur thuajse dy muaj kohë në një reformë shumë të rëndësishme, në një reform që është në ngut kohe. Siç e kemi shpjeguar, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme vendore ndodhin në prill apo maj të vitit 2027 është shumë e rëndësishme që reforma territoriale të përmbyllet, siç janë dhe praktikat më të mira europiane rreth një vit para zgjedhjeve. Synimi ynë është që t’i qëndrojmë besnik këtij parimi; duhet të përmbyllim reformën territoriale deri në korrik të këtij viti”, tha Mazniku.
Mazniku tha se “hapat e punës do të jenë të ndarë në tre kapituj të mëdhenj. Kapitulli i parë që do të ndodhë që tashmë qysh në muajin shkurt, komisioni do të jetë i ndarë në 3 grupe të mëdha ku secili grup do të mbuloj katër qarqe. Do të synohet që gjatë muajit shkurt ky grup, me 1/4 e komisionit do të shkojnë bashkë me ekspertët që do t’i bashkohen grupit, bashkë me deputetët e zonës, të takojnë kryetarët e bashkive, anëtarët e këshillit bashkiak, bizneset, shoqërinë civile, ekspertët lokalë, për të diskutuar në të gjithë territorin në lidhje me problematikat, sfidat dhe nevojat që pushteti vendor ka përpara.
Kjo do të jetë faza e parë e konsultimit publik. Në muajin mars do të kemi fazën e dytë të konsultimeve, e cila do të jetë faza e konsultimeve tematike. Sërish, komisioni do të jetë i ndarë në tre grupime, njëri grup do të merret me territorin dhe qeverisjen, grupi i dytë do të merret me funksionet e pushtetit vendor dhe grupi i tretë do të merret me financimin e pushtetit vendor dhe secilin prej këtyre 3 grupeve do të ketë konsultime tematike në fushën e vet. Në muajin prill-maj do të fillojmë hartimin e procesit formal të ligjit dhe opsioneve specifike për reformën. Kur shprehem për rëndësinë dhe nxitimin që ky proces ka, është e rëndësishme që t’i shpjegojmë edhe publikut që një reformë e tillë, e cila ka nevojë për një konsultim shumë të madh publik, në të gjithë territorin nuk është një reformë që bëhet në zyrë, nuk është një reformë që bëhet vetëm nga anëtarët e komisionit, por është një reformë e cila duhet të përfshijë të gjitha institucionet lokale vendore dhe qendrore, një diskutim tërësor për mënyrën më të mirë sesi mund të suportohet pushteti vendor për të qenë më efikas, më efiçentë dhe për ti shërbyer më mirë qytetarëve”, tha ai.
Mazhoranca i ka kërkuar parlamentit që të ndryshojë mënyrën si është formuar komisioni, duke shtuar një anëtar dhe duke kaluar nga komision me bashkëkryesi në një komision standard parlamentar me kryetar dhe nënkryetar.
“Kjo nuk do të thotë që opozita nuk është pjesë e komisionit. Opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur në komision, në të gjitha proceset, në të gjitha hapat, në të gjitha diskutimet. Do të ketë vendin e saj sistematik, 8 anëtarët e komisionit janë ata që janë. Kemi kërkuar gjithashtu që të ndryshojmë një element të dytë që nga bashkëkryesi, të kalojmë në një proces kryetar/ nënkryetar, siç janë komisionet standarde në mënyrë që të krijojmë një element të parlamentarizmit normal në këtë komision, por ndërkohë të fillojmë të punojmë për këtë proces”, theksoi Mazniku.
/a.f/r.e/
The post Reforma territoriale, Mazniku: Komisioni me tre grupe, konsultime publike në qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.